Ambasadorja Nazane Breca, e shoqëruar nga ministri këshilltar, Mustafë Xhemaili, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë, ka pritur nxënësit e shkollës shqipe të degës së LAPSH-it në Glarus, kryeqytet i Kantonit të Glarusit, përcjellë KultPlus.
Në këtë pritje, me një atmosferë të ngrohtë me nxënësit, ka bashkëbiseduar ambasadorja Breca, duke u interesuar për shkollën e tyre dhe duke kërkuar nga ata që në ambasadën e tyre të recitojnë poezi dhe këndojnë këngë shqipe. Ata të udhëhequra nga mësuesja e tyre Anitë Asani kanë recituar dhe kënduar një tufë poezish dhe këngësh duke u duartrokitur kështu nga të gjithë e duke krijuar një atmosferë festive në ambientet e ambasadës.
Ambasadorja i ka përgëzuar nxënësit e zellshëm, mësuesen e përkushtuar dhe prindërit arsimdashës, të cilët kishin ardhur së bashku me fëmijët e tyre për ta vizituar ambasadën.
Ambasadorja Breca mes tjerash ka thënë se LAPSH-i ka bërë punë të jashtëzakonshme për edukimin e fëmijëve të mërgimtarëve, për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar dhe, në këtë mënyrë, kështu ka vepruar edhe shkolla shqipe e Glarusit. Ajo nxënësve u ka uruar sukses në vitin e ri shkollor dhe ka bërë thirrje që të gjithë prindërit që jetojnë në Zvicër, edhe në kantonin e Glarusit t’i dërgojnë fëmijët e tyre në mësimin plotësues në gjuhën shqipe, për të mos e harruar kulturën dhe prejardhjen e tyre.
Me një fjalë rasti, ka përshëndetur edhe Avdil Asani, kryetar i këshillit të prindërve të Kantonit të Glarusit, i cili ka theksuar se do të bëhen përpjekje që të mbijetojë shkolla shqipe e Glarusit, e cila njihet si shkolla e parë shqipe e cila në fillim të viteve 90-ta u shkëput dhe punoi e pavarur nga sistemi i atëhershëm i edukimit me plan programe shkollore speciale antishqiptare të cilat praktikoheshin për fëmijët e mërgimtarëve nga ambasadat dhe konsullatat jugosllave në perëndim. / KultPlus.com