Përtej çdo sfide dhe traume, Mrika Nikçi dhe shkëlqimi i saj që nuk pushon së rrezatuari

Uranik Emini

“Malet janë problem vetëm kur janë më të mëdhenj se ju. Duhet të zhvillohesh aq shumë sa të bëhesh më i madh se malet me të cilat përballesh.”

Një vajzë me ëndrra të mëdha dhe një baba që e mbështet në gjithçka që kjo e fundit bën, deri edhe në thyerjen e rekordeve botërore. Në shikim të parë kjo mund të duket sikurse një hyrje në një përrallë me fund të lumtur. Por, përpos fundit të lumtur, edhe pjesa e një babai që mbështet vajzën e saj në ngjitjen e majave më të larta të botës, është e vërtetë, shkruan KultPlus.

Mrika Nikçi dhe babai i saj, Arianit Nikçi, kishin filluar një mision më 29 janar të vitit 2018, të ngjiten në majat më të larta të shtatë kontinenteve të tokës. E gjithë kjo filloi kur edhe ishin ngjitur në majën Kilimanjaro të Afrikës, një lartësi detare mbi 5800 metra.

Kur bëhet fjalë për rekordet botërore, është sikurse ato janë të projektuara për t’u thyer, sikurse ekziston një shirit i pafund i vendosur në një vend, që sfidon njerëzimin të jetë gjithmonë në krye. Mrika e kaloi shiritin dhe hyri në histori, duke u bërë vajza më e re në botë që ngjitë shtatë majat më të larta apo të njohur ndryshe edhe sikurse “7 summits”.

Në një periudhë prej 17 muajve, Mrika së bashku me babain e saj, ngjitën majat sikurse Vinson, Aconcagua, Mount Everest, Denali, Mali Elbrus dhe Piramida Carstensz, këtë të fundit më 15 gusht të viti 2019, për të hyrë në histori, si vajza më e re në botë që ngjit shtatë majat më të larta në shtatë kontinente.

Jeta e Mrikës si një vajzë e vogël. Ëndrrat e saj të fëmijërisë dhe kalimi në një botë ndryshe, atë të natyrës. Përballjet e përditshme me vdekjen, shoqëria e prania e përhershme e babait në krahët dhe shpatullat e saj, ngjitja e majave më të larta në botë dhe Mrika përtej maleve e realitetin e saj të përditshëm mund ta lexoni më poshtë në intervistën e vajzës së rekordeve.

KultPlus: Kryesisht, si fëmijë ëndërrojmë për gjëra të mëdha, planifikojmë gjëra sikurse jeta është shumë e lehtë përpara dhe arrijmë që të krijojmë një pasqyrë të jetës sonë. Megjithatë, shumë njerëz edhe sikurse fëmijë nuk mendojnë që të futen në librat e historisë dhe emri i tyre të jetë i njohur anë e mbanë botës. Një gjë të tillë, ju e keni arritur në moshën 17 vjeçare, pra ke hyrë në histori duke i ngjitur 7 majat më të larta të botës në shtatë kontinentet. Tani kanë kaluar disa vite por, si kanë qenë ëndrrat e tua të fëmijërisë dhe sa përkojnë ato me realitetin tani

Mrika Nikçi: Kam ëndërruar të garoj për Kosovën në sportin e karatesë si dhe të kem një karrierë të fortë në profesionin e avokates. Si fëmijë asnjëherë nuk kam ëndërruar që një dite do të ngjitem në majën më të lartë të botës, por jetës asnjëherë nuk i dihet, dhe jo rrallëherë ajo ndërron drejtim. Kur ndalova së praktikuari sportin e karatesë, atëherë nisa hapat drejtë ëndrrës së madhe – ngjitja në 7 Majat e botës para se ti mbushja 18 vjet, me ç ’rast thyeja rekord dhe bëhesha vajza më e re në botë të kaloja këtë rekord. Ndërsa sa i përket ëndrrës e së bërit avokate ende jam duke punuar me pasion çdo dite në atë drejtim, pasi edhe po vijoj studimet në fakultetin e Juridikut.

KultPlus: E ke përmendur pjesën që ke qenë e lidhur me natyrën që nga fëmijëria, a ndodhi kjo natyrshëm apo ishte nga imponimi i prindërve tuaj?

Mrika Nikçi: Ju falënderohem gjithmonë prindërve të mi që më mishnuan me bjeshkët tona, ku unë pata mundësinë të bie në dashuri me to.

KultPlus: Eksperiencat e juaja gjatë ngjitjeve të majave më të larta në botë, përfshijnë histori të shumta. Cila është njëra prej historive që ju e veçoni më së shumti dhe nuk do të harroni asnjëherë?

Mrika Nikçi:  Asnjëherë nuk do ta harroj momentin kur së bashku me babain e ngjitem majën e fundit nga të shtatat me të cilën përfunduam sfidën “Seven Summits”. Asnjëherë nuk kam përjetuar emocione më të forta dhe asnjëherë nuk jam ndjerë më shumë krenare me veten time. E nga historitë e shumta që mbaj në bagazhin e këtij rrugëtimi, do e veçoja momentin kur në kontinentin e akulltë të Antarktikut, nga stuhitë e mëdha kishte filluar të më ngrihej hunda sepse kisha harruar ta mbuloja për disa sekonda…

KultPlus: Gjithë ato ecje, gjithë ato ngjitje, gjithë ato rekorde të thyera dhe gjithnjë pas vetes keni mbajtur dy flamurë që i keni ngritur kudo që keni qenë prezent. Si është ndjenja e të bërit krenar një popull të tërë, duke refuzuar në anën tjetër oferta nga shtete të tjera?

Mrika Nikçi: Vetë fakti që kam qenë dhe kurrë nuk do të ndaloj së qenuri krenare për vendin dhe popullin tim, tregon që edhe pse kam pasur ofertë nga vendet tjera, me kënaqësinë dhe mburrjen më të madhe kam valuar dy flamujt tonë, të Republikës së Kosovës dhe flamurin kombëtar të Shqipërisë.

KultPlus: Përpos bisedave të ndryshme që keni pasur me babin e juaj, ju keni planifikuar gjithnjë edhe pjesën më të keqe. Sa është e vështirë që përpara një nisje të ngjitjes së ndonjë maje, të bisedoni për vdekjen?

Mrika Nikçi: Nuk është aspak e lehtë të bisedosh për vdekjen, e sidomos kur ngjitesh me njeriun më të dashur në njërën anë, e pas vetes lë të dashurit tu në anën tjetër, por është mënyra më e mirë për të menaxhuar me veten gjatë ngjitjes edhe nëse do të ndodh një gjë e tillë. Ka momente të shumta që kemi qenë në pozitë shumë të rrezikshme për jetën, dhe gjithmonë kemi qenë te përgatitur se si të veprojmë në situata të tilla, edhe pse malet e larta shpesh kanë plane tjera e të paparashikueshme nga ato që planifikon mendja e njeriut.

KultPlus: Përpos sportit të alpinizmit, ju më herët jeni marrë edhe me sporte të tjera. Cilat ishin këto eksperienca dhe cili është sporti ku “shpirti” i juaj fle më së shumti rehat?

Mrika Nikçi: Kam qenë garuese në sportin e karatesë të cilin e kam praktikuar përafërsisht 9 vite, dhe kam qenë disa herë kampione e Kosovës, si dhe garuese në sportin e skijimit. Por, shpirti më fle më së shumti rehat në ngjitjen e majave të larta, sepse aty kam gjetur 100 për qind të potencialit tim.

KultPlus: Gjatë jetës, njerëzit përballen me marrjen e vendimeve të ndryshme, qoftë ato të hidhura, të dëshpëruara apo edhe të gëzuara. A mund të ndani me lexuesit e KultPlus njërin prej momenteve më të lumtura që ju keni marrë në jetën tuaj dhe a ekziston një i tillë, që ju ka bërë të pendoheni më vonë ose një vendim që pendoheni se nuk e keni marrë?

Mrika Nikçi: Vendimi më i frikshëm të cilin e kam ndërmarr ka qenë ngjitja e shtatë majave më të larta të shtatë kontinenteve në moshën 17 vjeçare. Dhe sot me plot bindje them se është vendimi më i mirë të cilin e kam ndërmarrë ndonjëherë, sepse ky vendim më ka sjellë edhe momente të hidhura, edhe të dëshpëruara por që në fund më ka ofruar gëzimin dhe lumturinë e papërshkrueshme.

KultPlus: Merreni me sporte të ndryshme që një kohë të gjatë, por a ka pasur momente kur keni vendosur që të largohesh dhe të mos mendosh për asgjë tjetër? Ose thjesht ka qenë një moment reflektimi dhe më pas gjithçka është rikthyer në normalitet?

Mrika Nikçi: Gjatë ngjitjes së majave ka pasur momente ku kam menduar të dorëzohem, por gjithmonë e kam shtyrë vetën që të mos ndalem. Njëri nga momentet ku seriozisht e kam konsideruar dorëzimin është kur isha duke u ngjitur për kampin 4 të majës Denali, Alaskë dhe trupi im ndaloi së funksionari, por pas disa minutave vendosa të vazhdoj, dhe aty mund të them se i kam shtyrë të gjitha limitet e mija.

KultPlus: Sfida “7 summits” ka pjesën e tretë më të vështirë në botën e alpinizmit, a keni planifikuar që në të ardhmen t’i realizoni edhe dy pjesë të tjera dhe në një lloj mënyre të kompletoni sfidat që ekzistojnë deri tani?

Mrika Nikçi: Kam dëshirë të përfundoj sfidën e quajtur Grand Slam, që nënkupton ngjitja e shtatë majave më të larta të shtatë kontinenteve dhe ecja e Polit të jugut dhe Polit të veriut.

KultPlus: Fakti që ti je një grua, e bën karrierën tënde edhe më të jashtëzakonshme. Kjo pasi gruaja në Kosovë është në diskriminim e sipër dhe arritjet “vihen në hije”, cili është mesazhi i juaj për të gjithë gratë?

Mrika Nikçi: Mesazhi im për të gjitha gratë është që, asnjëherë të mos ndalen, ti ndjekin ëndrrat e tyre, të punojnë fort për realizimin e tyre, të kenë besim në vetvete dhe mbi të gjitha ta mbështesin njëra tjetrën. Së bashku jemi me të forta.

KultPlus: Ne e njohim Mrikën e majave, Mrikën e rekordeve, Mrikën që bëri krenarë gjithë Shqipërinë e Kosovën, por nuk dimë shumë për jetën e Mrikës jashtë alpinizmit. Ju po studioni juridikun, duke ndjekur edhe një herë tjetër hapat e babit juaj, i cili është një avokat, por a ka diçka konkrete me të cilën po merreni tani, e cilat janë gjithashtu edhe planet e së ardhmes në profesionin tuaj?

Mrika Nikçi: Mrika jashtë rekordeve dhe alpinizmit është si çdo vajzë tjetër 21 vjeçare me plot ëndrra dhe pasion për të ardhmen. Krahas studimeve të cilat i kam prioritet për profesionin e së ardhmes, ushtrimeve në vazhdimësi, daljet në natyrë dhe ecja në malet tona, merrem edhe me kompaninë ‘Mrika Seven Summits’, të cilën së fundmi e kemi hapur me babin dhe ofrojmë shërbime të ecjes dhe ngjitjes për turistët.

Në ndërkohë, bëj fushata dhe mundohem të sensibilizoj çështjet që kanë të bëjnë me dhunën në familje dhe dhunën në baza gjinore, si dhe jap fjalime motivuese.

KultPlus: Kohët e fundit, pas ngjarjeve që keni përjetuar, jeni bërë edhe zë i viktimave të ngacmimeve seksuale. Sa e vështirë ishte kjo gjë?

Mrika Nikçi: Kohët e fundit u bëra cak i ngacmimit seksual – ngjarje kjo e cila më ka goditur mjaft. Por, duke qenë krenare me vetveten dhe çdoherë e vendosur, e ngrita zërin në opinion duke i dalë në mbrojtje vëtës dhe të drejtave të mia, sepse e dija qe me këtë sensibilizim pa marrë parasysh pasojat për vetveten, unë qëndroj dhe bëhem zë për të gjitha gratë tjera.

KultPlus: Mesazhi për fund por edhe për vitin 2023. Çfarë pret Mrika në vitin që po vjen dhe cili është mesazhi për vitin që po lëmë pas?

Mrika Nikçi: Mesazhi për vitin 2023 është që të qëndrojmë të fortë përkundër sfidave që na dalin gjatë rrugëtimit jetësorë, ta duam njëri tjetrin, ta ruajmë njëri tjetrin, të ëndërrojmë shumë e të punojmë edhe më shumë e me vetëbesim për realizimin e atyre ëndrrave.

Mrika e sipërfaqi dhe e dëshmoi fjalinë e parë të shkruar në këtë artikull. Madhështia e saj, është më e madhe se një mal, dhe nuk ka maje ose traumë, çfarëdo qoftë ajo, që mund ta ndalë atë. /KultPlus.com

Fëmijëria jonë, atëherë kur rrjetet sociale nuk ekzistonin

Kemi luajtur në rrugë pa frikë, dhe kishim shumë pak: disa kanaçe bosh, disa gurë, një copë litar!

Dhe ishim të lumtur brenda, nuk kishte rëndësi pasuria.

Fjalë që duket se janë marrë nga një roman nga kush e di sa vite më parë, por nëse mendojmë, ishte jeta deri disa dekada më parë, për shumë prej nesh.

Jo në disa periferi të izoluara, siç ndoshta, edhe sot disa lajme na sjellin para syve, por në fëmijërinë tonë.

Bërja e krahasimeve mund të duket të jetë një ushtrim i thjeshtë nostalgjie, ndërsa nëse u thuhet fëmijëve dhe nipërve tanë, mund t’i bëjë ata të hapin sytë për një kohë të varfër në gjëra materiale, por të pasur me imagjinatë, krijueshmëri, gëzim të zbulimit dhe jetës.

Disa përvoja të caktuara, sidomos ato që janë jetuar në fëmijërinë dhe në adoleshencën tonë, nuk harrohen lehtësisht.

Ato përbëjnë dyert përmes të cilave kemi filluar të kuptojmë jetën, botën.

Dhe si të tilla nuk munden të harrohen. Mësuesit, shokët e klasës, shokët e rrugës, një univers që dukej një hap larg, diçka që mund të linte shenja të pashlyeshme.

Qendra e vëmendjes sonë, thelbi i mendimeve që na shoqëroi çdo natë para se të binim në gjumë.

Vende, shtëpi, mjedise që mbushën jetët tona, shumë prej të cilave u skalitën në shpirtrat tanë.

Kush e ka harruar erën e barit të lagur nga stuhia e verës para se dielli të kthehej për të ngrohur imagjinatën tonë, ose shkëlqimin e llambave të rrugëve që na kujtonin, gjatë periudhës së shkollës, se ishte koha për të shkuar në shtëpi, për darkën e përgatitur nga gjyshja?

Disa momente ikën me nxitim, dhe jo gjithmonë mendonim që t’i jetonim me intensitetin që meritonin, sepse donim të rriteshim sa më shpejt, që të hynim në atë botë të të rriturve që na dukej të ishte skena që të gjithë e dëshironim.

Por duke u kthyer me mendje në ato ditë, dhe duke shikuar mënyrën se si sot shumë fëmijë kalojnë kohën e tyre, nuk mund të mos arrijnë të ndjejmë një formë nostalgjie.

Kemi luajtur në rrugë pa frikë, nuk ekzistonin rreziqet dhe kërcënimet e pranishme sot, kishim shumë pak, disa kanaçe bosh, disa gurë, një copë litare, por kjo ishte bota që na bënte të lumtur brenda, pavarësisht pasurisë.

Nuk shihnim koston e gjërave, ndoshta nuk i përballonim dot, por ishim fëmijë dhe të rinj të mbushur me jetë.

Kjo ka qenë fëmijëria jonë, dhe na vjen pak keq që sot nuk është më kështu.

U urojmë të rinjve të sotëm të kenë të njëjtën fantazi dhe të njëjtën dëshirë për të zbuluar, ajo që lind nga zemra dhe nga askund tjetër./bota.al/ KultPlus.com

Një ese plot emocion e Dua Lipës shkruar në fëmijëri


Dua Lipa, sot një këngëtare e njohura botërisht dhe fituese e çmimeve “Grammy” dhe shumë çmimeve tjera, dikur nxënëse e shkollës fillore në “Shkollën Jopublike Mileniumi i Tretë” ku edhe për herë të parë doli në skenë, përvec këngës, shkruante edhe ese të bukura, shkruan KultPlus.

Ani pse ajo ishte e lindur dhe e rritur në Angli, shkrimi i saj me një shqipe të kulluar, është dëshmi e fortë se pse ajo nuk heziton asnjëherë të përçojë mesazhe se është një vajzë kosovare.

Sa ishte nxënëse, një prej eseve të saj artistike ishte publikuar në përmbledhjen me tregime dhe ese “Paqja fillon me mua” njëmbëdhjetë vjet më parë pra më 2009. Siç edhe mund ta lexoni, ajo është një ese artistike, e shkruar me emocion të fortë për nënën e saj. Kujtojmë këtu se, Dua, ditë më parë nënës së saj i bëri një urim të veçantë për ditën e nënës “Urime dita e nënës për nënën time, Të dua, ne të duam – faleminderit për çdo gjë që bën për ne!!!!!”

Në vazhdim po ju sjellim një nga esetë e Duas të shkruar gjatë fëmijërisë së saj.

Përkëdheljet e nënës ma zbusin shpirtin

Nënë, ti që më dhe jetë, Ti që gjithmonë më përkrah, Ti që më do, Ti që më përkëdhel kur nuk jam e lumtur, Ti duhet të respektohesh, ndoshta ti nuk e di se sa shumë të dua, ndoshta, sepse jam tërë ditën në shkollë, ndoshta sepse jam më shumë në dhomën time se sa afër teje. Ndoshta, sepse ti kurrë nuk më ke pyetur? Të më kishe pyetur, nuk e kisha ditur se si të të përgjigjesha, se të dua aq shumë sa që as fjalët nuk më rrjedhin nga goja, por ato i kam thellë në zemër. Për mua vetëm një përkëdhelje e nënës më duhet për të ma zbutur shpirtin, e vetmja fjalë që mund të ta them është se të dua zemër, nëna ime, bota ime! / KultPlus.com

 

Fëmijëria jonë, atëherë kur rrjetet sociale nuk ekzistonin

Kemi luajtur në rrugë pa frikë, dhe kishim shumë pak: disa kanaçe bosh, disa gurë, një copë litar! Dhe ishim të lumtur brenda, nuk kishte rëndësi pasuria. Fjalë që duket se janë marrë nga një roman nga kush e di sa vite më parë, por nëse mendojmë, ishte jeta deri disa dekada më parë, për shumë prej nesh.

Jo në disa periferi të izoluara, siç ndoshta, edhe sot disa lajme na sjellin para syve, por në fëmijërinë tonë. Bërja e krahasimeve mund të duket të jetë një ushtrim i thjeshtë nostalgjie, ndërsa nëse u thuhet fëmijëve dhe nipërve tanë, mund t’i bëjë ata të hapin sytë për një kohë të varfër në gjëra materiale, por të pasur me imagjinatë, krijueshmëri, gëzim të zbulimit dhe jetës.

Disa përvoja të caktuara, sidomos ato që janë jetuar në fëmijërinë dhe në adoleshencën tonë, nuk harrohen lehtësisht. Ato përbëjnë dyert përmes të cilave kemi filluar të kuptojmë jetën, botën. Dhe si të tilla nuk munden të harrohen. Mësuesit, shokët e klasës, shokët e rrugës, një univers që dukej një hap larg, diçka që mund të linte shenja të pashlyeshme.

Qendra e vëmendjes sonë, thelbi i mendimeve që na shoqëroi çdo natë para se të binim në gjumë. Vende, shtëpi, mjedise që mbushën jetët tona, shumë prej të cilave u skalitën në shpirtrat tanë. Kush e ka harruar erën e barit të lagur nga stuhia e verës para se dielli të kthehej për të ngrohur imagjinatën tonë, ose shkëlqimin e llambave të rrugëve që na kujtonin, gjatë periudhës së shkollës, se ishte koha për të shkuar në shtëpi, për darkën e përgatitur nga gjyshja?

Disa momente ikën me nxitim, dhe jo gjithmonë mendonim që t’i jetonim me intensitetin që meritonin, sepse donim të rriteshim sa më shpejt, që të hynim në atë botë të të rriturve që na dukej të ishte skena që të gjithë e dëshironim. Por duke u kthyer me mendje në ato ditë, dhe duke shikuar mënyrën se si sot shumë fëmijë kalojnë kohën e tyre, nuk mund të mos arrijnë të ndjejmë një formë nostalgjie.

Kemi luajtur në rrugë pa frikë, nuk ekzistonin rreziqet dhe kërcënimet e pranishme sot, kishim shumë pak, disa kanaçe bosh, disa gurë, një copë litare, por kjo ishte bota që na bënte të lumtur brenda, pavarësisht pasurisë.

Nuk shihnim koston e gjërave, ndoshta nuk i përballonim dot, por ishim fëmijë dhe të rinj të mbushur me jetë. Kjo ka qenë fëmijëria jonë, dhe na vjen pak keq që sot nuk është më kështu. U urojmë të rinjve të sotëm të kenë të njëjtën fantazi dhe të njëjtën dëshirë për të zbuluar, ajo që lind nga zemra dhe nga askund tjetër. /urbannews/ KultPlus.com

Nostalgji fëmijërie

Nga Albert Vataj

Fëmijëria jonë e varfër por e bukur, pushimet tona të mangëta por me shumë lojëra dhe shumë argëtime

Ardhja e periudhës së pushimeve të shkollës më shumë se një mundësi përfitimi të paktë për kampe disaditëshe apo shkuarje me familjen në plazh, ishte rrokja e lirisë, dalldisja, shkallmimi i të gjithë caqeve dhe lëshimi ashtu shkujdesur në vjeljen e çdo çasti prapësie në lumturi. Loznim shumë, aq sa e tepronim dhe kjo kishte një kosto qortimesh dhe ndëshkimesh që i’a vlenin. Fundja këto ishin ditët tona të pushimeve, ditët e “çmendurive” që lanë tek ne më shumë se nostalgji, kujtime të bukura dhe miq.

Ishte një kohë që kishim pak gjëra, fare pak, por ato çuditërisht na mjaftonim që të ishim të lumtur, të jetonim një fëmijëri që do ta kishte zili çdo brez që do të vinte më pas. Gjithçka për ne ishin lojërat, argëtimet, zbavitja. Lojërat ishin të shumta dhe të larmishme dhe mrekullisht ishin të tilla sa mbetën të skalitura thellë nesh si vezullime, sepse na dhuruan çaste që na ndihmojnë të kthehemi pas në vite, të përjetojmë me mall dhe nostalgji ato momente dhe ato miq, me të cilët na ndau mosha dhe koha.

Ajo që duhet nënvizuar në këtë grishje kujtimesh dhe parakalim në të shkuarën nostalgjike të fëmijërisë është mënyra se si qarkullonin lojrat nga një qytet në tjetrin, nga një fshat në tjetrin dhe si si pasurohej fëmijëria jonë me këto çapkënllëqe. Ky shkëmbim dhe pasurim i repertorit ndodhte zakonisht në periudhën e pushimeve të shkollës, shkuarja dhe ardhja tek të afërmit bënte të mundur marrjen dhe dhënien e lojërave. Në këtë galeri të pasur nuk mund të themi se cila nga lojërat ishte më e preferuara, dhe cilën prej tyre deshëm më shumë, sepse secila mori dhe dha në ato ditë të bukura pushimesh aq sa nuk do t’i marrë kurrë harresa.

Katalogu i lojërave
(Po e nis nga lojrat më pak të reklamuara)

Loja me arra
Një lojë që zakonisht luhej në ditët e festave të fundvitit, Viti i Ri, sepse vetëm atëherë mund të kishe mundësinë të “peshkojë” ndonjë arrë nga racioni që ishte blerë për përgatitjen e bakllavasë, një prej ëmbëlsirave tradicionale. Sa pjesëmarrës që ishim në garë aq kokrra arra viheshin në mënyrë drejtvizore në një largësi të dakordësuar nga lojtarët. Sipas shortit vendosej dhe radha e të qëlluarit. Kokrrat e arrave që goditeshin nga qëlluesi ishin të fituara prej tij. Sa më të pakta të ishin kokrrat aq më e vogël ishte mundësia e të goditurit në shenjë. Sa më e largët të ishte rradha, aq më e vogël ishte mundësi e fitimit. Në fund… të gjithë hamin arrat e njëri-tjetrit, pavarësisht se sa kishte fituar njëri dhe humbur tjetri.

Loja me kopsa
Ishte një lojë me pasoja dhe e dënueshme për shkak të dëmtimeve që bënim në këputjen e kopsave jo vetëm të rrobeve që ishin për tu hedhur, por edhe të atyre që ndereshin nëpër oborret dhe ballkonet e shtëpive. Më kujtohet se u bë aq problem sa disa nga fëmijët më te “rrëzikshëm” përfunduan në fletërrufetë e shkollave. Kopsat vlerësoheshin me pikë sipas madhësisë dhe veçantisë së tyre. Në trotuaret e pallateve hapej një vrimë dhe nga një largësi që ndryshonte sipas largësisë nga gropa, goditej me thojin e gishtit të madh, i cili karikohej për goditje në gishin tregues. Kopsat që arrinim të futnim në vrimëzën e krijuar ishin të fituara, mundësi që shtohej duke futuar në gropëz kopsat e qëlluesit të humbur që nuk ishte treguar me fat të kapte gropën.

Telefoni i prishur
Dy tasa, gota apo kupa prej plastike, druri apo metali, shpoheshin në fund dhe përmes një filli, spango, lidheshin njëra me tjetrën. Dy fëmijët të vendosur në një largësi që testohej sipas përshkueshmërisë së zërit shkëmbenin fjalë mes tyre duke realizuar kështu atë që do të quhej komunikim nëpërmjet telefonit të prishur. Kjo ishte një lojë shumë argëtuese. Emocioni i komunikimit përmes një filli ishte hapi i parë i gjenialitetit tonë.

Hapa dollapa
Ishte zakonisht një lojë që duhet të kishte më shumë se 3-4 përsona. Shfrytëzoheshin për fshehje ambientet rreth ndërtesave dhe oborreve, pemët, lulet, cepat e pallateve, shkallëve dhe çdo objekti tjetër ku mund të të siguronte mundësinë të fshiheshe. Njëri nga fëmijët që zgjidhej me short, mbështetej në një nga objektet përreth dhe teksa numëronte deri në dhjetë, kohë e cila ishte e nevojshme për t’u fshehur, kur drejtuesi i garës i thirrjte “hap”, ai “hapte sytë”, vërtitej në një rreze sa më të ngushtë dhe kërkonte të gjente shokët. I pari do të kalonte në rolin e tij nëse do të ishte aq i suksesshëm sa t’i zbulonte të gjithë.

“Pizzzzzzz”, loja e shuplakave
Ishte një lojë atraktive. Me short zgjidhej ai që do të mbyllte, pozicion i cili realizohej duke kaluar njërën dorë me shuplakë të treguar nga jashtë dhe me dorën tjetrën mbante në një kënd të detyrueshëm fshehjeje syrin vëzhgues. Të përfshirit bënin sikur po qëllonin të gjithë, por vetëm njëri kishte të drejtë ta godiste pëllëmbën e tij. Ai do të kthehej dhe të gjithë me dorën “qëlluese” bënin “pzzzzzzzzzzzzz”, për të kamufluar. Atij do të duhej ta gjente nëpërmjet leximit të vështrimit, sjelljes, ose ashpërsisë së goditjes se kush kishte goditur. Nëse nuk ia dilte do të kthehej sërish në “tabelë qitjeje”. Kishte raste që loja kalonte cakun dhe shndërrohej në grindje, kjo edhe për faktin se kishim filluar të rriteshim.

Karroca me Guzhineta
Karroca me guzhineta ishte loja me e preferuar e fëmijëve të asaj kohe. Një lojë shumë e veçantë. Ata më një copë dërrasë apo me një arkë të vendosur në guzhineta krijonin automjetin e tyre dhe shëtisnin rrugëve duke i shtyrë njëri-tjetrin. Vendet më të preferuara ishin trotuaret dhe vendet e shtruara me asfalt. Kozhinetat dhe materialet e drurit përvetësoheshin në rrethana të ndryshme, përfituesit ishin pothuajse të gjithë, por lideri ishte ai që ngiste mjetin, ndërsa dikush shtynte. Kohë pas kohë këto karroca filluan të zbukuroheshin me llamarina, kauçuk të ngjyrave të ndryshme, kapakë shishesh arranxhate, e shumë objekte të tjera që ricikloheshin.

Pipëza
Kjo lojë realizohej nëpërmjet një mënyre pak të sofistikuar të shfrytëzimit të gjetheve, të lëvores së degëve të njoma dhe të gypit të kallzës së grurit ose elbit, të cilat priteshin në mënyrë të atillë sa kur i fryhej nxirrnin një tingull që ndryshonte nga materiali në material dhe nga lloji i prerjes. Mjeshtëria e realizimit të këtyre lodrave ishte një garë e vështirë ku rivaliteti ishte gjithashtu i ashpër. Brisqet e rrojës, vjedhur baballarëve, ishin mjetet që duheshin, veç lëndës së parë. Ndërtonim kështu instrumentet e para muzikore, krijonim meloditë e para, hidhnim një hap të vogël në botën e madhe të magjisë së muzikës. Nuk kishe konkurse pranimi, ishte garë realizimi të pipëzës më të mirë.

Gjuajtje me llastiqe
Përdorimi i këtij marifeti ishte i ndaluar, për shkak të pasojave që sillnin. Xhamave të thyer, a ndonjë lëndimi të shokut. Ndërtimi i kësaj “arme” realizohej zakonisht nga një degëz e bigëzuar, nga një material metalik apo plastik i përafërt me bigën. Llastiku merrej nga kamerdaret e gomave të biçikletave. Shojet e këpucëve të hedhura nevijiteshin për të krijuar e fukës ku vendosej guri, nga tendosja e llastikut dhe shënjimi përcaktonte largësinë dhe objektin qëllues. Zakonisht me to qëlloheshin zogjt dhe e pësonin xhamat e dritareve. Përdoreshin për garë shënjimi objekte ku më të preferuarat ishin ambalazhet e produkteve ushqimore ose pijeve, shishet, pse jo. Kjo lojë ishte aventurë me pasojat ku fillonin me konfiskimin e “rmës së krimit”, me tërheqje të veshit, me shuplakë, deri në sanksione.

Loja me litar
Dy persona qëndronin në të dyja anët e litarit dhe e tundnin me të njëjtin ritëm ndërsa në mes kërcenin një ose më shumë persona. Gjatë kësaj loje edhe recitoheshin vargje që shoqëronin kërcimin. Ai që pengohej në litar zevendësonte një nga dy përsonat që tundnin litarin. Kështu tundësit ndërroheshin njëri pas tjetrit derisa lodhja të përcaktonte finalistin. Jo të gjithë përfshiheshin në këtë sprovë. Kishte më shumë prej atyre që preferonin të sodisnin.

Loja e kombinimeve
Ndoshta është një lojë paraprurëse e lojërave të mendjes. Ajo ishte treshe, nëntëshe, gjashtëmbëdhjetëshe ose dam. Vizatohej në trotuar një katror me thëngjill, shkumës, apo qeramikë. Përshkoheshin këndet me vizë, vizë e cila bashkohej në qendër. Një vizë tjetër bashkonte mesin drejtvizor të anëve dhe sipas shortit startonte loja e kombinimit tresh. Vendosja e objekteve, që zakonisht guralecë, ishte e tillë që të mund të vinte secili tre guralecët e tij në një drejtëz që bashkohej në tre pikëtakime. Pasi kjo kalohej luhej duke lëvizur në mënyrë të atillë të bashkoje gurët e tu në tre pikëtakimet e njëri pas tjetrit. Ishte loja që parapriu shahun.

Topa djegës
Loja luhej me tre ose me më shumë persona. Në lojë vendoseshin 2 porta përballë njëra-tjetrës ku në secilin prej tyre qëndronte një lojtar, ndërsa një ose më shumë kundërshtarë futeshin në fushë. Personat brenda në fushë duhet të qëlloheshin me top dhe nëse prekeshin nga topi duhet të s’kualifikoheshin. N.q.s personi arrinte të kapte topin me duar atij i shtohej një jetë.

Loja me zare
Lojtarët krijonin një fushë më kuadrate dhe vendosnin një numër në çdo kuadrat. Krahas saj shkruhej një listë me veprimin që duhej të zbatohej për secilin numër ku lojtarët vendosnin gurin, pasi kishin marrë numrin e lëvizjeve nga zarat e hedhura. Në bazë të urdhërit të dhënë në fletë lojtarët lëviznin gurët e tyre në fushë dhë ai që arrinte i pari të përshkronte tërëshis trajektoren e kuadrateve shpallej fituesi i lojës.

Loja me pafka
Në dysheme vizatoheshin katrorë me numra të ndryshme dhe vendosej një pafkë të cilën duhej ta shtyje me njërën këmbë, nga fillimi deri në fund të kuadrateve. Kërcimi me një këmbë ishte i detyruar gjatë kapërcimit, ndryshe konsideroheshe i humbur.

Loja ‘E ka kush e ka’
Loja konsistonte në një grup fëmijësh që vraponin për ti shpëtuar personit që e ndiqte. Kur ky i fundit kapte një fëmijë i kapuri duhet ta niste lojën sërish në ndjeke të të tjerëve duke i lënë stafeten një tjetri.

Loja ‘Roza rozina’
Disa fëmijë kapeshin prej dore me njëri tjetrin dhe dhe vinin rrotull duke krijuar një rreth ndërkohë që këndonin:’Roza rozina çelin trëndafila. Bashkë me zambakun edhe lule të tjera. Kush i do këto lule tasi me fasule, gotat me raki ‘Gëzuar Vitin e ri’ dhe në përfundim të këngës të gjithë uleshin.

Loja me numërim
Loja bëhej me 10 gishta të një personi.Teksa këndohej kënga personi tjetër shoqëronte me gisht secilin gisht të lojtarit dhe në përfundim të këngës gishti që përkonte me fjalën e fundit duhej të fshihej brenda pëllëmbës derisa mbetej gishti i fundit fitimtar.

Loja me zare plumbi
Në një trekëndësh të vizatuar në tokë vendoseshin tre zare prej plumbi dhe një zar tjetër të njejtë me to duhej ti godiste me gisht në mënyrë që ti rrëzoj zërat e vendosur në trekëndësh transmeton ‘Xing.al’.Nëse arrije ti largoje tre zërat nga trekëndëshi ishe fitimtar.

Loja me cinlga
Loja konsistonte në dy shkopa prej druri njëri më i gjatë dhe tjetri më i shkurtër. Shkopi më i shkurtër vendosej mbi dy gurë apo tulla të mëdha ose në një gropë të vogël të hapur në tokë. Shkopi më i gjatë futej në hapësirën poshtë shkopit të vogël dhe e godiste këtë të fundit, duke e hedhur sa më lart në ajër.

Loja polici hajduti
Loja luhej me katër lojtarë. Secili prej tyre merrte rolin që zgjidhte pa e parë në letrën e palosur të vendosur në tavolinë. Njëri prej lojtarëve ishte në rolin e hajdutit, njëri në rolin e spiunit, njëri të policit dhe tjetri atë të gjyqtarit. Pa parë letrat e kundërshtarëve dhe pa e ditur se ç’role kishin ata duhej të gjenin midis tyre se ç’rol kishte secili dhe pasi ishin gjetur të gjithë, gjykatësi jepte dënimin për hajdutin.

Kaladibrançe
Marrin pjesë persona të ndarë në dy grupe. Njëri grup vendoset në mesin e fushës duke formuar kalanë të përkulur me shpinë dhe të kapur dorë për dore më njëri tjetrin. Grupi kundërshtar nisen të hidhen një nga një mbi personat që kanë formuar kalanë deri sa ti shembin atë. Kalaja nuk duhet të lëvizte gjatë lojës.

Loja me duar
Dy persona përballë njeri tjetrit trokasin pëllëmbët e duarve duke i kombinuar me levizje të ndryshme që shtohen në numër. Personi që ngatërron i pari lëvizjen quhet humbës.

Kriporja
Mbi një letë shkruheshin 4 numra dhe nga një cilësi për secilin numër për shembull ( i bukur, i shëmtuar). Letra palosej në formën e kripores dhe fëmijët duhet të zgjidhnin njërin numër dhe sa herë e dëshironin për të mësuar më pas një cilësi që shkruhej në kripore. / KultPlus.com