Filmi dokumentar “Ferdonije” jepet sot në BKK

Sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të shfaqet filmi dokumentar “Ferdonije”, shkruan KultPlus.

Ky film rrëfen përjetimet e zonjës Ferdonije, gruas që ka mbetur pa burrin dhe djemtë e saj, të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.

I xhiruar në një periudhë prej dy vitesh filmi tregon emocionet, mendimet, vështirësitë dhe vuajtjet e Ferdonijes, të reflektuara nga realiteti i zhdukjes me dhunë të gjithë familjes së saj nga forcat serbe.

Filmi është drejtuar dhe prodhuar nga Gazmend Bajri dhe Shkurte Dauti. /KultPlus.com

Filmi “Ferdonija” do të shfaqet për 10 orë të plota në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës, shfaq filmin ”Ferdonija” për 10 orë të plota.

”Ferdonija” është dokumentar i shkurtë rreth tregimit të Ferdonijes, gruas që ka humbur burrin dhe djemtë e saj gjatë luftës në Kosovë në vitin 99′. Ky dokumentar i xhiruar në një periudhë prej dy vitesh, tregon emocionet, mendimet, vështirësitë dhe vuajtjet e Ferdonijes të reflektuara nga realiteti i zhdukjes së gjithë familjes së saj nga forcat serbe.

Filmi dokumentar që zgjat 30 minuta, do të lëshohet pandaluar për 10 orë, duke filluar nga ora 12:00 deri në 22:00, në Parkun e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me datën 30 gusht. / KultPlus.com

‘Ferdonija’ shtangë audiencën mitrovicase

 Mbrëmë në hapësirat e 7 Arte u shfaqë filmi dokumentar “Ferdonija” në kuadër të Green Fest 9.

 Ishin të pamjaftueshme ulëset e parapara për audiencën në natën e tretë të kinemasë së hapur, ku i pranishëm ishte edhe autori i filmit Gazmend Bajri.

“Ferdonija” ndjek historinë e gruas nga Gjakova me të njëjtin emër, e cila gjatë luftës ka humbur të gjithë pjestarët e familjes dhe tashmë pas një dekade ende nuk ka asnjë lajm për ta dhe për rrethanat e zhdukjes apo vrasjes së tyre. I xhiruar përgjatë dy viteve, ky dokumentar rrëfen vuajtjet shpirtërore, sfidat e përditshme, stigmën dhe trysninë sociale që kjo grua përjeton, si dhe përpiqet të hedhë dritë mbi pasojat që historia ka lënë tek të mbijetuarit e saj.

 Sipas autorit ky film iu ka dedikuar paqes dhe se këshilloi që të dokumentohen sa më shumë rrëfime nga e kaluara jonë e hidhur.

Ky është edicioni i njëmbëdhjetë i kinemasë së hapur verore në Mitrovicë, ndërkaq organizatorët kanë paraparë që filma të tjerë të prodhuar në Kosovë të shfaqen gjatë këtij viti. / KultPlus.com

Monolog këtej varrit

 

Recension mbi film dokumentarin “Ferdonija”

Duket sikur ai fatum-i (μοiρα) antik grek i ka përgatitur një jetë të tillë, sepse ndryshe nuk ka mundësi të jetë e vërtetë. Vetëm zotat mitikë mund ta projektojnë një vuajtje kaq të përbotshme. Një vuajtje kaq e madhe, një dramë e tillë mund të luhet vetëm në teatrin e madh të Dionisit. Por, ja që një dramë e tillë, e që për skenë ka zemrën e një gruaje, luhet në çdo çast tash e përgjithmonë. Nuk është se zotat ia sajuan një fat të tillë, jo, ishin njerëzit të cilët kësaj gruaje ia futën në gji zjarrin e vuajtjes dhe të mjerimit. Njeriu është kafsha më mizore që kam hasur në tokë, në sytë dhe në zemrën e kësaj gruaje kjo frazë merr përmasat e një të vërtete absolute. Pothuajse askush si ajo nuk do t’mund ta kuptojë deri në afsh mizorinë që mund t’i sjellë njeriu njeriut. Sot, për të jeta është një barrë, kurse vetmia përditshmëri. Dikur e rrethuar me më të dashurit e saj, kurse sot e mbështjellë me një boshllëk sikur nata që lëshohet në një det të paanë. Duket sikur kjo grua në shpirtin e saj, përveç dhimbjes, mban edhe mëkatet e gjithë njerëzimit, jo vetëm të atyre që ikën, por edhe të atyre që ende nuk kanë lindur. Protokolli i saj shpirtëror sikur ecën mbi dy shina që nuk takohen kurrë: në njërën anë dhimbja dhe ngushllimi në deficit, kurse në anën tjetër poshtërsia që nuk njeh dhimbje. Në këtë kontekst, po ta parafrazojmë Heraklitin, atëherë do të thoshim se këtu: të vdekurit janë bashkë në botë, kurse të gjallët janë veç.

Image

Aq e heshtur është shtëpia sa që ke ndjenjën se do të shurdhohesh nga një heshtje e tillë. Kujtimet ajo i ruan me fanatizëm, nuk lejon që t’i humbasin apo t’ia marrë ndokush, sepse ajo e di mirë çka do të thotë të humbësh, e sidomos t’i humbësh të gjitha. Prandaj, një njeri që i ka humbur të gjitha, nuk lejon me asnjë çmim që kujtimet t’i veniten. Malli për të shoqin dhe katër djemt e saj është një mall që i tejkalon limitet e çdo imagjinate, kurse mërzia thurë dalëngadalë rrjetën e dëshpërimit. Ferdonije Qerkezi është pasqyrë jo vetëm e jona, por pasqyrë e gjithë njerëzimit. Prania e saj e heshtur në mesin tonë, ne na bën të papranueshëm në gjamën e saj. Vuajtja që ia shkaktuan dikur të tjerët dhe që sot po ia shkaktojmë ne, është shprehur mjaft qartë në filmin e shkurtër dokumentar të regjisorit Gazmend Bajri dhe Shkurte Dauti. Filmi flet për 24 orët nga jeta e kësaj gruaje. Ritmi i jetës së saj shkon në drejtimin e kundërt me ritmin e shoqërisë në të cilën ajo bën pjesë. Përderisa shoqëria kosovare vrapon drejt së ardhmes, Ferdonija gërmon në të kaluarën, sepse atje është jeta e saj, atje janë ditët e lumtura. Kurse, e tashmja tash e 20 vjet është dhimbje, pritje, vetmi. Ajo siç rrëfen tash e dy dekada, po të njëjtin rrëfim e jep edhe në këtë film dokumentar, se si ndodhi atë natë të 27 marsit 1999, kur nga forcat policore serbe para syve të saj iu morën burri dhe katër djemtë. Një jetë me plotë mundime dhe gëzim për t’i rritur katër fëmijë, dhe në një natë pa hënë ia morën, për të mos iu kthyer kurrë. Ajo natë për Ferdonijen zgjat edhe sot, sepse ajo natë për të është e pambarim. Çasti kur ia rrëmbyen të dashurit e saj, për të ka mbetur çast i amshueshëm. Një momentet prekës në këtë film, është çasti, kur nëna Ferdonije shkon te varrezat. Aty janë pesë varre, në dy prej të cilëve prehen mbetjet mortore (Artanit – djali i madh dhe Edmondit – djali i vogël), dhe tri varret e tjera që janë të zbrazta, po aq sa është e zbrazët tani jeta e Ferdonijes. Monologu i saj me këto varre, është një moment i trishtimit. Të ngjall një neveri deri në gërditje për sojin njerëzor. Kur e sheh këtë grua pranë atyre varreve, thjesht të vjen keq nga vetja pse je njeri. Kjo është ana se çfarë i bënë të tjerët kësaj gruaje.  

Kurse, ana tjetër është se çfarë i bëmë ne asaj. Për ta kuptuar se si u sollëm ne me të, mjafton ta dëgjojmë momentin kur Ferdonija i drejtohetbashkëshortit të saj (Halimit). Ajo i tregon se si vëllezërit e tij u sollën me të: Vllazit e tu u ndanë krejt prej meje. Për ç’atë tokë… Tokën me da, e mu me m’qit n’sakak. Këto pak fjalë të kësaj gruaje me zemër të thyer, e tregojnë saktësisht atë që është mbjellë nëdër breza në shoqërinë tonë. E tregon varfërinë shpirtërore, që edhe kur kemi një dhimbje kaq të madhe, ata të cilët i njohim dhe i thërrasim si të afërm, hapin edhe një varr, u bëjnë edhe një vrasje të dytë atyre të vdekurve. Nanën e katër fëmijëve, që nuk i ka më, ne e hedhim n’sokak si një leckë. Kur është fjala për të grabitur një grusht dhé, ne nuk brengosemi se kjo grua nuk ka se ku ta hedhë një grusht dhé, i ka mbetur në dorë tash e njëzet vjet.  Këto fjalë të Ferdonijes, na shpërfaqin edhe neve si shoqëri. Ajo para një varri të zbrazët i flet burrit të vet, e që në fakt na zhvesh neve, moralisht na lë cullak. Në krahasim me atë se çfarë ajo thotë, thjesht ne si shoqëri jemi disa kufoma të gjalla që sorollatemi në këtë varr gjigant. Çfarë do t’i themi vetes dhe të tjerëve?! Ndoshta do të ishte mirë që kësaj nëne (dhe përmes saj, të gjitha nënave) t’i kërkonim falje për atë që u bëmë edhe atëherë kur nuk bëmë asgjë. Mbase, ajo ka kujt t’i rrëfejë (sic!), por ne çfarë kemi për të rrëfyer. Ferdonije Qerkezi jeton e vetmuar, me mungesën e më të dashurve të saj që ia mori lufta, kurse ne jetojmë me mungesë të ndërgjegjes dhe në vetminë e bollëkut që na e solli liria. Prandaj, ky film dokumentar, është më shumë se një film, është jeta e një gruaje. Tridhjet minutat e këtij filmi, janë tridhjet minutat që për ne dhe të gjithë njerëzimin nuk do të përfundojnë asnjëherë: drama e një gruaje që shpërfaq ndërgjegjen e munguar të njeriut. / Sbunker / KultPlus.com

https://sbunker.net/teh/89915/monolog-ketej-varrit/

New York Times: Ferdonija nga Gjakova i ruan dhomat e katër djemve të zhdukur

Fotografia në ballinë: Artan Korenica

Me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, gazeta prestigjioze “New York Time” ka publikuar një tekst më të gjerësishëm, përgatitur nga gazetari Andrea Testa.

Mes tjerash në këtë artikull ai shkruan edhe për rastin e Nusrete Kumnovës që ka humbur djalin e vetëm dhe Ferdonije Qerkezit nga Gjakova, e cila në luftë humbin tërë familjen.

Kufomat e dy djemve të zonjës Çerkezi tashmë janë gjetur dhe varrosur. Bashkëshorti dhe dy djemtë tjerë ende nuk janë gjetur.

“Në Gjakovë vizitova dy gra, Nusrete Kumnovën dhe Ferdonije Qerkezin. Gjatë luftës, djali i vetëm i zonjës Kumnova është kidnapuar dhe është i zhdukur sot e kësaj dite. Zonja Qerkezi ka humbur bashkëshortin dhe katër djemtë. Dy djemtë e zonjës Qerkezi janë varrosur. Bashkëshorti dhe dy djemtë tjerë ende janë të zhdukur. Për këto dy gra, koha nuk lëviz fare. Zonja Qerkezi e ka kthyer shtëpinë e sajë në muze kushtuar kujtimeve për familjarët e saj.

Lart, dhomat e tyre janë ashtu siç kanë lënë. Lojërat, topat e futbollit dhe pjesë të rrobave me kujdes janë paketuar në najlon. Në dhomën tjetër, si kujtim i tmerrshëm për mënyrën se si janë ndarë nga jeta, mban rrobat e përgjakura dhe nga plumbat të dy djemve trupat e të cilëve i ka gjetur dhe i ka varrosur”, shkruan Neë York Times./KultPlus.com