Fatos Berisha zgjedhet drejtor artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Drejtor artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës është zgjedhur Fatos Berisha.

Kjo u bë e ditur në njoftimin e dërguar nga ky teatër, njofton Klan Kosova.

Sipas këtij njoftimi, Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës pas një procesi të gjatë vlerësimi, ku të gjithë kandidatët iu kanë nënshtruar testit me shkrim dhe intervistës me gojë,  në mbledhjen e datës 21.06. 2019 ka zgjedhur z. Fatos Berisha si Drejtor të ri artistik.

Ai do ta udhëheq mbarëvajtjen e punëve artistike dhe kreative në Teatrin Kombëtar të Kosovës për katër vitet e ardhshme.

Sipas tyre, kandidati Fatos Berisha i ka plotësuar të gjitha kriteret juridike dhe profesionale për ta ushtruar detyrën e Drejtorit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Epshi, shtypja e tij dhe debatet e dobëta shqiptare vijnë përmes ‘At Sergit’ në Prishtinë

Arbër Selmani

Dashuria e çmend njeriun. Ose ndoshta çmendia e bën njeriun më të dashur. Në këtë raport, di ndonjëherë të trokasë Zoti. E Zoti është mizor, xheloz, dhe i pakujdesshëm me fëmijët e tij. Mizoria dhe Zoti shumë herë në histori, dhe në jetërat e disa njerëzve, kanë ecur si dy shoqe të ngushta.

Skenari i tillë e ka goditur jetën e Stefan Kasatskit. Një burrë i dashuruar në Maria Korotkovën, në pallatin e Carit, e kupton se dashuria e jetës së tij po shkon me një burrë tjetër. Dhe me kë se, me askë tjetër por vetë Car Nikolasit. Stefani ndërron kahje të jetës. Izolohet në vetminë e Kishës Ortodokse Ruse dhe shndërrohet në murg. Një murg i mirë, i dënuar të mos ketë më asnjë epsh seksual. Vijnë e shkojnë provokimet që epshi i tij të zgjohet nga gjumi, por ai duhet t`ia ndalojë vetes epshin seksual. Seks. Seks. Seks. Seks. Rrëfimtari e tmerron At Sergin, pra dikur Stefanin, derisa i thotë këto fjalë.
“At Sergi”, është pak a shumë përthekimi i tillë i shfaqjes që erdhi mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Njëjtë siç erdhi feja, religjioni, seksi, dashuria, epshi, prerja e gishtit të murgut, nëna histerike e tij që nuk i falet Zotit kurrë, gruaja në karrocë e cila prej Zotit në këmbim morri veç ëndrrën dhe jo këmbët për të ecur, erdhi mbrëmë në Prishtinë edhe debati i vakët shqiptar televiziv me figurat marioneta që nuk kanë asnjë fjalë e argument kur marrin kohë televizive të panevojshme.

Fatos Berisha, regjisori i shfaqjes ‘At Sergi’, emri kryefjalë në shfaqje, tregon më shumë për KultPlus rreth këtij prezantimi.
“Sonte e sollëm shfaqjen për herë të 13-të, pas 12-të herave në Shqipëri. Është një shfaqje e cila përmban një kohë asnjëanëse, pra nuk ndodhë në shekullin e 19-të, dhe prandaj mund të jetë edhe koha e sotme. Këtu ishte reagimi tjetër sidomos tek pjesa e debateve e inkuadruar në shfaqje, dhe pikërisht kjo ishte ajo që unë dëshiroja” tregon Fatosi.

Në mes të tregimit mbi At Sergin, djaloshin plot epsh që duhet ta shtypë veten dhe organin e tij gjenital me çdo kusht drejt fjetjes kur sheh gra e femra të bukura rreth vetes, tash në epitetin e Atit, disa debate televizive e sjellin religjionin në këtë kohë moderne. Një tip Blendi Fevziu që nuk dëgjon çka i thonë të ftuarit në studio, nën hundë lëshon zëra të çuditshëm, kërkon nga regjia të reagojë kur të ftuarit flasin kotësira, derisa dëgjohen lutjet edhe të Islamit edhe të Krishterimit. Mysafirja e tretë është epike dhe i detyron të tjerët ta mbyllin gojën. Ajo e sjellë pasazhin e Saganit, “Pale Blue Dot”.

“Çdo fëmijë, çdo çift i dashurum, çdo nënë, çdo baba, çdo zbulues e shkencëtar, çdo mëkatar e shenjëtor, çdo superstar, çdo politikan i korruptuar – të gjithë kanë jetuar këtu, në një gotë pluhuri të pezulluar në rreze dielli”.

“Sot është koha e debateve, koha kur religjioni është bërë ‘televised’, dhe është kthyer në një reality shoë. Sot ke më shumë teatër në televizion sesa në teatër e në film, dhe prandaj këto elemente janë futur në shfaqje. Në anën tjetër, shfaqja merret edhe me seksualitetin, sado që teksti i Tolstoit është i vështirë dhe disi ‘i rrezikshëm’ në kuptimin e zanatit” tregon tutje Fatos Berisha për KultPlus.

Tregimi “At Sergi” është shkruar nga Tolstoi në mes të viteve 1890-1898 ndërsa u publikua për herë të parë në vitin 1911. Fatosi me ekipin e tij e solli në Shqipëri, ndërsa mbrëmë edhe në Kosovë, për të tentuar pjesëmarrjen edhe në festivale jashtë vendit. Që tregimi i At Sergit dhe feja e aktualiteti ndër shqiptarë ta shohin botën përtej mendjeve shqiptare.

Igli Zarka, Rovena Lule, Lulzim Zeqja, Egla Ceno, Besmir Bitraku, Julinda Emiri, Valmir Krasniqi dhe Arta Lahu, shoqëruar në instrument nga Gjergj Kaçinari, për më shumë se 60 minuta sollën në skenë ‘At Sergin’ jo të lehtë. Një shfaqje që veç e thjeshtë dhe lineare nuk është.

“Për mua ishte kënaqësi të luaja në shfaqje, në një rol aspak të lehtë. Sidomos puna me regjisorin Fatos Berisha dhe emocionet që morra sot këtu në Kosovë janë tepër motivuese për mua si një aktore e re” tregon Arta Lahu, aktore në shfaqje.
Kthehemi te “At Sergi”. Makovkina, një grua që dëshiron të mëkatojë por bota i rrotullohet, bën që me provokimet e saj ta shtyjë Atin drejt një akti të tmerrshëm, prerjes së gishtit. Makovkina nuk do të jetë më asnjëherë e njëjta grua.

Valmir Krasniqi, aktor në shfaqje, tregon se shfaqja kudo që do të shkojë, do të kuptohet se është shfaqje për njeriun dhe ndjenjat.
“Është shfaqje që flet për njeriun dhe çoje në fund të botës, ajo do të kuptohet sepse flet për epshin, ndjenjat, e çdo njeri përbëhet prej ndjenjave. Unë e kam pasë një paramendim ndryshe për bashkëpunimin tonë me aktorët në Shqipëri por jam befasuar për procesin e punës dhe se sa mirë ka ecë gjithçka. Jam i lumtur që mesazhi ka shku te spektatori” tregon Valmir Krasniqi.
Shfaqja, tekstin e së cilës e ka përshtatur për skenë Shpëtim Selmani, erdhi me produksion të Kozeta Kurtit, ndërsa para Kosovës u shfaq në Shqipëri, në Teatrin Eksperimental të Tiranës dhe në “arTurbina”. / KultPlus.com

‘Cirku fluturues’ i Fatos Berishës në Karlovy Vary Film Festival

Projekti filmik “Cirku Fluturues” me regji të Fatos Berishës dhe me producente Vjosa Berisha është përzgjedhur në programin Works in Progress në festivalin prestigjioz të filmit në Karlovy Vary. Projekti ‘Cirku fluturues’ është përzgjedhur në mes 11 projekteve filmike nga tërë bota që do të garojnë për cmimet në këtë kategori.

Projektet e përzgjedhura në këtë garë të Pitching do të prezentohen para jurisë profesionale dhe një publiku të gjerë profesionistësh nga mbarë bota duke u futur njëherit në garë për çmimin kryesor prej 100,000 euro në shërbime të postproduksionit.

‘Cirku Fluturues’ është një komedi e zezë që në vete ngërthen një rrugëtim të një grupi aktorësh, luajtur nga Armend Smajli, Tristan Halilaj, Shpëtim Selmani dhe Afrim Muçaj, të cilët nisen për të marrë pjesë në Festivalin e Teatrit në Tiranë me shfaqjen e tyre, duke marrë përsipër rrezikun e kalimit të kufirit në mënyrë ilegale në një kohë të rrezikshme pak para luftes së Kosovës.

Projekti filmik ‘Cirku Fluturues’ është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërise dhe Bashkia Tiranë, ndërsa ko-producent i projektit është edhe shtëpia filmike Ikonë Studio nga Kosova.

Edicioni i 53-të i Festivalit ndërkombëtar të filmit në Karlovy Vary do të mbahet në datat 29 qershor deri me 7 korrik, kurse gara Works in Progress ku do të prezentohet projekti filmik ‘Cirku Fluturues’, mbahet në datat 1-4 korrik./ KultPlus.com

Shfaqja “Bardh” shpërfaqi peshqit e vegjël në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Alberina Haxhijaj

Mjafton një pyetje e aktorit Tristan Halilaj. Mjeshtër, a jemi na peshq të vegjël? drejtuar ‘mjeshtrit’ Shpëtim Selmanit, për të nxituar reagimet e këtij të fundit. Mjeshtri është i sigurt se thjeshtë nuk ju kanë ra në dorë ‘letra të forta’ se edhe këta një ditë do të bëhen ‘peshqi të mëdhenj’. “Jena tërheqë, ndoshta dorën tjetër na vijnë letra të mira, mos thuj mo që jena peshq të vegjël”, përgjigjet i zemëruar mjeshtri. Por nxënësi vazhdon: A është e mundshme që kurrë mos me na ra letrat e forta?

Kjo është një pjesë e dramës “Bardh” me regjit të regjisorit të njohur kosovar, Fatos Berisha, e cila u dha mbrëmë premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Drama ‘Bardh’ e dramaturgut kroat Dubravko Mihanovic, është një shfaqje e mbushur me dialogë në mes të mjeshtrit dhe ndihmësit të tij që lyejnë me ngjyrë të zezë muret e një banese.

Ata tentojnë të krijojnë një lloj komunikimi, duke filluar bisedën me temat e përgjithshme, futbolli, telashet familjare, për t’u futur ngadalë në përkufizime për hapësirën që i rrethon dhe botën e tyre. Me dialog minimalist dhe jo-pretencioz, kuptojmë rutinën e jetës së tyre, përcjellim një afrim të dy personazheve, një ngjashmëri të tyre duke tentuar të futen në brendësinë e preokupimeve të njëri tjetrit. Duke trajtuar kështu ndoshta të pavetëdijshëm edhe problemet ‘e mëdha’ shoqërore-sociale.
Titujt e artikujve në gazetat të cilat qëndronin të shpërndara në dyshemenë e skenës jehuan në një moment nga aktori Tristan Halilaj. “Thaçi, Haradinaj e Veseli shkelin protokollin shtetëror”, ishte njëri nga titujt. Njëlloj si kjo temë, tema të ndryshme ditore që kanë lënë gjurmë kohëve të fundit në Kosovë mund të dëgjoheshin tutje. Muret lyheshin me të zeza, disa tinguj piano, tema mbi seksin, kush është i forti, ishin disa pjesë të kësaj drame e cila jo çdo kënd e konsideron moler. Nuk mund të jetë moler ai që vetëm një herë lyen banesën e tij, e as infermier ai që i jep hapat nënës së tij çdo mëngjes, profesionet janë një gjë fisnike në këtë shfaqje. Por në qendër ishte mjeshtri i cili mundohej ta ruante ndihmësin e tij. Ai duhet të ketë kujdes në fjalor, edhe pse mjeshtri përdorë zhargon. Derisa është pikërisht ëndrra e tij mbi lopën e bardhë që sjell edhe ndryshimet në shfaqje, ajo torturohet nga të tjerët.

“Mendoj që e kanë pritur mirë shfaqjen, nga reaksionet sa pashë më duket që është perceptuar mirë, dhe ashtu si e kemi planifikuar. Është një tekst ku realisht nga gjysma e dytë e shfaqjes i ndërrohet zhanri. Prej një komedie të zezë pastaj kthehet në një dramë goxha të rëndë dhe pikërisht kthimi në zhanre në një shfaqje është më i vështiri. Kjo ndodh, sepse duhet ta bindësh publikun që ndërrohen zhanret, që publikun ta marrësh me veti”, tregoi për KultPlus regjisori Fatos Berisha.

Drama është një temë sociale, e cila flet për një shtresë të shoqërisë sonë për atë që autori vet e quajti peshqit e vegjël e që janë njerëz nga margjina e kësaj shoqërie. Drama e cila mund të konsiderohet si universale flet shumë edhe për Kosovën dhe shoqërinë e sotme.
“Tentoj me zgjedhë tema me preokupime të miat, sidomos viteve të fundit janë drama sociale. Kjo dramë edhe pse ka autorin kroat po them se korrespondon shumë me ne dhe më shoqërinë tonë, me këta peshqit e vegjël që jemi shumicë këtu e që gjendemi brenda këtyre mureve të cilët ata përpiqen ti ngjyrosin. Ndërsa, shikojnë përtej mureve një jetë tjetër jashtë, një jetë që e udhëheqin peshqit e mëdhenj”, përfundoi regjisori.

Aktori Tristan Halilaj u shpreh se i ka lënë përshtypje teksti që herën e parë kur e ka lexuar.
“Sonte kemi pasur më shumë emocione se ishte edhe premiera dhe pati shumë njerëz. Ne e kemi dhënë shfaqjen këto katër herët e fundit me publik, pwrgjatw provave tw fundit, mirëpo ka pasur publik më pak, kurse sonte kemi pasur publik më shumë. Në disa momente ku nuk e kemi prit kanë reaguar, edhe pak a shumë mendoj që edhe ritmin na e kanë ndryshuar në disa vende mirëpo në përgjithësi mendoj së gjithçka shkoi mirë”, tha ai për KultPlus.

Bota jashtë dritares e cila ua tërheqë gjithnjë vëmendjen dy molerëve i jep dimension tjetër botës së tyre të mureve që ngjyrosin dhe që duan t’i japin kuptim. Duke i bërë këta dy personazh mjaftë të komplikuar, ashtu siç tha edhe aktori Shpëtim Selmani.

“Shpresoj që publiku e ka marrë mesazhin e shfaqjes i cili është shumë njerëzor edhe jemi të kënaqur. Kurse ndërrimi i zhanreve nuk ka qenë edhe shumë e vështirë pasi që kemi punuar intensivisht gjatë këtij muaji. Edhe pse dialogjet janë shumë natyraliste, karakteret janë shumë komplekse, mirëpo kjo është edhe detyra jonë në procesin e analizës ndaj personazheve”, u shpreh për KultPlus aktori Shpëtim Selmani. Reprizat e para të shfaqjes vijnë më 23 dhe 24 shkurt duke filluar nga ora 20:00/ KultPlus.com

“Bardh”, të mërkurën në TKK

Të mërkurën më 14 shkurt në Teatrin Kombëtar të Kosovës, vjen shfaqja “Bardh” me tekst të Dubravko Mihanovic, e regji të Fatos Berisha, shkruan KultPlus.

Drama ‘Bardh’ e dramaturgut kroat Dubravko Mihanovic është një tregim me dialog minimalistik të dy personazheve, të cilat janë Mjeshtri dhe Ndihmësi i tij që lyejnë me ngjyrë muret e një banese. Ata tentojnë të krijojnë një lloj komunikimi, duke filluar bisedën me temat e përgjithshme, futbolli, telashet familjare, për t’u futur ngadalë në përkufizime për hapësirën që i rrethon dhe botën e tyre.

“Me dialog minimalist dhe jo-pretencioz, kuptojmë rutinën e jetës së tyre, përcjellim një afrim të dy personazheve, një ngjashmëri të tyre duke tentuar të futen në brendësinë e preokupimeve të njëri tjetrit. Përmes marrëdhënies arketip: mësues-nxënës, e dy njerëzve nga margjinat e shoqërisë, vepra sjell një tregim që trajton probleme ‘të mëdha’ shoqërore-sociale”, thuhet në komunikatën dërguar medieve. E cila vazhdon tutje të sqarojë se është pikërisht bota jashtë dritares e cila ua tërheq gjithnjë vëmendjen dhe i jep dimension tjetër botës së tyre të mureve që ngjyrosin dhe që duan t’i japin kuptim.

“Të them të drejtën, unë tentoj që gjithmonë të sjellë risi në projektet e mia, por kjo gjë nuk është e lehtë natyrisht. Në anën tjetër, në vazhdimësi më preokupojnë temat sociale dhe fatet e njerëzve nga margjina e shoqërisë, dhe ky tekst më ka ofruar pikërisht atë. Është një dramë për ‘peshqit e vegjël’”, pati thënë regjisor Berisha në intervistën e tij për KultPlus.

Drama ‘Bardh’ është shpërblyer në vitin 1998 me çmimin vjetor kroat të Ministrisë së kulturës së Kroacisë. Në shfaqje luajnë aktorët: Shpëtim Selmani dhe Tristan Halilaj, skenografia dhe kostumet: Arben Shala, përkthimi nga kroatishtja: Fatos Berisha.

“Bardh”, është premiera e parë e vitit 2018-të që ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Reprizat vijnë më 23 dhe 24 shkurt./ KultPlus.com

Fatos Berisha inskenon shfaqjen e parë për 2018-të në TKK, sjellë dramë për ‘peshqit e vegjël’

Sarandë Selimi

Pak kohë pas publikimit të katër projekteve që do të inskenohen në skenën e vogël të vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, kanë nisë provat për shfaqjen “Bardh”, të autorit kroat Dubravko Mihanovic, e që në skenë do të vijë me regji të regjisorit kosovar Fatos Berisha.

Shfaqja, e cila ka filluar me prova në muajin janar, tashmë është thuajse në përfundim dhe shumë shpejt pritet të dalë para audiencës kosovare. Për të folur më shumë rreth tekstit, inskenimit, kastës së aktorëve e poashtu edhe për datën e premierës, KultPlus, sjellë një rrëfim të shkurtër më regjisorin Fatos Berisha.

“Bëhet fjalë për dramën ‘Bardh’ të autorit bashkëkohor kroat Dubravko Mihanovic. Është një dramë minimaliste, e cila më bëri përshtypje për stilin e shkrimit, dialogët dhe mënyrën e trajtimit të vet strukturës dramatike. Unë kisha lexuar më parë një dramë tjetër të tij, dhe në kontakt e sipër me autorin, më ra në duar edhe kjo dramë e tij e cila më pëlqeu shumë dhe më është dukur e përshtatshme për skenën e vogël të TKK”, tha fillimisht për KultPlus, Berisha, i cili vazhdoi tutje të tregoi për veçantitë që do të sjellë kjo shfaqje sa i përket inskenimit.

“Të them të drejtën, unë tentoj që gjithmonë të sjellë risi në projektet e mia, por kjo gjë nuk është e lehtë natyrisht. Në anën tjetër, në vazhdimësi më preokupojnë temat sociale dhe fatet e njerëzve nga margjina e shoqërisë, dhe ky tekst më ka ofruar pikërisht atë. Është një dramë për ‘peshqit e vegjël’”, tha regjisori.

Kasta e aktorëve të “Bardh” përbehët nga Shpëtim Selmani dhe Tristan Halilaj. Dy emra të aktorëve kosovar të cilët jo rrallë herë i kemi parë në shfaqjet e regjisorit Berisha.

“Me të dy aktorët kam punuar më parë në projekte tjera teatrore dhe i njoh shumë mirë. Vlerësova se personazhet e shkruara në dramë u përshtaten atyre si aktorë. Poashtu edhe ata njohin stilin dhe metodën time të punës, andaj vendimi për të punuar së bashku ishte i lehtë për të gjithë ne”, u shpreh Fatos Berisha, duke thënë tutje se janë një ekip e vogël dhe kjo ua lehtëson pak punën logjistike, megjithëse sipas tij, nga ana artistike kjo nuk përbën ndonjë lehtësi, përkundrazi.

“Si proces i punës deri tani ishte vërtet i këndshëm, në një atmosferë relaksuese që na jep të gjithëve një hapësirë të domosdoshme për punë kreative”, pohoi ai.

“Bardh” është përkthyer nga gjuha kroate nga vetë Fatos Berisha ndërkaq për skenografinë dhe kostumet është përkujdesur Arben Shala.

“Bardh”, është premiera e parë e vitit 2018-të që ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Premiera shfaqet më 14 shkurt ndërsa reprizat e para vijnë më 23 dhe 24 shkurt./ KultPlus.com

Orkestra “2 korriku”, sjellë verzionin e këngës së famshme “Shkon e vjen” të Riza Bllacës (VIDEO)

Faton Isufi, Fatos Kryeziu, Fatos Hoxha dhe Fatos Berisha kanë sjellë verzionin e ri të këngës “Shkon e vjen”, të këngëtarit Riza Bllaca, shkruan KultPlus.


“Orkestra 2 korriku”, ka sjellë këtë këngë në nderim të doajenit të muzikës popullore Riza Bllaca.
Në videot e mëposhtme mund të dëgjoni të dy verzionet, edhe atë të Riza Bllacës dhe verzionit të fundit “Orekstra 2 korriku”./KultPlus.com

Mia Krajcar fitoi çmimin kryesor të PITF, ‘Unaza e Faruk Begollit’

Rrugëtimi gjashtëditor i edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Kosovë “Prishtina International Theater Festival” mbajti ceremoninë e ndarjes se shpërblimeve për fituesit e festivalit brenda hapësirave të teatrit “Faruk Begolli” në AAB, shkruan KultPlus.

Gylymser Hoxhaj

Ceremonisë së shpërblimeve i parapriu shfaqja “Armiku i popullit”, e cila është realizim nga produksioni i Teatrit të qytetit “Bekim Fehmiu” Prizren, nën regjinë e Fatos Berishës, me autorë Henrik Ibsen, dhe në skenë erdhi përmes aktorëve Shpëtim Selmani, Xhevdet Doda, Afrim Kasapolli…

Ishte po kjo shfaqje ekipi i së cilës u ngrit përsëri në skenën e teatrit për të marrë pesë nga gjashtë çmimet e këtij festivali. Mirëpo çmimin kryesor që është ‘Unaza e Faruk Begollit’ e morri aktorja kroate Mia Krajcar.

Çmimi i parë për shfaqjen ‘Armiku i Popullit’ erdhi nga juria e studentëve të këtij kolegji, i cili u dha nga Njomza Haziraj, çmimi i dytë erdhi nga juria e medieve, e që u dha nga kryesuesja e kësaj jurie, njëherësh edhe themeluese e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti.

Pasuar nga tri çmime nga juria qendrore, e cila në përbërjen nga aktori Enver Petrovci, Tina Smalcelj, dramaturge dhe publicisti Adriatik Kelmendi për shfaqjen “Armiku i popullit” dhuruan çmimin në kategorinë shfaqja më e mirë, në kategorinë regjia më e mirë dhe në kategorinë aktori më i mirë në rol dytësor kurse për aktoren më të mirë, çmimi “Unaza e Faruk Begollit” u dhurua nga Ilir Tafa për aktoren kroate Mia Krajcar.

Shfaqja “Armiku i popullit” e solli shpërfaqjen një sistemi të kalbur e të korruptuar të një qyteze, ku përdoret çdo formë për të mbuluar të vërtetën. Keqpërdorimi i “interesit publik”, gjithmonë i dominuar nga interesi personal. Dy vëllezër, të rritur në një familje , njëri shfaqet në pozitë vendimmarrëse (Peteri )si kryetar i bordit të ndërmarrjes së ujërave dhe tjetri doktor (Thomasi) i cili sjellë një analizë që vërteton se ka materie helmuese në ujë. Në përballjen e këtyre dy kundërshtive, kjo shfaqje sjellë edhe një shtyp po ashtu të luhatshëm, që refuzon të nxjerrë në pah dëshmitë edhe kur i ka, vetëm kur nga lart u kujtohen përfitimet dhe interesat e tyre financiare, që i mbajnë edhe ata larg interesit publik. Në një situatë të tillë Thomasi mbetet në një betejë i vetëm me përkrahjen e familjes se tij.

Regjisori i shfaqjes fituese “Armiku i popullit”, Fatos Berisha tha për KultPlus që pjesëmarrja dhe çmimet e këtij festivali i sollën nder atij edhe teatrit të Prizrenit.

“Për mua ka qenë nder për me qenë pjesë e këtij edicioni, edhe pse është i pari ka arrit të ndërtoj një standard edhe në përmbajtjen e shfaqjeve garuese. Edhe sikur të mos e kishim marr asnjë çmim, prapë do të kishte qenë një nder për ne që të marrim pjesë në këtë teatër dhe në këto kushte që i ofron. Duke qenë se ka pasur shumë shfaqje të mira, në mesin e të gjitha atyre po ndihem i vlerësuar. Po ndihem shumë mirë sepse ka pasur çmime të ndryshme nga juri të ndryshme, edhe për shfaqjen edhe për aktoret. Ky po ashtu është një lajm i mirë edhe për teatrin e Prizrenit, i cili na ka ofruar kushte mua dhe regjisorëve të tjerë për me e shpreh kreativitetin tonë. Kjo do t’i jap energji teatrit dhe ekipit dhe atyre që e mbështesin edhe financiarisht këtë teatër”, tregoi Berisha.

Krejt ky festival u përmbyll kur në skenë u ngjit aktori Enver Petrovci i cili tregoi për ndarjen e çmimeve, ku i janë larguar natyrës politike të ndarjeve të çmimeve në Ballkan derisa dhe ngriti lart institucionin që organizoi këtë festival.

“Gjithmonë i mbetet hatri dikujt, vërtetë nuk kemi bërë politikë, e kemi bërë më sinqeritet aq sa kemi pasur çmime. Ta ndërtosh një teatër siç është teatri “Faruk Begolli” është si të ndërtosh një xhami, apo kishë, bile edhe më vështirë. Ky objekt është një objekt shpirtëror ndërtuar me para vetanake. Shpresoj që vitin e ardhshëm Ministria t’i ndihmoj këta njerëz që investojnë në anën shpirtërore të popullit të vet”, përfundoi Petrovci.

Ky festival gjatë kësaj jave priti gjithsej gjashtë shfaqje garuese “Dhe jetuan të lumtura…?”, nga Kroacia, “Shërbëtoret” nga Bullgaria, “Vdes siç vdes një vend” nga Shqipëria, “SPEAK MEDEA” nga Irani, “Darka e Thërrimeve” nga Maqedonia dhe “ Armiku i Popullit” nga Kosova./ KultPlus.com

‘Martir’ me regji të Fatos Berishës, pjesëmarrëse në ‘SkupiFestival’

Të shtunën më 14 tetor në edicioni e njëmbëdhjetë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove ‘SkupiFestival’, do të jepet shfaqja nga Teatri i Qytetit të Gjakovës ‘Hadi Shehu’ ‘Martir’, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje që përfaqëson Kosovën në këtë festival në Maqedoni, vjen me regji të regjisorit Fatos Berisha.

Shfaqja sjellë në kastën e aktorëve: Besfort Berberi, Yllka Pylla, Edmond Hafizademi, Bujar Ahmeti, Muradije Muriqi, Arbies Komoni, Ylber Mehmeti, Yllka Lota, Myrvete Kurtishi dhe Ahmet Bakija.

‘Martir’, shfaqet të shtunën më 14 tetor me fillim nga ora 20:00 në QKR (MKC)-Salla Frosina ndërsa festivali ndërkombëtar i teatrove ‘SkupiFestival’, nisë nesër në Shkup/ KultPlus.com

“Psikoze n’4.48” me regji të Fatos Berishës, shfaqja më e mirë në BATTIF

Shfaqja me tekst të Sarah Kane ‘Psikozë n’4:48’, erdhi premierë vitin e kaluar në Kosovë nga regjisori Fatos Berisha.

Kurse në Balkan Teater Tirana Fest, që ka nisë më 29 shtator në Tiranë dhe është mbyllur sonte, shfaqja nga Kosova është shpallur si shfaqja më e mirë e këtij edicioni, shkruan KultPlus.
Kjo shfaqje nga Kosova ka pasë në garë edhe shfaqje të tjera nga rajoni si: Bosnje dhe Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia…

Në ‘Psikozë n’4:48’ luajnë aktorët: Mevlan Saraçi, Edona Berisha, Ekrem Jakupi, Jajush Ramadani, Ali Krasniqi, Sherif Bega, Arben Marevci dhe Milot Salihu./ KultPlus.com

Fatos Berisha me ‘Psikozë n’4:48’ në festivalin BATTIF

Shfaqja me tekst të Sarah Kane ‘Psikozë n’4:48’, erdhi premierë vitin e kaluar në Kosovë nga regjisori Fatos Berisha. Kësisoj kjo shfaqje e cila udhëtoi goxha shumë tashmë do të merr pjesë edhe në festivalin BATTIF në Tiranë, shkruan KultPlus.

Balkan Teater Tirana Fest nis më 29 shtator dhe sjellë gjithsej katër shfaqje nga Bosnje dhe Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia e Kosova. Festivali përfundon më 1 tetor me shfaqjen e Fatos Berishës e cila nis me fillim nga ora 18:30.

Në ‘Psikozë n’4:48’ luajnë aktorët: Mevlan Saraçi, Edona Berisha, Ekrem Jakupi, Jajush Ramadani, Ali Krasniqi, Sherif Bega, Arben Marevci dhe Milot Salihu./ KultPlus.com

Gashi: MKRS-ja do të jetë e hapur për një bashkëpunim më të madh me shoqërinë civile

Ministri Kujtim Gashi, ka takuar drejtuesit e Rrjetit të Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës (RRIPAK), të udhëhequr nga drejtori ekzekutiv Albert Heta dhe anëtarët tjerë të bordit, profesori Fadil Hysaj, regjisori Fatos Berisha e Sali Shoshi nga CHwB.

Në takim u diskutua për situatën kulturore në vend dhe se si ajo të përmirësohet dhe aktivitetet kulturore brenda dhe jashtë vendit të prezantohen sa më mirë. Në lidhje me këtë, ministri Gashi ofroi gatishmërinë e plotë të tijën personale por edhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të punuar bashkërisht ashtu që politikat kulturore dhe implementimi i tyre të jetë që kultura të ketë rolin dhe vendin e vet meritor në vend dhe në skenën kulturore ndërkombëtare. “Ministria do të jetë adresa e duhur për përkrahjen e kulturës dhe do të jetë një derë e hapur për bashkëpunim të mirëfilltë në të mirë të kulturës dhe mbështetje të vlerave”, tha ministri.

Ministri e vlerësoi punën që bëjnë institucionet dhe organizatat e pavarura kulturore, duke qenë një faktor i rëndësishëm që e mban gjallë kulturën në vendin tonë, e që në bashkëpunim edhe me institucionet nacionale, duke filluar me MKRS-në, e përmbushin mozaikun që kultura të jetë një tërësi./ KultPlus.com