Të shtunën mbahet turneu për nder të Legjendës Fadil Vokrri

Në organizim të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), të shtunën, më 23 korrik, do të mbahet turneu kushtuar Legjendës, Fadil Vokrri, me rastin e ditëlindjes së tij.

Në këtë turne do të marrin pjesë veteranët e Përfaqësueses së Kosovës, veteranët e Kombëtares së Shqipërisë, veteranët e KF Llapit dhe veteranët e FC Prishtina.

Në ndeshjen e parë të turneut do të takohen Llapi-Prishtina, në orën 17:30, derisa në orën 19:00 do të zhvillohet ndeshja Kosovë-Shqipëri.

Ky turne do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK, teksa të ftuar do të jenë familjarët e Legjendës dhe ish-bashkëlojtarët, si Ramadan Cimili, Erdogan Celina, Skënder Shëngyli, Esat Mehmeti, Rafet Prekazi etj.

Po ashtu, të ftuar janë edhe drejtues të institucioneve të nivelit lokal të Podujevës dhe Prishtinës si dhe atyre të nivelit qendror.

FFK po ashtu u bën ftesë publike të gjithë dashamirëve të futbollit që të jenë të pranishëm në këtë turne, që në mënyrë sa më madhështore të nderohet vepra dhe karriera e Legjendës. /KultPlus.com

FFK njofton për rregulla që duhen respektuar nga tifozët

Federata e Futbollit të Kosovës ka publikuar rregullat që duhen respektuar nga të gjithë tifozët që kanë siguruar bileta për ndeshjen e nesërmes mes Kosovës dhe Greqisë.

FFK-ja njofton se rruga rreth stadiumit do të jetë e bllokuar për automjetet, ndërsa këmbësorëve ju lejohet lëvizja

Në ndërkohë kanë rekomanduar që ardhja në stadium të bëhet më së voni një orë para ndeshjes.

FFK njofton po ashtu se Policia e Kosovës do të jetë e vendosur në perimetrin e dytë, me ç’rast do të bëjë filtrimin e shikuesve për moslejimin e bartjes së gjësendeve të palejuara apo të rrezikshme në portat hyrëse.

Gjërat e palejuara përfshijnë:
*Mjetet piroteknike
*Shishet e qelqit pavarësisht madhësisë
*Shishet e plastikës pavarësisht madhësisë
*Pijet alkoolike dhe substancat narkotike
*Ushqim i çfarëdo lloji (përveç ushqimit të fëmijëve 24 muajsh
*Ombrella
*Armë zjarri ose armë të ftohta apo cfarëdo mjeti tjetër që mund të përdoret si armë
*Sende të rënda (çanta shpine, karrige të palosshme, etj).
*Kamera profesionale dhe video kamera
*Çdo material promovues racist, ksenofobik, politik, fetar

FFK në njoftimin zyrtar thotë se ata të cilët nuk posedojnë bileta nuk do ta kenë mundësinë të ofrohen tek hyrja në portat ku bëhet kontrolli dhe leximi i biletave.

Nesër nuk lejohet poashtu as operimi me dron.

Federata e Futbollit të Kosovës kërkon nga qytetarët që maksimalisht të respektojnë rregullat, në të kundërtën paralajmëron se mund të jenë subjekt i ndëshkimit nga organet ligjore.

Nesër, me fillim nga ora 20:45, Kombëtarja e Kosovës zhvillon ndeshjen e dytë në kuadër të këtij sezoni të Ligës së Kombeve, ku në stadiumin “Fadil Vokrri” pret Greqinë. /KultPlus.com

Federata e Futbollit të Kosovës e prezanton logon e re

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e ka prezantuar logon e vet të re, në prag të fillimit të fushatës kualifikuese të Kombëtares për Kupën e Botës 2022.

Tri vjet pasi e shpalosi logon e parë që prej anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, e cila u prit me kritika dhe mospëlqim, organi qeverisës i futbollit kosovar e prezantoi logon e re të martën, raporton Gazeta Express.

Logoja është punuar një partneri i UEFA-s, emri i të cilit nuk është bërë i ditur.

“Në pajtueshmëri me UEFA-s, i është besuar një partneri të UEFA-s për ta bërë logon. Kjo kompani i ka bërë 28 logo të Federatave. Futbolli duhet të jetë pikë unifikuese”, ka thënë Alba Morina nga Zyra për Marketing e FFK-së.

Logoja e re përbëhet nga tri ngjyra, ari, bardh dhe kaltër, me këtë të fundit që dominon. Me inicialet e federatës (FFK) të vendosura në kokë dhe gjashtë yjet e flamurit të Kosovës, që përfaqësojnë pakicat në vend, nën të, logoja përmban edhe një simbol dardan në formë rrethi, si dhe topin e futbollit.

Logoja e kaluar, dizajni i së cilës u kritikua bashkë me procesin sesi u bë ajo në vitin 2018, ishte shumë më e thjeshtë. Ajo përmbante yjet në flamurin e Kosovës dhe një top futbolli.

Me logon dhe fanellat e reja, Kosova do ta nisë fushatën e dytë kualifikuese për Kupën e Botës në historinë e Kombëtares të dielën e ardhshme më 28 mars.

Verdhekaltrit e presin Suedinë e Zlatan Ibrahimovicit në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet të dielën, para se të udhëtojnë drejt Sevillës për t’u përballur me Spanjën tri ditë më vonë. /KultPlus.com