Një ditë e paharuar në atelienë e mjeshtrit të skulpturës Ferid Kola.
Nga Pjeter Logoreci
Kush viziton atelienë e skulptorit shkodran Ferid Kola, befasohet nga bukuria dhe shumëllojshmeria e figurave të krijuara me teknika nga më të ndryshmet që njeh arti i skulpturës. Përshtypja e parë të përballon me një burrë energjik, mikpritës e shumë komunikues, i cili pret cdo vizitor me kenaqësinë e mikut. Nuk e pata të vështirë të ambientohem menjëherë me shoqërinë e skulptorit Ferid Kola, por edhe me ambientin artistik që më rrethonte. Më mjaftoj një vështrim për rreth studios, që nëpermes objekteve – krijime, të përjetoj historinë mijravjecare të qytetit tim, por sytë më mbetën mbi bocetin e mbretit të Ilirisë, Gentit, të cilën skulptori po e punonte në baltë, madhështia e të cilit kishte“pushtuar” atelienë.
Ferid Kolën e njoha në vitin 1993, në ditën e shënuar të vendosjes në Shkoder të shtatores së patriotit të shquar Luigj Gurakuqi, një vepër madhore e tij. Atë ditë unë, me kameran time, fiksova në fotografi shumë qytetarë të Shkodrës që dëshironin të kishin një kujtim me mjeshtrin Ferid Kola para Gurakuqit të tij, që lartësohej në mes të qytetit.
Duke shoqëruar bisedën tonë me një kafe, mjeshtri më tregoi që qysh në moshën 4 vjecare kishte fantazuar duke vizatuar figura të ndryshme që i kalonin nëpër kokë. Pastaj më tregoi disa vizatime të asaj kohe, të ruajtura mirë, të vendosura në “ekspozitën e tij të parë” që edukatorja e kopshtit kishte organizuar për të treguar gjeninë e një fëmije vec nga të tjerët….
Ferid Kola lindi me 17 prill 1947 në qytetin e Shkodres, në një familje të mesme qytetare. Si babai ashtu dhe nëna ishin artëdashës, por edhe të talentuar secili në artin e vet. Nëna edhe pse me shumë femijë, kishte bërë mëndyrë jetese punën e dorës duke punuar në tezgjah,sixhade, carcafe, qëndisje të ndryshme apo punime me grep. Qysh në moshën 14 vjecare, ajo të mrekullonte me larminë e figurave, të ngjyrave si dhe të modeleve që krijonte.
Babai Osmani, ishte i apasionuar mbas muzikës popullore dhe ishte instrumentist i njohur në formacionet orkestrale të qytetit si dhe në banden muzikore. Ai luante në violine, trombë dhe korn. Në ambiente festash familjare, por edhe me shokë, ishte kënaqësi ta dëgjoje tek këndonte dhe luante me pasion këngët popullore shkodrane. Por edhe vizatimet e dajë Hysenit (Alibali), frymëzonin fantazinë e “artistit të vogël” që përpiqej ti përngjasonte.
I mahnitur nga bota e artit, me deshirën për të mësuar të vizatonte, ai hyri në kursin e pikturës të shtëpisësë pionerit në Shkoder, e cila kishte një traditë të mirënjohur në këtë fushë, ku mori mësimet e para nga piktori Gaspër Zojzi.Aty u njoh me elementet e para të historisë së rilindjes së artit dhe bie në kontakt me vepren e Leonardos, Mikelanxhelos, bukuria e veprave të cilëve e mahnisin dhe i forcojne deshirën për tu bërë skulptor. Shpesh ndodhte që mbas mbarimit të mësimit apo në ditë pushimesh, Feridi të kalonte orë të tëra duke kundruar shtatoret e varrezave të Rrmajit apo ato të kishës katedrale, ku spikasnin veprat e Idromenos.
…isha nxënës i klases së 5-të apo 6-te kur shkoja në varrezat katolike të qytetit. Aty përjetoja momente të magjishme kur kundroja truporet apo figurat e skalitura mbi varret e gurtë. Imagjinoja sikur isha në Luvrë, u mrekullojshe….., kisha deshirë të madhe të shihja vende historike … Më kujtohet që u futa në sportin e alpinizmit që të kisha mundësinë të shkoja shpesh në kalanë e Rozafatit apo të shihja shpellen e famshme të Jubanit.
Që atë kohë, me deshirën e vullnetin e fillestarit, fillon të punojë figura të vogla prej druri, të cilat ja dhuronte punonjësve të Katedrales për të sajuar “qytetin e Betlehemit”, që ndërtohej me rastin e krishtlindjes.
…njëherë pranë shkollës sime fillore, pashë që një shitës ambulant mbështillte ëmbëlsirat që na shiste me fletët e një libri me figura nga veprat e Mikelanxhelos… – kujton mjeshter Feridi, …me këmbenguljen e fëmijës që dëshiron dicka, arrita ta bind burrin të më fale librin i cili u ba burim i zhvillimit pa kufij të fantazisë time artistike.Duke vlerësuar talentin dhe dëshirën e tij, Feridi dergohet në liceun artistik Jordan Misja në Tiranë, ku nën mësimdhenien e skulptorit Halim Beqiraj, diplomohet si “Skulptor i mesëm”. Për disa vite ai dërgohet me punë si mësues vizatimi në shkollën e mesme Asim Vokshi të qytetit Bajram Curri.
Më pas përfundon Institutin e lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve të Bukura) duke u diplomuar si skulptor i lartë, në degen e skulpturës monumentale nën drejtimin e skulptorve të mirënjohur Thoma Dhamo dhe Kristaq Rama. Pas akademisë fillon të punojë në Shkoder si mësues vizatimi në Komunen e Postripës, në fshatrat Dragoc, Mes, Drisht.
Në vitin 1975 realizon veprën e tij të parë madhore, Lapidarin e heronjëve Cerciz Topulli e Muco Qulli, i cili është i vendosur në fshatin Shtoj. Lapidari është i punuar në gurë e bronz dhe ka lartësi 2,5m. Pas vlersimesh në arritjet e tij, fillon të punojë si skulptor restaurator për Institutin e Monumenteve të Kulturës të Tiranës në atelienë e Shkodres (ku asokohe përfshihej Lezha, Puka, Kukësi, Bajram Curri), ku merret me pasaportizimin, mbrojtjen dhe restaurimin e vlerave materiale të ornamentikës në dru, gur, hekur, stukoreliev, allci apo të pikturës murale.
Me nostalgji kujton Feridi, vitin 1978, kur pranoj ofertën e Skulptorit të Popullit Shaban Hadëri për të punuar si bashkëpunëtore në realizimin e monumentit të “5 Herojve të Vigut”. Në këtë vit ai punonte si mësues i jashtëm në shkollën e mesme artistike Prenk Jakova, ku jepte mesim në skulpture, vizatim, histori artit figurativ, anatomi artistike dhe perspective. “….Puna me Shabanin – tregon Feridi, ishte si të mbaroje një fakultet në vehte. Bashkia na krijoj mundësinë të punojmë në ambiete shumë të favorshme,në merkatën e qytetit ku kemi punuar nga viti 1978 deri 1982, kur vepra u inaugurua.“Për këtë vepër, Ferid Kola, shprehet me vleresim të vecantë. Ai e quan atë, veprën më të mirë të realizmit socialist në skulpturë. Sic shprehet ai: vepra ….u projektua nga partia shtet që ti sherbente shtetit parti…, kështu ishte ideologjia e kohës…, por ajo është një arritje madhore në skulpturë. Vepra është realizuar në gurë e bronz me madhësinë 5m dhe u vendos në Shkoder. Në vitin 1980, mjeshtri Kola, realizon në beton dhe gurë, një lapidar i cili është i vendosur në zonën e Bahcallekut në Shkoder dhe që u bë simbol i solidaritetit të popullit të Shkodres në përpjekje për të zhdukur pasojat e termetit të 15 prillit 1979.
Krahas krijimtarisë së tij si skulptor me veprat që vijnë njera pas tjetrës në vitet në vazhdim, mjeshtri Ferid Kola së bashku me një staf të specializuar kolegësh, kryen punime restauruese në banesa muzeale dhe kulti në qytetin e Shkodres ku mund të vecojmë: Shtepinë e Pashko Vasës, atë të Luigj Gurakuqit (që fatkeqësisht nuk egziston më), shtëpinë e Mark Gjonit, atë të Dom Ndre Mjedës në fshatin Kukël, shtëpinë e Migjenit, të familjes Suma, Dabërdaku, Myfti Plakut, familjes Ceka, Xhevat Repishtit, Oso Kukës, në Xhaminë e Plumbit, Hamamin e qytetit, shtëpinë e Sali Zekës në qytetin e Lezhës, shtëpinë e Mic Sokolit në Tropojë etj.Në vitin 1986 realizon, në gurë e beton në madhesinë 2m, lapidarin e deshmorit të lirisë Zef Martini, i vendosur në Malsinë e Madhe.
Dëshëroj të ndalem pak në realizimin dhe vendosjen e shtatores së patriotit tonë të shquar, Heroit të Kombit – Luigj Gurakuqi që lartësohet në sheshin qëndror të Shkodres, në bronz me lartesinë 3 metra. Ishte idea e skulptorit që vepra të vendosej aty, pasi sipas të dhënave historike e gojore, ishte ky vend që atdhetari Luigj Gurakuqi me 1925-sën, mbajti një nga fjalimet e tij më të përmendura që ka mbetur në mendjen dhe zemrat e popullit të Shkodres. Aso kohe, Gurakuqi po kthehej nga një udhëtim i suksesshem pune me varkë nëpërmes lumit Buna. Një grup i madh bashkëqytetarësh po e prisnin për ta përshendetur në molon e qytetit. Prej aty i shoqëruar nga turma, i hypur mbi një pajton u detyrua ti drejtohet qendrës së qytetit ku prisnin me mijra qytetarë. Në rrethanat e rastit, pajtoni u kthye në një foltore, ku Luigj Gurakuqi ju drejtua zemrave të ndezura nga patriotizmi të popullit të Shkodres.
Në vendin ku në vitin 1993 u vendos shtatorja e Gurakuqit, rregjimi komunist kishte vendosur bustin e diktatorit sovjetik – Stalinit. Me ardhjen e pluralizmit, busti u hoq dhe Bashkia e qytetit e pau të arsyshme që deri me vendosjen e shtatores së Gurakuqit, ky vend të shndrrohej në lulishte dhe të zbukurohej me lule të ndryshme e flamuj kombëtare.
Dinosauri i humorit shkodran Nexho Shabani (donosauer: për nga madhsia e pesha trupore, por edhe nga humori) më tregoj një histori të atyre ditëve që ja vlen të shkruhet:”……po dilja nadje heret me shku deri në komitet (ishte koha kur kërkoja shpi), kur shoh tre puntorë që me një zorrë ujit e mjete tjera lagëse, po lagnin ose si i thoni ju …qi jeni me shkollë…., po ujitnin tokën aty ….
…..Mos – i bertas punëtorve me sa za qi kisha – …stop, ….cka bani mor të cmendur pse po e lagni tokën taman aty…..
Punëtorët të befasuar nga britma dhe mungesa e llogjikës, me pamje të trembur kërkuen me dijte arsyen e britmës!
…. Po si mor,….a harruet qi aty ka kenë Stalini,…… e po e vaditët me ujë ka rrezik se na mbin prap…..
Ndërsa mjeshtri Ferid Kola kujton, ”…. që ditën kur u vendos shtatorja, nga mesi i kureshtarve të shumtë, afrohet Nexho Shabani dhe për humor me pyet:…… Profesor mor ??? Po e vendosni edhe nji herë Stalinin? – Jo mor Nexho, i them, Stalini i ka pasë mustakët të varur poshtë, e ky asht Gurakuqi qi i ka mustakët si burra shqiptar, përpjetë….
….A din cka, pse nuk ja bani kokën me vidë?…. e sa herë qi ndrron sistemi, po u desht me ndrru figurat, mos me u lodhë e me i ndrru vetëm kokën…..”
Në vitin 1997, mjeshtri Kola kryen në bronz në madhësinë 2,5m, monumentin e martirëve të demokracisë At Daniel Dajani dhe At Xhovani Fausti, të cilët me rastin e 50 vjetorit të martirizimit të tyre janë vendosur mbi një kullë të gurtë në fshatin Blinisht të Lezhës, në lartësinë 8m. Në vitin 1999, skulptori ynë realizon tre buste të disa figurave të njohura si: për fshatin Rranxa të Bushatit, ai kryen në allci bustin e martirit MARK CUNI, …bustin në allci 70cm të lartë të AT GJERGJ FISHTËS i cili është i vendosur në fshatin Fishtë në lokalin Mrizi i Zanave, ….si dhe bustin në allci të AT ZEF PLLUMBIT i cili gjindet akoma në studion e artistit.
Në 2001-shin me kërkesën e një porositësi privat, realizon në projekt në dy variante shtatoren e heroit kombëtar PRENK CALI, allci në masat 50 dhe 70 cm.
Në 2005-sën perfundon në allci në madhësinë 80cm shtatoren e NËNË TEREZËS.
Në 2007-tën me kërkesën e komunes së Postripës, punon në beton e granit lapidarin “LIVIZJA E POSTRIPES” që ka madhësinë 5m.
Në 2008-tën fiton cmimin e parë në konkursin kombëtar për monumentin e KARAMAHMUND PASHË BUSHATLLIUT, të cilin e ka punuar në allci në madhësinë 50cm, si dhe cmimin e dytë në konkursin kombëtar për realizimin e monumentit të AT GJERGJ FISHTËS të punuar në allci, 70cm të lartë.
Po në vitin 2008-të, merr pjesë në konkursin kombëtar të monumentit të PRESIDENTIT WILSON, punuar në allci në 60cm madhësi.
Mjeshtri Ferid Kola pervec punimeve tashma të vendosura në mbarë atdheun, ka shumë vepra të cilat gjinden në pronësi të personave privatë apo në galeri të ndryshme, si në Shqipëri, Greqi, Itali, Angli, Kosovë, Zvicër, Gjermani, Austri etj…..
Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë:
• Kompozim, SHOTE E AZEM GALICA, punim në bakër në masat 25 x 30cm, punuar në 1972
• Portret, PAL MELYSHI, punim në gurë, 70cm, punuar në 1977-ten
• Portret, PARTIZANI, punim në bronz, 60cm, viti 1978
• Kompozim, GJERGJ ELEZ ALIA, në bakër dhe dru, 30 x 30cm, viti 1984
• Kompozim, NËNA ZADRIMORE, në bakër dhe dru, 30 x 30cm, viti 1985
Për punën e tij shumë dimensionale ai është vlerësuar me dekorata, medalje,si dhe diploma, fletënderi, mirënjohje të ndryshme në fushën e arsimit, artit e kulturës apo për angazhime me karakte kombetar dhe lokal.
• Në vitin 1979 dekorohet nga Kuvendi Popullor me MEDALJEN E PUNËS
• Në vitin 1990 dekorohet me Medaljen NAIM FRASHËRI
Shpesh artisti shkodran në realizimin e figurave të tija e gjen frymëzimin ndër njerzit e afërt, sic i ka ndodhur me realizimin e bustit të Nënës Tereze, ku për të realizuar figurën saj është frymëzuar nga figura nënës së tij, që pervecse vitit të njëjtë të lindjes, kishte një ngjashmëri të cuditshme fizike dhe shpirtërore me shënjtoren.
Të shumta janë kujtimet e artistit, pozitive e ma pak të mira. Kujton kolegët me të cilët kaloj ditët e vështira por të bukura të punës: Danish Jukni,Franc Ashiku, Angjelin Dodmasej, Ismail Lulani e Pjerin Bedeni. Kujton ditët e tranzicionit politik, kur në atelienë e tij i hynin persona të panjohur e të frikshëm, të cilët pasi kishin plackitur dyqanet me radhë, hidhnin një sy për të kapur ndonjë send nga “djersa e artistit të pambrojtun”.Ai kujton me respekt dhe mall të madhin Pjeter Gaci, me të cilin i bashkonte hobby për peshkimin dhe natyrën. Nuk kishte breg lumi, liqeni apo deti shqiptarë që nuk e njihnin, ku kishin peshkuar së mbashku me Pjetrin dhe Danishin.
Kujton pasionet e tjera të tij, pervec skulpturës, daljet në skenë si aktor apo si tenor, kohën e bukur studentore kur ushtronte plot dëshirë sportin e gjimnastikës me klubin STUDENTI. Kujton me respekt të vecantë edhe nxënësit të shumtë të tij të cilët sot janë artistë të njohur e me vlera nderkombëtare si: Naim Hoxha, Hajdar Danjolli, Ilir Gjoni, Genc Tavanxhi, Arben Lazri, Kujtim Murati, Petrit Bilali etj.
Sa shumë vlera mbresëlënëse dhe rezultate të larta pune në artin e tij, të shpërblyera me cmime të panumërta, por edhe me mirënjohjen e pakufi të njerzve, artdashësve që ndjekin me andje veprat e mrekullueshme me taban kombëtar të dala nga dora mjeshtrore e tij. Ferid Kola, një artist i madh, por mbi të gjitha një njeri i madh i cili edhe pse në pension nuk “gjen qetësi” duke dhënë një ndihmese të madhe si AMBASADOR I PAQES edhe në fushën sociale për të cilen shoqëria shqiptare ka kaq shumë nevojë.
Personalisht dëshëroj që nëpërmes këtij shkrimi të bëj një homazh nderimi për aktorin e burrin zemërmadh ESAT KOLA, vëllaun e skulptorit tonë, i cili nuk jeton, me të cilin pata rastin të punoj dhe të aktroj në skenën amatore dhe profesioniste në Shkoder. Burra si Feridi e Esati,me shpirtin, kulturen, edukatën dhe artin e tyre pasurojnë e zbukurojnë jetën e qytetit verior. Ato janë vlera të arta që stolisin shtatin e zonjës së madhe Shkoder.Skulptori Ferid Kola është NDERI I KËTIJ QYTETIT DHE I KOMBIT edhe pse nuk ka këtë titull zyrtarisht.
Wien, me 20.04.2015