Për poezinë e Fatos Arapit

Nga Erlind Sulko

Të gjitha përgjithësimet janë të pasakta. Por disa përgjithësime të pasakta kanë qëllime të sakta: ato vënë në dukje diçka që përndryshe do të shpërfillej. Disa përgjithësime janë të domosdoshme. Prandaj, kritika letrare ka nevojë për përgjithësime të pasakta për të vënë rrregull dhe t’i japë një trajtë të caktuar asaj që përndryshe do ishte një rrokopujë e pakuptueshme letrare.

Në librin “Albanian Literature: A Short History,” Robert Elsie e pagëzon me të drejtë letërsinë bashkohore shqiptare vetëm me dy fjalë: Liria dhe Kaosi. Për t’i dhënë kuptim lirisë dhe për ta tejkaluar këtë pështjellim të stërmadh, letërsia shqiptare sot ka nevojë për trajta përgjithësuese.

Përgjithësimi më pak i pasaktë për poezinë shqiptare është ky: poezia shqiptare është një premtim i papërmbushur.

Shumica e poetëve më të mirë shqiptarë kanë pikërisht këtë gjë të përbashkët: në poezitë e tyre të shkëlqyera shikon një premtim për diçka që do t’i përmbushë gjithë poezitë e tyre, vargjet e tyre premtojnë një plotësim përfundimtar të veprës së e tyre. Por, ky premtim askurrë nuk përmbushet.

Poezia e Jeronim De Radës asnjëherë nuk arriti ta përmbushë premtimin që jepte vepra e tij e hershme Këngët e Milosaos: Këngët e Serafina Topisë e shikoj vetëm si një zhvillim të motiveve, simboleve, figurave dhe qasjeve të paraqitura më parë edhe tek Këngët e Milosaos. Ndërkohë, vepra Skënderbeu i Pafan është vepër e dobët në krahasim me Këngët e Milosaos dhe Këngët e Serafina Topisë.

Naim Frashëri ende ngelet si një nga poetët më të mëdhenj të gjuhës shqipe vetëm për shkak të një vepre jashtëzakonisht të bukur, por të shkurtër: Bagëti e Bujqësi. Gjithëçka, tjetër që ai ka shkruar është ose një përsëritje më e dobët e Bagëti e Bujqësi ose thjesht diçka tmerrsisht e keqe dhe e palexueshme, si vepra e tij Istori e Skënderbeut.

Vepra poetike e Gjergj Fishtës, pavarësisht se sot ngrihet në qiell për arsye politike, nuk mund të futet as tek më të mirat në letërsinë e gjuhës shqipe. Fishta është një njeri me një rëndësi të madhe historike dhe kombëtare, por kjo gjë nuk e bën edhe poet të madh. Edhe premtimi i tij për të krijuar një epikë të madhe shqiptare, nëpërmjet Lahuta e Malcis, dështoi në një vepër me vlera gjuhësore, por gati asnjë letrare. Fatkeqësisht, Lahuta e Malcis është një vepër e mërzitshme historike, tejmbushur me thirrje për luftë,- gjë që, mbase, ka kuptim historik nëse e shikon nëpërmjet rrethanave ku ndodheshin shqiptarët në atë kohë, por s’ka kuptim brenda rrjedhës së letërsisë.

Një premtim i paplotësuar është edhe vepra e Migjenit,- megjithëse ato pak poezi që ai la, futen tek majat e poezisë shqiptare. Poezia e Migjenit asnjëherë nuk u përmbush dot pasi u nda nga jeta tepër i ri. I njëjti përcaktim vlen edhe për poezin e Lasgush Poradecit: ai asnjëherë nuk i tejkaloi dot lirikat e tij të ëmbla djaloshare. Mund të vazhdoj kështu edhe me shumë poet të tjerë, por po e lë me kaq.

Siç u mundova të rrëfej, një dënim, një fat i zi, një vdekje e parakohshme e ka pllakosur poezinë shqiptare: ajo gati përherë thyen fatin që parathotë. Në këtë kuptim, poezia shqiptare është një parathënie e papërmbushur, një veprim i pakryer, një vështrim drejt një shtegu të madh e hyjnor ku askush nuk arriti të udhëtonte.

Poezinë e Fatos Arapit e shikoj si një përjashtim, një çlirim nga kjo parathënie e errët që ndjek nga pas poezinë shqiptare. Jo sepse Fatos Arapi nuk ka poezi të dobëta. Ka shumë të tilla. Por, poezia e Fatos Arapit është një nga ato pak përjashtimet, sepse në ndryshim nga shumë poetë shqiptarë, ai ka një mori të madhe poezish të përkryera. Dhe një poet vlerësohet për poezitë e tij të përkryera, e jo për poezitë e tij të dobëta. Edhe Walt Whitman ka plot poezi të dobëta, siç ka edhe Pablo Neruda. Do ishte një gabim letrar nëse ne do ta vlerësonim gjithë krijimtarinë e tyre duke u bazuar tek veprat e tyre të dobëta. E njëjta gjë vlen edhe për poezinë e Fatos Arapit. Mendoj se vepra poetike e Fatos Arapit arriti të përmbushë vetveten, vargjet e tij arritën të piqen deri në përsosmëri. Gjuha në poezinë e Fatos Arapit arriti të rritej deri në kulmin e përkryerjes së saj dhe na la si dhuratë hyjnore neve, lexuesve mosmirënjohës, një mori të madhe poezish të pavdekshme.

Por, madhështinë e poezisë së Fatos Arapit, nuk e shikoj thjesht tek fakti se arriti të krijojë një mori poezish të mrekullueshme. Më shumë se kaq, vlerën më të madhe të veprës poetike të Fatos Arapit e shikoj tek mundësia që shfaq poezia e tij për t’u ngjizur përfundimisht në një trajtë të përkryer, të caktuar dhe të njëjtësuar. Fjalën trajtë, këtu, jam duke e përdorur në kuptimin e fjalës “mythos” tek Poetika e Aristotelit: një ngjizje, një trajtë e plotësuar, një bashkim organik që lejon veprën të jetë e njëjtësuar. Aristoteli e përdor këtë koncept të mythos vetëm për të përsiatur vepra që janë qartësisht të ndara me një fillim e fund: një epikë e caktuar ose një dramë.

Parimet letrare që Aristoteli zhvilloj tek libri Poetika nuk duhet as të ndiqen verbërisht e as të braktisen tërësisht. Mendoj, se zgjidhja e duhur është që ne t’i zhvillojmë, ndryshojmë dhe përshtasim parimet letrare të Aristotelit,- edhe aty ku ai nuk mundi t’i çonte. Dhe gjëja më frytëdhënëse tani për tani për kritikën letrare mendoj se do ishte pikërisht një zhvillim i konceptit të mythos në letërsi. Në rastin konkret, konceptin e bashkimit organik ose mythos e hasim edhe tek të gjithë poetët e mëdhenj lirikë, megjithëse në një lloj trajte bashkimi ndryshe. Në një vepër si drama, me një krye dhe fund të përcaktuar qartazi, kemi një bashkim organik nëpërmjet zhvillimit linear ose vijëdrejtë. Ndërkohë, që në poezitë e shpërndara lirike kemi një bashkim organik nëpërmjet zhvillimit përsëritës: një zhvillim që bashkon nëpërmjet riardhjes së përhershme, një ripërsëritje që tregon duke u shfaqur në rrethana të reja. Në poezinë e Fatos Arapit shikoj pikërisht këtë mundësi e të pasurit të një bashkimi organik në poezitë e shpërndara lirike nëpërmjet përsëritjes së një trajte të njëjtësuar.

Trajta e njëjtësuar që hasim në poezitë e Fatos Arapit është kjo: poezia si një bashkëbisedim me gjithësinë, një bashkëbisedim i drejtpërdrejtë, i fshehtë dhe i thellë me gjithçka që na rrethon. Poezia e Fatos Arapit është një bashkëbisedim intim me botën. Siç edhe jam munduar ta tregoj në një shkrim të mëparshëm, poezitë e shpërndara lirike të Frederik Rreshpes mund t’i njëjtësojmë dhe kuptojmë si një udhëtim i vazhdueshëm zhgënjimesh dhe vdekjesh së njëpasnjëshme. Ndërkohë, poezitë e shpërndara lirike të Fatos Arapit mund t’i njëjtësojmë dhe kuptojmë si një udhëtim i pareshtur bashkëbisedimesh të drejtpërdrejta dhe të fshehta me gjithësinë. Në pjesën e mëposhtme të shkrimit do mundohem pikërisht të paraqes ndalesat gjatë këtij udhëtimi bashkëbisedimesh në poezinë e Fatos Arapit.

Një nga bashkbisedimet më të rëndësishme dhe më të hershme në poezinë e Fatos Arapit është bashkbisedimi me dashurinë. Ky bashkëbisedim nis që në zanafillën e vetë veprës së Fatos Arapit, në veprën e tij të parë Shtigje Poetike, botuar në 1962. Ja një poezi nga ky libër:

TI DO VISH

Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di se unë ty të pres
duke ndjer’ frymëmarrjen e vet mbrëmjes
duke ndjer’ frymëmarrjen e vet pritjes
duke ndjer’ frymëmarrjen e vetmisë
Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di që unë po të mundnja,
rreth vetvetes rruzullin do vërtitnja
si një portokall’ në dorën time-
të rrjedhë koha shpejt
e ti të vish…

Në këtë poezi, kemi pikërisht një bashkëbisedim me dashurinë,- ku e dashuruara ka marrë trajtën e dikujt që s’po vjen, pavarësisht përmallimit të tejskajshëm të rrëfyesit. E dashura nuk vjen edhe nëse ai do mund të ndryshonte vetë rrjedhën e kohës duke rrutulluar botën si një portokalle në dorën e tij,- dhe nuk mund të mos theksoj këtu bukurinë e vargjeve dhe shfaqjes që ato përcjellin. Siç e shikojmë në këtë poezi por do e hasim edhe në poezitë e tjera të Fatos Arapit, ky bashkëbisedim poetik është përherë i drejtëpërdrejtë. Vetë kjo poezi fillon me një pyetje që i drejtohet drejtpërdrejt të dashurës: Ti do vish, e dashur, si s’do vish?

Ky bashkëbisedim për dashurinë rishfaqet sërish në librin Poema dhe Vjersha botuar në 1966.

MBI SUPIN E KOHËS SIME

Mbi supin e kohës sime
kryet pështeta.
S’dremita. Nuk fjeta.
Mbi supin e kohës sime,
si mbi supin e Asaj,-
rashë në mendime.

Kjo poezi është një bashkëbisedim për dashurinë, por jo më drejtuar Tjetrit ose Asaj, por drejtuar nga vetvetja. Këtu rrëfimtari i rrëfen vetvetes. Edhe kryet ai i mbështet mbi supin e kohës së tij, e jo mbi supet e Asaj,- megjithëse rrjedha e kohës së tij e kujton pikërisht për atë ku ai do të ishte. Rrëfimtari bie në rrjedhën e mendimeve të vetvetes. Kjo zhytje brenda kohës së brendshme është në thelb një rënie në kujtimet e tij,- dhe këtu nuk duhet të anashkalohet lidhja që bëhet midis kujtesës dhe kohës. Pavarësisht, nëse koha në vetvete mund të vazhdojë ose jo pa kujtesën tonë, një gjë është e sigurtë: përjetimi jonë i kohës nuk mund të vazhdojë pa kujtesën. Pa kujtesë nuk ka një rrjedhje të brendshme të ngjarjeve e si pasojë nuk mund të ketë as ndonjë përfytyrim të kohës, se vetë koha nuk është asgjë më shumë se sa mënyra se si rrjedh diçka.

Kemi sërish një rikthim tek bashkëbisedimi me dashurinë në veprën Duke Dalë Prej Ëndrrës, botuar në 1989, me poezinë “Ti do t’më dashurosh patjetër”.

TI DO T’MË DASHUROSH PATJETËR

Ky qiell i prillit pa ty ësht’ i vjetër.
Shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër.
Në mallin tënd ky karafil i egër. –
Ti do t’më dashurosh patjetër!
Në sytë e tu mijra diej të vegjël
e ndezën natën dhe ditën e ndezën.
Mirë sot, po si durohet pa ty nesër? –
Ti do t’më dashurosh patjetër!
Kapërcej ty e kapërceva veten,
dhe përtej vetes kapërceva jetën,
dhe përtej jetës kapërceva vdekjen. –
I hapa krahët të pushtoj ty vetëm:
Ti do t’më dashurosh patjetër.

Poezitë e dashurisë janë më të vështirat për t’u përsiatur, pasi ato shpesh s’kanë asgjë për të shkoqitur: ato zakonisht shprehin vetëm një thjeshtësi ndjenjash të hijshme. Dhe thjeshtësia e dashurisë shpesh kriset dhe thyhet nga kritika letrare të lodhshme. Poezitë e dashurisë nuk janë për t’u menduar, por për t’u jetuar. Pavarësisht kësaj, mund të them se në këtë poezi shohim sërish një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë me Atë. Rrëfimtari i drejton Asaj një pyetje: Mirë sot, po si durohet pa ty nesër?

Gjithashtu, dua të them se në poezinë e mësipërme të Fatos Arapit dashuria shfaqet si një mënyrë për të tejkaluar vetveten, jetën dhe vdekjen. Njeriu përjeton dashuri të ndryshme në jetën e tij: dashuria si bashkim vllazëror me tjetrin (philia), dashuria si flijim për tjetrin (agape) apo dashuria si njëjtësim me tjetrin (eros). Në rastin e kësaj poezie kemi pikërisht një dashuri erotike, ku vetë rrëfimtari vdes, tejkalon vetveten, jetën dhe vdekjen, për t’u njëjtësuar me tjetrin. Dashuria erotike përherë kërkon vdekjen e unit, pasi uni duhet të braktiset si shkëmbim për njëjtësimin e ri. Siç i mëshon edhe George Bataille në librin e tij të njohur Erotizmi: nga dashuria erotike përherë humb vetvetja.

Në librin Ku Shkoni Ju Statuja, botuar në vitin 1990, prapë rishfaqet bashkëbisedimi me dashurinë, por sërish në një trajtë tjetër. E kam fjalën për poezinë “Penelopës”.

PENELOPËS

Nuk ka mbaruar endja e pëlhurës, Penelopë.
Ende nuk është kthyer nga Troja Odiseu.
Ishujve të kohës endet…
Po vuri këmbën mbi bregun e thatë
me vdekje dhëndurësh do ta mbjellë Itakën.
Vazhdo të endësh, Penelopë.
Rrahja e avlëmendit tënd
është krismë e përjetshme e valëve të Jonit.
Ti mos u mërzit, mos u lodh duke pritur, o grua.
Kemi nevojë për një ëndërr malli në sy,
dhe vetë ajo, Dashuria, ka nevojë për pafajsinë tonë.
Mos më moho, Penelopë.

Në këtë poezi, e përfshehta Ajo, Asaj që Arapi shpesh i drejothet në poezitë e tij, ajo Tjetra e dashuruar, merr një trajë të përcaktuar: ajo shndërrohet në Penelopën. Bashkëbisedimi me dashurinë tani merr trajtën e një bashkëbisedimi me Penelopën. Penelopa është gruaja e Odises, e cila pavarësisht mungesës së gjatë të Odises në Itakë dhe trysnisë së mëtonjsve të tjerë që duan të martohen me të për të marrë pushtetin, ende i ngel besnike dashurisë për Odiseun dhe beson në rikthimin e tij. Në librin Odiseja, tregohet se Penelopa për të larguar mëtonjësit, i thotë atyre se do martohet me një nga ata kur ajo ta ketë përfunduar endjen e një pëlhure për Laertin, atin e Odises. Por Penelopa e end këtë pëlhurë gjatë ditës dhe e [tjerr gjatë natës. Vargu i parë i kësaj poezie të Arapit, rrëfimtari i kërkon së dashurës të presë, të durojë një përsëritje të pafund: se ai, Odiseu, do të kthehet. Tjeri këtu merr trajtën e Penelopës, ndërkohë rrëfimtari është një bashkëbisedues i paqartë: mbase, një shërbëtore e Penelopës, mbase i ati ose biri i Odiseut. Ose mbase vetë Odiseu që flet për veten e tij në fillim në vetën e tretë, por që më pas i drejtohet Penelopës në vetën e parë që mos ta mohoj. Pavarësisht kësaj, udhëtimi i Odises në këtë poezi është vetë koha. Odiseu ende nuk është kthyer në Itakë sepse ka humbur nëpër ishujt e kohës. Prandaj, ajo që e ndanë Penelopën nga Odiseja është vetë koha. Nuk dua të lë pa përmendur edhe këto dy vargje të shkëlqyera:

“Po vuri këmbën mbi bregun e thatë
me vdekje dhëndurësh do ta mbjellë Itakën.”

Siç dihet edhe nga libri Odiseja, mbasi kthehet në Itakë, Odiseu i vret mëtonjësit e gruas dhe pushtetit. Por, ajo që është e bukur në këto dy vargje është mënyra se si kjo ngjarja ritregohet poetikisht: sa të prekë këmba e Odises bregun e Itakës, do ta mbjellë atë vend jo me jetë, por me vdekje. Por edhe më e rëndësishme në këtë poezi është se vetë rrëfimtari thotë se kjo largësi kohore midis Penelopës e vetë atij është e nevojshme. Rrëfimtari nuk thotë se ne kemi nevojë për njëri-tjetrin, nuk thotë se ai është i etur për dashuri, por se ne të gjithë kemi nevojë për një ëndërr malli. Kështu shprehet paradoksi më i madh i dashurisë: ne e duam Tjetrin më fortë pikërisht kur Tjetri nuk është pranë nesh. Kur qëllimi i dashurisë arrihet, atëhere dashuria përmbushet dhe ngel vetëm zbrazëtira. Prandaj, ne kemi nevojë jo për përmbushjen e dashurisë, por për një dashuri të përjetshme që s’do përmbushet asnjëherë: një ëndërr malli në sy. Ky është edhe flijimi që të dashuruarit i bëjnë Dashurisë: ata pranojnë të duan tjetrin me kusht se do pranojnë zbrazëtinë brenda vetes. Se nëse vetvetja është e përmbushur, atëhere s’ka as nevojë për t’u bashkuar me Tjetrin. Pranimi i këtij paradoksi të dashurisë është edhe arsyej pse Dashuria ka nevojë për pafajsinë tonë.

Në veprën poetike të Fatos Arapit kemi sërish një rikthim tek bashkëbisedimi me dashurinë në librin Më duhet një gjysëm ëndrre, botuar në vitin 1999. Në këtë libër, bashkëbisedimi me dashurinë arrin majën e praruar me anë të dy poezive: “E paëndërrta ime” dhe “Mos eja në ëndërr.”

E PAËNDËRRTA IME

Më duhet një gjysëm ëndrre,
e paëndërrta ime.
Vë kokën në gjoksin tënd
e aty përplasem
te koka e një tjetri.
Më duhet një gjysëm ëndrre.
Shigjetat e orës së dorës
tutje i shtyjnë kalimtarët,
në ditë të rrëpirta tiranase.
Shpirtra joshpirtra që shkojnë…
Bri meje dikush flet me vete,
pa e kuptuar besoj në rrëfimin e tij.
Dikush, prej zhgënjimi të egër,
mbërthen kryqe të reja.
I hedh një gjysëm leku
dhe blej kryqin tim.
Tani që ta ngre
më duhet një gjysëm ëndrre,
e paëndërrta ime.

Në këtë poezi, Tjetri i dashuruar, nga Penelopa, shndërrohet në të paëndërrtën. Duket sikur kjo poezi fillon pikërisht aty ku mbaroi poezia “Penelopës”: më duhet një ëndërr. Por, tani zëri i rrëfimtarit është më i dëshpëruar: ai nuk beson më se do mund ta gjejë edhe një ëndërr që lind etjen e amshuar për dashuri. Ai kërkon vetëm një gjysëm ëndrre. Kërkon një ëndërr, jo për t’u përmbushur, por vetëm sa për të mbijetuar. Asgjë nuk e shpeh më mirë këtë bjerrje të rrokakrejtshme të shpresës se sa të kërkosh një gjysëm ëndrre nga e paëndërrta. Rrëfimtari këtu kërkon të pamundurën: kërkon ëndrrën nga e paëndërrta. Rrëfimtari do të qendrojë e të prehet tek Ajo, por vetëm përplaset tek një tjetër. Rrëfimtari nuk ka më një vend ku të qendrojë: çdo gjë e përplas me një gjë tjetër. Prandaj, dhe ai lutet se i duhet një gjysmë ëndrre për të mbijetuar.

Por, shiko si përcaktohen kalimtarët tiranas: “shpirtra joshpirtra që shkojnë”. Ky përcaktim i kalimtarëve tiranas, nëpërmjet vetëkundërshtimit të vetëvetes, sendërgjon mjeshtërisht mjedisin shpirtëror të kësaj poezie: njerëz që ikin drejt diçkaje që as vetë nuk e dinë, kërkimi i një gjysmë ëndrre nga e paëndërrta, njerëz që shtyhen nga shigjetat e orës e jo nga vetëvetja, dikush mbështetet tek gjoksi i asaj por përnfudon tek koka e një tjetri, besimi në në rrëfimin të çfarëdoshëm, lënie dhe rimarrje kryqesh.

Përfaqësia e kryqit këtu ka një rëndësi të madhe. Sigurisht, kryqi këtu lidhet me kuptimin që kryqi ka në botëkuptimin e krishterë. Me pak fjalë, kryqi përfaqëson vuajtjen e hyjnishme. Kryqi është flijimi i Perëndsisë për njeriun. Krishti u detyrua të mbaj kryqin e tij para se të kryqëzohej. Mbas vdekjes së Krishtit, edhe vetë besimtarët mbajnë kryqin e tyre. Mbajtja e kryqit në këtë kuptim është pranimi i vuajtjes dhe flijimit hyjnor. Në poezinë e mësipërme të Arapit, dikush i zhgënjyer mbërthen kryqe të reja, mbërthen vuajtje dhe flijime të tjera, mbërthen një fe tjetër. Edhe rrëfimtari merr kryqin e tij: gjëja më e çuditshme është se atij i duhet ta blejë atë. Pavarësisht kësaj, tani atij i duhet ta mbajë këtë kryq, t’i durojë këto vuajtje hyjnore e të vazhdojë në këtë flijim. Prandaj, dhe atij i duhet një gjysmë ëndrre që të mbijetojë nga kjo vuajtje dhe flijim.

Ndërkohë në të njëjtin libër, botuar në 1999, gjejmë edhe poezinë “Mos eja ne ëndërr,” e cila pavarësisht ngjashmërisë me poezinë “E paëndërrta ime,” përçon një kuptim të kundërt me të.

MOS EJA NË ËNDËRR

Mos eja në ëndërr, e paëndërrta ime.
Nuk jam Safua me zemër të brishtë. –
Ngopur me vdekjen e dashurisë
gjer në grykë, jam!
Edhe në gjumin e vdekjes
trembem nga britma ime
për ty.
Mos eja në ëndërr, e paëndërrta ime.
Mos e bëj shakanë e mbrëmshme.
Si ta duroj ditën,
që më sheh me sy ëndrre?

Sërish, këtu kemi një bashkëbisedim me dashurinë, ku rrëfimtari së dashurës i drejtohet si “e paëndërrta.” Por, ndryshimi i madh këtu është se rrëfimtari nuk i kërkon më Asaj një gjysmë ëndrre, por pikërisht që Ajo mos t’i vijë më në ëndërr. Ëndrra është shndërruar në një ankth. Shohim zhgënjimin e plotë të rrëfimtarit nga dashuria: ai nuk kërkon më as një gjysmë ëndrre malli për të mbijetuar. Ai është i ngopur me vdekjen e dashurisë. Dhe kështu përfundon bashkëbisedimi me dashurinë në veprën poetike të Fatos Arapit./KultPlus.com

Ky shkrim është botuar edhe te Peizazhet.

“Si s’të desha pak më shumë…”

Shkruan Ndue Ukaj

Poezia- dashuri e përhershme për fjalën, njeriun, mungesën. Një melodi shpirti, që na zgjon në agimet e bukura, si cicërima e zogjve që tregojnë madhështinë e fushave dhe të maleve, ku paqja shtrihet si në tregimet për Edenin.

Poezia- kjo forcë magjike e magnetike, me gjuhën fisnike, na bënë shtegtarë nëpër kohë e hapësirë, dhe na tregon ç’është e mirë dhe ç’është e keqe. Po, poezia është ilaçi i domosdoshëm për shpirt, për një shoqëri me humane, për t’i kuptuar betejat e ashpra të jetës, pra, për ta bërë jetën më të bukur dhe më humane, ashtu siç na ka treguar poeti i madh, Fatos Arapi, dhe siç na tregon vargu kumbues “si s’të desha pak më shumë”; varg të cilin e shqipton secila qenie njerëzore, në çaste humbje, gëzimi, dëshpërimi e mungese. Në fakt, ky varg, buçet me forcën e madhështisë së fjalës, në zemrën e secilit lexues dhe e thërret të drejtohet ka portat e dashurisë, për të dashuruar pafund.

Ikja e Fatos Arapit, na tregon edhe njëherë, sa shumë kemi nevojë për gjuhën fisnike të artit, të artit të bukur, që nuk dorëzohet përballë gjuhës së egër të atyre që helmatisin jetën me dokrra e marrëzi.
Fatos Arapi, poeti i përkorë, ka shkruar një poezi të ndierë, me një figuracion mbresëlënës, në të cilën ndihen telat e zemrës së njeriut që e do njeriun, jetën, natyrën, paqen, atdheun, gjuhën, detit dhe çdo gjë të bukur, por që nuk dorëzohet as përballë shëmtisë…

Fatos Arapi është poet i madh, që i dha forcë poezisë shqipe. Me vargje të bukura, ka kënaqë dhe lumturuar mijëra lexues, dhe po ashtu, i ka tronditë mijëra lexues. Sepse, vargjet e tij, janë si ato buqeta të zgjedhura lulesh, që i mbajmë në duar për ditë të shënuara, por edhe si muzikë e përmortshme, për ditë të hidhura. Po, lexuesi e ndien artin e tij dhe drithërimat shpërthyese, në çaste gëzimi e dëshpërimi, kur dërdëllitjet e shpirtit, e shpijnë njeriun në qiejt e lumturisë apo ato të dëshpërimit- në skëterrë. Dhe Poeti, di që mjeshtërisht realitetet e jetës t’i kthejë në realitete estetike, që buçasin dhe lëshojnë tinguj të bukur, dashurie e dhimbje. E këto mund t’i bëjë vetëm një shpirt i madh, një talenti i zoti, që drithërimat e jetës di t’i shndërrojë në melodi, në këngë.

Poezia e Arapit të grishë ka madhështia, dashuria e pakusht, nga natyra dhe gjuha fisnike. Po, ajo na thërret, siç thërrasin kambanat e një katedrale madhështore, të hyjmë në të, të banojmë në të, dhe ta ndiejmë peshën e artit madhështor, të korit të jetës, të engjëjve që zbresin në figura dhe na tregojnë rrugët e jetës.

Poezia e tij na thërret të shtegtojmë në botën humane, të pastërtisë së gjuhës, ku dashuria është ajo jeta e kristaltë, që asnjëherë nuk është e mjaftueshme. Ashtu siç nuk është jeta.
Poeti i madh, Fatos Arapi, iku në një vjeshtë plot ngjyra dhe pas vete la ngjyra të bukura dhe të pashlyeshme poetike.
Ai la një varg veprash, dëshmi të një arti të madh dhe poezi antologjike, me të cilat ka gdhendë emrin e tij me shkronja të arta në letërsinë shqipe.

Fatos Arapi, si askush, ka treguar ç’është Atdheu, dhe si duhet t’i blatohemi atij me dashuri pa kusht, ashtu siç i blatohet ai Tiranës që ka tiranë dhe që të vret:

“Atdheu është dhimbje, është dhimbje.
Një prill i pikëlluar ne shpirt.
Atdheu është kryqi, është kryqi
E mban – dhe te mban ty ne shpirt.”
Në rrugëtimin e tij poetik, ai ka lënë poezi të bukura për jetën dhe përplasjet që shfaqen në të:
“Jeta është stacion ndarjesh e takimesh.
Jemi përherë udhëtarë
dhe ndër duar, bagazh të pandarë,
një valixhe të vogël
përpjekjesh, sulmesh, kujtimesh.”
Ai na ka treguar ç’është forca e dashurisë:
Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prap s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…
Ndërkaq, telat e zemrës së poetit, në mënyrë të perfeksionuar, vijnë në këto vargje fantastike:
” Ti do te me dashurosh patjetër
Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër,
shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër.
Në mallin tënd ky karafil i egër,
Ti do të më dashurosh patjetër!
Poeti Fatos Arapi iku, dhe, siç shkruan vetë në poezinë “Lamtumirë”
“Kudo që shkoj
jam një copëz peizazhi nga vendi im.”
Po, ai është copëza e ndritshme e peizazhit në atdheun tonë kulturor dhe estetik.
Faleminderit, maestro!

Hashim Thaçi: Fatos Arapi mbetet emër i madh në historinë e letërsisë shqipe

Sot ka vdekur një nga poetët më të mirë shqiptar, Fatos Arapi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçit vdekjen e tij e ka cilësuar si një humbje të madhe për kulturën dhe letërsinë shqipe, shkruan KultPlus.

Ai ka thënë se Arapi mbetet emri më i madh në historinë e letërsisë shqipe.

“Fatos Arapi i përket atij brezi intelektualësh që e modernizuan letërsinë shqiptare në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar dhe u shqua edhe me shkrime teorike në fushën e kulturës. Fatos Arapi mbetet emër i madh në historinë e letërsisë shqipe. Ngushëllime të sinqerta familjes Arapi dhe miqve të tij, anembanë hapësirës shqiptare”, shkruhet në postimin e Thaçit./ KultPlus.com

Mirela Kumbaro: Fatos Arapi, sinonim i pashmangshëm shqiptar i poetit

Sot ka ndërruar jetë poeti i njohur shqiptar Fatos Arapi. Mirela Kumbaro nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë përmes një postimi ka shprehur ngushëllimet e saj për humbjen e poetit duke thënë se ai është ndarë nga jeta vetëm fizikisht duke lenë pas vetes kryeveprën e botës letrare, poezinë.

Më poshtë po ju sjellim postimin e plotë të Kumbaros e cila duke i dhënë lamtumirën ka ndarë edhe disa vargje të poetit.

Fatos Arapi, sinonim i pashmangshëm shqiptar i Poetit, ndahet vetem fizikisht nga jeta duke lënë pas kryeveprën e botes letrare, Poezine!

Sepse siç thotë ai vetë:
“Jeta eshte stacion ndarjesh e takimesh.
Jemi perhere udhetare
dhe nder duar,bagazh te pandare,
nje valixhe te vogel
perpjekjesh,sulmesh,kujtimesh”

Lamtumire POET

“Fatos Arapi, poeti që e lamë në harresë”

Sot ka ndërruar jetë shkrimtari e poeti i njohur shqiptar Fatos Arapi. Në kujtim të veprës e krijimtarisë së tij, KultPlus ju sjellë një përmbledhje nga poeti Izet Duraku e nga një intervistë e vet Arapit e dhënë më herët.

Prej vitesh nuk del nga shtëpia e tij. Miqtë e përmallur më kot presin ta shohin.Sigurisht ai është miku më i madh i poetëve. “Por refuzon ta kapërcejë pragun e portës”. Poeti Izet Duraku kujton se si jeton sot Fatos Arapi. Shkruan se “gazetat,radiot, televizionet nuk kujtohen as në përvjetorët e tij”, por harron se për të, kolegët nuk flasin, ai vetë jo e jo dhe nuk mbetet shumë për t’u bërë si përkujtim.

Shënon se “politikanët deri tani kanë respektuar shkrimtarët vetëm ditën e vdekjes së tyre për me marrë të mbramen pikël drite prej tyre”. Mesazhi që jep Duraku është njerëzor. “Ndoshta poeti Fatos Arapi po bën grevën më të gjatë në historinë shqiptare të letrave duke protestuar me heshtjen e vet kundër antivlerave, jovlerave, pseudovlerave letrare dhe të krejt jetës sonë të rrejshme.

Miq të mi të letrave, ju që nuk e harroni kurrë Fatosin! Do të bashkohem gjithmonë me ju për me ngrit zërin në mbështetje të Fatos Arapit. Duhet respektuar Heshtja e tij e shenjtë duke e bërë sa më të zëshme heshtjen për me ia shurdhue veshët shurdhnisë”- vëren Duraku për Arapin.

Fatos Arapi lindi më 1930 në Zvërnec të Vlorës, ndoqi studimet për ekonomi në Sofje, mandej punoi në Tiranë në fillim si gazetar dhe më vonë për një kohë të gjatë si pedagog. Fatos Arapi, bashkë me Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin, bën pjesë në ata poetë që sollën një kthesë të rëndësishme në poezinë shqiptare të viteve 60. Arapi solli në këtë poezi elemente të modernizmit, madje të hermetizmit. Ai u orientua nga poezia filozofike. Veçanërisht origjinale janë dy përmbledhjet e tij të para poetike “Shtigje poetike” (1962), “Poema dhe vjersha” (1966), “Ritme të hekurta” (1968) është më konformiste. Më 1971 i botohet në Prishtinë vëllimi “Kaltërsira”.

Vëllimin “Më jepni një emër” ia ndaloi diktatura. Pasojnë vëllimet: “Drejt qindra shekujsh shkojmë” (1977), “Fatet” (i botuar në Prishtinë më 1979), “Duke dalë prej ëndrrës” (1989). Pas rënies së diktaturës botoi vëllimet: “Ku shkoni ju statuja”, T. 1990, “Dafina nën shi”, T. 1991, “Ne, pikëllimi i dritave”, T. 1993, “Unë vdiqa në brigjet e Jonit”, Shkup, 1993, “Më vjen keq për jagon”, T. 1994, In tenebris, T. 1996. Fatos Arapi është një poet që parapëlqen temat ekzistenciale dhe një nga poetët e rrallë shqiptarë që trajtojnë në poezinë e tyre temën e detit. Ka shkruar edhe romanet “Dhjetor i shqetësuar” (1970), “Dikush më buzëqeshte” (1972, ribotuar në Prishtinë më 1973), “Shokët”, 1974, “Deti në mes”, 1986 dhe novelat “Patat e egra” (1970) dhe “Cipa e dëborës”. Ka shkruar edhe vëllime me kritikë letrare Në një intervistë të dhënë vite më parë gazetares Vera Pelaj, ai thoshte:

“Dëgjoj shumë andej e këndej pesimistë që flasin rreth letërsisë në përgjithësi dhe rreth poezisë. Por unë nuk jam pesimist. Unë mendoj se letërsia ecën. Po krijohen emra, po vijnë gjenerata të tjera dhe poezia nuk do të mbetet në mes të rrugës. Përkundrazi, me traditën që është krijuar tanimë dhe me tendencat e shumëllojshme të larmishme që janë krijuar me një teknologji krejt të re, poezia do t¸ shkoj¸ përpara. Pastaj, fakti është që në përgjithësi letërsia shqiptare tashmë e ka të qartë synimin e saj drejt lirisë së njeriut, drejt të drejtave njerëzore të njeriut, në përgjithësi, sigurisht të kombit shqiptar dhe të njeriut shqiptar, në veçanti, mendoj se kjo letërsi është në rrugë të drejtë. Nuk duhet të jemi pesimiste. Unë jam optimist. Natyrisht në moshën time dhe me sëmundjen që kam, nuk mund t’i ndjek të gjithë, por jam optimist dhe ata ecin, ecin…”.

Ai shtonte se letërsia ka ligjet e veta dhe me një moment të caktuar, atje ku ti nuk e pret, del një talent, i cili bën sintezën, bën përgjithësimin e një plejade të tërë, e cila ka punuar. “Shembull le të marrim vitet ’35. Nuk ka qenë vetëm Lasgush Poradeci, po në vitet ’35 këtu ka pasur një gjeneratë të tërë shkrimtarësh. Ka qenë Ali Asllani, ka qenë Asdreni, Fishta, pastaj të rinjtë Petro Marko, Nexhat Hakiu, kanë qenë plot, mirëpo në një moment të caktuar, poezia bën sintezën e vet dhe del një talent i fuqishëm, cili sintetizon të gjitha këto. Kështu p.sh. një sintezë e tillë është edhe poezia e Lasgush Poradecit, e cila nuk mund të themi se përfaqëson të gjithë atë gamë të madhe të poezisë shqiptare, që ekzistonte atëherë.

Natyrisht Fishta ishte një Fishtë, Ali Asllani ishte një Ali Asllan, Asdreni qe një Asdren, Lasgushi një Lasgush, por sidoqoftë krijoheshin sintezat, kështu që nuk duhet të jemi pesimistë në këto gjëra dhe nuk duhet t’i kërkojmë në letërsi përnjëherësh gjërat. Ato sinteza janë sinteza historike, historia i bën ato zhvillime”,-shprehej Arapi vite më parë./ KultPlus.com

Deti

Poezi e shkruar nga Fatos Arapi.

I vogël, me pantallona të shkurtra,
me këmbë të zbathura e një këmishë hamaije, që e qepte vetë gjyshja…

Ashtu, darkë për darkë dilja në breg.
Ndër gishtërinjtë e këmbës së ftohte me rridhte rëra.

Unë prisja me orë të tëra,
gjersa përnjëherësh, tutje nëpër fushat e gjera të natës
ngriheshin kope të çuditshme, të panumërta kuajsh të bardhë.

Nëpër hapësirat e pafundme suleshin aradhe – aradhe

Turfullonin

Binin me këmbë të thyera,
rrokulliseshin duke gulçuar nëpër të zezat humnera.

Mbi ta fluturonin të tjerë,
jelet e hakërryera dallgë-dallgë fushën e diellit fshinin.

Hingëllima të frikshme para tyre bridhnin.
Ata vinin, afroheshin drejt meje.

Gjokset e mëdhenj e të bardhë kreshpëronin përpjetë
këmbët e para rrihnin në erë…

Sytë u flakëronin.
Një çast… dhe nën thundrat e tyre do të më copëtonin.
Kur ja, me potere
si një gjëmim i madhërishëm përplaseshin tek këmbët e mia.

Nga flegrat gjigante
miliarda grimcëza të kristalta shfrynin për të fundit herë

Të tjerë hingëllinin nëpër fushat e gjera të natës

Me gëzim e frikë, orë të tëra unë shihja kuajt e bardhë
të suleshin nëpër furtunë.

Thyenin këmbët, rrokulliseshin,
që të vinin sa më parë tek unë
shkelnin, fluturonin njëri mbi tjetrin…

Dhe tani, kudo që jam,
ashtu fantastik e i madhërishëm, më ndjek pas deti…

Ndahet nga jeta shkrimtari Fatos Arapi

Është ndarë sot nga jeta në moshën 89-vjeçare, shkrimtari Fatos Arapi. Ai lindi në vitin 1929 në Vlorë, ku kreu shkollën e mesme. Ndërsa studimet e larta i ndoqi në Bullgari (Sofje) në fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë. Ka punuar shumë vjet gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori Filologji të Tiranës.

Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Në vitin 2008, ai fitoi ‘Kurorën e artë’ në manifestimin poetik Mbrëmjet e poezisë strugane dhe është i pari poet shqiptar që e ka fituar këtë shpërblim.

Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi. Përveç poezisë ku ai qëndron në rreshtat e parë, F. Arapi ka shkruar disa novela: ‘Patat e egra’, 1969; ‘Cipa e borës’, 1985; ‘Gjeniu pa kokë’, 1999 etj; disa romane: ‘Dhjetori i shqetësuar’, 1970; ‘Shokët’, 1977; ‘Deti në mes’, 1986; disa drama: ‘Partizani pa emër’, 1962; ‘Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk’, ‘Në front diku’, 1995;

Po ashtu Arapi ka bërë disa përkthime si: ‘Këngë për njeriun’, Nikolla Vapcarov, 1981; ‘Poezi’, Pablo Neruda, 1989; Safo, 1990; ‘Antologji e poezisë turke’ etj; si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme.

Atdheu

FATOS ARAPI

Atdheu është dhembje, është dhembje,
Një prill i pikëlluar në shpirt.
Atdheu është kryqi, është kryqi.
E mban – edhe të mban ty – në shpirt.

Atdheu është toka e premtuar.
Ti shkel si një zot dhe s’e ke ndën këmbë.
Atdheu s’ka fjalë, ka sy të trishtuar.
Vdes dashuria në dashuri që të çmend.

Atdheu është buka e uritur:
Të ikën nga duart e dot nuk e ngop.
Ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur.
Me sytë n’errësirë vetveten kërkon.

Atdheu është varr i hapur, është varr.
Një jetë drejt tij shkon me besë që bind.
Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë.
Në një pikë loti lirinë e lind.

Atdheu yt i vogli, i vogli,
ai hyjnori, i pavdekshmi – loti.

Ti do të më dashurosh patjetër

Poezi e shkruar nga Fatos Arapi.

Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër.
shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër.
Në mallin tënd ky karafil i egër,-
Ti do të më dashurosh patjetër!

Në sytë e tu diej të vegjël
e ndezën natën dhe ditën e ndezën.
Mirë sot, po si durohet pa ty nesër?-
Ti do t’më dashurosh patjetër.

Kapërcej ty e kapërceva veten,
dhe përtej vetes kapërceva jetën,
dhe përtej jetës kapërceva vdekjen,-
I hapa krahët të pushtoj ty vetëm:

Ti do t’më dashurosh patjetër!

Elegji për babanë

Poezi nga Fatos Arapi

Ti nuk je më.
As do të na shohësh,
as do të shohim,baba, më kurrë.
Ti nuk je më..
Emrin tënd e mori ky gur,
Vdekja – si vdekje ,
gjithmonë e dhimbshme,
gjithmonë e verdhë…
Me një kordhele
tufa kujtimesh në zemër na lidh.
Tufa kujtimesh
edhe elegjish.
Jam i trishtuar dhe më mori malli.
Dhe mbi trishtime e mall duke ecur,
ngjita rrugën e ngushtë të fshatit.
Shtyva derën e varrezës së vogël
dhe t’erdha te varri…
C’fjalë të pathëna do të më fiasësh?
C’fjalë të reja dëshiron të dëgjosh?
Prej këtij varri
tani, baba, c’do të më japësh?
Atë ditë të thatë janari:
përpara teje Halil Alija
e mercenari.
Prapa shtëpia në zjarr e flakë

Duart e tua në pranga,
plak i ngartë?
Erdha të marr
cfarë perket prei këtij varri.
Kujtime të dhimbshme.
Vuajtje krenare.
Ti mos më thuaj:
“Biro… ianë të trishtuara”.
Baba i gjorë!
Unë, pa ato,
do t’isha në jetë edhe më i trishtuar.
Dhe kur të vdes
s’dua asgjë
vec një varr të thieshtë.
Atje në bregdet,
ku nëpër net
bisedojnë yjet me qiparisat.
Dhe fjalë të kaltra
flet e shprëndan
deti matanë.
Fjalët që i njohim,
që i kuptojme,
unë
me babanë…/KultPlus.com

Si s’të desha pak më shumë

Poezi e shkruar nga Fatos Arapi.

Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prap s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…
Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.
Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër,-
Asaj që më rri mes Zotave:
“Si s’të desha pak më tepër…”.