Komisioni i Medias miraton propozimin për shpalljen e 2 marsit Festë Kombëtare

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik miratoi projektligjin i cili propozon shpalljen e 2 marsit 1444 festë zyrtare.

Deputeti Eduart Ndreca ka propozuar që 2 marsi 1444, kur u themelua Kuvendi i Besëlidhjes së Lezhës, i cili çmohet të jetë pika e nisjes së krijimit të shtetit shqiptar, të shpallet ditë feste zyrtare.

“Me kthimin e 2 marsit 1444, që përkon me Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës, ne jo vetëm vlerësojmë figurën më madhështore të historisë së kombit tone, Gjergj Kastrioti por dhe periudhën më të lavishme të historisë kombëtare dhe brenda kësaj periudhe datën më të rëndësishme të historisë sonë kombëtar, dita ku princat u mblodhën nën drejtimin e Gjergjit të madh dhe vendosën piketat më të rëndësishme që i duhen një kombi në rrezik asgjësimi për të shpëtuar veten dhe vlerat që ai trashëgon”, tha ai.

Deputeti Ndreca tha se ky propozim do t’i shtojë me tepër rëndësi forcimit të identitetit kombëtar, gjithashtu do të nxisë dhe studiuesit e fushës së historisë shqiptare dhe të huaj për të vijuar me hulumtime të mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje të epokës së Gjergj Kastriot Skënderbeut./atsh/KultPlus.com

Hasani: 22 nëntori, Dita e Alfabetit shpallet festë kombëtare

Këshilli i Ministrave miratoi sot një ndryshim në ligjin “Për festat kombëtare dhe ditët përkujtimore”, ku propozon shtimin e Ditës së Alfabetit si festë kombëtare.

Në një prononcim për medie pas mbledhjes së qeverisë, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u shpreh se kjo është një ditë me simbolikë të veçantë.

“22 Nëntori përfaqëson momentin më të madh unifikues të shqiptarëve, të cilët janë të shpërndarë në pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit, janë të përfaqësuar në të gjitha fetë monoteiste. Por ajo që vërtetë i ka bashkuar dhe vazhdon t’i bashkojë është gjuha dhe fakti që në Kongresin e Manastirit zgjodhën të shkruajnë dhe të identifikohen me këtë gjuhë të bukur dhe të shenjtë në alfabetin latin”, u shpreh Hasani.

Ministri informoi se kjo iniciativë u bazua edhe në diskutimet që patëm pas Samitit të Diasporës.

“Kryeministri i Shqipërisë e njoftoi në prani të të gjithë përfaqësuesve të diasporës shqiptare, por duke pasur parasysh edhe faktin se ky vit, viti 2024, është një vit i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët në rajon. Shqipëria shpreson që të ketë një rrugë sa më të qartë dhe sa më të shpejtë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian por edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ata të Kosovës, Preshevës apo Malit të Zi janë në procese të rëndësishme përfaqësuese dhe integruese”, tha Hasani.

Ai bëri të ditur se nga Ministria e Arsimit është përgatitur gjithashtu një kalendar shumë i rëndësishëm eventesh për vitin 2024 të lidhura me gjuhën shqipe.

“Ne do të vazhdojmë të kemi përfshirjen maksimale dhe investimin maksimal për ta bërë shqiptarinë dhe punën e shqiptarëve sa më të mirëpërfaqësuar dhe me sa më shumë evidente kudo ku ne jemi”, shtoi Hasani. / atsh / KultPlus.com