Vjollca Duraku
Një kombinim unik mes këngëve popullore shqiptare me ndikime moderne të muzikës xhaz, i sjellë mrekullisht nga artistja Vjollca Robelli- Mripa (AJO), ka dërguar publikun në një udhëtim të jashtëzakonshëm muzikor, në përmbyllje të Festivalit Ndërkombëtar të Artisteve dhe Aktivisteve -FemArt.
Tingujt e muzikës popullore të cilët puçeshin lehtas me identitetin e publikut në sallë, të përzier me një ngjyrë të veçantë të muzikës xhaz, kombinuar me ndjeshmërinë e teksteve dhe zërin magjepsës të artistes, i dhanë koncertit një karakter tejet unik. Kurse, performanca dhe lëvizjet skenike të artistes Robelli-Mripa përbënin art në vete.
Secila këngë e interpretuar paraqiste një perlë të trashëgimisë tonë kulturore apo një krijim nga vet shpirti i artistes, të cilat me këtë interpretim “të gërshetuar” në Kino Armata i jepnin zë të kaluarës po aq sa edhe të ardhmes, me një ndërthurje aq të bukur në temat të dashurisë, mëmësisë dhe qëndresës. Mbrëmja në prapavijë kishte instrumentistët: Oliver Dover me klarinetë dhe kavall, Nikos Ziarkas me kitarë, Gizem Altinordu me perkusone dhe Jamie Benzies me kitarë.
“Zare moj trëndafile”, “Kënga e Qamiles”, “Balluket e Ballit”, “Kur më del në derë”, “90’s”, “Nëna”, “Besa”, “25 gërsheta”, “Mora përpjetë kalanë”, “Jarnana”, janë këngët të cilat në koncertin “Gërshetat” u jetësuan në një dritë të re, duke u mbërthyer në zemrën e publikut si një thesar i çmuar, aty ku ruhet përjetësisht tërësia e eposit të brendashkruar e jashtëzakonisht të pasur të popullit shqiptar.
Momentet e pritjes, dhimbjes edhe gëzimit të pa përshkruar që sjellë lindja e fëmijës, si dhe dashuria e madhe e një nëne ndaj fëmijës të saj u sollën me këngën “Nënë’ si Himn i koncertit, dedikuar të gjitha nënave për sakrificat e tyre të padukshme, e të cilat “përjetohen por gjithmonë me një zëmër plotë, plotë dashuri”.
Kurse, kënga “90’s” e cila po ashtu ishte krijim i artistes Robelli- Mripa, ishte një performancë e ndierë, e cila i ishte kushtuar shokut të saj Ardianit, i cili ishte vrarë në rrugë, në moshën 13 vjeçare, në vitet e 90-ta nga regjimi serb. Kënga vinte si homazh i popullit për të kujtuar kohën kur shteti serb po mbyllte shkolla, helmonte dhe vriste njerëz, ngjarje këto të cilat fatkeqësisht edhe në ditët e sotme ngjajshëm po i përjetojnë edhe popuj të tjerë.
Fundi i koncertit që njëkohësisht shënonte edhe përmbylljen e edicionit të 12-të të Festivalit Femart u dha nëpërmjet një interpretimi të përbashkët mes publikut të ngritur në këmbë dhe këngëtares Vjollca Robelli- Mripa, e cila skenës në Kosovë i ishte rikthyer tre vite pas interpretimit të saj të fundit, në Prishtinë.
Në fund të koncertit, në një prononcim për media Vjollca Robelli-Mripa ka thënë se mbrëmja në perspektivën e saj ka qenë e mrekullueshme dhe se si të tillë e ka shijuar shumë.
“Ishte shumë mirë. Do të doja që publiku të ishte në këmbë për shkak të natyrës së këngëve, sepse kanë qenë këngë pak më ritmike. Mirëpo mirë, në fund të gjithë vallëzuan në këmbë. Jam shumë e kënaqur, ishte një natë e mrekullueshme, ka thënë ajo.
Këngëtarja Robelli- Mripa ka thënë se qëllimi i saj është të promovojë muzikën shqipe në vende të ndryshme të botës dhe se shkëmbimi të kulturave muzikore me muzicientë nga vende të ndryshme po krijon ritme të reja, të bukura.
“Unë kam filluar të punoj prej vitit 2018 me këngë të vjetra tona folklorike, këngë urbane, qytetare. Kam zgjedhur disa këngë të cilat janë të njohura, mirëpo i kemi riaranzhuar me ritme xhaz-i dhe me tinguj modern. Qëllimi është me e promovu muzikën tonë ndërkombëtarisht, pasi unë jetoj në Londër. Kam marrë pjesë në disa festivale atje, të cilat janë të nivelit ndërkombëtar, dhe ritmet dhe meloditë tona janë goxha të veçanta për një audiencë perëndimore këshu që është kënaqësi me i sjellë këto këngë me një frymë të re në një nivel ndërkombëtar”, ka thënë më tej ajo.
Festivali FemArt në edicionin e 12-të me moton “MOTËRZIMI: n’Kohë Lufte dhe Paqe”, brenda gjashtë ditësh para publikut është prezantuar me 30 aktivitete, këtu duke përfshirë punëtori, konferenca, shfaqje, filma, ekspozita dhe koncerte. Pjesë e festivalit ishin edhe 220 artistë dhe aktivistë nga 15 vende të ndryshme të botës si: Kina, Angola, Franca, Luksemburgu, Anglia, Argjentina.
Zana Hoxha, drejtoreshë e Festivalit FemArt tha se ndihej jashtëzakonisht e lumtur pasi me sukses kishin arritur të përmbyllnin të gjitha aktivitetet e festivalit.
“Jemi jashtëzakonisht të kënaqur me vlerat artistike dhe me temat që janë ndërthurur dhe janë trajtuar. Ky edicion na gjeti me një lloj empatie shumë të madhe te publiku. Jam e lumtur që gjithçka ka shkuar ashtu siç e kemi planifikuar, në disa raste edhe më mirë se sa që e kemi pritur. Sonte i përmbyllëm gjashtë netët e festivalit me 30 aktivitete, asnjë nuk na ka dështuar, të gjitha janë organizuar. Jam shumë e lumtur, që një gjë e tillë ndodhi në prezencën e qindra e mijëra njerëzve. Kjo më bën të lumtur shumë”, ka thënë drejtoresha Hoxha.
Po ashtu, drejtoresha Hoxha ka potencuar se motoja e festivalit MOTËRZIMI: n’Kohë Lufte dhe Paqe” ka gjetur zbatim gjatë kohështrirjes së festivalit, pasi përgjatë gjashtë ditëve ka ndodhur natyrshëm një proces ‘motërzimi’.
“Në këtë edicion është vërejtur që ka motërzim, pra që njerëzit zgjedhin motrat. Ideja ka qenë që nëse nuk ke motër, ose kur jo gjithmonë jemi të kënaqur me familjet në të cilat kemi lindur, ti e zgjedh familjen tënde. Familje e cila të gjendet në të mirë dhe në të keq. Familje e cila të përkrah. Kështu që ka qenë një farë motërzimi që ndodhi natyrshëm këto ditë. Panelet e diskutimit treguan që sot më shumë se kurrë solidariteti është i rëndësishëm dhe i nevojshëm” ka përfunduar drejtoresha Zana Hoxha.
Edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar të Artistëve dhe Aktivistëve -FemArt është mbajtur nga data 25 deri më 20 shtator. / KultPlus.com