Talebanët fshijnë muralen ikonike të ArtLords

Një murale ikonike e realizuar në Kabul nga grupi i artistëve ArtLords pas marrëveshjes së Dohas është fshirë nga talebanët, njoftoi në Twitter një prej autorëve Omaid H. Sharifi, i cili ka lënë Afganistanin me familjen e tij këto ditët e fundit.

“Ata kanë filluar. Talebanët kanë filluar të pikturojnë mbi pikturat tona murale. Ata kanë filluar me atë murale historike që shënoi nënshkrimin e marrëveshjes së Dohas. Muralja e Baradar Khalilzad është zhdukur. Në vend të saj një shkrim bardh e zi që thotë “Mos i beso propagandës së armikut”, një citim nga Mullah Haibatullah”, shkroi artisti duke postuar një fotografi të veprës ashtu siç ishte pranë imazhit të murit pas kalimit të talebanëve.

Vepra, e cila u bë një nga imazhet simbolike të marrëveshjeve të shkurtit 2020, portretizoi të dërguarin special të Trump për Afganistanin, Zalmay Khalilzad, duke i shtrirë dorën Mullah Abdul Ghani Baradar. / KultPlus.com

EPA/HEDAYATULLAH AMID

Mbi 100,000 njerëz janë evakuuar nga Afganistani

Më shumë se 5,000 qytetarë amerikanë janë evakuuar në mënyrë të sigurt nga Afganistani, ka bërë të ditur të premten, gjenerali amerikan William Taylor.

Data 31 gusht është afati i fundit për tërheqjen e plotë të trupave amerikane nga Afganistani.

Sipas Taylor në total numri i njerëzve të cilët janë evakuuar nga Afganistani deri më tani si pjesë e misionit të evakuimit, është 111,000.

Ai ka thënë se edhe 5,400 persona janë ende duke pritur në aeroportin e Kabulit për të ikur nga Afganistani.

Gjatë të enjtes janë kryer dy sulme me bombë dhe armë zjarri jashtë aeroportit të Kabulit, si pasojë e të cilave mbetën të vdekur të paktën 100 persona.

Në mesin e të vrarëve raportohet se janë rreth 90 afganë dhe 13 anëtarë të shërbimit ushtarak amerikan.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë grupi Shteti Islamik.

Pentagoni ndërkohë ka deklaruar se sulmet e IS-is nuk do ta ndalin SHBA-në që të kryejë evakuime deri në ditën e fundit kur duhet të largohen. / KultPlus.com

Rrëfimi i oficerit shqiptar që shërbeu në Afganistan dhe humbi shokun e ngushtë në luftë: Afganët është dashur të bëjnë rezistencë

“Edhe pse përpara se të nisemi për një mision ne trajnohemi dhe studiojmë për kulturën, ritualet dhe traditat e vendit ku do të shkojmë, në Afganistan gjeta shumë gjëra të reja që ti i kupton dhe i mëson vetëm kur i prek nga afër. Kur shkova në shtëpitë e tyre kuptova që ata ishin një popull aq mikpritës, në mënyrën e tyre, por të pakursyer”, thotë që në krye të bisedës për Gazetasi.al Denis Deliu, oficer i forcave speciale të ushtrisë i cili ka marrë pjesë gjatë dy misioneve në vijën e parë të sulmit në Kandahar të Afganistanit.

Denisi i cili është trajnuar për 7 vite me radhë nga Forcat Speciale Amerikane “Navy Seal”dhe “Green berets” e që tashmë nuk gjendet më në këtë detyrë, rrëfen që në kontaktet me pjesën tjetër të popullsisë, tregtarë, këpucarë, berberë dhe afganas të thjeshtë, kishte gjithmonë biseda apo episode që i kishin ngelur në mendje dhe që e linin të kuptonte shumë gjëra për atë popull.

“Një ditë po ktheheshim nga një detyrë e largët. Afër bazës kishte dy grupe me fëmijë të moshës 6-7 vjeç, njëri me çanta shkolle që dukej se sapo kishin mbaruar mësimin, dhe një grup tjetër që po rrinin përtej. Fëmijët nga grupi i dytë filluan të na gjuanin me gur në momentin që ne kaluam pranë tyre ndërsa fëmijët që ktheheshin nga shkolla na përshëndetën me duar.

Ishte një episod i shkurtër, por që më tregoi shumë për atë popull dhe për rëndësinë që kishte arsimi atje”, tregon Denisi për Gazetasi.al.

Për ta përforcuar më tej, ai rrëfen që edhe kur forcat e koalicionit zbrisnin nëpër fshatrat që nuk kishin shkolla dhe u bënin dhurata familjeve vendase, sapo largoheshin, ata nisnin sërish t’i godisnin me gurë, sepse në qasjen e tyre, forcat speciale ishin “pushtuesit.”

“Problemi kryesor ishte mungesa e shkollimit, sepse nëse do të arsimoheshin, ata do të kuptonin ndryshimin dhe do fillonin ta pëlqenin atë.

Talibanët i kishin frymëzuar kundra nesh dhe  pesha jonë ishte shumë e madhe pasi duhej t’u vërtetonim që ne ishim atje për sigurinë e tyre dhe jo për t’u bërë keq. Duhej të ishim të sjellshëm me ta dhe t’i ndihmonim të zgjidhnin problemet.

Ata nuk e dinin se si ishte ndryshimi prandaj ishin pro tyre. Kur shihnin se ne po i ndihmonim, disa syresh filluan që të bashkëpunonin me ne”, vijon ai.

Duke qenë gjithë kohës në luftë, talibanët evoluan edhe në taktika. Tashmë ata kishin nisur që të fusnin brenda strukturave të shtetit njerëz të infiltruar që bashkëpunonin me forcat e koalicionit,të cilët merrnin trajnimin e Amerikës, Shqipërisë, Anglisë duke qenë në dijeni të çdo gjëje.

Në 20 shkurt të vitit 2012, gjatë kohës që Denisi ishte në misionin e njohur si “Eagle 4”, një polic i veshur me uniformë afgane por i infiltruar nga talibanët, i qëlloi nga prapa kurrizit. Denisi humbi shokun e tij të ngushtë, kapiten Feti Voglin.

“Në momentin kur humbëm shokun tonë, ne forcat shqiptare ndryshuam të gjitha rregullat me popullsinë, policinë dhe ushtrinë. Nuk kishim më besim tek ta edhe pse e vijonim bashkëpunimin.

Ishim mosbesues edhe pse rregullat e mirësjelljes nuk i humbëm kurrë por në fund të ditës besonim veç njëri-tjetrin dhe forcat e koalicionit.”

Ta prekësh Afganistanin nga afër në një mision të tillë, është një panoramë që nuk mund të imagjinohet shumë lehtësisht pasi atëbotë peripecitë, ashtu si edhe varfëria, ishin më të mëdha.

Ata vuanin për kushtet më minimale, nuk kishte energji elektrike dhe as ujë. Kandahari ishte një provincë e madhe ku gjithçka ishte e ndërtuar me qerpiç, baltë. Por megjithatë, kur shkoje në shtëpitë e tyre të gjithë të nxirrnin çaj dhe një pite të përgatitur vetëm me brum dhe kripë. Nuk kurseheshin asnjëherë.

Gjatë gjithë kohës ne ishim të pajisur me antiplumb, helmeta dhe armatim, por kur dilnim nga baza dhe zbrisnim në tokë për të bërë takime me të parin e fisit, ishte shumë e vështirë, kjo jo veç për faktin që ishim gjithë kohës të rrethuar me të panjohur por aty sulmi mund të binte kurdo.

Vendi ishte i gjithi me mina dhe ne i besonim shumë qenit antieksploziv i cili ecte përpara nesh. Duhej një guxim dhe një vigjilencë e jashtëzakonshme.”

Duke qenë pjesë e një misioni të tillë dhe duke jetuar në atë zonë,krijimi i miqësive me afganët ishte shpesh i pashmangshëm.

“Shumicën e kontakteve që i kishim besnike ishin përkthyesit që punonin me forcat speciale, të cilët ishin më të përzgjedhur e që kishin kaluar të gjithë filtrat sepse do të merrnin pjesë në operacione sekrete që mund të dekonspiroheshin.

Kishte përkthyes afganë-afganë që jetonin në Kandahar, por që vinin nga Kabuli ose nga qytetet e tjera për shkak se të afërmit, fqinjët dhe shokët e tyre duhej të mos e merrnin vesh që punonin me forcat e koalicionit dhe përkthyes afganë- amerikanë me pasaportë amerikane që ishin tërësisht të besueshëm.”

“Ne trajnuam njerëz që të luftonin për ndryshimin. Në 2014, kur isha në misionin e fundit, i lamë vetë ato të drejtonin misione, të vendosnin vetë objektivat, të merrnin kontrollin gjë që siç duket nuk u arrit siç duhet. Afganët të paktën duhet të kishin bërë më shumë rezistencë.

“Ne kemi luftuar kundra talibanëve dhe tashmë e imagjinoj se si është situata atje. Të jesh gjithë kohës nën trysninë e armëve është shumë e vështirë. Tani nuk ka më rend dhe siguri, do sundojë ligji i më të fortëve dhe më të fortët janë talibanët.”

“Unë besoj tek mirësia e atij populli dhe ndihem krenar që do t’i mikpresim ata afganë që shërbyen pranë nesh në shërbimet tona, njerëz që kanë punuar me forcat e koalicionit, sepse ne vetë e kemi provuar si popull migrimin edhe pse nuk kishim luftë. Ata i pret vdekja pasi talibanët i konsiderojnë si tradhëtarë afganët që kanë bashkëpunuar.”

“Përtej kësaj, Shqipëria është pjesë e NATOS dhe ka përgjegjësi për këta njerëz si edhe për t’iu përgjigjur aleancës.”

“Shqipëria duhet të fuqizojë institucionet e sigurisë. Nuk përjashtohet mundësia që me elitën të futen dhe talibanë të infiltruar  por mendoj që ne i kemi kapacitetet njerëzore dhe operacionale që t’i verifikojmë dhe t’i mbajë të kontrolluar. Mund t’i marrin në pyetje, mbi trajnimet e tyre, mbi përgatitjen ushtarake për të patur një pasqyrë të qartë”, thotë ushtaraku shqiptar që shërbeu në Afganistan”

Për Denisin, afganët janë një popull i zgjuar dhe me zemër të madhe që po vuajnë për shkak të pasivitetit të klasës politike dhe influencës së Pakistanit. / KultPlus.com

Foshnja që u bart dorë më dorë është ribashkuar me familjen e saj

Të enjtën në Aeroportin e Kabulit është bartur një foshnje dorë më dorë në mënyrë që të largohet nga regjimi i ri i talebanëve nën të cilin ra Afganistani. Videoja ku shihet foshnja duke u bartur raportohet se është ribashkuar me familjen e saj.

Në video shihet momenti kur foshnja kapet nga trupat ushtarake të SHBA’së pasi kaloi rrethojat me gjemba.

“Foshnja që shihej në video është dërguar tek shërbimi mjekësor”, thotë Major James Stenger, raporton NY Times.

Tutje, zëdhënësi i Marinsave konfirmoi “Mund të konfirmoj se foshnja u ribashkua me babanë e tyre dhe është e sigurt në aeroport”.

“Ky është një shembull i vërtetë i profesionalizmit të marinsave në vend, të cilët po marrin vendime të shpejta në një situatë dinamike në mbështetje të operacioneve të evakuimit,” tha ai. / KultPlus.com

Pas mbylljes së shkollave, fëmijët afganë punojnë në fushat e drogës: Ne jemi të varfër, nuk kemi tjetër mundësi

Në provincën Badakhshan të Afganistanit, është rritur numri i fëmijëve që po punojnë në fushat e mbjellura me bimë nga të cilat prodhohet droga. Kjo dukuri ka ardhur si pasojë e mbylljes së shkollave për shkak të pandemisë.

Një fëmijë 10-vjeçar afgan shihet duke punuar në këto fusha me babanë e vet. I pyetur nga gazetari se çfarë bën aty, djaloshi përgjigjet: “Unë mbledh opium.” Më pas, ai pyetet se sa paguhet në ditë për këtë punë dhe përgjigjet: “50 afganë” (rreth 57 centë).

Si ai janë duke punuar edhe shumë fëmijë të tjerë afganë. Një djalosh tjetër tha: “Unë jam në klasën e gjashtë, por shkollat këto ditë janë mbyllur dhe unë nuk kisha punë. Për këtë arsye, erdha këtu për të mbledhur opium në fushat e fqinjëve. Unë vij nga një familje e varfër. Ne nuk kemi tokë tonën.”

I pyetur se sa fiton gjatë ditës, djaloshi i paidentifikuar tha: “Unë i mbledh 20 gramë opium dhe i shes për 100 afganë (1.13 dollarë) dhe i shpenzoj për nevojat e përditshme të familjes”, shtoi ai, shkruan “Free Europe”, transmeton KultPlus.

Në këto fusha u panë duke punuar edhe disa vajza. “Edhe unë jam në klasën e gjashtë, por për shkak se shkollat janë mbyllur, unë vij këtu me babanë për të mbledhur opium. Ai m’i jep 20 ose 30 gramë në ditë dhe unë e shes”, tha një vajzë.

Të rriturit thonë se i kultivojnë këto bimë, sepse bimët e tjera nuk sjellin fitim. “Unë jam një njeri i varfër. Nuk kam tjetër mundësi. I sjell këto gra dhe vajza për të më ndihmuar për të mbledhur opium”, tha Saleh Mohammad.

I pyetur se a frikësohet që fëmijët mund të bëhen të varur nga opiumi, ai tha: “Jo, ata nuk e përdorin atë, vetëm e shesin dhe i marrin të hollat.” / KultPlus.com