Ferdinand Deda, Mjeshtri i Madh përkujtohet në ditën e lindjes

Më 5 shkurt të vitit 1941 u lind kompozitori, dirigjenti dhe instrumentisti, Ferdinand Deda.

Gjithë jetën e tij, gjersa u shua më 24 gusht 2003, Ferdinand Deda ia dedikoi pentagramit. Me të mbaruar liceun artistik të Tiranës në vitin 1960, iu drejtua konservatorit të muzikës së Pragës për të ndjekur studimet në disiplinën e dirigjimit.

Në klimën e pezmatimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik, Deda ndërpreu studimet për t’i rimarrë ato në konservatorin e Tiranës. Atij iu besua të udhëhiqte orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH).

Duke nisur nga viti 1964, Ferdinand Deda ka realizuar mbi 300 koncerte brenda dhe jashtë vendit. Kolonat zanore të shumë filmave shqiptarë, mbajnë autorësinë e Dedës dhe të orkestrës simfonike të RTSH-së. Në tagrin e kompozitorit, ka lënë pas një trashëgimi tejet të pasur muzikore, prej së cilës veçohen 3 valle simfonike, katër skica për piano, trio për violinë, violonçel dhe piano, prelud të kënduar, impropt për piano dhe orkestër harqesh, fantazi për ksilofon dhe orkestër, koncertino për korn dhe orkestër, koncertino për fagot, klarinetë dhe flaut etj.

Në vlerësim të kësaj vepre të ngjeshur, në vitin 1997 Deda u shpall fitues i “Diskut të artë”, si edhe është nderuar me titullin “Artist i merituar” dhe “Mjeshtër i Madh”./atsh/KultPlus.com