Nga seti i filmit “Gruaja e shtëpisë” i regjisorit Fatos Berisha, Luana Bajrami me rol kryesor (FOTO)

Kanë filluar xhirimet e filmit të gjatë artistik “Gruaja e shtëpisë”, shkruan KultPlus.

Ky film, i shkruar dhe drejtuar nga regjisori i njohur Fatos Berisha, është një produksion i Agjencisë B2 nga Kosova në bashkëprodhim me Artalb Film Productions nga Shqipëria.

Projekti ka përfituar mbështetje financiare nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë, duke u bërë një nga projektet më të rëndësishme dhe më të pritura të kinematografisë shqiptare.

Në rolin kryesor të këtij filmi, shfaqet aktorja e njohur Luana Bajrami.

Me një ekip profesionistësh dhe një histori interesante dhe të pa trajtuar, “Gruaja e shtëpisë” premton të jetë një nga filmat më frymëzues dhe tërheqës të vitit. / KultPlus.com

Halili, taksisti në Tiranë që i ktheu kuletën e humbur regjisorit Fatos Berisha

Fatos Berisha, drejtues i PriFest dhe regjisor i njohur, ka ndarë një histori nga vizita e tij e fundit në Tiranë. Duke udhëtuar me një taksi, Berisha tregon se kishte humbur kuletën bashkë me dokumentet e tij. Megjithatë, taksisti, Halil Hafuzi nga Kukësi, e gjeti kuletën dhe pasi e identifikoi, bëri një përpjekje të madhe për ta kthyer atë në dorë të pronarit.

Regjisori shprehet për mënyrën e papritur dhe admiruese si taksisti mori përgjegjësinë për të gjetur kontaktin në internet dhe ia dorëzoi kuletën në atë adresë.

“Dje në Tiranë. Mora taxi për te TullaCulture dhe me taksistin (me prejardhje nga Kukësi) bëmë bisedë të këndshme rreth Kosovës, Kukësit, Londrës, çmimeve e të ngjashme. Zbrita te Tulla, dhe ai aty e kuptoj çfarë dhe ku ishte Tulla. Por, unë nuk kuptova që në atë taksi më kishte rënë kuleta (me gjitha kartelat e leternjoftimin). Ndërkohë, taksisti kishte gjetur kuletën, nga ID ime e kuptoi e kujt ishte, dhe mori mundin të hulumton në internet për të gjetur ndonjë kontakt të Tulla Center. E gjenë dhe u shkruan, duke lënë kontaktin e tij. Dhe krejt në fund, edhe ma sjell kuletën aty ku më kishte lënë. Ai quhet Halil Hafuzi. Ende ka njerëz të mirë. Një qytetar i ndershëm i Tiranës që duke bërë vepër të mirë i bën nder edhe qytetit”, shkruan regjisori i njohur nga Kosova Fatos Berisha.

Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës, ka ripostuar këtë mesazh, duke e vlerësuar si një shembull të thjeshtë të mikpritjes dhe sigurisë në këtë qytet.

“Tirana qyteti më i sigurt në rajon, meritë e njerëzve të thjeshtë që kuptojnë se Tirana mikpritese është formula e suksesit tonë”, shkruan Veliaj.

Shqipëria vazhdon që të jetë një vend ku turistët mund të ndjehen të sigurt, pavarësisht se në cilin qytet janë. /KultPlus.com

Kërkohet aktore për filmin “Gruaja e shtëpisë”

Shtëpia Filmike “B2” është në kërkim të një aktoreje për filmin “Gruaja e Shtëpisë”, film që është me skenar dhe regji të Fatos Berishës e producent, Liridon Cahani, shkruan KultPlus.

Sipas njoftimit është bërë e ditur se për këtë rol mund të aplikojnë vajzat prej 18 deri 25 vjet.

Nëpërmjet një video të shkurtër të prezantimit, të gjithë ato që duan të aplikojnë mund ta dërgojnë videoregjistrimin në E-mailin [email protected] .  Afati për aplikim është i hapur deri më 30 korrik./KultPlus.com

Fatos Berisha vlerësohet me çmimin vjetor për regjinë më të mirë

Në kuadër të Ditës Botërore të Teatrit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka ndarë çmimet vjetore nëpër kategori të ndryshme, shkruan KultPlus.

Në mesin e çmimeve që janë ndarë, është ndarë edhe ai për regjinë më të mirë, cmim që ka shkuar për Fatos Berishën, i cili është vlerësuar për regjinë e shfaqjes “Pornography”./ KultPlus.com

Rikthimi i përsosur i Armond Morinës, fryma kritike dhe problemet politiko-shoqërore, të ndërthurura në premierën e “Club Albania”

Era Berisha

Realiteti, fryma kritike, shtjellimi i problemeve sociale, shoqërore dhe politike, nëpërmjet skenave plot humor, gjallërohen njëzëri pikërisht në premierën e shfaqjes “Club Albania” bazuar në veprën dramaturgjike të Andon Zako Çajupit “Pas vdekjes”, me regji të Fatos Berishës, që vjen për herë të parë në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Mbindërtimi i kësaj vepre një-aktëshe, ka mbledhur rreth vetes një numër të lartë të artdashësve që dukshëm iu kishte munguar teatri. Hapësira e re e Teatrit Kombëtar të Kosovës në pamje i kishte plotësuar kushtet e audiencës, dhe në anën tjetër, tashmë ky vend do të jetë shtëpia e dytë e aktorëve tanë për një kohë të gjatë, deri në renovim të objektit paraprak.

“Pas vdekjes” është ringjallur për të sjell frymën komike që i përket brendësisë së saj. Premiera e shfaqjes “Club Albania” që nisi fiks në orën 20:09, ka rikthyer në skenën e teatrit, aktorin Armond Morina, pas gjithsej 16 vitesh. Në ndërkohë, aktorët si: Ard Islami, Armend Smajli, Maylinda Kosumoviq, Naim Berisha, Teuta Krasniqi dhe Ylber Bardhi, në ndërveprim me aktorin Morina, kanë dëshmuar se të luajturit, për ta, është thjesht diçka jetësore.

Shfaqja është një komedi politiko-shoqërore, që shpalos fokusin nëpërmjet situatave komike por që në thelb janë shumë më të thella. Është një shfaqje brenda shfaqjes, dhe si një dramë bashkëkohore, flet shumë për shoqërinë tonë me ç’rast konsiderohet që kjo shoqëri nuk ka ndryshuar edhe shumë që nga kur është shkruar vepra nga vetë Çajupi.

Ngjarja zhvillohet në një hapësirë teatrore, por jo domosdo për të shfaqur prapaskenat e teatrove vendore, por si një vendndodhje ku më së lehti vërehet neglizhenca e institucioneve që i lejnë në harresë artistët e mëdhenj por në anën tjetër edhe ajo e individëve që përtojnë të punojnë shumë, por flasin shumë dhe kësisoj shpirtin e kanë të varfër.

“Club Albania” vjen edhe si një udhë e komedisë politike që shpalos një humor dhe mençuri të paparë. Egoizmi, lavdet pas vdekjes, gjithashtu kanë një vend të rëndësishëm, që vinë në kohën më të duhur. Ndërkaq, e tërë esenca e shfaqjes është reflektimi mbi atë se çfarë po prodhon shoqëria jonë, dhe se çfarë do të vazhdojë të prodhojë në vijim.

Nuk është as një mesazh i paraparë apo paracaktuar që parashihet të shfaqet tek publiku, ngaqë është vetë publiku ai që është ndarë me ndjesitë e veta dhe reflektimet e tyre pas situatave të shumta tragjikomike.

Pa kompozitoren Rona Castrioti-Berisha, skenografin Bekim Korça, kostumografen YIlka Brada dhe ndriçimin nga Mursel Bekteshi e Sherif Sahiti, kjo shfaqje nuk do të kishte frymën e zhvoshkur të sinqeritetit që e përcolli me shumë sukses. Duke filluar qysh nga momenti i parë e gjerë në fund, ishin të qeshurat e panumërta në mesin e të pranishmëve, ato që dëgjoheshin deri në pykë të qiellit.

“Club Albania” zgjoi të qeshura të shumta në publik, pikërisht në ditën festive, siç është 28 Nëntori. Ndërsa, qe audienca ajo që ia shpërbleu mundin e gjithë ekipit, duke duartrokitur e brohoritur pas pothuajse dy orëve. Ngritja e tyre në këmbë pas përfundimit, njashtu e riktheu buzëqeshjen e secilit aktor në skenë, teksa ajo vinte e shtohej tutje.

Për të treguar më shumë rreth idesë dhe temës së shfaqjes, për KultPlus foli regjisori Fatos Berisha.

“Shfaqja ‘Pas vdekjes’ është një komedi e shkruar para 100 vjetëve dhe është vendosur sot në skenë, e cila sikurse para 100 vjetëve, edhe sot flet për të njëjta gjëra, që i bie se nuk kemi ndryshuar si komb dhe që jemi aty diku, fatkeqësisht. Çajupi temën e ka trajtuar me humor dhe gjithë ato probleme sociale, politike, shoqërore, egoizmin e lavdet pas vdekjes, janë trajtuar edhe në këtë shfaqje nga ne, së bashku me dramaturgun Shpëtim Selmani dhe ekipin e shfaqjes. E kemi prezantuar shfaqjen brenda shfaqjes dhe kjo është një dramë bashkëkohore, realisht, e cila flet për shoqërinë ku ne jemi sot. Nuk ka qenë e lehtë për shkak të kohës së shkurtër por u shtrënguam dhe dëshiruam që premiera të epet këto ditë kur është ditë feste. Donim që njerëzit të vinin e të shihnin Çajupin e të bëjnë një reflektim për veten tonë, ku jemi sot ne dhe ku po mëtojmë të shkojmë”, thotë Berisha.

Sipas tij, kjo datë e 28 nëntorit, ka ardhur shumë natyrshëm për të shfaqur premierën, ngase provat kanë filluar që një muaj e disa ditë, dhe disi ka qenë e logjikshme që premiera të epet në këtë ditë që e ka simbolikën e vetë.

Ndërsa, aktori Armond Morina përpos rikthimit të tij në skenën teatrore, për KultPlus ka folur rreth konceptit të regjisorit, që dukshëm del se shqiptarët gjithmonë janë vonuar historikisht.

“Premiera e ka atë ndjesinë e vetë dhe tash duke e luajtur do ta ketë edhe lirshmërinë e saj, normalisht. Është një tragjikomedi që në fund shndërrohet gati personale si ajo pjesa kur aktori është gati duke shkuar në pension, si një palaço që del në pension. Ka qenë një eksperiencë fantastike dhe kur je në një ekip aq të mirë, loja del e fituar. Më ka pëlqyer koncepti i Fatosit sepse janë kujtuar rilindësit tanë, puna e tyre dhe besoj që edhe ata në atë periudhë historike me aq dinamikë, gati kanë qenë me të njëjtat energji që punët të kryhen më shpejt. Ne gjithmonë jemi vonuar historikisht dhe ndoshta është një energji që e kujton mundin e rilindësve tanë. Ka shumë materiale të vitit 1912, prej të cilave jemi inspiruar”, thotë Morina.

Sipas tij, ata që jetojnë në Kosovë, përditë kanë nervozë, mirëpo ekziston relacioni mes urrejtjes dhe dashurisë ndaj këtij vendi.

“Sa e urrejmë aq shumë e dojmë, sa e dojmë, aq shumë e urrejmë.”

“Në fakt ne erdhëm për të luajtur në skenën alternative, që më në fund po e bëjmë edhe ne një teatër të dinjitetshëm sepse ne jemi aktorë që jemi rritur në okupim së bashku me publikun tonë e edhe kemi performuar në kushte minimaliste. Mirëpo, jemi shtet dhe ka ardhur koha që sikurse ushtria, të jetë edhe teatri. Ushtrinë nuk mundesh me lanë gjithqysh, e njëjta vlen edhe për teatrin. Ne mundemi me performu hala, po edhe ne kemi dëshirë të afrojmë mysafirë. Teatri është pasqyrë e një shoqërie”, shpalos Morina.

Ai tutje ka thënë se shoqëria jonë është ajo që po i harron krijuesit e artistët e mëdhenj.

“Kjo puna e pasvdekjes që më ka intriguar më shumë është fakti që ne jemi shoqëri e re dhe ne i harrojmë shumë krijues e artistë të mëdhenj. Çka më ka lidh personalisht, është që shumica e artistëve të mëdhenj, duke e parë që nuk kemi arrirë hala si shoqëri për t’i varrosur dinjitetshëm, kanë shprehur dëshirë që askush mos t’iu shkojë në varrim. Ne e kemi obligim me i gjet rilindësit, me i gjet ata që kanë bërë shumë për këtë shoqëri dhe duhet të fillojmë për të menduar”, përfundon Morina.

Gjithashtu, aktori Armend Smajli për KultPlus ka ndarë detajet e personazhit të tij, si dhe ka vlerësuar disa nga skenat më të përzemërta për të.

“Kjo është prej atyre shfaqjeve që s’mund për ta reduktuar veten në një kontekst individual ngase është një lloj shfaqje për të cilën është shumë e rëndësishme, grupi dhe jo individi si aktor. Për mua, është e rëndësishme se si funksionon shfaqja si grup dhe energji. Krijimi i regjisorëve bashkëkohorë, mbetet çështje e hapur se sa dinë ata krijojnë, apo edhe të mos krijojnë. Shfaqja është njëfarë lloj mozaiku i njëfarë kaosi i temave shoqërore dhe në këtë rast merret parasysh teatri, por jo domosdoshmërisht të tregohet se çka ndodh në teatër, por nëpërmjet tij, të tregohet çka ndodh tek njerëzit që janë përgjegjës për të kryer disa punë por që e lënë në neglizhencë. Shfaqja ka shumë probleme dhe mllefe shoqërore ku secili në publik, mundet me e marrë diçka nga shfaqja dhe me e pa veten tek njëri nga aktorët apo edhe tek regjisori”, thotë Smajli.

Sipas tij, nuk ka asgjë në shfaqje që është e prerë ose e saktësuar si mesazh që depërton tek publiku, pasi që shumë gjëra mbeten të hapura e në pikëpyetje, e që i mbetet publikut për të vendosur se çka dëshiron të gjykojë.

“Janë disa skena ndonjëherë që ke dilema prej të cilave frikësohesh por në të njëjtën kohë që i dua shumë. Personazhi im e tregon paraprakisht që Groteskun e ka si lloj favoriti të shprehjes, ku kafshën e sheh si element që i ndihmon aktorit por që i del vetvetiu edhe këtij si regjisor. Po ashtu, edhe skena e lamtumirës që publiku e merr vesh më vonë, ku unë e lë një letër dhe para se të digjet abetarja, e tregoj që e kam lënë shfaqjen. Po ashtu, edhe fillimi i skenës kur vjen ky për herë të parë për të punuar dhe është shumë i emocionuar. Gjithashtu i dua edhe skenat kur unë nuk jam pjesë e tyre”, përfundon Smajli.

Kujtojmë se repriza e parë e shfajqes “Club Albania” vjen sonte, duke filluar nga ora 20:00, në amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Premiera “Club Albania” me regji të Fatos Berishës vjen më 28 nëntor në Amfiteatrin e TKK-së

Premiera “Club Albania” bazuar në “Pas Vdekjes” të A.Z. Çajupit, do të ipet më 28 nëntor në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës (Pallati i Rinisë – Prishtinë), përcjell KultPlus.com

Shfaqja vjen në regji të Fatos Berishës me aktorët: Armond Morina, Ard Islami, Armend Smajli, Maylinda Kosumovic, Naim Berisha, Teuta Krasniqi dhe Ylber Bardhi.

Ndërsa, për KultPlus ai pati potencuar se shfaqja “Club Albania” flet për popullin tonë.

Dramaturg: Shpetim Selmani

Kompozitore: Rona Castrioti Berisha

Skenograf: Bekim Korça

Kostumografe: YIlka Brada

Koreograf: Robert Nuha

Asistente regjie: Yllka Lota

Inspicient: Bajram Mehmeti

Mjeshtër Ndriqimi: Mursel Bekteshi & Sherif Sahiti

Realizator skenografie: Ardit Rexhepi

Realizator kostumografie: Shemsi Avdiu

Udhëheqës teknik: Aziz Maloku

Repriza e parë: 29 Nëntor 2022, ora 20:00 / KultPlus.com

“Pas vdekjes”, premiera e parë jashtë objektit të TKK-së, Berisha: Është shfaqje që flet për ne

Era Berisha

Vepra dramaturgjike e Andon Zako Çajupit, “Pas vdekjes” do të ringjallet kësaj here për tu shndërruar në një shfaqje komedi që shumë shpejt do të prekë ambientin e ri të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ‘Amfiteatri në Pallatin e Rinisë’. Ngjarja zhvillohet në një klub të shqiptarëve të Selanikut më 1910. Por, shfaqja është një mbindërtim, e shkruar nga dramaturgu Shpëtim Selmani, shkruan KultPlus.

Në qendër të veprës kemi demaskimin e demagogjisë së xhonturqve dhe bejlerëve që u bënë vegël e tyre, ndërsa ndodhitë jetësohen në zyrat e gazetës “Liria”. Është një komedi politiko-shoqërore, që shfaq fokusin nëpërmjet situatave komike por që në thelb janë shumë më të thella, dhe e njëjta tashmë do ta ketë premierën në muajin nëntor. Shfaqja vjen nën regjinë e Fatos Berishës me kastën e mrekullueshme të aktorëve si: Armond Morina, Ard Islami, Teuta Krasniqi, Ylber Bardhi, Majlinda Kosomoviq, Armend Smajli dhe Naim Berisha.

Vepra u botua pas vdekjes së shkrimtarit Çajupi dhe konsiderohet të jetë udha e parë drejt komedisë politike në letërsinë shqiptare. Me një ndjesi poetike, nëpërmjet personazhit të doktor Adhamullit, shfaqet mendësia e njerëzve mendjemëdhenj, ata që shpirtin e kanë të varfër dhe asnjë punë atdhetare për ta, nuk ka vlerë pa prezencën e tyre. Ndërsa, personazhi tjetër i spikatur, Zeneli, përfaqëson njeriun e thjeshtë të popullit me ç’rast shpalos një humor e mençuri të paparë. Elementet si ‘Abetarja shqipe’ dhe ‘Kongresi i Manastirit’, po ashtu luajnë një rol të madh në këtë rrugëtim.

Shfaqja “Pas vdekjes” ka ardhur si propozim nga Teatri Kombëtari i Kosovës, dhe pasi është aprovuar si tekst, së bashku edhe me veprat e tjera për repertorin e sezonit të ri, regjisori Berisha e ka pranuar me kënaqësi këtë ftesë, dhe gjithmonë me idenë që mund të mbindërtohet kjo vepër një-aktëshe. Dhe ajo që po përpiqet që të bëhet, është një shfaqe që flet për neve, sot.

Në një intervistë për KultPlus, regjisori Berisha ka shpalosur ende më shumë, lidhur me këtë shfaqje dhe procesin e saj deri në premierë.

“I gjithë ekipi i aktorëve të shfaqjes, përveç Armond Morinës, është nga ansambli rezident i Teatrit Kombëtar të Kosovës. E ata janë: Teuta Krasniqi, Ylber Bardhi, Ard Islami, May-Linda Kosumovic, Armend Smajli dhe Naim Berisha. Jam shumë i kënaqur me ekipin, ndërsa jam i lumtur që pas një kohe të gjatë, përsëri do të punoj me Armondin në teatër”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, vështirësitë që hasen në një rrugëtim të tillë janë nga më të zakonshmet. Pra, fillimi i provave, zbërthimi i tekstit, analiza e personazheve, marrëdhëniet e tyre. Gjithçka brenda normales gjatë punës në një shfaqje. Ai tutje thotë se ende janë në fillim të procesit dhe atmosfera konsiderohet të jetë e mirë.

Tanimë Teatri Kombëtar i Kosovës ndodhet në renovim, dhe regjisori Berisha ambientin e ri e ka vlerësuar si një hapësirë të përshtatshme pune.

“Ambienti i ri, Amfiteatri në Pallatin e Rinisë është një hapësirë shumë e mirë, në fakt. Sidomos për një shfaqje si kjo e jona. Drejtori Sheremeti dhe ekipi i TKK-së kanë arritur ta kthejnë në hapësirë të përshtatshme pune në afat rekord”, thotë ai.

Ndërkaq, premiera e shfaqjes “Pas vdekjes” ende nuk dihet saktë se kur do të shpaloset, por që patjetër do të jetë përgjatë muajit nëntor.

Kompozitore: Rona Castrioti

Skenograf: Bekim Korça

Kostumografe: Yllka Brada

Asistente regjie: Yllka Lota

Foto/Video: Joni Mithi

Inspicient: Bajram Mehmeti

Ndriçimi: Mursel Bekteshi. / KultPlus.com

Festivali i filmit “PriFest” vjen në Tiranë, Veliaj: Prej Vjosës, edhe më afër me Prishtinën

Festivali Ndërkombëtar i Filmit “PriFest” (Prishtina International Film Festival) vjen në Tiranë, i cili do të zgjasë tre dite. Në natën e hapjes, kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se një nga arsyet e mbajtjes së këtij festivali në Tiranë ishte për të kujtuar pikërisht themeluesen e tij, Vjosa Berishën, por njëkohësisht për të pasur edhe Prishtinën më afër.

“Një nga arsyet për të pasur një edicion festivali, ishte patjetër për të kujtuar Vjosën, shoqen time dhe tonën, një njeri që ka lëne gjurmë me art, me njerëzit që dashuroi dhe frymës që përçoi në komunitetin tonë. Ajo ka qenë, siç e ka pasur emrin, Vjosë. Pra një lumë i rrëmbyer, i destinuar që të marrë përpara gjithë pengesat. Besoj se është nga të rrallat herë kur një njeri i qëndron vërtetë emrit të vet. Jam shumë i lumtur që për nder të Vjosës, t’i bëjmë edhe një nder Kosovës. Kemi një mundësi që ta trajtojmë marrëdhënien dhe raportin special qe kemi me Prishtinën, me Kosovën, jo si një nga 52 javët e vitit, por të mundohemi që në çdo javë te kemi ne Tirane shijen e Kosovës,” u shpreh Veliaj.

Gjatë fjalës së tij, bashkëshorti i Vjosa Berishës, themelueses së festivalit në Prishtinë, Fatos Berisha, u shpreh se kjo është hera e dytë që PriFest vjen në Tiranë. Ai theksoi se këtë herë ky festival rikthehet këtu për të kujtuar një anë të Vjosës, ndërsa foli edhe për filmat që ai do të sjellë për publikun.

“Më vjen mirë që jemi këtu si “PriFest”. Unë jam këtu shumë shpesh si shok i Albanit, por si “PriFest” është hera e dytë. Tani po vijmë për të festuar, po vijmë dhe për të kujtuar një anë të Vjosës, që e ka sjellë një pjesë të vogël të Prishtinës në Tiranë, ose një pjesë të vogël të festivalit të filmit të Prishtinës në Tiranë. Filmat që do të shikoni janë fituesit e edicionit të sivjetshëm, që e kemi pasur në shtator. Jam shumë i lumtur që këtu janë bashkë kineastë dhe miq nga Tirana, nga Prishtina, nga Kosova, nga Shqipëria. Festivali e ka këtë mision të krijojë miqësi të reja, por dhe të mbajmë ato të vjetrat. Një ndër miqtë e festivalit, por edhe të Vjosës, ka qenë dhe është Erion Veliaj, i cili mundësoi që sot ne të jemi këtu, jo vetëm sot, edhe nesër e pasnesër”, deklaroi Fatos Berisha.

Nga ana tjetër, artisti Alban Nimani theksoi se bashkëpunimi mes Tiranës dhe Prishtinës po vazhdon në veçanti për shkak të mbështetjes së Bashkisë së Tiranës duke njoftuar një program shumë të mirë me filmat dhe artistët më të mirë. “Më vjen mirë shumë që po vazhdon bashkëpunimi mes Prishtinës dhe Tiranës, sidomos në mbështetjen e Bashkisë së Tiranës. Sonte, nesër dhe pasnesër kemi një program shumë të mirë me filma, me kineastë, me artistë të Kosovës, Shqipërisë ku do të mblidhemi dhe të flasim që të vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin”, tha ai.

Festivali i filmit PriFest u themelua nga Vjosa Berisha në vitin 2008 pas pavarësisë së Kosovës si një nevojë për të promovuar imazhin e saj kulturor dhe artistik si shtet i pavarur. Edicioni i parë i tij u mbajt një vit më vonë, në vitin 2009. Vjosa Berisha u nda nga jeta në qershor të vitit të kaluar pas një beteje të vështirë me sëmundjen./atsh/ KultPlus.com

“Ota” dhe “Odesa” = binomi i PriFest 2022

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë “PriFest” është duke bërë përgatitjet e fundit para hapjes madhështore, e cila do të bëhet sot me filmin “Vera Andrron Detin”, shkruan KultPlus.

Ky edicion, ndryshe nga herët e tjera, do të finalizojë punën e përvitshme pa shpirtin e skuadrës, Vjosa Berisha, e cila vdiq këtë vit.

Së fundmi, një nga themeluesit e këtij festivali, Fatos Berisha, ka shpërndarë një foto në rrjetet sociale, duke shkruar: “Na mungon Ota”, duke përfshirë një foto me trofeun “PriFest”, flamurin e Ukrainës dhe Vjosës.

Në shenjë mbështetjeje dhe solidariteti, PriFest – Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë do të jetë nikoqir i OIFF – Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Odesa (Ukrainë).

Pra, sivjet do të mbahet një edicion të përbashkët, i 14-i i PriFest-it dhe edicioni i 13-të i OIFF-së, në Prishtinë.

“Vera Andrron Detin”, filmi i regjisores Kaltrina Krasniqi, i cili ka udhëtuar në shumë vende të botës, do të debutojë edhe në Prishtinë sot me fillim nga ora 21:00. /KultPlus.com

Fatos Berisha: Vjosa Berisha ishte motor, lokomotivë e festivalit, 40-të burra po tentojmë të vazhdojmë punën e saj

PriFest është gati për edicionin e sivjetmë, më të ndjeshmin në historinë e këtij festivali, pasi që për herë të parë po organizohet pa prezencën fizike të themelueses së këtij festivali, Vjosa Berishës, e cila vdiq  më 23 qershor të këtij viti, shkruan KultPlus.

Por vetëm prania fizike e Vjosës do të mungojë në këtë edicion dhe edicionet që do të vijnë, pasi që emri i saj tashmë është pjesë e pandashme e këtij festivali, e prej këtij viti emri Vjosa Berisha do të rri edhe më fuqishëm në disa formate.

Fatos Berisha, drejtor i festivalit dhe njëherit bashkëshort i Vjosa Berisha ka thënë për KultPlus se ky edicion ka edhe dedikimin për Vjosa Berishën, dhe krejt ky edicion do të bëhet me moton “For Her”, sikurse që ky edicion ka pas për moto të përvitshëm “Miqësi përgjithmonë”, nga ky vit do të jetë “Vjosa përgjithmonë”.

“Por për të kujtuar dashninë, pasionin dhe vullnetin e Vjosa Berishës që e ka ndërtuar këtë festival prej edicionit të parë e deri tashti, ne nga ky vit do të ndajmë edhe çmimin kryesor të festivalit “Çmimi Vjosa Berisha”, çmim i cili do të jepet për producentë, pasi që edhe Vjosa ishte producente”, ka thënë Berisha.

Dhe për këtë edicion që do të sjell 45 filma premierë për Kosovë, konferenca të shumta shtypi, punëtori, prezantime dhe shumë takime mes kineastëve, Fatos Berishën e ka gjetë të dërrmuar edhe emocionalisht dhe fizikisht, pasi që, punët që Vjosa Berisha kishte mbi supe, sipas Fatosit po duhet ti kryejnë mbi 40 burra dhe mezi po ja dalin.

“Ka lënë shumë zbrastësi, s’po flas vetëm për anën emocionale, por edhe asaj profesionale. Vjosa Berisha ka qenë motor, lokomotivë e këtij festivali. Jemi mbledhë mbi 40-të burra për organizimin e këtij edicioni, dhe mezi po ja dalim”, ka thënë Berisha, i cili në të njëjtën kohë falënderon miqtë e shumtë, që janë edhe nga komuniteti artistik të cilët kanë shprehë gatishmërinë për të ndihmuar që të realizojnë këtë edicion, i cili ka lëvizë edhe datat, si pasojë e humbjes së Vjosa Berishës.

Edicioni i 14-të i Festivalit të Filmit artistik të metrazhit të shkurtë dhe të gjatë “PriFest” fillon me filmin “Vera andrron detin” me skenar të Doruntina Bashës e regji të Kaltrina Krasniqit, kurse do të përfundojë po me një film shqip “ “Virgjëresha Shqiptare” me regji të Bujar Alimanit. Hapja e ceremonisë do të mbahet sonte, në Kino Armata./ KultPlus.com

Shpaloset kategoria garuese e filmave dokumentarë në PriFest

Shpaloset kategoria garuese e filmave dokumentarë në PriFest, përcjell KultPlus.

PriFest shpalos programin e filmave dokumentarë, ku këtë vit do të jenë prezente tri premiera kosovare dhe një regjionale.

Si gjithmonë, të gjithë këta filma do të jenë premierë në Kosovë.

Lista e plotë garuese e programit garues të filmave dokumentarë:

1.     Amuka – The Awakening  nga Antonio Spanò , Belgjikë 71 min

2.     Come on Time nga Chris Vernon UK/USA 40 min

3.     One More Step West Is the Sea: ruth weiss nga Thomas Antonic, Austri 91 min

4.     Australia My Home: An Albanian Migration  nga Dritan Arbana, Australi, 81 min

Edicioni i 14-të i PriFest mbahet nga 20-25 shtator dhe i dedikohet drejtoreshës së ndjerë Vjosa Berisha.

Vjosa. Forever. PriFest.

#ForHer / KultPlus.com

Teatri Hadi Shehu do të hap sezonin e ri teatror me shfaqjen ‘Pornography’

Me autor të huaj, Simon Stephens, dhe regjisorin nga Kosova Fatos Berisha, Teatri i Gjakovës “Hadi Shehu” do të hap sezonin e ri teatror me shfaqjen “Pornography”, shkruan KultPlus.

Me një kast të jashtëzakonshme të aktorëve, Pornography është e shkruar si përgjigjje ndaj ngjarjeve në Londër në korrik 2005, shfaqja e Simon Stephens u shfaq premierë në Hamburg, në Edinburg dhe në Londër në një prodhim të përbashkët Traverse Theatre-Birmingham Rep.

Ndërsa tani vjen në Gjakovë me regjinë e Fatos Berisha nën interpretimin e trupës së aktorëve: Myrvete Kurtishi, Muradije Muriqi Edi Kastrati, Edmond Hafizademi, Vlera Pylla, Bujar Ahmeti, Yllka Lota, Vlora Dervishi, Besfort N Berberi.

“Simon Stephens ofron një portret të mrekullueshëm kaleidoskopik të një Londre që kaloi brenda disa ditësh nga euforia e Live 8 dhe njoftimi i Lojërave Olimpike deri në shkatërrimin e bombardimeve të 7 korrikut”, thuhet në njoftimin e Teatrit.

Kjo shfaqje do të jepet më 16 janar me fillim nga ora 19:00. /KultPlus.com

No photo description available.

Filmi vendor Cirku Fluturues po vazhdon të shfaqet në Cineplexx

Pas sukseseve të filmave shqiptarë, një film tjetër që është prodhim vendor ka nisur shfaqjen në kinema në Kosovë. Eshtë fjala për filmin e ri të regjisorit Fatos Berisha, Cirku Fluturues, i cili pas sukseseve në arenën ndërkombëtare, ju drejtua kinemave vendore dhe nga 1 korriku po shfaqet në Cineplexx.

Cirku Fluturues, me regji të Fatos Berisha dhe me një kast të mrekullueshëm aktorësh që përfshijnë emra të njohur si Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpetim Selmani, Luan Jaha, etj, nga 1 korriku ka nisur të shfaqet edhe në kinemanë më të madhe në vend, Cineplexx.

Filmi flet për katër aktorë që tentojnë të kalojnë ilegalisht përmes kufijve të Ballkanit në kohë lufte, për në Festivalin e Teatrit. Por misioni i tyre i vërtetë, është që ta gjejnë dhe takojnë idolin e tyre, Michael Palin.

Katër shokë nisen në një rrugëtim që… – Cineplexx Kosovo | Facebook

Oraret për ta shikuar filmin “Cirku Fluturues”, në Cineplexx, mund ti gjeni duke klikuar këtu. / KultPlus.com

‘Shtetrrethimi’, premierë në teatrin ‘Bekim Fehmiu’

‘Shtetrrethimi’ nga autori Albert Kamy dhe nën regjinë e Fatos Berishës, vjen si premierë në teatrin e qytetit të Prizrenit, ‘Bekim Fehmiu’, shkruan KultPlus.

Premiera do të shfaqet më datë 30 dhjetor, duke filluar nga ora 16:30. Ndërkaq, në njoftimin e faqes zyrtare të teatrit në rrjetin social Facebook, bëhet thirrja që të respektohen masat AntiCovid.

Në shfaqje do të luajnë: Ernest Malazogu, Edona Sopak. Xhevdet Doda, Alban Krasniqi, Rifat Smani, Liridona Shehu, Alban Cela, Zana Duraku, Alban Morina, Besëlidhje Bytyqi, Hajat Toçilla dhe Valmira Hoti. / KultPlus.com

‘Cirku Fluturues’, rrëfimi personal i regjisorit Fatos Berisha përballë publikut kosovar

Suada Qorraj

Kushtrimi, Donati, Fatmiri dhe Leka katër personazhet e filmit shohin duke u hequr posterin e shfaqjes së tyre duke u larguar nga muret e teatrit. Heqja e posterit shënoi edhe fundin e ‘Cirkut Fluturues’, komedisë së tyre sureale që ishte inspiruar nga ‘Monty Python’, shkruan KultPlus.

Por, rrugëtimi i tyre nuk përfundon këtu, në fakt mbyllja e teatrit shënoi një kthesë të re. Kushtrimi, Donati, Fatmiri dhe Leka marrin ftesë që të performojnë në një festival teatral në Shqipëri. Ndonëse në fillim ata hezituan që të shkojnë, Fatmiri dëgjon në lajme së njëri nga aktorët e ‘Monty Python’, Micheal Palin do të xhiroj festivalin që do të mbahet në Shqipëri.

Ndonëse rruga që i priste ishte e gjatë, madje e mbushur përplot me rreziqe, prania e Micheal Palin në Shqipëri, mundësia për ta takuar idhullin e tyre, i bënë ata bashkë në udhëtimin e tyre ilegal, në mes Malit të Zi e Shqipërisë.

Në një intervistë për KultPlus regjisori i filmit ‘Cirku Fluturues, ka thënë se ndjehet i lumtur për faktin që filmi i tij do shfaqet për publikun online në edicionin e sivjetëm të PriFest, pas anulimit të shfaqjes së këtij filmi në kinematë e vendit si pasojë e pandemisë.

“Jemi të lumtur që edhe pse online, do ta shfaqim filmin për publikun e Kosovës, sidomos për faktin që shkaku i pandemisë është dashur ta anulojmë shfaqjen në kinema në mars të këtij viti shkaku i pandemisë”, ka deklaruar Berisha.

Xhirimet e ‘Cirku Fluturues’, njëlloj si personazhet e filmit, kishin udhëtuar në tre shtete të ndryshme, Kosovë, Mal të Zi e Shqipëri. Secili minutë i këtij filmi, rrëfen përvojën personale të regjisorit, punën e tij 9 vjeçare që nga drafti i parë e deri tek realizimi i këtij filmi.

Që nga takimi me oficerin e policisë, kënga në qelinë e burgut, e rrugëtimi i frikshëm deri në Tiranë përkojnë aventurën e guximshme të Kushtrimit, Donatit, Fatmirit dhe Lekës, personazheve kyqe të ‘Cirkut Fluturues’.

Ashtu sikurse rrugëtimi i katër personazheve të ‘Cirkut Fluturues’, edhe xhirimi i këtij filmi kishte vështirësitë e veta, ato për të cilat Berisha i quan të zakonshme.

“Vështirësitë ishin të zakonshme edhe shkaku i buxheti të vogël, por falë organizimit të mirë nga producientja arritëm ta përftojmë me kohë”, ka përfunduar kështu intervistën regjisori Fatos Berisha.

Rrugëtimi 22 ditësh, i filmit që bazohet në një ngjarje të vërtetë përfundon ma shfaqjen e ‘’ Cirkut Fluturues’, në Tiranën e shumëpërfolur, me ëndrrën për të takuar Palin, në skenën e teatrit dhe vonesën e Lekës, improvizimin që qoi në këmbë të gjithë të pranishmit.’Cirku Fluturues’ shfaqja më e mirë e teatrit të Tiranës, djemve nga Kosova, u bë shfaqja që rrëmbeu ‘Aleksandër Moisiun’.

Ndonëse erdhën bashkë në Tiranë, Kosovës iu kthye vetëm Kushtrimi, djali, burri e babai që pas kishte lënë një familje, e një atdhe për të mbrojtur. Një rrëfim rrënqethës, që të lë pa frymë e të bënë të qash e të qeshësh, ‘Criku Fluturues’, përkujtimi i aktores Adriana Abdullahu, talentit që lufta ja mori jetën./ KultPlus.com

Përfundon edicioni i shtatë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, publikohet lista e fituesëve

Me mbrëmjen tradicionale Gala, të organizuar në sallën e Universitetit të Arteve në Tiranë, të premten mbrëma u mbyll me sukses edicioni i Shtatë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dea Open Air 2019.

Mbrëmja Gala u zhvillua në praninë e Jurisë dhe stafit të DEA OPEN AIR, por pa publik, të cilit ndjekja e ceremonies së ndarjes së çmimeve iu ofrua virtualisht në live stream nëpëpërmjet faqes zyrtare të festivalit dhe adresës në Facebook.

Zhvillimi i këtij edicioni i konfirmoi pritshmëritë tona – u shpreh Edmond Topi, drejtor i DEA OPEN AIR International Film Festival. Programi, – sipas tij,- u mirëprit nga kineastët dhe specialistët e kinemasë, ndërkohë që oferta grarantoi edhe këtë herë një shumëllojshmëri kulturash, stilesh dhe individualitetesh, që imponohen, pavarësisht kushteve të pandemisë.

Për Drejtoren artistike të DEA OPEN AIR International Film Festival, Mirela Oktrova “Mbrëmja e ndarjes së çmimeve – sikurse i gjithë festivali – është një dëshmi rezistence kulturore. Se në kushtet, kur format e tjera të distribuimit të filmit përballen me pamundësinë, festivalet e filmit mbeten alternativa e vetme e konsumit të organizuar të filmit dhe mendimit të specializuar, duke u shndërruar në një modus mbijetese për kinemanë në periudhën kalimtare midis së djeshmes dhe të nesërmes.,- tha Oktrova.

Kupa e parë DEA i takoi Filmit Dokumentar. Në këtë seksion, që programit iu shtua për herë parë këtë vit, 17 filma nga 11 vende të botës. Ofertën filmike në Konkurimin e Filmit Dokumentar e ndoqi Juria e filmit dokumentar, e përbërë nga: Florin Kelmendi, Gazetar, drejtor i programeve kulturore-artistike – Kosovë, Ben Andoni, studjues, përkthyes – Shqipëri, Luljeta Progni, gazetare – Shqipëri.

Në konkurimin e Filmit dokumentar u nominuan:

1. 17 sekonda – Alon Marom – Izrael 2018

2. Kur dimri bëhet verë – Ronald Urbancik – Gjermani 2019

3. Edhe peshqit qajnë – Francesko Kabras&Alberto Molinari – Itali 2019

Çmimi DEA për Filmin më të mirë Dokumentar shkoi për:

17 sekonda – Alon Marom – Izrael 2018

Prania e Filmit të Shkurtër në DEA është pjesë e një traditë të konsoliduar ndër vite – me afro 200 filma të shkurtër, të ofruar në edicionet paraardhëse. Këtë vit në kuadrin e programit të Filmit të Shkurtër u ofruan 22 filma të Shkurtër nga 13 vende evropiane, prodhime të dy viteve të fundit, në fokus të të cilëve u vu një game e gjerë problematikash shoqërore, të trajtuara me angazhim social dhe nivel të admirueshëm artistik Ofertën filmike në Programin dhe Konkurimin e Filmit të Shkurtër, Eksperimental dhe Studentor e ndoqi Juria e Filmit të Shkurtër dhe Studentor e përbërë nga: Francesca Olivieri, regjisore dhe skenariste – Itali; Suela Bako, aktore dhe producente – Shqipëri; Lorena Sopi, regjisore dhe producente regjisore – Kosovë.

Në konkurimin e Filmit të Shkurtër u nominuan:

1. Pika hëne – Yoram Ever-Hadani Serbi 2018

2. Merre dhe përfundoje – Kirineos Papadimatos – Greqi 2020

3. Lule blu – Saadi Constantine – Zvicër – 2020

Çmimi DEA për Filmin e Shkurtër më të Mirë shkoi për:

Pika hëne – Yoram Ever-Hadani Serbi 2018

Në Seksionin e Filmit studentor – pjesë e traditës së edicioneve të DEA OPEN AIR, kë vit u ofruan 24 filma nga 10 vende të botës, të cilët u fokusuan tek miqësia dhe të papriturat e jetës, qëndrimi social dhe individual ndaj punës dhe jetës, raporti i talentit me ecmocionin, raporti me vdekjen, komunitetin në lëvizje dhe lufta për ekzistencë.

Juria e Filmit të Shkurtër dhe Studentor, nominoi në këtë kategori këta filma:

1. Mërzi – Alica Bednáriková – Sllovaki 2020

2. Dritarja blu e Gurit – Mauro Zaçe – Shqipëri 2020

3. Alisa – Monika Mahútová – Sllovaki 2019

Çmimi DEA për Filmin më të Mirë Studentor shkoi për filmin:

Mërzi – Alica Bednáriková – Sllovaki 2020

Çmimi Special i Medias DEA i vlerëson filmat nga shkalla e angazhimit qytetar të krijimit artistik në formën e sensibilizimit të opinionit publik për çështje të rëndësishme të komunitetit. Juria e Medias ndan ndan tradicionalisht dy çmime – një për kategorinë e Filmit të Shkurtër dhe një për kategorinë e Filmit me Metrazh të Gjatë. Filmat konkurues u vlerësuan nga ky këndvështrim nga Juria e medias, e përbërë nga tre gazetarë dhe moderatorë të njohur: Rezear Xhaxhiu, Monika Shoshori Stafa, Jonida Shehu.

Fitues i Çmimit Special të Medias në Konkurimin e Filmit të Shkurtër u shpall:

Roboti do t’ju mbrojë – Nikola Piovesan – Estoni 2018

Fitues i Çmimit Special të Medias në Konkurimin e Filmit të Gjatë u shpall:

Cirku fluturues – Fatos Berisha – Kosovë/Shqipëri/Maqedoni e Veriut 2020

Programi i filmit me metrazh të gjatë përfshiu filma nga Kosova, Gjermania, Rusia, Italia, Bjellorusia dhe Mali i Zi. Konkurimi u ndoq nga juria e Filmit me Metrazh të gjatë, e përbërë nga: Hazir Haziri aktor, Dekan i Fakultetit të Dekan i Fakulteti të Arteve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” – Kosovë; Sehad Çekiç, drejtor menaxhues i Qendrës Kinematografike të Filmit të Malit të Zi; Luis Diogo, skenarist dhe regjisor – Portugali (anëtar); Steffen Hacker, regjisor – Gjermani; Alert Çeloaliaj, Drejtues i Departamentit të Regjisë, Regjisë së Filmit & TV në Universitetin e Arteve – Tiranë.

Për çmimin DEA për Aktoren/Aktorin më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, u nominuan:

1. Tristan Halilaj, Shkumbin Istrefi, Shpëtim Selmani, Afrim Muçaj – Cirku

fluturues – Kosovë/Shqipëri/Maqedoni e Veriut 2020

2. Riccardo Scamarcio – Nuk jam vrasës – Itali 2019

3. Emma Drogunova – Boni&Boni – Gjermani 2019

Fitues u shpallën :

Tristan Halilaj, Shkumbin Istrefi, Shpëtim Selmani, Afrim Muçaj – Cirku fluturues – Kosovë/Shqipëri/Maqedoni e Veriut 2020

Për çmimin DEA për Kamerën më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, u nominuan:

1. Rodja Kükenthal – Boni&Boni – Gjermani 2019

2. Ivan Markoviç – Ti ke natën – Mali i Zi 2018

3. Andrey Katorzhenko – Guri, letra gërshëra – Federata ruse 2020

Fitues u shpall: Rodja Kükenthal – Boni&Boni – Gjermani 2019

Për çmimin DEA për Skenarin më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, u nominuan:

1. Francesco Caringella, Paolo Rossi, Andrea Zaccariello – Nuk jam vrasës – Itali 2019

2. Fatos Berisha – Cirku fluturues – Kosovë/Shqipëri/Maqedoni e Veriut 2020

3. Tatiana Lyutaeva, Galina Kopeliovich – Guri, letra gërshëra – Federata Ruse 2020

Fitues u shpallën:

Francesco Caringella, Paolo Rossi, Andrea Zaccariello – Nuk jam vrasës – Itali 2019

Për çmimin DEA për Regjinë më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, u nominuan :

1. Andrea Zaccariello – Nuk jam vrasës – Itali 2019

2. Fatos Berisha – Cirku fluturues – Kosovë/Shqipëri/Maqedoni e Veriut 2020

3. Vladimir Zinkevich – Jerm – Bjellorusi 2020

Fituese u shpall:

Andrea Zaccariello – Nuk jam vrasës – Itali 2019

Për çmimin DEA për Filmin më të Mirë me Metrazh të Gjatë, u nominuan :

1. Cirku fluturues – Kosovë/Shqipëri/Maqedoni e Veriut 2020

2. Nuk jam vrasës – Itali 2019

3. Guri, letra gërshëra – Federata Ruse 2020

Kupa DEA për Filmin më të Mirë me Metrazh të Gjatë shkoi për filmin:

Cirku fluturues – Kosovë/Shqipëri/Maqedoni e Veriut 2020

Çmimi Leonard Qëndro për një Karrierë premtuese në Kinematografi shkoi për:

Thaer Ibrahim – Mzzaja – Siri 2020

DEA e MIRËNJOHJES për kontribut të spikatur në fushën e kinemasë, iu akordua regjisorit të shquar shqiptar, Ibrahim Muçaj.

Për të marrë pjesë në seksionet e DEA Open Air International Film Festival 2018 aplikuan rreth mbi 1000 filma me metrazh të gjatë dhe të shkurtër nga mbi 70 vende të botës. Edicionin e Shtatë të DEA International Film Festival e mbështeti Bashkia e Tiranës, Universiteti i Arteve, dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, të cilat krijuan atmosferën e nevojshme mikpritëse për prurjet artistike dhe kontributet qytetare nga e gjithë bota.

Specialistët e kinemasë, drejtorët e disa festivaleve të tjera evropiane të filmit, por dhe aktorët, regjisorët, producentët dhe gazetarët e ftuar i dhanë aktivitetit gjallërinë dhe komunikimin shumëdimensional, që aktivitetet e këtij lloji ofrojnë. / KultPlus.com

‘Cirku Fluturues’, fitues i tre çmimeve në Dea International Film Festival

Filmi i metrazhit të gjatë ‘Cirku Fluturues’ me skenar dhe regji të Fatos Berishës është fitues i 3 çmimeve në edicionin e 7 të festivalit Dea Open Air International Film Festival që sapo përfundoi në Tiranë.

Filmi është fitues i çmimit kryesor ‘Filmi më i mirë i metrazhit të gjatë’, si dhe çmimin për aktorin/aktoren më të mirë që shkon për grupin e aktorëve: Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Mucaj dhe Shpëtim Selmani.

Poashtu, filmi mori edhe çmimin e Jurisë së Medias.‘Cirku Fluturues’ është bashkë prodhim i Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veirut, me producente Vjosa Berisha dhe premirën botërore e kishte në Tallinn Film Festival në Estoni, në nëntor 2019.

Këto çmime në Shqipëri vijnë menjëherë pas çmimit ‘Best International Film Grand Prix du Jury’ që filmi mori në War on Screen International Film Festival në Francë. / KultPlus.com

‘Cirku Fluturues’ hap Festivalin ‘Dea’, Berisha: Kultura s’ka vëmendjen e shtetit

Festivali i Filmit Ndërkombëtar “Dea open air” çeli siparin me “Cirkun fluturues” të regjisorit Fatos Berisha nga Kosova tek Amfiteatri i Arteve.

Filmi trajton vështirësitë me të cilat është përballur teatri në Kosovë gjatë luftës, për shkak të masave serbe mbi institucionet e kulturës. Vjen edhe si një homazh për artistët Adriana Abdullahu dhe Vangjush Furrxhi, duke mos përjashtuar neglizhencën e shtetit sot ndaj kulturës.

“Ngjarja e këtij filmi ndodh në vitet ‘90, por disa gjëra s’kanë ndryshuar. Arti edhe kultura, teatri dhe filmi, s’janë në gjendjen më të mirë. Kemi ecur si shoqëri në Kosovë dhe në Shqipëri, por vëmendja e shteteve tona nuk është në nivel të duhet për kulturën. Politikanët tanë krenohen me ne kur ne bëjmë suksese ndërkombëtare. Por vetëm kaq. Filmi vjen si një homazh në realitet për artisten Adriana Abdullahu, e vrarë gjatë luftës së Kosovë edhe Vangjush Furrxhiut, i cili asokohe na ka ndihmuar. Kemi qenë në një udhëtim me shokët, që jepnin një shfaqje në Tiranë, dhe Furrxhi na ka trajtuar si fëmihët e tij. Ndërsa, Romir Zalla luan në film me rrobat e vërteta të Furrxhiut”, shprehet Fatos Berisha.

Edhe pse teatrot në Kosovë janë hapur prej dhjetë ditësh, aktori Afrim Muçaj pas tetë muajsh izolim për shkak të pandemisë Covid 19,  paralelizon situatën ku gjenden artistët shqiptarë sot, me atë të periudhës së luftës

“Në Kosovë ka dhjetë ditë që janë hap teatrot edhe kinematë. Unë kam luajtur shfaqjen e parë para një jave në Prishtinë, pas tetë muajve karantinimi. Ne e kemi shumë të afërt luftën e Kosovës, para 20 viteve edhe kemi nis të bëjmë pyetjen që dikur thoshim: Ku ke qenë pas lufte, themi se ku ke qenë pas pandemie? Në aspektin artistik është njësoj siç ka qenë lufta edhe pandemia e vështirë”, shprehet aktori Afrim Muçaj.

Në edicionin e shtatë të Festivalit Dea Open Air do të prezantohen 68 filma artistikë me metrazh të gjatë, të shkurtër dhe dokumentarë. /shqiptarja/ KultPlus.com

Festivali ‘Prifest’ shtyhet përsëri

Bëhet e ditur se Festivali Ndërkombëtar i filmit, ‘Prifest’, është shtyrë për në muajin tetor, edhe pse arsyet nuk dihen akoma, me shumë gjasë ka të bëjë me përhapjen e madhe të virusit Covid19 në Kosovë, njofton KultPlus.

Fatos Berisha, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se ky festival do të mbahet në tetor të këtij viti, në platformën online. Ndërkaq datat e sakta nuk janë publikuar akoma. / KultPlus.com

“Cirku Fluturues” shpallet filmi më i mirë në kategorinë garuese të filmave ndërkombëtar

Filmi i gjatë artistik, “Cirku Fluturues” me skenar dhe regji të Fatos Berishës mbrëmë fitoi çmim të rëndësishëm në festivalin ndërkombëtar të filmit në Santa Barbara të Kalifornisë (SHBA).

”Cirku Fluturues” u shpall fitues i çmimt “Filmi më i mirë artistik ndërkombëtar”, shkruan KultPlus.

Ky film artistik është komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë të fundit të 90-ve e një grupi aktorësh nga Kosova, të cilët gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe Shqipërise për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë. Filmi “Cirku Fluturues” është bashkëprodhim i Kosovës (B2 Films Kosovo dhe Ikone Studio), Shqipërisë (B2 Agency, Albania) dhe Maqedonisë Veriore (Black Cat Production).

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare Kinematografisë dhe Agjensioni i Filmit i Maqedonisë Veriore. / KultPlus.com

‘Cirku Fluturues’ zyrtarisht në konkurrencë në ”Santa Barbara International Film Festival”

‘Cirku Fluturues’ do të fillojë vitin e ri me premierë në Amerikën Veriore, në Santa Barbara të Kalifornisë.

Ky lajm u bë i ditur sot kur edhe u bë publik programi i festivalit që shënon edicionin e 35-të këtij vit.

“- Jam shumë i lumtur që po e fillojmë vitin 2020 me paraqitjen e filmit tonë për publikun amerikan, në Santa Barbara. Festivali Santa Barbara na ka ftuar në konkurrencë zyrtare, dhe kjo na bën shume të lumtur sepse konkurrenca ka qenë shumë e madhe. Nuk mund të ketë lajm më të mirë për ne se ky.” – u shpreh Fatos Berisha, regjisor i filmit.

‘Cirku Fluturues’ film i metrazhit të gjatë me skenar dhe regji të Fatos Berishës, me producente Vjosa Berishën, ka pasur premierën botërore në festivalin nderkombëtar ”Tallinn Black Nights” në Estoni në nëntor të viti që lamë pas, ku menjëherë pas tij mori edhe çmimin filmi më i mirë ndërkombëtar nga ‘Fabrique Du Cinema’ në Romë, ku kryetar i jurisë ishte fituesi i çmimit Oscar, skenaristi dhe regjisorit Paul Haggis.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Santa Barbara këtë vit do të nderojë me çmime personalitetet e njohura si Brad Pitt, Scarlett Johansson, Adam Driver dhe Laura Dern.

Filmi i metrazhit të gjatë ‘Cirku Fluturues’ është bashkeprodhim i Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe është perkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e Filmit Shqipëri dhe Agjensia e Filmit Maqedoni Veriore.

Në këtë film në rolet kryesore luajnë: Armend Smajli, Afrim Mucaj, Tristan Halilaj dhe Shpëtim Selmani, ndërsa në rolet dytësore Velibor Topic, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Armond Morina, May Linda Kosumovic, Doresa Rexha, Rromir Zalla, Rita Gjeka, Krist Lleshi, Esela Pysqyli dhe të tjerë.

Në linkun më poshtë mund të shikoni trailerin e Cirkut Fluturues. / KultPlus.com

E përfshijnë në shitblerje të biletave Kosovë-Angli, regjisori Fatos Berisha: Unë nuk shes bileta

Regjisorin e njohur, Fatos Berishën, e kanë përfshirë në mënyrë skandaloze në shitblerjen e biletave për ndeshjen Kosovë-Angli, shkruan KultPlus.com

Regjisori Berisha ka reaguar përmes një statusi në Facebook me ç’rast e ka kritikuar ashpër atë çfarë ka ndodhur. “Unë nuk shes bileta”, ka shkuar ndër të tjera në llogarinë e tij në Facebook.


Lansohet traileri i fimit ‘Cirku Fluturues’ me skenar dhe regji nga Fatos Berisha (VIDEO)

Filmi i gjatë artistik ‘Cirku Fluturues’ me skenar dhe regji nga Fatos Berisha dhe me producente Vjosa Berishën do ta ketë premierën botërore në njërin prej festivaleve më të rëndësishme ndërkombëtare të filmit në Tallin të Estonisë, përcjellë KultPlus.

Cirku fluturues është një komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë të fundit të 90tave e një grupi aktorësh nga Kosova të cilët gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe Shqipërisë për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë.

Në rolet kryesore luajnë: Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani, dhe Velibor Topić. Ndërsa në rolet dytësore: Velibor Topic, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Armond Morina, Vedat Bajrami, Refet Abazi, Rita Gjeka, Romir Zalla, Fisnik Ademi, Rita Gjeka, Esela Pysqyli, Doresa Rexha, Maylinda Kasumovic, Krist Lleshi etj.

Producente e filmit është Vjosa Berisha, dhe me bashkëprodecentë Kristijan Burovski, Tomi Salkovski, Valon Bajgora, Agon Uka, dhe Fatos Berisha.

Drejtor i fotografisë – Almir Ðikoli, montazher – Vladimir Pavlovski, dizajner i setit Arben Shala, kompozitor – Ognen Anastasovski, dhe kostumografe – Desantila Lika.

‘Cirku Fluturues’ është bashkëprodhim i Kosovës (B2 Films Kosovo dhe Ikone Studio), Shqipërisë (B2 Agency, Albania) dhe Maqedonisë Veriore (Black Cat Production). Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare Kinematografisë, dhe Agjensioni i Filmit i Maqedonisë Veriore. / KultPlus.com

‘Cirku Fluturues’ nga Fatos Berisha në konkurrencë kryesore në Tallin të Estonisë

Filmi i gjatë artistik ‘Cirku Fluturues’ me skenar dhe regji nga Fatos Berisha dhe me producente Vjosa Berishën do ta ketë premierën botërore në njërin prej festivaleve më të rëndësishme ndërkombëtare të filmit në Tallin të Estonisë, përcjellë KultPlus.

Cirku fluturues është një komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë të fundit të 90tave e një grupi aktorësh nga Kosova të cilët gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe Shqipërisë për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë.

“Jam i lumtur që po përfundon rrugëtimi i gjatë i prodhimit të këtij filmi dhe njëkohësisht shumë i gëzuar që do fillojmë rrugëtimin në festivale dhe kinema. Jam krenar që puna e të gjithë ekipës është vlerësuar me pjesëmarrje në konkurrencën kryesore në një festival të kategorisë A” u shpreh Fatos Berisha regjisori i filmit.

Në rrolet kryesore luajnë: Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani, dhe Velibor Topić. Ndërsa në rrolet dytësore: Velibor Topic, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Armond Morina, Vedat Bajrami, Refet Abazi, Rita Gjeka, Romir Zalla, Fisnik Ademi, Rita Gjeka, Esela Pysqyli, Doresa Rexha, Maylinda Kasumovic, Krist Lleshi etj.

Producente e filmit është Vjosa Berisha, dhe me bashkëprodecentë Kristijan Burovski, Tomi Salkovski, Valon Bajgora, Agon Uka, dhe Fatos Berisha.

Drejtor i fotografisë – Almir Ðikoli, montazher – Vladimir Pavlovski, dizajner i setit Arben Shala, kompozitor – Ognen Anastasovski, dhe kostumografe – Desantila Lika.

‘Cirku Fluturues’ është bashkëprodhim i Kosovës (B2 Films Kosovo dhe Ikone Studio), Shqipërisë (B2 Agency, Albania) dhe Maqedonisë Veriore (Black Cat Production). Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare Kinematografisë, dhe Agjensioni i Filmit i Maqedonisë Veriore. / KultPlus.com