Masakra e Llashticës 30 Prill 1999, rrefime rrënqethese nga të mbijetuarit

Sot janë shënuar 23 vjet nga Masakra e Llashticës së Gjilanit.

Më 30 prilli 1999, forcat serbe sulmuan banorët e fshatit Llashticë të Gjilanit. Fillimisht i vranë, më pas i dogjën kufomat, rrënuan shtëpinë, pastaj i varrosën viktimat në gërmadhat e shtëpisë së tyre.Në përkujtim të të rënëve, me mbështetjen e Komunës së Gjilanit, u hap ekspozita e autorit Mili Grabovci ku për herë të parë u publikuan fotografitë e realizuara nga fotografisti kanadez Brian Honeybur.

Feride Rushiti ka ndarë sot një rrëfim nga e mbijetuara Vlora Shabani, e cila në atë kohë ishtë 14-vjeçare.

Në vijim gjeni postimin e plotë të saj:

Masakra e Llashticës 30 Prill 99, rrefime rrënqethese nga të mbijetuarit!

#VloraShabani, 14 vjeçare. 1999

Fshati Llashticè

Zhurma e armès ka ardhur dhe ka shkuar, po kèshtu

zhurma e rènies sè babait tè saj, dhe njè e shtènè tjetèr dhe

giyshi i saj qè bie, dhe njè tjetèr plumb dhe vellai i saj dy

vjeçar qè bie, dhe njè tjetèr plumb dhe nèna e saj qè bie, dhe

njè e shtènè tjetèr kèsaj here nè Vloren. Megjithate, asnje

plumb, asnjè vrimè. Faqja e saj èshtè ende e bute, ende e

pashpèrthyer, ende e lèmuar, dhe gjithçka èshtè aq e vertetè

sa disa minuta mè vonè, kur zgjohet gjèja e parè qè bèn èshtè

qè me gishtat e saj tè prek lèkurèn e saj pèr tè parè nè se

èndrra e njè 14-vjeçare mund tè jetè e vertetè.

Emri I sajè shtè Vlora Shabani. Jeton nè rènojat e Kosovès

dhe fle nè nje divan tè lyer me gjakun e saj. Pèrtej divanit

èshtè nje dritare e vogèl e mbuluar nga njè perde e

rrudhosur, dhe ky eshte vendi ku ajo shkon tani kur fillon

njè ditè tjetèr. Sepse ndoshta, mendon se èndrra ishte e

verteté por gishtat e saj po gênjejne.

Washington Post 12 Dhjetor 1999

Lavdi të rënëve për LIRI!

Ekspozite nga @Mili Grabovci!/ KultPlus.com

‘Meet My Soul’, libri që shpalos vuajtjet e refugjatëve, Rushiti: Kjo ditë më kujton klithmën e grave kosovare që u larguan nga lufta

Xhemile Hysenaj

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarëve të Torturës, partnere implementuese e UNHCR-së, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Refugjatëve publikoi librin “Meet My Soul” me fotografi të syve dhe mesazhe nga azil kërkuesit dhe refugjatët në Kosovë.

Libri u promovua në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, ku pjesë e panelit dhe diskutimit ishin drejtoresha ekzekutive e KRCT-së, Feride Rushiti, shefi i misionit të UNHCR-së Erol Arduç si dhe autorja Malisa Zymberi ku u diskutua për qëllimin dhe procesin e librit. Një libër ky që erdhi pas një pune të madhe ekipore, duke tentuar kështu të ndërgjegjësojë dhe të ngritë vetëdijen kolektive na raport me sfidat dhe vështirësitë e refugjatëve, shkruan KultPlus.

”Sot jemi mbledhur pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve, ditë kjo e cila anë e mbanë botës shënohet si një ditë që shpalos nevojat dhe sfidat me të cilat ballafaqohen personat të cilët e braktisitn vendin e tyre për shkak të rrethanave të luftës, apo të arsyeve të tjera. Për ne kosovarët Dita Botërore e Refugjatëve ka një domethënie të veçantë, na kthen në kujtesën kolektive të 20-të viteve më parë ku mijëra kosovarë u dëbuan nga vatrat e tyre. Kjo ditë ma kujton klithmën dhe vuajtjen e mijëra grave e vajzave të cilat e kishin lënë vatrën ë tyre nga dhuna dhe persekutimi i asaj periudhe kohore”, theksoi për të pranishmit drejtoresha ekzekutive e KRCT-së, Feride Rushiti.

Rushiti ndër të tjera theksoi se shpeshë herë refugjatët janë edhe të padëshirueshëm, dhe ishte pikërisht kjo një ndër arsyet që bëri një ekip profesional i përbërë nga psikologë, punonjës social etj, të mblidhen e ta shtrijnë aktivitetin e tyre me këta njerëz që ndajnë histori të dhimbjes e të vuajtjes.

”Shumë herë jemi dëshmitar që në zhargonin mediatik flitet për statistika, edhe krejt ky zhargon harron që mbrapa këtyre numrave ka vuajtje e dhimbje, ka shpirtra të lënduar dhe harrojmë të trajtojmë si qenie njerëzore personat që lënë vatrat e tyre nga persekutimi apo luftrat e ndryshme me të cilat ballafaqohen vendet e tyre”, u shpreh tutje Rushiti.

”Meet My Soul” shpërfaqë një mozaik të dhimbjes, traumës e vuajtjes, dëshirave dhe ëndrrave që këta njerëz kanë. Njerëz këta që sikur të mos ekzistonte lufta, do të jetonin një jetë normale.

”A është shumë të kërkosh një jetë normale?”

”Askush nuk e fillon udhëtimin për t’u përballur me vdekjen, vdekja bëhet pjesë e udhëtimit vetvetiu”

”Pavarësisht se sa i sigurt është vendi në të cilin jetojmë ose sa kohë ka kaluar, dhimbja dhe vuajtja nga e kaluara gjithmonë do të shqetësojnë shpirtin” – Janë këto vetëm disa nga thëniet e shfaqura në këtë libër, që duken sikur rrjedhin nga sytë e secilit person që është bërë pjesë e këtij libri

Për të folur edhe më shumë rreth këtij projekti, i pranishëm ishte edhe shefi i misionit të UNHCR-së Erol Arduç, i cili deklaroi se ndjehet tejet i prekur nga prezenca e të gjithë atyre që kishin ndarë kohën për të qenë pjesë e këtij promovimi. Ai tregoi se ky rrugëtim nuk ka qenë aspak i lehtë, madje, ndër momentet më të vështira, siç tregon ai, ka qenë momenti i ”Heshtjes Absolute”, kur personi që rrëfehej për largimin nga vendi i tij, Arduçi vetë e madje edhe përkthyesja heshtin në momente të caktuara, pasi nga emocionet e mëdha nuk dilnin as fjalët.

”Këto histori janë të pabesueshme ka momente kur shokohesh. ”Meet my soul” hyn shumë thellë në atë shpirt të lënduar, e shpeshë herë të shkatërruar. Si avokat që jam, e di se shumica e gjërave zgjidhen, mirëpo të zgjidhësh një problem nuk do të thotë gjithmonë edhe ta shërosh dhimbjen e tjetrit. Prandaj them se njerëzit si Malisa Zymberi dhe Feride Rushiti janë shumë të nevojshëm dhe të rëndësishëm në botën tonë. Pasi nuk ka rëndësi se kush jemi apo çfarë jemi, në fund të ditës të gjithë kemi frikat tonë”, shprehet Arduç.

E fundit, por jo për nga rëndësia, fjalën e mori edhe autorja e kësaj libre, Malisa Zymberi. Me emocione që vijnë vetëm pas një punë të realizuar nga vullneti dhe dëshira e madhe, Zymberi theksoi se rrugëtimi përmes të cilit kaloi ”Meet My Soul”, e bëri atë që të kuptojë se ka momente të vogla që kur e sheh lumturinë tek këta njerëz, të bën të kuptosh se është pikërisht kjo puna të cilën dëshiron ta bësh.

Zymberi poashtu tregoi se ndër faktorët më shqetësues, është gjuha e urrejtjes që të tjerët kanë ndaj refujgatëve. ”Po shohim shumë gjuhë të urrejtjes ndaj refugjatëve, dhe prekem shumë kur i shoh komentet negative ndaj atyre. Më bën të pyes veten se nga vjen gjithë jo urrejtje”, thekson Zymberi.

Ajo poashtu, shpalosi para të pranishmëve, se gjatë realizimit të këtij libri, ka qenë shumë e rëndësishme të tregohen të kujdesshëm tek ajo se çfarë do të përçojnë tek shoqëria.

”Kemi tentuar që të përçojmë si mesazh përjetimet e ndryshme të këtyre personave, p.sh disa prej storjeve tregojnë që të qenurit refugjatë vjen me sfida të vazhdueshme sëbashku me rrugëtimin e tyre. Kemi fëmijë që kanë lindur në Kosovë, që për mua dhe të gjithë ekipin ka qenë një ndjenjë e veçantë, të shohësh një nënë refugjatë duke dhënë jetë në vendin tënd është e mahnitshme. Mirëpo, kur e shohim fuqinë që këta njerëz kanë, shpesh motivohemi edhe ne”, shprehet tutje Zymberi.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarëve të Torturës (QKRMT) është një organizatë joqeveritare e cila ka për fokus zhdukjen e dhunës dhe torturës, prandaj misioni i QKRMT-së është të mbrojë, avancojë dhe promovojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore për të mbijetuarit e torturës dhe formave të tjera të dhunës.

Kjo e cila do të arrihet përmes rehabilitimit dhe trajtimit ndërdisiplinor, fuqizimit socio-ekonomik, avokimit për reformat ligjore dhe institucionale, duke përfshirë hartimin e ligjeve dhe politikave, ndihmën ligjore për aksesin në drejtësi, rritjen e ndërgjegjësimit dhe forcimin e kapaciteteve të audiencave të synuara dhe aktorëve kryesorë, dokumentacionit dhe hulumtimi. / KultPlus.com

Përmes rrëfimeve deri te drejtësia

Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se çështja e të mbijetuarve të dhunës seksuale nuk po trajtohet me seriozitetin e duhur nga sistemi i drejtësisë në Kosovë.

Në një raport të publikuar nga organizata që drejton Rushiti, janë mbledhur dëshmitë e 345 personave të dhunuar gjatë luftës, dëshmi këto që të cilat, siç thotë ajo, do të shërbejnë për shumë institucione, për të ngritur padi e për të kërkuar drejtësi.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Rushiti tashmë është bërë publik një raport-dokument me rrëfime të të mbijetuarve të dhunës seksuale. Çka ju shtyri ta publikoni këtë raport?

Feride Rushiti: Realisht ky është një raport statistikor, i cili si iniciativë ka filluar në vitin 2019. Duke punuar ngushtë me të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe duke e parë që institucionet nuk kishin ndonjë iniciativë për të bërë një arkivim të mirëfilltë në raport me krimet e luftës, në veçanti me krimet e dhunimit seksual të luftës, si organizatë e kemi parë të arsyeshme që të fillojmë ta ndërtojmë një platformë, e cila do t’i grumbullonte dëshmitë e të mbijetuarve të dhunës seksuale, në mënyrë që këto dëshmi t’i shërbenin drejtësisë në raport me të vërtetën, por edhe të binin një narrativë të drejtë, bazuar në fakte dhe dëshmi nga njerëz të gjallë si dhe për t’i adresuar nevojat dhe kërkesat, që përtej dëshmive në raport me luftën, t’i mbledhim edhe kërkesat e nevojat me të cilat ballafaqohen të mbijetuarit të dhunës seksuale të luftës.

Dua të theksoj se institucionet kanë mungesë të dokumenteve në raport me krijimin e arkivës [për krime lufte] apo dokumentim të krimeve të luftës. Pra, edhe dy dekada pas [luftës] nuk ka infrastrukturë për të arkivuar mirë këtë çështje. Edhe iniciativa rajonale KOMRA (Komisioni rajonal për vërtetimin e fakteve mbi krimet e luftës dhe shkeljet tjera të rënda të të drejtave të njeriut të kryera në ish-Jugosllavi që nga 1 janari 1991 deri më 31 dhjetor të vitit 2001) nuk është që i ka dhënë hapësirë të veçantë krimeve të dhunës seksuale. Kjo për faktin që është e vështirë edhe paraqet një ndjeshmëri e veçantë për mënyrën se si do të duhej të adresohet ky krim, si duhet të merret intervista, çfarë duhet t’i ofrohet të mbijetuarit kur e mban intervistën.

Prandaj, duke qenë organizatë lidere që nga viti 1999 në ofrimin e shërbimeve direkte për të mbijetuarit të dhunës seksuale të luftës, e më pastaj duke avancuar agjendën e të mbijetuarve të dhunës seksuale deri në njohjen ligjore të tyre dhe duke punuar me policinë dhe prokurorinë, kemi menduar se është qenësore të krijojmë një arkiv, i cili do t’i shërbente vendit, historisë së re të Kosovës me sa më shumë fakte dhe të dhëna se si është ushtruar ky krim, në çfarë përmasa ka qenë dhe nga cilat forca është kryer, por edhe cilat janë pasojat e dhunimit, qoftë në aspektin shëndetësor, social e ekonomik.

Po ashtu për të ditur se a ka pasur dëshmitarë prezentë kur është ushtruar dhe çfarë rruge ka pasur mënyra e ushtrimit të këtij krimi e të gjitha me radhë. Kjo vetëm e vetëm për të ndryshuar edhe diskursin publik edhe mediatik, por edhe narrativën edhe për t’i sfiduar disa norma në raport me të kaluarën, si dhe për të vënë në pah që edhe burrat kanë qenë pjesë e dhunës seksuale. Kanë qenë edhe komunitetet joshqiptare pre e dhunës seksuale. Edhe të gjitha këto informata të na shërbejnë pastaj në ndryshimin e legjislacionit, në bërjen e politikave për avancimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale dhe për t’ju siguruar atyre qasje në drejtësi.

Radio Evropa e Lirë: Si mund të ndihmojë ky raport në proceset gjyqësore?

Feride Rushiti: Dua të them se projekti është udhëhequr nga Qendra Kosovare për Rehabilitim, ndërsa është realizuar në partneritet të ngushtë me tri organizata të licencuara siç është ‘Qendra për Promovimin e Drejtave të Grave’, ‘Medika Gjakova’ dhe ‘Medika Kosova’. Ky raport ka marrë kohë një vit vetëm për ta ndërtuar platformën, pasi është i pari për nga lloji. Na ka rastisur të bashkëbisedojmë edhe me profesorë të njohur ndërkombëtarë, që janë marrë me drejtësinë tranzicionale. Nuk është që edhe në botë ka arkiva të mirëfillta në raport me dhunën seksuale, sepse është një krim shumë kompleks për t’u dëshmuar dhe dokumentuar.

Prandaj, të dhënat të cilat kemi arritur t’i grumbullojmë gjatë kësaj periudhe – edhe me disa kufizime për shkak të pandemisë – terreni nuk ka qenë lehtë i qasshëm, pastaj i kemi kursyer moshat e shtyra, pasi nuk kemi dashur t’i ballafaqojmë me personat që e kanë realizuar intervistën. Mirëpo ky raport, të cilin e kemi quajtur ‘Viktimat pa emër’ na shërben për të avokuar për ndryshime ligjore, na shërben për të avokuar për ndërtimin e politikave në raport me realizimin e të drejtave të viktimave.

Në raport me drejtësinë, secili person që ka dhënë dëshmi dhe i ka grumbulluar të dhënat, në të ardhmen ka qasje dhe mund ta tërheqë për nevoja të saj/ tij, kuptohet në raport me gjykatën. Kështu që në këtë drejtim edhe mënyra e ushtrimit të dhunës, forma, zinxhiri komandues, uniformat, të gjitha këto mund t’i shërbejnë prokurorisë për të pasur një pistë orientimi se si të udhëhiqet lënda dhe si të hedhen faktet dhe dokumentet. Në këtë drejtim ne kemi arritur të grumbullojmë 345 raste të dokumentuara, ku prej tyre 325 janë burra dhe djem, ndërsa 6 për qind i përkasin komuniteteve joshumicë, romë, boshnjak, ashakli dhe egjiptian.

Radio Evropa e Lirë: Pse sistemi i drejtësisë nuk po i trajton rastet e personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë?

Feride Rushiti: Mendoj se rreth 48 raste janë të evidentuara dhe janë në proces të grumbullimit të të dhënave dhe informacioneve. Një rast të cilin e përfaqëson qendra jonë [QKRMT] është një rast që ne mendojmë dhe shpresojmë se rasti do të rezultojë pozitivisht dhe ka për t’u vënë drejtësia në vend.

Mirëpo, janë disa raste në proces dhe dua të them se rëndësi të veçantë ka edhe rritja e numrit të prokurorëve, rritja e numrit të gjykatësve, profesionalizmi i tyre. Nuk është e lehtë që të dokumentohet krimi. Mos të harrojmë që po flasim për një krim që ka ndodhur 22 vjet më parë.

Të vetmin fakt dhe dëshmi që e posedon gjykata është dëshmia e personit të gjallë, prandaj do kohë, por edhe do profesionalizëm, angazhim e resurse. Në këtë drejtim ne edhe e kemi publikuar protokollin kombëtar për trajtimin e të mbijetuarave të dhunës seksuale, në raport me prokurorin dhe policinë për krime lufte. Ky protokoll vë në pah përqendrimin e gjithë mekanizmave institucionalë në shërbim të qasjes në drejtësi, po në veçanti e vë në theks prezencën e psikologut, avokatit, pasi rastet, të cilat veç kanë dëshmuar më herët, e kanë shumë të vështirë për t’iu rikthyer një procesi.

Disa nga këto gra dhe burra veçse kanë dhënë dëshmi në periudhën e UNMIK-ut, kanë dhënë dëshmi në periudhën e EULEX-it. Dhe fatkeqësisht nuk kanë pasur kurrë asnjë përgjigje qoftë negative apo pozitive. Edhe janë të zhgënjyer dhe nuk besojnë shumë. Prandaj, duhet të punohet shumë në rritjen e besimit në aspektin psikologjik ashtu që të arrihet të dëshmohet saktë dhe qartë në raport me krimin e ushtruar në periudhën e viteve 1998-1999.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni ju se mungesa e përvojës së prokurorëve me rastet e tilla ka bërë që të ketë hezitim për t’u marrë me këto raste?

Feride Rushiti: Duhet të ketë më shumë resurse profesionale pasi më duket se numri i prokurorëve është tre vetëm, që është një numër mjaft i vogël, jo vetëm për t’i trajtuar krimet e dhunës seksuale, por të gjitha krimet e luftës.

Mos të harrojmë se edhe në atë fushë nuk është se është bërë diçka, apo që vlen për t’u theksuar. Pastaj edhe gjykatësit duhet të jenë të përgatitur se si t’i qasen këtij lloji të krimit, pasi është i ndjeshëm dhe kërkon sensitivitetin e vet. Duhet të rriten resurset në kuptimin e prokurorëve, por duhet edhe të ketë vazhdimisht ngritje profesionale të avancuar në mënyrën se si duhet të hetohen këto krime.

Përtej kësaj, duhet ketë masa paraprake se si duhet të trajtohet viktima në proces, pasi që krejt rasti varet se sa është ajo (viktima) në gjendje psikologjike që të dëshmojë dhe të rikthehet në vitin 1999 apo 1998, kur edhe i ka ndodhur ngjarja traumatike. Kjo çështje e [viktimave të dhunës seksuale ] duhet të jetë prioritet i shtetit, mos të harrojmë.

Radio Evropa e Lirë: Cilët janë hapat e ardhshëm për të shtyrë përpara çështjen e personave të dhunuar seksualisht?

Feride Rushiti: Shikoni, kemi në plan që të dhënat e këtij raporti, që është i shifruar, t’i ndajmë me disa nga anëtarët e Kuvendit të Kosovës, për të filluar ndryshimet ligjore, duke filluar nga mandati i Komisionit për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave, pastaj shërbimet shëndetësore, e çështje tjera që kanë dalë në raport me kërkesat e të mbijetuarave të dhunës seksuale.

Janë një varg kërkesash që janë nxjerrë në pah nga ky raport dhe këto kërkesa shpejt shpresojmë të bëhen të qarta dhe definuese për Kuvendin e Kosovës për ndryshime të legjislacionit, në mënyrë që kauza e të mbijetuarave të dhunës seksuale të shkojë tutje./REL/ KultPlus.com

Rushiti: Është momenti i fundit që shoqëria jonë t’i tejkalojë paragjykimet ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale

Çdo 17 shkurt monumenti ‘NEWBORN’ tradicionalisht ia përçon një mesazh gjithë botës nga Kosova në Ditën e Pavarësisë së saj, duke e ndryshuar dukjen, e ndonjëherë edhe formën, shkruan KultPlus.

Natyra e mesazhit të përçuar duhet ta përfshijë medoemos Kosovën si pjesë të pandashme të rruzullit, duke prekur çështje që shqetësojnë si vendin tonë, ashtu edhe botën që bashkëndajmë.

Deri më tash ‘NEWBORN’ ka shprehur vizualisht mirënjohje botës për ndihmën e dhënë ndaj Kosovës për ta kapërcyer shtypjen, ka nxitur lirinë e shprehjes, ka bërë thirrje kundër izolimit dhe ndërtimit të mureve në vend të urave, si dhe e ka ngritur vetëdijesimin për çështje mjedisore dhe për ngrohjen globale.

Sivjet ‘NEWBORN’ synon ta prekë një çështje fort të ndjeshme dhe shpesh të lënë mbas dore: viktimat e përdhunimit gjatë konfliktit dhe gjithë mundin e tyre për t’i kapërcyer vuajtjen dhe poshtërimin e përjetuar.

Nuk ka pothuajse asnjë komb a shtet, gjatë gjithë historisë së njerëzimit, që të mos jetë përballë me këtë çështje të paktën një herë. Sot që konfliktet përndizen nëpër vende të ndryshme, viktimat e tyre kryesisht femra vazhdimisht përdhunohen, ose pas konfliktit i vuajnë paragjykimet dhe vështirësitë e të pranuarit në shoqëri.

Drejtoresha e Qendrës për Rehabilitim të Viktimave të Torturës së Luftës, Feride Rushiti  ka realizuar sot një fotografi TEK monumenti NEWBORN i cili këtë vit ju dedikohet viktimave të abuzimit seksual.

Në publikimin e kësaj fotografia, Rushiti ka përçuar edhe një mesazh. Ajo kërkon që ky të jetë momenti i fundit që shoqëria jonë t’i tejkalojë paragjykimet dhe cilësimet e padrejta karshi kësaj kategorie shoqërore.



KultPlus ju sjell postimin e plotë të Feride Rushitit:

#NEWBORN2020 – Lindja e një të ardhme për të mbijetuarat e dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë.
Sot, 12 vjet më parë u jetësua ëndrra e kamotshme e shqiptarëve të Kosovës për shtet të pavarur. Ky rrugëtim shumëshekullor, përveçse i mundimshëm ishte po aq i dhimbshëm. Shumë vuajtje e sakrifica na shoqëruan përgjatë çlirimit. Monumenti #NEWBORN, i cili simbolizon lindjen e shtetit te #Kosovës, e që njëherësh është edhe lindje e shpresës për një jetë të re, këtë vit i dedikohet një kategorie të veçantë shoqërore –
#tëMbijetuarvetëDhunësSeksuale nga koha e luftës. Përfundimi i luftës në Kosovë dhe shpallja e Pavarësisë, thuajse vetëm për këtë kategori të ndjeshme shoqërore nuk shënoi fillimin e një jete të re, në fakt përfundimi i luftës për to/ta solli fillimin e një vuajtje të re, asaj të nëpërkëmbjes , përbuzjes e fajësimit për diçka që më së paku do të mund të fajësoheshin.
Është momenti i fundit që shoqëria jonë t’i tejkalojë paragjykimet dhe cilësimet e padrejta karshi kësaj kategorie shoqërore.
Kësisoj, NEËBORN tërësisht ju dedikohet #viktimave – të mbijetuara të dhunës seksuale të luftës!
#BëhuZëriIM
#BeMyVoice
Vasfije Krasniqi Goodman
Shyrete Tahiri Sulimani
KRCT – Kosova Rehabilitation Centre for Torture Victims
QPDG – Qendra për Promovimin e Drejtave të Grave
Medica Gjakova
Medica Kosova
Rally For Her Justice
#justiceforall.”

Vizualisht, këtë vit ‘NEWBORN’ është ngjyrosur kryesisht në të zezë, duke përfaqësuar shkatërrimin dhe zbrazëtinë që lë mbrapa secila luftë. Germa “Ë” është mbuluar me elemente shprese e lirie në forma të ndryshme lulesh, zogjsh e fluturash, që përfaqësojnë karakterin e brishtë, por megjithatë të rimëkëmbshëm të të gjitha viktimave që mbijetojnë dhe i jetësojnë përpjekjet së bashku, ndërsa format depërtojnë përtej W-së (War [Lufta], Women [Gratë], World [Bota]).

Shpërthimi i pozitivitetit dhe i shpresës shtrihet te germat e afërta E dhe B, duke u përhapur edhe nëpër germat e tjera për ta përfaqësuar të vërtetën e ngadaltë, por të pashmangshme se e mira do të ngadhënjejë.

Secila prej germave të zeza përmban edhe rrëfime të shkurta prekëse ose fjali të mbledhura nga viktima anembanë botës, në shqip e anglisht. Këto copëza janë botuar më parë, duke përshkruar përjetime të tmerrshme dhe kujtime të hidhëta. / KultPlus.com

Feride Rushiti vlerësohet me çmimin “Woman of Exellence Award”

Themeluesja dhe udhëheqësja KRCT, Feride Rushiti, është vlerësuar me çmimin ‘’Woman of Exellence Award’’ nga “Women Federation Peace Europe &Global Women Peace Network”, shkruan KultPlus.com


“E nderuar dhe e thellësisht e emocionuar qe ne #20vjetorin e punës dhe angazhimit time si themeluese dhe udhëheqese e #KRCT vlerësohem me
‘’Woman of Exellence Award’’nga Women Federation Peace Europe &Global Women Peace Network për dedikimin dhe përkushtimin në rehabilitimin,trajtimi e fuqizimi për të mbijetuarit e tortures!
Ky vlerësim ju dedikau edhe punes së qmuar të zonjës së parē Dr.Liri Berisha për përkushtimin dhe angazhimit e saj ne avacimin e programeve dhe senzibilizimin për fëmijet me Autizem duke ndimuar me qidra fëmijëve dhe familje qe te ken një jetë më të lumtur”, ka shkruar në statusin e saj në Facebook Feride Rushiti.

QKMRT shënon 20 vjetorin me një studim, i pari i këtij lloji në botë

20 vjetori i themelimit të Qendrës për Rehabilitim të Kosovës për Viktimat e Torturës (QKMRT), udhëhequr nga Feride Rushiti, këtë institucion e ka gjetë me shumë suksese përgjatë këtyre 20 viteve punë, por ky përvjetor është kurorëzuar edhe me dy zëra të fuqishëm për të dënuar dhunimet seksuale që janë bërë përgjatë luftës nga serbet në Kosovë, e ato janë Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimani, ku kjo e fundit ditëve të fundit ka dorëzuar kallzimin penal në prokurori, shkruan KultPlus.

Dhe 20 vjetori i punës së këtij institucioni, të enjten është shënuar edhe me shpalosjen e një hulumtimi me temën “Trauma ndërbrezore”, që është organizuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë dhe Qendra e Rehabilitimit të Kosovës për Viktimat e Torturës (QKMRT).

Kontesha e Wessex ishte figura e kësaj konference, ku kanë marë pjesë edhe shumë mysafirë të tjerë, ku janë prezantuar hulumtimet, ku për këtë studim, janë intervistuar 130 gra qe kishin përjetuar dhunë seksuale/tortura gjatë luftës në Kosovë dhe janë mbledhur mostrat e gjakut nga 120 fëmijët më të vegjël të lindur nga secila grua.

“Gati 30% e fëmijëve kanë nivele anormale (shumë të larta ose të ulëta) të kortizolit. Kortizoli është hormoni kryesor i stresit i cili nxitet si përgjigje nga stresi ose trauma madhore. Këtu vërejmë  se fëmijët e lindur nga nënat me ÇSPT gjatë shtatzënisë kishin më shumë gjasa të kishin nivele të larta të kortizolit (15.5%) në krahasim me fëmijët e lindur nga nënat pa ÇSPT gjatë shtatzënisë (3.0%)”, është thënë në këtë studim, ku është përcjellë me mjaftë interesim dhe pyetje nga të pranishmit.

Kurse nikoqirja e kësaj konference, Feride Rushiti e cila ka përshëndetë gratë më të fuqishme të kësaj kauze, Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimanin, ka treguar për këtë hulumtim, studim që po bëhet për herë të parë në botë, për lidhjen e mundshme mes nënave dhe fëmijëve. “Ky studim ka të bëjë me fëmijët që kanë lindur pas periudhës së luftës dhe jo fëmijët e lindur nga dhunimi”, ka thënë Feride Rushiti.

E kontesha e Wessex, në këtë prezantim ka treguar se ka pasur rast të ketë biseduar me disa nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ku ajo ka treguar se rrëfimet e tyre janë të tmerrshme.

“Dhimbja e tyre është evidente por guximi i tyre të mos i nënshtrohen këtyre traumave është mbresëlënëse”, ka thënë ajo.

Vasfije Krasniqi Goodman ka treguar përvojën e saj, pikërisht duke iu referuar këtij studimi.

 “Për mua është shumë e vështirë të flas për traumat qe kam pasur, si nënë e dy vajzave. Shpesh e kam fajësuar vetën nëse po bëj gjënë e duhur duke rritur fëmijët e mi. Jam e lumtur që shkenca ka dëshmuar që trauma bartet te fëmijët e mi, por jo pse unë nuk jam nënë e mirë”, ka thënë Krasniqi-Goodman.

Në këtë konferencë ka folur edhe drejtori i Institutit Danez kundër Torturës, Rasmus Grue Christensen, kurse delegacioni në krye me Feride Rushitin, me konteshën e Wessex, të shoqëruara edhe nga dy zërat e fuqishëm të kësaj kauze, Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimani kanë realizuar edhe takime të tjera me palë ndërkombëtare, duke bërë edhe një vizitë pranë simbolit të heroinave, të cilat edhe kanë ndarë një moment kujtimi, duke e shënuar me një fotografi./KultPlus.com

Feride Rushiti: Dhembja jonë, turpi i juaj


Fjalimi i Drejtoreshës Ekzekutive të QKRMT, Feride Rushiti në Marshin protestues në mbështetje të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë.

Të nderuar të pranishëm, përfaqësues aktivistë të të drejtave të njeriut, të nderuar të mbijetuar – viktima të dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë, të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës:

Jemi mbledhur këtu për të shprehur zemërimin, indinjatën e thellë dhe për të kërkuar përgjegjësi rreth skandalit me foto të shpalosur në Kuvendin e Kosovës dhe për të përcjellur mesazhin e grave burrave që përjetuan dhunë seksuale gjatë luftës dhe familjarëve të tyre. Të mbijetuarit duan dinjitet dhe drejtësi.

Jemi mbledhur këtu për të sjelluar reagimet e të mbijetuarve nga dhuna seksuale pas skandalit me foto ne Kuvend, e cila ringjalli traumën e tyre dhe rikthej emocionin e luftës tek personat e mbijetuar të dhunës seksuale dhe mbarë shoqërisë duke e thelluar heshtjen dhe stigmatizimin e tyre, dhe i mbetet Kuvendit të Kosovës që të marrë përgjegjësi për dëmin e shkaktuar. Prandaj, të mbijetuarit kërkojnë që:

– Pamjet e tilla nuk e kanë vendin në parlament, por në gjykatë!

– Ne po vuajmë në Heshtje, e ju po godisni në dhimbjen tonë!

– Duam drejtësi, por nuk duam vuajtjet e tona t’i shohin edhe fëmijët tanë!

– Dhembja jonë, turpi i juaj!

Jemi këtu për të treguar që nuk jeni të vetmuar dhe të braktisur në rrugëtimin e gjatë e të mundimshëm të realizimit të plotë të drejtave tuaja. Ashtu siç bëmë për 20 vjet me radhë, do të jemi zëri juaj kudo dhe kurdo që të jetë nevoja dhe kërkojmë nga institucionet që të mbijetuarit e dhunës seksuale të vazhdojë t’i përkrahin për një jetë të dinjitetshme.

Nuk do të lejojmë që publikimi i asaj fotografie në Kuvendin e Kosovës ta përmbys një proces të tërë të ndërtuar me shumë mund dhe sakrifice. Aq më pak në kohën kur përkrahja dhe forma reparacioneve nga institucionet e vendit po shërben si shembull i mire ne rajon dhe në botës. Ishin pikërisht viktimat që përmes zërit të Vasfijes nxorën në shesh të vërtetën për krimet që kishin përjetuar.

Të nderuar të pranishëm, të gjithë jemi prekur dhe jemi ndjerë të trishtuar gjatë këtyre ditëve të fundit, por sigurisht që më së shumti janë lënduar vetë viktimat, familjaret e tyre dhe gjithë shoqëria . Prandaj, qytetarë të nderuar le t’i përkthejmë këto mesazhe në udhërrëfyesin e punës sonë. Sot më shumë se kurrë të mbijetuarit kanë nevojë për solidaritetin dhe mbështetjen tonë, pa paragjykime!

Kërkojmë drejtësi, dinjitet, profesionalizëm dhe sinqeritet./KultPlus.com

Kjo është gruaja që i dha mbështetje grave të dhunuara në Kosovë

Ata që e njohin më afër, dinë për modestinë e Feride Rushitit. Fjalëpak e pa zhurmë,  ajo ka punuar për 20 vite me gratë e dhunuara nga serbët, përgjatë luftës së fundit në Kosovë. Dhe për 20 vite, Feride Rushiti ka dëgjuar me mijëra rrëfime me plot dhimbje, dhe përplot këtyre 20 viteve, ajo ka arritë ti rikthejë në jetë këto gra, të cilat i sigmatizoi për gjithë këto  vite shoqëria, por të njëjtat nuk i përfilli as shteti, shkruan KultPlus.

Me një përkushtim të madh, Feride Rushiti ka kaluar nëpër një rrugë jo të lehtë, e cila është sfiduar edhe me institucionet e Kosovës për të miratuar ligjin për mbrojtjen e viktimave të dhunuara seksualisht përgjatë luftës.

Pikërisht për këtë angazhim, Feride Rushiti ka marë edhe cmimin si grua e guximshme nga Departamenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, cmim ky i cili i është dhënë nga Melania Trump.

Për rrugëtimin dhe vështirësitë e Feride Rushitit, mund ta lexoni edhe intervistën e saj të dhënë më herët pikërisht për KultPlus. /KultPlus.com  

Feride Rushiti dhe Vasfije Krasniqi-Goodman do të flasin në New York për të mbijetuarat e dhunës seksuale

Drejtoresha e Qendrës për Rehabilitim të Viktimave të Torturës së Luftës, Feride Rushiti së bashku me të mbijetuarën e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi Goodman do të flasin në New York për ekspertizën e Kosovës në trajtimin e të mbijetuarave të dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë.

Rushiti përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se kjo është si fazë fillestare për themelimin e fondit #GlobalReparationsFund për viktimat e dhunës seksuale përgjatë konflikteve.

“E nderuar të jem pjesë e kësaj iniciative globale së bashke me laureatët e Nobelit,  Dr. Denis Mukwege  dhe Nadia Murad”, ka shkruar Rushiti./ KultPlus.com

Feride Rushiti në Hagë, flet për dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) Feride Rushiti, bashkë me drejtoreshën e QPDG-së, Kadire Tahiraj dhe Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë, po marrin pjesë në ngjarjen “From words to action: repairing the wounds of wartime sexual violence”, organizuar nga Denis Mukwage Foundation, në Hagë.

Rushiti do të flasë për dhunën seksuale si mjet lufte që është përdoruar masivisht nga forcat armike gjatë viteve 1998-1999; vështirësitë nëpër të cilat kanë kaluar dhe po kalojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale; ballafaqimin me të kaluarën, stigmatizimin e kësaj kategorie të ndjeshme shoqërore, si dhe promovimin e qasjes gjithëpërfshirëse dhe trajtimin e dinjitetshëm për të mbijetuarit e dhunës seksuale; njohjen e statusit ligjor për të mbijetuarit e dhunës seksuale; pensionin personal i cili njeh vuajtjet dhe dhimbjet e tyre; si dhe vështirësitë që viktimat po hasin për qasjen në drejtësi.

“Sot ka ardhur koha, që përtej njohjes dhe mbështetjes institucionale, ne të bëhemi zë i fuqishëm edhe në arenën ndërkombëtare. Këtë zë më së miri është duke e përçuar vetë e mbijetuara znj. Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila përmes rrëfimit të saj po përcjell vuajtjet dhe mesazhet e shumë të mbijetuarve tjerë nga koha e luftës, në mbarë globin”, thuhet në njoftim.

Denis Mukwage është fitues i Çmimit Nobel për Paqe 2018, i cili përmes fondacionit të tij, programeve të ndryshme dhe avokimit ndërkombëtarë, ka mbështetur të mbijetuarit e dhunës seksuale në betejën e tyre për njohje dhe pjesëmarrje aktive në zhvillimin e politikave nacionale dhe ndërkombëtare që kanë të bëjnë me drejtësinë, paqen dhe të drejtat e grave. /Telegrafi/KultPlus.com

Feride Rushiti, çmimin “Grua e Guximshme” ua dedikon grave në Kosovë

Alberina Haxhijaj

Feride Rushiti sapo është nderuar me çmimin “Grua e Guximshme” nga Departamenti i SHBA-së. Kurse me t’u kthyer në Kosovë ajo është drejtuar për media nga memoriali “Heroinat” duke treguar se ky çmim është për të gjitha gratë e Kosovës, shkruan KultPlus.

E zgjedhur në mesin e grave të cilësuara si gra të guximshme nga Departamenti i SHBA-së Feride Rushiti është shprehur se ky çmim po ashtu ka ardhur si kurorëzim i punës 20-të vjeçare.

“Çmimin sigurisht që ia kam dedikuar grave por edhe viktimave të dhunës seksuale pasi që mendoj se bashkërisht me zërin e grave të tjera, qoftë politikane apo në shoqëri civile, aktiviste të të drejtave të njeriut por edhe atyre që shumë herë zëri i tyre ka qenë i padëgjuar, kam arritur këtë që kam arritur. Ato realisht edhe kanë qenë inspirim për mua dhe luftën time 20 vite me radhë në këtë fushë”, tha ajo.

Tutje Feride Rushiti e cila është edhe Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, tregoi se Kosova me ndarjen e pensioneve për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës ka bërë një hap pozitiv.

“Pensioni që do u ndahet, është shumë e rëndësishme që të përmendet, sepse nuk është pension që ua ndryshon jetën atyre. E kaluara e tyre nuk harrohet asnjëherë, madje shumë gra thonë se ne jetojmë të vdekura në mesin e të gjallëve. Kjo për shkak se nuk janë njohur nga shoqëria e familja për vite të tëra. Ky është një pension që dëshmon se shteti i njeh vuajtjet e tyre dhe të kaluarën. Kjo ka më së shumti rëndësi pasi që e largon fajësinë prej viktimës tek ai që e ka kryer dhunimin”, u shpreh ajo duke shtuar se është rritur numri i aplikuesve për pension për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Ajo tregoi edhe për vizitën në SHBA ku programi ka qenë kryesisht i fokusuar në Washington D.C. Mirëpo, për të gjitha gratë të cilat kanë qenë pjesëmarrëse është organizuar edhe nga një program i veçantë, ku me ç’rast Rushiti ka kaluar një kohë edhe në Florida.

“Ka pasur shumë organizata joqeveritare, kryesisht organizata të cilat merren me dhunë në familje, me dhunë seksuale e po ashtu organizata që merren me drejtësinë tranzicionale, me të rinjtë të cilët kanë qenë në konflikt me ligjin dhe gjëra të tilla. Gjithë kjo është bërë për arsye që të vë kontakte dhe të shoh praktika të mira atje dhe se çfarë mundem të sjellë në Kosovë”, tha ajo duke treguar se ky ka qenë edhe një reflektim mbi punën që bënë dhe ato që duhet bërë edhe në të ardhmen.

Kjo është hera e tretë që një grua nga Kosova është fituese e këtij çmimi. Në vitin 2015, këtë çmim e kishte fituar Arbana Xharra, kurse në vitin 2008, këtë çmim e kishte fituar Valdete Idrizi. Memoriali “Heroinat” ju kushtohet përpjekjeve dhe vuajtjeve të femrave kosovare për liri në vitet 1998-1999./ KultPlus.com

Feride Rushiti: Dhuna seksuale e luftës ka qenë njëra prej heshtjeve më të mëdha të historisë sonë

Feride Rushiti sapo është nderuar me çmimin “Grua e Guximshme” nga Departamenti i SHBA-ve dhe pikërisht për ndjesinë që i ka dhënë ky çmim, në një interviste të dhënë për KultPlus, Rushiti ka treguar për rrugëtimin e saj 20 vjeçar deri të pranimi i këtij çmimi që i është dhënë nga Zonja e Parë e SHBA-ve, Melania Trump.
Por rruga deri te ky çmim, ka pas një çmim edhe për vetë Feride Rushitin, pasi që, për 20 vite të tëra ajo ka dëgjuar me mijëra rrëfime jo të lehta nga gratë e dhunuara, që padyshim, ishte sfiduese edhe për vetë Rushitin që të rikthejë në jetë këto gra, që përpos dhunimit ato kanë qenë edhe të dënuara nga familjarët, rrethi dhe shoqëria në përgjithësi.

Për krejt këtë rrugëtim, për rrëfimin më rrëqethës përgjatë këtyre 20 viteve, për pranimin e këtij çmimi dhe se kujt ia dedikon ajo, mund ta kuptoni nëpërmjet kësaj interviste ku Feride Rushiti shpalosë edhe shumë gjëra.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Ju sapo jeni nderuar me çmimin “Grua e guximshme” nga Departamenti i SHBA-ve, me çfarë emocioni e keni pranuar këtë çmim?
Feride Rushiti:
Ndjenjë e papërshkruar, vërtetë ndihem e nderuar që më është dhënë çmimi ndërkombëtar dhe e vlersuar si Grua e Guximshme nga Departamenti i Shtetit Amerikan. Përfitoj nga rasti për të shprehur mirënjohjen për këtë çmim krahas këtyre grave të mrekullueshme, të guximshme nga anë të ndryshme të botës. Jam thellësisht mirënjohëse që marr çmimin prestigjioz “Gratë e Guximshme” në emër të mijëra grave të Kosovës – guximi, këmbëngulja dhe vendosmëria e të cilave bëri të mundur nderimin tim me këtë çmim.

Pas gati dy dekadave të punës sonë të palodhshme në lehtësimin e pasojave të traumës dhe torturës, avokimin për njohjen e statusit ligjor, si dhe adresimin e stigmës, të mbijetuarat e dhunës seksuale, më në fund e kanë një status ligjërisht të rregulluar dhe mund të përfitojnë nga reparacioni. Janë ato në të cilat gjeta kurajë dhe janë ato në të cilat gjeta inspirim.

Faleminderit Zonjës së parë Melania Trump, Departamentit të Shtetit, ambasadorit të SHBA-ve Delawie,stafit te ambasades se SHBA-ve për mbështetjen e zërave tonë të padëgjuar.

Faleminderit kolegëve të QKRMT-së dhe aktivistëve tjerë të të drejtave të njeriut, Parlamentit të Kosoves, Qeverisë së Kosovës dhe familjes sime!


KultPlus: Ky çmim iu është dhënë me dedikimin si një grua që keni kontribuar shumë për të drejtat e njeriut, me theks të veçantë për rolin e juaj, duke u shndërruar në zërin e grave të dhunuara nga serbet në Kosovë, kujt ia dedikoni këtë çmim?
Feride Rushiti:
Për gati dy dekada, ne punuam me ngulm për të rehabilituar traumën fizike e shpirtërore për dhjetëra e mijëra të mbijetuar të torturës dhe dhunës seksuale nga koha e luftës, duke luftuar për njohjen e tyre ligjore e morale. Ka qenë një përpjekje e vështirë, me të përpjetat e të tatëpjetat e veta, por vendosmëria dhe këmbëngulja e këtyre grave na dha fuqi të gjithëve: shoqërisë civile, Qeverisë, Parlamentit dhe të gjithë shoqërisë së Kosovës për të ecur përpara. Më në fund, të mbijetuarat e guximshme kanë një status ligjor dhe gëzojnë reparacionet për vuajtjet e tyre.
Këtë çmim ia dedikoj të gjitha grave dhe mbarë Kosovës!


KultPlus: Sa ishte sakrificë, dhimbje, sfidë të shndërroheshit në zërin e këtyre grave, sidomos kur kemi parasysh mentalitetin e Kosoves?
Feride Rushiti:
Kosova kaloi një luftë që solli shumë mizori, vrasje masive, persona të zhdukur dhe shumë viktima të dhunës seksuale . Kjo e fundit, e përdorur si armë e luftës është një nga përvojat më traumatike që solli shumë vuajtje dhe pasoja, jo vetëm për të mbijetuarit, por edhe për familjet dhe komunitetin e tyre në përgjithësi. Pothuajse për dy dekada, të mbijetuar nga dhuna seksuale e luftës janë ende në pritje të drejtësisë dhe përkrahjes shoqërore.
Shumë nga të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës janë duke u përballur me një traumë të gjatë fizike, mendore dhe emocionale. Për shumicën e tyre, ëndrra për një jetë më të mirë në periudhën e pas luftës është shuar nga momenti kur trupi i tyre i pambrojtur u përdor si mburojë e fushëbetejës dhe si një instrument i terrorit.

Të mbijetuarat shpeshherë e perceptonin veten si një njeri të pafuqishëm dhe të paaftë për të ecur përpara. Abuzimi seksual barte njolla në kujtesën e tyre duke thelluar edhe më tej stigmën dhe viktimizimin e tyre. Për më shumë, edhe familja dhe rrethi i gjerë kishin një kulturë paragjykuese ndaj grave, e veçanërisht viktimave të përdhunimit, duke i sjellë ato shpeshherë në pozitë përjashtuese dhe izoluese.
Prandaj, identifikimi i tyre dhe qasja në komunitet, përveçse që paraqisnin rrezik për vetë të mbijetuarit, njëkohësisht sfidonin edhe punën tonë, dhe jo rrallë familja dhe të afërmit e tyre na kërcënonin vetëm e vetëm që mos të shpërfaqej ‘sekreti familjar’ dhe e kaluara e hidhur.

Prandaj, viktima e përdhunimit vuan dy herë: së pari duke u dhunuar dhe së dyti duke u dënuar nga një komunitet patriarkal. Në punën tonë të përditshme, jeta e tyre pas përdhunimit është një jetë e dytë që ndryshon të mbijetuarit në një personalitet tjetër, ku disa prej tyre thonë se ata thjesht jetonin të vdekur në mesin e të gjallëve.

Të jesh pranë tyre, t’i dëgjosh hallet dhe vuajtjet, e më pastaj të punosh për t’i rimëkëmbur nga plagët e shpirtit, ka qenë dhe vazhdon të jetë mision plot sfida që shumë herë të bën të ndihesh i pafuqishëm, i lodhur e depresiv. Por, thirrjet e tyre për ndihmë, nevoja për t’i fuqizuar dhe për t’ua kthyer shpresën për jetë, na bëri që bashkërisht me një ekip profesional dhe aktivistë të drejtave të grave, të bëheshim zëri i tyre duke e mobilizuar shoqërinë, duke e thyer heshtjen dhe luftuar stigmën që na rrethonte.

‘Dëgjoni zërin tim’ është motoja e punës sonë me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë për gati dy dekada, është më shumë se një moto. Është një mesazh i kthyer në një mision unik dhe të jashtëzakonshëm. Ajo që kishte filluar qysh me 1998 si një përpjekje e parë për t’u ardhur në ndihmë të mbijetuarve të dhunës seksuale, tani është rritur në një lëvizje të fuqishme që mbron të drejtat e tyre. Pra ‘Dëgjo zërin tim’ rrjedh nga vetë vuajtjet e viktimave dhe nevoja për dëgjueshmëri institucionale e shoqërore.

Dhunimet e luftës kanë lënë plagë të thella në shoqërinë tonë. Gruaja në Kosovë, gjatë tërë periudhës së luftës, ka qenë pjesë e pandashme e tragjedisë dhe e përpjekjeve të përbashkëta për të siguruar një të ardhme më të mirë.

Fatkeqësisht, gratë, nënat dhe motrat tona kanë qenë edhe shënjestra të drejtpërdrejta të dhunës seksuale si armë lufte, luftë kjo e cila për to kurrë nuk do të ketë një fund. Sepse, gratë e përdhunuara gjatë luftës, jo vetëm që janë viktima të përdhunuesve, të mbijetuara të torturës, por ato shpesh janë edhe viktima të rrethit në të cilin jetojnë, për shkak se përballen me përbuzjen dhe përjashtimin nga shoqëria.

Prandaj dhuna seksuale e luftës ka qenë njëra prej heshtjeve të mëdha të historisë sonë. E tërë kjo është ndërlidhur me faktin që, viktima e dhunimit është konsideruar si njollë dhe turpi i familjes ku përveç pasojave psikologjike, fizike, morale, sociale e ekonomike të viktimës, në mënyrë të drejtpërdrejt është fyer dhe rënduar edhe familja e saj.
Po ashtu, heshtja dhe stigma rreth dhunës seksuale në kohë lufte dhe paqe, në njëfarë forme ka mbrojtur dhunuesin për të mos marrë dënimin e merituar, duke përforcuar më tej paragjykimet sociale.

Ato janë në mesin tonë dhe kanë nevojë për përkrahje të vazhdueshme. Ato ndihen më të fuqishme, atëherë kur ne e bashkëndjejmë të kaluarën e tyre, duke i respektuar dhimbjet e tyre.

Prandaj, duke i ndihmuar të mbijetuarit, në ndarjen e përvojës dhe përpunimin e traumës, e ardhmja e tyre ka një rreze shpresë. Në dritën e situatës së dëshpëruar të viktimave të dhunës seksuale dhe me qëllim të lehtësimit të vuajtjeve të tyre, QKRMT-ja nisi një udhëtim të gjatë, të vështirë dhe të trazuar, jo të vetëdijshëm në kohën e pasojave të rënda të kësaj përpjekjeje. Para shumë kohësh, kjo përpjekje për të ndihmuar viktimat e luftës dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre bëhet mision dhe vizioni i organizatës për të cilën unë kisha filluar të mendoja që në vitin 1998. Për vite me radhë kemi ofruar mbështetje mjekësore dhe psikosociale për viktimat dhe kemi synuar njohjen ligjore të statusit të tyre si viktima të luftës.


KultPlus: Të jetosh çdo ditë me rrëfimet e të vuajturve, padyshim që ato vuajtje të kenë reflektuar edhe te ju, pse zgjodhe këtë rrugetim?
Feride Rushiti:
Torturat dhe përvoja jonjerëzore që kishin përjetuar të mbijetuarit e dhunës seksuale, derisa i dëgjoj shpesh më bënin të pafuqishme, qaja me to por edhe ndihesha e zemëruar për gjithë atë sjellje degraduese dhe shkatërruese që ishte ushtruar ndaj trupit të tyre, duke mos i kursyer as fëmijët, nënat në moshë të shtyrë, gratë shtatzëna dhe nganjëherë edhe personat me aftësi të kufizuar.
Të gjitha këto rrëfime rrëqethëse më kishin vendosur para një përgjegjësie personale dhe profesionale. Nga një mjeke e re që ëndërroja sa më parë të përfundoja specializimin, në atë kohë pranë Universitetit të Tiranës, vazhdova me shumë përkushtim si një aktiviste e të drejtave të njeriut. Prandaj, edhe kisha themeluar një organizatë ku të mbijetuarit do të kishin mundësi që t’i ndanin rrëfimet tyre dhe të përfitonin nga programet e ndryshme.

KultPlus: 20 vjet rrëfime, rrëfime, rrëfime…, cilin moment e konsideroni më të ndjeshmin që do ta ndanit me ne?
Feride Rushiti:
Në jetën time kam pasur me dhjetëra momente të paharruara, të cilat kanë lënë gjurmë edhe në psikologjinë time, por një rast kisha dashur ta ndaja pasi ishte rast shumë i rëndë dhe të cilin ende e mbaj në mendje.

Ishte një mesditë me shi dhe ishim duke ofruar shërbime psikosocial për gra dhe fëmijë në kampet e Kukësit, në kudër të UNICEF, dhe derisa isha duke punuar me fëmijë më thërrasin për ta takuar një grua në kampin italian për refugjatë, në Kukës. Derisa i afrohesha tendës së saj, shihja që shumë gazetarë ishin afruar, duke pritur që gruaja e gjorë të ndante tregimin me ta.

Derisa bisedoja me të, ajo mbante në krah një fëmijë të vogël, dhe një tjetër afër saj. U ula afër dhe fillova të bisedoja me të … më fliste si e mpirë, nuk kishte emocione fare, ishte e ulur dhe i shtrëngonte fëmijët fort, njërin në krah e tjetrin afër, duke u munduar të kuptoj çfarë i kishte ndodhur ajo vazhdonte me refrenin e saj: më ka vdekur vajza, e kam lënë rrugës nuk më dhanë mundësi as që ta varros … dhe prapë vazhdonte vajza më ka vdekur…duke e vështruar kisha vërejtur se nga fytyra dhe gjoksi kishte edhe ca plagë ….isha e pafuqishme para saj, nuk dija si të veproja dhe një moment e pyeta për burrin, duke u orvatur që të merrja më shumë informata …po edhe burrin ma kanë marr dhe nuk di nëse është gjallë. Ishte ai moment kur nuk duroja më dhe ja pëlcita së qari duke e përqafur atë…ku çuditërisht edhe ajo filloi të qante, por të qarat e saj ishin të trishtuara, aq sa edhe gazetarët nga jashtë dëshironin të hynin brenda për të parë se çfarë po ndodh…

Më pastaj, ajo e ndau rrëfimin e saj. Aq trishtues ishte, saqë shumë herë të vë në dilema se si është e mundur që qenia njerëzore mund të ushtrojë diçka të tillë ndaj trupit te saj.

KultPlus: Gratë për të cilat keni punuar tashmë e 20 vite, e kanë kuptuar që tashmë jeni shpërblyer me çmimin si gruaja më e guximshme?
Feride Rushiti:
Jam e privilegjuar që jam themeluese dhe një udhëheqëse e një organizate prej 25 anëtarësh të cilët janë profesionistë dhe të dedikuar, të palodhur në realizimin e misionit të tyre. Nuk kemi rreshtur së punuari për të mbrojtur të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe për të luftuar stigmën që i rrethon. Ne u kemi dhënë zë njerëzve të pashprehur dhe pashpresë, u kemi dhënë fuqi të pafuqishmëve, dhe ne kemi rivendosur një drejtësi, sado që mund të jetë e vonuar dhe simbolike. Ata kanë qarë, ne kemi ngritë zërin, por bota ka dëgjuar tani më. Pra janë ato gra dhe vajza te guximshme që më kanë inspiruar të vazhdoj misioni për 20 vjet me radhë. Po ashtu, ky vlerësim ju takon të gjitha grave të Kosovës të cilat kanë ndihmuar në shtyrjen përpara të kësaj kauze.

KultPlus: Rrugëtim i gjatë deri te ky çmim, po para ketij çmimi, falë angazhimit tuaj, gratë e dhunuara gjate luftës tashmë kanë mbështetje edhe institucionale, nëse do të rinisje këtë rrugëtim, a do të kishe pasë fuqi që ta ndjekësh këtë angazhim!
Feride Rushiti:
E vështirë, shumë e vështirë … rrugëtimi ka qenë plot sfida, sakrifica, lodhje mundim por edhe zhgënjim. Por, kur dëgjon rrëfimet e tyre, sikur vetvetja më nuk ka rëndësi, kërkesa për t’i bërë të fuqishme të mbijetuarat të jep energji dhe elan për të vazhduar.
Mbi të gjitha, kur e sheh që tërë puna, aktiviteti, veprimtaria dhe dedikimi i jonë ka prodhuar rezultate shoqërore, atëherë kjo na shtyn edhe më shumë që të ecim përpara dhe të marrim përgjegjësi të reja.

KultPlus: Dhe për fund, si e përshkruan një grua të guximshme dhe sa është e vështirë të jeshë një grua e guximshme në Kosovë!
Feride Rushiti:
Kosova ka me dhjetëra gra të guximshme, të cilat në jetë kanë lënë gjurmë të mëdha, duke sakrifikuar vetveten, familjen dhe duke qenë gurëthemel i ndërtimit të shtetit dhe adresimit të të drejtave për grupet e ndjeshme shoqërore. Unë rastësisht jam njëra nga ato, që kam kaluar po në të njëjtat rrugëtime, duke u përballuar me shumë peripeci e barriera, por në jetë duhet ta kesh të qartë qëllimin dhe të jesh vazhdimisht këmbëngulës dhe me strategji të qarta për t’i tejkaluar barrierat.
Mbi të gjitha, të jesh i përkushtuar, i përulur ndaj atyre që i përfaqëson, gjithmonë në sinergji me akterët e tjerë në arritjen e qëllimeve të përbashkëta./KultPlus.com

Feride Rushiti flet për gratë e dhunura të Kosovës, në Pensacola të Amerikës

Feride Rushiti, gruaja që këtë vit është një nga dhjetë laureatet e çmimit “Gratë e guximshme” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, po vazhdon me vizitën e saj në ShBA.

Ajo po qëndron në Pensacola, një qytet në Florida, ku edhe po e tregon rrëfimin e saj dhe angazhimin e saj në kauzën për gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ajo ka treguar në Pensacola, në një ligjëratë, se si gjatë luftës së vitit 1998-99 në Kosovë ka qenë studente në Shqipëri dhe e ka kuptuar më pas mizorinë që po ndodhë në Kosovë.

“Takova nëna që e kanë parë dhunimin e vajzave para syve të tyre, familje që kanë humbur fëmijët në luftë. Dhe e kuptova që duhet të veproj, duhet të ndërmarr diçka” tregon Rushiti.

Në këtë kohë Rushiti u shndërrua nga një praktikuese mjekësore në një aktiviste për të drejtat e njeriut. Ajo më pas e themeloi Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës.

Gjatë vizitës në Pensacola, ajo po viziton disa organizata, përfshirë FAVORHouse dhe Gulf Coast Kids House. Ajo u takua edhe me profesorët Kimberly McCorkle dhe Richard Hough nga Universiteti i West Florida.

Rushiti do të përfundojë këto ditë udhëtimin e saj në SHBA bashkë me laureatet tjera të programit të njohur amerikan, që e njeh angazhimin e grave në fusha të ndryshme. Sot ajo do të jetë e pranishme në një Forum Publik në Los Angeles, California. / KultPlus.com

Feride Rushiti e merr çmimin nga Zonja e Parë, Melania Trump (VIDEO)

Melania Trump – Zonja e parë e Amerikës, sot i ka dhënë çmimin “Grua e guximshme” shqiptares Feride Rushiti.

Në një ceremoni janë nderuar dhjetë gratë që këtë vit janë laureate të çmimit të madh i cili nderon fuqinë e gruas dhe ndryshmin që ajo ka bërë në aspekte të ndryshme të shoqërisë.

Feridja është drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Dhunës. Një doktoreshë, ajo në vitin 1999 gjatë konfliktit dhe luftës në Kosovë ndihmoi në shërimin e civilëve të lënduar.

Mbi të gjitha, angazhimi i saj kryesor ka qenë dhe mbetet ai me gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, një kauzë në të cilën Feride Rushiti ka dhënë maksimumin e angazhimit të saj në këto dy dekada. / KultPlus.com

Këto janë gratë e guximshme të botës, në mesin e tyre edhe Feride Rushiti

Feride Rushiti është në mesin e grave që Shteti Amerikan i nderon këtë vit me Çmimin “Gratë e Guximshme”.

Kjo fotografi e tregon Feriden bashkë me fitueset tjera për këtë vit, të këtij çmimi në të cilin nominohen gra të suksesshme nga çdo cep i botës, dhe të cilat me guximin e insistimin e tyre kanë ndryshuar jetë njerëzish dhe mentalitet e mendësi në ambientin ku punojnë.

Feridja është drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Dhunës. Një doktoreshë, ajo në vitin 1999 gjatë konfliktit dhe luftës në Kosovë ndihmoi në shërimin e civilëve të lënduar.

Feride Rushiti ka luajtur dhe luan edhe sot një rol të rëndësishëm në kuadrin ligjor të Kosovës për të mbrojtur dhe rehabilituar të burgosurit, duke avokuar suksesshëm edhe në monitorimin e pavarur të objekteve të paraburgimit.

Mbi të gjitha, angazhimi i saj kryesor ka qenë dhe mbetet ai me gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, një kauzë në të cilën Feride Rushiti ka dhënë maksimumin e angazhimit të saj në këto dy dekada.
Pos saj, janë edhe gra të tjera që marrin këtë çmim këtë vit, shkruan KultPlus.

Elena Berini nga Italia, shembull, për disa vite ka përjetuar tmerrin në Afrikë ku edhe ka ndihmuar në kohën e regjimit të viteve 70-të.

Roya Sadat nga Afganistani është një grua e fortë e cila me anë të dokumentarëve dhe filmave ka dokumentuar padrejtësitë dhe mizoritë nëpër të cilat kalon një grua afgane. Godelieve Mukasarasi nga Ruanda është një grua që luan rol të madh në procesin e paqes në Ruandë, një vend ku pati luftë dhe dhunime të tmerrshme të grave të pafajshme.

Të gjitha gratë do të dalin në ceremoni me datë 23 mars, ku do të jetë e pranishme edhe Melania Trump – Zonja e parë e Amerikës. / KultPlus.com

Tri “Gratë e Guximshme” të Kosovës

Valdete Idrizi, Arbana Xharra dhe tashmë edhe Feride Rushiti janë tri gra të fuqishme nga Kosova që kanë marrë çmimin prestigjioz ndërkombëtar për “Gra të Guximshme” i cili ndahet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, shkruan KultPlus.

Drejtoreshës Ekzekutive të QKRMT-së, Feride Rushiti, do t’i ndahet Çmimi Ndërkombëtar për Gratë e Guximshme, të premten më 23 mars. Kjo është hera e tretë që një grua nga Kosova është fituese e këtij çmimi.

Në vitin 2015, këtë çmim e kishte fituar Arbana Xharra, ish kryeredaktore e gazetës “Zëri” në Prishtinë për “Raportimet e saj mbi ekstremizmin fetar dhe ndikimin e tij në shoqëri”.

Në vitin 2008, këtë çmim e kishte fituar Valdete Idrizi, veprimtare nga Kosova, për projektet që drejtonte në Mitrovicë, me synim për të nxitur ripajtimin dhe paqen ndërmjet komuniteteve të ndryshme etnike.

Këtë vit së bashku me Feride Rushitin do të nderohen edhe Roya Sadat nga Afganistani, Aura Elena Farfan nga Guatemala, Julissa Villanueva nga Hondurasi, Aliyah Khalaf Saleh nga Iraku, Maria Elena Berini nga Italia. Aiman Umarova nga Kazakistani, L’Malouma Said nga Mauritania, Godelive Mukasarasi nga Ruanda dhe Sirikan Charoensiri nga Tailanda.

Në arsyetimin për ndarjen e çmimit për Drejtoreshën Ekzekutive të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), thuhet se “Për gati dy dekada të punës së saj, ajo ka siguruar qasje në shëndetësi dhe drejtësi për të mbijetuarit civil të luftës. Ajo ishte ndër doktorët e parë që njohu nevojën për trajtimin e traumave psikologjike për refugjatët që ikën nga dhuna, posaçërisht të grave dhe grupeve të pakicave. Angazhimi i saj ka çuar në disa fitore ligjore”.

Ky Çmim ndahet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për gratë të cilat kanë dëshmuar lidership dhe guxim të jashtëzakonshëm në avokimin për paqe, drejtësi, të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave./ KultPlus.com

Zonja e Parë e Amerikës Melania Trump do ti ndajë Feride Rushitit “Çmimi Ndërkombëtar për Gratë e Guximshme”

Drejtoreshës Ekzekutive të QKRMT-së, Feride Rushitit, do t’i ndahet Çmimi Ndërkombëtar për Gratë e Guximshme,shkruan KultPlus.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), përmes kësaj komunikate ju njofton se Drejtoresha e kësaj qendre Feride Rushiti po qëndron për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në kuadër të kësaj vizite, të premten me 23 mars 2018, zëvendëssekretari i shtetit John J. Sullivan dhe zonja e parë e SHBA-ve Melania Trump, do t’i ndajnë Rushitit çmimin Ndërkombëtar për Gratë e Guximshe. Ky Çmim ndahet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për gratë të cilat kanë dëshmuar lidership dhe guxim të jashtëzakonshëm në avokimin për paqe, drejtësi, të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave. Me këtë çmim do të nderohen dhjetë gra nga mbarë bota.

Pas pranimit të çmimit në Washington DC. Rushiti do të ndjekë Programin Ndërkombëtar për Lidership, në kuadër të të cilit do të vizitojë shtete të ndryshme në SHBA dhe do të ketë takime me organizata dhe biznese të ndryshme, me qëllim bashkëpunimi në zhvillimin e strategjive dhe ideve për fuqizimin e grave në SHBA dhe jashtë saj./KultPlus.com