Kuvendi i Komunës së Prishtinës e ka nënshkruar kontratën për dekorimin e kryeqytetit për festat e fundvitit.
Sipas njoftimit të publikuar në e-Prokurimi, kjo do t’I kushtojë komunës 35 mijë e 400 euro. Tenderi i është dhënë kompanisë “Finesë Design SH.P.K”, raporton Express.
Kohëzgjatja e kësaj kontrate është 70 ditë dhe parasheh dekorimin e shesheve të kryeqytetit.
Aty përfshihet edhe dekorimi i shtëpizave në bulevardin “Xhorxh Bush”.
Kontrata është nënshkruar më 6 nëntor, derisa për këtë tender ishin paraparë 50 mijë euro.
“Dekorimi i shtepizave te Tregut Dimeror, te Komunes se Prishtines në bulevardin Xhorxh Bush, me ndricim led dhe simbolin e Tregut Dimeror. Logo e Vere N’Dimer ne shtepiza, nga materiali forex me dimenzione 30cm x 60cm, e mveshur me ndricim dekorativ. Vërejtje: Në çmim duhet të llogaritet dekorimi me ndricim led dhe poashtu simboli – Logo e Tregut dimeror ne baze te dizajnit te propozuar nga OE fitues“, thuhet në dosje. / KultPlus.com
Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët se sonte, më datë 13 dhjetor, duke filluar nga ora 19:00 në sheshin “Xhorxh Bush” do të hapet “Tregu i Fundvitit” si dhe do të bëhet ndezja e dritave për festat e fundvitit, përcjellë KultPlus.com
Gjithashtu, do të ketë edhe performanca muzikore nga “String String” si dhe grupi “Okarina”.
“Ejani të festojmë së bashku”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com
Komuna e Prishtinës, nesër, më datë 13 dhjetor, do të bëjë ndezjen e dritave dekoruese në sheshin e qytetit në prag të festave të fundvitit.
Sipas burimeve të KultPlus, ndezja e dritave do të bëhet në ora 19:00 ku edhe pritet të ketë një program artistik.
Ceremonia pritet të zhvillohet në pjesën e re të sheshit, aty ku edhe janë vendosur shtëpizat prej druri dhe në ceremoni sigurisht do të jetë i pranishëm edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Ndezja e dritave këtë vit po konsiderohet pak e vonshme nga qytetarët, por megjithatë të gjithë po i presin me padurim. / KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka qenë gjithmonë një “avokate” e mirë për njerëzit e prekur nga problemet me shëndetin mendor.
Kjo empati e saj vjen për faktin se edhe ajo para disa viteve, e pranoi publikisht se vuan dhe është e diagnostikuar me çrregullim bipolar.
32-vjeçarja madje gjatë këtij viti publikoi albumin e saj të dytë në karrierë, i cili është i mbushur me këngë që trajtojnë probleme të shëndetit mendor.
Artistja me origjinë shqiptare nuk po i harron fansat edhe gjatë periudhës së festave, pasi zgjodhi t’i motivojë për fundvit, ata që mund të mos jenë duke kaluar një periudhë të mirë këto kohë.
“Edhe pse mund të jetë sezoni i festave, kjo mund të jetë një kohë shumë e errët për disa. Nëse ndiheni si një i huaj ose si dele e zezë në familjen tuaj, thjesht mbani mend se jeni një njeri i mahnitshëm. Ju jeni vetja juaj. Ju jeni duke bërë një punë të shkëlqyer në jetë. Viti i ri po vjen dhe ky do të jetë një fillim i ri për ju. Një fillim i ri”, shkroi fillimisht Rexha në InstaStory.
Më pas, interpretuesja e hitit “I’m a mess” publikoi edhe një tjetër shkrim në vazhdimësi, duke u munduar t’i qetësojë sado pak ata që kanë vështirësi në këto momente.
“Ju nuk jeni familja juaj. Ti je ti dhe je i mrekullueshëm. Do të thyeni mallkimet e brezave. Do të hyni në kapitullin tjetër të mahnitshëm të jetës suaj. Mbushur me lumturi dhe shpresë. Ju do të jeni të shëndetshëm fizikisht dhe mendërisht”, shkroi Bebe Rexha.
Ndërkohë, vetëm një ditë më parë, edhe faqja e njohur ndërkombëtare e muzikës iHeart Radio në Instagram, shpërndau një thënie motivuese të artistes, të publikuar në Twitter.
“Për personin që po ndjehet pa disponim në sezonin e festave, ti ia ke dalë dhe do t’ia dalësh. Ju dërgoj me dashuri një zemër të kuqe”, shkruhej në statusin e Rexhës. / KultPlus.com
Frika nga përhapja e Omicron ka bërë që autoritetet e shumë vendeve europiane të shtrëngojnë masat kufizuese.
Referuar paralajmërimeve të ekspertëve, Hollanda është rimbyllur sërish nga 19 dhjetori deri pas Krishtlindjeve. Ndërsa në Francë, organizimet e Vitit të Ri do të anulohen dhe njerëzve i është kërkuar të bëhen grumbullime të vogla familjare darkën e festave. Edhe Londra ka anuluar festimet e planifikuara për Vitin e Ri për shkak të rritjes drastike të rasteve të variantit Omicron.
Shefi i OBSH-së paralajmëron për ngjarjet festive: Një festë e anuluar është më e mirë se një jetë e humbur
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se festimet në shumë vende do të çonin në “rritje të rasteve, sisteme të mbingarkuara shëndetësore dhe më shumë vdekje” dhe u bëri thirrje njerëzve që të shtyjnë organizimet festive.
“Një ngjarje e anuluar është më e mirë se një jetë e humbur,” tha shefi i OBSH, teksa theksoi se varianti Omicron po përhapet më shpejt se varianti Delta dhe po shkakton infeksione te njerëzit tashmë të vaksinuar ose që janë shëruar nga sëmundja Covid-19.
Vaksina e Novavax bëhet vaksina e pestë që miratohet për përdorim në BE
Agjencia Europiane e Barnave ka miratuar zyrtarisht vaksinën e pestë kundër pandemisë së koronavirusit, pas atyre të prodhuara nga Pfizer, Johnson & Johnson, Moderna dhe Asta Zeneca.
Bëhet fjalë për vaksinën Nuvaxocid, e prodhuar nga ndërmarrja amerikane Novavax.
Bashkimi Europian ka porositur paraprakisht 200 milionë doza të kësaj vaksine që ka një përbërje deri diku tradicionale, pra jo të bazuar në ARN.
Rezultatet nga provat klinike të publikuara në qershor treguan 90.4% efikasitet kundër sëmundjes dhe 100% efikasitet kundër rasteve të rënda deri në mesatare.
FDA miraton ilaçin e Pfizer që trajton COVID-in
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave dha miratimin për përdorim urgjent të ilaçit antiviral të kompanisë Pfizer kundër COVID-19.
Ky është trajtimi i parë që mund të merret në shtëpi dhe që pritet të bëhet një mjet i rëndësishëm në luftën kundër përhapjes me shpejtësi të variantit Omicron.
Provat klinike të Pfizer-it treguan se ilaçi i quajtur Paxlovid ishte 90% efektiv në parandalimin e shtrimeve në spital dhe vdekjeve te pacientët me rrezik të lartë për t’u prekur rëndë nga sëmundja. Të dhënat e fundit laboratorike sugjerojnë se ilaçi e ruan efektivitetin e tij edhe ndaj variantit Omicron.
Izraeli paralajmëron personat mbi 60-vjeç për dozën e 4 të vaksinës
Teksa Europa bën thirrje për aplikimin e dozës së tretë përforcuese, Izraeli njofton se një dozë e katërt për njerëzit mbi të 60-ve dhe personelin shëndetësor, është gati.
Rekomandimi erdhi nga grupi i ekspertëve të vendit, sipas të cilëve, doza shtesë do t’u jepet personave mbi 60 vjeç, punonjësve mjekësorë dhe njerëzve me një sistem imunitar të dobët.
Për ata që do të marrin dozën e katërt, kushti është që të kenë kaluar të paktën katër muaj nga doza e tyre e tretë.
Kina vendos “lockdown” për 13 milionë njerëz pasi zbuloi 52 raste me Covid
Deri në 13 milionë njerëz janë izoluar në qytetin Xi’an në Kinë, pasi autoritetet po përpiqen për të kontrolluar përhapjen e Covid-19 pasi u raportuan 127 infeksione.
Bllokimi i parakohshëm vjen para se në Pekin të organizohen Lojërat Olimpike Dimërore.
Të gjithë banorëve në Xi’an u ndalohet të dalin nga shtëpitë e tyre, përveç blerjes së gjërave të nevojshme për jetesë ose për raste urgjente, ndërsa udhëtimi për në dhe nga qyteti është pezulluar, përveç në rrethana të jashtëzakonshme që kërkojnë miratim zyrtar./A2CNN / KultPlus.com
Festat e fundvitit mbledhin afër gjithë familjen që të festojnë dhe kësisoj edhe shtojnë haren, lumturinë dhe gëzimin në familje, shkruan KultPlus.
Mbledhja e familjes së bashku nënkupton se atmosfera në dhomë do të jetë më ndryshe, e në prag të festave të fundvitit edhe më festive.
KultPlus ka bërë përzgjedhjen e 10 filmave të cilët janë shumë të përshtatshëm për fundvit.
Duke filluar nga Home Alone, It’s a Wonderful life, Elf, A Christmas Story, The Santa Clause, White Christmas, Scrooged, How the Grinch Stole Christmas, e deri te Miracle on the 34th Street, janë top 10 filmat që mund t’i shikoni këto ditë. /KultPlus.com
Në këtë fundvit, Gjirokastra e gurtë, është mbuluar nga manteli shumëngjyrësh i festave.
Qyteti, zona historike dhe ajo moderne, pazari tradicional, rrugët e kalldrëmta, komplekset e shtëpive karakteristike janë zbukuruar nga një dekor i veçantë, i cili e bën magjike dhe mbresëlënëse atmosferën e Fundvitit, për banorët dhe turistët.
Pazari karakteristik, oazi i festave
Një dekor i veçantë, dritat shumëngjyrëshe në fasadat e gurta, bredhi i festave dhe simbolikat e tjera të fundvitit e bëjnë pazarin karakteristik të Gjirokastrës, gjatë këtyre ditëve një oaz të vërtetë feste.
“Prej ditëve të para të muajit dhjetor, në gjithë qytetin dhe veçanërisht në zonën muzeale kemi vendosur dekorin festiv të fundvitit. Jemi kujdesur që dekori t’i përshtat qytetit të gurtë, me synim jo vetëm zbukurimin e mjediseve të ndryshme, por edhe shndërrimin e Gjirokastrës, në një destinacion të preferuar turistik, për festat e fundvitit”, shprehet kryetari i Bashkisë, Flamur Golemi.
Në ndryshim nga vitet e kaluara, tashmë dekori festiv ka më shumë elementë, duke u instaluar edhe në pjesën moderne të qytetit, për t’i falur Gjirokastrës një atmosferë të veçantë në këtë fundvit.
Natyrshëm, Qafa e Pazarit dhe zona historike e qytetit, tërheqin më shumë vizitorë, duke përfshirë banorët, por edhe turistët vendas dhe të huaj.
Janë të shumta fotografitë e shkrepura mes dekorit dhe peizazhit të veçantë, që ofron kjo pjesë e qytetit. Banorë të moshave të ndryshme fiksojnë në fotografi momente nga vizita e tyre, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes.
“Falë zbukurimit për festa,t Pazari i gurtë është mjaft tërheqës, ndërkohë që menduam të shëtisnim gjatë kësaj mbrëmje me shoqërinë, në rrugët e kalldrëmta të tij”, shprehet Elda, ndërsa së bashku me një grup të rinjsh viziton zonën muzeale.
I preferuar për vizitorët e pazarit të gurtë është këndi i festave të fundvitit. Bredhi shumëngjyrësh, slita me drerë dhe simbolikat e tjera të festave tërheqin banorët veçanërisht fëmijët, të cilët nxitojnë të fiksojnë në fotografi këto momente të paharrueshme për ta.
Megjithë temperaturat e ftohta të stinës sërish zonës muzeale edhe në këtë periudhë nuk i mungojnë turistët. Në grupe familjare apo të organizuar ata udhëtojnë nga zona të ndryshme të vendit, për të prekur magjinë e festave të fundvitit, në qytetin e gurtë.
“Kam ardhur nga Shkodra së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët. Në këtë periudhë Gjirokastra është e veçantë me dekorin e festive, kështu që vendosëm të vizitojmë qytetin dhe kalanë, duke e cilësuar dhe si një udhëtim për fundvitin. Gjithçka është e bukur falë edhe dekorit, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes”, shprehet mysafiri nga Shkodra.
Bertrami është pjesë e një grupi gazetarësh dhe producentësh nga Gjermania, të cilët po vizitojnë qendrat turistike të vendin tonë, duke përfshirë edhe Gjirokastrën.
“Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe në qytetin tuaj. Gjithçka këtu është mbresëlënëse, një dekor i veçantë që zbukuron ndërtesat historike. Është një udhëtim i vlefshëm për mua dhe kolegët e medias, sepse mendojmë që vlera të tilla duhen promovuar për turizmin ndërkombëtar”, pohon ai, ndërsa me kamerën televizive nxiton të filmojë peizazhin dhe mjedisin e festave të fundvitit në Gjirokastër.
Festat gjallërojnë turizmin
Tashmë festat e fundvitit janë kthyer në një mundësi mjaft e mirë për gjallërimin e Gjirokastrës dhe nxitjen e turizmit.
“Dekori i veçantë, organizimi i aktiviteteve të ndryshme nga bashkia në bashkëpunim me subjektet lokalë synon jo vetëm gjallërimin e atmosferës së festive, por edhe tërheqjen e turistëve vendas dhe të huaj në Gjirokastër, gjatë kësaj periudhe”, pohon kryebashkiaku Flamur Golemi.
Falë punës së bërë qyteti i gurtë, po vizitohet nga turistë duke qenë një destinacion i përzgjedhur këtë fundviti. Qazim Tuqi, administrator i një biznesi familjar për turizmin shprehet se, kanë patur kërkesa për akomodim gjatë periudhës së fundvitit si nga vizitorët vendas ashtu edhe të huaj.
“Falë vlerave dhe atmosferës së veçantë, tashmë Gjirokastra është një destinacion turistik i përzgjedhur, për festat e fundvitit”, shprehet ai. Mjeshtri i kulinarisë karakteristike, Dëfrim Gjoça pohon se, tërheqëse për turistët janë dhe gatimet karakteristike të tavolinës së festave të fundvitit.
“Vizitorët vendas dhe të huaj kërkojnë të shijojnë gatimet tradicionale që serviren në këtë periudhë për festat”, shprehet ai.
Vlerat e Gjirokastrës pasurojnë guidat turistike
Vlerat historike dhe arkitektonike të Gjirokastrës, po pasurojnë guidat turistike të fundvitit, duke e bërë udhëtimin më tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj. Pjesë e tyre janë resurset natyrore, traditat dhe trashëgimia kulturore në qytet dhe zonat rurale.
Vizitat në kalanë e Argjiros, Pazarin karakteristik, banesat e Zekatëve, Skëndulajve,etj janë elementët kryesorë të guidave turistike gjatë këtyre ditëve. Eraldo Breshani, udhërrëfyes turistik, shprehet se falë vlerave të traditës por edhe atyre natyrore, në këtë periudhë të vitit Gjirokastra vazhdon të vizitohet nga turistët.
“Janë vizitorët vendas por edhe ata të huaj, të cilët për festat e fundvitit dëshirojnë të udhëtojnë drejt Gjirokastrës, duke përjetuar mbresa të paharrueshme gjatë vizitës në qytet dhe rrethinat”, pohon Eraldoja.
Vlerë e shtuar për guidën turistike është peizazhi mbresëlënës i Parkut Natyror të Viroit. Për turistët nuk mungojnë edhe udhëtimet në Parkun Arkeologjik të Antigonesë, fshatrat turistike dhe objektet e trashëgimisë kulturore në zonën e Lunxhërisë, Cepos, etj, duke e bërë me afektiv udhëtimin e fundvitit, në zonën e Gjirokastrës.
Natyrshëm pjesë e ofertës turistike është edhe organizimi i eventeve kulturore, promovimi i vlerave të traditës, folklorit, gatimeve karakeristike, etj. Edhe këtë fundviti Gjirokastra do të jetë ndër destinacionet e preferuara turistikë, duke lënë mbresa të pashlyeshme për vizitorët dhe turistët. / atsh / KultPlus.com
Festat e fundvitit janë gjithmonë aty për të shtuar hare, gëzim por edhe për të zgjuar shpirtin humanitar të njerëzve, shkruan KultPlus.
Në prag të festave të fundvitit, siguisht fillon edhe sezoni i vullntetit të mirë dhe atëherë kur shumë familje të cilat gjenden në nevojë, duke përfshirë ata që janë të pastrehë, të humbur, të vetmuar ose që luftojnë për t’u përballur me jetësën, kanë nevoja më së shumti.
Ndarja e kohës për të ndihmuar ato familje në nevojë është pikërisht ajo se çfarë bëjnë grupi jo-formal “Për familjet në nevojë”, të cilët qëllim kryesor kanë bamirësinë, që të gëzojnë fëmijët që vuajnënë mënyrë të padrejtë nga mungesa e kushteve elementare.
Njëra ndër organizatoret në këtë grup është edhe Rina Zeka, e cila ka thënë për KultPlus se ky është viti i tetë që po e organizojnë një ndihmë humanitare të tillë.
“Ndihmën qe e ofrojnë të gjithë, ne e adresojmë në familjet në nevojë, të cilat i njohim dhe i vizitojmë kohë pas kohe”, thotë ajo për KultPlus.
Zeka tutje shpjegon se njerëzit të cilët nuk dijnë se ku të dërgojnë ndihmën, ata iu ndihmojnë që të adresojnë atë në familjet në nevojë. “Kemi vazhduar fushatë mas fushate dhe vazhdimisht kemi pasur shtim të familjeve, nga familjarë të ndryshëm e me radhë dhe ne kemi bërë shtimin e listave të familjeve”.
Grupi “Për familjet në nevojë” është formuar në vitin 2013 nga një grup i vogël i shoqërisë, me qëllim të vetëm që të ndihmojnë familjet në nevojë.
“Përmes një pako që kushton 12 apo 13 euro, ju mund të gëzoni një fëmijë”, thuhet nga ta, derisa njoftojnë se Kosovo Pack and Recycle është duke u përkujdesur për prodhimin e pakteimin e kutive.
Hulumtimet tregojnë se aktet e mirësisë mund të kenë një përfitim të madh për lumturinë tuaj, shëndetin dhe ndjenjën e mirëqenies, si dhe për ato të njerëzve që ju ndihmoni. /KultPlus.com
Një mjek i Arkansasit ka zgjedhur një formë të veçantë t’u ndihmojë pacientëve dhe ish-pacientëve të tij. Për festat e fundvitit, Omar Atiq, u ka dërguar nga një kartolinë atyre duke u thënë se borxhet që i kishin ndaj tij, i kanë të falura.
Atiq ka thënë se këtë veprim e ka bërë që t’u dal në ndihmë pacientëve në këtë kohe pandemie.
“Nëse kjo u dha atyre pak ndihmë, atëherë jam mirënjohës që pata mundësinë ta bëja këtë”, ka deklaruar onkologu për CNN.
“Gjithmonë ka pasur elemente dyshime lidhur me bashkëqytetarët tanë, qeniet njerëzore që duhet të shqetësohen nëse paguajnë për shërbimet kur janë sëmurë. Por kjo është mënyrë sesi funksionon sistemi ynë fatkeqësisht. Shumica e pacientëve fatmirësisht kanë një sigurim shëndetësor, një mënyrë për t’i paguar shërbimet mjekësore dhe ilaçet që janë jashtëzakonisht të shtrenjta”, ka deklaruar tutje mjeku.
Mjeku ka potencuar se borxhet e pacientëve dhe ish-pacientëve të tij kapnin shifrat nga qindra deri në mijëra dollarë./ KultPlus.com
Një dekor i veçantë plot ngjyra i ka dhënë qytetit të gurtë të Gjirokastrës këtë fundvit një bukuri magjepsëse për festat e fundvitit.
I ndriçuar nga dritat festive sidomos në qafën e Pazarit, e cila që prej restaurimit vitin e kaluar është shndërruar në pikën më tërheqëse të qytetit.
Edhe pse në kushtet e pandemisë qytetarët gjirokastritë duke respektuar masat po shijojnë mbrëmjet në qytetin e dekoruar për festa.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, ka publikuar një galeri fotogaleri me pamje nga qyteti i gurtë.
“Për pak ditë po lemë pas një vit të vështirë. Duhet të shpresojmë se 2021 do të jetë shumë më i mirë se viti që po mbyllet. Më e keqja ka kaluar sidoqoftë, më të mirën e kemi përpara. Uroj festa të gëzuara për të gjithë gjirokastritët dhe mbarë shqiptarët”, – tha Golemi.
Për shkak të kufizimeve të pandemisë, bashkia e Gjirokastrës bëri ditët e fundit vetëm një ceremoni simbolike të ndezjes së dritave të pemës së Krishtlindjes.
Zbukurimet e qytetit krijojnë atmosferën e ngrohtë të festave, duke përcjellë mesazhe shprese te qytetarët në këtë vit të vështirë nga pandemia botërore COVID-19. /atsh / KultPlus.com
2020-ën askush nga ne nuk mund ta parashikonte. Duket se dhe festat do të jenë shumë ndryshe këtë vit. Jo vetëm që nuk do të jemi në gjendje të mblidhemi me të afërm e miq sikuse është në traditën tonë të festave të fundvitit, por blerjet dhe aktivitetet që bëjmë në kohën e lirë kanë ndryshuar shumë.
Mënyra si blejmë ushqimet
Blerjet në internet u përshpejtuan në vitin 2020 dhe u ndie edhe në blerjet e ushqimeve. Ndërsa shumë prej nesh u përpoqën të qëndronin në shtëpi sa më shumë të ishte e mundur, shumë supermarkete filluan të dërgonin porositë e ushqimeve në shtëpi. Një pjesë e madhe e restoranteve kaluan në shërbimin “delivery”, qytetarët mund të bënin porosinë si në restorant dhe të prisnin tu vinte në shtëpi.
Duket se kjo ishte sfida e supermarketeve dhe restoranteve, shumë prej të cilëve e kryenin këtë shërbim për herë të parë, megjithatë duket se u përshatën shpejt.
Blerja e veshjeve në dyqanet me pakicë
Shitësit me pakicë (me rëndësi jo thelbësore) kanë pasur gjithashtu një vit të ndërlikuar. Bllokimet nënkuptonin se shumë dyqane rrobash ishin mbyllur dhe njerëzit ishin të detyruar të blinin rroba në internet. Problemi është se, me shumë njerëz që nuk dilnin për të punuar, shitjet u reduktuan.
Buxheti dedikuar festave mund të jetë më i ulët për shumë shqiptarë
Numri i njerëzve pa punë është shumë më i lartë për shkak të pandemisë. Punëdhënësit po shkurtojnë qindra vende pune ndërsa Covid-19 vazhdon të godasë ekonominë. Janë raportuar të mbyllura biznese të vogla për shkak të gjendjes të vështirë financiare por dhe në bizneset e mëdha ka pasur shkurtime të punëtorëve.
Kjo do të thotë që shumë njerëz do të kërkojnë të blejnë dhurata më pak të kushtueshme dhe të gjejnë mënyra për të kursyer para.
Më pak pushime dimërore
Për shkak të bllokimit të kufijve dhe anulimit të lëvizjeve ndërkombëtare, shqiptarët e kanë thuajse të pamundur të pushojnë jashtë vendit.
Frika nga infektimi dhe vështirësitë ekonomike vënë janë pengesë për qytetarët që të udhëtojnë edhe brenga vendit.
Dhuratat e bëra vetë janë në modë
Ndërkohë që po kalojmë më shumë kohë në shtëpi, është rritur tendenca për të dekoruar vetë shtëpinë dhe për të krijuar dhurata të personalizuara.
Darka e Krishtlindjes mund të duket ndryshe
Do të ketë më pak takime dhe më pak prej nesh rreth tryezës në darkën e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.
Qytetarët dhe kryesisht të rinjtë e nisin Vitin e Ri duke festuar jashtë shtëpisë, në rrugët e qytetit ose ne lokale por kjo nuk do të jetë e mundur. Në vend vazhdon mbyllja pas orës 22:00 dhe grumbullimet me më shumë se 10 persona janë të ndaluara, si masa anti-covid./ KultPlus.com
Berati, qyteti i “Një mbi një dritareve”, është zbukuruar me drita shumëngjyrëshe, duke sjellë atmosferën e ngrohtë të festave të fundvitit për qytetarët.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot foto nga qyteti i Beratit, ku shihet se si rrugët e tij janë mbushur plot me drita dhe me zbukurime festive.
Dritat e zbukurimeve të vendosura në pedonalen e qytetit, në të dyja Urat e Goricës, pema në qendër të qytetit dhe instalacione të ndryshme dritash, e bëjnë qytetin e Beratit më të shndritshëm se asnjëherë më parë, në prag të festave të fundvitit.
Në kushtet e një viti të pazakontë të krijuar nga pandemia botërore, zbukurimet e qytetit krijojnë atmosferën e ngrohtë të festave, duke përcjellë mesazhe shprese te qytetarët. / atsh/ KultPlus.com
Rritja e rasteve me COVID-19 në javët e fundit ka bërë që shumë prej vendeve evropiane të marrin vendim për mbyllje totale për festat e fundvitit. Por, a po planifikon edhe Kosova që të marrë një vendim të tillë?
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, thotë se masat që janë aktualisht në fuqi kanë parandaluar rritjen e rasteve dhe se kjo është dëshmuar edhe me lëvizjen që ka pasur nëpër komuna sa i përket kategorizimeve që bëhen në bazë të shtrirjes së infeksionit.
“Që nga e premtja kemi kategorizim të ri të komunave dhe fatmirësisht kemi lëvizje për të mirë ku 5 komuna nga zona e kuqe kanë kaluar në zonën e verdhë dhe 7 komuna janë nga zona e verdhë në zonën e gjelbër”, ka deklaruar Zemaj.
E nëse vazhdohet me trendin e tanishëm të rasteve, Zemaj thotë se do të vazhdojnë të jenë në fuqi masat që janë ndërmarrë në nëntor.
“Situata epidemiologjike analizohet në baza të rregullta dhe në varësi të asaj se sa është numri i të infektuarve, sa është numri i të shtrirëve në spital dhe cilat janë projeksionet, edhe mund të propozohen masa të reja. Por për momentin, do të vazhdohet me këto që janë në fuqi dhe është ende herët të dihet se si do të veprohet në mënyrë specifike me secilin sektor apo veprimtari në fund të vitit”, ka deklaruar Zemaj për Express.
Tahiri: Mbyllja totale s’është e nevojshme, të analizohet shtyrja e orarit
Për situatën epidemiologjike në vend është deklaruar dje edhe zëvendëskryeministri Besnik Tahiri.
Pas takimit virtual që e ka pasur me kryetarët e komunave dhe ministrin e Shëndetësisë, Tahiri ka thënë se kanë arritur në përfundim se mbyllja e tërësishme nuk është e nevojshme aktualisht.
Ai tha se, po ashtu, kanë diskutuar që të analizohet shtyrja e orarit të mbylljes.
“Me ministrin Armend Zemaj bashkëbiseduam me kryetarët e komunave dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës për situatën me Pandemi dhe respektimin e masave. U dakorduam të rrisim vigjilencën institucionale si dhe respektimin rigoroz të masave të rekomanduara. Në këtë takim, u dakorduam se mbyllja e tërësishme nuk është e nevojshme në këtë fazë, sikurse që duhet të analizohet zonimi dhe të shtyhet orari i mbylljes”, ka shkruar Tahiri.
Kryetarët e komunave kërkojnë të vazhdohen masat, lirimi i tyre nuk është opsion
Ndërkohë, drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar për Express se kryetarët e komunave kanë kërkuar që të vazhdohen masat anti-Covid.
“Kryetarët kanë kërkuar që masat të vazhdohen. Masat do të shqyrtohen varësisht numrit të të infektuarve, nëse ndryshohen masat do të ketë kujdes që të mos dëmtohet ekonomia. Lirimi i masave nuk është opsion, pasi situata është ende e rënduar”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ibrahimi tha se kategorizimi i komunave sipas zonave të rrezikshmërisë së përhapjes së virusit, ka pasur efekt pozitiv në uljen e numrit të rasteve pozitive.
“Në takim u diskutua edhe ndarja e komunave sipas zonave, si konkludim i përbashkët ishte se ky kategorizim është treguar i suksesshëm. Kjo ndarje e ka pasur efektin pozitiv në uljen e numrit të rasteve pozitive”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai shtoi se niveli lokal ka kërkuar nga ai qendror që t’i kushtohet vëmendje edhe ardhjes së mërgatës.
“U vlerësua puna e përbashkët e nivelit lokal dhe qendror. U kërkua nga niveli qendror që t’i kushtohet vëmendje e veçantë ardhjes së mërgatës, pasi kanë kontribuuar vazhdimisht”, ka thënë Ibrahimi. /Gazeta Express / KultPlus.com
Një numër i konsiderueshëm i mërgimtarëve në botë po tregohen të suksesshëm në shumë fusha të ndryshme, duke treguar pasqyrim të denjtë dhe rezultate të mira. Pjesë e këtij numri pa dyshim është edhe Mentor Bajrami që, përveç aktrimit, po shquhet edhe si fotograf, shkruan albinfo.ch.
Artisti dhe mjeshtri i fotografisë, Mentor Bajrami, ka realizuar disa fotografi të bukura nga kënde të ndryshme të Cyrihut.
Nga pamjet e ofruara mund të shihni magjinë e këtij qyteti, ku duket se e gjithë qetësia dhe ngjyrat më të bukura janë shkrirë në një vend të vetëm për festat e fundvitit.
Duhet theksuar se Mentori jeton dhe vepron në Zvicër. Ai është larguar nga Kosova gjatë luftës së fundit dhe është bërë një aktor në “Opernhaus” të Cyrihut.
Gjithashtu ai ka përfunduar shkollën e aktrimit në European Film Actor School EFAS në Cyrih, dhe jo rastësisht ishte pjesë e veprës operistike“Opernhaus”.
Kujtojmë se Mentori, para kësaj, kishte luajtur në shumë shfaqje dhe reklama gjatë studimeve. Po ashtu, prishtinasi kishte bërë video satirike në Youtube, të cilat i sollën krejt rastësisht famë të papritur në Zvicër. /Albinfo.ch / KultPlus.com
Shtëpia e Bardhë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është stolisur për festat e fundvitit. Temë e këtij viti është “Amerika e Bukura”, derisa zonja e parë e SHBA-së, Melania Trump, ka thënë se ndihet e ngazëllyer.
“Jam e ngazëllyer të ndaj me ju ‘Amerikën e Bukur’ dhe t’i bëj homazhe madhështisë së kombit tonë. Së bashku, ne festojmë këtë tokë, të cilën e thërrasim me shumë krenari, shtëpi”, ka shkruar Trump në Twitter.
Shtëpia e Bardhë është stolisur nga mbi 125 vullnetarë që vendosën 62 pemë Krishtlindjesh, 106 kurora lulesh, 366 metra zbukurime të tjera dhe mbi 3 mijë 200 vargje dritash./KultPlus.com
Fshati Pjetërshan i Gjakovës ka magjepsur edhe sivjet me dekorimin për festat e fundvitit, Krishtlindjet dhe Vitin e Ri.
Edhe kësaj radhe shumë të rinj të këtij fshati të Gjakovës, por edhe fshatrave përreth kanë punuar, që Pjetërshan të duket përrallor, së paku për festat e fundvitit.
Shumë vizitorë e vizitojnë këtë fshat për festat e fundvitit, për t’i parë nga afër bukuritë dhe zbukurimet e këtij fshati. / KultPlus.com
Për muaj me radhë, kufizimet për shkak të koronavirusit kanë diktuar se ku mund të udhëtojnë miliona evropianë dhe çka mund të vizitojnë kur të arrijnë atje.
Pra, me afrimin e festës së Krishtlindjeve, qeveritë duhet të marrin vendime të ashpra nëse do të lehtësojnë kufizimet në këtë kohë për periudhën e festave apo t’i lehtësojnë masat.
Në Itali shumë italianë drejtohen në pistat e skive gjatë Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, por kryeministri italian Giuseppe Conte ka paralajmëruar se është kundër këtyre pushimeve tradicionale.
Kryeministri Conte po kërkon një konsensus evropian, për të mbajtur të mbyllura vendpushimet e skive dhe për masa të tjera gjithashtu.
Italia aktualisht po sheh numrin më të lartë të vdekjeve që nga fundi i muajit mars dhe kryeministri u ka thënë italianëve që të presin një “Krishtlindje më të matur, pa mbledhje, përqafime dhe puthje në prag të Krishtlindjeve”.
Në Francë kufizimet e udhëtimit në kohë të Krishtlindjeve u hoqën. Pas disa javësh bllokimi kombëtar, presidenti Emmanuel Macron tha që ka kufizime që do të fillojnë të lehtësohen nga 28 Nëntori. Por shumica e masave të bllokimit do të qëndrojnë deri pak përpara pushimit festiv më 15 dhjetor.
Dyqanet, teatrot dhe kinematë do të hapen për Krishtlindje dhe njerëzit do të jenë në gjendje të vizitojnë familjet e tyre gjatë periudhës festive. Vlen të përmendet se Franca ka qenë në një bllokim të dytë kombëtar që nga fundi i tetorit.
Në Gjermaniautoritetetkanë rënë dakord se tubimet familjare për Krishtlindje nuk lejohen. Nga 1 dhjetori, dy familje dhe maksimumi pesë persona do të jenë në gjendje të takohen. Por mund të ketë një lehtësim të përkohshëm të masave, deri në 10 persona mund të takohen midis 23 dhjetorit dhe 1 janarit. Baret, restorantet dhe vendet e argëtimit janë të mbyllura, por shkollat dhe dyqanet janë të hapura.
Në Spanjë qeveria spanjolle po planifikon një periudhë festive të ndryshme me një kufi prej gjashtë personash të lejuar në familje.
Autoritetet kanë rekomanduar që tubimet shoqërore para periudhës së Krishtlindjes të mbahen në tarraca restorantesh ose vende të tjera në natyrë. Por më gjerë, Ministri i Shëndetësisë Salvador Illa ka thënë “asgjë nuk është vendosur në ende”, shkruan BBC News, transmetonExpress / KultPlus.com
Mëngjesin e sotëm ka nisur dekorimi i kryeqytetit për festat e fundvitit. Punëtorët e kompanisë fituese tashmë kanë filluar përgatitjet për stolisjen e shesheve.
Se ka filluar dekorimi i kryeqytetit e kanë konfirmuar për Express edhe nga Komuna e Prishtinës.
Komuna e Prishtinës vitin e kaluar ka lidhur kontratë trivjeçare për dekorimin e shesheve të qytetit për festat e fundvitit.
Vlera e përgjithshme e kontratës është 190 mijë euro, ndërkaq për secilin vit rreth 65 mijë. / KultPlus.com
Festat e fundvitit po afrohen dhe të gjithë kanë për synim të bashkohen me familjarët e tyre.
Me Festën e Falënderimeve që zhvillohet javën e ardhshme, njerëzit duhet të marrin vendime serioze në lidhje me planet e tyre festive.
Duke pasur këtë në mendje, mjekët thanë se testimi negativ për COVID-19 nuk duhet të përdoret si një dritë e gjelbër për të shkuar në një festë tubimesh.
“Unë nuk dua që njerëzit të kenë këtë ndjenjë false të sigurisë që një test negativ para se të mblidhen për Falënderimet i bën ata negativ plotësisht, dhe ata të vazhdojnë aktivitetin e tyre pa ndonjë shqetësim”, tha dr. Mysheika Roberts. Është një rrezik i madh për të gjithë ata njerëz që mendojnë se testi negativ është i sigurt 100%. Testet mund të japin rezultate false dhe negative të gabuara.
Përqindja që një test të jetë negativ është 50 deri 70 për qind, gjë që nuk e bën testin shumë real.
Një test negativ nuk ju largon nga karantina. Nëse keni qenë të ekspozuar ndaj virusit, apo keni qëndruar me persona me simptoma të koronavirusit, periudha e karantinës për 14 ditë qëndron pa marrë parasysh se çfarë mund t’ju tregojë testi juaj. Nuk ka asnjë mënyrë për t’iu larguar karantinës, shkruan NBC4. / Express. / KultPlus.com
Një nga emrat më të dashur të pikturës mes profesionistësh, Fehmi Hoxha – Feho, mbajti të shtunën mbrëma ekspozitën e tij personale.
Muret në hapësirat e galerisë “H&B” ishin mbushur me pikturat e Fehos,
që të gjitha të punuara përgjatë vitit 2018. Në to spikatet peizazhi i punuar
në një stil krejt të veçantë.
Teknika e punës që përdor piktori Hoxha, sipas profesorit të Akademisë së Arteve – Hajrush Fazliu, bën dallimin e këtij piktori nga të tjerët, përpos vlerave tjera të shpërfaqjes së ideve në pikturë.
“Duke respektuar shumë elemente të artit pamor, si edhe parimet e saj, në
pikturën e Fehmi Hoxhës e kemi edhe përmbajtjen dhe mesazhin e tij, që e
paraqet çdo mendim të tij. E veçanta e tij është teknika, dhe ajo e bën që
ngjyra ta ndjen, e të na jep një vepër të sigurt figurative”, ka thënë Fazliu.
Kurator i ekspozitës ishte profesori Refki Gollopeni, që tha se të qenit
kurator i ekspozitës së Fehmi Hoxhës nuk është e vështirë.
“Nuk është fare vështirë të jesh kurator tek ekspozita e Fehmi Hoxhës, pasi çdo pikturë që merr ka vlerat e veçanta. Është e vështirë të gjesh dikë që Feho pikturon si ai, por si Feho po”, ka thënë Gollopeni.
Ndërsa vet autori e la vetën të fundit që të flas, e potencoi se ai gjithmonë
synon fuqizimin e institucioneve artistike, sikur edhe galeritë private, sikur
tek ajo që organizonte këtë të fundit.
“Unë dua që secila galeri të fuqizohet sepse kështu është e tërë bota. Kjo
ka qenë shtysa që të organizoj këtu ekspozitën dhe është ekspozitë që u
kushtohet festive të fundvitit”, foli shkurt Hoxha.
Ekspozita do të jetë e hapur gjerë më 22 janar, teksa aty pikturat e ekspozuara do të mund edhe të blihen, me një çmim më të ulët. /KultPlus.com
Këtë vit Komuna e Prizrenit konkretisht Drejtoria e Shërbimeve Publike, përmes dekorimit të qytetit përcjell tek qytetarët një mesazh të veçantë dhe gjithëpërfshirës.
Elementet ndriçuese që dominojnë janë yjet dhe siluetat që vallëzojnë:
‘Dashuria, optimizmi, gëzimi e lumturia janë thelbi i jetës së secilit prej nesh. Ajo çka na bashkon e na bën njëlloj është vlerësimi për njëri tjetrin, për ekzistencën.
Figurat e ndritshme që vallëzojnë, të ilustruara në teknikën e artistit të famshëm Pablo Picasso, i gëzohen jetës dhe shumëllojshmërisë së saj. Ato festojnë prezencën e çdo gjëje që frymon. Gjersa ne vallëzojmë vallen e jetës, yjet sipër nesh, si burim i pashtershëm i energjisë, ndriçojnë ditët e netët tona pa pushim, duke na bashkuar të gjithëve nën qiellin e pafund. T’i gëzohemi shumëllojshmërisë, t’i gëzohemi jetës.’
Tekstin e shkruar duhet ta ndjejnë edhe pjesëtarët e të verbërve ku në këtë projekt gjithëpërfshirës u shkrua mesazhi sipas alfabetit BRAJ…
Të gjitha elementet e këtij instilacioni janë të punuara në vend dhe përbehen nga dy materiale themelore, nga shufrat metalike dhe kabllot ndriçuese. Kjo strategji ka për baze idenë e reciklimit të materialeve dhe ripërdorimit te tyre. Konkretisht në rastin e Prizrenit, metali i përpunuar mund të ripërpunohet dhe të krijojë forma të reja për instilacione të ardhshme./ KultPlus.com
Ministrja e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë – Mirela Kumbaro, përmes një video shumë interesante, ka uruar festat e fundvitit, shkruan KultPlus.
Në këtë video shihet ministrja Kumbaro, duke shpërndarë disa dhurata për fëmijë, shihet edhe sopranoja e njohur Inva Mula, e poashtu shumë bashkëpunëtorë të Kumbaros.