Federata e Futbollit e Zvicrës ka dalë me njoftim pas tërheqjes së Xherdan Shaqirit nga përfaqësuesja helvetike e futbollit. Federata e Futbollit e Zvicrës ka falënderuar Shaqirin për kontributin e dhënë për fanellën e Zvicrës.
“Dëshirojmë t’u falënderojmë shumë për paraqitjet e shumta të paharrueshme, për golat dhe asistimet e mrekullueshme në përfaqësuese dhe ju dëshirojmë të gjitha të mirat dhe shumë suksese në të ardhmen. Ju me lojën dhe golat tuaj keni prekur dhe pushtuar zemrat tonë dhe të tifozëve”, shkruan në njoftimin e Federatës së Futbollit të Zvicrës.
Shaqiri bëri debutimin e tij për Zvicrën në mars të vitit 2010 në miqësoren kundër Uruguait në St. Gallen. Ai shënoi golin e tij të parë gjashtë muaj më vonë në St. Jakob-Park të Baselit në humbjen 3:1 kundër Anglisë. Kundër të njëjtës përfaqësuese, ai dha një emocion të jashtëzakonshëm gati dhjetë ditë më parë, kur si zëvendësues në çerekfinale të “Euro 2024”, në minutën e 118-të goditi traversën nga gjuajtje e lirë.
Shaqiri luajti për Zvicrën në Evropianin e Gjermanisë dhe ka shënuar golin e barazimit 1:1 në ndeshjen e fazës grupore kundër Skocisë.
Ky gol e bëri Shaqirin lojtarin e vetëm që ka shënuar të paktën një gol në çdo Botëror dhe Evropian që nga viti 2014.
“Një pjesë e madhe e historisë së Zvicrës shoqërohet me Shaqirin. Mesfushori sules ka qenë njeriu i momenteve të veçanta në vitet e fundit”, shkruan në shkrimin e federatës zvicerane të futbollit. Me 123 ndeshjet e tij, Shaqiri është lojtari i dytë i Zvicrës me më së shumti paraqitje pas Granit Xhakës. Por Shaqiri është i pakrahasueshëm kur bëhet fjalë për golat e Zvicrës në finale. Ai shënoi dhjetë herë në Kampionatin Botëror dhe Evropian.
Federata e Futbollit e Kosovës është bërë pjesë e fushatës “Bashkohu, Shpëto Jetë“ të organizatës “Action for Health”, në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin te Fëmijët, me ftesë të kryetarës së kësaj organizate, Nezaqete Rukovci.
Me këtë rast, sot, presidenti Agim Ademi, në shoqëri të drejtorit të Kombëtares, Muharrem Sahiti dhe futbollistëve Samir Ujkani, Vedat Muriqi, Amir Rrahmani e Milot Rashica si dhe kreut të grupit të tifozëve “Dardanët”, Lulzim Berisha, e kanë vizituar Klinikën e Pediatrisë në Prishtinë, me ç‘rast kanë bërë shpërndarjen e fanellave, topave dhe shalleve të kombëtares për fëmijët që janë të shtrirë në këtë klinikë për mjekim.
Presidenti Ademi ka falënderuar stafin e kësaj klinike për kujdesin e vazhdueshëm ndaj fëmijëve të prekur me kancer, si dhe shprehu gatishmërinë e FFK-së për të mbështetur fushatat e ndërgjegjësimit të kësaj klinike, por edhe për format e tjera të përkrahjes e bashkëpunimit. Ademi dhe futbollistët e kombëtares uruan që fëmijët e shtrirë në këtë klinikë sa më parë ta kalojnë këtë sfidë dhe t’u kthehen familjeve të tyre dhe jetës normale.
Ndërkaq, drejtoresha e SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu Raci dhe stafi i Klinikës së Pediatrisë në krye me drejtoreshën Violeta Grajçevci Uka i falënderuan krerët e FFK-së dhe futbollistët e Kombëtares që iu përgjigjen pozitivisht ftesës për t’u bërë pjesë e fushatës në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin te Fëmijët.
Gjatë vizitave në Repartin e Onkologjisë, njëri nga pacientët u shpreh tejet i lumtur që pati rastin t’i takojë yjet e Kombëtares dhe i pyeti ata për ndjenjën e të shënuarit gol në fanellën dardane, teksa theksoi se pikërisht atë ndjenjë gëzimi do ta ketë edhe ai kur të shërohet nga sëmundja dhe kur do të ketë mundësinë për të qenë në tribunat e stadiumit në përkrahje të futbollistëve të Kombëtares drejt triumfeve të reja. /KultPlus.com
Sporti në Kosovë ka shënuar një ngritje të madhe në gjithë fushat e saj vitet e fundit, duke korrur suksese të mëdha, përpos në vend, edhe në arenën ndërkombëtare, shkruan KultPlus.
Albin Tahiri, është njëri ndër skitorët që ka shënuar histori dhe ka krijuar një “brend” të vetin për vendin më të ri në kontinentin e vjetër.
Në një intervistë ekskluzive për KultPlus, Tahiri thotë se pjesa e të shkruarit histori për Kosovën është gjithnjë ndjenjë krenarie.
“Po në të vërtet unë kam shkruar histori në disa raste, isha i pari që kam fituar një medalje të artë në gara ndërkombëtare për Kosovën, skiatori i parë që nisi kupën e Evropës, dhe më pas edhe Kupën e Botës, duke marrë pjesë për herë të parë në histori në kampionatin botëror (St. Moritz 2017) dhe gjithashtu në lojërat e para olimpike dimërore. në Pyeong Chang 2018”.
Tahiri thotë se kjo ishte pikërisht ajo se çfarë po planifikonte ai nga fillimi i karrierës.
“Kur unë vendosa që të përfaqësoj Kosovën në vitin 2008, plani im ishte që të ngriste cilësinë e skijimit në Kosovë, t’i sjell tituj Kosovës dhe gjithashtu të marrë pjesë në Lojërat Olimpike, pak a shumë diçka të cilën e kam bërë tanimë”.
Ai beson se tani është koha që të tjerët të vazhdojnë ta bëjnë këtë rrugëtim të tij.
“Pa marrë parasysh se sa herë marrë pjesë, unë gjithmonë ndjehem krenar dhe e bëjë këtë punë me pasion”, deklaroi ai kur u pyet për sigurimin në Lojërat Olimpike “Pekini 2022”.
Një moment i vështirë në karrierën e tij ishte pikërisht kualifikimi në këtë vit, në diciplinën e shpjetësisë, e gjitha kjo ndodhi për shkak të vështirësive që paraqiten në pistë.
“Për sllallomin dhe sllallomin gjigant për mua nuk është aq e vështirë. Mund ta bëj më lehtë me përvojën që kam krijuar ndër vite, sepse kriteret nuk janë aq të vështira”, deklaron ai.
Sportisti ndanë edhe një pjesë emocionuese me të gjithë, duke thënë se kishte pritur të kualikohej edhe dikush tjetër përkrahë tij në garat e Pekinit.
“Ndjehem shumë i lumtur që këtë herë nuk do ta përfaqësoj Kosovën i vetëm, por së bashku me Kianën. E kam thënë këtë edhe në konferencën për shtyp me Komitetin Olimpik të Kosovës, dhe kjo në fakt ndodhi me Kianën”.
Sa i përket të ardhmes dhe “trashëgiminë” që do t’ia lë pasardhësve të tij, Tahiri beson se është në duar të sigurta.
“Më vjen keq që nuk mundëm ta dërgojmë edhe Arbi Pupovcin, doja t’i jepja vendin tim në sllallom, sepse ai po fokusohet më shumë në të se sa unë. Por për fat të keq kemi vetëm një djalë dhe një vajzë pjesëmarrëse. Por sido që të jetë, mendoj se kemi njëfarë potenciali të madh pas meje me Kiana Kryziun, Arbi Pupovcin, Drin Kokajn, Dren Spahiun dhe disa skiatorë të rinj nga Prishtina. Ata po bëjnë vërtet punë të madhe, kështu që nuk kam aspak frikë për Olimpiadën e ardhshme”.
Kosova dhe sukseset e saja historike në botën e sportit
“Sporti është një nga arsyet që Kosova është e njohur në mbarë botën. Shikoni vetëm xhudistët, çfarë kanë bërë me medaljet e arta. E mahnitshme. E njëjta gjë vlen edhe për mua dhe me skijimin tim për në Kosovë. Në fillim, të gjithë po shikonin se kush është ky djalë, nga vjen? Tani çdo organizim që ka të bëjë me skijim më njeh mua/ne dhe i pëlqen kjo gjë “oh, ky është djali nga Kosova”… kështu që mendoj se sporti është mënyra më e mirë për të promovuar Kosovën”.
Politika,pjesë e pandshme e sportit, u bë shkas që ai të mos merrte pjesë në gara të skijimit
“ Pjesa më e vështirë për mua ishte periudha kur nuk ishim anëtarë të plotë të Organizatës Ndërkombëtare të skijimit dhe IOC. Sepse në atë kohë isha shumë mirë, ndoshta edhe më mirë se sot, por nuk më lejuan të merrja pjesë në ngjarjet më të mëdha, për shembull Soçi 2014. Të ulesh në shtëpi dhe të shikoje Olimpiadën në TV, mungesa atje për shkak të politikës, ishte e dhimbshme”.
Mbajtja e Flamurit të Kosovës në Lojërat Olimpike 2018.
“Një pjesë të veçantë në karrierën time që do ta vlerësoja është ceremonia e hapjes së mbrojtjes në Pyeong Chang 2018 dhe mbajtja e flamurit të Kosovës nëpër stadium. Nuk do ta harroj kurrë atë”.
Në fund ai shplaos copëza nga jeta e tij personale, duke treguar se tanimë ka arritur gjithçka që ka ëndërruar.
“Ëndrrat e mia janë bërë tashmë realitet. Unë arrita në Lojërat Olimpike, u diplomova në fakultetin e mjekësisë, aktualisht specializimi i kirurgjisë orale (rezidencë), kështu që kam gjithçka që doja. Shpresoj vetëm që të vazhdojë kështu dhe do të arrij atë që doja në jetën time”.
Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022, do të mbahen në Pekin të Kinës, prej 4 -20 shkurt. /KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka nënshkruar sot memorandume bashkëpunimi me nëntë federata, konkretisht me Federatën e Atletikës së Kosovës, Federatën e Boksit, Federatën e Karatesë, Federatën e Mundjes, Federatën e Notit, Federatën e Ping Pongut, Federatën e Sportit Shkollor, Federatën e Tenisit dhe Federatën e Xhudos të Kosovës.
Në emër të MKRS-së, memorandumet janë nënshkruar nga ministrja Vlora Dumoshi, ndërkaq në emër të federatave sportive memorandumet janë nënshkruar nga kryetarët e federatave përkatëse.
Qëllimi i memorandumeve është mbështetja financiare e federatave respektive në realizimin e objektivave dhe synimeve që ato kanë planifikuar për këtë vit. Përkrahja bëhet në bazë të rregullores për kategorizim dhe në bazë të vendimit të ministres Dumoshi për caktimin e vlerës së pikëve.
Me këtë rast, ministrja i njoftoi kryetarët e federatave se menjëherë pas nënshkrimit do të ndërmerren hapat e procedurat për transferimin e mjeteve financiare në xhirollogaritë e federatave për çerekun e parë të vitit, ashtu që federatat ta kenë më të lehtë ta përballojnë situatën e vështirë nëpër të cilën po kalojmë.
“Përmes memorandumeve që i nënshkruam sot me nëntë federata po vazhdojmë të tregojmë se institucion i gjendemi afër federatave dhe sportit në përgjithësi. Dje kemi nënshkruar pesë memorandume, dhe do të vazhdojmë edhe nesër të shkruajmë memorandumet me federatat tjera”, paralajmëroi ministrja duke sqaruar se në këtë kohë pandemie secila organizatë sportive ka nevojë për përkrahje.
Ministrja i informoi kryetarët e federatave se sporti do të përkrahet edhe nga fondi emergjent i ndarë për MKRS-në. Ajo uroi që kjo situatë e vështirë që po kalojmë të gjithë që të kalojë sa më shpejtë dhe porositi kryetarët e federatave dhe përmes tyre sportistët që të tregohen të kujdesshëm për shëndetin e tyre, por edhe vazhdimisht të përgatiten e të ushtrojnë sa të kenë mundësi pa i rrezikuar të tjerët dhe pa e rrezikuar as veten.
Ndërkaq, kryetarët e federatave e falënderuan ministren Dumoshi dhe u shprehën se do të vazhdojnë të angazhohen dhe të jenë të gatshëm që me kalimin e pandemisë t’i kthehen edhe më fuqishëm garave dhe sukseseve. / KultPlus.com