Dita e shtatë e ‘FemArt’ prezanton publikimin e raportit “Gjinia dhe Marrëdhëniet e Pushtetit”

Dita e 7-të e FemArt 10 nisi në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës me konferencën dhe publikimin e raportit “Gjinia dhe Marrëdhëniet e Pushtetit” – #Metoo Në Arte: Nga Thirrjet Tek Ndryshimi Strukturor, me autore Marta Keil (IETM), Katie Kheriji-Watts (OTM), i cili synon të trajtojë situatën në lidhje me seksizmin, ngacmimin, ngacmimin seksual, dhe abuzimin me pushtetin në botën e artit evropian.

Ky publikim nga IETM (Rrjeti Ndërkombëtar për Artet Performuese Bashkëkohore), On the Move – OTM, dhe FACE – Fresh Arts Coalition Europe është kulmi i punës së projektit SHIFT mbi Marrëdhëniet Gjinore dhe Pushtetit. Kjo temë përfshin çështje komplekse, si në shoqëri në përgjithësi ashtu edhe në sektorin kulturor. Në dritën e zhvillimeve që nga viti 2017, kur lëvizja #MeToo u ngrit në rëndësi globale, partnerët e SHIFT morën një vendim të përbashkët për t’u fokusuar në ngacmimin seksual dhe abuzimin me pushtetin në botën e artit evropian.

Ky aktivitet u hap nga presidentja e Kosovës, shkëlqesia e saj, dr. Vjosa Osmani – Sadriu, e cila dha një mesazh inspirues për të pranishmit dhe ndjekësit e rrjeteve sociale të FemArt, duke theksuar se secili hap drejt barazisë gjinore ka rëndësinë e vet, dhe të gjithë duhet të angazhohemi për një gjë të tillë.

“Ju falënderoj që nëpërmjet artit keni përzgjedhur që të përçoni mesazhe të rëndësishme për shoqërinë tonë dhe që nëpërmjet kësaj përpjekjeve e keni në qendër të vëmendjes pikërisht fuqizimin e grave dhe vajzave. Për mua dhe për gjithë zyrën time është nder që t’iu mbështesim sadopak në këtë rrugëtim, prandaj jam e sigurt se bashkëpunimi ynë do të intensifikohet çdo ditë e më shumë. Në luftën kundër pabarazive, kundër gjuhës së dhunës, abuzimit seksual, ngacmimit seksual, përdhunimit, paragjykimeve e padrejtësive si rezultat i mosbalancit në aspektin e pushtetit, dhe gjithnjë do të na keni në krah”, është shprehur Osmani.

Sipas saj ashtu siç është evidentuar edhe në raport, po aq sa janë të rëndësishme këto nisma dhe fushata për vetëdijësim, po aq i rëndësishëm është bashkëpunimi me njerëz që kanë pushtet brenda organizatave apo institucioneve, sepse përveç qasjes nga poshtë-lartë ne kemi nevojë për ndryshim strukturor, përmbajtësor e të qëndrueshëm.

“Ka nevojë për guxim të vazhdueshëm, insistim të vazhdueshëm, punë sistematike e këmbëngulje… Duhet ta kemi të qartë se çdo hap që na sjellë më afër realitetit të barazisë është një mundësi më shumë për ta luftuar mentalitetin dhe agresionin e ngacmimit seksual, të dhunës fizike, verbale e psiqike. Çdo hap në këtë drejtim është një hap më afër barazisë gjinore. Vajzat dhe gratë tona meritojnë vend të sigurt në punë, respekt nga të gjithë pa dallim, mirënjohje për punën dhe kontributin e tyre, vlerësim të mundid të tyre, mundësi të barabarta për avancim, garantim të sigurisë dhe ambientit të sigurisë në punë. Le të flasim sot zëshëm e të punojmë çdo ditë me bindje e përkushtim të plotë për më shumë barazi, dinjitet, respekt e fuqizim, si në art poashtu edhe në çdo fushë të jetës sonë pa dallim”, ka deklaruar Osmani.

Themeluesja dhe drejtoresha e Artpolis dhe Festivalit FemArt, Zana Hoxha, falënderoi presidenten për mbështetjen dhe prezencën e saj në një ngjarje kaq të rëndësishme.

Pas fjalëve hyrëse, bashkëautorja e Raportit Katie Watts bëri prezantimin e gjetjeve paraprake të raportit dhe rekomandimeve. Aktiviteti vazhdoi me dy panele diskutimi.

Pjesë e panelit të diskutimit “Ne duhet të flasim: Seksizmi dhe ngacmimi seksual në botën e artit” ishin Reyes Charle Cuellar, Këshilltare për Çështje Gjinore në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Elva Margariti, Ministre e Kulturës e Republikës së Shqipërisë (TBC), Katie Ëatts, Koordinatore e Kërkimeve dhe Publikimeve – Në lëvizje (OTM) / Belgjikë, Miriam Engel, Koreografe, Valltare, Artiste Performuese / Izrael, Nataša Novaković, Menaxhere Produksioni – Teatri DAH / Serbi, dhe Gazmend Ejupi, Artist, Ligjërues në UBT – (Universiteti për Biznes dhe Teknologji), Drejtor në Galerinë Paper.

Kurse pjesë e panelit të dytë të diskutimit “Krijimi i hapësirave të punës dhe vendeve të punës më të sigurta të artit” ishin Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Valdete Idrizi, Drejtore e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Mitrovicës, Vesa Sahatçiu, Këshilltare e Kryetarit të Komunës së Prishtinës për Kulturë, Vjollca Krasniqi, Ligjëruese në Universitetin e Prishtinës & Bashkëkryetare në Qendrën për Studime dhe Hulumtime Gjinore, UP, Visar Krusha, Drejtor i Teatrit të Qytetit të Prishtinës Dodona, Florent Mehmeti, Drejtor i Teatrit ODA.

Siguria në punë dhe ambienti i sigurt për të menduar, vepruar e angazhuar janë të rëndësie të veçantë për të gjithë artistët.

Fotografitë: Rilind Beqa / KultPlus.com

Sot nis edicioni i dhjetë i FemArt

Sot nis edicioni i dhjetë i FemArt.

Për dhjetë ditë, FemArt ka përgatitur program të larmishëm.

Hapjen e këtij edicioni e shënon shfaqja premierë “Kosova: Toka e shpirtrave të trazuar”.

Ky projekt nga Trupa Artistike e Artpolis së bashku me artistë të rinj të muzikës dhe dansit vjen përmes fragmenteve të ndryshme poetike apo teksteve të mbushura me dhimbje, kushtrim, shpresë e forcë dhe si imazhe të reziliencës sonë kolektive.

“Kosova: Toka e Shpirtrave të Trazuar” përmes akteve kronologjike përshkruan njërën ndër etapat më të rëndësishme të kosovarëve drejt asaj që e kishin ëndërruar ndër shekuj, lirisë.

Me dy performancat e tyre akrobatike nga Shqipëria ndizet dita e dytë të Festivalit FemArt, më 15.06.2022.

Për të vazhduar me aktivitetin e mbyllur: Punëtorinë “Qytetet Natën” të artistes italiane, Valentina Medda.

Derisa koncerti i këngëtares, tekstshkrueses dhe instrumentistes multi-disiplinare, Christine Salem, e mbyll ditën e dytë të FemArt me performancën e saj në Teatrin Oda.

Tema e ndryshimeve klimatike është me rëndësi për Festivalin FemArt, prandaj në ditën e tretë të edicionit të 10-të ata sjellin punëtorinë “Mozaiku Klimatik” nga Marie Grovel dhe Ben Dida.

Po atë ditë para publikut në Prishtinë do të prezantohet shfaqja “Babai dhe Babai” me autor Jeton Neziraj dhe regji të Kushtrim Koliqit.

FemArt 10 sjell katër aktivitete në Ditën e 4-të për fuqizim, inspirim dhe reflektim.

Dita e 5-të e FemArt 10 sjell në Teatrin Kombëtar të Kosovës shfaqjen “Burrat” nga Portugalia, një komedi për jetën, vdekjen dhe lirinë.

Në ditën e 6-të të Festivalit FemArt dy performanca nga artistët Dijana Milosevic në Graçanicë mban ligjëratë dhe prezanton performancën “25 Gota Verë”.

Ndërsa në Prishtinë zë vend shfaqja “Burrneshat” me autor Jeton Neziraj dhe regji të Erson Zymberit.

“Me “25 Gota Verë”, performancë dhe ligjëratë nga artistja Dijana Milošević, hapet Dita e 6-të e Festivalit FemArt, që do të mbahet në Shtëpinë e Kulturës në Graçanicë. Për të vazhduar me shfaqjen “Burrneshat” në Teatrin Oda në Prishtinë. Shfaqje që trajton fenomenin e burrneshave, nën dritën edhe të debatit të tanishëm mbi çështjet gjinore, konceptin e lirisë, respektivisht mos-lirisë në shoqëritë me vlera, koncepte e konstrukte të ndryshme shoqërore”, thuhet në njoftimin e faqes zyrtare. / KultPlus.com

“Nga Revolucioni në Evolucion” 10 vjet me FemArt Festival

Festivali i parë feminist në Kosovë e më i madhi në rajon, FemArt sjell edicionin e 10-të për dhjetë ditë me radhë, 14-23 qershor, 2022, i cili vjen për të shpërfaqur aftësinë e grave dhe burrave artiste/ë dhe aktiviste/ë, për t’u përmbushur, inspiruar e për të gjetur paqen. Nën moton “Nga Revolucioni në Evolucion” gra e burra, të reja e të rinj, artiste dhe artistë, aktiviste dhe aktivistë mblidhen për të vazhduar evolucionin feminist, për të inspiruar dhe sjellë ndryshimin. FemArt feston një dekadë të njohjes dhe nderimit të guximit të grave artiste dhe aktiviste, fuqisë kreative, dhe angazhimit të tyre për barazi e drejtësi.

Edicionin e dhjetë e hap shfaqja premierë “Kosova: Toka e Shpirtrave të Trazuar” me autore Shqipe Malushin, dhe regji të Zana Hoxhës. Kjo shfaqje është një dëshmi e përjetimeve të shumë grave që vjen si thirrje për të kujtuar dhe pranuar të kaluarën, ndryshuar të tashmen, dhe ndërtuar të ardhmen. Poezitë në lëvizje të Shqipe Malushit dramatizohen, inskenohen e jetësohen nga Trupa Artistike e Artpolis më 14 qershor, 2022, nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Image

FemArt nisi nga një ide, një dëshirë, një zotim, dhe një pasion për një shoqëri të drejtë dhe të barabartë për të gjithë. Feminizmi si koncept para së gjithash e mbi të gjitha përfshin respektimin e të drejtave dhe mundësive të barabarta për të gjitha gjinitë. Aktivizmi ynë artistik-feminist vjen si një përgjigje për t’u shëruar e kuptuar, për të krijuar e transformuar shoqërinë e jetën.

Një dekadë e artit të angazhuar kulmon me prezantimin e 24 aktiviteteve të artisteve/ëve dhe aktivisteve/ëve nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Gjermania, Austria, Portugalia, Spanja, Izraeli, Reunion Island, Italia dhe Franca që sjellin shfaqje teatrore, balet flamenko, vallëzim bashkëkohorë, koncert, konferenca, diskutime, trajnime dhe punëtori. Aktivitete këto që do të zënë vend në Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin Dodona, Teatrin Oda, Bibliotekën Kombëtare dhe Muzeun Etnologjik “Emin Gjiku”.

Gratë artiste sjellin, fuqizojnë dhe inspirojnë përmes shfaqjeve teatrore, koncerteve, punëtorive e trajnimeve; “Pa zë” me regji të Klaudia Pirolit, “Në prag të thyerjes” nga Dekadenca dhe Markiza de Sada, “Nata e Divave” nga Dekadenca dhe Lady K, “Enigma e Revolucionit” me regji të Dijana Milošević dhe dramaturgji të Duca Knezheviq, “Ndal luftën” nga Miriam Engel, “Cities by Night” nga Valentina Medda, koncert nga Christine Salem, akrobacione dhe lojë me flakë nga Këmbëgjatat, muzikë elektronike nga M.i.M b2b Anitë, trajnim mbi feminizmin me Nevenka Rikallo, trajnimi për vetëmbrojtje “Çikat e Sjellshme”, si dhe konferenca dhe publikimi i raportit “Marrëdhëniet Gjinore dhe Pushteti” me autore Marta Keil dhe Katie Kheriji-Watts.

Inspiron edhe ilustrimi i fitueses së thirrjes ndërkombëtare të Festivalit FemArt, Dima Nachawi, një artiste feministe nga Siria, e cila thekson se, “gratë janë pjesë e pandashme e natyrës, të afta të rilindin edhe nga toka e tharë dhe të zhvillohen drejt diellit, si simbol i lirisë dhe evolucionit. Fuqia e saj rrezaton jetë, ngrohtësi dhe forcë në zemrat e komuniteteve tona”.

Ndërvite FemArt ka bashkëpunuar e krijuar edhe me artistë dhe aktivistë burra, të cilët ndajnë vlerat e përbashkëta feministe. Dhe në veprat e tyre zë vend të rëndësishëm ngritja e vetëdijes për barazi gjinore dhe fuqizim të grave. Kjo vazhdon edhe sot, me veprat si: “Babai dhe Babai” me regji të Kushtrim Koliqit dhe autorësi të Jeton Nezirajt, “Vals i Këputun” me regji dhe koreografi të Gentian Dodës, “Burrat” me regji të Pedro Alves, “Burrneshat” me autorësi të Jeton Nezirajt e regji të Erson Zymberit, “Ora e Vdekjes” me regji të Ilir Bokshit.

E nga Spanja na bashkëngjitet një performancë e veçantë, për herë të parë në Kosovë, “Luxuria” Flamenko Balet me regji të David Gutiérrez Molina dhe Paula Sánchez Reyes, që përmbyll edicionin e dhjetë të Festivalit FemArt, më 23 Qershor, 2022 nga ora 21:30 – 23:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Një performancë që shpërfaq botën e pasigurisë, intrigave, dinamikave komplekse të fuqisë, dashurisë, besnikërisë dhe tragjedisë.

FemArt, si festival ndërkombëtar, ka arritur që të zgjerojë edhe më shumë rrjetin e saj duke bashkëpunuar me Perform Europe, dhe IETM (Rrjeti Ndërkombëtar për Artet Performuese Bashkëkohore), “On the Move” OTM, dhe FACE – “Fresh Arts Coalition Europe”.

FemArt ka mbushur 10 vjet dhe është në rritje. Është shndërruar në platformë unike të unitetit, diversitetit, barazisë dhe krijimtarisë; promovimit të feminizmit, barazisë gjinore, drejtësisë, edukimit, pajtimit dhe ndërtimit të paqes. Është një hapësirë e sigurt për shprehje dhe një mundësi për ndryshim. E tërë kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e partnerëve, bashkëpunëtorëve dhe donatorëve, përfshirë këtu: Buçaj, EU KCR, CDF, KTK, Ambasada e Luksemburgut, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës, cfd, UNFPA, Ambasada e Francës, Perform Europe, SDC, KCSF, K10, Ambasada e Izraelit, IETM, Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Dodona, Biblioteka Kombëtare, Grupit KOHA, Mik Mik dhe Onix Spa. /KultPlus.com