Ag Apolloni për librin e tij mbi nënën Ferdonije: Rrezikova shumë kur e shkrova këtë libër

Shkrimtari Ag Apolloni ka shpjeguar së fundmi konceptin e librit “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, i cili ka të bëjë me të pagjeturit e luftës së fundit në Kosovë, shkruan KultPlus.

Ai ishte i pranishëm së fundmi në një emision në Euronews Albania, ku tregoi se në këtë roman trajtohen tri histori të rëndësishme, dhe të tjerat që janë plotësuese.

Njëra ndër historitë kryesore është edhe fati tragjik i nënës Ferdonije, gruaja e cila humbi katër fëmijët dhe burrin e saj në luftën e Kosovës.

“Kur nisa ta shkruajë këtë, rrezikova sepse nuk kisha shkruar asnjëherë një gjë të tillë. Ky libër insiston që të kujtohet e kaluara, pjesa më tragjedike. Insiston që të nxerrim edhe mësime prej saj”, shpjegoi tutje ai.

Në rastin e Ferdonijes është një pjesë e letërsisë së absurdit dhe në anën tjetër personazhin e Nënë Pashkës që nënkupton një figurë të revoltës që nuk mund të pres e të durojë, dhe i jep fund jetës.

Apolloni në fund bëri thirrje që të kujdesemi më shumë për muzetë, institucionet të cilët na kujtojnë të kaluarën. /KultPlus.com

Mediet kroate e krahasojnë Ferdonije Qerkezin me heroinën nga Kroacia

“Unë ëndërroj burrin dhe fëmijët e mi çdo ditë. Në ëndrrat e mia, shtëpia ime është plot lumturi dhe gëzim. Do të doja të bija në gjumë, të isha në atë lumturi dhe të mos zgjohesha në këtë heshtje dhe zbrazëti”.

Kështu fillon rrëfimin mediumi kroat me qendër në Zagreb ‘Vecernji’, të marrë nga Ferdonije Qerkezi, heroina e luftës së Kosovës nga qyteti i Gjakovës, e cila humbi burrin dhe katër djemtë e saj nga forcat serbe, më 1999’ën, transmeton KultPlus.

Siç thuhet në artikullin e mediumit kroat, “kosovarët e quajnë Ferdonije Qerkezin gjyshja Kata e Kosovës, duke e krahasuar atë me gjyshen Kata Ćoljić, e cila është simbol i vuajtjes dhe guximit të një nëneje kroate. Ajo humbi katër djem në Luftën e Atdheut”.

Kata Ćoljić jetoi 85 vjeç. Ajo vdiq në vitin 2008 me katër plagë të mëdha në zemrën e saj. Ćoljić kishte humbur katër fëmijët e saj në luftën e vitit 1991, të zhvilluar ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë.

“Jam i lumtur kur dëgjoj se trupa të rinj ende po gjenden. Por ai gëzim është i përzier me ndjenjën e trishtimit, sepse unë dua që të paktën një pjesë e trupave të bijve të varroset në vendin e lindjes. Zemra e nënës nuk mund të qetësohet kurrë, por të paktën do ta dija që ata janë këtu, në Gjakovë – thotë Ferdonije mes lotësh, duke thënë se lotët e saj po rrjedhin qe 22 vjet dhe nuk janë tharë kurrë.

“Më 27 mars të 1999’ës, oficerët e policisë serbe më erdhën në shtëpi. Unë madje di edhe emrat e disa prej tyre. Ata u larguan dhe u kthyen disa herë. Përfundimisht, ata morën burrin dhe katër djemtë e tyre, si dhe mysafirët që ishin me ne në atë kohë dhe gjetën strehë. Gjëja më e vështirë për mua ishte kur morën më të voglin, Edmondin. Ai ishte 14 vjeç. Shikova në sytë e tij të mbushur me frikë dhe kërkova ndihmë. Unë, për fat të keq, nuk mund të bëja asgjë. Unë besoja se do t’i trembte pak dhe do t’i kthente. Por ata nuk u kthyen më. Nuk e kisha idenë se ishte takimi im i fundit me ta. Për pesë vjet e gjysmë nuk dija asgjë për fatin e katër djemve dhe burrit tim dhe shpresoja që të paktën djali i vogël të kthehej i gjallë. E gjithë shpresa ime u shua më 2005’ën kur trupat e djalit të madh Artan dhe Edmondit mu kthyen. Emrat e Halimit, Armendit dhe Ardianit janë ende në listën e më shumë se 1,650 emrave të banorëve të Kosovës, të cilët ende janë të listuar si të zhdukur”, deklaroi ajo tutje për mediumin kroat.

“Ditët e mia janë të ngadalta. Mundohem të kthehem në vitet kur jetoja me burrin dhe fëmijët e mi. Mundohem të jetoj sikur edhe ata të jenë me mua sepse trishtimi dhe dhimbja që mbart do të më kishin vrarë shumë kohë më parë. Zoti nuk i dha askujt një mundim dhe jetë të tillë”, shtoi tutje ajo, e cila u solidarizua me çdo nënë që humbi bijtë e saj në atë luftë.

“Unë nuk e urrej askënd, sepse urrejtja është sëmundja më e madhe që të vret me kalimin e kohës, dhe nuk mund t’i rikthejë më të dashurit e tu”, përfundon Qerkezi. / KultPlus.com

Muzeu i dhimtës

Poezi nga Vlora Konushevci

Në tavolinën e bukës
dreka shtru
pesë karrika thatë
nji për mungesën
nji për dhimtën
nji për vuejtjen
nji për heshtjen
nji për t’voglin e nanës
Ferdonije
e ajo fillikall
në shtëpinë muze.

Dhimta nuk asht koncept abstrakt
në shtëpinë e nanës ajo
i ka sytë, gojën edhe trupin
por kambë nuk ka, me ikë s’mundet
çdo ditë rritet me të reshunat
e pikëllimit si det pa breg,
mbështjellë në celofan
i ka përpi krejt rrezet e diellit
tu e lanë shtëpinë e mbytun
n’shkreti e plagë.

Aty s’ka as edhe nji tingull
veç gjamës së nanës
në ditë t’ Bajramit
kur lutet e lutet
veç për nji trohë drejtësi,
strehë dhimtës i ka ba
për nji mijë vjet
e ata që dhimtën ia ngjitën
jetojnë lirshëm
kanë edhe adresë.
.
Photo: Artan Korenica / KultPlus.com