Kryeministri britanik i siguron fëmijët: Babagjyshi i Vitit të Ri do të vijë, pa merak!

Babagjyshi i Vitit të Ri do të jetë pa kufizime për Krishtlindjet përkundër urgjencës Covid-19.

Për t’i qetësuar fëmijët britanikë, të shqetësuar për dhuratat, është vetë kryeministri Boris Johnson, me një “cicërimë” në përgjigje të shumë letrave të mbërritura në Downing Street mbi këtë temë.

“Monti, i cili është 8 vjeç, më shkroi për të pyetur nëse Babagjyshi i Vitit të Ri do të ishte në gjendje për t’i sjellë dhuratat këtë vit”, shkruan Johnson.

“Unë kam pasur shumë letra si këto dhe kështu bisedova me ekspertë dhe tani mund t’ju siguroj se Babagjyshi i Vitit të Ri do të jetë në gjendje të shpërndajë dhurata edhe këto Krishtlindje!”, përfundon ai.

Kryeministri Johnson është babai i të paktën 5 fëmijëve gjatë jetës së tij, e shënuar nga dy martesa dhe disa marrëdhënie, për të cilat vetëm në vitin 2020 iu shtua edhe i gjashti, Wilfred./atsh/ KultPlus.com

A ndikon karantina e shkaktuar nga koronavirusi tek shëndeti mendor i fëmijëve?

Pandemia e COVID-19 po vazhdon ende anembanë botës, duke shënuar viktima në numër të lartë. Dhe rritja e rasteve të shënuara me koronavirus në shtete të ndryshme, ka bërë që njerëzit të karantinohen sërish në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e virusit.

Efektet që kjo situatë i ka në shëndetin mendor, janë vetëm një prej mënyrave të shumta që koronavirusi ka ndikuar tek njerëzit, transmeton Koha.

Vala e parë e vetizolimit në pranverë të këtij viti, shkaktoi probleme të mëdha në shëndetin mendor të njerëzve, duke bërë që të rriturit të kenë më shumë mendime vetëvrasëse. Grup moshat prej 18-24 vjeç konsiderohen më të prekurat prej këtij fenomeni.

Ekspertët mjekësorë kanë bërë të ditur se izolimi shoqëror, papunësia, brengat financiare dhe mungesa e shkollave, konsiderohen ndër faktorët kryesor për shkaktimin e stresit në këtë kohë të pandemisë.

Përveç adoleshentëve dhe tinejxherëve, pandemia ka ndikuar edhe në shëndetin mendor të fëmijëve të vegjël. Sipas hulumtimeve të fundit në Amerikë është zbuluar se vizitat në departamentin e urgjencës në lidhje me shëndetin mendor të fëmijëve 18-vjeçare dhe më të rinj, janë rritur dukshëm këtë vit.

Krahasuar me vitin 2019, përqindja e vizitave në lidhje me shëndetin mendor për fëmijët e moshës 5-11 dhe 12-17 vjeç, është rritur afërsisht për 24-31 për qind.

Mjekët deklarojnë se gjatë kësaj kohe ne duhet t’i njohim dhe t’i adresohemi ndikimit që karantina dhe mbyllja e shkollave e ka në shëndetin mendor të fëmijëve.

Shumë prindër po raportojnë probleme në sjellje të fëmijëve të tyre, të cilat nuk i kanë shfaqur në herët. Kjo mund të jetë si rezultat i vetmisë, ankthit dhe zemërimit, të cilat po i përjetojnë shumë fëmijë.

Po ashtu është vënë re se prej fillimit të pandemisë, tek shumë fëmijë janë shfaqur probleme me gjumin.

Të vegjlit shpesh e kanë më të vështirë se të rritur që t’i shprehin emocionet e tyre, dhe kjo po i shkakton këto manifestime fizike dhe psikike, të cilët lidhen me mirëqenien mendore të fëmijëve.

Fëmijët me probleme ekzistuese mendore janë më të rrezikuar për t’u prekur nga sëmundje serioze psikike.

Prandaj, mjekët si mënyrat kryesore për t’i ndihmuar fëmijët të përballen gjatë këtyre kohërave të pasigurta, i rekomandojnë garantimin e sigurisë fizike dhe emocionale, ndërtimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve të shëndosha, si dhe mbështetjen dhe rregullimin e aftësive mësimore. / KultPlus.com

Fëmijët sjellin veprat e Kolë Idromenos sipas perceptimit të tyre

Qendra për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë, COD ka mirëpritur sot fëmijë për nisjen e ciklit “Edukim Arti për Fëmijët” me studiuesen e apasionuar, Zana Kuka Varvarica.

Në serinë e parë të ciklit, fëmijët u njohën me jetën dhe veprën e Kolë Idromenos dhe patën mundësinë të punonin vepra të ndryshme të këtij artisti sipas perceptimit të tyre.

Kështu, takimi i parë i projektit “Edukim arti për fëmijët” nisi me artistin Kolë Idromeno, ku fëmijët u njohën me veprat e tij nëpërmjet prezantimeve dhe formave kreative e artistike, të përshtatura për ta.

Në fund të takimit fëmijët vizituan Galerinë Kombëtare të Arteve, ku prekën më nga afër artin e Kolë Idromenos.

Qendra për Hapje dhe Dialog (COD), në mjediset e Kryeministrisë tashmë është kthyer në një vendtakim mes artdashësve me artin dhe kulturën. /atsh / KultPlus.com