Sapo kanë përfunduar xhirimet e filmit artistik me metrazh të gjatë “Vidra” me skenar të Stefan Boskovic e regji të Srdjan Vuletic, shkruan KultPlus.
Xhirimet e këtij filmi janë realizuar në Mal të Zi dhe për realizimin e këtij filmi janë përfshirë disa shtete në kooproduksion si: Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Italia dhe Kosova.
Për këtë projekt filmik që premierën do ta ketë në fillim të vitit 2025 ka njoftuar Fatmir Spahiu, i cili në këtë projekt ka edhe rolin e bashkëproducentit nga Kosova, në kuadër të Shtëpisë Filmike “Buka”.
Më poshtë është njoftimi i plotë i Fatmir Spahiut.
Te dashtun miq,
Jemi te lumtur me ju njoftu se keto dite kane perfunduar xhirimet i filmit “Vidra” skenar i shkrimtarit malazez Stefan Bošković dhe me regji te regjisorit boshnjak Srdjan Vuletić.
“Buka” ndjehet basheprodhuese krenare per kete projekt fantastik.
Poashtu falemnderojme nga zemra bashkepunetoret tone nga Kosova,
Aurita Agushin, Edona Reshitaj, Pellumb Ballata, Nok Selmani dhe stafi tjeter teknik dhe kreativ.
Vidra eshte prodhuar nga;
“Artikualacija film” nga Mali i zi
Ivan Djurović (producent i deleguar)
“Redibis film” nga Italia, Daniele Segre, coproducent,
“Izazov 365” nga Kroacia,
Katarina Prpić, coproducent,
“Realstage” nga Bosnja e Hercegovina
Ishak Jaliman, coproducent,
“Buka” nga Kosova,
Fatmir Spahiu, coproducent.
Filmi eshte mbeshtetur financiarisht nga;
Qendra e filmit te Malit te zi,
Ministria e Kultures se Italise,
Qendra auriovizuele e Kroacise,
Ministria e kultures dhe sporitit e Kantonit te Sarajeves,
Fondi i filmit ne Sarajeve
Qendra Kinematografike e Kosoves
Ne fazen e zhvillimit filmi kishte fituar cmimin e euroimages ne CineLink, si Best Pitch Award at When East Meets West.
Poashtu projekti ishte zgjedhur ne Cinéfondation programme Cannes L’Atelier.
Shfaqja e pare publike e keti filmi pritet te jete ne pranveren e vitit 2025 / KultPlus.com
Në natën e katërt të festivait ndërkombëtar të filmit ‘PriFest’ u prezantua filmi ‘Escort’, një bashkëpunim në mes të Kosovës, Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut, i cili pati premierën edhe në Kosovë, shkruan KultPlus.
Filmi me regji dhe skenar nga regjisori i njohur kroat, Lucas Nova, i zhanrit, dramë, thriller e krim, paraqet fatin e Miros, një producenti, jeta e të cilit ndryshon komplet pas një feste me miqtë e tij dhe një nate në hotel me një punëtore seksi, të cilën pas mesnate ai e gjen të vdekur në banjo.
Drama që e përshkon atë në ditët në vijim, ku punëtorët e hotelit, të cilët fillimisht e ndihmojnë në fshehjen e trupit, e më pas fillojnë të kërkojnë favore nga ai fillimisht më të vogla e pastaj më të mëdha, e bëjnë akoma me të vështirë jetën e tij, e cila deri në atë moment ishte e lumtur dhe pa telashe.
E i gjithë ky zhvillim që shpeshherë dukej surreal, përcjellej shpesh me imazhe të kafshëve e shpendëve duke e paraqitur në njëfarë mënyre edhe vetë jetën e njeriut.
Filmi ‘Escort’ i cili premierën e parë e pati në Festivalin e Filmit në Pula, dukej se u paraqit suksesshëm edhe në Kosovë e kjo u vërejt nga numri i pjesëmarrësve dhe duartrokitjet e publikut pas përfundimit të filmit.
Drejtori i ‘Buka Production’, produksionit kosovar të filmit ‘Escort’, Fatmir Spahiu, u shpreh se kjo premierë mbi të gjitha i dedikohet regjisorit të filmit, Lukas Nova, i cili vdiq pak javë pasi përfunduan xhirimet e filmit.
“Ky është një bashkëpunim i jashtëzakonshëm, një bashkëpunim në mes të Kosovës, Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut. E veçanta e këtij projekti është fakti që do të nderohet regjisori i madh Lukas Nova i cili ka ndërruar jetë vetëm disa javë pasi ka përfunduar xhirimin e filmit dhe kjo premierë në Kosovë nuk do të jetë vetëm një premierë e thjeshtë por me të do ta nderojmë edhe punën dhe veprën e regjisorit të madh kroat Lucas Nova. Besoj që filmi që ka lënë dhe puna të cilën do ta shihni sonte është një testament i jashtëzakonshëm i tij”, tha Spahiu para shfaqjes së premierës.
E pranishme në këtë premierë, aktorja kroate, Hrvojka Begovic, e cila është edhe një prej aktoreve kryesore në këtë film, me pak fjalë u shpreh e lumtur për prezencën e saj në premierën kosovare të filmit ‘Escort’
“Faleminderit shumë që më keni ftuar në këtë premierë, shpresoj që ju do ta shijoni këtë premierë sonte, ashtu siç edhe ne i kemi shijuar xhirimet”, tha Begovic
Ndërkaq, pjesë e kastit të filmit ishte edhe aktori i njohur kosovar, Dukagjin Podrimaj, i cili edhe ishte i pranishëm në premierën në Kosovë. Ai shprehet i kënaqur me realizimin e këtij filmi, duke qenë se ishte hera e parë që po e shihte, në pamundësi për të qenë prezentë në premierën e ‘Escortës’ në Pula.
“Definitivisht është një projekt në të cilin unë kam marrë pjesë dhe kam qenë shumë i kënaqur me gjithë ekipin dhe gjithë mikpritjen që na e kanë bërë. Pavarësisht pse e kam lexuar skenarin, sonte kur e pashë filmin vëreja në disa pjesë një paritet mes njerëze dhe kafshëve dhe një ëndërre surreale që praktikisht mund të jetë edhe jeta e njeriut e tillë”, u shpreh Podrimaj për KultPlus.
Përveç Fatmir Spahiut dhe Dukagjin Podrimajt, pjesë e kasit të filmit ‘Escort’ kanë qenë edhe dy aktorë të tjerë kosovarë: Ilir Prapashtica dhe Fiona Gllavica.
Ndërkaq, pas një edicioni ku u shfaqën shumë filma të njohur shqiptarë e të huaj, sonte përmbyllet edicioni i 18-të i PriFest./KultPlus.com
Shpesh thuhet se plagët e padukshme të luftës janë më të dhimbshme se ato të dukshme. Filmi me regji të Senad Shahmanoviq “Sirin” duke u zhvilluar në një botë të prekur nga lufta, ku hija e së shkuarës duket ende prezentë mbi të tashmen, “Sirin” eksploron plagët e pashëruara të shpirtit njerëzor, shkruan KultPlus.
Kjo histori prekëse ndjek jetën e Nathaly Collins (Danica Qurçiq), e cila i mbijetoi viteve të trazuara 1990 në ish-Jugosllavi, duke emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një jetesë më të mirë, duke përjetuar në realitet gjithë ato vite të luftës nën shtypje nga regjimi ndër vite. Një çështje e pazakontë ligjore në lidhje me trashëgiminë e një gruaje të moshuar të pasur që nuk kishte familje do ta kthejë atë në vendin e saj të origjinës, Malin e Zi.
Në këtë film luan edhe Valery Fisher (Maylinda Kasumovic), aktorja nga Kosova, duke dëshmuar edhe një herë tjetër talentin e fuqishëm që e ka kinematografia shqiptare.
Si një gazetare që kërkon asgjë tjetër përpos përmbushjen e premtimit që gruaja e moshuar e kishte lënë, Fisher, nuk i intereson në qoftë se dikush e kundërshton atë apo jo. Në anën tjetër, Collins, që ka ndryshuar edhe mbiemrin për të harruar rrënjët e saj që i kanë shkaktuar kaq shumë dhimbje ndër vite, nuk mund të vijë në tokën e saj pa takuar motrën, të cilën e kishte harruar.
E gjithë historia ndjektë nga Collins që kërkon të eksplorojë sa më shumë vendin dhe të “rijetojë” edhe një herë tjetër kujtimet e hidhura, duke parë trauma në shumë vende, nga treni në fillim të filmit, e deri te takimi me motrën e saj.
Nëpërmjet “Sirin”, ne shohim si të pashmangshme lidhjen me origjinën tonë dhe ndërveprimin kompleks të kujtesës dhe identitetit. Në këtë histori na kujtohet se disa plagë nuk mund të harrohen kurrë, sado vite që të kenë kaluar. Është një eksplorim prekës i traumës së qëndrueshme që jeton në skutat e mendjes njerëzore.
“Sirin” është një përvojë bindëse kinematografike që na sfidon të reflektojmë mbi qëndrueshmërinë e shpirtit njerëzor dhe ndikimin e thellë të luftës në kujtesën kolektive të një kombi.
Senad Shahmanoviç, regjisori, pohoi se zhvillimi i historisë ishte frymëzuar si nga përvoja e tij ashtu edhe nga bashkëskenaristja Claudia Bottino. Ai gjithashtu ka përfshirë edhe titullin “Sirin”, që njihet në mitologji si një krijesë, si zog me kokën e një zonje elegante.
“Ata nuk i përkasin as kombit nga kanë ardhur fillimisht dhe as këtij. Ne përdorim gjithashtu incidente aktuale që përfshijnë individë të cilët janë të motivuar të zhvendosen dhe përpiqen të fshijnë gjithçka nga e kaluara e tyre, gjë që është e vështirë pasi ata kthehen gjithmonë dhe duhet të përballen me veten”, thotë regjisori.
Ai gjithashtu tregon edhe rikthimin e aktores kryesore në Malin e Zi, si një traumë personale që shfaqet kudo që ajo shkon.
“Por, i bie të kthehet në Mal të Zi dhe të përballet me to. Është një dramë personale se çfarë u ndodh njerëzve të cilët vuajnë dhe ndërrojnë vendbanimin për të pasur jetë tjetër”, ka thënë ai.
Mes tjerash, filmi “Sirin” do të jetë kandidati i Malit të Zi për çmimin në ceremoninë botërore të filmit “Oscars”. Shahmanoviç shpreson se shteti i Malit të Zi, ta mbështet këtë film dhe ta promovojë sa më shumë.
Bashkëproducenti nga Kosova në këtë film, Fatmir Spahiu nga Buka Production, thotë se filma të tillë kuptohen shumë dhe ndjehen në rrënjë në pjesën e vendeve ballkanike.
“Është një storie universale e rajonit. Ky film te unë si skenar ka ardhur shumë herët, ende pa siguruar fondet dhe kam besuar shumë në këtë storie. Pas meje kanë hyrë edhe shtetet e tjera në kooproduksion, siç është Shqipëria e të tjerat”, thotë Spahiu.
Ai gjithashtu thotë se ky film do të jetë një “film-ikonë” për Malin e Zi për një kohë të gjatë.
“Besoj që do të jetë film-ikonë për Malin e Zi për një kohë të gjatë. Kurse sa i përket bashkëprodhimit minor, mendoj se ne duhet të jemi prezentë me krejt fuqitë që kemi dhe besoj që duhet të jemi më shumë prezentë me aktorë pasi e konsideroj që kemi një potencial të fuqishëm në këtë aspekt”, ka thënë ai.
Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës,Filmski Centar Crne Gore, Havc, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, dhe nga Fondacioni Kinematografik Sarajevo Eurimages./KultPlus.com
Ndërkaq, PriFest po vazhdon që të shfaq filma nga vende të ndryshme të botës dhe Kosovës deri më 17 shtator, duke e shndërruar Prishtinën në një qytet të filmit, gjë të cilën e ka bërë dhe po vazhdon ta bëjë tradicionalisht që 15 vite me radhë. /KultPlus.com
Aktori i njohur Fatmir Spahiu së fundi ka dalë me një propozim mjaft interesant, i cili ka kërkuar që në Kosovë duhet të ngrihet një shtatore për mërgimtarët, shkruan KultPlus.
Ai këtë propozim e ka bërë duke iu referuar kontributit të tyre, e që sipas tij është ikonik. KultPlus ju sjell të plotë propozimin e tij.
Miq, isha tu mendu,
Vendi jone duhet me pas monument qe do te quhej;
“Permendorja e mergimtarit te panjohur”
Nje vend ose nje monument me te cilin do te identifikoheshin te gjithe mergimtaret, te gjithe ata qe lane vendin e vet per cfardo arsye dhe ne periudha te ndryshme, per arsye te ndryshme.
Nuk e di dizajnin, ndoshta dicka si skulptura “udhetari” e franqezit, Bruno Catalano. Artista?
Qyshdokoft, kontributi i tyre ka qene dhe mbetet ikonik.
Krejt e dojme Kosoven, por kur je jashte, dashuria eshte ma ndryshe diqysh, me ma shume lot.
Mireseerdhet bashkeatedhetar, knaquni deri ne hava.
Kinematografia e Kosovës ka bërë bujë globalisht dhe një nga filmat e saj të fundit, “Adnan Kafazi”, nuk bën përjashtim. Kjo aventurë rrëqethëse tregon historinë e Adnanit, një njeriu që mban pushtet të pamasë në “Qytetin e Madh” dhe kontrollon gjithçka që ndodh atje, përfshirë trafikimin e qenieve njerëzore. Por mbretërimi i terrorit të Adnanit do të marrë fund pasi treshja legjendare e Vucha, Zagi dhe Bullit kthehen në qytetin e madh me një mision për ta rrëzuar atë, shkruan KultPlus.
Vucha, Zagi dhe Bulli jetonin të fshehur në Meksikë, por e kaluara e tyre kthehet përsëri për t’i ndjekur kur marrin një lutje të dëshpëruar për ndihmë nga Qoqa, një njeri që dikur i besonin, por që i tradhtoi. Treshes i kërkohet të shpëtojë Uman, një grua e bllokuar në një nga kafazet e Adnanit dhe të tjerët që po përballen me vdekjen e sigurt. Megjithatë, këtë herë treshja është e gatshme të bëjë gjithçka për të shpëtuar jetën e tyre. Me ta është edhe Lina, një grua transgjinore që dikur ishte një gangster famëkeq, por tani ka bashkuar forcat me treshen e famshme.
Ndërsa lundrojnë në botën e rrezikshme dhe të korruptuar të Qytetit të Madh, treshja do të përballet me pengesa dhe sfida të shumta, por ata janë të vendosur të kenë sukses në misionin e tyre. Ata janë të motivuar nga besimi i tyre në drejtësi dhe dëshira për të shpëtuar jetën e Uma-s dhe të tjerëve. Kolona zanore e filmit, me meloditë e saj, i shton një shtresë emocionale kësaj historie tashmë të fuqishme.
Mesazhi qendror i filmit për vetëfuqizimin dhe vendosmërinë vihet në jetë përmes forcës dhe guximit të treshes, të cilët refuzojnë të mposhten nga shanset e grumbulluara kundër tyre. Ata janë të vendosur të rrëzojnë Adnanin, i cili u tradhtua nga gruaja e tij, të cilën ai e kishte keqtrajtuar për kaq shumë kohë. Filmi thellohet në kompleksitetin e marrëdhënieve, dinamikën e pushtetit dhe ndikimin e abuzimit tek individët, gratë dhe shoqëria.
Adnan Kafazi është një festë vizuale për sytë, me kinematografi që të lë pa frymë që kap bukurinë dhe diversitetin e Kosovës dhe njerëzve të saj. Regjisori i filmit ka krijuar një botë sa familjare dhe ekzotike, duke tërhequr audiencën në zemër të historisë dhe duke i mbajtur ata të mbështetur në sediljet e tyre.
Filmi ka shumë të papritura, të cilat e bëjnë edhe më unik këtë film, i cili është vazhdim i filmave “Diamanti”, “Zonjusha”, për të kompletuar siç duhet trilogjinë.
Si përfundim, Adnan Kafazi është një film që nuk duhet humbur. Është një histori e fuqishme e vetëfuqizimit, vendosmërisë dhe triumfit të shpirtit njerëzor.
Pjesë e këtij filmi ishin aktorët: Dukagjin Podrimaj, Fatmir Spahiu, Besart Sllamniku, Dafina Zeqiri, Shkumbin Istrefi, Xhejlane Terbunja, Armend Baloku, Muhamed Arifi, Lulzim Bucolli, Edita Sllamniku, Armond Morina, Ylber Bardhi, Edona Reshitaj, Alesia Xhemalaj, Arta Muçaj, Ernest Malazogu, Olimpia Smajlaj, Blin Sylejmani, Arjanit Marmullaku.
Si producent të filmit janë: Dren Berisha, Genc Berisha, Valon Jakupaj, Rita Krasniqi, Dukagjin Podrimaj, Besart Sllamniku, Dafina Zeqiri. Ndërkaq, regjisori i këtij filmi është Genc Berisha, ndërsa pjesë e skenarit ishin, Besart Sllamniku, Lulzim Bucolli e Rita Krasniqi.
Regjisori Genc Berisha, tha në konferencë për shtyp pas filmit që është shumë i kënaqur me rezultatet e arritura deri tani, derisa për të kënaqësia më e madhe është pjesa që kanë arritur ta shfaqin këtë film në ekranin e madh.
“Jam shumë i kënaqur me rezultatin që kemi arritur dhe me ekipin që kemi pasur, mezi kam pritur që t’ia nis pjesës së tretë, i kemi parë vështirësitë nga filmat e kaluar dhe tani i kemi kaluar shumë më lehtë. Kemi qenë një ekip shumë më i madh edhe mendoj që edhe këta kanë qenë shumë më profesional se herët e kaluar”, tha Berisha.
Aktori dhe skenaristi, Besart Sllamniku, lajmëroi se ky film nuk ishte paraparë kur u bë “Diamanti”, por u planifikua pas përfundimit të “Zonjushës”.
“Kur e kemi bërë filmin ‘Zonjusha’ nuk e kemi ditur që do ta bëjmë filmin ‘Diamanti’, por kur e kemi bërë ‘Diamantin’ ne e kemi ditur që do të bëhet ‘Adnan Kafazi’. E kemi ditur edhe sinopsisin dhe ka qenë një plan të cilit nuk kemi arritur ta realizojmë, ky film ka pasur shumë më herët për t’u realizuar, por për shkak të pandemisë është vonuar”, u shpreh ai.
Një nga protoganistët e filmit, Armond Morina, i cili erdhi për filmin e tretë dhe të përfundojë trilogjinë e filluar, u shpreh i lumtur që Kosova po eksperimenton me stile të tilla.
“Unë mendoj se kemi arritur që të bëjmë një film të mirë dhe të shfaqim se Kosova ka potencial për të bërë edhe filma me tematikë të aksionit, dramës e komedisë. Kemi punuar si një ekip për një kohë të gjatë dhe kemi shfaqur punën tonë”, tha Morina.
E pyetur nga gazetarët nëse janë përpjekur të tregojnë një pjesë të problemit të shtypjes së grave dhe diskriminimit të vazhdueshëm që pranojnë në ditët e sotme, aktorja Edona Reshitaj i është përgjigjur kësaj pyetjeje duke pohuar se një gjë e tillë është synuar të bëhet në filmin “Adnan Kafazi.
Një problematikë të cilën Sllamniku dëshironte ta theksonte ishte pjesa e mungesës së kinemave në qytete të Kosovës.
“Fatkeqësisht, shoqëria jonë është një shoqëri e cila nuk ka qejf që i’i shfaqë problemet e gruas, sidomos në aspektin, një shoqëri që ka dëshirë ta lërë gruan të heshtë dhe të mos i shfaq problematikat që i ka ajo. Shpresoj që ky film do t’i vetëdijësojë gratë, por edhe më me rëndësi është që të vetëdijësohen burrat, sepse burrat janë problematika pse gratë janë të izoluara dhe nuk mund ta shprehinë lirinë e tyre.
Adnan Kafazi është një krijim mjeshtëror që bashkon artin dhe tregimin në një mënyrë që kapërcen kohën. Me pamjet e tij mbresëlënëse, skenarin emocionuese dhe narrativën magjepsëse, ky film ka potencialin të bëhet një klasik i përhershëm.
Ky film pati premierën mbrëmë në Cineplexx me mbi 1100 bileta të shitura, dhe tani do të vazhdojë të jetë në repertorin e tyre.
Ndërkaq, ai pritet që të udhëtojë edhe nëpër vende të ndryshme në Evropë. Fillimisht në Tiranë, për të udhëtuar pastaj në Gjermani, Zvicër, Mbretëri të Bashkuar etj./KultPlus.com
Fatmir Spahiu, Donat Qosja dhe Fatos Kryeziu, të njohur më së shumti si pjesë e serialit televiziv, “Kafeneja Jonë”, do të shfaqen edhe një herë tjetër bashkë, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur Fatmir Spahiu, përmes një postimi në rrjete sociale.
“Na atje, ata ketu” Komedi televizive qe do te transmetohet naten e vitit te ri ne T7″, ka shkruar Spahiu në rrjete sociale.
Tradicionalisht, televizionet në Kosovë sjellin gjithmonë në programacionet e tyre për Vitin e Ri, humor e muzikë për të gjithë familjen. /KultPlus.com
Pas një kohe të caktuar, dallimi midis historisë dhe legjendës turbullohet, ndërkaq është pikërisht magjia e filmave që ka fuqinë për t’u transportuar në çdo botë, reale apo imagjinare, për një periudhë të shkurtër kohe. Filmbërësit e bëjnë të mundur krijimin e vendodhjeve të vjetra dhe njerëzve të “ri-imagjinuar”, duke i sjellur ata në ekran të madh, njësoj siç bëri edhe “Illyricvm”, duke dëshmuar thënien se asnjë art nuk e kalon ndërgjegjen tonë ashtu siç bën filmi, dhe nuk shkon drejtpërdrejt te ndjenjat tona, thellë në dhomat e errëta të shpirtit tonë, siç bën filmi, shkruan KultPlus.
Edhe më intrigues është të shohësh sesi një kastë e artistëve kombinojnë faktin dhe trillimin për të portretizuar periudha historike si ilirët dhe mënyrën e tyre të jetesës.
Mbledhja e taksave mund të duket si një punë shumë e lehtë për t’u bërë, por nuk ishte për një të ri si Liburnus Volsus, i cili rekrutohet nga një njësi romake për të mbledhur taksat. Ilirët, të cilët në atë kohë konsideroheshin barbarë nga fiset romake, paraqesin kthesa të papritura në film, duke treguar forcën e tyre kundër nënshtrimit. Përmes Volsusit shohim se bota e njerëzve të kohës “37 vjet para lindjes së Krishtit”, nuk ishte aspak e ndryshme nga e jona.
Mënyra e jetesës së ilirëve – arsye për realizimin e filmit
Regjisori dhe njëri prej skenaristëve, Simon Bogojevic-Narath, shpjegon në konferencë për media se është pikërisht fakti që më herët nuk është realizuar një film për ilirët dhe mënyra e tyre e jetësës, si arsye, të cilat ndikuan edhe në realizimin e këtij filmi.
Duke filluar nga regjisori Narath, së bashku me aktorët: Robert Prebil, Dukagjin Podrimaj, Ylber Bardhi, Labeat Bytyqi, Gani Morina dhe Ali Demi, u mblodhën bashkë edhe një herë tjetër nga co-producenti Fatmir Spahiu, për të parë nga afër filmin “Illyricvm” dhe për të bashkëbiseduar më shumë rreth filmit.
“Për mua i gjithë procesi i realizimit të këtij filmi ishte i jashtëzakonshëm. Jemi të parët që kemi bërë një ‘subject in cinematography’ falë njerëzve që janë këtu që e bën të mundur gjithë realizimin. Për mua si regjisor dhe co-producent ishte një përgjegjësi e madhe dhe gjithashtu një kënaqësi e madhe. Në njërën anë ishte një gjë shumë e mirë, por edhe sfiduese. Ishte një nder i madh që të punoja me aktorë të talentuar siç janë këta që i kemi këtu”, thotë regjisori Simon.
Simon shpjegon se mungesa e informacioneve nëpër vende të ndryshme të botës për ilirët, është edhe motiv shtesë që ai të ketë premiera në shumë shtete, por sigurisht kjo nuk varet nga ta.
“Do të doja që ky film të udhëtonte nëpër shumë vende të botës dhe jo vetëm në shtetet ballkanike. Problemi im personal ka qenë që në shumë vende të botës dihet më shumë për vikingët dhe këtë lloj historie. Por, për ilirët nuk ka shumë njohuri nëpër botë dhe t’i shfaqesh ata përpara publikut, mënyrën si kanë folur, mënyrën si janë dukur dhe të prezantosh këtë botë antike përpara njerëzve është diçka shumë e madhe. Në qoftë se njerëzit do të jenë të interesuar për të parë këtë film, atëherë ata mund të shkojnë në kinema”.
Mozaiku i filluar, në pritje për t’u plotësuar
“Unë doja që të shfaqja përpara publikut mënyrën se si janë ilirët. Shpresoj që ky nuk do të jetë filmi i fundit për Ilirët dhe të kaluarën tonë antike. Mendoj që kemi të drejtën që të marrim primatin si njerëzit e parë që kemi realizuar një film për Ilirët. Për mua mesazhi i filmit ishte që të tregojmë që ne të gjithë jemi njerëz, pa marrë parasysh që jetojmë tani, apo rreth 1500 vjet më parë ose çfarëdo lloj kohe. Jemi të njëjtë, por jo shumë të njëjtë gjithashtu. Nëse e marrim për shembull një mozaik, ne mund të themi që kemi plotësuar vetëm një pjesë, për ta kompletuar atë, duhen shumë pjesë. Prandaj, shpresoj që të realizohen edhe filma të tjerë”.
Triumfues përpara vështirësive, në qendër shqiptarët dhe e kaluara e tyre
“Ne dëshironim që të krijojmë një portretizim të ilirëve në këtë film, një periudhë të caktuar kohore dhe për mua ka rëndësi se si e shihni në pjesën kinematografike këtë film. Ne donim që të krijonim diçka më poetike. Nëse ju jeni një person që kërkoni aksion, filma aksion, do të shkaktoj një konfuzion te ju. Ne jemi munduar që përmes këtij filmi të tregojmë një periudhë të caktuar kohore. Të kemi aktorë shqiptarë në këtë film ishte gjëja e duhur. Të jem i sinqertë, një film i tillë, në këtë rast i yni, është shumë i vështirë që ta bënim. Ka qenë sfidë e madhe dhe kemi arritur që ta bëjmë një gjë të tillë. Fatmirësisht ne kishim shqiptarë në këtë film”, shpjegon regjisori.
Njëri ndër aktorët shqiptar me rolin kryesor në këtë film, Ylber Bardhi, thotë se një film i tillë ishte sfidë interesante, por edhe punë e madhe që duhej bëhej.
“Normalisht që ka qenë e vështirë, por gjatë gjithë kohës, prej momentit kur e kemi marr tekstin, diku një vit përpara se të fillonin xhirimet. Kemi qenë në kontakt gjatë gjithë kohës edhe me profesorë të gjuhës, ata të latinishtes dhe të ilirishtës. E kemi pasur një lloj sfide shumë interesante që të mësojmë të flasim ilirisht, dhe me shumë punë e kemi bërë një gjë të tillë.
Në anën tjetër, Labeat Bytyqi, njëri ndër aktorët që kishte udhëtuar për xhirimet e këtij filmi, vetëm një apo dy javë pasi kishte diplomuar në këtë drejtim, thotë se ndjehet shumë i lumtur që është bërë një film i tillë dhe ai ishte pjesëmarrës.
“Secila pjesë i ka pjesët e veta të vështira, por gjatë procesit kemi kaluar shumë mirë. I kemi filluar më herët përgatitjet dhe gjithçka ka shkuar shumë mirë. Po, jam aktor i ri dhe sapo kam diplomuar, e pas një jave ose dy jam nisur për xhirime të filmit. Ka qenë e vështirë, por dashnia ka qenë më e madhe se lodhja dhe sigurisht gjatë gjithë kohës jam konsultuar me Bufin e Ylberin, të cilët kanë përvojë shumë më të gjatë se unë. Por edhe me regjisorin e profesorë të tjerë. Më pas, i gjithë procesi ka qenë shumë i mirë. Do të doja që të vazhdoja karrierën me filma të tillë. Po shfrytëzoj rastin që të falënderoj Fatmir Spahiun në realizimin e këtij filmi, sidomos që më ka ftuar në këtë film dhe e ka bërë të mundur daljen time në skenë menjëherë”.
Një nga aktorët më të njohur nga Sllovenia, Robert Prebil, thotë se që nga fillimi i realizimit të këtij filmi, ndodhi një ndërlidhje me aktorët nga Kosova, në këtë rast Ylber Bardhin (me të cilin ka një rol të ngjashëm), derisa shpjegoi edhe pjesët më të vështira e më të mira në realizimin e filmit.
“Asnjëherë në karrierën time nuk kam luajtur një film të tillë. Për mua ishte shumë interesant që të luaja këtu. Kur e pashë skenarin, që në fillim e pamë atë lidhjen mes aktorëve. Sapo u takuam me Ylber Bardhin, ne kaluam momente të mira dhe ishte shumë interesant se si regjisori na vendosi bashkë në mënyrën më të mirë të mundshme. Dukej sikurse gjithçka ishte e bërë më parë dhe lindi natyrshëm bashkëpunimi i veçantë. Gjatë gjithë kohës ne po mundoheshim që të mësonim gjëra të reja gjatë filmit, duke filluar nga pjesa për të hypur në kuaj dhe më pas edhe sigurisht po shikonim në “YouTube” se si ta zotërojmë më mirë shpatën dhe lëvizjet që njerëzit kishin në atë kohë. Zakonisht ditët e xhirimit dijnë të jenë të mërzitshme, por këto kaluan si një moment dhe kaluam shumë kohë të mirë, çdo dite ishte një ditë më e veçantë se tjetra. Nuk po i prisja detajet të jenë në këtë formë”, tha Prebil.
Edhe aktori Dukagjin Podrimaj pohon se mundësia për të pasur një rol të tillë, në një film të këtyre përmasave, është mundësi që vjen një herë në jetë.
“Vetë fakti që është film historik, po besoj që të gjithë aktorët i intrigon. Me të vërtet është një mundësi që të vjen një herë një jetë. Skenari ka qenë i kompletuar plotësisht. Nuk ka pasur shumë dialog, por për aq sa ka pasur ishte i plotë. Ky është një film historik që mund të realizohet në 100 mënyra. Unë e kam parë këtë film në “Pula” të Kroacisë, kur e ka pasur premierën botërore. Aty ka qenë si një koloseum amfiteatër dhe ishte shumë korrespodente, të shihej një film i tillë nga një vend i tillë ishte tamam e veçantë”.
Bashkëpunim i rastësishëm për realizimin e një filmi madhështor
“Bashkëpunimi ka ndodhur rastësisht gjatë një takimi në Festivalin e Filmit “Trieste”, me zonjën Ankica Tilliq Juriq, një super producente jo vetëm kroate por edhe evropiane. Ajo ka shfaqur një interesim që të ketë një kastë të aktorëve shqiptarë nga Kosova, që t’i luajnë rolet e ilirëve. Ekziston një lidhshmëri, sigurisht e natyrshme. Jemi në këtë projekt, sepse këtij projekti i takojmë, kësaj storie i takojmë dhe jemi në të pa asnjë dilemë”, thotë Spahiu.
Ngjashmëria në gjuhë, dëshmi e lidhshmërisë së natyrshme me shqiptarët dhe ilirët
“E keni pa edhe gjuhën, kur e dëgjoni frazën komplet mundet me tingëllu si diçka shumë e çuditshme, si diçka që nuk përngjan me gjuhën e sotme shqipe. Por nëse i ndani fjalët një nga një, e kuptoni që etimologjia e tyre bie në gjuhën e sotme shqipe, sidomos në këtë që e flasim ne në ditet e sotme. Fjalorin që e kemi pasur nga një prej linguistëve më të njohur botëror, mund të shihet se ndoshta secila fjalë shpie te gjuha e sotme shqipe. Nëse mund ta quajmë filmin politikisht korrekt, atëherë është korrekt. Nëse e quajmë historikisht korrekt, edhe ashtu është. Nuk kemi bërë diçka, të themi në thonjëza, që na “shkel” ose nuk është ashtu për neve”, vazhdon ai tutje, duke njoftuar se ky film në radhë të parë është një bashkë-produksion mes disa shteteve.
Aktorët nga Kosova si një vullkan prej talenti
“E quaj një të arritur personale, pjesëmarrjen e 13 aktorëve kosovarë në këtë projekt, sepse mendoj se ekziston një vullkan prej talenti, sidomos te aktorët në Kosovë. Këtu kemi aktorë si Ali Demi, me shumë eksperiencë nga Teatri i Gjilanit, të cilin pak e kemi parë në kinematografi dhe e shohim në film si një yll fare, si një aktor fenomenal të fshehur diku në një qytet, por po e shohim në një bashkëprodhim jo vetëm rajonal, por edhe ndërkombëtar. Këtë projekt e kam trajtuar shumë afër zemrës, për arsye të cilat i përmenda”.
Rrugëtimi i filmit
“Filmi e ka pas premierën e vet në “Pula” në një festival të Kroaicsë, premierë botërore. Pastaj ka qenë në Zagreb, këto ditë ka qenë edhe në Slloveni, ka qenë edhe i nominuar në kategorinë për filmin më të mirë ndërkombëtar në Festivalin e Sarajevës. Do të ketë një rrugëtim, besoj të gjatë, dhe interesant”, thotë ndër të tjerash Spahiu, një ndër producentëve të filmit.
Njerëz të kostumografisë në këtë film kanë qenë prej më të mirëve, duke filluar nga njerëz të cilët kanë marrë pjesë në filma sikurse “The Gladiator”, “The Great Beauty” dhe gjithashtu edhe prej serialit “Game of Thrones”, por për Spahiunyjet e vërtetë janë aktorët nga Kosova, që, sipas tij, kanë luajtur perfekt.
Edhe Podrimaj thotë se kur ka njerëz kaq profesionistë në një film, atëherë sigurisht që çdo gjë është më e lehtë.
“Njerëz të tillë ta lehtësojnë shumë punën si aktor, ata janë aq profesionistë, sa profesionalizmi i tyre ta bën aq të lehtë që ju të përshtateni. Theksi i natyrshëm i artistëve kroatë dhe atyre shqiptarë, normalisht që nuk mund të tjetërsohet. Ne dallojmë në të shprehur, është organike dhe sigurisht ky është një dallim i madh”.
Vendi ku është xhiruar 90 për qind e filmit është vendi ku janë zhvilluar lojërat olimpike dimërore të vitit 1984, një detaj shumë me rëndësi.
Debati për (mos)portretizimin e duhur të ilirëve
“Akademiku nga Kroacia, thotë se patjetër që gjuha shqipe rrjedh prej njërit dialekt të gjuhës ilire. Mua më pëlqen ky debat dhe shpresoj që të rritet më shumë. Unë shpresoj që ne në të ardhmën ta bëjmë një film edhe më të mirë, me më shumë buxhet, ku ilirët edhe flasin e gjëra të tjera. Mos të harrojmë të tregojmë që ky film është një produksion kroat në bashkëprodhim me të gjitha shtetet tjera. Ne e kemi bo një luftë të madhe që të kemi një numër kaq të madh të aktorëve, sigurisht me vullnetin e regjisorëve dhe të gjithë të tjerëve. U bëj thirrje të gjithëve që të vijnë ta shohin”, përfundon Spahiu.
Një kohë që na ka magjepsur gjithmonë me emocionet e saj ishte pikërisht epoka e viteve pas Krishtit, plot luftëra, aventura, skandale dhe sigurisht intriga politike. Shpesh në filma portretizohen histori të ndryshme nga e gjithë bota, duke përmendur këtu disa nga filmat për perandorinë romake dhe sigurisht ato për mitologjinë greke, por kjo është hera e parë kur ilirët personifikohen në një film, të cilët konsiderohen edhe si pasardhës të shqiptarëve
Aktorët që marrin pjesë në këtë film janë: Ylber Bardhi, Ilir Prapashtica, Labeat Bytyçi, Dukagjin Podrimaj, Ali Demi, Kushtrim Hoxha, Armend Smajli, Gani Morina, Rina Krasniqi, Fatmir Spahiu, Lulzim Bucolli, Isa Zenuni, Selman Lokaj dhe Bujar Ahmeti. Filmi ILLYRICVM është produkt i bashkë-producentëve nga katër shtete, ndër të cilat janë Kroacia, Italia, Sllovenia, Bosnja dhe Kosova. /KultPlus.com
Me skenar dhe regji të Simon Bogojević Narath, filmi artistik i metrazhit të gjatë “Illyricvm”, bashkëprodhim i Kroacisë, Sllovenisë, Italisë, Kosovës dhe Bosnjës, do të prezantohet edhe në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Fatmir Spahiu, ekskluzivisht për KultPlus ka treguar se premiera e këtij filmi për Kosovë do të jetë në Cineplexx më 28 tetor.
Producenti Spahiu ka thënë më tej se ky film është i veçantë për faktin se është projekti i parë ku i shohim ilirët të ecin, të flasin, të ekzistojnë.
“Ky është projekti i parë ku i shohim ilirët të ecin, të flasin, të ekzistojnë. Do ta citoja anëtarin e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kroacisë Ranko Matasovic. “Ata që flasin gjuhën shqipe, mund të kuptojnë shumë fjalë nga ilirishtja e rikonstruktuar vetëm për film””, ka thënë Spahiu duke cituar edhe akademikun Matasovic.
Fatmir Spahiu i cili përpos punës së producentit ka edhe një rol të në këtë film, ka thënë së është shumë i lumtur për numrin masiv të aktorëve pjesëmarrës në këtë projekt.
“Illyricvm” është prodhimi i parë kinematografik ku personifikohen ilirët. Në këtë film është përfshirë një kastë e madhe e aktorëve kosovarë, e që janë: Ylber Bardhi, Labeat Bytyqi, Kushtrim Hoxha, Ilir Prapashtica, Rina Krasniqi, Bujar Ahmetaj, Dukagjin Podrimaj, Armend Smajli, Lulzim Bucolli, Ali Demi, Fatmir Spahiu, Selman Lokaj,Gani Morina…
“Illyricvm” premierën botërore e ka pas në Festivalin e Pulës në Kroaci, kurse në Prishtinë do të prezantohet prej 28 tetorit, ku pas kësaj date më pas edhe do të jetë në repertorin e kësaj kinemaje.
“Illyricvm” është bashkëprodhim i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Hrvatski Audiovizuelni Centar, Slovenski Filmski Centar, FRIULI-VENEZIA GIULIA REGIONAL FUNDVIBA FILM, Euroimages dhe Komuna e Prishtinës, por duke përfshirë edhe kompani të ndryshme. / KultPlus.com
Në historinë e filmave botërorë është shumë e vështirë të krijosh tre filma të suksesshëm, pra tre filma që në thelb përbëjnë një “trilogji”. Pavarësisht nga shanset e pamundura, regjisorët herë pas here ia dalin të krijojnë jo vetëm një përfundim të madh, por edhe një film të mrekullueshëm final në një trilogji – atë që është, statistikisht, më i vështiri për t’u arritur, shkruan KultPlus.
Gjatë gjithë kohës regjisoru duhet shpresuar që gjithnjë të mbetet aktiv dhe i angazhuar, që kasti të jetë ende i çasshëm dhe i kënaqur, gjithashtu që studioja të vazhdojë t’i ndihmojë ata dhe se çdo episod pasues është financiarisht mjaft i dobishëm për të justifikuar një tjetër. Kështu, regjisori Genc Berisha bashkë me aktorët, skenaristët e producentët po synojnë një gjë të tillë
Pas “Zonjushës” dhe “Diamantit”, ky film tematikë kryesore ka rrëzimin e Adnan Kafazit nga pushteti i një gangsteri, që ka nën kontroll të gjithë qytetin. E janë pikërisht Vuqa, Bulli dhe Zagi, si të vetmit që kanë guxim ta kundërshtojnë, kështu shpjegon regjisori Genc Berisha në një intervistë për KultPlus.
Xhirimet e përfunduara
“Xhirimet kanë përfunduar dhe filmi është në procesin e montazhes. Xhirimet kanë zgjatur rreth 1 muaj në periudhën qershor-korrik. Ky film është vazhdimësi e filmave të kaluar, e të njëjtin e përcjellë zhanri dramë-krim-komedi”, thotë tutje Berisha.
Gratë – risit e reja në këtë film
“Kësaj here në film risi do të jetë pjesëmarrja e madhe e grave, të cilat edhe kalojnë nga rolet dytësore, në role kryesore. Kjo ka qenë edhe gjatë punimit të skenarit dhe ndryshimi i nevojshëm, duke e parë që në filmat e kaluar ka munguar kjo dukuri”.
“Adnan Kafazi” – filmi ideal për të mbushur plot një sallë të kinemasë
“Planet për premierën janë për në janar të vitit të ardhshëm. Edhe ky film, rrugëtimin e ka për në kinema, kështu që premiera e parë do të jetë aty. Poashtu, pritshmëritë i kam shumë të mëdhaja, që ky film ka me sjell një numër të madh të publikut në kineame. Duke e ditur që kemi një kastë të njohur të aktorëve: Armend Baloku, Besart Sllamniku, Muhamet Arifi, Dukagjin Podrimaj, Ylber Bardhi, Edona Reshitaj, Arta Mucaj, Armond Morina, Shkumbin Istrefi, Fatmir Spahiu, Xhejlane Terbunja e shumë të tjerë. Gjithashtu, edhe tema ka risi dhe befasi që presim të pëlqehet nga publiku”, vazhdon ai.
Aktorët e rinj
“Filmi “Adnan Kafazi” e ka një vazhdimësi nga Diamanti, ku përveç roleve që kanë qenë deri tani, mund të përmendi që pjesë e filmit do të jenë edhe Armond Morina në rolin e Adnanit, Arta Muçaj, Shkumbin Istrefi, Fatmir Spahiu, Rita Krasniqi,e po ashtu do të jenë edhe Majk e Dafina Zeqiri”, përfundon regjisori i shumë filmave e serialeve shqip.
Ndërkaq, producentja e skenaristja, Rita Krasniqi, njofton për KultPlus se skenari është shkruajtur nga Besart Sllamniku, Lulzim Bucolli dhe vetë ajo.
“Filmi ka përfunduar xhirimet dhe tash është në procesin e montazhës. Por akoma nuk kemi ndonjë datë të premierës saktësisht”, thotë ajo për KultPlus.
Filmi nga syri i aktorit
Një ndër aktorët kryesor në këtë film, Armend Baloku, ka thënë për KultPlus se filmi është xhiruar nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës, por kryesisht i fokusuar në Prishtinë.
“Xhirimet kanë shkuar mirë. Ka qenë një atmosferë pune, ku secili ka qenë në krye të detyrës. Ka qenë gjithashtu një kënaqësi me bashkëpunu me një kastë të tillë të aktorëve, poashtu më është bërë qejfi që kemi bashkëpunuar edhe një herë me Genc Berishën, Besart Sllamnikun, si dhe Rita Krasniqin”.
Finalja e madhe shpresëdhënëse
“Besoj se do të kemi një film interesant, duke u bazuar në imagjinatën e Besart Sllamnikut, i cili mendoj se ka bërë një punë të shkëlqyer. Besoj se njerëzit do ta pëlqejnë. Gjithashtu shpresoj se kur ta shohim premierën të kënaqemi edhe ne duke e shikuar. Shpresojmë për një finale të mirë”, përfundon ai.
Ashtu si struktura me tre akte e një drame, libri ose filmi, një trilogji përfaqëson tre pjesë të një historie në tërësi. Një fillim, një mes dhe sigurisht një fund. Një trilogji, e thënë siç duhet, mund të përmirësojë një histori, të mbajë audiencën në terësi dhe t’i japë më shumë thellësi filmit./KultPlus.com
Me skenar dhe regji të Simon Bogojević Narath, filmi artistik i metrazhit të gjatë “Illyricvm”, bashkëprodhim i Kroacisë, Sllovenisë, Italisë, Kosovës dhe Bosnjës, me shumë sukses ka pasur edhe premierën botërore në Festivalin Kroat të Filmit në Pula më 21 korrik, shkruan KultPlus.
Kinematografia e Kosovës në vitet e fundit ka qenë pa asnjë dyshim si një sinonim i fjalës “sukses”, shumë filma, shumë regjisorë të rinj e madje edhe edhe më shumë çmime të fituara. Një prej filmave të fundit që ka shënuar sukses ndërkombëtar është edhe filmi “Illyricvm”.
“Arena e Pulës” – e duhura për këtë film
Një nga producentët e filmit, Fatmir Spahiu, ka thënë për KultPlus se premiera ka rezultuar për mrekulli.
“Premiera ka shku për mrekulli, filmi dukej se është bërë për ta patur premierën në një ambient të tillë antik. Arena e Pulës është unike njësoj sikurse edhe filmi”, thotë ai.
Spahiu tutje njofton se filmi është “art house” dhje si i tillë ka qasje pothuajse dokumentareske.
“Filmi ka qasje pothuajse dokumentareske, ska protagonist klasik, disi protagonist është koha dhe vendi i ngjarjes, Ilira. Ata që kanë dëshirë me bo një udhëtim nëpër atë kohë përmes personazheve, ky është rasti”, thotë ai, duke treguar se numri i gazetarëve dhe publikut ishte masiv, e pozitive ishin edhe kritikat.
Shfaqja e talentit kosovar përmes aktorëve – qëllimi kryesor i producentit
I pyetur se sa i kënaqur është me punën dhe arritjet deri tani, aktori dhe producenti i njohur kosovar thotë se kënaqësia e tij më e madhe është shfaqja e talentit kosovar përmes aktorëve në një treg që e njeh pak Kosovën.
Shfaqja e filmit në Kosovë?
“Besoj se tetori do të jetë muaji i shfaqjes së filmit, në Prishtinë dhe Tiranë”, njofton tutje Spahiu.
Përjetimi nga sytë e aktorit në “Arenën Pula”
Në anën tjetër, aktori Labeat Bytyçi thotë se ky film është pritur shumë mirë nga publiku kroat, e sidomos nga shqiptarët që jetojnë në atë rrethinë.
“Premiera shkoi shumë mirë, patëm një pritje shumë të mirë nga publiku kroat në “Pula”, veçanarisht nga shqiptarët që jetojnë në këtë rrethinë”, tha ai mes tjerash.
Bytyçi gjithashtu u shpreh i lumtur edhe me rolin e tij, i cili u prit shumë mirë nga publiku dhe mori kritika pozitive.
“Jam tejet i kënaqur me filmin dhe shpresoj që të ketë një rrugëtim të mbarë dhe të suksesshëm”, përfundon ai.
Në filmin ku janë të përfshirë më shumë se 30 aktorë dhe 150 punëtorët të filmit, Bytyçi është përzgjedhur që të luajë njërin ndër rolet kryesor në këtë film, aty luan rolin e “Curtiusit”.
Ndërkohë, më poshtë gjeni edhe linkun për të parë “trailerin” e këtij filmi.
Disa prej aktorëve shqiptarë që marrin pjesë në këtë film janë: Ylber Bardhi, Ilir Prapashtica, Labeat Bytyçi, Dukagjin Podrimaj, Ali Demi, Kushtrim Hoxha, Armend Smajli.
Filmi ILLYRICVM është filmi i parë në të cilin personifikohen paraardhësit e shqiptarëve, ilirët, dhe është produkt i bashkë-producentëve nga katër shtete, ndër të cilat janë Kroacia, Italia, Sllovenia, Bosnja dhe Kosova. /KultPlus.com
Në kuadër të Festivalit Dam, mbrëmë u jetësua figura e multiinstrumentistit Shaqir Hoti, i cili me interpretimin muzikor dhe kompozimin e krijimeve të muzikës tradicionale shqiptare, ndërtoi skenën muzikore të Kosovës, duke krijuar kështu një identitet kulturor që do të mbahet mend për shndërrimin e instrumentit të Okarinës në jetë, shkruan KultPlus.
Në natën e katërt me radhë të këtij festivali në Kino Armatë është transmetuar dokumentari “Okarina e Runikut” si dhe është promovuar libri i autores Rreze Kryeziu-Breznica, “Mes kërshërisë dhe dashurisë për muzikën” në fjalët e Shaqir Hotit: Udhërrëfyes për ndërtimin dhe interpretimin e instrumenteve popullore frymore.
Shaqir Hoti me mjeshtërinë e tij në veglat muzikore ka lënë një trashëgimi të jo vetëm vlerave kulturore por edhe etnografike, e që këto vlera do të trashëgohen brez pas brezi. Me instrumentet e tij ai ka takuar frymën, ajrin dhe erën për të komunikuar me gjuhën e muzikës. Kjo figurë e jashtëzakonshme ka gdhendur një krijimtari të papërsëritshme që do të mbahet mend shumë gjatë.
Libri “Mes kërshërisë dhe dashurisë për muzikën” konsiderohet të jetë një pasqyrim i jashtëzakonshëm i veglave frymore muzikore popullore. Autorët e këtij udhëzuesi, njëri në rolin e muzikologut dhe tjetri si njohës dhe performues i jashtëzakonshëm i tyre, me anë të secilit instrument të zgjedhur në këtë botim sigurojnë një përmbledhje të ekuilibruar historike të filleve dhe zhvillimit të folklorit muzikor shqiptar. Ndërsa, e veçanta e këtij udhëzuesi mendohet të jetë prezantimi i detajuar i ndërtimit dhe përdorimit të instrumenteve, paralelisht duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë teknike të tyre, duke i reformuar e përsosur ato si evidentim i dinamizmit të cilin e posedon folklori muzikor në tërësi.
Diskutimi në hapësirën e Kino Armatës u zhvillua mes anëtarëve në panel si: autorja e librit, Rreze Kryeziu-Breznica, kompozitori Valton Beqiri, kompozitori Librun Jupolli dhe aktori Fatmir Spahiu.
Fillimisht, ishte kompozitori Valton Beqiri ai e cili nisi këtë diskutim duke theksuar karakteristikat e veçanta të Shaqir Hotit, e që sipas tij janë shumë të rralla.
“Jam shumë i nderuar që sot kemi botimin e një kolege shumë energjike e cila shpresoj që do të vazhdojë me këtë ritëm dhe shpresoj që do të ketë edhe raste të tjera të promovimeve të punës dhe krijimtarisë artistike dhe shkencore të jetës. Në historinë tonë muzikore njihen shumë njerëz të cilët kanë qenë të njohur si kompozitorë, instrumentistë, interpretues por janë të rrallë njerëzit të cilët kanë deshifruar shumë gjëra. Mendoj që përveç këtyre karakteristikave, baca Shaqë ka edhe një vlerë më të madhe sepse ka qenë edhe ndërtues i instrumenteve. Pra, ka qenë një njeri i cili përveç njohurive që i ka pasur e dashurisë ndaj muzikës, ka tentuar që ato t’i interpretojë në natyrën sa më autoktone”, thotë Beqiri.
Sipas tij, Shaqir Hoti ka trajtuar veprat dhe përpunimet si komponentë universal dhe gjithmonë i ka veçuar komponentët e folklorit si dhe ato më të vlefshmet të trashëgimisë tonë kulturore.
“Pothuajse të gjithë popujt në botë kanë trashëguar instrumente primitive muzikore të cilat i kanë dhënë rëndësi muzikës. Kanë qenë të paktë instrumentistët të cilët janë marrë me punën e instrumenteve frymore. Me këtë rast e shohim vlerën e madhe që ka pasur puna e bacës Shaqë, dhe kjo vlerë është edhe më e jashtëzakonshme dhe më e veçantë. Ai ka përdorur materiale origjinale me prodhimin e instrumenteve muzikore të cilat pak a shumë japin informatë rreth historisë sonë dhe tingujt autokton. Njëherazi ai ka eksperimentuar edhe me materiale të ndryshme duke marrë përveç argjilës, edhe drurin e tjera materiale, për të pasur një gamë sa më të madhe të ngjyrave të përfituara nga instrumente të ndryshme”, thotë ai.
Ai tutje përmend edhe imagjinatën e jashtëzakonshme të Shaqir Hotit, nëpërmjet së cilës ai ka krijuar dhe dizajnuar forma dhe modele të ndryshme të instrumenteve, duke fituar kështu tinguj unik me secilin instrument.
“I gjithë ky kontribut nuk mbetet i harruar, por mbetet një histori e çmuar e model i dashurisë për artin dhe për vlerat muzikore. Me përmbledhjen e intervistave dhe rrëfimeve të bacës Shaqë në këtë libër, përvoja e tij personale në rrugëtimin e instrumenteve muzikore me prova, me fakte, me shënime të sakta, do të mbetet e evidentuar dhe e mbrojtur përmes këtij libri që do të mbetet si një udhëzues jo vetëm për të gjithë të interesuarit për punimin e veprave muzikore por edhe për të gjithë muzicientët dhe artdashësit”, përfundon Beqiri.
Kurse, kompozitori Liburn Jupolli ka cilësuar Shaqir Hotin si një katalist i cili nxit botime të reja vazhdimisht.
“Trashëgimitë që janë lënë pas nga Shaqir Hoti janë masive. Janë mbi 2000 instrumente dhe mbi 11 lloje të ndryshme të Okarinave të formateve të ndryshme, pra ne e shohim një lloj ruajtje të flakës sepse ai nuk është mjaftuar me gjetjen e Okarinës dhe sjelljen e versionit që e ka parë në ekzemplarë të ndryshëm, por ai ka vazhduar t’i zhvillojë ato. E njëjta ka ndodh edhe me fyejt e ndryshëm me të cilat ka punuar dhe të cilat ai i ka në numër të ndryshëm që i ka zhvilluar. Pra, unë kam menduar shumë gjatë dhe vazhdoj të mendoj për Shaqir Hotin dhe punën e tij”, thotë Jupolli.
Sipas tij, Shaqir Hoti është katalist.
“Shaqir Hoti është një personalitet i cili në mesin e të gjithë krijimtarisë që e kemi në folklor, personaliteti i tij katalizon edhe nxit njerëz të tjerë. Ai nxit botime të reja pa ndalë. Kjo pa dyshim nuk është botimi i fundit që do të bëhet për Shaqir Hotin”, përfundon ai.
Ai tutje thotë se është me rëndësi që të dallohen këto lloje të personaliteteve që janë në krejt skenën tonë muzikore dhe artistike sepse puna e këtyre njerëzve konsiderohet si anomali, për shkak se vazhdon pavarësisht vdekjes së tyre.
Gjithashtu, autorja e këtij libri, Rreze Kryeziu-Breznica ka përmendur faktin se ky botim i dedikohet personalitetit të jashtëzakonshëm të Shaqir Hotit.
“Është padyshim që është një kënaqësi e madhe për mua që sonte të jam bashkëautore në këtë promovim. Ajo se çka fillimisht mund të them është se në këtë karrierën time të vogël, ky ishte një nga proceset më të bukura që kam realizuar ndonjëherë deri më sot. Botimin të cilin sot po e promovojmë nuk është vetëm promovim ose pasqyrim i detajuar i instrumenteve popullore frymore, por po ashtu ky botim i dedikohet një personaliteti të jashtëzakonshëm i cili dallohej si interpretues, punues, hulumtues i veglave muzikore dhe krijues, duke u shndërruar kështu në një fenomen të papërsëritshëm për ne”, thotë Kryeziu-Breznica.
Sipas saj, ishte një rrugëtim i gjatë e aspak i lehtë dhe padyshim që ajo nuk do të ia dilte pa ndihmën e mbështetjen që e ka fituar kur edhe është iniciuar në fillim ky proces.
“Për mua ka qenë me të vërtetë një privilegj që më ka ardhur kështu papritmas që të merrem fillimisht me realizmin e një dokumentari mbi njohjen e artefakteve më të rëndësishme e që për publikun e gjerë e sidomos për komunitetin artistik muzikor, në vëmendje e ka sjell Shaqir Hoti. Pra, dokumentari është i menduar për këtë artefakt të rëndësishëm por natyrisht që ky të vihet në pah, do të ishte e pamundur pa shfaqjen dhe paraqitjen e bacës Shaqë”, thotë Spahiu.
Sipas tij, ky është një dokumentar me një buxhet jashtëzakonisht modest por me përmbajtje të një dashurie të madhe.
“Ajo se çka vlen të theksohet është fakti se xhirimi i këtij dokumentari ka zgjatur diku rreth mbi dhjetë viteve. Pra ka pamje nga një punëtori e vjetër e bacës Shaqë dhe ka intervista që janë realizuar kohëve të fundit. Për nga përmbajtja, dokumentari ka një jetëgjatësi dhe një narrativë interesante në krahasim me dokumentarë të tjerë. Personalisht do të dëshiroja që edhe unë në cilësinë e producentit por edhe gjithë akterëve të tjerë, që këtë dokumentar ta trajtojmë si një lloj hyrjeje në një dokumentim më të gjatë e më të madh edhe të punës të bacës Shaqë por edhe të një lufte për të kërkuar artefakte tona e sidomos ato që na bëjnë krenar”, thotë ai.
Ai tutje tregon se gjithmonë ka pasur një dëshirë të madhe që ai të bashkëbisedoj me bacën Shaqë, përmes profesorëve të tjerë.
“Ka qenë e pashmangshme të mos e njoh bacën Shaqë por gjithmonë kur i kam parë intervista e dokumentarë të tjerë, kam pas përshtypjen që instrumentet e tij kanë një aheng të tyre sepse kur i shpjegonte vetë baca Shaqë, të krijohej përshtypja se ato kanë jetë dhe me mbylljen e derës dhe fikjen e dritave, fillon një jetë e tyre”, përfundon Spahiu.
Okarina është instrumenti i vetëm muzikor i periudhës së neolitit, i zbuluar në regjion. Përmes këtij dokumentari konsiderohet se pasqyrohen vlerat arkeologjike, muzikore dhe artistike të këtij instrumenti dhe njëherësh pasqyrohet pasioni i instrumentistit Shaqir Hotit dhe përkushtimi i tij në studimin dhe ndërtimin e Okarinës. Puna e tij riktheu interesimin e të rinjve dhe opinionit për vlerat e këtij instrumenti si dhe sensibilizoi shoqërinë për rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë sonë kulturore dhe shpirtërore. Ky instrument, së bashku me shumë artefakte tjera ende nuk janë kthyer në territorin e shtetit të origjinës – Kosovës.
Libri “Mes kërshërisë dhe dashurisë për muzikën” është botimi i parë i shtëpisë botuese “Kukuzeli”, shtëpi kjo që do të merret ekskluzivisht me botimin e literaturës muzikore. / KultPlus.com
Është publikuar traileri zyrtar i filmit ‘Illyricvm’, me skenar dhe regji të Simon Bogojević Narath, filmi artistik i metrazhit të gjatë, bashkëprodhim i Kroacisë, Sllovenisë, Italisë, Kosovës dhe Bosnjës, përcjell KultPlus.
Një ndër producentët e filmit, Fatmir Spahiu, pak ditë më parë kishte njoftuar se ky film do ta ketë premierën botërore në Festivalin Kroat të Filmit në Pula më 21 korrik.
“Vlen të thuhet që ky është prodhimi i parë kinematografik ku personifikohen ilirët”, ka thënë Spahiu, i cili ka njoftuar edhe për përfshirjen e një kaste të madhe të aktorëve kosovarë, e që janë: Ylber Bardhi, Labeat Bytyçi, Ilir Prapashtica, Dukagjin Podrimja, Kushtrim Hoxha, Armend Smajli, Lulzim Bucolli, Bujar Ahmeti, Rina Krasniqi, Ali Demi, Gani Morina, Selman Lokaj…
Filmi është bashkëprodhim në mes të Kroacisë (Kinorama) Kosovës (Buka) Italisë (LaSarraz) BiH (Pro.ba) dhe Sllovenisë (Forum Ljubljana). Filmi është përkrahur nga këto institucione: Qendra Kinematografike e Kosoves, Hrvatski Audiovizuelni Centar, Slovenski Filmski Centar, FRIULI-VENEZIA GIULIA REGIONAL FUND
VIBA FILM, Euroimages dhe Komuna e Prishtinës, por duke përfshirë edhe kompani të ndryshme./ KultPlus.com
Me skenar dhe regji të Simon Bogojević Narath, filmi artistik i metrazhit të gjatë “Illyricvm”, bashkëprodhim i Kroacisë, Sllovenisë, Italisë, Kosovës dhe Bosnjës, do të ketë premierën botërore në Festivalin Kroat të Filmit në Pula më 21 korrik, shkruan KultPlus.
Fatmir Spahiu, njëri nga producentët e filmit ka bërë të ditur lajmin dhe gjithashtu ka njoftuar se tashmë e ka parë filmin e përfunduar dhe është pamasë i lumtur për punën e bërë.
“Mundem me thane qe jam pamase i lumtur per punen e bere dhe sidomos me punen e aktorve kosovar ne film, thjesht te mahniteshem!
Premiera e filmit pritet te jete ne festivalin e filmit ne Pula (Kroaci) gjate muajit Korrik.
Kurse ajo kosovare shpresoj ne vjeshte”, ka shkruar aktori Fatmir Spahiu.
Vlen të thuhet që ky është prodhimi i parë kinematografik ku personifikohen ilirët. Në këtë film është përfshirë një kastë e madhe e aktorëve kosovarë, e që janë: Ylber Bardhi, Labeat Bytyçi, Ilir Prapashtica, Dukagjin Podrimja, Kushtrim Hoxha, Armend Smajli, Lulzim Bucolli, Bujar Ahmeti, Rina Krasniqi, Ali Demi, Gani Morina, Selman Lokaj e të tjerë.
Filmi është përkrahur nga këto institucione: Qendra Kinematografike e Kosovës, Hrvatski Audiovizuelni Centar, Slovenski Filmski Centar, FRIULI-VENEZIA GIULIA REGIONAL FUNDVIBA FILM, Euroimages dhe Komuna e Prishtinës, por duke përfshirë edhe kompani të ndryshme. / KultPlus.com
Aktori Fatmir Spahiu ka reaguar për rastin që ndodhi mbrëmë në Pejë, ku dhjetë nxënës të pakicave u lanë anash gjatë Festës së Abetares, shkruan KultPlus.
Aktori Spahiu është shprehur i irrituar nga ky rast, ku tutje ai ka ftuar këta fëmijë që të vijnë sot në Prishtinë e të dalin bashkë me aktorin në ndonjë ëmbëltore për të festuar bashkë Festën e Abetares.
“Dhjete femijet qe i pame ne storje te Klanit, i ftoje neser te vijne neser ne Prishtine, te shkojme me naj ambeltore e ta bejme festen e Abetares bashke, qysh na ka hije. E te zhytemi ne shllag e qokollade.
Ju dua!
Jam i sigurte qe gjysma e ketyre mesimdhenesve kane perjetuar shkollat shtepi si pasoje e racizmit te sistemit te atehershem.
Racizmi nuk i takon askujte ne bote e sidomos popullit shqiptar, i diskriminuar e i shtypun per toke!”, ka shkruar Spahiu. / KultPlus.com
Në Kosovë gjatë ditës së djeshme janë mbajtur zgjedhjet e parlamentare, në të cilat deri më tani në rezultatet preliminare po udhëheqë Lëvizja Vetëvendosje. Por, si çdo herë tjetër edhe në këto zgjedhje ka pasur debate, kritika por edhe urime, shkruan KultPlus.
Njëri ndër personat që ka reaguar një ditë pas zgjedhjeve është edhe aktori Fatmir Spahiu, i njohur si Bufi. Ai në Facebook ka shkruar se vota e tij ka shkuar për tri zonja dhe dy të tjerë.
Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë:
Demokracia funksionoj në Kosovë!
Çdo gjë eci mirë! Asnjë incident. Opozita nisi me u mare me veten!
Krahas kësaj, Mërgimtarët na dhanë edhe një here një mësim, atë të dashnisë për Kosovën. Votën e tyre e dhanë me pasion e patriotizëm i cili dorën në zemër ka filluar të venitet me arsye në Kosovë.
Uroj që Qeveria e re të udhëheq me dashni për vendin!
Uroj që mandati të zgjatë në afat kushtetues, pra katër vite dhe jo kaH 17 minuta se përnime jena lodh.
Uroj që prime time në tv tona të zavendësohet me art, zbavitje dhe sport e minimalisht me politikë!
* To ëhom it may concern,
Vota ime ka shku për tri zonja dhe dy kësi tjerë!/KultPlus.com
Orari i orës policore është zgjatur dhe mbledhimet e ndryshme për fushata zgjedhore dita ditës po shtohen, kjo gjë si duket ka ndikuar edhe në rritjen e të infektuarëve me Covid19, shkruan KultPlus.
Mirëpo, komuniteti i artistëve ka nisur një fushatë në rrjete sociale, ku bëjnë thirrje të ndalen fushatat dhe të ndërmerret diçka në lidhje me vaksinën Anticovid.
Kanë qenë Astrit Kabashi dhe Fatmir Spahiu të parët që në llogarinë e tyre personale, publikuan postimin, ku shkruanin ”Jofushatëporvaksina’ .
Ndërkaq, kjo iniciativë është pëlqyer nga shumica dërmuese dhe menjëherë ka marrë vëmndjen dhe përkrahjen nga shumë persona në rrjete sociale. / KultPlus.com
Fatmir Spahiu, aktori i njohur kosovar ka reaguar pas zhvillimeve të fundit nga Gjykata Speciale, i cili ka tërheqë një paralele mes lavdisë së UÇK-së, dhe keqpërdorimit të kësaj vlere, pas qershorit të vitit 1999.
Fatmir Spahiu ka përmend vjedhjen, pasurimin e jashtëligjshëm, ikjen e rinisë si pasojë e këtyre zhvillimeve, si dhe ka kërkuar sqarim për 60 mijë veteranët e luftës.
KultPlus ju sjell të plotë reagimin e tij, pa asnjë ndërhyrje nga ana e redaksisë.
Nje femije ne USA kur takon nje veteran apo invalid, i drejtohen me respekt me fjaline “Thank you for your service” “Falemnderit per sherbimin e juaj” pavarsisht kohes se sherbimit apo diferences ne moshe!
Kur ta kujtoni UÇK, le te ju bije ne mend dalja saj e pare dhe deshmort e kombit. Se tu u mar me 20 vjet paslufte kemi harru lavdine dhe krenarine qe na ka sjell kjo ambleme.
Jane dy krenari qe na permbushin dhe pas cilave kurr nuk eshte marre me u rreshtu. Revolta qytetare nga viti ‘68, ilegalja ma vone UÇK-ja dhe levizja paqesore apo “Fryma Rugoviane”
A u vjedh ne emer te ketyre dy vlerave? Shume!
A jane pasuru jashteligjeshem me te madhe ne emer te ketyre dy vlerave? Shume!
A na kane qit hi syve ne emer te ketyre dy vlerave? Shume!
A e kane zbraze Kosoven nga rinia, shume!
Por keto jane pas Qershorit 1999.
Eshte shume me rendesi me i nda ne kete menyre gjerat. Eshte shume me rendesi, femijeve tane me ju tregu, se kur nuk kishte ma shprese e ishim thy ne cdo menyre, disa qika e gra, djem e burra, kishin mare guximin per me dal perballe nje ushtrie te fuqishme e barbare.
Keta duhen me u akuzu se pse nuk arriten me ba nje sistem gjyqesor te drejte dhe te pavarur.
Keta duhen me na sqaru punen e 60.000 veteranve.
Keta njerez, gjeneratave te reja e kane per obligim me ja sqaru se pse jena vra mes veti pas lufte. Jane dhjetra familjar qe presin pergjigjje per me te afermit e tyre. A deri ne Qershor 1999 dhe luften, vetem lavdi.
Arrestimi i Jakup Krasniqit per mua eshte sikur me arrastu Xhejmi Shian. Dyt kane qene zedhenes lufte, dyt e kane luftu serbine, dyt kane pas fletearrest serb.
Nejse, Gjykata speciale eshte marifet i joni dhe i bere prej nesh. Por narracioni i krijuar, negativ per vlerat tona, per historine tone eshte i padrejte dhe shpesh i krijuar qellimshem ne Kosove e serbi apo edhe pa dashje nga deshperimi per keto 20 vite te renda!
Me kete trend, gjeneratave qe vine do te ju vije turp kur te flitet per luften tone! Gjenerata e jone duhet ti spjegoj sakt dhe drejt gjenerates pasuese per ate qe ka ndodh.
Aktori Fatmir Spahiu, i ka uruar mirëseardhje në Prishtinë emisarit special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, duke e ftuar të pijë kafe me një grup aktorësh e producentësh.
Spahiu i ka uruar Grenellit të kalojë një ditë të këndshme në Kosovë.
“Zotëri Richard Grenell, sapo dëgjova nga mediet lokale se ju do të jeni sot këtu në Prishtinë. Jeni shumë i mirëseardhur për kafe ose birrë me një grup aktorësh, producentësh dhe filmbërësisht të Kosovës. Ju dëshirojmë një ditë të këndshme në Kosovën tonë të bukur”, ka shkruar Spahiu në Twitter.
Emisari special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell bashkë me 13 zyrtarë tjerë amerikanë do të vizitojnë sot Kosovën.
Vizita e tyre pas Kosovës do të vazhdojë në Serbi, Greqi e Izrael.
Kjo vizitë e emisarit Grenell dhe zyrtarëve tjerë amerikanë do të realizohet për të verifikuar se deri ku ka shkuar zbatimi i marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e raporteve ekonomike Kosovë-Serbi.
Më 4 shtator, Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për normalizim ekonomik, e cila u konsiderua historike për faktin se hap rrugë të dy vendeve drejt një normalizimi të raporteve ekonomike si dhe hapet rruga për investime në gjithë rajonin përfshirë në autostrada, hekurudha dhe gaz./GazetaExpress/ KultPlus.com
Përpara teatrit kombëtar tashmë ishte vendosur fotoja e Adem Mikullovcit, por ndryshe nga herë të tjera ai ishte vetëm, për të dhënë shfaqjen e tij të fundit, lamtumirën me skenën ku për aq sa jetoj i dha jetë. Krahas fotos para së cilës ishin vendosur lule, qëndronte edhe tavolina e veshur me të zeza, e së bashku me të libri i kujtimeve ku dalë nga dalë filluan të shënoheshin fjalët, kujtimet e ditëve të mira e të këqija, që miqtë, kolegët e artdashësit kishin përjetuar me të, shkruan KultPlus.
Homazhet për të nderuar veprën, jetën, talentin e madhështinë e Mikullovcit, filluan dalë nga dalë, në ditën kur dielli nuk kishte harruar të lindë, por që artit i kishte marrë dritën. Ishte kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ajo që vendosi shkronjat e para në librin e kujtimeve të ikonës së artit kosovar.
Osmani tha se sot kemi humbur një njeri të madh, e jo vetëm të komunitetit artistik, por një njeri të madh të zemrës të secilit qytetar të Kosovës. Ajo theksoi se ishte pikërisht Adem Mikullovci, ai prej të cilit mësuan shumë çka e mbi të gjitha ai prej të cilit, përmes humorit ju bëri më të lehtë tejkalimin e situatave të vështira.
“Sot kemi humbur një njeri të madh jo vetëm të komunitetit artistik. Adem Mikullovci aktroj për publikun, por në të njëjtën kohë e mbrojti interesin publik deri në frymën e fundit. Ishte një bashkëpunëtor i jashtëzakonshëm në Kuvendin e Kosovës, një njeri nga i cili kemi mësuar shumëçka , i cili edhe në kohërat më të rënda e dinte përmes humorit të tejkalohen ato situata të vështira për të gjithë ne”, tha Osmani për tashmë të ndjerin Adem Mikullovci.
Në homazhe ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi. Ajo theksoi se ky vit ka sjellë një shprazëti të madhe, ka marrë me vete një gjeneratë e emra kulminant të artit të Kosovës. Dumoshi tha se Mikullovci në kohët më të vështira në familjet e secilit ka sjellë humorin dhe gëzimin.
“Do të ketë një shprazëti shumë të madhe, ka ik një gjeneratë këtë vit disa emra kulminantë të artit të Kosovës, ne do t’i kujtojmë dhe detyra jonë është që këta njerëz të cilët dhanë kontributin e vet për artin e Kosovës, për teatrin dhe fushat e tjera t’i përcjellim te gjeneratat e reja. Në kohët më të vështira ai nëpër familjet tona na ka sjellë shumë herë me rolet e tij të humorit edhe gëzimin, sidomos vitet e 90ta e këndej, kur nuk kishim televizione të cilat punonin por me video kaseta ka qenë prezent në çdo shtëpi”, është deklaruar ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Përgjatë karrierës së tij të madhe e të bujshme si aktor, Mikullovci la pas vete personazhet që sollën hare, gëzim madje edhe pikëllim. Por, krahas këtyre personazheve ai ju la kujtimet më të bukura, kolegëve me të cilët pati fatin të bashkëpunoi. Homazheve për Adem Mikullovcin nuk kishte si t’ju mungonte Shkumbin Istrefi dhe Fatmir Spahiu, artistët që për vite të tëra punuan së bashku me të ndjerin.
Teksa sytë i kishte të mbushur lot, Istrefi deklaroi se humbja e Adem Mikullovcit ishte e madhe për të githë popullin e Kosovës. Ai nuk la pa përmendur faktin që ai ishte rritur me praninë e Ademit në skenën e teatrit. Aktori pohoi se Adem Mikullovci përpos bashkëpunëtor, ka qenë edhe prind që ka përcjellë rritjen e tij artistike.
“Ademi na la dhe kjo është humbje e madhe jo vetëm për komunitetin artistik por edhe për gjithë popullin e Kosovës. Me Ademin jo vetëm unë por edhe gjeneratat më të vjetra jemi rrit, me praninë e Ademit në skenën e teatrit dhe sidomos në programe televizive. Për mua Ademi ka qenë përveç një bashkëpunëtor i ngushtë, ka qenë edhe prind i cili e ka përcjell rritjen time artistike. Hapat e parë në ekranin televiziv i kam marrë në projekte të Ademit dhe e falënderoj shumë për ndihmën që ma ka dhanë jo vetëm mua por krejt gjeneratave të reja të aktorëve të Kosovës”, tha gjatë homazheve Shkumbin Istrefi.
Ai ka shtuar se veprat që la pas Adem Mikullovci janë vulë e kohës, ngase ai ka qenë një opozitë e së keqes. Sipas tij ishte pikërisht Ademi ai që në momentet më të vështira mbajti popullin me humorin e tij të hollë duke ju dhënë në të njejtën kohë edhe forcë.
“Veprat e Ademit mendoj që kanë qenë vulë e kohës, në çdo kohë që ka punuar. Ka qenë opozitë e të keqes. Në momentet e vështira e ka mbajtur popullin me humorin e tij të hollë. Pushoftë në paqe dhe shpresoj që vepra e tij do të jetë pishtar për punën tonë të mëtutjeshme”, ka përfunduar Istrefi.
Kurse Fatmir Spahiu tha se Kosova sot ka humbur Çaplinin e saj, figurën komike e tragjike. Ai ka shtuar se ka humbur një nga bashkëpunëtorët e tij më të mirë dhe se ikja e Ademit ka shënuar varfërimin e komedisë.
“Kosova ka humbur Charlie Chaplinin e vet, figurën e vet edhe komike edhe tragjike. Personalisht kam humbur njërin prej bashkëpunëtorëve më të mirë të atij brezi. Adem Mikullovci ka qenë ndër profesionistët e parë, me të cilin unë kam pasur mundësi të bashkëpunoj qysh në moshën time 18 vjeçare, si aktor shumë i ri dhe student i aktrimit. Kosova dhe skena filmike, televizive dhe teatrove nuk do të jetë më e njëjtë. Komedia do të jetë më e varfër pa Adem Mikullovcin”, ka deklaruar Spahiu.
Edhe për artisten Arbnesha Grabovci -Nixha, humbja e ikonë së artit ka qenë një lajm i hidhur. Sipas saj humbja e kolegëve e rëndoi edhe më shumë pandeminë, por pasuria që ata lanë pas është ngushëllimi më i madh.
“Sot u zgjuam me një lajm të hidhur, me humbjen e bacës Adem. Mirëpo pasuria të cilën e ka lënë na bën të ngjitemi pas asaj dhe të gjejmë një ngushëllim. Baca Adem ka qenë një tekstshkrues, regjisor, filmbërës i njohur, mbi të gjitha ka qenë një patriot i cili ka kontribuar shumë edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por me plotë kuptimin e fjalës mund të them që ka qenë një trim, intelektual i kohës së tij i cili është ballafaquar me sistemin”, deklaroi ajo teksa bënte homazhe pranë fotografisë së Mikullovcit.
Aktori i njohur Adem Mikullovci vdiq në mëngjesin e sotëm në moshën 82-vjeçare, duke lënë kështu të pikëlluar të gjithë ata që e njohën e e deshën edhe nga ekrani. Aktori Mikullovci ka lindur në vitin 1939 në Vushtrri, kurse përgjatë jetës së tij ka luajtur në shumë projekte filmike, teatër, komedi dhe shumë performanca të tjera artistike. Varrimi i tij do të bëhet sot në varrezat e qytetit në Dragodan/Arbëri në orën 16:00./ KultPlus.com
Aktori i njohur kosovar Fatmir Spahiu e ka shprehë një ndjesi të vecantë sa i përket mërgimtarëve të Kosovës, shkruan KultPlus.
Ai, ardhjen e tyre në vendlindje e vlerëson si pjesën më të
bukur të vitit. KultPlus ju sjellë më poshtë postimin e tij në facebook.
“Koha e gurbetqarve eshte pjesa me e bukur e vitit. Veq me ta
Kosova eshte plot dhe e vertet.
Knaquni loqka!”, ka shkruar Spahiu.
Ndërkohë, tashmë në Kosovë është duke u parë prezenca e shumë qytetarëve nga shtete të ndryshme të Evropës e më gjerë, të cilët janë rikthyer në vendlindjen e tyre për të kaluar pushimet e verës./KultPlus.com
Regjisori Ismet Sijarina, drejtoresha e fotografisë Sevdije Kastrati dhe producenti e aktori i njohur Fatmir Spahiu janë tre anëtarët e rinjë nga Kosova që kanë marrë ftesë nga Akademia Evropiane e Filmit të jenë pjesë e saj.
Kjo ftesë vjen pas suksesit të filmit “Nëntor i Ftohtë“ i cili do të shfaqet premierë botërore javën që vjen në festivalin e famshëm të filmit në San Sebastian në Spanjë.
“Në rrafshin personal dhe profesional anëtarësimi në EFA është një arritje e madhe. Është nderë të jesh pjesë e elitës kinematografike evropiane. E falenderoj Qendren Kinematografike të Kosovës, për nominimin që më ka bërë.”- u shpreh regjisori Sijarina.
Ndërsa aktori Spahiu tha që: “Kjo ftesë është shpërblim për punën dhe sfidat që kanë profesionet tona, jamë shumë i lumtur dhe ndjehem i privilegjuar.“
Akademia Evropiane e Filmit është themeluar në vitin 1989 me drejtorin e parë Ingmar Bergman bashkë me anëtarët tjerë themeluese si Pedro Almodovar, Lindsay Anderson, Bernardo Bertolucci, Sir Ben Kingsley, Andrzej Wajda, Wim Wenders etj.
Ceremonia e Çmimeve Evropiane të Filmit sivjet do të mbahet në Sevilla (Andalusia) të Spanjës në dhjetor të këtijë viti. EFA ka mbi 3,500 anëtarë nga mbarë evropa, ku prej tyre Kosova ka 25 anëtarë. / KultPlus.com
Komisionari i BE-për për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, sot ka thënë se Kosova tanimë ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Një lajm i tillë ka gëzuar të gjithë shqiptarët e Kosovës, të cilët ndjejnë se po i afrohen liberalizimit të vizave.
Një ngjarje e tillë është komentuar edhe nga figurat publike.
Ka qenë aktori Fatmir Spahiu, ai i cili ka vendosur të publikojë në rrjetin social Instagram një fotografi të përgjakur të mundësit të njohur, John Cena.
“Falemnderit krejtve për liberalizimin e fituar”, shkruan aktori në mbishkrimin e fotografisë.
Duket se me këtë ai ka vendosur të ironizojë me politikanët dhe situatën politike, pasi Kosovës i mbetet ende rrugë drejt liberalizimit.
Ky postim është shoqëruar me komente të shumta nga ndjekësit e tij. /KultPlus.com
Skena e vogël e Teatrit Kombëtar të Kosovës, mbrëmë, ka qenë e rrethuar me vepra artistike të realizuar nga artistë të ndryshme. Të gjitha këto vepra, të ekspozuara, më pas janë shitur përmes ankandit i cili është realizuar nga vet artistët. Të ardhurat nga shitja e këtyre punimeve i janë dedikuar shërimit të regjisorit Bekim Lumi.
Aktivitet të tilla për të ndihmuar regjisorin Bekim Lumi, janë duke u realizuar ditëve të fundit, në mënyra të ndryshme. Dikush më këngë, disa me poezi, të tjerë me shfaqje dhe disa me dhurimin e punimeve të tyre po ndihmojnë në mbledhjen e parave, për të ndihmuar në shpenzimet e shërimit të regjisorit, shkruan KultPlus.
Aktori Fatmir Spahiu i cili është edhe njëri prej artistëve që ka marrë këtë iniciativë, e që moderoi këtë ankand, u shpreh i lumtur që artistë kanë dhuruar punime e tyre për të ndihmuar regjisorin Bekim Lumi.
“Ky është vetëm njëri prej angazhimeve në vazhdën e aktiviteteve. Synimi jonë është që të mbërrijmë tragetin e paracaktuar. Kjo mbrëmje ishte më ndryshe sepse unë isha vetëm njëri nga ata që dhamë një kontribut të vogël kurse pamë shumë artistë që dhuruan veprën e tyre diçka që është shumë e vështirë, të dhurosh një punë, ide kreacion tëndin, një pjesë të shpirtit për një kauzë të tillë. Prandaj unë jam shumë i lumtur edhe për ata edhe për vetën që po mundemi me provu me i ndihmu një miku tonë i cili ka nevojë, sepse nesër secili nga ne mund të jetë në një pozitë të tillë”, tha ai për KultPlus.
Tutje ai theksoi se ky është një solidarizim i artistëve që nuk është parë më herët. “Kjo më entuziazmon pa masë sepse nuk e kam besuar që mundemi më u sensibilizu kështu. Të ju them sinqerisht, kam menduar që t’i bësh të gjithë këta njerëz bashkë për një kauzë të tillë është e pamundur por më ka dalë ndryshe dhe jam shumë i befasuar për të mirë”, theksoi ai.
Nga ky ankand i pikturave, skulptura, grafika dhe punimeve të tjera artistike e po ashtu nga shitja e librit “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”, u grumbulluan 3 mijë e 600 euro për regjisorin Bekim Lumi. Autori i dramës “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”, Veton Surroi u shpreh sa ai ka dashur që të ndihmojë në këtë aktivitet pasi që regjisori Bekim Lumi është person i cili e meriton një kujdes të tillë.
“Libri sapo ka dalë nga shtypshkronja dhe kam vendosur që 200 kopje të ia dhurojë këtij aktivitetit për Bekim Lumin. Ka pasur simbolikën e vet pasi që është pjesë e një ambienti kulturor artistik i cili kontribuon dhe unë deshta që më këtë të kontribuojë. Kjo ndjenja e solidariteti që po krijohet është e mrekullueshme. Vet Bekimi si person e meriton këtë kujdes por fakti që po zgjohet solidariteti i artistëve ka domethënie shumë të madhe”, u shpreh ai për KultPlus.
Paratë e mbledhura nga kjo natë do të shkojnë në ndihmë për regjisorin dhe profesorin Bekim Lumi, një artist që për vite me radhë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për skenën artistike dhe teatrale si dhe edukimin e studentëve dhe artistëve të rinj./KultPlus.com