Këtu, këtu është djali, po është i vogël dhe nuk ka letërnjoftim

Në kujtesën e nënës kthehet përditë shiriti filmik. Mungon një letërnjoftim. Ku e keni fshehur? Këtu, këtu është djali, po është i vogël dhe nuk ka letërnjoftim. Sille këtu! Djali është duke fjetur, duke ëndërruar, ndërsa hapat e nënës afrohen dhe ia prishin gjumin, ia prishin ëndrrat. Vetë ai është ëndrra e nënës, është plani i saj. Ai do të rritet, do të shkollohet, do të martohet, do ta njohë bota dhe do të krenohet nëna. Evlad, Mond, zgjohu! Çohu! Po të thërra-sin. Shokët? Jo, jo. Vëllezërit? jo, jo. Babi jo, jo. Kush, mam? Ata, ata… i vjen të thotë fjalën më të rëndë për ta, por shikon andej ku presin me padurim ata, dhe u buzëqesh nga halli. Ata, ata… milicët. Djali zverdhet. Fërkon sytë. Sheh mamin, sheh milicët. Sheh vëllezërit dhe babën të arrestuar. Ngrihet në këmbë. Drejton shtatin dhe niset drejt tyre. Bashkohet me dhjetë të arrestuarit e tjerë. Është më i vogli. Askush nuk mund ta besojë se edhe atë do ta marrin. Por, milicët janë për barazi. Si i rrituri, si fëmija, janë të barabartë para qëllimit të tyre, para mjetit të tyre. Cilit qëllim? Eliminimit. Cilit mjet? Bajonetës.

Pjesë nga romani “Një fije shprese, një fije shkrepëse” nga Ag Apolloni./ KultPlus.com

Ferdonije Qerkezi kishte refuzuar ushqimin në Beograd gjatë takimit për të zhdukurit: Nuk muj me hongër ushqimin e tyne

Ferdonije Qerkezi prej 27 marsit të vitit 1999 jeton me kujtimet e burrit dhe katër djemve të saj, të cilës serbet ia kishin marr nga shtëpia, e që edhe sot nuk di për fatin e burrit dhe dy djemve të saj, pasi që të tre vazhdojnë të jenë në listën e të zhdukurve.

Shtëpia e saj e shndërruar në muze, shtëpi që paraqet kujtimet e nënës Ferdonije për pesë anëtarët e saj të dashur vazhdon të jetë derë e hapur për shumë vizitorë, por që e njëjta dhimbjen e saj e ka shpjeguar edhe në shumë medie,  sikurse që dhimbja e saj është paraqitë edhe nëpërmjet letërsisë dhe filmit.

Ferdonije Qerkezki në një takim me audiencë të mbajtur në KultPlus Caffe Gallery, pat treguar për vizitën e parë në Beograd, menjëherë pas luftës, takim që kishte të bënte me të zhdukurit në luftën e fundit të Kosovës.

“Pata shkuar në Beograd në një takim për të zhdukurit. Pas takimit kishin shtruar një koktell me ushqim e pije. Pata shkuar me Arsim Gërxhaliun në atë takim, dhe i pata thënë që nuk muj me hongër ushqimin e ktyne. E pata marr me vete një shishe me ujë dhe pata përgatitë pak bukë prej shpisë. Shkova në një qoshe dhe e hongra ushqimin tim, nuk u ofrova te tavolinat e tyre atëherë, por edhe sot nuk muj me hongër ushqimin e tyne, kurrë”, pat thënë mes të tjerash Qerkezi, e cila është shndërruar në një nënë të dhimbjes, e cila vazhdon të vizitohet nga shumë figura të njohura të shtetit, politikës, kulturës dhe sportit./ KultPlus.com

Tavolina e shtëpisë së Ferdonije Qerkezit ju pret në Tiranë në 26 Qershor

Tavolina e shtëpisë së Ferdonije Qerkezit është e zbrazët tash e 24 vite. Më datë 26 Qershor ju mund ti bashkoheni tavolinës me zonjën Ferdonije Qerkezi.  

Dhoma origjinale e ndejës së shtëpisë Qerkezi është lëvizur në Qendra e Artit Agimi (ish-Kinema Agimi) “Bajram Curri” në Tiranë, dhe do të pret mysafirë nga 26 Qershor deri më 31 Qershor.

Lajmin e ka bërë të ditur Artan Korenica, realizuesi  i këtij projekti.

Burri dhe katër djemtë e Ferdonijes janë rrëmbyer me dhunë nga forcat serbe në vitin 1999.

“Me përkrahjen e bashkisë së Tiranës , projekti Pritja do të hapet më datë 26 Qershor, ora 19:00.  KultPlus.com

Historia e Ferdonije Qerkezit edhe në Vjenë, Artan Korenica fton vjenezët në tavolinën e nënë Ferdonisë

Pas prezantimit të ekspozitës në Kosovë, fotografi Artan Korenica ekspozitën “Mirë se vini në tavolinë” do ta prezantojë në Vjenë, prezantim që do të bëhet për disa data në muajin qershor, shkruan KultPlus.

Më poshtë, KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Korenicës.

Kemi nderin t’ju ftojmë në ekspozitën “Mirë se vini në tavolinë” të artistit Artan Korenica, e cila për herë të parë udhëton jashtë Kosovës për të sjellë pranë nesh historinë e nënës Ferdonije Qerkezi, e cila, sikurse edhe familjarë të tjerë të panumërt në Kosovë, pas gati një çerek shekulli akoma pret të dijë për fatin e katër fëmijëve dhe burrit të saj, të cilët u rrëmbyen me dhunë nga regjimi serb gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ju presim të vini dhe të uleni në tavolinën e nënës Ferdonije Qerkezi, e cila përmes qëndresës së saj, në dhimbje shpirtërore të papërshkrueshme, pasqyron gjithë popullin e Kosovës, të vuajtur historikisht, por duke avokuar paqësisht dhe parreshtur për drejtësinë e cila akoma nuk është vënë.

E hapur:

03/06/23 10:00 – 18:00

04/06/23 10:00 – 18:00

05/06/23 10:00 – 21:00

06/06/23 10:00 – 21:00

07/06/23 10:00 – 18:00

Hyrja falas!/ KultPlus.com

Presidentja: Nëna Ferdonije Qerkezi është shembull i ngulmimit dhe qëndresës në momentet e vështira


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Ferdonije Qerkezi është një nënë dhe një grua e jashtëzakonshme që po sfidohet vazhdimisht prej 24- vjetësh në pritje të zbardhjes së fatit të burrit dhe katër djemve, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë në mënyrë kriminale nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

Deklarata e plotë e Presidentes:

Nëna Ferdonije Qerkezi është shembull i jashtëzakonshëm i ngulmimit dhe qëndresës në momentet e vështira. Ajo është një nënë dhe një grua e jashtëzakonshme që po sfidohet vazhdimisht prej 24- vjetësh në pritje të zbardhjes së fatit të burrit dhe katër djemve, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë në mënyrë kriminale nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

Nëna ikonë, në këtë përvjetor, sërish është e vetme në tryezë në pritje të një lajmi.

Nuk ka fjalë që mund ta shprehë dhimbjen dhe trishtimin e saj. Bashkëndjejmë me të në këtë përvjetor dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur që fati i më të dashurve të saj, sikurse edhe mbi 1600 të zhdukurve me dhunë të zbardhet sa më parë!/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Nënën Ferdonije e duam si nënë dhe e admirojmë si heroinë

Kryeministri Kurti sot e ka vizituar shtëpinë-muze të familjes Qerkezi, ku u prit nga Ferdonije Qerkezi.

Ai tha që nuk ka shqiptar që nuk e njeh nënën Ferdonije e që s’e kanë për zemër.

‘’E di që dhembja nuk zvogëlohet, por në të njëjtën kohë ajo të ka mbajtur ty gjatë të fuqishme, dhe një komb të tërë e ka ngritur në solidaritet me familjen Qerkezi, me nënën Ferdonije, që sot nuk ka shqiptar që nuk e di se kush është dhe s’e kanë për zemër’’, u shpreh ai.

“Artani e Armendi, Ardiani e Edmondi, janë djemtë që i mungojnë Nënës Ferdonije, sepse ishin shqiptarë si të gjithë NE, që e donin vendin e tyre. Tash jemi të gjithë djem të saj, e ajo është Nënë e gjithë popullit tonë, sepse çdonjëri e njeh dhe e don si nënë. 24 vjetët nga rrëmbimi i katër djemve dhe i bashkëshortit Halimit nuk ia kanë zvogëluar dhembjen por ia kanë shtuar forcën që ajo e ka bartur te ne të gjithë. E duam si Nënë, e admirojmë si Heroinë, i falënderohemi për jetë, i kemi borxh secili”, ka shkruar Kurti në librin e kujtimeve.

Komunikata e plotë:

Kryeministri Kurti: Nënën Ferdonije e duam si Nënë, e admirojmë si Heroinë, i falënderohemi përjetë e i kemi borxh secili

Gjakovë, 27 mars 2023

Në përvjetorin e 24-të të rrëmbimit të 11 burrave dhe djemve të Gjakovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi shtëpinë-muze të familjes Qerkezi, ku u prit nga Nëna Ferdonije Qerkezi.

Kryeministri Kurti e falënderoi Nënën Ferdonije për qëndrueshmërinë dhe guximin që po i jep mbarë popullit shqiptar. Ai tha se forcat serbe nuk i kanë marr katër djemtë dhe bashkëshortin e saj sikurse dhe shumë e shumë të tjerë se kanë qenë të familjes Qerkezi, por sepse kanë qenë shqiptarë dhe e kanë dashur vendin e tyre.

‘’E di që dhembja nuk zvogëlohet, por në të njëjtën kohë ajo të ka mbajtur ty gjatë të fuqishme, dhe një komb të tërë e ka ngritur në solidaritet me familjen Qerkezi, me nënën Ferdonije, që sot nuk ka shqiptar që nuk e di se kush është dhe s’e kanë për zemër’’, u shpreh ai.

Kryeministri veçoi rëndësinë e hapjes së arkivave nga Serbia, pasi vrasja dhe zhdukjet gjatë luftës kanë qenë pjesë e projektit serbomadh për shfarosjen e shqiptarëve, “Patkoi”. Ai tha se Serbia duhet të jetë e hapur për sa më shumë hulumtim dhe hapje të varrezave masive. Por, theksoi se fakti që në varrezat masive të zbuluara në Serbi nuk ka të vendosur asnjë pllakë përkujtimore, është dëshmi që Serbia nuk do që të zbulohet e vërteta.

Nëna Ferdonije e falënderoi Kryeministrin Kurti për vizitën në shtëpi, nga ku më 27 mars 1999 janë rrëmbyer, bashkëshorti i nënës Ferdonije, Halimi me katër djemtë, Artanin, Armendin, Ardianin, dhe Edmondin, nipi i saj Vegim Qerkezi, miku i shtëpisë Shpejtim Ymeraga, si dhe fqinjët Skender Dylhasi me djalin Myrteza, dhe dy djemtë e familjes Jetishi, Shpendi e Fatosi.

Bashkë me Nënën Ferdonije ishte edhe Nëna Dudije Dylhasi, së cilës forcat serbe ia kanë rrëmbyer djalin Myrteza dhe bashkëshortin Skënderin.

Gjatë vizitës së tij Kryeministri ka shkruar në librin e kujtimeve: “Artani e Armendi, Ardiani e Edmondi, janë djemtë që i mungojnë Nënës Ferdonije, sepse ishin shqiptarë si të gjithë NE, që e donin vendin e tyre. Tash jemi të gjithë djem të saj, e ajo është Nënë e gjithë popullit tonë, sepse çdonjëri e njeh dhe e don si nënë. 24 vjetët nga rrëmbimi i katër djemve dhe i bashkëshortit Halimit nuk ia kanë zvogëluar dhembjen por ia kanë shtuar forcën që ajo e ka bartur te ne të gjithë. E duam si Nënë, e admirojmë si Heroinë, i falënderohemi për jetë, i kemi borxh secili.“

Në këtë vizitë bashkë me Kryeministrin Kurti ishte edhe Andin Hoti, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, si dhe Ministrja e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Abërie Nagavci dhe deputetja Mimoza Kusari, që të dyja të të njëjtit brez me Artan Qerkezin e Myrteza Dylhasi në shkollë në Gjakovë, dhe prof. Jahja Koka që ishte në të njëjtën klasë me Halim Çerkezin.  Ministrja Nagavci, ishte po ashtu edhe arsimtare e Edmond Qerkezit, i cili u rrëmbye dhe zhduk në moshën 14 vjeçare. / KultPlus.com

Qerkezi për familjen e vrarë: Nuk do ndalem duke kërkuar drejtësi për ju edhe nëse m’duhen edhe 24 vite tjera

Ferdonije Qerkezi, gruaja e hekurt që lufta në Kosovë e ka shkatërruar shpirtërisht pasi forcat serbe ia morën bashkëshortin Halimin dhe katër djemtë, Artanin, Armendin, Ardianin, dhe Edmondin për të shkatërruar përgjithmonë një familje e cila nuk pati kthim më, sot përkujton 24 vjetorin e këtij krimi.

Shtëpia e saj sot është e shndërruar në muze dhe kjo shtëpi tregon më së miri historinë e kësaj familje

Në ditë si kjo, Ferdonija kujton edhe publikisht familjen e saj e cila u mor më 27 mars nga forcat serbe për të mos u kthyer më.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ferdonija ka përkujtuar në këtë 24 vjetor burrin dhe djemtë e saj duke u shprehur se nuk do të ndalet asnjëherë duke kërkuar drejtësi edhe nëse i duhen edhe 24 vite të tjera.

“U bënë,
24 vite që dolët nga dera e sh’pisë!
24 vite që jam në pritje e dhimbje pambarim!
24 vite që nuk ju kam pranë fizikisht por gjithmonë shpirtërisht!

Nuk do ndalem duke kërku drejtësi për ju edhe nëse m’duhen edhe 24 vite tjera!”, shkruan Qerkezi. / KultPlus.com

Kujtesa e palëkundur bashkë me tavolinën, Ferdonija si simbol i dhimbjes, guximit dhe këmbënguljes

Flonja Haxhaj

Tavolina e nënës Ferdonije Qerkezi, me gjashtë pjatat e saj me gjellë, pesë prej tyre të paprekura, u zhvendosën për disa ditë në Prishtinë, për të përcjellë një dhimbje të madhe që ajo përjeton tash e 24 vite, që kur forcat serbe ia morën me forcë bashkëshortin dhe katër djemtë, e që atëherë s’i pa më, shkruan KultPlus.

Rutina e saj e përditshme, nuk dalloi për këto mbi dy dekada. Ajo ballafaqohet e vetme çdo ditë me të njëjtën dhimbje. Me sy kah dera ajo pret me shpresë për më të dashurit, ndonëse për dy djemtë e saj ajo të paktën gjeti qetësi dhe ka dy varre ku t’i vajtojë pasi në vitin 2005 u gjetën eshtrat e tyre.

E për të përcjellë këtë dhimbje të përditshme të Qerkezit dhe të shumë familjeve të tjera që presin akoma me shpresë për familjarët e tyre, më 8 mars, në Muzeun Etnologjik në Prishtinë, Artan Korenica hapi ekspozitën ku u dha edhe premiera e filmit ‘Tavolina’.

Filmi 12-minutësh ‘Tavolina’, paraqet një ditë të Ferdonije Qerkezit.

Aktorja Arta Muçaj e cila është përzgjedhur nga Artan Korenica për të portretizuar figurën e Ferdonije Qerkezit dhe një ditë të saj rutinë, thotë për KultPlus se përveç si sfidë në vetë ajo shprehet e privilegjuar që është përzgjedhur ta luajë këtë rol.

“Jam e privilegjuar që kam qenë pjesë  e filmit ‘Tavolina’, sepse të luash një personazh që është real është shumë më e vështirë se sa të bësh një rol fiktiv. Po flasim për një grua, një nënë që për dy dekada  e më shumë kalon nëpër një dhimbje të madhe duke pritur çdo ditë se mos ndoshta do gjenden më të dashurit e saj, burri me katër djemtë, te cilët armiku ia mori  gjatë luftës me dhune nga shtëpia”, u shpreh Muçaj, e cila më tutje thotë se shpreson të ketë arritur ta përcjelllë sa do pak nga ajo dhimbje që Ferdonije Qerkezi ka në shpirt.

“Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë që nga momenti kur kam hyrë në shtëpinë e saj ku mban gjithë gjërat e familjareve dhe ku shtëpia është muze. Më është dashur ti prek që nga këpucet e tyre, rrobat, shtratin, që nuk mund ta shpjegoj çfare energjie kam ndjerë, më dridhej i gjithë trupi”, rrëfen Muçaj emocionet e para të ballafaqimit me jëtën e Ferdonije Qerkezit.

Ndërkaq, përveç filmit, në dhomën kryesore të Muzeut, janë të paraqitura fotografi të shumë njerëzve që kanë humbur familjarët në Luftën e Fundit në Kosovë. Fotografitë që flasin vetë, i përshkruan me një fjalë një detaj, pritja.

Dikush babanë, dikush bashkëshortin, djemtë e shokët, brënga për më të dashurit e tyre i mundon tash e 24 vite.

Ju kujtojmë që ekspozita do të jetë e hapur deri më 22 mars, ku të gjithë të interesuarit mund t’i shohin fotografitë dhe filmin ‘Tavolina’./ KultPlus.com

Ferdonije Qerkezi: Nënat si unë presin me duar në gji

Dita Ndërkombëtare e Gruas, e njohur gjithashtu si 8 Marsi, është një festë e njohur globalisht që festohet çdo vit më 8 Mars. Festa feston arritjet sociale, ekonomike, kulturore dhe politike të grave dhe bën thirrje për barazi gjinore, shkruan KultPlus.

Në vendin tone, kjo festë më shumë se thirrje për barazi, i dedikohet nënave dhe dashuria, kujdesi e dhuratat për to janë në mënyrë më të veçantë.

Por, ka nga ato nëna që kanë mbetur të vetme dhe në ditë feste si këto, e ndjejnë më shumë se asnjëherë mungesën e përqafimit të fëmijëve të tyre.

Dikush nga fatkeqësitë, dikush na natyra e dikush nga lufta, humbja e qenies së tyre më të dashur është goditja dhe plaga e pashëruar.

E tillë është plaga e Ferdonije Qerkezit, gruas së hekurt nga Gjakova të cilës forcat serbe ja vranë bashkëshortin bashkë me katër djemtë.

Është e lodhur nga vuajtjet e jetës por mirësia në fytyrën e sajë nuk mungon asnjëherë. Ajo vazhdon mbanë dyert e hapura për të gjithë ata që dëshirojnë ta vizitojnë.

Një vizitë të tillë, ndoshta për t’i treguar që ajo ka edhe shumë djem të tjerë në Kosovë që do të vazhdojnë të kujdesen për të, ja ka bërë edhe Arsim Gerxhaliu, mjeku i njohur ligjor Kosovar, i cili i ka dhuruar një lule e i ka uruar festën e 8 Marsit.

Ferdonije Qerkezi ka ndarë fotografi nga ky moment, teksa ka falënderuar Gerxhaliun që nuk e harron asnjë festë festive për ta uruar.

“Faleminderit Arsim Gerxhaliu që nuk më harron në ditët festive!

Veçanërisht sot kur shumë bijë e bija përqafojnë nënat me dashuri

E nënat si unë presin me duar në gji!”, shkruan Qerkezi. /KultPlus.com

Botohet në Holandë libri ‘Një fije shprese, një fije shkrepëse’ nga Ag Apolloni

Libri i shkrimtarit Ag Apolloni ‘Një fije shprese, një fije shkrepëse’ është botuar në Holandë, përkthyer nga Jan Jansen, përcjell KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Apolloni përmes një postimi në Facebook.

““Një fije shprese, një fije shkrepëse”, i përkthyer nga Jan Jansen, u botua në Holandë.”, ka shkruar Apolloni.

Romani dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse” i Ag Apollonit, është përshkrim i një vizite të tre shokëve në shtëpinë e nënës Ferdonije, e cila gjatë luftës ka humbur katër djemtë dhe burrin. Linja e parë e këtij romani është udhëpërshkrim dhe mbaron aty ku nis. Mirëpo brenda saj gërshetohen edhe linja të tjera, që shpalosin histori të përndjekjes, shpërnguljes, dhunimit, vrasjeve, masakrave, pritjes dhe vetëvrasjes. Bashkë me historinë e Ferdonijes, rrëfehet edhe historia e nënës Pashkë, e cila pak ditë pasi iu kthyen mbetjet e dy djemve, bëri vetëvrasje. Po ashtu, e bazuar krejtësisht në materiale arkivore, vihet edhe një paralele mes Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Kosovës, përkatësisht mes kampeve të shfarosjes dhe kampeve të shpërnguljes. Ndërsa, në funksion të plotësimit të mozaikut të tragjedisë kosovare, rrëfehen edhe përvojat personale të tre shokëve, në raport me luftën.

Ky dokuroman (roman dokumentar) flet për dhunën e regjimit serb, për dëbimet dhe djegiet, për spastrimin etnik, për intervenimin ushtarak të NATO-s, për personat e pagjetur, për një dorëshkrim të humbur dhe një tragjedi të gjetur, për peshën e pritjes dhe rëndësinë e shpresës./ KultPlus.com

Grua prej guri

Ag Apolloni

Grua prej guri

(Ferdonije Qerkezit, që e thërrasin edhe Donja)

Ti bijë e Tantalit dhe e Dionës,
Donja Niobe,
grua tokësore,
e goditur nga shigjeta hyjnore,
cili qe gabimi yt, e thua dot
(përveç gabimit të bukur të çdo nëne,
që kujton se fëmijët e saj janë më të bukurit në botë)?

Fati s’e ka dorën e lehtë, ai i ngjan Letos.

Donja Niobe,
herën e parë të pashë në Firence,
rrethuar nga niobidët
në sallën e ftohtë,
dhimbje e ngrirë në gur;
herën e dytë të pashë në Gjakovë,
të ulur në zemër të vetmisë,
pa fëmijë, pa burrë.

Je mit në alabastër,
Je legjendë në lëkurë.

Amfionit dhe fëmijëve ua morën masën
dhe ua qepën të njëjtën rrobë.
Pastaj Parkat varën veten me penjtë e prerë
kur dëgjuan vajin tënd, Niobë.

Tash dhimbja ulet në mes të dhomës,
malli si miu ha veten nëpër kënde.
Unë hap “Iliadën” te kënga e fundit dhe shoh
se si Priamin e ngushëllojnë me dhimbjen tënde.

Donja Niobe,
ti njëzet vjet pret … Uliksin, Telemakët e tu … diellin;
në sofër ushqen veten me kujtime,
e dhimbja jote e bën me turp edhe Qiellin.

Në teatrin tënd të absurdit, pritja hedh valle,
lotët e lojës lirike lajnë kujtesën emocionale.

Donja, zonjë e dhimbjes,
primadonë e tragjedisë sonë.
pritja përgjithmonë nuk zgjat,
se ora e dasmës zinë s’arrin ta matë.
Takimi një ditë do të ndodhë,
(para porte do të shfaqen fëmijët dhe burri),
historinë ta lexojmë në relievin e Shkëmbit Vajtues,
Donja Niobe, zonja jonë prej guri. / KultPlus.com

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me dhunë, shfaqet filmi ‘Ferdonija’

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me dhunë, në parkun e Ministrisë së Kulturës, shfaqet filmi “Ferdonija”.

Ky film rrëfen përjetimet e zonjës Ferdonije, gruas që ka mbetur pa burrin dhe djemtë e saj, të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. I xhiruar në një periudhë prej dy vitesh filmi tregon emocionet, mendimet, vështirësitë dhe vuajtjet e Ferdonijes, të reflektuara nga realiteti i zhdukjes me dhunë të gjithë familjes së saj nga forcat serbe.

Filmin e ndoqën ministri Çeku, deputetja Arjeta Fejza, po ashtu shumë qytetarë e filmdashës.

“Ferdonija” do të vazhdoj të transmetohet deri në orën 22:00. / KultPlus.com

Ferdonije Qerkezi, gruaja që refuzoi ushqimin në Beograd: Unë e kom marr bukën nga shpia, nuk e ha bukën e tyre

Donja jonë.

Në takimet e Grupit dialogues per te zhdukurit me grupin Sërb protokolli parashef që takimet te mbahen me rendë ne Prishtinë e Beograd. Sa herë që shkojmë ne Beograd, në mënyrë rotative grupin e shoqërojne 2 familjarë nga shoqatat e të zhdukurve. Para 10 viteve nëna Ferdonije ( Donja jonë) ishte me ne ne takim në Beograd. Si rregull protokollar grupet dialoguese pas takimeve organizojme nga nje dreke – tavoline Suedeze.

Ne mbaruam takimin i cili zgjati rreth 4 ore ne Pallatin e Federates be Beograd, dhe normal qe kaluam ne sallen tjeter per te drekuar dhe si zakonisht menjehere pastaj nisemi per Prishtine.

Gjate tere rruges qendroja afer Donës, meqe me te hyrë ne Serbi asaj i’u skuq fytyra dhe ju pershpejtua frymemarrja. E pini nje hap nga kutija e plastikes qe e kishte me vete.

Une pasi perfundoi takimi, morra nje pjatë qe te marr ushqim per nenën Done se pari. Ajo ishte e ulur ne nje karrigë ne korridor, dhe i’u afrova duke i thene qe kjo pjate eshte per te, se deri atehere skishte ngrene asgje.

E qoi koken, me sy gjysem te mbyllur, ashtu me butësi ma ktheu; Jo doktor, faleminderit, une e kom marre buken nga shpia, nuk e ha buken e tyre.

Mbeta i shtanguar dhe mu duk se i shkaktova nje dhimbje …

Donja hapi qanten e saj , nxorri sendviqet e saj, dhe nje shishe 2 litershe me uje, …as gotë nuk deshti, e piu direkt nga shishja.

E kom marre edhe ujin prej Gjakovës, se nuk dua asgjë nga këta…që veq ma kan pi gjakun, dhe më kanë marrë krejt çka kam.

( per ju qe se njifni – nënës Done i’a kanë vra burrin dhe 4 djemt,…gjysma ende i mungojnë)

Ishte kerkese e Shpatit qe kete storie ta publikoj ne shenje te Dites Kombetare te te Zhdukurve , 27 Prilli.

Ky shkrim i Arsim Gërxhaliut ishte postuar në vitin 2020./ KultPlus.com

“Jetën si n’film”, Fahrije Hoti dhe Ferdonije Qerkezi sonte në KultPlus Caffe Gallery

14-të vjetori i Pavarësisë së Kosovës do të shënohet me bashkëbisedim me Fahrije Hotin dhe Ferdonije Qerkezin, të cilat u shndërruan në zërin e shumë grave të Kosovës, të cilat përjetuan tmerret e luftës së fundit në Kosovë.

Të dy zonjat u shndërruan edhe inspirim për shkrimtarët e regjisorët, ku jeta e Fahrije Hotit është treguar edhe nëpërmjet filmit “Zgjoi”, me skenar dhe regji të Blerta Zeqirit, përderisa jeta e Ferdonije Qerkezit është përcjellë edhe nëpërmjet filmave dokumentar, por edhe të librave, ku Ag Apolloni ka shkruar së fundi librin  “Një fije shprese, një fije shkrepëse”.

Të gjithë ata që duan të takojnë për së afërmi këto dy zonja, duhet të bëjnë rezervimin në [email protected].

Mbrëmja mbahet më 17 shkurt, prej orës 19:00, në KultPlus Caffe Gallery.

Mbrëmja do të organizohet konform masave Covid 19./ KultPlus.com

“Jetën si n’film”, Fahrije Hoti dhe Ferdonije Qerkezi në KultPlus Caffe Gallery

14-të vjetori i Pavarësisë së Kosovës do të shënohet me bashkëbisedim me Fahrije Hotin dhe Ferdonije Qerkezin, të cilat u shndërruan në zërin e shumë grave të Kosovës, të cilat përjetuan tmerret e luftës së fundit në Kosovë.

Të dy zonjat u shndërruan edhe inspirim për shkrimtarët e regjisorët, ku jeta e Fahrije Hotit është treguar edhe nëpërmjet filmit “Zgjoi”, me skenar dhe regji të Blerta Zeqirit, përderisa jeta e Ferdonije Qerkezit është përcjellë edhe nëpërmjet filmave dokumentar, por edhe të librave, ku Ag Apolloni ka shkruar së fundi librin  “Një fije shprese, një fije shkrepëse”.

Të gjithë ata që duan të takojnë për së afërmi këto dy zonja, duhet të bëjnë rezervimin në [email protected].

Mbrëmja mbahet më 17 shkurt, prej orës 19:00, në KultPlus Caffe Gallery.

Mbrëmja do të organizohet konform masave Covid 19./ KultPlus.com

Përfundojnë xhirimet e filmit ‘Pritja’, pasqyrohet një ditë rutinë e Ferdonije Qerkezit

Filmi i metrazhit të shkurtër që trajton jetën dhe pritjen e Ferdonije Qerkezit, i realizuar nën regjinë e Artan Korenicës, ka përfunduar me xhirimet, përcjell KultPlus.

Filmi pasqyron një ditë rutinë gjatë pritjes së gjatë të nënës Ferdonije Qerkezi, interpretuar nga aktorja Arta Mucaj, filmi është pjesë e projektit “PRITJA” ku në kuader të projektit të përgjithshëm, shikuesit do të kenë mundësi të shohin edhe ekspoziten me fotografi nga disa familjarë të cilët akoma po e presin një lajm të vetëm.

Ndër të tjera, ky film është realizuar nën mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës si dhe nga Komuna e Gjakovës. / KultPlus.com

Gjakovarët kundërshtojnë rikthimin e banorëve serbë, Qerkezi: Ajo ka punu në SUP

Në komunën e Gjakovës është tensionuar situata për shkak se familjarët e të zhdukurve janë të pakënaqur me vendimin e pushtetit komunal, i cili ka ofruar strehimin e një shtetase serbe.

Familjarët po e kontestojnë këtë vendim, ngase, sipas tyre, gruaja në fjalë ishte pjesë e organeve të dhunshme të Serbisë gjatë vitit 1999.

Madje të hënën është paralajmëruar të zhvillohet edhe një protestë në ora 11:00.

Ferdonije Qerkezi ka kërkuar nga qytetarët e Gjakovës të protestojnë nesër para objektit në të cilin është vendosur shtetasja serbe. Ajo ka thënë se sigurimi i pronës komunale nga pushteti për vendosjen e serbes është i papranueshëm.

“Turp për Komunën që ja ka mundësuar me ardhë me jetu në Gjakovë. Ajo kish punu në SUP (policinë serbe)  dhe i ka dyert e përlyemë sikur vëllezërit dhe motrat e saj. Kështu që, ditën e hënë do të zhvillojmë protesta nga ora 11 dhe do të nisemi nga shtëpia muze deri te banesa ku po qëndron ajo” ka thënë ajo për Syrin.

Trupat serbe në vitin 1999 kishin kryer masakra të mëdha në komunën e Gjakovës, madje kishin përdorur edhe metodën e zhdukjes së qytetarëve. Ferdonije Qerkezit i ishin marrë me forcë katër djem dhe burri dhe nga atëherë, ajo nuk di asgjë për fatin e tyre.

Ndërkaq edhe subjektet politike në këtë komunë janë duke trajtuar këtë çështje dhe kanë shprehur edhe qëndrimet e tyre.  

Dega e Alternativës në Gjakovë ka hedhur akuza ndaj komunës e cila drejtohet nga kryetari, Ardian Gjini, se pa konsultim me organet e rendit janë angazhuar dhe kanë mundësuar kthimin e shtetases serbe.  

“Ende më shqetësuese është angazhimi i Komunës së Gjakovës në përgatitjen e banesës, pronë të cilën e posedon komuna, pa asnjë konsultim paraprak me organet e rendit dhe ato të sigurisë, si dhe heshtja e komunës dhe kryetarit të saj në marrjen e përgjegjësisë, tashmë kur situata ka krijuar pakënaqësi në masë.”

“Me çfarë procedura ligjore Dragica Gashiq është vendosur në pronën komunale kur dihet se legjislacioni në fuqi parasheh hapjen e procedurave të ankandit publik për shfrytëzimin e pronës komunale, derisa presim përgjigje nga Kuvendi Komunal i Gjakovës si autoriteti i vetëm përgjegjës, thuhet në reagimin e Alternativës”, thuhet në reagimin e tyre./ KultPlus.com

Ag Apolloni i dorëzon Ferdonijes çmimin e ndarë nga MKRS

Në kuadër të aktiviteteve të organizuara për nder të 13-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kishte ndarë çmimet vjetore për letërsi, shkruan KultPlus.

Këto çmime u ndanë nga ish-Ministrja në detyrë, Vlora Dumoshi.

Në ndarjen e këtyre çmimeve, shkrimtarit Ag Apollonit i ishte ndarë Çmimin për Prozë “Anton Pashku”, për veprën e tij ”Një fije shprese, një fije shkrepëse”. Një vepër kjo ku njëra ndër protagonistet është edhe Ferdonije Qerkezi.

Sot, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Ben Apolloni ka njoftuar se ka vizituar Ferdonije Qerkezin, me ç’rast edhe ia ka dorëzuar çmimin e pranuar në shkurt nga MKRS. / KultPlus.com

Jeta e Ferdonije Qerkezit edhe në film, Artan Korenica fillon xhirimet

Kanë filluar xhirimet e filmit ‘Pritja’, që bazohet në jetën e Ferdonije Qerkezit, shkruan KultPlus.

Filmi ‘Pritja’ me regji dhe skenar të Artan Korenicës trajton një realitet të hidhur të të gjithë atyre që akoma presin më të dashurit e tyre.

Aktorja që luan në këtë film është Arta Muçaj kurse producent është Edi Kastrati.

Filmi është mundësuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe DKRS-Gjakovë./ KultPlus.com

Sot ishte kllapa e parë e filmit “Pritja” me regji dhe skenarë të Artan Korenica, me aktoren Arta Mucaj me producent Edi…

Posted by Edi Kastrati on Sunday, May 30, 2021

Ambasadori italian Orlando, viziton Ferdonije Qerkezin: U preka thellë nga dëshmia e saj

Ambasadori italian në Kosovë, Nicola Orlando, ka vizituar Ferdonije Qerkezin në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

Orlando ka shkruar në Twitter se ka qenë shumë i prekur me dëshminë e saj të dhimbjes dhe humbjes së të dashurve.

“Në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur në Kosovë u preka thellë nga dëshmia e jetës së Ferdonije Qerkezi për dhimbjen dhe humbjen. Shtëpia e saj e madhe e zbrazët është një kujtesë dinjitoze dhe imponuese e plagëve të hapura që ende duhet të marrin përgjigje, duke shmangur çdo politizim”, ka shkruar Orlando.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett sot ua ka çuar një porosi liderëve të Ballkanit që fatin e të pagjeturve të mos mbajnë peng të politikës së tyre. / KultPlus.com

https://twitter.com/nicolaorlando/status/1387012119657426955?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1387012119657426955%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.gazetaexpress.com%2Fambasadori-italian-orlando-viziton-ferdonije-qerkezin-u-preka-thelle-nga-deshmia-e-saj%2F

Ferdonija përkujton djemtë dhe burrin: Plaga dhe dhimbja ime nuk ndryshuan

Ferdonije Qerkezi sot përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka përkujtuar djemtë dhe burrin e saj në 22 vjetorin e ikjes së tyre.

‘Ditët dhe vitet po ecin, plaga dhe dhimbja ime shpirtërore nuk ndryshuan …
Ndërsa dashuria dhe malli që ndjej për ju për çdo ditë veç u shtuan
!’, ka shkruar Qerkezi. / KultPlus.com

Mediet kroate e krahasojnë Ferdonije Qerkezin me heroinën nga Kroacia

“Unë ëndërroj burrin dhe fëmijët e mi çdo ditë. Në ëndrrat e mia, shtëpia ime është plot lumturi dhe gëzim. Do të doja të bija në gjumë, të isha në atë lumturi dhe të mos zgjohesha në këtë heshtje dhe zbrazëti”.

Kështu fillon rrëfimin mediumi kroat me qendër në Zagreb ‘Vecernji’, të marrë nga Ferdonije Qerkezi, heroina e luftës së Kosovës nga qyteti i Gjakovës, e cila humbi burrin dhe katër djemtë e saj nga forcat serbe, më 1999’ën, transmeton KultPlus.

Siç thuhet në artikullin e mediumit kroat, “kosovarët e quajnë Ferdonije Qerkezin gjyshja Kata e Kosovës, duke e krahasuar atë me gjyshen Kata Ćoljić, e cila është simbol i vuajtjes dhe guximit të një nëneje kroate. Ajo humbi katër djem në Luftën e Atdheut”.

Kata Ćoljić jetoi 85 vjeç. Ajo vdiq në vitin 2008 me katër plagë të mëdha në zemrën e saj. Ćoljić kishte humbur katër fëmijët e saj në luftën e vitit 1991, të zhvilluar ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë.

“Jam i lumtur kur dëgjoj se trupa të rinj ende po gjenden. Por ai gëzim është i përzier me ndjenjën e trishtimit, sepse unë dua që të paktën një pjesë e trupave të bijve të varroset në vendin e lindjes. Zemra e nënës nuk mund të qetësohet kurrë, por të paktën do ta dija që ata janë këtu, në Gjakovë – thotë Ferdonije mes lotësh, duke thënë se lotët e saj po rrjedhin qe 22 vjet dhe nuk janë tharë kurrë.

“Më 27 mars të 1999’ës, oficerët e policisë serbe më erdhën në shtëpi. Unë madje di edhe emrat e disa prej tyre. Ata u larguan dhe u kthyen disa herë. Përfundimisht, ata morën burrin dhe katër djemtë e tyre, si dhe mysafirët që ishin me ne në atë kohë dhe gjetën strehë. Gjëja më e vështirë për mua ishte kur morën më të voglin, Edmondin. Ai ishte 14 vjeç. Shikova në sytë e tij të mbushur me frikë dhe kërkova ndihmë. Unë, për fat të keq, nuk mund të bëja asgjë. Unë besoja se do t’i trembte pak dhe do t’i kthente. Por ata nuk u kthyen më. Nuk e kisha idenë se ishte takimi im i fundit me ta. Për pesë vjet e gjysmë nuk dija asgjë për fatin e katër djemve dhe burrit tim dhe shpresoja që të paktën djali i vogël të kthehej i gjallë. E gjithë shpresa ime u shua më 2005’ën kur trupat e djalit të madh Artan dhe Edmondit mu kthyen. Emrat e Halimit, Armendit dhe Ardianit janë ende në listën e më shumë se 1,650 emrave të banorëve të Kosovës, të cilët ende janë të listuar si të zhdukur”, deklaroi ajo tutje për mediumin kroat.

“Ditët e mia janë të ngadalta. Mundohem të kthehem në vitet kur jetoja me burrin dhe fëmijët e mi. Mundohem të jetoj sikur edhe ata të jenë me mua sepse trishtimi dhe dhimbja që mbart do të më kishin vrarë shumë kohë më parë. Zoti nuk i dha askujt një mundim dhe jetë të tillë”, shtoi tutje ajo, e cila u solidarizua me çdo nënë që humbi bijtë e saj në atë luftë.

“Unë nuk e urrej askënd, sepse urrejtja është sëmundja më e madhe që të vret me kalimin e kohës, dhe nuk mund t’i rikthejë më të dashurit e tu”, përfundon Qerkezi. / KultPlus.com

Qerkezi pas vizitës së Osmanit: Artan, bashkë me ty dhe Kosova ka datëlindjen

Pas vizitës së ushtrues së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si nderim në përvjetorin e pavarësisë, por e ditëlindjes së djalit të saj, ka reaguar Ferdonije Qerkezi shkruan KultPlus.

Ajo ka shpërndarë postimin e bërë nga Vjosa Osmani ku ka shkruar se ata që e vizituan sot ja lehtësuan sado pak dhimbjen dhe mungesën e saj dhe njëkohësisht ka kujtuar edhe ditëlindjen e djalit të saj, Artanit.

“Artan, i bukuri i abës bashkë me ty edhe Kosova ka datëlindjen! Ata që më vizituan sot, Ma lehtësuan sadopak mungesën tuaj dhe dhimbjen!”, ka shkruar Qekrezi.

Në natën e 27 marsit të vitit 1999, forcat serbe kishin hyrë në shtëpinë e Ferdonijes dhe kishin marrë burrin e saj, Halimin, si dhe katër djemtë, Artanin, Armendin, Ardianin dhe Edmondin,.

Trupat e 2 djemve tjerë të saj Artanit, djalit të madh, dhe Edmondit të vogël, janë gjetur në lokacione të ndryshme në vitin 2005 në Kosovë.

Shtëpia e familjes Qerkezi ka mbetur një ndër dëshmitë më prekëse për krimet e Serbisë të kryera në Kosovë./ KultPlus.com

Artan, i bukuri i abës bashkë me ty edhe Kosova ka datëlindjen! Ata që më vizituan sot, Ma lehtësuan sadopak mungesën tuaj dhe dhimbjen!

Posted by Ferdonije Qerkezi on Wednesday, February 17, 2021

Në përvjetorin e pavarësisë Osmani viziton Ferdonije Qerkezin: Shtëpia e saj na përkujton se sa i lartë ishte çmimi i lirisë

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani së bashku me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përvjetorin e 13-të të Pavarësisë së Kosovës e kane përmbyllur duke vizituar Ferdonije Qerkezin, shkruan KultPlus.

17 shkurti krahas shënimit të pavarësisë së Kosovës ka edhe një domethënie tjetër për Ferdonije Qerkezin, pikërisht me këtë datë shënohet edhe ditëlindja e djalit të saj Artanit.

Në një postim në Facebook Osmani ka shkruar se shtëpia ku ruhen gjësendet e djemve të Ferdonijes na përkujtojnë se sa i lartë ishte çmimi i lirisë.

Tutje ajo ka shtuar se në këtë përvjetor të pavarësisë zotohen se do të jenë zëri i Ferdonijes dhe mijëra nënave të tjera në kërkim të drejtësisë.

Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:

E përmbyllëm këtë ditëlindje të shtetit tonë në vizitë tek Nëna Ferdonije Qerkezi, të cilës që nga viti 1999 i mungojnë bashkëshorti e djemtë, që u zhdukën me dhunë nga forcat serbe. Kjo datë, 17 shkurti, është edhe data e lindjes së djalit të saj, Artanit.

Shtëpia ku akoma ruhen gjësendet e djemve të saj, të cilëve  ajo çdo ditë ju flet nëpërmjet fotografive të tyre, na përkujton se sa i lartë ishte çmimi i lirisë. Rrobat e tyre, lodrat me të cilat ishin rritur, lugët me të cilat kishin ngrenë, e djepi në të cilin i kishte përkundur…që të gjitha ishin ende aty, në këtë shtëpi muze. Dhimbje që nuk përshkruhet me fjalë, e plagë që nuk mbyllet pa drejtësi e pa kthimin e të gjithë të zhdukurve në tokën e të parëve tanë. Në këtë 13- vjetor të shtetit tonë, ritheksojmë zotimin se secila e secili prej nesh do të jemi zëri i nënës Ferdonije e i mijëra nënave të tjera anekënd Kosovës në kërkim të drejtësisë. Asnjë festë e asnjë përvjetor nuk do të jetë kremte e plotë pa u kthyer njerëzit tanë./ KultPlus.com

E përmbyllëm këtë ditëlindje të shtetit tonë në vizitë tek Nëna Ferdonije Qerkezi, të cilës që nga viti 1999 i mungojnë…

Posted by Vjosa R. Osmani on Wednesday, February 17, 2021