Organizata ETEA ka reaguar sot në lidhje me situatën e krijuar nga institucionet relevante të arsimit dhe sindikatat, raportet e të cilëve po zhvillohen mbi kurriz të fëmijëve.
Sipas tyre, është krejtësisht e papranueshme që mohimi i të drejtës themelore për arsim dhe simbolikës së ditës së parë të shkollës për të vegjlit të shndërrohet në normë sociale e institucionale. Është po kaq e pajustifikueshme ngarkesa emocionale dhe konfuzioni mendor që u shkaktohet fëmijëve për pothuajse çdo fillim të vitit të ri shkollor.
Sektori i arsimit në Kosovë është në krizë të thellë dhe për këtë janë të vetëdijshëm krerët e institucioneve dhe sindikatave. Por, në njërën anë Qeveria e Kosovës duke mos e prioritizuar arsimin, kurse në anën tjetër sindikatat duke shkaktuar bllokadë totale të arsimit në mënyrë të përsëritshme (instrumenti më ekstrem sindikal), qartazi po shpërfaqin papërgjegjësinë e tyre profesionale dhe humane në raport me fëmijët dhe vendin.
“Organizata ETEA konsideron se është urgjente dhe kërkon nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) që të mos i shndërrojë fëmijët në instrument sindikal, por të shfrytëzojë mënyra tjera të të bërit presion ndaj institucioneve për mirëqenie të mesimdhënësve/eve, qëllim ky për të cilin ETEA padyshim se e mbështet dhe angazhohet vazhdimisht.”
Tutje, ETEA e konsideron urgjente dhe i bën thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) që të vihet në krye të detyrës duke u angazhuar për dialog dhe gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e pakënaqësive pasi kjo është detyrë dhe përgjegjësi e plotë e kësaj të fundit.
Është e domosdoshme që, viti shkollor të fillojë jo më larg se më datë 05.09.2022 dhe mbi të gjitha, të prioritizohet arsimi në Kosovë. / KultPlus.com