Përmbyllet Prishtina Jazz Festival, cilësohet organizim me kapacitet të lartë artistik

Me një koncert të ndarë në katër pjesë, mbrëmë është përmbyllur Prishtina Jazz Festival, i cili për pesë netë me radhë është mbajtur në ambientet e Teatrit Oda, shkruan KultPlus. Është cilësuar si i suksesshëm në tërësi organizimi i Jazz Festivalit, i cili me edicionin e dytë veçse e ka vulosur rikthimin e tij të fuqishëm pas një pauze disa vjeçare.

Mbrëmja e fundit e këtij edicioni filloi me Sheki Hoxhën & Friends, të cilët për rreth 40 minuta dhuruan emocione të shumta për adhuruesit e muzikës Jazz. Një harmoni e mrekullueshme mes kitarës elektrike, pianos, saksafonit dhe baterive ka zhytur audiencën në tinguj të larmishëm, prej të cilëve çdo moment shpërthente në adrenalinë e vallëzim gjithandej. Befasia e kësaj pjese ishte interpretimi i Taulant Mehmetit.

Pjesa e dytë u dha nga kitaristi Keidi Barbullushi dhe band- i tij nën përcjellje të instrumentit të kontrabasit dhe baterive. Kjo performancë ka përfshirë muzikë tradicionale të Jazz-it amerikan, në përgjithësi me tinguj dhe ritme të njëjta, të cilat të jepnin mundësi më shumë për ta shijuar se sa për të vallëzuar.

Krejt i veçantë ishte interpretimi i artistit Librun Jupolli. Përveç një stili unik interpretues, interferimi i fjalëve të gjuhës shqipe krahas tingujve muzikorë të rrëmbenin në origjinalitetin e tyre. Free Jazz dhe Fuison ishin stilet e muzikës të përfshira në këtë koncert. Lëvizjet e tij milimetrike flisnin shumë për profesionalizmin e tij. Për njëfarë kohe në skenë iu bashkua edhe band-i i tij në piano, kitarë dhe bateri.

Krejt në fund të koncertit u paraqit Visar Kuçi-Trio, i cili ndryshe prej koncerteve të tjera këtë herë interpretonte me kitarë. Kontrabasi dhe bateritë ishin instrumentet përcjellëse. “104”, “August”, “Departures”, “Enisa”, “Kurtulus”, e “Archaic” ishin veprat të cilat dhanë ritme të mrekullueshme për audiencën e cila me gota vere i ndjente në çdo qelizë gjatë tërë mbrëmjes.

Pas pjesës artistike, në një prononcim për media Sheki Hoxha ka thënë se është kënaqur në këtë festival, dhe se e vetmja gjë e keqe e festivalit është që ai tashmë kishte përfunduar.

“Xhaferi e ka organizuar në mënyrë maestrale, shumë të bukur. Interpretuam dy vepra origjinale, gjithsej katër kompozime, dy prej tyre standarde të mirënjohura që të gjithë jazzman-ët i njohin. E shfletova edhe albumin tim dhe e interpertova ‘Kosova Blues’ që e kam incizuar në vitin 1999 dhe deri më atëherë nuk ka pasur album jazz shqiptar. Unë ia kushtova Kosovës pasi Kosova ishte e vuajtur. Tek pjesa e dytë, e aranzhova enkas para një jave. Kështu që e provuam dhe me intruduksionin që ishte askush nuk mund ta dinte se për çfarë vepre bëhet fjalë sepse e përpunova në atë mënyrë. ‘Kosova Blues’ dhe ‘E dehur jam’ ishin autoriale ndërsa ‘Caravan’ e Duke Ellington e autorit të madh”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa artisti Liburn Jupolli festivalin Prishtina Jazz Festival e ka quajtur një perlë prej të cilit është zhvilluar edhe vet ai si artist.

“Shpresoj që njerëzit të vijnë sa më shumë në Jazz Fest. Ky festival është vërtetë një perlë e festivaleve me të cilin jemi zhvilluar unë dhe gjenerata ime. Shpresoj që edhe shumë gjenerata të tjera do të zhvillohen në të ardhmen. Është një festival i rrallë i cili duhet të jetë në skenë dhe të jetë tradicional në Kosovë, ashtu siç janë edhe dy festivale të tjera. Shpresoj që do të bëhet tash edhe një në Ferizaj” ka thënë Jupolli duke potencuar se veprat e interpretura ishin origjinale.

“Festivali që shumë vite ka inspiruar lloje të ndryshme te Jazz-it. Jazz-i është shumë i gjerë. Prej filleve të Jaz-it deri sot kemi disa lloje të ndryshme që janë zhvilluar. Janë interrpretuar Free Jazz, Fusion e disa stile të tjera, të cilat i gjen nga pak nëpër Jazz Muzikën e Kosovës, ka qenë pak a shumë në atë vazhdë. Brenda këtij mini-koncerti janë disa pjesë që ende nuk janë të përfunduara, që kanë me qenë për band të cilat pres me i zhvillu në ndërkohë. Është material prej periudhës kur kam qenë në Francë (2017), që kanë mbetur pa u përfunduar. Është një lloj kaleidoskopi i ideve që i kam mbledhur për publikun e sotëm”.

Ndërkaq, kitaristi Keidi Barbullushi tha se si çdo herë tjetër interpretimi në Kosovë për të ka qenë fantastik.

“Ishte më shumë program amerikan, nuk kemi luajtuar asnjë pjesë origjinale. Ne kishim një format trio, pati shumë liri për secilin, por gjithmonë duke qëndruar te struktura e pjesëve. Të gjitha ishin pjesë amerikane nga kompozitorë të ndryshëm. Koncerti ishte pure Jazz, nuk kishte ndonjë përzierje tjetër. Të gjitha pjesët ishin të fokusuara te Jazz-i tradicional, të gjitha pjesët ishin vepra që janë krijuar në vitet 40- 50-ta. Ishte më shumë në formatin e Jazz-it dhe nuk kishte ndonjë veçanti tjetër”, ka thënë Keidi.

Ndërkaq, Ilir Bajri i cili ka qenë organizator i festivalit qysh në fillet e tij ka thënë ky edicion i këtij festivalit ka pasur nivel të lartë artistik, ritmi i të cilit do të duhej të vazhdohej dhe të shpeshtohej edhe përgjatë vitit.

“Më gëzon fakti që festivali po vazhdon. Ka qenë kohë e gjatë prej kur është mbajtur edicioni i fundit i grupit të parë të koncertve të viteve 2005-2014. Armendi vendosi ta vazhdojë. Ky është edicioni i dytë, shpresoj që të vazhdojë edhe në të ardhmen. I falënderoj institucionet të cilat e kanë përkrahur këtë festival. Duke e marrë parasysh suksesin e këtij edicioni, i cili nuk është vështirë të vërehet besoj që do të përkrahet edhe në vazhdim, pasi një organizim i tillë kulturor është i dobishëm për qytetin. Një festival i tillë e pasuron jo vetëm jetën kulturore të kryeqytetit po iu jep mundësi edhe muzikantëve të rinj që të kenë mundësi me pas mundësi të njihen me muzikë të re, të krijojnë miqësi me artistë të huaj. E kjo është shumë e rëndësishme në zhvillimin e tyre” ka thënë artisti Bajri.

Ai më tej ka thënë se Kosova ka potencial kreativ edhe artistik të gjeneratës së re, dhe sipas tij është mëkat të mos trajtohet me sinqeritet, kualitet dhe përkushtim më të madh.

“Liburni në moment të fundit e pati idenë që me më ftu me interpretu së bashku. Muzika e Liburnit është shumë unike. Kjo është karakteritikë e tij. Interpretuam bashkë e gjetëm balancin. Do të dëshiroja që studentët e shkollave e fakulteteve me qenë më shumë aktiv në pjesëmarrje këtu sepse numri nuk është ndoshta ende shumë i madh, por punojmë edhe në këtë drejtim”, ka përfunduar Bajri.

Prishtina Jazz Festival është mbajtur më 14-18 nëntor, në hapësirën e Teatrit Oda./ KultPlus.com

Gonxhja: Artistët më në zë në Festivalin e Dritave në Shirokë

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh se ky është një festival dritash, dëshirash, argëtimi, promovimi, kulinarie, kulture, sportive.  Me pjesëmarrjen e artistëve më në zë të momentit, e shumë surpriza të tjera, si panaire, facepainting, kanoe, kulinari, lojëra për fëmijë etj.

“Ky festival plotëson çdo dëshirë, ndaj në 17-18 Gusht duhet të jeni në Shirokë, në të bukurën Shkodër të shnrisnim zemrat dhe shprehim dëshirat”, thekson Gonxhja.

Në këtë festival do të marrin pjesë këngëtarë si Eneida Tarifa, Frederik Ndoci etj./ atsh/ KultPlus.com

Energjia e BLLA BLLA BLLA dhe magjia e Asgjë Sikur Dielli në Prishtina Gastronomy Festival

Me një mbrëmje të mbushur me energji, Prishtina Gastronomy Festival u transformua në një skenë rock-u, duke mirëpritur dy nga grupet më të njohura të kësaj skene. Nata rock filloi me degustimet e produkteve të shijshme të HEINZ dhe shijimin e verës THERANDA wine.

Pjesa muzikore e mbrëmjes u hap me grupin “Asgjë Sikur Dielli” nga Prishtina. Ky grup i njohur për stilin e tyre të veçantë dhe performancat e gjalla, ngriti atmosferën me hitet e tyre të njohura, duke i bërë të gjithë të pranishmit të kërcenin dhe të këndonin së bashku.

Pas tyre, skena u pushtua nga grupin BLLA BLLA BLLA nga Shkupi. Këngët e tyre, të ndikuara nga realiteti dhe përjetimet e përditshme, krijuan një lidhje të veçantë me audiencën, duke bërë që mbrëmja të mbetet kujtim i vecantë. Energjia dhe pasioni i tyre për muzikën e bënë këtë performance unike.

Prishtina Gastronomy Festival vazhdon të ofrojë netë të veçanta dhe plot surpriza deri më 9 gusht në sheshin “Adem Jashari”. Bashkohuni me ne për më shumë muzikë, shije dhe argëtim!

Talentët e rinj shkëlqejnë në Prishtina Gastronomy Festival 

Prishtina Gastronomy Festival vazhdon të jetë jo vetëm një festë kulinare, por edhe një platformë e rëndësishme për promovimin e talenteve të reja muzikore. Nata e pestë e festivalit e dëshmoi këtë më së miri, duke ofruar një skenë për artistët e rinj dhe premtues që të ndajnë talentin e tyre me publikun. 

 Mbrëmja filloi me një degustim të veçantë të organizuar nga Heinz Hour, ku vizitorët patën mundësinë të shijojnë produktet cilësore të Heinz, të cilat i japin shije çdo gatimi

 Pasi degustimi hapi natën, skena u mor nga duo e re dhe premtuese, The Guitars Sisters. Me muzikën e tyre unike, ato arritën të krijojnë një lidhje të veçantë me publikun. Në vazhdim, skena i takoi Ndricim Gazijas, një këngëtar premtues, i cili solli një performancë plot pasion dhe emocion. Publiku e priti me duartrokitje dhe mbështetje, duke treguar se ai është një yll në rritje në skenën muzikore

 Kjo natë ishte një shembull i shkëlqyer i angazhimit të Prishtina Gastronomy Festival për të mbështetur dhe promovuar artistët e rinj. Festivali vazhdon të krijojë mundësi për talentet e reja që të ndajnë artin e tyre dhe të ndërtojnë një audiencë të re. Prishtina Gastronomy Festival do të vazhdojë deri më 9 gusht në sheshin “Adem Jashari”.

Atmosfera magjepsëse në Sunny Hill, performancat që ndriçuan natën

Uranik Emini

Bërnica u transformua në një qendër të jashtëzakonshme muzikore gjatë natës së mbrëmshme në Sunny Hill Festival. Yjet e skenës, përfshirë Burna Boy, Lancey Foux, Dhurata Dora, Yll Limani, Capital T, Kamal dhe Jolle, krijuan një spektakël të paharrueshëm që do të mbetet gjatë në kujtesën e të pranishmëve, shkruan KultPlus.com

Festivali nisi me energji të lartë dhe ritme të zjarrta, duke u shoqëruar nga një publik i gjallë dhe i emocionuar. Performancat e Dhurata Dorës dhe Yll Limanit ishin ndër momentet kulmore të natës. Ata e ndezën skenën dhe e mbajtën publikun në këmbë me këngët e tyre të njohura, duke krijuar një atmosferë të paparë.

Dhurata Dora, me stilin e saj unik dhe zërin e fuqishëm, dërgoi valë entuziazmi nëpër turmë. Performanca e saj ishte një kombinim perfekt i elegancës dhe energjisë, duke sjellë një shfaqje vizuale dhe muzikore të jashtëzakonshme. Në të njëjtën mënyrë, Yll Limani, i njohur për zërin e tij të veçantë dhe aftësinë për të krijuar një lidhje emocionale me publikun, solli një performancë të mbushur me pasion dhe ndjenjë.

Pas performancave të zjarrta të Dhurata Dorës dhe Yll Limanit, skena u mor nga Burna Boy, i cili e mbylli natën me një performancë të fuqishme dhe elektrizuese. Burna Boy, një nga artistët më të njohur ndërkombëtarë të momentit, dërgoi valë energjie nëpër turmë dhe e mbajti atmosferën në kulm deri në fund.

DJ Set-i përfshiu talentet e The Martinez Brothers, Chloe Caillet, Dani Johnsson dhe Artssassin, të cilët mbajtën ritmin dhe energjinë gjatë gjithë natës. Me një përzgjedhje të kujdesshme të muzikës elektronike dhe performancave të shkëlqyera, ata e bënë këtë natë të paharrueshme për të gjithë të pranishmit.

Ky fillim i jashtëzakonshëm në Sunny Hill Festival premton netë të tjera të mbushura me muzikë dhe argëtim, duke e vendosur Bërnicën si një pikë kyçe në hartën e festivaleve muzikore. Publiku mbeti i mahnitur dhe plot pritshmëri për netët e ardhshme, ndërsa artistët treguan edhe një herë pse janë ndër më të mirët në skenën muzikore ndërkombëtare dhe lokale.

Sunny Hill Festival jo vetëm që solli një natë të jashtëzakonshme muzike dhe argëtimi, por gjithashtu tregoi fuqinë e muzikës për të bashkuar njerëzit dhe për të krijuar kujtime të paharrueshme. Me një linjë kaq të pasur artistësh dhe një organizim të shkëlqyer, festivali vazhdon të jetë një nga ngjarjet më të pritura të vitit./ KultPlus.com

Porto Palermo Festival rikthehet me edicionin e katërt, 12 mbrëmje me 12 artistë

Porto Palermo Festival rikthehet edhe këtë sezon veror me edicionin e tij të katërt.

Festivali i ideuar nga violinisti Olen Çesari kësaj here do të sjellë 12 artistë në 12 mbrëmje magjike të cilat si çdo verë, do të zhvillohen në kalanë e Porto Palermos. Aktiviteti artistik mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit duke ndërthurur nga zërat, meloditë, aktrimet dhe performancat e mrekullueshme të artistëve, nga e enjtja në të diel, në datat 1-18 Gusht.

“Përjetoni eksperiencën fantastike që krijojnë emrat e shquar të muzikës dhe artistët e mirënjohur të skenës shqiptare, në Kalanë e Porto Palermo”, shkroi ministri Gonxhja në rrjetet sociale, duke promovuar këtë aktivitet.

Nga informacionet e shpërndara prej vetë festivalit, në Porto Palermo pritet të mblidhen emrat më në zë të muzikës bashkëkohore shqiptare, një pjesë e të cilëve tashmë janë artistë që rikthehen për të disatën herë, si psh: Elina Duni e Eda Zari. Në festival do të jetë e pranishme ylli shqiptar i muzikës klasike, Inva Mula, këngëtarë si Marsela Çibukaj, Vitmar Basha, Dren Abazi, por edhe emra nga arena ndërkombëtare si Manuela Villa, Lavinia Mancusi etj. Si në të gjitha edicionet e kaluara edhe krijuesi i Porto Palermo Festival, Olen Cesari, do të interpretojë me violinën e tij, natën e parafundit.

Në edicionin e tretë, nuk u performua vetëm brenda mureve të kalasë së Porto Palermos, por edhe në ambient të hapur, në qytetin e Himarës.

Madje organizatorët thanë se kjo gjë do të kthehej në një traditë të mbrëmjeve përtej mureve të kalasë.

Ky festival synon, jo vetëm të sjellë artistët më të mirë për të performuar në skenën e vet autentike, por edhe të promovojë turizmin e qëndrueshëm kulturor në Shqipëri.

‘Noli Film Festival’, për herë të parë në ShBA

“Noli Film Festival” është festivali i parë i filmit shqiptar në Boston, SHBA, që do të zhvillohet nga data 31 maj deri në 2 qershor në Katedralen Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit.

Aktori i njohur Erand Sojli, përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë për “ABC e Mëngjesit” në ABC News tha se festivali eksporton te shoqëria amerikane vlerat tona kombëtare. Është festival unik në botë pasi është i vetmi që zhvillohet në një katedrale dhe është një kompeticion dinjitoz artistik si një vatër reference për krijuesit, skenaristët, regjisorët, kompozitorët, operatorët shqiptarë që jetojnë në Amerikë.

Ndër të tjera ai theksoi se fitimet do të shkojnë për AFC-në (Albanian Fighting Cancer) dhe për Qendrën Kulturore Fan S Noli.

“Kur je artist gjen njerëzit e llojit tënd dhe thamë pse jo. Filluam të mendojmë, hodhëm ide dhe dolëm në përfundimin se gjëja më e mirë që mund të bënim, për të bërë diçka ndryshe dhe ja ku jemi sot këtu me shumë mund dhe sakrificë.

Fitimet e këtij festivali do t’i shkojnë AFC (Albanian Fighting Cancer) dhe për qendrën kulturore Fan S Noli. Në këtë vazhdë na u bashkuan shqiptarët që luftojnë këtë sëmundje dhe na mbështetën për të përfshirë sa më shumë njerëz në këtë përpjekje.

Nga fitimet tona do të shkoj një pjesë edhe për librarinë e Fan S Nolit, pasi ka nevojë për restaurim, tha aktori./abcnews.al/ KultPlus.com

Muzikë për natyrën, koncert që evokon tingujt e Tokës, mbahet në Shqipëri edicioni i IX i Albanian Brass Festival

Festivali “Brass Albania” vjen në edicionin e tij të 9-të me dy koncerte në Tiranë e Shkodër. Artistët e ftuar, dy austriake luajnë kompozimet e tyre, frymëzuar nga natyra e kushtuar natyrës.

Në edicionin e tij të 9-të, Festivali “Brass Albania” mban dy koncerte që i kushtohen natyrës dhe tingujve për të e prej saj. Dy artistë austriakë mbajnë një koncert në shkollën “Servete Maçi” në Tiranë dhe në shkollën Prenk Jakova në Shkodër duke iu dhënë zë zërave të natyrës përmes një muzikë të krijuar enkas për të. Drejtuesi i festivali shpjegon nismën, ndërsa artistët kompozimet e tyre.

“Synimi është mbrojtja e natyrës, afrimi me natyrën dhe shkrirja me natyrën. Artistët austriakë, Alois Eberi dhe Anna Lang kanë kompozimet e tyre dhe luajnë vetë në instrumente veprat qe ia kanë dedikuar natyrës”, tha Ilir Kodhima Nga Brass Festival.

Për artistin, Alois Eberi, që luan në trombon e fizarmonikë, koncerti nis nga Jeta e tij.
“Ne jetojmë në një zonë të bukur, në Tiroli të Austrisë, të rrethuar nga gjelbërimi e pyjet. Ngjyra jeshile është e rëndësishme për muzikën tonë, ndaj luajmë kompozimet tona që i përkasin një stili muzikor që është mes jazz-it dhe muzikës klasike”.

“Kam sjellë dy kompozime, e para është histori fantazie, një suitë mbi dragonjtë dhe i kushtohet jetës në tokë para njerëzimit. Pjesa e dytë “Sinfonia e Karnavaleve” i kushtohet pakësimit të plastikës dhe në të, në fillim, kemi një tingull shumë të bukur që më pas dëmtohet për të kuptuar çfarë ndodh kur ndotet natyra”, shpjegon Anna Lang, violonçeliste.

Koncertet që vijnë në kuadër të nismës “Imagine dignity” të ambasadës austriake, kanë si synim ndërgjegjësimin ndaj problemeve të ruajtjes së natyrës dhe rëndësinë e biodiversitetit./Balkanweb/KultPlus.com

Sunny Hill cakton datat e mbajtjes së festivalit

Sunny Hill Festival ka njoftuar se festivali në kryeqytet do të mbahet më 25 – 28 korrik, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi në facebook, nga faqja zyrtare e festivalit.

“RUANI DATAT!

25 – 28 korrik i përket Sunny Hill Festival 2024. Mezi po presim që ju të shihni se çfarë do të ofrojmë!”, thuhet në njoftim.

“Sunny Hill Festival”, organizohet nga këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa dhe konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme artistike në trevat shqiptare.

Festivali përgjatë viteve ka sjell në vend yje nga e gjithë bota./ KultPlus.com

Në një skenë modeste, mezosopranoja Flaka Goranci solli frymën e skenave ndërkombëtare në hapje të PriVocalFest

Vjollca Duraku

Një frymë muzikore me një pjekuri artistike të arrirë nëpër teatro të ndryshme ndërkombëtare, e ka sjell mbrëmë  mezosopranoja Flaka Goranci, në një skenë modeste, në hapjen e edicionit të gjashtë të “PriVocalFest”, në bashkëpunim me dirigjentin Kushtrim Gashi dhe Ansamblin PriModern, shkruan KultPlus.

Skena modeste siç është ajo e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare, nuk ka qenë pengesë që artistët e dëshmuar, të arrijnë të sjellin dhe t’i integrojnë publikut ato vlera që tashmë janë ngjizur me identitetin e tyre artistik.

Hapja e edicionit të gjashtë të këtij festivali, i cili do të mbahet deri më 14 tetor, u bë nga moderatoret Dea Xhemaili dhe Lirojna Sylejmani të cilat përshëndetën të pranishmit dhe ndër të tjerë falënderuan mediumin KultPlus i cili është edhe sponsor medial i festivalit.

“PriVocalFest tash e gjashtë  vite mbetet një ngjarje e veçantë që krijon platformë të mrekullueshme për artistët e muzikës vokale, duke e ndarë zërin e tyre me audiencën dhe për të ndërthurur emocione për muzikën. Në këtë edicion kemi të ftuar kryesisht artistë shqiptar por edhe ndërkombëtar, që më paraqitjet e tyre kanë shkelur skena të mëdha prestigjioze. Por, patjetër duke i promovuar edhe artistët e rinj duke inkurajuar për zhvillimin dhe rritjen e tyre artistike”, bënë të ditur vajzat duke ja lënë radhën artistëve që po prisnin fillimin e koncertit.

Pas pak, në sallën e mbushur plot, kumboi një tingull i cili krijohej nga instrumenti goditës (Perkusion), i cili fokusonte mendjen e audiencës dhe ishte njëfarë forme si parapërgatitje për atë që do të interpretohej më pas.

Koncertit iu shtua dramaciteti, kur mezosopranoja Flaka Goranci, duke lëvizur gishtërinjtë rreth një gote të qelqtë të mbushur me ujë, nxirrte disa tinguj që ngjallnin mister. Një tingull tjetër i nxjerr nga instrumenti goditës i dha leje solistes që interpretimi të filloj në një mënyrë më konstante, të cilën publiku e ndiqte me shumë përkushtim.

Pika pasuese u dha nga Ansambli Primodern, në qendër të cilit interpretim u vendosen dy flautiste, të cilat interpretuan pika të njëjta njëkohësisht, gjë që bëhej më e dukshme në çastin kur ato interpretonin nota të ndryshme.

Në një cikël të këtij interpretimi në skenë doli përsëri mezosopranoja Flaka Goranci e cila me shikime të mprehta, me lëvizje trupore të koordinuara me zërin e saj dhe tingujt e instrumenteve, i jepte madhështi këtij koncerti.

Krejt në fund të koncertit, pas duartrokitjeve të shumta, një pikë interpretuese i’u përsërit publikut në sallë, i cili pafund e shijoi koncertin.

Përgjatë kësaj mbrëmje u dhanë edhe dy çmime për kompozitorët e rinj Dea Ahma dhe Ersan Januzi,  nga drejtori artistik i festivalit Hajrullah Syla.

Ndërsa solistja Flaka Goranci, tha se këtë koncert ia dedikon shoqes dhe koleges Diellza Sylejmani.

“Ky muaj konsiderohet muaj rozë dhe ne kemi vendosur që t’ia dedikojmë shoqes dhe koleges tonë Diellza Sylejmani e cila është diagnostifikuar me kancer të gjirit. Diellza është shumë e fortë dhe të gjithë e dimë këtë. Ajo është një shembull shumë i mirë edhe për gratë e tjera”, tha Goranci.

Ndërsa krejt në fund në një prononcim për KultPlus, mezosopranoja u shpreh që ishte nder për të që shënoi hapjen e edicionit të gjashtë të “PriVocalFest” dhe se ishte shumë e kënaqur me rezultatet e performancës.

“Koncerti ka shkuar mjaftë mirë, kemi pasur një publik shumë të ngrohtë, po ashtu kemi  pasur një ansambël shumë të mirë, shumë profesional. Ka qenë një kënaqësi shumë e madhe të punoj me Kushtrimin pas një kohë të gjatë. Me të vërtetë ka qenë nder për ne të shënojmë hapjen e Festivalit”, tha Goranci e cila potencoi edhe faktin se interpretimi në vendin e lindjes, aty ku kthehesh të rrënjët dhe merr ngrohtësinë e publikut nuk lejon që artisti të vë re mungesën e kushteve të performimit.

“E di që është një skenë modeste, është shumë modeste në fakt, mirëpo është diçka tjetër që kur kthehesh në vendin tënd, ndoshta njeriu nuk i sheh këto modestitë dhe nuk pretendon shumë, por është kënaqësia që me të vërtetë kthehesh në rrënjët e tua, në vendin tënd, tek njerëzit e tu. Dhe kjo ka pasur rëndësi sonte”, tha Flaka Goranci e cila ishte ndarë e kënaqur me performancën edhe për shkak të profesionalizmit të kolegëve të saj.

Ndërsa dirigjenti Kushtrim Gashi, po ashtu ndihej i kënaqur me koncertin nga reagimi i publikut, edhe pse sipas tij profesionistët asnjëherë nuk ndahen të kënaqur me atë që sjellin duke tentuar të kapin perfeksionin.

“Besoj që në përgjithësi atmosfera ishte e mirë, sidomos tash në fund. Ne si muzicient ose si profesionistë, vrapojmë shumë pas perfeksionit dhe ndoshta kjo prish edhe shumë gjëra. Mendoj që ne (sipas një teorie të pashkruar) s’kënaqemi me atë çka bëjmë. Por kur publiku e pret mirë, natyrisht që edhe ne e presim mirë”, tha dirigjenti Gashi.

Ai më tutje bëri të ditur se Ansambli PriModern është themeluar veçanërisht për këtë edicion të “PriVocalFest”, veprimtaria e të cilit do të vazhdoj edhe më tej, me fokus te muzika e shekullit XX-të.

“Ansambli është themeluar ekstra për këtë koncert dhe ansambli do të vazhdojë të funksionoj. Do të thotë festivali ka qenë si nismë e tij, dhe ne do të mbetemi si ansambël, dhe do t’i dedikohemi kryesisht kësaj muzike të shekullit XX ose fundit i shekullit XIX-XX deri në XXl”, përfundoi dirigjenti Gashi, i cili ishte ndarë i kënaqur me performancën e ansamblit me të cilin kishin bërë prova intensive gjatë tre ditëve të fundit.

“PriVocalFest” para publikut do të sjellë edhe gjashtë koncerte të tjera të cilat do të jepen para publikut deri më datën 14 tetor. / KultPlus.com

Rritje në cilësi dhe sasi e festivalit Kino Kosova në Bernë

Javën që lamë pas në Bernë u mbajt edicioni i katërt i festivalit KinoKosova, i cili, përveç në Bernë, mbahet edhe në Cyrih.

Nga 20 deri me 24 shtator, adhuruesit e artit të shtatë patën mundësi që për herën e katërt me radhë të ngujohen para ekranit të madh në Bernë e të ndjekin një program mjaft interesant, ku pos filmave, bënin pjesë edhe punëtoritë, panelet e diskutimit, një ekspozitë arti si dhe në fund, një koncert.

Filmdashësit iu gëzuan shfaqjes së mbi 30 filmave të metrazheve të ndryshëm nga artistë e regjisorë nga Kosova, si dhe të mysafirëve që kësaj radhe ishin kineastë nga Greqia, shkruan albinfo.ch. Kjo, për publikun ishte një mundësi e mirë për të përjetuar dhe mësuar nga perspektiva e rajonit të Ballkanit.

Tashmë me dy edicione brenda vitit, në Cyrih dhe Bernë, Kino Kosova ngadalë dhe sigurt po shndërrohet në një festival serioz, jehona dhe fama e të cilit nga viti në vit është duke shënuar ngritje të mirëfilltë.

“Konsistenca apo edhe lidhja për idenë e organizimit të një festivali më se të nevojshëm për komunitetin shqiptaro-zviceran, janë tashmë një ndër çelësat kryesorë të suksesit të vazhdueshëm të këtij projekti” tha për Albinfo.ch, drejtori artistik i KinoKosova, Sabahet Meta.

Sipas tij, festivali po rritet në mënyrë të natyrshme, duke u nisur edhe nga numri i drejtuesve dhe i afër 20 vullnetarëve, shkruan albinfo.ch. Ndërsa për numrin e shikuesve mjafton të thuhet se këtë vit, në mungesë të ulëseve të mjaftueshme, shpesh herë ka ndodhur që shikuesit janë detyruar të ulen edhe në tokë, për të ndjekur programin e KinoKosova.

Lidhjes tashmë speciale mes Zvicrës dhe Kosovës, organizatorët ia kanë ofruar edhe këtë platformë, ku trajtohen shumë aspekte që e karakterizojnë shoqërinë kosovare (dhe atë evropiane), siç janë migracioni, gjinia, vizat, shpresat, ligjet dhe nevojat.

Pjesë e KinoKosova të edicionit të katërt ishte edhe filmi “Cascadeuses” i regjisores shqiptare nga Zvicra, Elena Avdija. Ai ofron njohuri mbi botën e rrezikshme të grave kaskadere, e cila është ende e padrejtë në krahasim me atë të burrave të këtij profesioni. Kujtojmë se Elena në Festivalin e Filmit të Cyrihut (ZFF, në progreamin “Focus”) vitin e kaluar ishte shpallur fituese për regjinë më të mirë. Ajo po ashtu është vlerësuar si Personalitet i Vitit 2022 në sferën e kulturës respektivisht filmit, nga redaksia e platformës mediale albinfo.ch.

“Cascadeuses” që u shfaq në natën e fundit të festivalit, ngjalli shumë reagime nga të pranishmit. Në fund shikuesit patën mundësi të marrin pjesë në rubrikën “Pyetje dhe përgjigje”, si platformë bashkëbisedimi mes shikuesve dhe regjisorëve/aktorëve.

Për regjisoren Avdija, që merrte pjesë për herë të parë në këtë festival, KinoKosova është një pasqyrë/platformë e mirë për shikuesit në Zvicër për të treguar se edhe në vende, si Kosova, ka filmbërës që me veprat e tyre dinë të japin mesazhe të fuqishme.

Si pjesë përbërëse e KinoKosova këtë vit ishin edhe panelet e diskutimit, ku u trajtuan tema të ndryshme, e jo vetëm të kinematografisë, raporton albinfo.ch. Ato u moderuan nga gazetarja zvicerane, Aleksandra Hiltmann, e cila që nga edicioni i parë është pjesë e KinoKosovës.

Hiltmann deklaroi për albinfo.ch se ky edicion ka qenë një sukses i madh jo vetëm për nga numri i shikuesve, por edhe nga cilësia e filmave, si dhe nga programi më se i pasur i festivalit.

Ekspozita e artistit të mirënjohur kosovar, Jakup Ferri, ishte ngjarja tjetër që e pasuroi edhe më shumë KinoKosovën.

Jakup Ferri vitin e kaluar ishte pjesëmarrës në Bienalen e Venecias, ku përmes artit ngacmon vizitorët me imagjinatën e tij të gjallë, ngjyra të fuqishme, një shije delikate të humorit si dhe pafajësinë fëmijërore.

Festivali KinoKosova, siç është bërë tashmë traditë, u përmbyll në mënyrën më të mirë me një koncert, ku për të pranishmit u përkujdesën Edona Vatoci me grupin e saj dhe Leart Rama nga Kosova, si dhe DJ PanoΣ. / KultPlus.com

Pas PriFest-it, “The Land Within” me premierë në festivalin “Raindance” ku është i nominuar në dy kategori

Pas premierës së tij në Kosovë në PriFest – Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë, “The Land Within” i regjisorit Fisnik Maxville do të ketë premierën edhe në Mbretërinë e Bashkuar në festivalin e kuruar bukur dhe ambicioz Raindance, përcjell KultPlus.

Filmi është nominuar për çmimin Discovery (i parë artistik) si dhe për regjisorin më të mirë!

Në rolet kryesore në këtë film luajnë: Florist Bajgora, Luàna Bajrami, Armend Smajli, Luan Jaha, Arta Mucaj, Irena Aliu, Kumrije Hoxha, Meli Qena dhe Çun Lajçi.

The Land Within është një bashkëprodhim mes Zvicrës dhe Kosovës, përmes Alva Film Productions dhe Ikone Studio, me RTS Radio Télévision Suisse që shërben si bashkëprodhues. / KultPlus.com

TUBA fest, festivali që frymëzohet nga tradita shqiptare e muzikës për dy ditë në Kalanë e Shkodrës

Shkodra do të mirëpresë gjatë kësaj fundjave TUBA fest mes shumë aktiviteteve kulturore dhe sportive.

Bashkia Shkodër ka mirëpritur kërkesën e organizatorëve dhe ka ofruar bashkëpunim për realizimin e kësaj ngjarjeje kulturore që pasuron jetën e qytetit dhe e promovon atë, sidomos te të rinjtë.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci ka zhvilluar një takim me Mersin Gogla dhe Endri Nasufi, përfaqësues të Concept Marketing Albania, të cilët e organizojnë këtë festival në qytetin e tyre të lindjes të cilët kanë ngritur edhe kompaninë e tyre në Tiranë.

Ky festival muzikor përgjatë dy ditëve do të sjellë në Kalanë e Shkodrës performancat live të artistëve dhe grupeve shqiptare më me zë.

Në bashkëpunim me organizatën “New Vision” dhe me mbështetjen e Ministria e Kulturës e të një sërë sipërmarrjesh private, TUBA Fest frymëzohet nga tradita shqiptare e muzikës dhe kohës mes miqve, por tashmë me një prekje moderne dhe që i fton të gjithë në datat 15-16 shtator në Kalanë e Rozafës. / atsh / KultPlus.com

Edicioni i 14-të i “Shkodra Jazz Festival” gjallëron mbrëmjet shkodrane

Grupi muzikor vienez “Znap” dhe këngëtarja me famë ndërkombëtare Patricia Moreno, kanë performuar mbrëmë në sheshin para Bashkisë Shkodër, në natën e parë të koncerteve përmbyllëse të “Shkodra Jazz Festival 2023”, që do të vijojnë deri më 27 Gusht.

Sonte në skenë do të jetë grupi nga Rumania “Popfolklorica”. Grupi rumun do të performojë në sheshin para Bashkisë Shkodër, në orën 22:00.

Dy karakteristika e bëjnë këtë grup një eksperiment të jashtëzakonshëm. E para, është ideja e drejtorit të grupit, Ovi, laureat çmimesh në Eurovision 2010 dhe 2014, për të bashkuar personalitete tashmë shumë të spikatura individualisht në skenën rumune.

E dyta, është zgjedhja e mënyrës së krijimtarisë, që niset nga pasuria e jashtëzakonshme etnomuzikore rumune për ta pasuruar atë me gjetje interesante të frymëzuara nga stilet jazz, blues, motown ose vintage soul.

Të tjerë solistë dhe grupe të mirënjohura muzikore do të jenë në skenë në dy ditët e fundit të edicionit të 14-të “Shkodra Jazz Festival”, organizuar nga Shoqata Kulturore “RROK JAKAJ”, me mbështetjen e Bashkisë Shkodër dhe partnerë të tjerë./ atsh / KultPlus.com

Mbrëmë nisi rrugëtimin EtnoFest, festivali që tash e 13 vite bën bashkë dashamirët e traditës, folklorit dhe trashëgimisë kulturore

Etno Fest festivali që tash e 13 vite bën bashkë dashamirës të traditës, folklorit dhe trashëgimisë kulturore, filloi mbrëmë rrugëtimin e këtij viti, përcjell KultPlus.

Programi i pasur e i kuruar me shumë kujdes, deri me 20 gusht ofron për publikun ekspozita të shumta, performaca muzikore, shfaqje teatrale, punëtori e debate. Ndër të tjera, për vizitorë është hapur edhe ekspozita figurative e profesorit të ndjerë Shyqri Nimani. Plot vepra artistike që shënojnë etapat e shtetësisë dhe lirisë së Kosovës, ju presin t’i vizitoni.

Të pranishëm në hapje ishin ministri Hajrulla Çeku dhe ministrja Albulena Haxhiu, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, artistë e artdashës.

Festivali, me mbështetës kryesor MKRS-në, vazhdon të jetë shembull se si mund të shfrytëzojmë potencialin e hapësirave të trashëgimisë kulturore, duke harmonizuar traditën me inovacionin dhe duke u shndërruar në një pikë referimi për entuziastët e kulturës dhe vizitorët e turistët. / KultPlus.com

Rikthehet festivali ‘Akordet e Kosovës’, Sefedini dhe Bytyçi: Synojmë të parandalojmë rrezikun e harresës

Jeta Zymberi

Trashëgimia kulturore është një pasuri që meriton të eksplorohet, ruhet dhe shpërndahet për të gjithë. Pasuri të tillë nuk i mungojnë Kosovës, por dokumentimi i tyre është shumë i mangët.

Një ndër ngjarjet më unike në vendin tonë ishte edhe festivali “Akordet e Kosovës”, një ngjarje që ka qenë një burim frymëzimi dhe harmonie për dekada të tëra. I mbajtur në Kosovë nga viti 1963 deri më 1990, ky festival ka ndërthurur zërat, ngjyrat dhe emocionet e arta të muzikës në një bashkim unik të kulturave, por pluhuri i harresës kishte kohë që e kishte mbuluar, shkruan KultPlus.

Sot, në një epokë ku teknologjia dhe kultura bashkohen për të shkruar një kapitull të ri të trashëgimisë kulturore, festivali “Akordet e Kosovës” ndryshon mënyrën se si kujtohet, ndahet dhe kultivohet. Një inovacion i frytshëm i dy të rinjve të talentuar, studentë të antropologjisë kulturore, Tringa Sefedini dhe Enis Bytyçi, ka sjellë në vëmendje trashëgiminë muzikore të Kosovës në një skenë të re, digjitale dhe interaktive, përmes projektit “Trashëgimia kulturore si nxitëse për dialogun ndërkomunitar dhe kohezionin social”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian në Kosovë.

Përmes këtij projekti, ku përfshihet arkivi dhe muzeu digjital (online) i festivalit “Akordet e Kosovës”, janë përmbledhur këngë, libra e partitura, fotografi, dokumente dhe shkrime nga mediat e kohës dhe intervista me këngëtarët, drejtuesit e festivalit, etj.

Tringa dhe Enisi kanë bërë të mundur që kjo pasuri e papërsëritshme të mos rrinte e mbyllur nëpër skutat e kujtesës, por të jetë një burim i qasshëm për të gjithë dashamirët e muzikës dhe kulturës.

Për këtë projekt kaq të veçantë dhe si lindi ideja bazë për digjitalizimin e arkivit të festivalit, Trina dhe Enisi kanë shpalosur më shumë detaje në një intervistë për KultPlus.

Enis Bytyçi, është shprehur se është admirues i kulturës dhe muzikës dhe ka ndjerë një lidhje emocionale me këtë festival kaherë, pavarësisht faktit që nuk i përket një gjenerate e cila është rritur me festivalin ”Akordet e Kosovës”.

“Si rezultat i kësaj kam pasur dëshirë që të kontribuoj në ruajtjen dhe promovimin e kësaj ngjarje kulturore. Festivali “Akordet e Kosovës” është një pjesë e çmuar e identitetit kulturor të vendit, andaj duke digjitalizuar arkivin e këtij festivali, synojmë të parandalojmë  rrezikun e harresës dhe njëkohësisht i japim hapësirë formave të reja të promovimit të trashëgimisë tonë kulturore jo materiale, si rasti i uebfaqes tonë për festivalin”, thotë Bytyçi.

Arkivi i festivalit përfshin një gamë të gjerë të periudhave kohore, nga fillimi i festivalit në vitin 1963  deri në vitet e 1990-ta kur edhe përfundon. Ndërsa hartuesit e këtij projekti janë kujdesur që ky arkiv të dokumentoj ngjarjet kryesore si: Edicioni i parë, ndryshimi i emrit të festivalit, jubileu i parë, përpjekjet gjatë viteve 1990-ta për ta vazhduar festivalin, të cilat reflektojnë gjendjen sociale e politike në Kosovë të asaj periudhe, bashkëveprimin ndëretnik, e shumëçka tjetër rreth festivalit.

Projekti “Arkivi i Festakordet“, kjo nismë e shkëlqyer po çon përpara një ndryshim radikal në mënyrën se si ne njohim, përdorim dhe transmetojmë trashëgiminë kulturore. Digjitalizimi i arkivit të festivalit po mundëson që pafundësia e performancave të ruhet në një hapësirë virtuale, të qasshme nga të gjithë. Nëpërmjet video performancave, materialeve audio dhe dokumentacionit të ngjarjeve të ndryshme, artistët, historianët, etnografët dhe ndjekësit e muzikës tani kanë një dritare të hapur për të njohur dhe studiuar këtë trashëgimi unike.

Por ky projekt nuk është vetëm një arkiv digital. Ai është një galeri e muzikës, një udhëtim emocional dhe një sfidë për t’u njohur me brezat, nëpërmjet tingujve të bukurisë së kompozimit. Në këtë platformë të re, ju mund të shijoni një udhëtim të pafund nëpër shpirtin dhe kulturën e Kosovës.

Enis Bytyçi ka treguar edhe qëllimin kryesor të këtij projekti, që shkon pak më tutje asaj çka ne mund të mendojmë.

“Qëllimi kryesor i projektit për digjitalizimin e arkivit të festivalit “Akordet e Kosovës” është ruajtja, dokumentimi dhe përhapja e trashëgimisë kulturore që përbënë festivali për brezat e ardhshëm, si dhe për të ndihmuar profesionistët pasiqë në uebfaqen tonë për herë të parë ofrohet qasje në tetë libra të festivalit të cilët ndër të tjera përmbajnë partiturat dhe tekstet e këngëve pjesëmarrëse në edicionet respektive, gjithashtu ky projekt inkurajon dhe publikun e gjerë që janë të interesuar në studimin e veprimtarisë artistike dhe rrëfimeve personale për këtë festival”, thotë Bytyçi.

Por, gjithë ky projekt, padyshim që kishte edhe sfidat e veta me të cilat u përballën Tringa dhe Enisi.Por sfida më e madhe ishte mungesa e dokumentacionit të rregullt për festivalin dhe informacionet e sakta si dhe bashkëpunimi i kufizuar me institucionet relevante.

“Përkundër sfidave, besoj se përkushtimi dhe përpjekjet tona kanë sjellë rezultate pozitive, duke na mundësuar të nxjerrim në pah një pjesë të madhe të historisë së festivalit. Ne shpresojmë që me hapat e duhur dhe me bashkëpunimin e të gjithë palëve të interesuara, ky projekt do të pasurohet dhe më shumë dhe do të ruhet për shumë kohë.”

Për të sjellë në jetë këtë nismë, hartuesve të projektit ju është dashur të marrin disa hapa konkret dhe të përdorin mjete të veçanta. Projekti ka qenë i bazuar në metoda antropologjike të hulumtimit dhe ka përfshirë intervistimin e subjekteve relevante, përfshirë këngëtarët, kompozitorët dhe individët që kanë luajtur role të ndryshme në drejtimin dhe organizimin e festivalit. Kjo i ka ndihmuar ata në mbledhjen e të dhënave të rëndësishme për historinë dhe zhvillimin e festivalit.

“Kemi bërë studim të thellë të shtypit, gjegjësisht gazetës “Rilindja”, për të dokumentuar lajmet dhe artikujt e lidhur me festivalin nëpër vite. Aspektin vizual e kemi pasuruar kryesisht duke u mbështetur në arkivat personale të informatorëve tanë, burimeve të ndryshme të disponueshme në internet, dhe video arkivit të RTK-së. Ndërkaq me fazën finale të projektit, për dizajnimin dhe zhvillim e uebfaqes është angazhuar Florian Mehmeti Löffler”, tregon Bytyçi.

Ndërsa Tringa Sefedini, na foli më shumë rreth përkrahjes që kanë marr nga komuniteti i muzikantëve, etnografëve dhe të tjerëve që janë të interesuar në historinë e festivalit. Ajo tregon për KultPlus se procesi i hulumtimit sado që ka qenë sfidues, ishte pikërisht përkrahja dhe zellshmëria e muzikantëve të kohës (kompozitorë, këngëtarë, muzikologë) të cilët e jetësuan kujtimin mbi “Akordet e Kosovës”.

“Kontributi i tyre artistik ndër dekada rezultoi në një festival të përmasave të tilla siç ishte  “Akordet e Kosovës”, mirëpo, ishte tejet insipirues përkushtimi dhe përkrahja e tyre për të rifreskuar kujtesën e festivalit me anë të uebfaqes. Po ashtu, takimi dhe intervistimi direkt i subjekteve të cilët kemi hulumtuar ka qenë një shtysë e rëndësishme për të reprezentuar drejtë dhe qartë secilin prej pjesëmarrësve dhe vetë ngjarjet e festivalit. Pa ndihmën e tyre (emrat e të cilëve të gjitha janë në uebfaqe) ky projekt nuk do mund të arrinte cilësinë që përmban”, thotë Tringa.

Kjo nismë e cila ka për synim të vazhdojë ende me plotësimin e materialeve, synon të ndikojë edhe në rritjen e ndërgjegjësimit për trashëgiminë kulturore dhe artistike të Kosovës e cila dashje pa dashje shpesh po mbetet nën mëshirën e fatit. Për këtë fakt, Tringa shprehet se nevoja e ndërgjegjësimit dhe eksplorimit të thellë të kujtesës kolektive në dimensione dhe sfera të ndryshme të së kaluarës, tek ne ndihet fuqishëm, por shpreson që ky projekt të jetë një përgjigje e duhur në këtë aspekt dhe gjithashtu të kontribuojë në rritjen e interesit të të rinjve për kulturën dhe muzikën shqiptare të atyre viteve.

“Interesimi gjithmonë ka qenë aty, vetëm se ka munguar (dhe ende mungojnë) informacione të sakta dhe një databazë e kuruar e muzikës së zhanreve të ndryshme. Interesimi i të rinjve për muzikën e atyre viteve mund t’i qoj në trajektore të ndryshme të ngjarjeve të atyre viteve. Në vitet 70-80’ta në Kosovë ka ndodhur një shpërthim i skenës krijuese alternative. Ekzistojnë diskografi, videoteka, revista dhe magazina që dokumentojnë qartë një periudhë fillestare të shprehjes së lirë dhe krijuese. Për sa i përket festivalit dhe përmbajtjes së uebsajt-it, për çdo dekadë mund të vërehen edhe trendet e kohës, nga zhanret e muzikës të qetë dhe zbavitëse deri te krijimi i bendeve në vitet e 80-90’ta. Thënë kjo, përveç fokusit muzikor, projekti mund të kontribuojë si hapësirë për të studiuar dhe analizuar çështje të ndryshme shoqërore të atyre viteve.”

Krejt për fund, Tringa ka treguar për KultPlus se në plan është zgjerimi i këtij projekti si dhe bashkëpunimet e mundshme me institucionet tjera kulturore pasi sipas saj gjendja arkivore e historisë muzikore në Kosovë është shumë e cekët dhe fryma bashkëpunuese nga institucione të ndryshme mungon dhe vjen e vakët.

“Një nga sfidat më të zorshme të projektit ishte ta dinim kur ta mbarojmë hulumtimin. Ka aq shumë të dhëna për këtë festival, saqë kjo na ka befasuar edhe neve. Kështu që kemi ende arkiva të cilat për shkaqe kuratoriale nuk u prezantuan në uebfaqe. Qëllimi jonë është ta plotësojmë uebfaqen me më shumë diskografi, videoteka dhe fototeka çdo vit. Normalisht ne vetëm se kemi bashkëpunuar me institucione tjera dhe shpresoj që kjo vazhdon e shtohet. Më duhet ta theksoj se gjendja arkivore e historisë muzikore në Kosovë është shumë e cekët dhe fryma bashkëpunuese nga institucione të ndryshme mungon dhe vjen e vakët. Këto bashkëpunime potenciale në të ardhmen nuk i shërbejnë vetëm projektit tonë por gjithë të trashëgimisë kulturore muzikore në Kosovë”, thotë Tringa.

Projekti “Arkivi i Festakordet” reflekton edhe një ndryshim më të thellë që po ndodh në shoqërinë tonë. Trashëgimia kulturore nuk është më diçka e fikur në të kaluarën, por një burim frymëzimi dhe bashkëveprimit për të ardhmen. Duke përdorur teknologjinë, ne mund të ruajmë dhe ndajmë thelbin e kulturës sonë me një audiencë globale. / KultPlus.com

Sot fillon “DokuFest”, programi i pasur i këtij edicioni synon të ju ofroj një eksperiencë unike

DokuFest, në tërësinë e tij, kapërcen thjesht etiketën e një festivali për Kosovën, ai përpiqet të jetë përfaqësues i dëshirës për të sfiduar paragjykimet dhe për të mbrojtur hapjen, duke kultivuar në fund një hapësirë të lirë për të.

Në zemër të kësaj eksperience, potencialisht transformuese qëndron programi muzikor i DokuNights. Ky, një element i domosdoshëm në arritjen e këtij qëllimi. Brenda skenës kosovare ofron një platformë për të gjithë që të vijnë dhe të angazhohen në të gjitha ngjyrat e tyre.

Sot, më datë 4 Gusht, në qytetin e Prizrenit, në ambientet e ndryshme kulturore, do të mbahen eventet të cilat edhe shënojnë edicionin më të ri të këtij festivali i cili zgjatë deri më 12 Gusht.

Këtë vit DokuNights, kuruar me kujdes nga Leart Rama, sjell një formacion yje që mbeten të përkushtuar në mënyrë të palëkundur thelbit të lirisë.

Qëllimi i procesit kuratorial është të krijojë një utopi ku të përqafohet identiteti unik i çdo personi, dhe përmes mediumit të muzikës, ky vizion të bëhet i prekshëm.

Nga ikonat feministe tek pionieret e muzikës elektronike, ato njihen si përfaqësues të lirisë së shprehjes. Disa kanë marrë atë që është konvencionale dhe e kanë bërë unike të në mënyrën e tyre, të tjerë kanë krijuar hapësira për të ekzistuar në mënyrë alternative brenda konformave të shoqërisë.

Të jesh dëshmitar i kësaj mjeshtërie do të thotë të hedhësh një hap në një përvojë zhytëse të një utopie të propozuar të vetë-shprehjes së lirë.

Deklarata e kuratorit të programit, Leart Rama:

Jam i kënaqur dhe i nderuar që kam rastin të kuroj programin muzikor për Dokunights edhe për një vit. Ky formacion është një udhëtim i pafund përmes zërit, duke rrëfyer një histori unike për secilën zemër që dëgjon.

Si një regjisor dhe DJ i ri, magjepsja ime me muzikën avangarde filloi me Dokunights në vitin 2014. Pra atëherë kur e gjithë kjo lindi nga frymëzimi i përjetshëm i Nita Dedës.

Që atëherë e kam imagjinuar gjithmonë ditën kur do të mund të performoja në skenën prestigjioze të Andrrës. Megjithatë, mundësia për të kuruar të gjithë programin i tejkaloi edhe ëndrrat e mia.

Formacioni i krijuar me kujdes mishëron thelbin e lirisë dhe pikturon një realitet utopik që rezonon me emocionet tona më të thella.

Duke jetuar në një vend të izoluar, mendjet tona shpesh enden dhe eksplorojnë përmes ëndrrave dhe imagjinatës.

Ky formacion është një manifestim i atyre pikave më të ëmbla nga ëndrrat tona, të thurura me tingujt më të bukur që na transportojnë në vende ku nuk kemi qenë kurrë.

Programi:

Aug 04: Peaches // Steffi // Ivana Dragsic

Aug 05: Higher Intelligence Agency // Interstellar Funk // Gent Vargmal

Aug 06: Yiochi Kurokawa – Kinema Lumbardhi

Aug 06: Willikens & Ivkovic — All Night Long – Skena Andrra

Aug 07: Lyra Pramuk // Space Africa – Skena Sonar

Aug 07: Islandman// Uj pa gaz – Skena Andrra

Aug 08: Josh Caffe // Johnny Aux // Gemza

Aug 9 : ë (Stadt ) // Vagina Corporation // The milk snatchers

Aug 10: Besa M & Bimbimma // Killua // Despoti

Aug 11: Herrensauna Showcase +010010*

Aug 12: Dopplereffekt // Reptant // Isabella // Genc Elezaj. / KultPlus.com

Nesër fillon “DokuFest”, ju pret një program i pasur i shpërndarë në ambiente të ndryshme të Prizrenit

DokuFest, në tërësinë e tij, kapërcen thjesht etiketën e një festivali për Kosovën, ai përpiqet të jetë përfaqësues i dëshirës për të sfiduar paragjykimet dhe për të mbrojtur hapjen, duke kultivuar në fund një hapësirë të lirë për të.

Në zemër të kësaj eksperience, potencialisht transformuese qëndron programi muzikor i DokuNights. Ky, një element i domosdoshëm në arritjen e këtij qëllimi. Brenda skenës kosovare ofron një platformë për të gjithë që të vijnë dhe të angazhohen në të gjitha ngjyrat e tyre.

Nesër, më datë 4 Gusht, në qytetin e Prizrenit, në ambientet e ndryshme kulturore, do të mbahen eventet të cilat edhe shënojnë edicionin më të ri të këtij festivali i cili zgjatë deri më 12 Gusht.

Këtë vit DokuNights, kuruar me kujdes nga Leart Rama, sjell një formacion yje që mbeten të përkushtuar në mënyrë të palëkundur thelbit të lirisë.

Qëllimi i procesit kuratorial është të krijojë një utopi ku të përqafohet identiteti unik i çdo personi, dhe përmes mediumit të muzikës, ky vizion të bëhet i prekshëm.

Nga ikonat feministe tek pionieret e muzikës elektronike, ato njihen si përfaqësues të lirisë së shprehjes. Disa kanë marrë atë që është konvencionale dhe e kanë bërë unike të në mënyrën e tyre, të tjerë kanë krijuar hapësira për të ekzistuar në mënyrë alternative brenda konformave të shoqërisë.

Të jesh dëshmitar i kësaj mjeshtërie do të thotë të hedhësh një hap në një përvojë zhytëse të një utopie të propozuar të vetë-shprehjes së lirë.

Deklarata e kuratorit të programit, Leart Rama:

Jam i kënaqur dhe i nderuar që kam rastin të kuroj programin muzikor për Dokunights edhe për një vit. Ky formacion është një udhëtim i pafund përmes zërit, duke rrëfyer një histori unike për secilën zemër që dëgjon.

Si një regjisor dhe DJ i ri, magjepsja ime me muzikën avangarde filloi me Dokunights në vitin 2014. Pra atëherë kur e gjithë kjo lindi nga frymëzimi i përjetshëm i Nita Dedës.

Që atëherë e kam imagjinuar gjithmonë ditën kur do të mund të performoja në skenën prestigjioze të Andrrës. Megjithatë, mundësia për të kuruar të gjithë programin i tejkaloi edhe ëndrrat e mia.

Formacioni i krijuar me kujdes mishëron thelbin e lirisë dhe pikturon një realitet utopik që rezonon me emocionet tona më të thella.

Duke jetuar në një vend të izoluar, mendjet tona shpesh enden dhe eksplorojnë përmes ëndrrave dhe imagjinatës.

Ky formacion është një manifestim i atyre pikave më të ëmbla nga ëndrrat tona, të thurura me tingujt më të bukur që na transportojnë në vende ku nuk kemi qenë kurrë.

Programi:

Aug 04: Peaches // Steffi // Ivana Dragsic

Aug 05: Higher Intelligence Agency // Interstellar Funk // Gent Vargmal

Aug 06: Yiochi Kurokawa – Kinema Lumbardhi

Aug 06: Willikens & Ivkovic — All Night Long – Skena Andrra

Aug 07: Lyra Pramuk // Space Africa – Skena Sonar

Aug 07: Islandman// Uj pa gaz – Skena Andrra

Aug 08: Josh Caffe // Johnny Aux // Gemza

Aug 9 : ë (Stadt ) // Vagina Corporation // The milk snatchers

Aug 10: Besa M & Bimbimma // Killua // Despoti

Aug 11: Herrensauna Showcase +010010*

Aug 12: Dopplereffekt // Reptant // Isabella // Genc Elezaj. / KultPlus.com

Rikthehet festivali “Lohu i Bjeshkëve”, çikat e Malësisë do të parakalojnë veshur me xhubletën

Ashtu si na është trashëguar qysh motit, në 6 gusht 2023, shtojzovallet do të parakalojnë në amfiteatrin e Qafës së Predelecit.

Edhe këtë vit rikthehet festivali unik, “Logu i Bjeshkëve”, ku në një skenografi mahnitëse natyrore, çikat e Malësisë do të veshin mbretëreshën e kostumeve popullore, xhubletën, tashmë pasuri e mbarë njerëzimit, nën mbrojtjen e Unesco-s.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti duke treguar që ky festival organizohet me mbështetje të Ministrisë së Kulturës. / KultPlus.com

Me vepra premierë nga artistë të skenave botërore e këngë shqipe, RLIOF mbrëmë solli plotë ngjyra e emocione

Arlinda Hajdaraj

Nata e tretë e ‘RLIOF’ solli pranë vetes tre artistë të huaj, që me veçantinë e tyre artistike i dhanë magji këtij koncerti, shkruan KultPlus.

Me një profesionalizëm të pashoq, treshja e huaj e përbërë nga Leonor Bonilla, Mert Sungu dhe Simon Mechlinski, bashkë me shqiptaren Ardita Bufaj,  bënë të mundur realizimin e një performance të jashtëzakonshme përpara publikut kosovarë.

Talenti, puna, përkushtimi, praktika e dhënia e shpirtit në skenë quan performancën e këtyre artistëve deri tek e ‘përsosura’ që rrallëherë gjendet mes nesh.

Kjo mbrëmje muzikore u nis me zërin e mrekullueshëm të Simon Mechlinski, interpretimi i të cilit dridhi sallën e dha emocionet më të forta në publik.

‘Ah per sempre…’, e Mechlinski-t, ngjalli një përjetim të thellë tek secili pjesëmarrës, duke u dhënë atyre, entuziazmin më të madh për të dëgjuar vëmendshëm edhe interpretimet e tjera pasuese.

Pas duartrokitjeve të forta e brohorimave të pandalshme të publikut, skenës i’u bashkua edhe sopranoja, Leonor Bonilla, një vajzë shumë pozitive që me buzëqeshjen e saj ngjitëse, bëri për vete gjithë pjesëmarrësit, ende pa e filluar mirë shfaqjen.

Përshtypjet e mira të publikut nuk i hodhi poshtë por i lartësoi edhe më shumë me performancën unike të këngës së saj ‘Una voce poco fa’.

Veçantia e shfaqjes nuk përfundoi këtu, pasi ajo erdhi lehtas edhe me bashkëpunimin mes dy muzikantëve, Bonillas dhe Mechlinski, me këngën ‘Pronta io son’. Me veçoritë e stilin unik të të dyve bashkë, u forcua edhe më shumë e i dha drita kësaj nate muzikore.

Pas përfundimit të interpretimit të këngës së përbashkët nga të dy artistët paraprak, skenës së Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, i’u bashkua edhe Mert Sungu. Tenori, Mert Sungu erdhi nga Turqia vetëm për të realizuar këtë interpretim, e që rezultoi të jetë mjaft magjepsës.

Kënga e parë e Sungut, nga të pestat në total, ishte ‘La donna e mobile’, i cili me të parën paraqitje, ndezi flakë publikun në sallë.

Duartrokitjet i stoponte vetëm interpretimi i këtyre artistëve, pasi diçka tjetër nuk i ndalonte dot.

Surpriza më e madhe e kësaj nate solli edhe përmbylljen e koncertit, kur përpara publikut doli edhe njëherë baritoni, Simon Mechlinski, duke kënduar një këngë shqipe.

Kënga ‘Dashnor tu bana’ preku në telat e zemrës audiencën kosovare, duke bërë ata të brohorasin pandalshëm e të duartrokasin furishëm.

Koncerti ishte unik që në fillesë e gjer në mbarim. Secili nga këta muzikantë performuan në skenë me nga pesë këngë.

Leonor Bonilla përpos këngës ‘Una voce poco fa’, këndoi edhe katër këngë të tjera, ‘O luce di quest’anima’, ‘Je veux vivre’ Romeo et Juliette’. Ndërkaq, këngët ‘Pronta io son’ dhe ‘Tornami a dir che m’ami’, i pati në bashkëpunim me Sungun dhe Mechlinskin.

Përpos bashkëpunimeve me njëri-tjetrin, tenori, Mert Sungu këndoi edhe këngët, ‘E serbato questo acciaro’, ‘Me llaman la primorosa’ dhe ‘Non t’amo pio’.

Ndërsa, Mechlinski përformoi me këngët, ‘Votre Toast’, ‘Alla,Alla’ dhe ‘Dashnor tu bana’.

Pas përmbylljes së koncertit, sopranoja me origjinë meksikane, Lonor Bonilla u shpreh e lumtur për pjesëmarrjen në një koncert të tillë dhe se kjo shfaqje për të ka qenë shumë e veçantë, pasi që me këtë shfaqje edhe shkeli për herë të parë në Kosovë.

“Ndihem pafund e lumtur qe jam këtu edhe pse është hera  e parë që ndodhem në Kosovë. Edhe pse për një kohë të shkurtër kam qenë këtu, mezi pres të kthehem përsëri”, u shpreh Bonilla për KultPlus.

Ndërkaq, artisti tjetër, Simon Mechlinski, u ndje pafundësisht i lumtur për koncertin, dhe krahas kësaj edhe për të është hera e parë që ndodhet këtu, në Kosovë.

“Është hera e parë në Kosovë por prapë se prapë më pëlqen shumë. Nesër më duhet të kthehem për në vendlindjen time por nuk do ta lë pa u kthyer prapë për vizitë në Kosovë”, u shpreh Mechlinski.

I pyetur se si ju duk vizita në Kosovë, ai tha që Kosova i pëlqeu shumë dhe përpos vendeve të bukura e njerëzve pozitivë që gjeti këtu, edhe ushqimi ishte fantastik.

Përpos artistëve të huaj që performuan natën e sotme për audiencën kosovare, për KultPlus nuk la pa folur edhe pianistja shqiptare, Ardita Bufaj, e cila e kompletoi skenën me talentin e saj.

Bufaj, fillimisht falënderoi tenorin Ramë Lahaj për ftesën e bërë e më pas doli edhe tek publiku, dhe mikpritjen e bërë nga ta.

“Ne kemi përfunduar koncertin e titulluar ‘Opera Night’ ku unë së bashku me tre artistët e tjerë ishim ftuar sot nga tenori i mirënjohur, Ramë Lahaj, të cilin e shfrytëzoj rastin ta falënderoj shumë. Ndërkohë, mendoj që me duartrokitjet e zjarrta të publikut, ia kemi dalë dhe kemi finalizuar një punë të fuqishme”, përfundoi Bufaj.

Kjo performancë e shkëlqyer me këta katër artistë të mrekullueshëm solli edhe fundin e natës së tretë të këtij koncerti të quajtur ‘Opera Night’.

Kujtojmë që “Ramë Lahaj International Opera Festival” ka nisur me datë 21 korrik dhe do të vazhdojë rrugëtimin deri më datën 31 korrik. / KultPlus.com

RLIOF po vjen me mbrëmjen e tretë muzikore të titulluar ‘Opera Night’

Rame Lahaj International Opera Festival po vjen me mbrëmjen e tretë muzikore të titulluar ‘Opera Night’.

Koncerti ‘Opera Night’ mbahet sonte, e enjte, 27 Korrik, nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare (objekti në afërsi të Institutit Albanologjik).

‘Opera Night’ mbrëmja që i dedikohet tërësisht muzikës së mirëfilltë operistike, vjen në festivalin RLIOF për ta pasuruar programin e festivalit. Në këtë mbrëmje në skenë do të ngjiten solistë të skenave operistike, të cilët për publikun e gjerë sjellin një repertor premierë në pjesën më të madhe të tij.

Këtë herë do të prekim belcantizmin në të gjitha ngjyrimet e tij, përmes zërave të jashtëzakonshëm të sopranos Leonor Bonilla, tenorit Mert Sungu dhe baritonit Simon Mechlinski, shoqëruar në piano nga Ardita Bufaj.

RLIOF mban emrin e tenorit të mirënjohur kosovar, Rame Lahaj, i cili falë eksperiencës dhe namit të tij në komunitetin botëror të operas sjellë para publikut shqiptar emra të mirënjohur të muzikës operistike. Më shumë detaje për festivalin mund t’i gjeni në website-in e RLIOF. / KultPlus.com

Kontratenori i njohur iranian, Cameron Shahbazi sonte me repertor premierë në RLIOF

Rame Lahaj International Opera Festival vazhdon sonte me koncertin e dytë me radhë për këtë edicion, përcjell KultPlus.

I titulluar ‘Ensemble Evening’, ky koncert për protagonist do të ketë kontratenorin e njohur iranian, Cameron Shahbazi.

Koncerti ‘Ensemble Evening’ mbahet sonte, e Martë, 25 Korrik, nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare (objekti në afërsi të Institutit Albanologjik).

‘Ensemble Evening’ në edicionin e 3-të të RLIOF do të sjellë jo vetëm një artist, por mbi të gjitha një histori, një mesazh, një reflektim. Të tilla emocione dhe shumë më tepër se kaq, do t’i dëgjoni të shprehur në timbrin melodik dhe unik të kontratenorit Cameron Shahbazi, gërshetuar me personalitetin e tij të spikatur, i cili i shoqëruar në piano nga Sophia Munoz, sjellë në skenën e RLIOF për gjithë publikun tonë të dashur, një repertor premierë.

Kryefjalë e kësaj mbrëmjeje muzikore është figura e gruas, nënës, motrës, të dashurës, mikes e kujtdo të shenjtë për ne. Përtej çdo sakrificë, vetëmohimi e mundimi, simboli femëror shprehet i gdhendet nga personaliteti i Cameron Shahbazit.

Mbrëmja e dytë muzikore e RLIOF është konceptuar rreth temës së edicionit të sivjetmë ‘Opera për Liri’ (Opera for Freedom), nëpërmjet së cilës festivali i vetëm operistik në vend synon ta shtjellojë idenë e përfshirjes së artit operistik si ndërmjetësues për ta promovuar e mbrojtur lirinë, të drejtat e njeriut dhe ato sociale.

RLIOF mban emrin e tenorit të mirënjohur kosovar, Rame Lahaj, i cili falë eksperiencës dhe namit të tij në komunitetin botëror të operas sjellë para publikut shqiptar emra të mirënjohur të muzikës operistike. Më shumë detaje për festivalin mund t’i gjeni në website-in e RLIOF. / KultPlus.com

Nis sot edicioni i 7-të i “ZA Fest” në Shkodër

“ZA Fest”, një krijim artistik i kantautorit Vlashent Sata, vjen sot në edicionin e tij të shtatë, që do të mbahet në qytetin artdashës të Shkodrës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një video informuese mbi këtë aktivitet artistik, ku përgjatë 3 netëve do të perfomojnë artistë shqiptarë e të huaj.

“Disa prej artistëve më në zë të momentit do t’i gjeni në Za Fest VII” nga sot deri të dielën, me performancat e tyre në Kalanë e Rozafës dhe në Kullën e Inglizit në Shkodër”, shkruan Rama.

“ZA Fest” synon promovimin e traditës, vlerave dhe kulturës së Shkodrës. Më herët ky festival është zhvilluar edhe në Theth, duke tërhequr një numër të madh vizitorësh.

Kësaj here vëmendja mbetet brenda qytetit, e sidomos te kalaja e Rozafës./atsh / KultPlus.com

Prishtina Gastronomy Festival do të jetë ‘cashless’

Blerja e biletave është e mundur përmes platformës online “rave-travel.com”. Ju mund të vizitoni faqen e internetit dhe të blini biletat në mënyrë të thjeshtë duke klikuar opsionin “Buy Tickets”. Pas kësaj, ju duhet të zgjidhni natën e dëshiruar dhe sasinë e biletave që doni t’i siguroni.

Gjithashtu, përveç blerjes online në rave-travel.com, biletat keni mundësinë t’i siguroni nëpërmjet pikave të shitjes si vijojnë: Che Bar te Kafet e Vogla, Che Bar Marigonë, Che Bar Prizren dhe Che Bar Libero Pejton.

Festivali do të jetë “cashless” ose pa para në dorë. Blerjet brenda Festivalit do të mund të realizohen duke mbushur kartën tuaj të Festivalit në stacionin e rimbushjes. Përmes së njëjtës kartelë, ju do të mund të blini pijet dhe ushqimet që dëshironi. Çdo shumë e papërdorur pas festivalit mund të rimbursohet plotësisht.

Nëse keni ndonjë pyetje shtesë ose nevojë për informacion të detajuar, ju lusim të na kontaktoni në numrin 045666461. Në sheshin “Adem Jashari”, edicioni i tretë i Prishtina Gastronomy Festival do të sjellë një program special muzikor për të gjithë dashamirësit e muzikës, një shumëllojshmëri të ushqimeve  dhe aktivitete të ndryshme për të gjitha grupmoshat, nga data 20 korrik deri më 27 korrik. Ky festival do të jetë një festë e vërtetë e shijes, artit dhe argëtimit për të gjithë vizitorët./KultPlus.com

LINKU I BILETAVE—> https://www.rave-travel.com/tickets-en.nspx?eventid=2614