Festivali jubilar XXX i Filmit në Sarajevë (SFF), i cili do të zgjasë deri më 23 gusht, u hap në Teatrin Kombëtar me premierën botërore të filmit artistik “Pas verës”, të regjisorit boshnjak fitues të çmimit Oscar, Danis Tanoviç.
Filmi i ri i regjisorit Tanoviç u shfaq njëkohësisht në Sarajevë në Teatrin Kombëtar, Kinemanë Verore Coca-Cola, Kinemanë Verore “Stari Grad” dhe Kinemanë Verore të Qendrës “Safet Zajko”, ndërsa shfaqje u mbajtën gjithashtu në Mostar dhe Tuzla.
Figura të shumta të njohura të jetës publike, politike dhe kulturore të Bosnje-Hercegovinës kanë kaluar në tapetin e kuq të SFF-së para Teatrit Kombëtar, mes të cilëve edhe ekipi i filmit “Pas verës”.
“Pas verës” është një dramë komedi për një grua të re që vjen në një ishull të largët për të zgjidhur çështjen e trashëgimisë familjare. Në një vorbull emocionesh të reja, përmes një sërë situatash të paparashikuara, Maja më në fund do të përballet me pyetje nga e kaluara e saj. Kërkimi i trashëgimisë bëhet kërkim i identitetit të vet, por edhe i faljes.
Rolet në film u luajtën nga Anja Matkoviç, Uliks Fehmiu, Goran Navojec, Mario Knezoviç, Marija Shkariçiç, Mirela Brekalo, Snjezhana Sinovçiç, Luka Juriçiç, Boris Ler, Ivana Roshçiç, Jadranka Matkoviç e tjerë.
Nikoqire e ceremonisë së hapjes në Teatrin Kombëtar të Sarajevës ishte aktorja boshnjake Maja Izetbegoviç.
Në kuadër të ceremonisë, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin kinematografik, regjisorit palestinez Elia Suleiman iu dha çmimi “Zemra e Nderit” e Sarajevës, të cilën ia dhuroi drejtori i SFF-së, Jovan Marjanoviç.
Përveç Suleimanit, disa nga fituesit e këtij viti të “Zemrës së Nderit” të Sarajevës janë aktorja Meg Ryan, aktori dhe regjisori John Turturro dhe regjisori, skenaristi dhe producenti Alexander Payne.
Një ditë para hapjes zyrtare të Festivalit XXX të Filmit në Sarajevë, në Kinema Verore Coca-Cola u shfaq filmi “Kuduz” në nder të të ndjerit Abdulah Sidran (1944-2024), në bashkëpunim me Qendrën e Filmit të Sarajevës dhe Shoqatën e Punëtorëve të Filmit të BH-së.
Më shumë se 250 filma nga e gjithë bota do të shfaqen në festivalin e këtij viti./atsh/ KultPlus.com