Rikthehet shfaqja “Copë Copë”

Shfaqja “Copë Copë”, e cila është dhënë premierë në vitin 2015-të, do të rikthehet sërish në skenë, përcjellë KultPlus.

Artistet dhe mbijetuesja e dhunës janë bashkuar për të ndarë me publikun copëza përjetimesh nga jetët e tyre. Interpretime të përbashkëta të artisteve dhe të mbijetuarës së dhunës në hapësirën e njëjtë do të riaktualizojnë forcën që këto të fundit kanë gjetur për t’u përballur me realitetin.

Dramaturge e kësaj shfaqje është Blerta Zeqiri, ndërsa regjia është bërë nga Zana Hoxha – Krasniqi. Aktoret të cilat do të interpretojnë janë: Melihate Qena, Anisa Ismajli, Donikë Ahmeti, Qendresa Kajtazi, Albina Kelmendi dhe Bashkime Sulejmani.

Shfaqja vjen më 26 shtator nga ora 20:00 në Teatrin e Qytetit “Adriana Abdullahu” në komunën e Ferizajt.

Performanca është produksion i Qendrës për Art dhe Komunitet – Artpolis, ndërsa është përkrahur nga CFD. / KultPlus.com

‘Oh, Oh, xhulia’ me regji të Besim Ugzmajlit nis sezonin në Teatrin ‘Adriana’ në Ferizaj

Teatri i Qytetit ‘Adriana’ në Ferizaj, shumë shpejt pritet të nis sezonin me premierën ‘Oh, Oh, xhulia’.

Kjo shfaqje me tekst të Ephraim Kishon në skenën e teatrit ‘Adriana’ do të jetësohet nën regjinë e regjisorit Besim Ugzmajli.

Provat për këtë shfaqje tashmë veç kanë filluar, ndërsa për KultPlus, regjisori Ugzmajli, dha disa detaje për tekstin.
“ ‘Oh, Oh, xhulia’, është një komedi-parodi si version alternativ i ‘Romeo dhe Zhulieta’ të William Shakespeare. Por në versionin e Ephraim Kishon, Romeo dhe Zhulieta i kanë shpëtuar vdekjes. Ephraim Kishon është një autor që jo vetëm që ka shkruar shumë skenarë dhe drama, por është i njohur edhe si regjisor i cili ishte nominuar për Oscar. Provat vetëm sa kanë filluar dhe shfaqja pritet të jepet pas datës 20 tetor”, tha për KultPlus Besim Ugzmajli.

Kjo shfaqje sjellë në rolet kryesore aktorët: Shpëtim Selmani, Vjosa Tasholli, Sherif Bega, Edona Berisha, Mevlan Saraçi dhe Milot Salihu./ KultPlus.com

Muaji tetor mirëpret Festivalin e Teatrove në Ferizaj

Sarandë Selimi

Tashmë është rezervuar data për nisjen e rrugëtimit të 47-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj. Ky festival edhe pse sipas organizatorëve nuk mori mbështetjen e duhur nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, padyshim që do vazhdojë të mbahet duke e ditur rëndësinë e tij në Kosovë dhe duke e pasur parasysh se ky është një ndër festivalet më të vjetra në vend.

Atëherë kur ishte ndarë buxheti i MKRS-së, duke shpalosur projektet që do të përkrahen për vitin 2017-të, këtij festivali kjo ministri i dha vetëm 3 mijë euro, para këto që Fatmir Hyseni, i pati thënë MKRS-së, t’i mbajë për vete sepse nuk mjaftojnë në mbulim të festivalit.
KultPlus ka biseduar me drejtorin e Teatrit ‘Adriana’ në Ferizaj – Fatmir Hyseni, i cili njëherësh është edhe organizator i festivalit.
“Festivali i teatrove në këtë vit e ka edicionin e 47-të dhe fillon më 21 tetor. Është e vërtetë se MKRS ka ndarë vetëm 3 mijë euro për këtë vit, dhe mendoj se ky është një vendim i gabuar duke marrë parasysh rëndësinë e festivalit dhe peshën që ka në artin skenik jo vetëm në Kosovë por në të gjitha trojet shqiptare. Ne nga Ministria e Kulturës kemi kërkuar që ky Festival të jetë edhe pjesë e trashëgimisë shpirtërore, por përgjigje nuk kemi marrë. Kam deklaruar se ato 3 mijë euro Ministria mund ti mbajë për vete. Me këto mjete nuk mundesh as shpërblimet e Festivali ti mbulosh. Mirëpo, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ferizaj si çdo vit ka barrën kryesore buxhetore dhe me ndihmën edhe të sponsorit Raiffesen Bank besoj se do ja dalim që Festivali të vazhdojë më tutje”, tha fillimisht për KultPlus Hyseni, duke vazhduar tutje të tregojë se Festivali i Teatrove ka traditën e cila vazhdon rrugëtimin me një publik të shkëlqyeshëm, dhe pikërisht kjo i detyron organizatorët që ky festival të ketë përmbajtje cilësore nga gjitha trevat shqiptare.

“Besoj se këtë vit teatrot kanë bërë punë të mirë dhe Festivali varet kryesisht nga puna e po këtyre teatrove. Ne jemi në punë e sipër dhe po mundohemi që të kemi risi në Festival, me ndonjë punëtori të arteve skenike për të rinjtë, pasi që mbi 50 për qind e publikut është moshë e re”, pohoi Hyseni.

Sivjet në edicionin e 47-të të këtij festivali, do të prezantohen gjithsej shtatë shfaqje konkurruese dhe ndonjë shfaqje mysafire. Shfaqjet pjesëmarrëse sikurse edhe viteve të kaluara do të jenë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Hyseni tregon se ka shumë shfaqje të cilat janë duke i seleksionuar e të cilat njëherësh mund të shfaqjen në Teatrin ‘Adriana’ në Ferizaj.

Krejt në fund të kësaj bisede, Fatmir Hyseni u shpreh jo fort i kënaqur me punën nëpër teatrot e qyteteve të Kosovës në përgjithësi, jo vetëm në Ferizaj. Ai tha se teatrot për momentin janë duke mbijetuar si institucione.

“Besoni se Teatri jo vetëm në Ferizaj, por edhe në Kosovë, është në gjendje mjaft të vështirë, duke e parë situatën ekonomike e politike në vend. Kur kësaj i shtohet edhe moszbatimi i Ligjit për teatrot, atëherë mund të themi se teatrot për momentin janë duke mbijetuar si institucione. Arti në Ferizaj ka më shumë iniciativa dhe bëhet punë më shumë se në shumë Komuna tjera, e kjo falë insistimit të krijuesve dhe vullnetit të tyre për të bërë art”, përfundoi Hyseni. / KultPlus.com