Sot FemArt 10 sjell performancën “Vals i këputun” në TKK

FemArt 10 sjell sonte sjell performancën “Vals i Këputun” nga ‘was bleibt kollektiv | Gentian Doda’, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.

“Vals i këputun” është frymëzuar nga një këngë e vjetër arbëreshe, e cila ka mbetur në kujtesën tonë kolektive prej shekujsh, si një motiv i mjegullt. Kjo reminishencë e turbullt zgjoi interesin për të hulumtuar dhe krijuar në lidhje me kujtime të paplota, imazhe ‘të balsamosura’ nga burime të panjohura. Me valsin ‘e këputun’ si fill lidhës për këto evokime të papritura, thelbi i tyre mbetet i fshehtë, por i gjallë.

‘was bleibt kollektiv’ është një nismë e koreografit të mirënjohur botërisht Gentian Doda. Një bashkëpunim mes artistësh shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Fokusi i tyre qëndron në zbulimin e gjendjes njerëzore nëpërmjet lëvizjes (ose mungesës së saj). 

Data: 17 QERSHOR, 2022 / E PREMTE

20:00 – 20:45

Teatri Kombëtar i Kosovës, Prishtinë

Regjia dhe koreografia:  Gentian Doda

Muzika: Çezar Aliaj

Luajnë: Rosella Pellicciotti, Fjorald Doci, Elton Cefa

Kostumografia dhe dizajnimi i ndriçimit: Gentian Doda

Produksioni: ‘was bleibt kollektiv | Gentian Doda’

Menaxher: Fabrice Edelmann / KultPlus.com

Nën moton “Nga Revolucioni në Evolucion”, Artpolis sjellë edicionin jubilar të Festivalit FemArt

Evolucioni feminist vazhdon. Sivjet edhe më i gjerë e më i plotë. Artiste, aktiviste e feministe vendore dhe ndërkombëtare pikëtakohen sërish në Festivalin e parë feminist në Kosovë e më të madhin në rajon, FemArt.

FemArt 10, për dhjetë ditë me radhë, 14-23 qershor 2022, vjen për të shpërfaqur aftësinë e grave artiste, për t’u përmbushur, inspiruar e për të gjetur paqen.  Mblidhemi për të festuar një dekadë të njohjes e nderimit të guximit të grave artiste, fuqisë kreative, e angazhimit të tyre për barazi e drejtësi përmes shfaqjeve teatrore, performancave, baletit flamengo, vallëzimit bashkëkohorë, konferencave, ekspozitave e prezentimeve nga Kosova, Austria, Portugalia, Spanja, Izraeli, Italia e Franca. 

Një dekadë guxim, krenari e dashuri. Për një dekadë kemi krijuar ngjarje, thyer barriera e ndërtuar ura të reja të paqes në vend, rajon e më gjerë. Jemi rebeluar për të këputur fijet e patriarkatit, e shkundur mendësinë e dëmshme të së vjetrës.

Aktivizmi ynë artistik-feminist vjen si një përgjigje për t’u shëruar e kuptuar, për të krijuar e transformuar shoqërinë e jetën. Mbi të gjitha për të shkërmuar secilin nocion të normuar mbi pabarazinë. Ky angazhim ka frymuar falë dashurisë për artin, aktivizmin, jetën, ekzistencën, barazinë e drejtësinë.

Në këtë dhjetë vjetorë, për dhjetë ditë ejani të festojmë e rebelohemi, argëtohemi e inspirojmë, performojmë e bëjmë thirrje për barazi, drejtësi, fuqizim e njohje të kontributit të grave, artisteve e aktivisteve deri në revolucionin e radhës. /KultPlus.com