Jazz-kitaristi kosovar Faton Macula, i cili karrierën po e bën në Amerikë, do të paraqitet në televizionin e famshëm që u dedikohet njerëzve me ngjyrë.
Performanca e tij e përbashkët me këngëtaren Bobbi Storm, do të transmetohet në “Black Entertainment TV” që është kanali më i dalluar televiziv që target e ka audiencën afro-amerikane.
Ky televizion organizon edhe ceremoninë e çmimeve “BET Awards”, në të cilën ka marrë pjesë edhe ylli i njohur i muzikës, Beyonce, raporton Express i KTV-së.
Bobbi Storm, e cila ka bashkëpunuar edhe më herët me Maculën, është pjesë e “Songbook” që udhëhiqet nga fituesi i çmimeve “Grammy” Troy Taylor. Performanca e tyre në “B.E.T” do të transmetohet në muajin shtator.
Faton Macula është lindur në Mitrovicë. Ai ka pasur rast të këndojë dhe të interpretojë me muzikantë të njohur. Në moshën 18-vjeçare ai e njohu jazz-kitaristin Mark Whitfield, që u bë një tjetër influencë e rëndësishme në karrierën e tij muzikore.
Më 2002 miku e mentori i tij, e ftoi të shkonte në New York dhe prej atëherë zhvillon karrierën në qytetin amerikan, ku ka pasur mundësi të performojë me jazz e pop artistë të njohur si: Marc Anthony, Shakira, Faith Hill, Missy Elliot, etj.
Macula veç tjerash, ka interpretuar edhe në një prej klubeve më të famshme muzikës jazz në Amerikë, “Blue Note” ku e ka ndarë skenën me Sy Smith, këngëtare e aktore e njohur amerikane dhe trumbetistin Chriss Botti, fitues i “Grammy Awards”. /KultPlus.com