Fatos Goliqi: T’isha kanë i bardhë e kisha pasë shumë ma lehtë me gjet punë e jo me mbetë në mëshirë të njerëzve

Xhemile Hysenaj

Fotografitë: Nok Selmani

‘Unë jam i zi, prandaj shumë shpesh pritoj edhe me kërku punë. Po t’isha kanë i bardhë, pasha Zotin e madh kurrë nuk isha nalë, besom që njerëzit te dera kishin ardhë e më kishin lypë për punë, sepse jam në gjendje me punu gjithçka. Unë edhe tash që kërkoj para nga njerëzit e di që jam duke punu ndershëm, por sigurisht që një punë me rrogë më kish pëlqy ma shumë’, kështu shprehet Fatos Goliqi, djaloshi që pothuajse të gjithë e njohin e shohin çdo ditë në rrugët e Prishtinës, herë duke kënduar e herë duke kërkuar lëmoshë, i qetë dhe shumë i dashur me të gjithë.

Fatos Goliqi, 21 vjeçari nga Prishtina, të cilit i mungojnë edhe kushtet elementare për jetesë, së bashku me familjen e tij jetojnë në një shtëpi me qira në një lagje të Prishtinës. Babai i tij në anën tjetër mbledh kanaqe pothuajse çdo ditë për të siguruar jetesën për familje, ndërkaq nëna e tij kujdeset për shtëpinë dhe për motrën e vogël të Fatosit e cila shkon në klasë të dytë. Fatosi e ka ndërprerë shkollën në klasën e gjashtë, pasi që situata në të cilën gjendej familja e tij, duke qenë se ky është djali i vetëm i familjes, iu dashtë të gjej punë në vend se të vazhdojë me shkollimin.

Në sytë e Fatosit vërehet qartazi se është i dërmuar nga një jetë e tillë, ai flet me një ftohtësi të pashoq teksa tregon për ditën e tij në rrugët e Prishtinës.
‘Sillem zakonisht kah sheshi, ndonjëherë fitoj më shumë e ndonjëherë më pak. Kam diku rreth 4 vjet që dal kështu, ndonjëherë ndodhë që shqiptarët më thirrin edhe për punë fizike, por ndodhë rrallë.’, tregon Fatosi.

Fatosi është fjalë pak, më shumë biseduam me të pas intervistës sesa gjatë saj. Ai ngurron në të shprehur dhe nuk preferon asnjëherë të luajë rolin e viktimës, nuk pranon të nënshtrohet në asnjë mënyrë dhe është krenar me veten që së paku arrin të sigurojë të ardhura për familjen e tij. Përderisa ne bisedonim, njerëzit rreth nesh na hidhnin shikime të çuditshme, të cilat nuk ishin të vështira për t’u kuptuar. Kjo gjë Fatosit nuk i bënte përshtypje, ai ishte mësuar me shikime të tilla dhe për të ishin mëse normale.

Ata që e njohin Fatosin, e kanë parë shumë shpesh edhe duke kënduar. Ai tregon se do të kishte shumë dëshirë që të bëhej edhe këngëtar, mirëpo heziton shumë. Madje tregon se ndër rastet e fundit që i ka ndodhur me avokatin e njohur Tomë Gashi, ka bërë që Fatosi prej atëherë mos të këndojë më. Ai rrëfen ngjarjen dhe tregon se edhe sot e kësaj dite ndjehet keq për atë ndodhi.

”Unë dola me knu, ai erdh edhe më tha ‘pse po bërtet’, i tregova se nuk po bërtas dhe arsyeja pse po këndoj është idarja, me i pasë kushtet mirë nuk isha dalë këtu hiç. Pastaj ai mu drejtua e më tha ‘qysh t’u kish dokë me të ardhë ty të shpija jote e me të bërtitë, a e din se po u pengon banorëve këtu’, i thashë e di, por nuk kam zgjidhje tjetër, pastaj ai më goditi në kambë e në paketen që e mbaja tek këmbët. Dhe ai nuk u kanë i dehur qysh flitet, ka qenë shumë mirë”, vazhdon tutje Fatosi.

Fatosi shprehet se kjo ngjarje e ka bërë të ndjehet shumë keq, i turpëruar që ndodhi në sy të shumë njerëzve. ‘Prej atij momenti unë nuk kam dalë me këndu ma në shesh, ai ma ka largu kafshatën e bukës. E di se jam përmend shumë në Facebook dhe kam shpresu që dikush bën diçka për këtë gjë, por nuk ndodhi kurrë’, përfundon Fatosi rrëfimin.

-Ti qysh ndjehesh nëse dikush të ofendon, më pyet mua Fatosi.
Sigurisht që nuk ndjehem mirë, i përgjigjem unë. -Unë ofendohem çdo ditë, më përgjigjet ai duke qeshur.

Fatosin e njoh shumë moti, bile shpesh edhe jemi ndalur në rrugë e kemi biseduar për gjëra të ndryshme. Ai ka një humor të këndshëm dhe kur ndonjëherë është në ditët e tij të mira, biseda me të rrjedh shumë natyrshëm. Ai shumë shpesh më ka treguar se si nuk e kupton dot se pse ekzistojnë këto dallime në mes të komunitetit shumicë dhe atij pakicë, ai shpesh irritohet dhe mendon se arroganca e secilit lidhet me të ardhurat financiare të atij personi. ”Disa mendojnë që pse kanë më shumë para se unë, janë edhe më të mirë se unë”, shprehet Fatosi.

Stereotipi më i gabueshëm që ekziston për komunitetin pakicë, lidhet me krimin. Për Fatosin kjo është e papranueshme. Ai i referohet komunitetit me ”magjuptë e mi”. ”Unë kurrë nuk jam keqtrajtuar nga magjuptë e mi dhe e di sigurt se ata nuk janë njerëz të krimeve e as të gjanave të këqija”, flet me vendosmëri ai.

Fatosi tregon se kur kishte qenë fëmijë, shumë shpesh kishte ëndërruar të kishte një punë të mirë e një rrogë të kënaqshme, që së paku të ishte në gjendje të dërgonte ushqim në shtëpi, të ishte i zoti i vetvetes dhe jo të mbetej në mëshirën e njerëzve të tjerë.

Sipas një raporti nga OSCE, realizuar në janar të këtij viti, një pjesë e mirë e fëmijëve që i përkasin komuniteteve Rom, Ashkali apo Egjiptas detyrohen nga familjet e tyre që të kërkojnë lëmoshë nëpër rrugët e Prishtinës. Pjesëtarë të komunitetit Rom në Kosovë bëjnë jetesën e tyre nga mbledhja e gjësendeve metalike, ndërsa burrat janë të përfshirë në punë sezonale që lidhen me agrikulturë apo ndërtimtari. Tek fëmijët, vjen në shprehje mbledhja edhe e pllastikës, bërllogut dhe materialeve të riciklueshme, me anë të të cilave nëse fitojnë, ata ndihmojnë familjet e tyre. Sipas këtij raporti, përderisa nuk ka numra të saktë se sa fëmijë janë të angazhuar në këtë aktivitet, djemtë më shumë angazhohen në mbledhje të gjësendeve ndërsa vajzat më shumë merren me kërkim të lëmoshës. Shumica e fëmijëve të përfshirë vijnë nga banesat sociale në Plemetin.

Sipas Organizatës ‘Vorae – Voice of Roma, Ashkali and Egyptians’ – një prej më të mëdhajave në Kosovë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas, janë afërsisht rreth 230 fëmijë në mbarë Kosovën të cilët bëjnë punë fizike në rrugë dhe kërkojnë lëmoshë. Qendra për Punë Sociale nuk i ka të ndara statistikat, por sipas tyre nga ky numër rreth 90 % vijnë nga radhët e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas.

Fatosi nuk e din se sa njerëz do ta lexojnë artikullin rreth tij, mirëpo ai ka një mesazh të thjeshtë për të gjithë: Kushdo që e sheh, dua t’i them se dua vetëm një punë dhe asgjë më shumë.

TEKSTI NË GJUHËN ROME

TEKSTI NË GJUHËN ANGLEZE.

(Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KultPlus/YIHR KS dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)