Ferma ”Grand Albanik” është një kompleks agro-turistik i ndërtuar mbi një koncept sa modern aq edhe tradicional. E drejtuar nga një çift franko-shqiptar, kjo fermë është një ndërthurje shumë e mirë midis dy kulturave, asaj autentike shqiptare dhe kulturës së pasur e te rafinuar franceze, shkruan Nëntor Oseku, i cili ka shpërndare disa foto të cilat të magjepsin me bukurinë e kësaj ferme, shkruan KultPlus.
Kjo fermë ndodhet 17km, nga Këlcyra, 33 km. nga Përmeti, 58 km. nga Gjirokastra, 33km. nga Berati, e vendosur praktikisht midis dy luginave të rëndësishme turistike të Vjosës dhe të Osumit.
Tutje Oseku ka shpjeguar se kjo Ferma-bujtinë-restorant-kamping etj, është një destinacion ideal për vendpushim nga mund të shijohen bukuritë e pafundme të kësaj zone të mrekullueshme të Shqipërisë. Ndërsa një arsye tjetër fortë për ta vizituar është edhe kuzhina shumë elegante e Madjid-it, shefit francez që aq mirë i ndërthur specialitet franceze me prodhimet e çmuara të kësaj zone, aq shumë e njohur për vlerat kulinare. Ambienti i këndshëm dhe mikpritja e zotëve të shtëpisë do ta bëjnë qëndrimin tuaj shumë të rehatshëm, në mënyrë që të ndiheni si në shtëpinë tuaj./ KultPlus.com