Kolë Idromeno, personazhet që fsheh në piktura dhe modelja me syze, kapelë e kapotë të qepur me dorë

Nga Fatmira Nikolli

Duhet të ketë hyrë në studion e Kolë Idromenos, me shaminë e bardhë, napë në kokë, me hapin e lehtë. Rrudhat i dalin në pah dhe tregojnë një grua mbi të 70-at, me nofulla të futura brenda, me gjasë nga dhëmbët e rënë. Është kapur në profil. Në kokë mban një kapele tip ‘hikers’ dhe një palë syze ‘vintage’ në formë rrethore (që mbase janë edhe syze piloti). Nëse nuk do dije emrin e fotografit që ka fiksuar këtë çast, do mund të mendoje shumëçka. Plaka me rrudha, me napën mbi krye ku shquhet edhe qëndisma e lehtë, me syze e kapelë është shndërruar në një zonjë shumë ‘stil’. Prapë do të mbeteshim të paqartë mbi statusin e saj social, nëse shpatullave të imta nuk do të kishte hedhur kapotën e vjetër. Nga supet i shquhet qartë qepja e shkujdesshme me dorë. Gjithë imazhi për të ndryshon. Zonja me kapelë, me shumë gjasa është një grua krejt e zakonshme të cilës Kolë Idromeno, i kërkoi një ditë të pozonte për të. Me dy aksesorë, e moshuara ka marrë pamje tjetër, që tradhtohet vetëm prej qepjeve të palltos. Fotografi Idromeno i ka dhënë një jetë tjetër të përjetshme gruas që në rrethana të paqarta ka hyrë në studion e tij. Ironikisht, jeta që ajo pati një çast të vetëm për ne, është përjetësia e saj, fiksuar vetëm nga ky imazh. Kjo fotografi është në katin e dytë të Galerisë Kombëtare të Arteve, ku u çel dje ekspozita “Kolë Idromeno. Retrospektivë” me piktura, kostume, skica dhe fotografi të mjeshtrit poliedrik të artit shqiptar, vëllain e “Motres Tone” e babain e pikturës së parë realiste shqiptare.

Nikollë Idromeno u lind në Shkodër më 15 gusht të vitit 1860. I ati, Arsen Idromeno, një shqiptar nga Parga, ishte vendosur në Shkodër në vitin 1856. Arseni u martua me një vajzë shkodrane, Roza Saraçin në vitin 1858. Nikolla, ose Kola si e njohim ne më shumë, ishte fëmija i dytë i çiftit Idromeno, pas vajzës Antonia, e lindur më 1859. Pa asnjë dyshim në shfaqjen e prirjeve të Kolës për vizatimin ka ndikuar puna e të atit si projektues shtëpish. Ai u rrit në një familje, ku babai punonte pas një tryeze të mbushur me skica, libra e projekte arkitekturore. Një fëmijëri e tillë patjetër do ngjallte dëshirë t’i prekte e t’i shfletonte librat, të provonte edhe ai magjinë e vizatimit mbi letër. Veprat e tij janë ekspozuar në ekspozitën e parë kombëtare në Tiranë, në vitin 1931, ekspozitë e organizuar nga shoqata “Miqtë e Artit”, si dhe në ekspozitat ndërkombëtare në Budapest (1898), në Romë (1925), në Bari (1931), në Romë (1936) dhe në Nju Jork (1939). Nikollë Idromeno u nda nga jeta në 12 dhjetor të vitit 1939.

PIKTURA DHE DETAJET QË FSHEH
Një analizë më e hollësishme e Eleni Laperit, studiuese e artit pamor, ndalet më gjatë te vlerat e “Motres Tone”, portretit të Mati Kodhelit, kostumet “Dasmës shkodrane”, “Autoportretit” të autorit që e shfaq atë rreth moshës 70-vjeçare apo një portreti të panjohur më parë të Imzot Çobës kur ishte veçse fëmijë.
Por, ajo që vlen të marrë më shumë vëmendje është vepra e tij me bazë religjioze, jo aq prej tematikës, se sa prej trajtimit.
Më 1890, kur ishte diku te të 30-at, Idromeno pati një porosi për pikturë nga një frat. Kishës i duheshin pikturat e tij për t’u shpjeguar malësorëve Biblën dhe për t’u treguar se cilat ishin mëkatet që nuk duhej të bënin. Për këtë seri, “Idromeno ka punuar me kënaqësi të madhe sepse ka bërë skica për to, por edhe ka bërë fotografi për skena të ndryshme, ka marrë shokët të pozojnë të veshur ose gjysmë të zhveshur”, thotë Laperi.

Tabloja “Dy rrugët” tregon se si Idromeno e ka pasqyruar në pikturë, parajsën e ferrin. Ai e ka ndarë në gjysmë tablonë, parajsën në pjesën e sipërme dhe ferrin në pjesën e poshtme. Peizazhi i parajsës është marrë nga Kodra e Tepesë, që është në vendin ku është ngritur kalaja e Rozafës. Nëse pjesa e parajsës mbahet në ato tonet e kaltra e të qeta, një gjallëri e jashtëzakonshme e pothuaj festë është në pjesën e ferrit. Ka disa hipoteza për devocionin e tij: Mikel Prenushi thotë që Idromeno ishte ateist, Mark Zadeja thotë se ishte shumë besimtar, ndërsa Odise Paskali që e ka takuar më 1931 e mban mend si ateist. Por, për Laperin, përtej besimit, Idromeno ishte artist ndaj kur sheh këtë tablo beson se ai është kënaqur gjatë procesit të punës.

Idromeno ka vënë në vepër edhe veten e tij. Në një prej grupeve që janë të destinuar për në ferr, madje kanë kaluar dhe portën e tij, ai mban në duar një violinë e veçantë me 8 tela që e kishte modifikuar vetë. E përdorte në festat që organizonte. Kjo violinë, vëren Laperi, e përdorur shumë në kulturën e folklorin nordik, ishte një violinë që nuk pranohej nga kisha sepse thuhej që atë violinë muzikantëve ua kishte mësuar djalli.
E gjithë skena e poshtme e veprës përcjell të gjitha mëkatet që të çojnë në ferr. Piktori vë në të gjakmarrjen, vrasjet, vë betimet e rreme, vë fëmijët që keqtrajtojnë nënën, vë fallxhorët, kurnacët.

Një detaj interesant që studiuesja vëren nga kjo vepër, janë dy portat. Porta e parajsës të kujton fundin e gjilpërës ku futet peri. Ilustrimi evokon frazën e njohur se, “mëkatari do hyjë në paraja aq sa ç’hyn deveja në vrimën e gjilpërës”. Ndërsa Portën e Ferrit, Idromeno e bën të madhe. Ajo ngjan me Portën e Top Kapisë, me Portën e Lartë të Stambollit. “Flamujt e kuq mbi të, nuk janë të rastësishëm. Janë flamujt e kuq otomanë. Ai gjen mënyrën për të thënë se ferri i shqiptarëve ishte Porta e Lartë”, shënon studiuesja.
Por, vepra nuk ndalet vetëm te këto detaje që dalin në dritë nga studimet. “Këtë tablo Idromeno e ka marrë në dorë edhe pas 1910-ës. Krejt pranë portës së ferrit, shquan Edit Durhamin dhe konsullin francez në Shkodër, Aleksandër Degrand, i cili më 1901 botoi një libër ku ka 4 fotografi të veprave të Idromenos”, thotë Laperi. Duke vërejtur se kjo është tabloja ku ai shfaqet si piktor profesionist, kujton se Aleksandër Degrand kur e përshkruan në librin e tij, thotë se Idromeno kishte pikturuar një liqen të rrethuar me pemë në ferr. Siç duket, ai në fillim ka dashur të vërë liqenin për ta bërë sa më real e për ta lidhur me Shkodrën, por më vonë e ka kthyer në një lulishte.
Në pjesën e sipërme të veprës, nga porta e parajsës e deri në qiell, duket se shquhen dy shqiptarët që çuan Zojën e Shkodrës në Gjenacano, pas pushtimit otoman të Shkodrës, ku legjenda thotë se Zoja iku nga Shkodra.

“Dy burrat ndodhen në afreskun e kishës së Zojës në Gjenacano në Romë, ku ka shkuar figura e Zojës së Shkodrës. Në atë tablo, ku piktori italian tregon arritjen e Zojës në Gjenacano, janë edhe ata dy burra: supozoj se mund të jenë Giorgio dhe De Sclavis, dy shkodranët që çuan ikonën atje”, thotë studiuesja.

Para të gjitha veprave me temë fetare si “Dy rrugët” apo “Kur hin dreqi mrena”, gjenden skica dhe fotografi, që janë veçse skena të vogla të kompozime e të mëdha të piktorit. Kjo nxjerr në pah jo vetëm procesin e tij të punës, por edhe përgatitjen e madhe që ai bënte para një vepre të tillë. “Këto seri tregojnë se Idromeno punonte para për veprat. Ai ka bërë një seri skicash e fotografish. Ka marrë shokët e tij dhe i ka vënë të pozojnë në pozicionet që do duheshin për kompozimet e mëpasshme. Janë shokët e tij, humoristë të qytetit”, thotë Laperi.

FOTOGRAFIA
Në pamje të parë janë vetëm dy burra, jo më shumë se në të 30-at e tyre që po pozojnë. Duhet pak vëmendje për të parë, se ndërsa njëri është tejet serioz, tjetri si në foto, e çlirëta që bëjmë ne sot, ka nxjerrë gjuhën për të përqeshur me shaka mikun e tij. Fotografi nuk është përpjekur ta fshehë këtë detaj.

Në një tjetër, një oficer është ulur në karrige dhe pozon. Ka në krahë dy fëmijët e tij, të dy, pa të brendshme. Hija e rëndë e ushtarakut që pozon me mustaqet përdredhur ‘zhbëhet’ nga lakuriqësia e fëmijëve që del në pah qartazi, qoftë edhe prej pakujdesisë së t’et që e mban shikimin të mbërthyer nga objektivi. Një zotni me kapele republike që teksa kalon lumin me gomar duket si ku bie, një fëmijë që pozon në këmbë ndonëse duket nga pas një burrë që e ndihmon të mbajë ekuilibrin. Fotografitë e Idromenos, bartin dhe ngërthejnë sa prekjen e kuruar të artistit, po aq edhe ‘gabimet’ njerëzore që duket se janë lënë aty qëllimisht. Dyzimi oficer i kuruar dhe fëmijë të zhveshur mundet të haset në secilin imazh që ka lënë ai.

Studiuesi Zef Paci thotë se si figurë poliedrike, ai ndërron habitatin e Shkodrës, duke sjellë nga arkitektura orientale në një arkitekturë neoklasike e baroke. Realizon piktura, portretin e parë laik, kompozimin e “Dasmës Shkodrane”, piktura me motive religjioze, portretin e Mosinjor Çobës. Është edhe muzikant që ka luajtur me violinë e trombon nëpër orkestrat e bandat e qytetit, që asokohe quheshin “Daulla e qytetit”. Zef Zorba ka treguar se kur ishte fëmijë kishte ndërtuar një elektroshok për vetitë kurative. Ai ishte i joshur ndaj alkimisë e këtë joshje e kishte edhe ndaj fotografisë. “Ka marrë mësimet e para te Marubi e mandej ka shkuar në Venecia. Kur kthehet në Shkodër, ka ndjerë potencialin e mediumit të ri, siç është fotografia.

Studioja e tij është e dyta që hapet në Shkodër. Ajo që është e rëndësishme për personin e tij, është se eklektizmi dhe poliedriticiteti i tij i bën t’i ndajë artet nga njëri-tjetri. “Te piktura ndjen procesin në punën e tij, ndërsa te fotografia, me mjeshtërinë që ka e kompozimin – ajo ruan fragrancën e tharmin e jetës. Kur e bën fotografinë, ndjen dozën e vërtetësisë dhe sheh njerëzit e rrugës”, thotë Paci. Pranon se përzgjedhja është bërë duke pasur parasysh Idromenon poliedrik dhe eklektik. Fenomen i ushqyer prej kureshtjes si dhe inteligjencës së tij për të përzgjedhur e dalluar ndërmjet kërkesave të kohës, mungesave, ndërmjet mundësive ekskluzive të mediumit që përdorte. “E veçanta është se ai sa arrin të inskenojë në studio dhe rivënien në skenë të fotografisë, aq edhe ai del në rrugë dhe fotografon duke kapur çastin. Mbase s’janë foto të përsosura, por kjo e bën artistike e të veçantë. Fotot ndërkaq, prej se vijnë nga Akademia e Studimeve Albanologjike, nuk kanë pas asnjë sqarim që të tregojnë për të”, thotë ai, ndërsa vëren se në njërën prej tyre, “fëmija që mban librin, mund të jetë Simon Rrota”. / KultPlus.com

Fatmira Nikolli: Si ikën në heshtje një fisnik (dhe një rrëfim i pathënë për ’98-ën)

Fatmira Nikolli

Gëzim Qendro iku dje në moshën 60-vjeçare. Iku në heshtje. Siç pati jetuar në heshtje, si një prej fisnikëve të fundit në një vend zulmëmëdhenjsh të rrejshëm. Prej kohësh ai vuante nga një sëmundje e rëndë, po në heshtje. Pa e ulëritur dhimbjen e tij. Fliste rrallë, fliste vetëm kur kishte diçka për të kumtuar. Fliste pa dashur të sulmonte, pa dashur as të binte në sy, pa dashur që objektivët të ktheheshin drejt tij, e pa dashur ta shihte veten në media më shumë se në pasqyrë. Fliste pa dashur të përfitonte, por padyshim duke e bërë përfitues dëgjuesin e shikuesin.

Ka pak njerëz në Tiranë e në laminë e artit që kanë peshën e fjalës së tij. Ka akoma më pak që dinë ta bëjnë si ai, pa arrogancë, pa luftë, pa i marr skenat me zor. Përkundrazi, ai i kishte zët skenat. E lehtë si pupël dhe e rëndë si gur, fjala e Qendros pati gjithherë forcën e madhështisë.

Prej dje, nuk është më mes nesh. Për shumëkënd, qe lajmi i parë i ditës. Një ikje e trishtë. Kush e ka njohur ka rrëmuar në kujtime për të gjetur biseda, e foto, për të kujtuar çfarë thoshte e si e thoshte. Dikush për të nderuar Qendron, e dikush veten. Sot e dimë me siguri se na duhej më shumë se i duheshim, e së në çdo tast që shtypim, diç po marrim prej lavdisë së tij. Me kohë, në mundshim t’i ngjajmë sadopak urtisë që bartte e urtisë që jepte, do na e falë. Së paku, do kemi përfituar prej shembullit të tij.

Për pasionin për punën, për dashurinë për artin, për dijen mbi kujtesën e arteve në Shqipëri, për ekranin e trashëgiminë, për filozofinë e kritikën, për shembujt e panumërt që ofronte prej më larg. Në respekt të ngjarjeve e mendimeve, që ai nuk donte të ishin publike, as sot, shumë syresh nuk do dalin. Le të mbeten në eter ato që si të tilla i patëm lënë.

Por që shembulli i tij të mos humbë në babëzinë e madhe për famë e pushtet, mes atyre që e citojnë edhe pse nuk mundën ta kuptojnë kurrë, më duhet të risjell në vëmendje një bisedë të dy viteve më parë, kur koha e desh të bënim një intervistë për artin në realizmin socialist. Në takimet paraprake për intervistën, ndodhi që të më rrëfente ndodhi të jetës së tij. Dëgjoja një zë të ulët, një narracion të qartë. I ngjante një filmi: një burrë me thinja, më tregonte për kohë që nuk i kisha jetuar. Kur Tirana i ishte dorëzuar kaosit të 1998-ës, Gëzim Qendro, atëkohë në krye të institucionit më të rëndësishëm të artit pamor në vend, flinte në Galerinë Kombëtare, për të mbrojtur artin e një vendi në flakë. Kur ai kërkonte mbrojtje nga shteti për Galerinë, shteti qeshte me të, qeshte se si ky burrë po mbronte pikturat në një skenë apokaliptike të rënies së shtetit. Por ai qëndroi, i vetëm, në godinën përbri teatrit, kur të tjerë rendnin të merrnin ç’të mundnin, ai qëndroi të mbronte ç’të mundte.

Ceremonia e homazheve dhe pritja e familjareve u bë dje nga ora 10:00 deri më 11:00, tek Galeria Kombëtare e Arteve. La pas një vajzë dhe një grua që do të dijë ta ruajë me dinjitet kujtimin e veprën e tij.

IKJA E QENDROS

E para që shkroi për ikjen e Qendros, ishte ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. “Trishtim i madh! Vendosi të largohet sot prej nesh, pas një sëmundje të rëndë dhe shumë para kohe, një nga më të mirët, më profesionistët e më të mençurit e artit dhe të mendjes, kritiku dhe historiani i estetikës dhe artit, drejtori që bëri kthesën në Galerinë Kombëtare të Arteve, Gëzim Qendro. Le vepra shumë të mira mik! Por edhe na le një boshllëk të madh njerëzor e miqësor siç vetëm fisnikët munden. Je i pazëvendësueshëm! Lamtumirë!”. Pas saj, edhe kryeministri Edi Rama, u shpreh “Hidhërim për ndarjen nga jeta të Gëzim Qendros, një mik i mirë, fjalëpakë e punëshumë, studiues i zoti i artit e njeri i rrallë, që nuk ia doli dot mbi sëmundjen e rëndë, por la pas kujtimin e bukur të kulturës e të fisnikërisë së tij të posaçme. Lamtumirë o mik!”

Si një nga kritikët dhe filozofët më të njohur në vend, e një nga themeluesit e Bienales së Artit të Tiranës, miqtë që e deshën qenë shumë.

Stefan Taçi kujtoi se pat shpresuar deri në fund, që Gëzimi ta mundte sëmundjen. “E dinim gjendjen e tij shëndetësore të kohëve të fundit, por njeriu shpreson gjithmonë, deri në minutën e fundit, aq më shumë kur dinim kurajën e vetë Gëzimit”. Në një bisedë të ditëve më parë, Taçi kujtoi se i kishte çuar një mesazh për ta përgëzuar dhe falenderuar për librin “Kinostudio ‘Shqiperia vjetër”. “Bashkë me mesazhin i kisha çuar një imazh nga faqja e fundit e librit ku kisha skicuar atë vetë në profil siç e mbaja mend unë në vitet kur punonim në Kinostudio. Dukej i prekur nga fjalët e mia mbi librin dhe skicën, folëm disa minuta e as më shkonte ne mend se pas 20 ditësh zëri tij do fikej kaq shpejt. Dukej aq kurajoz. Më tha se po punonte për një libër të ri”- shkroi dje Taçi.

“E njihte si pakkush tjetër estetikën dhe kritikën bashkëkohore të arteve pamore: kolegët e tij do ta vënë këtë në dukje më mirë se unë. Me veprën e tij provoi mundësinë e një qasjeje tjetër, më refleksive dhe larg bujës, ndaj artit të Realizmit Socialist dhe krejt historisë së pikturës shqiptare. Prej tij do të më mbeten edhe përshtypjet e shpërndara të atyre pak orëve që kemi ndenjur bashkë në Tiranë; si dhe premtimet, tani të pambajtshme, për t’u takuar sërish”, tha dje Ardian Vehbiu. Për drejtorin aktual të GKA-së, Erzen Shkololli, “kemi humbur një profesionist të vlefshëm, njohës dhe kritik të artit të çmuar, por mbi të gjitha një mik të veçantë”.

JETËSHKRIM

Profesor i Asociuar i Teorisë së Artit dhe Kritikës, Shef i Departamentit të Arkitekturës dhe Dizajnit, në një universitet privat, në Shqipëri. Është diplomuar në “Academie voor Beeldende Vorming”, Amsterdam, Holandë (1992-1996) dhe ka mbrojtur doktoraturën në Estetikë në Universitetin “Paris VIII” (2009) për pikturë. Ka qenë drejtor arti i filmave të animuar në ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”, drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë (1997-2002), drejtor i revistës së artit PamorART” (1998-2002), bashkëdrejtor dhe një nga kuratorët e tre edicioneve të para të Bienales në Tiranë, kurator i ekspozitave “Surrealizmi socialist”, “Homo Socialisticus”, “Post EVA”, “Nostalgji”, “Glocal”; bashkëkurator i ekspozitës “In & Out”; ka marrë pjesë në konkursin e përvitshëm mbi artin bashkëkohor Onufri (1997, 2001). Ekspozita të tjera të kuruara nga ai janë: Çmimi Myslim Mulliqi, Antologjia e Shpresës, Koordinatat Onirike të Nënvetëdijes, Zbrazëtia Ludike e Objektit, Mes Orientit dhe Oksidentit. Që prej vitit 1992 ka botuar mbi 100 artikuj në shtypin shqiptar dhe të huaj mbi çështje rreth historisë së artit shqiptar. Është autor i tre monografive për artistët shqiptarë: “Arkeologjia e Mëngjesit (Dituria), “Heronjtë janë të uritur” (Onufri), “Surrealizmi socialist” (l’Harmattan) dhe përkthyes i 14 titujve librash të lidhura kryesisht me historinë e artit dhe teorinë e artit. Ka qenë gjithashtu një nga kuratorët e Muzeut “Shtëpia me gjethe” dhe anëtar i jurisë së Ministrisë së Kulturës për Bienalen e Venecias.

Suzana Varvarica Kuka: Kujtova se do ia hidhte, nuk e kishte kohën të ikte

Gëzim Qendro erdhi në GKA në fund të vitit 1998 dhe u largua në vitin 2002 kujton Suzana Varvarica Kuka për Qëndron e pyetur nga “GSH”.

E ka njohur shumë kohë më parë, kur punonin në filmin vizatimor në Kinostudio. Dhe ky është rrëfimi i saj:

Pas viteve ’90 u bashkuam përsëri në Galeri me të ndjerën Majlinda Agolli dhe mikun tonë të përbashkët specialistin Andon Ikonomi. Na u duk se po punonim si dikur dhe asgjë nuk kishte ndryshuar, vetëm se tani Gëzimin e kishim drejtor dhe e respektuam që të tre si të tillë.

E kam njohur në rini dhe e respektoja për vullnetin e fortë që kishte për leximin dhe dijen. Më pas për pasionin dhe talentin në përkthimin e ideve në imazhe.

Në Galeri dukej i rritur, plot dinjitet dhe personalitet të formuar. I edukuar jashtë vendit kishte fituar qartësinë e funksionit të sistemit të artit ndërkombëtar. Kjo e nxiti që në galeri të krijonte një institucion kombëtar ekspozues me parametra bashkëkohorë. Ai u bë iniciator i ekspozitave të konceptuara nën një ide dhe shumë informacione. Ai e grupoi veprën e artit si një kohë dhe një hapësirë e kjo vlejti për të kuptuar edhe më shkoqur sesi kishte ndikuar metoda e realizmit socialist në jetën e artistit dhe në deformimin e njeriut, i cili rëndom quhej “njeriu i ri”. Ai është iniciator i revistës së vetme të artit të GKA, Tiranë “PamorArt”, e cila pas tij nuk e gjeti më dritën e botimit, por ne aso kohe ishim të gëzuar dhe madje menduam se diçka shumë të paqme dhe intelektuale po bënim. Gjatë kohës së tij në drejtim u organizuan ekspozitat atraktive dhe mbresëlënëse ndërkombëtare “Onufri”, “Marubi” e “Bienalja e Tiranës” e shumë kombëtare. E kjo ishte koha kur artisti shqiptar u përball me shumë vështirësi, kur ndjeu konkurrencën dhe nivelin e tij në sipërfaqen e artit bashkëkohor ndërkombëtar. E kjo situatë ishte një situatë e fortë kthese e ndryshimi. Ai është autor i dhjetëra librave me vlerë në fushën e studimit, estetikës, artit dhe filozofisë. Për të ndjerin dhe të diturin Qendro, siç ne e themi emrin e tij kam shumë për të treguar e shkruar.
Nuk do harroj takimin tonë me biseda që nuk mbaronin, në tavolinën ku u ulëm, pranë shtëpisë së tij e kur doli nga spitali. Shpresova se ia kishte hedhur për gjithmonë. Por, Ai, Qendro, ç`ka shkruar, ç`ka kemi biseduar nuk do të harrohen askurrë, për ne miqtë e tij. Nuk e kishte kohën të ikte./ KultPlus.com