Voskopoja, një prej fshatrave ku kultura, tradita dhe peizazhi unifikohen në mënyrë harmonike është kthyer gjatë fundjavës në qendër të festimeve.
Bashkia e Korçës për dy ditë me radhë ka organizuar Festën e Voskopojës ku për rreth dy ditë do të mbahen panair punimesh artizanale, shëtitje në natyrë dhe shtigje, kulinari, argëtim dhe muzikë duke i dhënë kësaj zone vlera turistike të përhershme.
Pjesë e këtyre aktiviteteve është edhe edicioni i 5-të i vrapimit malor Trail Running Albania ku do i bashkohen rreth 200 vrapues nga Tirana, Kosova, Maqedonia, Greqia e më gjerë.
Qendra kryesore e kulturës në shek. XVIII, Voskopoja mblodhi mbrëmjen e djeshme vizitorë të shumtë nga të gjitha moshat, por edhe turistë të huaj nën një atmosferë të mrekullueshme dhe performanca muzikore nga këngëtarët.
Aktivitetet artistike dhe kulturore të organizuara nga Bashkia e Korçës kanë për qëllim promovimin e vlerave historike dhe turistike të Voskopojës, të kostumeve popullore, guidën e kishave, shëtitjet me kuaj dhe hiking për të apasionuarit pas sporteve të natyrës.
Panairi i ushqimit është një ndër aktivitetet më të veçanta ku ofrohen gatimet tradicionale të Voskopojës, duke dëshmuar edhe një herë që Voskopoja mbetet atraksioni më i preferuar dhe më tërheqës për turistët vendas e të huaj./ATSH/KultPlus.com