Ministri Çeku: ‘Etno Fest’ pasqyron pasurinë e traditës dhe kulturës shqipe

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se mbrëmë EtnoFesti ka nisur në mënyrën më të bukur, duke ofruar një mbrëmje me performanca artistike që nderojnë trashëgiminë dhe kulturën shqipe.

Ministri Çeku përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook’ ka thënë se të gjitha interpretimet në këtë festival pasqyrojnë pasurinë e traditës tonë.

“Gjallërinë që sjell ky festival në bukurinë e fshatit Kukaj do ta kemi për disa ditë me radhë. Nga ritualet tradicionale të replikuara me saktësi deri tek interpretimet moderne, performancat, shfaqjet, ekspozitat, kënga e vallja që e përcjellin Etno Festin deri në fund, pasqyrojnë pasurinë e traditës sonë. Vazhdojmë mbështetjen tonë në ruajtjen dhe promovimin e artit dhe kulturës”, thuhet”, thuhet në shkrimin e Ministrit Çeku./ KultPlus.com

Faza përzgjedhëse e festivalit ‘Gurra Folk Fest’

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, për të gjashtin vit radhazi, organizon Festivalin Folklorik “Gurra Folk Fest”, një garë folku midis shkollave të mesme të Qarkut të Vlorës. Festivali “Gurra Folk Fest” aktualisht është në momentet e fazës përzgjedhëse për edicionin e tij të 6-të.

Ditën e djeshme, në Livadhia, Bashkia Finiq, u realizua takimi seleksionues i shkollave të mesme, për bashkitë: Sarandë, Delvinë, Konispol, Finiq. Rreth 150 nxënës u ngjitën në skenën “Katina Papa”, Livadhia, veshur me kostume popullore shumëngjyrëshe, si dhe me performancë të lartë artistike, duke elektrizuar gjithë sallën.

DRTK Vlorë falenderoi mësuesit dhe nxënësit e të gjitha shkollave, për angazhimin serioz dhe punën, për të sjellë një performancë sa më dinjitoze në skenë. Pjesëmarrje mahnitëse dhe performanca të shkëlqyera sollën shkollat:

“Bido Sejko”, Konispol;

“Lefter Talo”, Livadhia;

“Sulejman Delvina”, Delvinë;

“Hasan Tahsini”, Sarandë;

“Dea-2001”, Sarandë;

“Antoni Athanas, Sarandë./atsh/KultPlus.com

Chopin Piano Fest prezanton koncert me 16 artistë për nderë të 16 vjetorit të Pavarësisë

Festivali i muzikës klasike Chopin Piano Fest Prishtina, në kuadër të 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës prezanton koncertit festiv, me performanca dhe program të pasur muzikor me 16 artistë, shkruan KultPlus.

Artistët pjesëmarrës në këtë koncert janë: Alberta Troni, Jeta Çitaku, Erëmira Çitaku, Sihana Badivuku, Zana Badivuku Basha, Denik Prizreni, Kaltrina Miftari, Safet Berisha, Lekë Salihu, Marin Gjollma, Enkelejda Zajmi Gorani, Marina Nikolovska, Astrit Mustafa, Orges Malaj, Ilir Kodhima dhe Andi Duraku.

Koncerti do të mbahet më 6 Mars nga ora 20.00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare në Prishtinës/KultPlus.com

Chopin PianoFEST zgjeron aktivitetin e saj, sonte prezantohet koncert në Tiranë

Chopin PianoFEST Prishtina, sonte udhëton në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, me koncertin e radhës të cilin e zhvillon në bashkëpunim me Filhamoninë e Kosovës, shkruan KultPlus.

Chopin PianoFEST Prishtina këtë vit e ka zgjeruar aktivitetin e saj, ku sivjet për herë të parë, ka dërguar festivalin edhe në Shqipëri, në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Këtë mbrëmje adhuruesit e muzikës klasike mund ta përcjellin edhe mjeshtrin e jashtëzakonshëm nga Mbretëria e Bashkuar, pianistin Peter Donohoe.

Koncerti do të fillojë në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë/ KultPlus.com

Me një koncert mbresëlënës “Chopin Piano Fest” kujtoi fagotistin Fatos Jaho

Vjollca Duraku

Me një pikë interpretuese në nderim të figurës së fagotistit të ndjerë, Fatos Jahos, i cili ishte një nga themeluesit e parë të ansamblit Balkan Sextet ‘Pro Arte’, u hap koncerti i tretë me radhë, në festivalin e muzikës klasike, Chopin Piano Fest Prishtina 2023, shkruan KultPlus.

Ansambli Balkan Sextet, me koncertin e mbrëmshëm ka shënuar 10 vjetorin e themelimit të këtij ansambli, i cili është në përbërje nga anëtarët: Lejla Haxhiu-Pula-Piano, Astrit Mustafa-Klarinet, Enkelejda Zajmi-Gorani- Flaut, Ilir Kodhima-Korno, Orges Mala-Fagot dhe Marina Nikolovska-Obo.

Këta emra të mëdhenj, të dëshmuar në fushën e muzikës, kishin tërhequr një audiencë e cila kishe zënë vend në çdo cep të sallës, madje, një pjesë e të cilëve qëndruan edhe në këmbë, gjatë kësaj mbrëmje.

Këtë koncert me prezencën e tyre e nderuan, edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, disa ambasadorë të vendeve mike, si dhe figura të tjera të shquara nga fusha të ndryshme profesionale.

Kjo mbrëmje e cila pati një publik shumë të entuziazmuar, u hap me një pikë interpretuese, e cila ishte dedikim për njërin nga themeluesit e parë, të ansamblit Balkan Sextet, të fagotistit Fatos Jahos, i cili kishte ndërruar jetë në prill të vitit 2015.

Pas kësaj pike interpretuese, e cila u shoqërua me duartrokitje të shumta, fjalën e mori organizatorja e festivalit Besa Luzha , e cila fillimisht e tregoi simbolikën e pikës së sapo interpretuar dhe pastaj duke u uruar mirëseardhje mysafirëve të mbrëmjes, ftoi për interpretim edhe ansamblin.

Një skenë e zbukuruar me disa lule dhe një ndriçim fantastik, tanimë priste ardhjen e ansamblit Balkan Sextet, i cili do të perfomonte me një program artistikisht mjaft të vështirë për interpretim.

Artistët, pas daljes në skenë, e nderuan publikun me një përkulje para fillimit të koncertit, e cila u shoqërua me duartrokitje të shumta edhe nga ana tjetër. Vetë pozicionimi dhe ulja e artistëve, duke krijuar një hark mes pesë anëtarëve të ansamblit, dhe me një pianiste mbrapa, krijonte një pamje shumë të bukur estetikisht.

Ishte e para vepra e kompozitorit Ludwig Thuille, me Sextet B-Dur, Op. 6, e cila dhuroi në sallë melodi mjaft të këndshme, të cilën përpos publikut e shijonte edhe vetë ansambli, lëvizjet trupore të të cilëve u ngjanin një grumbull lulesh të bukura, të cilat lehtësisht i lëviz era.

Ritmi u bë mjaft i qetë kur në skenë performonte vetëm pianoja. Ky ritëm mori karakteristika më dinamike kur iu bashkëngjitën edhe fagoti, korno dhe klarineti, e të cilat ishin nën interpretimin e burrave të ansamblit. Performanca mori një ngjyrim të kompletuar, kur këtyre instrumenteve iu bashkëngjitën edhe oboa dhe flauti të cilat ishin në interpretimin e grave të Balkan Sextet.

Pastaj, pas një pauze disa sekondshe, e cila u pasua me duartrokitje nga një publik shumë i entuziazmuar me koncertin, filloi edhe pjesa tjetër interpretuese, valle të cilën e udhëhoqi kornisti, duke u pasuar nga pianoja e më vonë edhe nga instrumentet tjera, interpretimi i të cilave krijonte tinguj konstant, e të cilin ritëm, arriti ta ndryshonte vetëm lëvizja e shpejtë e tasteve të pianos.

Në sallë, pas një pauze 10 minutëshe u interpretua edhe vepra e kompozitorit Francis Poulenc. Kjo pikë, herë pasohej me tinguj mjaft të qetë, e herë me tinguj të cilët ishin të dendur për veshin e dëgjuesit. Ndërsa harmonia e mbrëmjes kulmoi kur instrumentet ndërthurnin tingujt e tyre me një interpretim të përbashkët, në të cilin, dukej sikur tingujt të gëzuar lëviznin në sallë, kështu duke dhënë edhe vulën e interpretimit.

Ndërsa pika e fundit e cila u interpretua mjeshtërisht nga ansambli Balkan Sextet, ishte kompozimi i kompozitorit kosovar Kreshnik Aliçkaj, i cila dhuroi tinguj të paharrueshëm për publikun në sallë. Fundi i performancës u shënua nga disa tinguj të shpejtë, e të përbashkët të të gjitha instrumenteve të skenës, të cilat e impresionuan publikun jashtë mase, e, i cili pëlqimin e tij e dha përmes duartrokitjeve të shumta.

Pas përfundimit të koncertit, në një prononcim për KultPlus, pianistja e ansamblit Balkan Sextet, Lejla Pula, tha se me këtë koncert i cili ka shënuar dhjetëvjetorin e themelimit, kanë pasur dëshirë të nderojnë bashkëthemeluesin e ansamblit Fatos Jahon, i cili nuk është në mesin e tyre që nga viti 2015.

Ajo më tutje tha se ndihej shumë e lumtur që sollën një program me kërkesa shumë të mëdha muzikore para publikut.

‘’Ishte kënaqësi, sepse është një program jashtëzakonisht i bukur, me kërkesa shumë të mëdha muzikore dhe teknike, të cilin besoj se sonte e ka shijuar audienca, sepse është një program i cili interpretohet shumë rrallë, është një program shumë i vështirë por shumë i bukur”, ka thënë pianistja Lejla Pula.

Ajo gjithashtu tha se ndihej e nderuar me pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti dhe disa ambasadorëve të disa shteteve, pasi niveli i tyre artistik tërheq interesim të këtyre figurave, që praktikisht i bën artistët të jenë si Ambasadorë të Kulturës së Kosovës.

“Më erdhi shumë mirë që na nderoi me pjesëmarrje edhe kryeministri, ishin edhe disa ambasadorë të cilët shprehin interesim dhe kureshtje për programet tona. Jemi shumë të kënaqur që me nivelin tonë mund t’i tërheqim të gjithë dhe praktikisht ne bëhemi si Ambasadorë të Kulturës së Kosovës.”, ka thënë pianistja.

Ndërsa fagotisti, Orges Malaj, ka thënë se koncerti ishte dinjitoz dhe i kishte arritur pritshmëritë e tyre, pasi duartrokitjet e publikut ishin vlerësuesit më të mirë për punën e tyre.

“Ishte një koncert vërtetë dinjitoz nga fakti që veprat ishin shumë të vështira teknikisht por edhe muzikalisht. Mendoj që shkoi shumë mirë, publiku e mirëpriti shumë mirë, ku një test i vlerësimit të koncertit, janë edhe duartrokitjet e publikut. Mendoj që gjithçka shkoi sipas parashikimeve dhe shpresojmë edhe për të tjera bashkëpunime”

Ndërsa klarinetisti, Astrit Mustafa tha se publiku i shumtë krijoi një atmosferë shumë të mirë, gjë e cila bëri që koncerti të kurorëzohej me sukses.

“Ishte një atmosferë mjaft e mirë pas një përgatitje intensive të kësaj shfaqje. I befasuar me prezencën e publikut, një publik i bollshëm, ku u krijua një atmosferë shumë e mire në të cilën edhe ne u kënaqëm në interpretim. Jemi takuar disa ditë para koncertit i kemi bërë disa prova, dhe e kemi lidhur programin bashkë, ku gjithçka sot u kurorëzua me sukses”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa kompozitori Kreshnik Aliçkaj, vepra e të cilit u interpretua si premierë në koncertin e mbrëmshëm tha se ishte një koncert shumë i mirë, pjesë e të cilit ishte edhe vepra e tij të cilën pati rast të dëgjoj për herë të parë.

‘’Sonte ishte një program shumë i mirë, në të cilin e pata edhe unë një vepër, do të thotë që e kam shkruar enkas për këtë ansambël dhe për këtë sextet. Veprën e kam shkruar në vitin 2013. Do të thotë ka qenë porosi nga ansambli, pikërisht nga profesoresha Lejla Pula. Dhe sonte pikërisht pas dhjetë viteve, pata rastin edhe vet ta dëgjoj veprën time si risi’’, ka thënë kompozitori Aliçkaj.

Koncerti i radhës, i katërti me radhë do të mbahet më 17 maj, në të cilin do të interpretojë pianistja Adrienne Hauser./ KultPlus.com

Me simbolikën e Evropës, shënohet hapja e edicionit të 13-të të festivalit ‘Chopin Piano Fest Prishtina’

Vjollca Duraku

Nën tingujt e pianos së pianistit italian, Epifano Comis dhe grupit Adra Strins, mbrëmë u shënua hapja e Edicionit të 13-të, të festivalit të muzikës klasike ‘Chopin Piano Fest Prishtina’, shkruan KultPlus.

Ky festival i cili tanimë është shndërruar në një festival tradicional për qytetin e Prishtinës edhe këtë vit u mbajt në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Ndonëse është vend jo adekuat për mbajtjen e koncerteve të tilla, akustika e mrekullueshme, dekori, dhe ngjyrat e dritave, e shndërruan vendin në një ambient tejet të ngrohtë për të pranishmit.

Ambienti u bë edhe më i ngrohtë me daljen në skenë të organizatoreve të festivalit Besa Luzhës e cila përçonte dashuri dhe energji pozitive si dhe Lejla Pulës, e cila përcolli elegancë dhe energji pozitive po ashtu. Organizatoret e shënuan hapjen e festivalit me falënderime për të pranishmit dhe të gjithë bashkëpuntorët përmes së cilëve u mundësua edhe mbajtja e këtij eventi.

Lejla Pula drejtoreshë artistike e festivalit ‘Chopin Piano Fest’ ndër të tjera tha se synimi kryesor i këtij festivali është shpalosja dhe prezantimi i vlerës kulmore dhe artistike muzikore e botës, në skenën e Prishtinës.

Hapja e edicionit të 13-të të këtij festivali përkoi me ditën e Evropës, andaj me një fjalë rasti iu dha edhe Shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, i cili tha se në këtë ditë në Evropë festohen vlerat e përbashkëta dhe se është i lumtur që ka bashkëpunuar për të dytin vit radhazi për organizimin e ‘Chopin Piano Fest’.

Ndërsa ambasadori Italian, Antonello De Riu i cili ishte po ashtu njëri ndër mbështetësit e festivalit, iu drejtua publikut i cili kishte mbushur plot sallën dhe mezi prisnin që t’ia fillonte koncerti, duke potencuar rëndësinë e këtij koncerti pasi ky koncert tash sa vite ka arritur të angazhojë gjeneratën e re në muzikën klasike.

Pas këtyre fjalimeve, dritat u fikën dhe si dukej gjithçka ishte gati për të filluar koncerti. Perdja e kuqe u hap dhe në skenë dolën artistët të cilët kishin për të performuar, e të cilët publiku i priti me duartrokitje të shumta.

Në koncertin i cili zhgjati një orë e gjysmë u interpretuan vepra të kompozitorëve më të njohur botëroë si: Mozart, Listz dhe Bethoven.

Ekzekutimi i Pianos nga një mjeshtër siç ishte Epifanio Comis, nën përcjelljen e violinistëve të rinjë por shumë të talentuar të grupit Adra Strings me veprat e autorëve më të mirë, jepte përshtypjen se gjendeshe në sallat më prestigjioze të botës.

Profesionalizmi i pianistit Comis, përpos që dëgjohej me veshë, mund edhe të vërehej me taktin e lëvizjes së duarve të tij. Publiku sy e vesh po e shijonin mbrëmjen me një qetësi që të kënaqte shpirtin. Aty këtu vërehej edhe ndonjëri i cili me këmbë ose me duar ndiqte instiktivisht tingujt përfekt të muzikës e cila po interpretohej para tyre, e, e cila dukej se tashmë i kishte hipnotizuar të gjithë.

Me përfundimin e pjesës së tretë e cila zgjati rreth gjysmë ore, njejtë sikurse edhe dy pjesët pararendëse të saj, publiku dha duartokitje të shumta ndaj artistëve të cilët performuan, e të cilët dhuruan çaste magjike.

Shumë e kënaqur me koncertin e mbajtur ishte edhe Drejtoresha Artistike e Festivalit, Lejla Pula, e cila tha se ndjehej shumë e lumtur pasi kishin arritur të realizohej edhe hapja e 13 të festivalit me një audiencë shumë të kënaqur, pasi deri atëherë kishin pasur frikë në mos nuk do të kishte shumë të pranishëm, pasi 9 maji ishte ditë pushimi dhe po ashtu një ditë e ngarkuar me aktivitete të tjera në kuadër të Ditës së Evropës.

“Për mrekulli shkoi e tëra. Ishim me të vërtetë shumë të lumtur që arritëm të realizojmë edhe hapjen e edicionit të 13-të, me një audiencë shumë të kënaqur, ku salla ishte e mbushur me njerëz dhe perfomanca ishte e mrekullueshme. Edhe pse te ne ishte ditë pushimi dhe jemi frikësuar se a do të jenë prezent publiku sepse ka qëlluar 9 maji edhe me shumë aktivitete. Por, ishte me të vërtetë shumë bukur me një muzikë të jashtëzakonshme me një ambient të mrekullueshëm”, ka thënë Pula për KultPlus.

Ndërsa organizatorja tjetër e festivalit, Besa Luzha, përpos që ishte e shumë e kënaqur me mbarëvajtjen e koncertit në përgjithësi, ajo tha se bashkëpunimi mes muzicientëve më të vjetër, e më me përvojë me muzicientët më të rinjë, shërben si analogji  e Bashkimit Evropian, ku disa shtete janë qysh me themelimin e Evropës dhe disa të tjera janë më të reja dhe janë bashkangjituar më vonë, ku të gjitha së bashku kontribuojnë në krijimin e vlerave të përbashkëta.

“Besoj që të gjithë që kanë qenë të pranishëm janë mahnitë, me lojën e këtyre muzicientve fantastik nga Italia. Këta ishin bashkëpunim i gjeratës më të vjetër me gjeneratën më të re dhe kjo në njëfar mënyre ishte simbolikë që Evropa e jep, sepse në Evropë, sepse ka vende të cilat kanë qenë themeluese të Evropës, por sot në gjirin e saj ka edhe vende të reja, ku së shpejti do të jemi edhe ne”, ka thënë Luzha për KultPlus.

Koncerti ‘Chopin Piano Fest’, i cili filloi mbrëmë më 9 maj, do të vazhdojë për një muaj, ku do të interpretojnë artistë të rinjë dhe të famshëm nga vendi dhe bota. Në këtë edicion do të mbahen gjithsej 15 koncerte me muzikë klasike gjatë të cilëve qytetarët e Kosovës kanë mundësinë për të dëgjuar muzikë klasike me vepra të autorëve të njohur botërorë, falas./KultPlus.com