‘FemArt’ nesër përmbyll edicionin me shfaqjen e baletit “Luxuria”

Në kuadër të festivalit ‘FemArt’ nesër prezantohet edhe shfaqja speciale e baletit “Luxuria” me regji të David Gutiérrez Molina, përcjell KultPlus.

Shfaqja e cila do të luhet në Tetarin Kombëtar të Kosovës do të fillojë nga ora 21:30, dhe njëkohësisht do ta përmbyllë këtë edicion të festivalit.

PREZANTIM SPECIAL: FLAMENKO BALETI “LUXURIA”/ SPANJË
Ora: 21:30 – 23:00
Vendi: Teatri Kombëtar i Kosovës, Prishtinë
Regjisor/Kërcimtar: David Gutiérrez Molina
Regjisore/Kërcimtare: Paula Sánchez Reyes
Kitarë: Jordi Centeno Alfaro
Bateri: Alberto Garrido Lopez
Saksofon: Rafael Palomares Soriano
Këngëtar: Joel Luque Muñoz
Kërcimtaret/ët: Alicia Reyes Gambin, Andrea Amaya Berge, Maria Bardolet Garcia, Alba Soto Díaz, Estefanía Victoria, Maiz Rubio.
Ndriçimi: Daniel Pecellín Vilar
Zërimi: Marcos Prieto Cervera
Menaxher: Jaime Trancoso González
Ilustrimi: Dima Nachawi
Dizajni: Arbër Matoshi

“Luxurîa”, me regji të David Gutiérrez Molina, është një shfaqje e cila ka gjithçka; nga seksi tek skandali, deri tek tronditja totale dhe e paprecedentë, dhe kombinimi i vallëzimit tradicional, atij modern dhe bashkëkohor i flamenkos e bën atë pa dyshim një nga prodhimet e reja më tërheqëse. Sinteza magjepsëse e stileve muzikore, që është kombinim midis muzikës klasike, xhazit dhe flamenkos konvencionale nënkupton që në skenë krijohet një ambient i bukur, lirik dhe megjithatë tragjik, dhe i mbushur me konflikte. / KultPlus.com

Dita e shtatë e ‘FemArt’ prezanton publikimin e raportit “Gjinia dhe Marrëdhëniet e Pushtetit”

Dita e 7-të e FemArt 10 nisi në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës me konferencën dhe publikimin e raportit “Gjinia dhe Marrëdhëniet e Pushtetit” – #Metoo Në Arte: Nga Thirrjet Tek Ndryshimi Strukturor, me autore Marta Keil (IETM), Katie Kheriji-Watts (OTM), i cili synon të trajtojë situatën në lidhje me seksizmin, ngacmimin, ngacmimin seksual, dhe abuzimin me pushtetin në botën e artit evropian.

Ky publikim nga IETM (Rrjeti Ndërkombëtar për Artet Performuese Bashkëkohore), On the Move – OTM, dhe FACE – Fresh Arts Coalition Europe është kulmi i punës së projektit SHIFT mbi Marrëdhëniet Gjinore dhe Pushtetit. Kjo temë përfshin çështje komplekse, si në shoqëri në përgjithësi ashtu edhe në sektorin kulturor. Në dritën e zhvillimeve që nga viti 2017, kur lëvizja #MeToo u ngrit në rëndësi globale, partnerët e SHIFT morën një vendim të përbashkët për t’u fokusuar në ngacmimin seksual dhe abuzimin me pushtetin në botën e artit evropian.

Ky aktivitet u hap nga presidentja e Kosovës, shkëlqesia e saj, dr. Vjosa Osmani – Sadriu, e cila dha një mesazh inspirues për të pranishmit dhe ndjekësit e rrjeteve sociale të FemArt, duke theksuar se secili hap drejt barazisë gjinore ka rëndësinë e vet, dhe të gjithë duhet të angazhohemi për një gjë të tillë.

“Ju falënderoj që nëpërmjet artit keni përzgjedhur që të përçoni mesazhe të rëndësishme për shoqërinë tonë dhe që nëpërmjet kësaj përpjekjeve e keni në qendër të vëmendjes pikërisht fuqizimin e grave dhe vajzave. Për mua dhe për gjithë zyrën time është nder që t’iu mbështesim sadopak në këtë rrugëtim, prandaj jam e sigurt se bashkëpunimi ynë do të intensifikohet çdo ditë e më shumë. Në luftën kundër pabarazive, kundër gjuhës së dhunës, abuzimit seksual, ngacmimit seksual, përdhunimit, paragjykimeve e padrejtësive si rezultat i mosbalancit në aspektin e pushtetit, dhe gjithnjë do të na keni në krah”, është shprehur Osmani.

Sipas saj ashtu siç është evidentuar edhe në raport, po aq sa janë të rëndësishme këto nisma dhe fushata për vetëdijësim, po aq i rëndësishëm është bashkëpunimi me njerëz që kanë pushtet brenda organizatave apo institucioneve, sepse përveç qasjes nga poshtë-lartë ne kemi nevojë për ndryshim strukturor, përmbajtësor e të qëndrueshëm.

“Ka nevojë për guxim të vazhdueshëm, insistim të vazhdueshëm, punë sistematike e këmbëngulje… Duhet ta kemi të qartë se çdo hap që na sjellë më afër realitetit të barazisë është një mundësi më shumë për ta luftuar mentalitetin dhe agresionin e ngacmimit seksual, të dhunës fizike, verbale e psiqike. Çdo hap në këtë drejtim është një hap më afër barazisë gjinore. Vajzat dhe gratë tona meritojnë vend të sigurt në punë, respekt nga të gjithë pa dallim, mirënjohje për punën dhe kontributin e tyre, vlerësim të mundid të tyre, mundësi të barabarta për avancim, garantim të sigurisë dhe ambientit të sigurisë në punë. Le të flasim sot zëshëm e të punojmë çdo ditë me bindje e përkushtim të plotë për më shumë barazi, dinjitet, respekt e fuqizim, si në art poashtu edhe në çdo fushë të jetës sonë pa dallim”, ka deklaruar Osmani.

Themeluesja dhe drejtoresha e Artpolis dhe Festivalit FemArt, Zana Hoxha, falënderoi presidenten për mbështetjen dhe prezencën e saj në një ngjarje kaq të rëndësishme.

Pas fjalëve hyrëse, bashkëautorja e Raportit Katie Watts bëri prezantimin e gjetjeve paraprake të raportit dhe rekomandimeve. Aktiviteti vazhdoi me dy panele diskutimi.

Pjesë e panelit të diskutimit “Ne duhet të flasim: Seksizmi dhe ngacmimi seksual në botën e artit” ishin Reyes Charle Cuellar, Këshilltare për Çështje Gjinore në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Elva Margariti, Ministre e Kulturës e Republikës së Shqipërisë (TBC), Katie Ëatts, Koordinatore e Kërkimeve dhe Publikimeve – Në lëvizje (OTM) / Belgjikë, Miriam Engel, Koreografe, Valltare, Artiste Performuese / Izrael, Nataša Novaković, Menaxhere Produksioni – Teatri DAH / Serbi, dhe Gazmend Ejupi, Artist, Ligjërues në UBT – (Universiteti për Biznes dhe Teknologji), Drejtor në Galerinë Paper.

Kurse pjesë e panelit të dytë të diskutimit “Krijimi i hapësirave të punës dhe vendeve të punës më të sigurta të artit” ishin Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Valdete Idrizi, Drejtore e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Mitrovicës, Vesa Sahatçiu, Këshilltare e Kryetarit të Komunës së Prishtinës për Kulturë, Vjollca Krasniqi, Ligjëruese në Universitetin e Prishtinës & Bashkëkryetare në Qendrën për Studime dhe Hulumtime Gjinore, UP, Visar Krusha, Drejtor i Teatrit të Qytetit të Prishtinës Dodona, Florent Mehmeti, Drejtor i Teatrit ODA.

Siguria në punë dhe ambienti i sigurt për të menduar, vepruar e angazhuar janë të rëndësie të veçantë për të gjithë artistët.

Fotografitë: Rilind Beqa / KultPlus.com

FemArt sivjet vjen nën moton “Nga revolucioni në evolucion”

Përmes një komunikate për media, qendra ArtPolis ka njoftuar se evolucioni feminist vazhdon, madje sipas tyre, sivjet edhe më i gjerë e më i plotë.

Sipas njoftimit, këtë vit artistë, aktivistë e feministë vendorë dhe ndërkombëtarë pikëtakohen sërish në Festivalin e parë feminist në Kosovë e më të madhin në rajon, FemArt.

“FemArt 10, për dhjetë ditë me radhë, 14-23 qershor 2022, vjen për të shpërfaqur aftësinë e grave artiste, për t’u përmbushur, inspiruar e për të gjetur paqen. Mblidhemi për të festuar një dekadë të njohjes e nderimit të guximit të grave artiste, fuqisë kreative, e angazhimit të tyre për barazi e drejtësi përmes shfaqjeve teatrore, performancave, baletit flamengo, vallëzimit bashkëkohorë, konferencave, ekspozitave e prezentimeve nga Kosova, Austria, Portugalia, Spanja, Izraeli, Italia e Franca. Një dekadë guxim, krenari e dashuri. Për një dekadë kemi krijuar ngjarje, thyer barriera e ndërtuar ura të reja të paqes në vend, rajon e më gjerë. Jemi rebeluar për të këputur fijet e patriarkatit, e shkundur mendësinë e dëmshme të së vjetrës”, thuhet në njoftim.

ArtPolis thotë se aktivizmi artistik-feminist vjen si një përgjigje për t’u shëruar e kuptuar, për të krijuar e transformuar shoqërinë e jetën, mbi të gjitha për të shkërmuar secilin nocion të normuar mbi pabarazinë.

“Ky angazhim ka frymuar falë dashurisë për artin, aktivizmin, jetën, ekzistencën, barazinë e drejtësinë. Në këtë 10-vjetorë, për dhjetë ditë ejani të festojmë e rebelohemi, argëtohemi e inspirojmë, performojmë e bëjmë thirrje për barazi, drejtësi, fuqizim e njohje të kontributit të grave, artisteve e aktivisteve deri në revolucionin e radhës”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com