Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka pritur në takim drejtuesit e Federatës së Bjeshkatarëve Alpiniste të Kosovës. Në këtë takim ishin të pranishëm kryetari i Federatës, Arben Lila, nënkryetarja dhe njëkohësisht shqipëruesja e librit, Teuta Bicaj, si dhe alpinisti dhe shqipëruesi i librit Abdurahim Abdushi.
Gjatë këtij takimi ministres Dumoshi iu dhurua libri “Aftësitë Bjeshkatare: Shkolla Verore”, i shqipëruar nga prof. Teuta Bicaj dhe Abdurahim Abdushi, si shenjë mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme që i jep sportit. Libri në fjalë është vepër e krijuar nga Federata Ndërkombëtare e Bjeshkatarisë dhe Alpinizmit (UIAA) në bashkëpunim me Fondacionin “Petzl”. Ky libër është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Aftësitë Bjeshkatare: Shkolla Verore” është një libër mësimi, i cili i dedikohet bjeshkatarëve, kacavarësve dhe alpinistëve, të cilët dëshirojnë të përparojnë në ushtrimin e aktivitetit të tyre të preferuar, duke përvetësuar njohuri dhe aftësi të reja. Libri është hartuar si një dokument referimi për bjeshkatarë dhe alpinistë, e posaçërisht për udhëheqës në bjeshkë dhe instruktorë të federatave dhe klubeve anëtare të Federatës Ndërkombëtare të Bjeshkatarisë dhe Alpinizmit (UIAA), anëtare e së cilës, me të drejta të plota, që nga viti 2011, është edhe Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës (FBAK).
Me këtë rast, ministrja Dumoshi tha se “për mua është kënaqësi të pranoj nga ju një libër kaq të veçantë, i cili qenka më shumë se libër, pasi që tregon saktësisht , në mënyrë të ilustruar bukuritë e vendit tonë. Unë ju uroj për botimin e këtij libri dhe ju premtoj mbështetje edhe në të ardhmen, pasi që si Ministri e Sportit kemi synim dhe prioritet që të avancojmë sportin e vendit tonë”.
Ndërkaq, kryetari i Federatës Bjeshkatare e Alpiniste të Kosovës, Arben Lila, falënderoi ministren Dumoshi për pritjen dhe mbështetjen dhe tha se ky libër është mjaft voluminoz me përmbajtje të gjerë, i cili iu dedikohet bjeshkatarëve, kacavarësve dhe alpinistëve, të cilët dëshirojnë të përparojnë në ushtrimin e aktivitetit të tyre të preferuar. / KultPlus.com