BBC: Kushte zemërthyese në kampin amerikan për fëmijët imigrantë

Në një qendër amerikane të ndalimit në shkretëtirën e Teksasit, fëmijët imigrantë kanë jetuar në kushte alarmante, ku sëmundjet janë të shfrenuara, ushqimi mund të jetë i rrezikshëm dhe ka raportime edhe për abuzime seksuale, sipas intervistave që televizioni BBC ka realizuar me stafin e kësaj qendre dhe me fëmijët.

Muajve të fundit, Shtetet e Bashkuara janë përballur me rritje masive të numrit të imigrantëve dhe azilkërkuesve nga Amerika Qendrore. Dhuna, fatkeqësitë natyrore dhe vështirësitë ekonomike të lidhura me pandeminë janë disa nga arsyet e kësaj rritjeje, thonë ekspertët.

Kampi me tenda në bazën ushtarake “Fort Bliss” në El Paso të Teksasit është vendbanim i përkohshëm për mbi 2.000 fëmijë adoleshentë, të cilët e kanë kaluar kufirin ShBA – Meksikë të vetëm dhe tashmë po e presin ribashkimin me familjen në Shtetet e Bashkuara, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Gjetjet nga hulumtimi i BBC-së përfshijë pretendime për abuzim seksual, përhapje të Covid-it dhe morrave, një fëmijë që ka pritur disa orë për kujdes mjekësor, mungesë të rrobave të pastra dhe fëmijë të uritur që u është ofruar mish i pagatuar.

BBC-ja ka folur me punëtorët e kampit për këto kushte dhe ka parë fotografi e video që janë nxjerrë tinëz nga stafi. Kampi në bazën “Fort Bliss” përbëhet nga 12 tenda, në disa prej të cilave mbahen qindra fëmijë njëkohësisht. Fëmijët e kalojnë shumicën e ditës në tenda, dalin jashtë për një ose dy orë për rekreacion ose për të pritur në rresht me qindra të tjerë për një racion ushqimi.

Disa tenda janë vendosur vetëm për akomodimin e fëmijëve të sëmurë. Fëmijët ia kanë lënë emrin “qyteti Covid”. “Qindra fëmijë kanë dalë pozitiv për Covid”, tha një punëtor që kërkoi të mbetet anonim për shkak se stafi nuk ka të drejtë të flasë rreth kampit. / KultPlus.com