Tragjeditë dhe humbjet njerëzore gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk duhet harruar asnjëherë.
Marrë shkas nga tregimi i Saranda Bogujevcit, e cila mbrëmë në Beograd pati mundësinë që para audiencës të flasë për familjen e saj dhe për krimet e Serbisë në Kosovë, ne sot po e rikujtojmë këtë histori e cila nesër, me 28 mars, bëhet një histori e vuajtjes 19 vjeçare.
Natasha Kandiq, një aktiviste për të drejtat e njeriut, kësisoj e përshkroi lajmërimin e rastit Bogujevci në Prishtinë, në vitin 2008.
“Me ne janë Saranda dhe Fatos Bogujevci nga Podujeva. Më 28 mars të vitit 1999 ajo kishte dy muaj pa i bërë 14 vjet; Fatosi kishte 12 vjet, pas gjithë asaj që ndodhi, në korrik ai i mbushi 13 vjet. Ata i kishin familjet e tyre, vëllezërit e tyre, motrat e tyre. Dolën nga ajo ngjarje, asnjëri prej tyre nuk ka më nënë dhe ajo që ata përjetuan, ajo që u ndodhi atyre nëse do të mund të mos i ndodhte asnjë fëmije në botë do të ishte diçka e natyrshme për t’u kërkuar, për të pritur dhe për të luftuar për atë. Unë do ta lus Sarandën dhe Fatosin që ata bashkërisht të përpiqen të tregojnë se çka u ka ndodhur dhe ata janë të parët. Në viitn 2003 ata erdhën në Beograd për të dëshmuar. A mund ta paramendoni, në vitin 2003, kjo është pra pas më pak se katër vjet të plota, ata të dy, baballarët, vëllezërit dhe motrat e tyre vendosën të vinin dhe të dëshmonin përpara gjykatës në Beograd sespe ata e kuptuan se kjo është e vetmja gjë që ata mund të bëjnë për të gjithë ata që u vranë më 28 mars. Nuk ishte e lehtë që fëmijët të cilët me sytë e tyre i shikuan vrasjet të vinin në Beograd dhe të shihnin uniforma në rrugë. Por edhe Saranda edhe Fatosi që atëherë kishin kuptuar se e vetmja gjë që ende mund të bënin, ishte të përpiqeshin që faktet të vërtetoheshin, në mënyrë që ata të mund të dëshmonin publikisht. Dhe pastaj vetëm Saranda dëshmoi përpara gjykatës së hapur, përpara publikut, Fatosi ishte i mitur, ai dëshmoi në seancën e mbyllur por askush nuk mund ta përballonte dhe të ballafaqohej me atë për të cilën Saranda fliste. Nëse ekziston ndonjë drejtësi, atëherë unë ndjeva se ajo që u ka ndodhur atyre prapëseprapë ndryshon diçka. Një pjesëtar i Skorpionëve u lajmërua atëherë dhe më tha, ai kishte qenë atje në atë kohë, kishte parë se çka kishte ndodhur dhe ka dalur para gjykatës dhe ka folur për atë që ka ndodhur. Por unë nuk do të flas më për këtë sepse tani në Beograd ende po zhvillohet gjykimi ndaj katër pjesëtarëve të ri të Skorpionëve të cilët gjithashtu morën pjesë në këtë ngjarje. Por ja, do ta lus edhe njëherë Sarandën dhe Fatosin që të përpiqen ta tregojnë ngjarjen, e këtu, në rendin e tretë është Enver Duriqi dhe unë e lus që të përmbahet, sepse ai i ka [humbur] të katër fëmijët e tij, bashkëshorten, i kanë mbetur vetëm rruzujt lodër të cilët i mban në xhep që nga ajo kohë. Asgjë nuk i ka mbetur më pas kësaj. Pas atij 28 marsi.”
Më poshtë po e sjellim edhe dëshminë e Saranda Bogujevcit bashkë me vllaun e saj, Fatosit, në vitin 2014-të, në kuadër të iniciativës KOMRA. / KultPlus.com