Filmi ‘Sofra e Varrit’ fiton çmim në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit – FerFilm

Filmi artistik “Sofra e Varrit” u shpërblye në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit – FerFilm, shkruan KultPlus.

Filmi me regji të Mirak Zymberajt fitoi një çmim në një festival ndërkombëtar, konkretisht çmimin “Special Mention”.

Filmi “Sofra e Varrit” është realizim i Shtëpisë Teatrore Filmike ‘AKT’. / KultPlus.com

“FerFilm” mbyllet me përvoja mahnitëse mes kohës paradoksale

Për pesë ditë me radhë publiku ferizajas përjetoi mbi dyzet prodhime kineaste të metrazhit të shkurtër. Dhjetëra regjisorë të rinj, të njohur e të panjohur, nga Brazili, Argjentina, Peruja, Bolivia, Afrika e Jugut, Togo, Irani, Izraeli, Polonia, Irlanda e të tjera kanë shprehur interesim për të qenë pjesë e festivalit ndërkombëtar të filmit “FerFilm”.

Mbrëmjen e së martës, në Galerinë e Arteve në Ferizaj, juria ka shpallur vendimet për fituesit e edicionit të sivjetmë, të tetin me radhë në historikun e këtij festivali.

Alexandre Estevanato është regjisori nga Brazili i cili, me filmin e tij “Tightness”, ka marrë çmimin për filmin më të mirë të shkurtër, është bërë e ditur në faqen zyrtare në Facebook të Komunës së Ferizajt.

Edhe një tjetër regjisor nga Amerika Jugore ka marrë vlerësimin e jurisë së Festivalit: Alberto Flores Vilca nga Bolivia është shpallur fitues për dokumentarin më të mirë të shkurtër “Mother Rain”.

Po ashtu, çmimi për animacionin më të mirë të shkurtër i është dhënë filmit “Black Lead”, i cili është bërë nga animatorët francezë: Arthur Valter, Robin Delmond, Fanny Lambert, Lino Talfer, Noémie Six dhe Théo Emsellem.

Po në Francë ka shkuar edhe çmimi special për “Je regarde” (Creative Animation), e cila është kompani animacioni e themeluar më 2009.

“Një përvojë kaq mahnitëse në këtë kohë paradoksale”, ka qenë mesazhi i organizatorëve të “FerFilmit” drejtuar filmbërësve, miqve dhe mysafirëve të këtij edicioni.

Juria e përbërë nga Fatlum Haziri, regjisor, Adem Zhinipotoku, aktor, dhe Ana Jakimska, regjisore nga Maqedonia e Veriut, ka pasur para vetes 47 filma të metrazhit të shkurtër që garuan në katër kategoritë e festivalit: animacion, dokumentar, thriler dhe eksperimental.

Interesimi për edicionin e sivjetmë kishte qenë tejet i madh. Aty kishin aplikuar edhe regjisorë nga vende si Brazili, Argjentina, Peruja, Bolivia, Afrika e Jugut, Togo, Irani, Izraeli, Polonia, Irlanda, e të tjera.

I nisur si festival më 2013, “FerFilm” ka ambicien që të promovojë kulturat dhe vlerat universale botërore përmes filmit.

Gjenerata e re e filmbërësve që u krijua në vitet e pasluftës, sidomos në Ferizaj, ishte bërë sebep që 8 vjet më parë të lindte ideja për një eveniment të tillë.

Me logon karakteristike që paraqet një vijë të drejtë dhe pastaj të degëzuar – si simbol i bifurkacionit të lumit Nerodime – festivali është kthyer në një nga evenimentet kryesore kulturore në Ferizaj.

Ndonëse është festival i profilizuar kryesisht për filma të metrazhit të shkurtër, “FerFilm” të premten qe hapur me shfaqjen e filmit të metrazhit të gjatë “Shpia e Agës”, të regjisores Lendita Zeqiraj. Ceremonia ishte mbajtur në sheshin kryesor të qytetit, dhe organizatorët e kishin cilësuar si edicion sfidues. Organizatorët kishin planifikuar që “FerFilmi” të mbahej në muajin prill. Por rrethanat e reja, të krijuara si pasojë e pandemisë së koronavirusit, kishin bërë që ai të shtyhej. \ Koha.net/ KultPlus.com