Edicioni i 11-të i “Turtle Fest” vjen në Dhërmi këtë fundjavë


Në bregdetin e Jonit këtë fundjavë do të zhvillohet “Turtle Fest”, festivali kushtuar muzikës elektronike.

Ky festival është një ndër më argëtuesit jo vetëm për pushuesit, por dhe për adhuruesit e zhanreve të ndryshme muzikore.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se “Turtle Fest vazhdon traditën e festës dedikuar muzikës elektronike në vitin e 11 në brigjet e detit Jon, duke bashkuar mijëra të rinj në plazhin e Drimadhës këtë fundjavë, më 14, 15 dhe 16 korrik, gjithçka nën sloganin “Feels Like Home”.

Gjatë 3 netëve në Drimadhes do të ketë muzikë, spektakël nga DJ më të famshëm nga gjithë bota. Të rinjtë pjesëmarrës do të shijojnë muzikën, natyrën dhe pamjet spektakolare të rivierës së jugut, në Shqipëri./ atsh / KultPlus.com

Nis sot në Tiranë festivali “Gjon Mili, Jazz&Blues”, motivim për muzikantët e rinj në emër të artistit shqiptar

Në datat 12, 13, 15, korrik vjen në Tiranë festivali “Gjon Mili, Jazz&Blues”. Shfaqjet më 12 dhe 13 do të zhvillohen tek Instalacioni Reja në kryeqytet dhe do të jenë të hapura për publikun, ndërsa më 15 korrik në Korçë.

“Gjon Mili Jazz & Blues Festival” synon promovimin e figurës së Gjon Milit, si e vetmja urë lidhëse që kombi shqiptar ka me muzikën Jazz në periudhën e saj më të artë, duke e bërë pjesë të Trashëgimisë Kulturore dhe Artistike të Shqipërisë.

Zhvillimi i festivalit ka për qëllim të nxisë aktivitetin artistik dhe krijimtarinë në muzikën Jazz dhe Blues, duke motivuar muzikantët e rinj shqiptarë me anë të shkëmbimit artistiko – kulturor me muzikantë kombëtarë dhe ndërkombëtarë me eksperiencë.

Artisti shqiptar Gjon Mili, si mjeshtër dhe novator i fotografisë, ka kontribuar në të gjitha fushat sociale dhe kulturore në Shtetet e Bashkuara dhe, si rrjedhojë, në mbarë botën. Si muzikant amator (luante oboen), ai pati një lidhje të veçantë me muzikën Jazz dhe arriti të dokumentojë tranzicionin midis dy periudhave më të rëndësishme të saj, Sëing Era dhe Modern Jazz.

Gjithçka filloi në vitin 1943, kur Gjon Mili realizoi për revistën Life, dy nga setet e tij fotografikë më të famshëm “The Lindi Hop” dhe “Jam Session”. Falë këtyre artikujve Gjon Mili u lidh gradualishit me kulturën jazz dhe me promovimin e mëtejshëm të saj. Këtë e ka dëshmuar me filmat artistikë të realizuara në vitet ’40 – ’60 si: “Jammin the blues”, “Stompin for Mili” dhe “Improvisation”, filma të njohur të kinematografisë botërore me qëllim promovimin e muzikës jazz. / KultPlus.com

Porto Palermo Festival, në mbrojtje të mjedisit

Këtë vit, Porto Palermo Festival bashkon forcat me organizata të dedikuara ruajtjes së mjedisit për të shenjuar fillimin e edicionit të tretë të tij.

Ky festival synon, jo vetëm të sjellë artistët më të mirë për të performuar në skenën e vet autentike, por edhe të promovojë turizmin e qëndrueshëm kulturor në Shqipëri.

Gjatë dy edicioneve të para, 2021 dhe 2022, fokusi ishte rivitalizimi i kësaj pike turistike dhe zonës së portit.

Festivali nis sot rrugëtimin përmes pastrimit të detit dhe përmirësimit të hapësirës përreth kalasë, besimplotë në krijimin e ndërgjegjësimit tek turistët dhe vizitorët dhe duke edukuar të rinjtë drejt një ndikimi të qëndrueshëm.

Festivali i Porto Palermos, ashtu si dhe në edicionet e tjera, do të mbushë kalanë historike të Ali Pashës, fundjavave përgjatë 1 muaji. E vendosur në një ishull të vogël në Gjirin e Porto Palermos, kjo perlë kulturore ndërthur traditën, historinë, detin dhe muzikën në një mjedis mahnitës.

Pikërisht aty violinist i mirënjohur Olen Cesari do të mbledhë një grup artistësh të jashtëzakonshëm, që do të sjellin në jetë kështjellën çdo fundjavë, duke shkrirë modernizmin dhe trashëgiminë shqiptare./atsh/KultPlus.com

‘Green Fest’ gati për edicionin e radhës, ju presin një varg aktivitetesh

Green Fest tash e sa vite vije në sinkron me objektivat e zhvillimit të qendrueshëm, të njohura më konkretisht si SDG, andaj edhe tema e sivjetme është në përputhje me SDG 13 që trajton nevojën për veprim ndaj ndryshimeve klimatike. Me siguri kjo temë ju sjellë në mendje këngën e famshme “Imagine” të John Lennon, teksti i së cilës akoma vlen për njerëzimin. Por,kësaj radhe do të imagjinojmë gjerë e gjatë.

Prej datës 29 qershor deri me datë 2 korrik, edicioni i 13-të i festivalit “Green Fest”, në Mitrovicë sjell para publikut një varg aktivitetesh.

“Green Fest” u krijua si nismë që përmes mediumit të artit dhe kulturës të ndikohet në një ambient më të pastër. Qëllimi i aktiviteteve të këtij festivali për vite me radhë synon të frymëzoj individë, komunitetet dhe shoqëri për të ndërmarrë veprime për të luftuar ndryshimin e klimës.

Në edicionin e sivjetmë programi përbehet nga ekspozita, mbrëmje muzikore, hulumtime etj.

Më 29 qershor mbahet ceremonia hapëse me fillim nga ora 18:30, për të vazhduar pastaj me hapjen e ekspozitës “Wild Kosova” nga Arian Mavriqi dhe mbrëmje muzikore në fund.

30 qershori përfshin prezantim të hulumtimit, ‘Green Kids’ dhe ‘Green Movie’ dhe dy netët tjera po ashtu kanë në program ekspozita, publikime të libërthit, muzikë e aktivitete tjera.

Në mesin e artisteve pjesëmarrës gjatë mbrëmjeve muzikore të festivalit janë edhe Jericho, Eugent Bushpepa, Dren Abazi, Vedat ademi etj. / KultPlus.com

UNUM Festival, Kumbaro: Kartëvizitë prestigjioze e Shqipërisë turistike

Shëngjini do të presë nga 1-6 qershori festivalin ndërkombëtar të muzikës elektronike, UNUM.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu dhe organizatorë të tjerë të këtij festivali zhvilluan një takim, që i paraprin nisjes së UNUM Festival.

Kumbaro tha se, ky festival do të mbledhë mijëra të rinj nga Evropa, duke u kthyer në kartivizitë prestigjioze të Shqipërisë turistike.

“Këtë vit ky festival vjen me mbi 90 artistë nga e gjithë bota, por edhe me ndjeshmërinë për mjedisin, me aktivitete për mirëmbajtjen e zonës dhe pastrimit, ndarjes së mbetjeve për riciklim, që janë po aq të rëndësishme sa vetë muzika”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro tha se, “është një festival miqësor me mjedisin në zonën ku zhvillohet nga data 1 deri më 6 qershor dhe sigurisht ka gjetur vendin ideal të një perle të bregdetit si Rana e Hedhun”.

Gjatë ditëve të këtij festivali do të zhvillohen aktivitete sportive, muzikore e promovuese të bregdetit shqiptar, të gjitha nën kurorën e mjedisit e zhvillimit të qëndrueshëm.

Mediumi ‘THE Music Essentials’: Sunny Hill në mesin e top festivaleve botërore që nuk duhet humbur

Gjersa vera afrohet, mediat anë e kënd botës, kanë nisur krijimin e toplistave për festivalet që nuk duhet humbur. “T.H.E Music Essentials” është një prej tyre. Në top 5 ka vendosur edhe “Sunny Hill Festival”.

“Nëse jeni adhurues i muzikës dhe dëshironi që të ndiqni një festival gjatë kësaj verë, atëherë keni ardhur në vendin e duhur. Në postimin e sotëm do t’ju prezantojmë festivalet më të mira që do mbahen gjatë verës e që më shumë vendosmëri ua sugjerojmë për t’i përcjellë, varësisht prej cilit zhanër pëlqeni”, shkruan gazetari Akshay Bhanaëat për “T.H.E Music Essentials”, i cili u premton lexuesve se nuk do të zhgënjehen nga kjo përzgjedhje që ka bërë mediumi i tyre.

Në mesin e 5 festivaleve më të mëdha Evropiane radhitet edhe festivali “Sunny Hill Festival” që ndryshe në tekst i referohen si ‘Festivali më i mirë në Evropën Juglindore’.

“Ngjarja më prestigjioze muzikore në Kosovë, Sunny Hill Festival është gjithashtu padyshim festivali më domethënës i Evropës Juglindore për shkak të titullarëve të tij të jashtëzakonshëm! Çmimet dhe titullet ende nuk janë shpallur, megjithatë kjo ngjarje konsiderohet nga shumë njerëz si një vend i domosdoshëm dhe një koncert i domosdoshëm për entuziastët e kulturës. Në një përsëritje të mëparshme të ngjarjes, yjet duke përfshirë Dua Lipa, Miley Cyrus, J Balvin, Calvin Harris, Martin Garrix, Afrojack, Hardwell dhe shumë të tjerë performuan, së bashku me artistë të njohur të huaj dhe të rinj vendas”, thuhet në vlerësimin e “T.H.E Music Essentials”.

Lista e 5 festivaleve që nuk duhet humbur:

1.            Primavera Sound (May 29th – June 4th) – Barcelonë, Spanjë

2.            Glastonbury (June 21st – June 25th) – Shepton Mallet, Somerset, UK

3.            Ëomad (July 27th – July 30th) – Malmesbury – UK

4.            Sunny Hill Festival (beginning of August) – Prishtina, Kosovë

5.            Dhe Rock and Seine (August 23rd – August 27th) – Paris, Francë

“T(rance).H(ouse).E(lectronic) – Music Essentials” e themeluar në vitin 2012, është një ndër faqet kryesore sa i përket muzikës electronic-dance. Vazhdimisht publikon me të rejat nga muzika. Nuk mungojnë as kritika muzikore. Përgjatë këtyre viteve në të janë publikuar intervista me artistë të njohur si: Martin Garrix, “W&W”, Paul Oakenfold, Mord Fustang, “Firebeatz”, “Blasterjaxx”, “Cosmic Gate”, “Aly & Fila”, Nic Fanciulli, Nikhil Chinapa dhe shumë të tjerë.

Lexo artikullin e plotë: “Concerts You Should Not Miss For Summer 2023” në:

https://themusicessentials.com/editorials/summer-2023-concerts/?fbclid=IwAR1uy18h75vl6vOiSpqFcaCyRmCl1hneNtmn6cv44Uuoj4mTKIS8vXKgm_Q

Mes solidarizimit me tragjedinë në Serbi dhe shfaqjen e filmit ‘Si mësova të fluturoj’, hapet ‘Mirëdita, Dobar Dan’

Flonja Haxhaj

Mbrëmë hapësira në Kino ABC qe ndryshe. Festivali tashmë i njohur për shkëmbimet kulturore mes Kosovës dhe Serbisë, “Mirédita, dobar dan!”, zuri vend për të shënuar hapjen e edicionit të dhjetë me radhë. Mes dhimbjes për tragjedinë e fundit në Serbi dhe frymës komike të filmit ‘Si mësova të fluturoj’, u zhvillua gjithçka, shkruan KultPlus.

Festivali i njohur më së miri për bashkëpunimin në mes dy shteteve, edhe kësaj here ka dëshmuar për një program të përsosur që do shpaloset në ditët vijuese. Programi si çdo herë synon të jetë qendra e vëmendjes së dy kulturave që dallojnë nga njëra-tjetra. Natyrisht që qëllimi kryesor i “Mirëdita, dobar dan!” mbetet prezantimi i artistëve dhe performuesve që përfaqësojnë skenën kulturore dhe bashkëkohore, por pikë tjetër kryesore është edhe bashkimi i komuniteteve shoqërore të dy shteteve. Kësisoj arrihet të krijohet tradita e bashkëpunimit për të përfunduar në një pikë të normalizimit dhe qëndrueshmërisë së marrëdhënieve në këto dy vende.

Nëpërmjet frymëzimit të figurës ikonike siç është Bekim Fehmiu, në 2014-tën festivali hodhi hapin e parë drejt një rrugëtimi të gjatë e të mundimshëm. Gati një dekadë më vonë, pikërisht ky festival vazhdon të jetë një ndër platformat e pakta që krijon hapësirë të gjerë për shkëmbimin e skenës kulturore mes dy vendeve. Çështjet politike natyrisht që kanë zënë vend ndër vite, por këto rrënjë të thella duhet të largohen njëherë e përgjithmonë. E kjo veçse ka nisë të ndodhë, duke pas bazë ndezjen e qirinjve mbrëmë pas shfaqjes së filmit, para Teatrit Kombëtar të Kosovës, në shenjë solidarizimi me viktimat e sulmit të ndodhur në një nga shkollat e Beogradit. Kjo është dëshmi që populli i Kosovës e di fort mirë se çka është dhimbja dhe tash e sa vite, akoma e përjeton atë ndjenjë, e jo vetëm.

Kushtrim Koliqi, drejtori ekzekutiv i ‘Integras’, mori fjalën i pari, i cili fillimisht, nisur nga tragjedia e ndodhur në Serbi, tha se ky edicion i festivalit po nis në një situatë të jashtëzakonshme, megjithatë, programi do të vazhdojë.

“Miq të festivalit ‘Mirëdita, Dobar Dan’, mirë se keni ardhur në hapjen e edicionit të 10-të të këtij festivali i cili për shumë vite tashmë po vazhdon të ofrojë mundësi për bashkëpunim dhe krijimtari mes Kosovës dhe Serbisë në fusha e aspekte të ndryshme”, u shpreh Koliqi. Më tutje, ai tha se pavarësisht se sfidat politike mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të njëjta, festivali ‘Mirëdita, Dobar Dan’ vazhdon të punojë fort në qëllimin që ka pasur që në vitin 2014, krijimin e rrugëve të reja mes Kosovës dhe Serbisë në fushën e kulturës, medias dhe shoqërisë civile.

“Pavarësisht situatës jo të mirë, respektivisht marrëdhënieve aktuale mes Kosovës dhe Serbisë, festivali ‘Mirëdita, Dobar Dan’ mbetet një prej platformave të pakta që ofron hapësirë për promovimin dhe shkëmbimin kulturor dhe dialog për çështje e tema që ndryshe nuk diskutohen, ose edhe kur diskutohen ato keqpërdoren”, tha mes tjerash Koliqi.

Më pas, fjalën e mori Sofija Todorovic, drejtoresha ekzekutive e Nismës për të Drejtat e Njeriut në Serbi, e cila po ashtu nisi fjalimin e saj duke u solidarizuar me tragjedinë në Beograd duke kërkuar që në këto momente të vështira të qëndrojmë krah për krah me njëri-tjetrin.

“Detyra jonë ka qenë gjithmonë që të lidhim njerëz në kohë të vështira dhe të krijojmë hapësirë për solidaritet. Përmes dhimbjes ne shpeshherë mund të shohim më qartë sepse vuajtja ka fuqi edhe të afrojë njerëzit. Tragjedia e djeshme na ka shtyrë të gjithëve të shikojmë thellë brenda vetvetes dhe t’i vlerësojmë edhe më shumë ato që i kemi”, tha Todorovic duke shtuar më tutje se sot më shumë se kurrë, qytetarët e të dyja vendeve kanë nevojë për njëri-tjetrin.

“Shfrytëzojeni këtë festival që të shikoni brenda vetes, të pyesni dhe të zbuloni se çfarë është ajo që secili prej jush mund të bëni për të inkurajuar më shumë humanizmin, butësinë dhe empatinë edhe atëherë kur rrethanat na çojnë në një drejtim tjetër”, përfundoi ajo.

Pas këtyre fjalimeve, nisi shfaqja e filmit ‘Si mësova të fluturoj’ nga Radivoje Andrić, film ky fitues i shumë çmimeve i cili solli një histori njerëzore për rritjen, kuptimin dhe faljen. Filmi solli të qeshura të shumta në mesin e audiencës. E pas shfaqjes së filmit, publiku u bë bashkë për të ndezur qirinj në shenjë solidarizimi me viktimat dhe të prekurit me tragjedinë në Serbi.

Ju kujtojmë që “Mirëdita, dobar dan!”, organizohet nga Integra (Kosovë), Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) dhe Iniciativat Qytetare (Serbi), me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Fondit për Ballkanin Perëndimor, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Rockefeller Brothers Fund. / KultPlus.com

Nga New York-u në Prishtinë, Brian Marsella Trio elektrizoi publikun në hapje të Jazz Festivalit

Vjollca Duraku
Fotografitë: Nok Selmani

Një treshe fantastike e muzikantëve New York-ez elektrizuan mbrëmë publikun prishtinas me një performancë të mahnitshme që u mbajt në kuadër të Jazz Festival Prishtina i cili mbrëmë hapi siparin në Teatrin Oda, shkruan KultPlus.

Festivali i cili erdhi në kryeqytet pas pothuajse një dekade pauzë, dukej sikur iu kishte munguar prishtinasve, meqë entuziazmi i tyre për të ndjekur një ngjarje të tillë vërehej kur ata me padurim prisnin që të fillonte koncerti.

Kaltër, vjollcë dhe kuq ishin ngjyrat dominuese të skenës në të cilën pritej të performonin artistët. Ndërthurja e këtyre ngjyrave krijonte një spektër madhështor nuancash, të cilat të dërgonin në një univers paralel, në të cilin njerëzit rrethoheshin nga një aurë dashurie dhe lumturie, ku mbretëronte vetëm energjia pozitive.

Rrjedhën e kësaj magjie e ndryshoi dalja në skenë e organizatorit të festivalit Armend Xhaferi, i cili me një energji të paparë sikur e ktheu publikun në realitetin fizik, por po ashtu të bukur, me një falënderim të ngrohtë për të pranishmit në koncert.

Përkundër faktit se puna për organizimin e një festivali që kishte pauzuar rreth 10 vite, mund t’i ketë sjellë organizatorit mundim dhe stres të madh, tash kur po fillonte perfomanca, Xhaferit dukej sikur të gjitha i ishin larguar nga supet dhe me padurim e priste edhe ai fillimin e koncertit. Kjo gjë vërehej lehtësisht nga vibrimi ngazëllues i zërit të tij.

Ai me shaka tha se grupi (sa është në Kosovë) do të performojë vetëm për ta dhe askund tjetër dhe me përfundimin e performancës ata do të nisen direkt për në New York pa u ndalur askund tjetër, duke dashur të bëj me dije publikut se para vetes do të kishin maestro të muzikës jazz.

Më pas me duartrokitje të zjarrta, publiku prishtinas priti tre muzicientët New York-ez, të njohur si Brian Marsella Trio, i përbërë nga Brian Marsella – Piano, Kenny Wollesen- Bateri dhe Trevor Dunn – Kontrabas.

Emocionet e publikut morën hov qysh me fillimin e koncertit, pasi para tyre publiku tashmë kishte njerëz të cilët i kishin kushtuar një jetë të tërë, instrumentit me të cilin ata tashmë performonin.

Interpretimi i Brian Marsella në piano edhe duke qëndruar në këmbë herë pas here, si dhe lëvizjet e tij trupore të shpejta dhe strikte, dukej sikur i jepnin tonin mbrëmjes me tingujt e pianos, e pashmangshmërisht krijonin stil në vete.

Vendosja e shkopinjve në gojë, nga i cili interpretim u krijuan tinguj unik, e të pa dëgjuar deri tani gjatë mbrëmjes, nga Bateristi Kenny Wollesen, i dha kulminacionin performancës së tij, e cila u shoqërua me ovacione dhe duartrokitje të zjarrta.

Kurse Trevor Dunn, i cili performoi me kontrabas, pothuajse pati barrën kryesore për të mbajtur konstant ritmin e mbrëmjes me një lëvizje mega të shpejtë, të pa ndalshme të gishtërinjve, duke vënë po ashtu në pah dashurinë, përkushtimin dhe profesionalizmin e tij për atë instrument.

Kombinimi i kësaj treshe muzicientësh, e cila krijoi një harmoni pothuajse perfekte, la një shije të paharrueshme te publiku, i cili këtë mbrëmje e përmbylli duke dhënë duartrokitje të shumta, kundrejt artistëve në shenjë falënderimi dhe admirimi për artin e ofruar.

Këto duartrokitje të publikut, e kishin ngazëllyer edhe drejtoreshën e kulturës në Komunën e Prishtinës, Arta Balajn, sepse jepnin mesazhin e qartë se publiku u kënaq gjatë kësaj mbrëmje dhe me këtë rast misioni i tyre si mbështetës kishte arritur cakun e suksesit.

Drejtoresha Balaj në një prononcim për KultPlus u shpreh se si Komunë, janë shumë të kënaqur me organizimin dhe rikthimin e këtij festivali në Prishtinë, me shpresë që vitin e ardhshëm ky festival do të mund të mbahet edhe me vetëfinancim.

“Jemi të lumtur që pas shumë viteve po rikthehet në Prishtinë ky festival kaq i rëndësishëm. Falënderim i jashtëzakonshëm shkon për Armend Xhaferin, i cili ka qenë përkrahës prej ditës së parë. Edhe pse festivali përfundon pas katër netësh, organizimi ka marrë disa muaj me radhë, dhe të sjellim një bend të tillë si Brian Marsella Trio, ka qenë e jashtëzakonshme. Ne e pamë publikun të kënaqur dhe shpresojmë që viteve të tjera do t’i marrin këmbët dhe do të organizohen edhe vetë. Komuna është për këtë arsye, për të ndihmuar festivale të tilla që të rimëkëmben. Kështu që jemi super të kënaqur që kemi pasur mundësi për të ndihmuar Jazz Festivalin për tu kthyer në Prishtinë”, ka thënë Balaj.

Balaj gjithashtu u shpreh se ky koncert ndikon pozitivisht në imazhin e Komunës së Prishtinës pasi prezenca e artistëve botërorë e ngrit nivelin e performancës, e me këtë rast edhe entuziazmin dhe energjinë për të sjellë edhe artistë të tjerë të mëdhenj nga bota, në vitet e ardhshme.

Se ishte shumë i kënaqur me koncertin dhe se i kishin arritur pritshmëritë e tyre tha për KultPlus edhe organizatori Armend Xhaferi.

“Koncerti ishte fenomenal, shumë i mirë edhe pse kur organizon koncert është një farë stresi që nuk të lë rehat sepse e mendon çdo milimetër, çka bën dhe nuk bën, apo si po shkon koncerti në përgjithësi, por fantazi ishte”, ka potencuar Xhaferi.

Xhaferi, më tutje tregoi edhe për përshtatshmërinë e hatashme mes artistëve tanë me ata botërorë në procesin e punës në këtë festival, duke thënë se ideja themelore e jazz-it është bashkimi i njerëzve në mënyrë paqësore.

“Ideja e jazz-it është që të bashkohen njerëzit në mënyrë paqësore. Komuniteti i jazz-it gjithmonë vëllazërohen shumë shpejtë, pavarësisht se kush, çfarë nacionaliteti është. Kjo është një veti që e kanë jazz muzikantët”, tha Armend Xhaferi, organizatori i Prishtina Jazz Festival, i cili krejt për fund falënderoi edhe Komunën e Prishtinës për mbështetjen e vazhdueshme për organizimin e festivalit.

Prishtina Jazz Festival mbrëmë nisi por sonte do të vazhdojë me koncertin e radhës, poashtu në Teatrin Oda, duke filluar nga ora 21:00 ku do të performojnë 18 anëtarë, muzikantët më të mirë të Ballkanit me: Dirigjent dhe Kitarë – Armend Xhaferi, Saksofonët: Kiril Kuzmanov, Arian Randobrava, Ivan Ivanov, Arnau Garoffe, Ivan Yordanov, Boritë: Todor Bakarijev, Trajče Velkov, Aleksandar Milanov, Rajkard Bardhi, Trombonët: Saško Nikolovski, Vladislav Mičev,Ilir Vorpsi, Nikola Ristevski, Ritëm Sekcioni: Ilir Bajri – Piano, Kiril Tufekćievski – Kontrabas dhe Nesim Maxhuni – Bateri. 

Ndërsa më 5 Maj, do të performojë Sara Decker Quartet, në përbërje me: Sara Decker – Vokal, Billy Test – Piano, Nicolai Amrehn – Kontrabas dhe Jeroen Truyen – Bateri, në Kino Armata, ora 21:00.

Kurse me datën 6 maj për të përmbyllur festivalin, do të ketë muzikë më melankolike nga Derya Cenk Enver Trio, në përbërje me: Derya Türkan – Kemençe, Cenk Erdogan – Kitarë dhe Enver Muhamedi – Kontrabas, në Kino Armata, në ora 21:00.

Prishina Jazz Festival këtë vit po mbahet nën patronatin e Komunës së Prishtinës., dhe tashmë ju presin edhe tri netë të tjera të mbushura me tinguj të bukur jazz. /KultPlus.com

Sonte nis Prishtina Jazz Festival, prezanton muzikantë të njohur nga bota e jazz-it

Prishtina Jazz Festival është një ngjarje kulturore tejet e rëndësishme që po rikthehet sonte në Prishtinë pas një pushimi të gjatë. Ky festival mban të gjallë traditën e muzikës jazz në Kosovë duke prezantuar muzikantë të njohur nga bota e Jazz-it, shkruan KultPlus.

Festivali do të sjell në Prishtinë 4 koncerte të cilat do të organizohen në dy lokacione të ndryshme dhe do të ofrojnë një spektër të gjerë të zhanreve të jazz-it.

Sonte, më datë 03 Maj, në Prishtinë do të prezantohet Brian Marsella Trio, i përbërë nga Brian Marsella – Piano, Kenny Wollesen- Bateri dhe Trevor Dunn – Kontrabas. Ky koncert do të mbahet në Teatrin Oda, duke filluar nga ora 21:00.

Më datë 04 Maj, Prishtina Jazz Orchestra do të performojë poashtu në festival me 18 anëtarë, me muzikantët më të mirë të Ballkanit: Dirigjent dhe Kitarë – Armend Xhaferi, Saksofonët: Kiril Kuzmanov, Arian Randobrava, Ivan Ivanov, Arnau Garoffe, Ivan Yordanov, Boritë: Todor Bakarijev, Trajče Velkov, Aleksandar Milanov, Rajkard Bardhi, Trombonët: Saško Nikolovski, Vladislav Mičev,Ilir Vorpsi, Nikola Ristevski, Ritëm Sekcioni: Ilir Bajri – Piano, Kiril Tufekćievski – Kontrabas dhe Nesim Maxhuni – Bateri. Teatri Oda do ta mirëpres këtë koncert nga ora 21:00.

05 Maji vjen nën ritmet e Sara Decker Quartet, në përbërje me: Sara Decker – Vokal, Billy Test – Piano, Nicolai Amrehn – Kontrabas dhe Jeroen Truyen – Bateri. Koncerti mbahet në Kino Armata, ora 21:00.

Për të përmbyllur festivalin, më datë 06 Maj është rezervuar Derya Cenk Enver Trio, në përbërje me: Derya Türkan – Kemençe, Cenk Erdogan – Kitarë dhe Enver Muhamedi – Kontrabas. Koncerti mbahet në Kino Armata, ora 21:00.

Prishtina Jazz Festival është një ngjarje e rëndësishme për kulturën dhe muzikën në Kosovë, andaj ky festival do të sjellë një atmosferë të veçantë në qytetin e Prishtinës dhe do të jetë një përvojë e paharrueshme për të gjithë ata që e vizitojnë.

Koncertet do të mund t’i ndiqni duke siguruar biletat tuaja online në www.rave-travel.com.

Festivali vjen nën patronatin e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com

“Burrnesha” e Qendrës Multimedia pjesë e festivalit “Polis” në Itali

Shfaqja “Burrnesha” e prodhuar nga Qendra Multimedia do të jetë pjesë e edicionit të gjashtë të festivalit të teatrit “Polis” i cili mbahet në Ravenna të Italisë ndërmjet datave 2-7 qershor, 2023.

“Burrnesha” do të luhet më datë 5 dhe 6 qershor në Almagia Artificerie

Edicioni i sivjetëm i festivalit “POLIS”, i programuar mbi temën “Ballkani në fokus” dhe mbi idenë e artistit të njohur gjerman Ulay “Estetika pa etikë është thjesht kozmetikë”, synon të eksplorojë prodhimet më të fundit dhe provokative teatrore, me fokus në ato të Evropës Juglindore. 

Ndër artistët që do të marrin pjesë në “POLIS 2023” janë Oliver Frljić, Branko Simić, Gemma Hansson Carbone, kolektivi francez Zone Poéme si dhe Žiga Divjak. / KultPlus.com

Festivali “Mirëdita, dobar dan!” zbulon datat e edicionit jubilar

Edicioni i dhjetë jubilar i festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, ngjarje kjo unike kulturore që organizohet në Prishtinë dhe Beograd që nga viti 2014, do të mbahet këtë vit nga 4 deri më 6 maj në Kosovë, me prezantimin e skenës kulturore, artistike, e shoqërore të Serbisë dhe me diskutimin e çështjeve kritike që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe të ardhmen në një periudhë sfiduese për të dy shoqëritë. Qytetarët e Prishtinës do të kenë mundësinë të njihen me skenën kulturore serbe duke përfshirë muzikantë, autorë filmash, shkrimtarë e aktivistë të shumtë.

Edicioni i sivjetmë i festivalit “Mirëdita, dobar dan”, do të hapet me shfaqjen e filmit “Si mësova të fluturoj” nga Radivoje Andrić, film ky fitues i shumë çmimeve i cili na sjell një histori njerëzore për rritjen, kuptimin dhe faljen. Publiku i Prishtinës po ashtu do të ketë mundësinë të dëgjoj grupin e vajzave rome “Pretty Loud”, të cilat përmes këngëve të tyre në gjuhën rome, serbe dhe angleze, këndojnë për stereotipet, drejtësinë sociale dhe racën, por edhe për sfidat, shpresat e ëndrrat e tyre. Poetët Mirjana Narandžić dhe Đorđe Simić do të kenë mundësinë të flasin për veprat dhe përmbledhjet e tyre poetike si dhe të lexojnë poezitë e tyre në formën e një mbrëmjeje poetike.

Ashtu si edicionet e kaluara, edhe gjatë edicionit të sivjetshëm do të diskutohen tema të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë përmes promovimit të librit “Sërbia tjetër: Srđa Popović” nga Shkëlzen Gashi dhe debatit “Trashëgimia tjetër”, debatit “Liria e lëvizjes në rajon: tani është koha”, dhe përmes promovimit të librit “Momenti kur filloi lufta për mua” që do pasohet nga një bashkëbisedim me autorët e librit.

Dita e fundit e festivalit do të mbyllet me shfaqjen teatrore “Bimët po të ngordhnin, do bëhej nami!” nga Ivor Martinić, dhe një ndejë përmbyllëse me DJ Flip nga Beogradi.

Qëllimi i festivalit “Mirëdita dobar dan!” është prezantimi i skenës artistike dhe kulturore serbe në Prishtinë, si dhe i skenës kulturore të Kosovës në Serbi, përmes takimeve të artistëve, shkëmbimit të ideve, diskutimit për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy shoqërive, por edhe krijimit të një tradite të bashkëpunimit mes qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë.

Frymëzim për “Mirëdita, dobar dan!” është aktori i mirënjohur shqiptar, kosovar, jugosllav por edhe i tërë botës, Bekim Fehmiu i cili simbolizon unitetin por edhe ndarjen, por gjithashtu edhe mundësinë e bashkimit të dy hapësirave kulturore në një të vetme.

Hyrja në të gjitha ngjarjet e festivalit “Mirëdita, dobar dan” është falas.

“Mirëdita, dobar dan!”, organizohet nga Integra (Kosovë), Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) dhe Iniciativat Qytetare (Serbi), me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Fondit për Ballkanin Perëndimor, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Rockefeller Brothers Fund. / KultPlus.com

Pas shumë vitesh, Prishtina Jazz Festival rikthehet në Prishtinë

Prishtina Jazz Festival është një ngjarje kulturore e rëndësishme që po rikthehet në Prishtinë pas një pushimi të gjatë. Ky festival mban të gjallë traditën e muzikës jazz në Kosovë duke prezantuar muzikantë të njohur nga bota e Jazz-it, shkruan KultPlus.

Festivali do të sjell në Prishtinë 4 koncerte të cilat do të organizohen në dy lokacione të ndryshme dhe do të ofrojnë një spektër të gjerë të zhanreve të jazz-it.

Më datë 03 Maj, në Prishtinë do të prezantohet Brian Marsella Trio, i përbërë nga Brian Marsella – Piano, Kenny Wollesen- Bateri dhe Trevor Dunn – Kontrabas. Ky koncert do të mbahet në Teatrin Oda, duke filluar nga ora 21:00.

Më datë 04 Maj, Prishtina Jazz Orchestra do të performojë poashtu në festival me 18 anëtarë, me muzikantët më të mirë të Ballkanit: Dirigjent dhe Kitarë – Armend Xhaferi, Saksofonët: Kiril Kuzmanov, Arian Randobrava, Ivan Ivanov, Arnau Garoffe, Ivan Yordanov, Boritë: Todor Bakarijev, Trajče Velkov, Aleksandar Milanov, Rajkard Bardhi, Trombonët: Saško Nikolovski, Vladislav Mičev,Ilir Vorpsi, Nikola Ristevski, Ritëm Sekcioni: Ilir Bajri – Piano, Kiril Tufekćievski – Kontrabas dhe Nesim Maxhuni – Bateri. Teatri Oda do ta mirëpres këtë koncert nga ora 21:00.

05 Maji vjen nën ritmet e Sara Decker Quartet, në përbërje me: Sara Decker – Vokal, Billy Test – Piano, Nicolai Amrehn – Kontrabas dhe Jeroen Truyen – Bateri. Koncerti mbahet në Kino Armata, ora 21:00.

Për të përmbyllur festivalin, më datë 06 Maj është rezervuar Derya Cenk Enver Trio, në përbërje me: Derya Türkan – Kemençe, Cenk Erdogan – Kitarë dhe Enver Muhamedi – Kontrabas. Koncerti mbahet në Kino Armata, ora 21:00.

Prishtina Jazz Festival është një ngjarje e rëndësishme për kulturën dhe muzikën në Kosovë, andaj ky festival do të sjellë një atmosferë të veçantë në qytetin e Prishtinës dhe do të jetë një përvojë e paharrueshme për të gjithë ata që e vizitojnë.

Koncertet do të mund t’i ndiqni duke siguruar biletat tuaja online në www.rave-travel.com.

Festivali vjen nën patronatin e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com

Artpolis sjell edicionin e 11-të të Festivalit FemArt nën moton “Kalle Tutën”

Artpolis, përmes Festivalit FemArt, edhe sivjet pasuron skenën kulturore të Kosovës me aktivizëm artistik të nivelit botëror, krahas prezantimit dhe mbështetjes së skenës vendore dhe rajonale.

Më 15-21 maj, 2023 në Prishtinë dhe Mitrovicë do të realizohet edicioni i 11-të i Festivalit Ndërkombëtar të Artisteve dhe Aktivisteve – FemArt, i cili vjen nën moton “Kalle Tutën”.

“Kalle Tutën” vjen si thirrje për të flakur tutje tutën, me i dhënë mundësi të resë, guximit dhe dashnisë që të lindë.

Guximi është parakusht që të mposhtim frikën. Për shumë gjatë na mësuan të heshtim, është koha të guxojmë të flasim. Do të flasim dhe do të kallim tutën guximshëm e me dashni edhe në edicionin e 11-të të Festivalit FemArt.

“Më 15-21 maj, 2023 dhe çdo ditë tjetër do të flasim edhe për gratë që nuk dëgjohen, edhe për vajzat që ëndërrojnë. Kemi kaq shumë për të thënë përmes shfaqjeve teatrore, paneleve të diskutimit, ekspozitave, konferencave, performancave, punëtorive dhe këngëve e kërcimit”, thuhet në njoftim.

“Arti dhe aktivizmi janë hapësira jonë e lirisë, e rrëfimit mbi jetën, kuriozitetit dhe magjepsjes sonë të pafund. Përmes artit tonë themi atë që mendojmë dhe besojmë, e përmes diversitetit tregojmë se kush jemi. Dallimet tona etnike, fetare, racore e gjinore përbashkohen rreth feminizmit tonë edhe në këtë edicion të FemArt. Kemi vullnet të rimarrim atë që na takon – jetën e përmbushur. Do ta bëjmë tash! Me guxim për çlirim”, thuhet tutje.

Kalle tutën nga patriarkati! Kalle tutën e paragjykimit! Kalle tutën e dështimit! Kalle tutën nga gjithçka që të ndalon të lëvizësh. Mjaft kemi qëndruar një hap prapa! Bashkë e kallim tutën! Bashkë zhvendosemi një hap para! 

Prandaj, guxo të lëvizësh edhe në errësirën e natës. E nëse ke frikë të lëvizësh në errësirën e natës, së bashku e ndriçojmë qytetin! Guxo e kalle tutën për me i lënë vend dashnisë për veten dhe të tjerët!

Gratë artiste do të bëjnë hapjen e Festivalit FemArt përmes shfaqjes “Fefu dhe Shoqet e Saj”, produksion i veçantë nga Artpolis dhe premierë në edicionin e 11-të të Festivalit. I gjithë ekipi në krijimin e kësaj shfaqje përbëhet nga artiste të dëshmuara të skenës teatrore kosovare, përfshirë këtu edhe Trupën Artistike Rezidente të Artpolis me regji të Arlinda Morinës. 

“Fefu dhe Shoqet e Saj” do të prezantohet më 15 maj nga ora 20:00 në Menzën Ramiz Sadiku.

Ndër të tjera publiku në Kosovë do të ketë rastin të shikojë shfaqjet e prezantuara në Festivalin prestigjioz të Avignonit; “Jogging” nga Libani, dhe “Olympe Et Moi” nga Franca, me artistët e nivelit botëror Hanane Hajj Ali, Patrick Mons dhe Veronique Ataly.

Përveç tyre, pjesë e FemArt do të jetë Trupa Artistike nga Izraeli të udhëhequr nga një prej producenteve më të njohura në botë, Yu Jingyi, dhe aktori dhe artisti multidisiplinar Yehezkel Lazarov. Përveç prezantimit të shfaqjes “The Superfluos Man – Oblomov” ata do të ndajnë përvojën dhe njohuritë e tyre përmes një punëtorie dhjetë ditore me artistë nga Kosova, duke krijuar kështu një urë lidhëse të rëndësishëm ndërmjet dy vendeve duke bashkëpunuar me artistët e Trupës së Artpolis dhe Noah Dance Company që do të rezultojë me shfaqjen e përbashkët në natën e fundit të festivalit.

“The Superfluos Man – Oblomov”, e prezantuar në “Isra-Drama: Ekspozimin Ndërkombëtar të Teatrit Izraelit”, është një përshtatje e klasikut rus Oblomov që ngre pyetjen: A ka të drejtë njeriu të jetojë jetën e tij pa lënë gjurmë?

Në këtë edicion sjellim tingujt latin përmes koncertit të La Chica-s, e cila sjell temperamentin dhe entuziazmin shpirtëror venezuelas, të përzier me ndikimin multikulturor, urban dhe modern parisien. Në muzikën e saj ndërthuren zhanret e ndryshme si pop, hip-hop, ritëm dhe bluz, muzikë latine, muzikë afro-karaibe dhe ndikimi i muzikës klasike të Debussy-t që vjen në tri gjuhë; spanjisht, frëngjisht dhe anglisht.

Këtyre iu bashkohen edhe artiste/ë dhe aktiviste/ë nga Sllovenia përmes shfaqjes “Pesë Llojet e Heshtjes”, me regji nga Maša Pelko, Polonia “Gruaja dhe Jeta” me regji të Piotr Łukaszczyk, Serbia “Vajzat” me regji të Milena Bogavac, si dhe DJ nga Bosnja dhe Herzegovina Marina Mimoza.

E rol të rëndësishëm luan sivjet edhe skena artistike vendore, fuqizimi i së cilës është një nga synimet kryesore të Festivalit FemArt, që nga themelimi. FemArt, e krijuar nga gratë për gratë, hapësirë të veçantë iu jep edhe sivjet artisteve dhe aktivisteve vendore, prezantimit dhe promovimit të punëve të tyre.

Pjesë e Festivalit është edhe filmi “Vera Andrron Detin” nga Kaltrina Krasniqi, që ka rrëmbyer dhjetëra çmime të rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare, i cili shoqërohet me një panel diskutimi në mes artisteve që e krijuan filmin dhe publikut në Kino Armata.

Në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar do të prezantohen shfaqjet “Gratë” me regji të Nastazja Domaradzka, si dhe “Molly” me regji të Sibel Abdiu. Kurse në bashkëpunim me Teatrin e Qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu” do të prezantohet shfaqja “Deni dhe Deti i Thellë i Kaltër” me regji të Ana Bateva. E sivjet bashkëpunimi vazhdon me Teatrin Oda, Teatrin Dodona, Teatrin e Qytetit të Mitrovicës, dhe Pallatin e Rinisë. Kurse tek Klubi i Boksit sjellim ekspozitën “Status” nga Mimozë Sahiti, me kurator Albert Heta.

Ndërsa tek Dispanzeri afër QKMF-së në Prishtinë do të prezantohet shfaqja “Sober” me regji nga Butrint Pasha, në të cilën luajnë aktorët e Trupës Artistike Rezidente të Artpolis.

FemArt sjell në Bibliotekën Kombëtare konferencën “Kalle Tutën: Një Konferencë për Jetesë të Guximshme”, që bën bashkë artiste/ë, aktiviste/ë dhe personalitete të shquara në këto panele diskutimi: “Përtej paragjykimeve: Fuqizimi i grave për të tejkaluar stereotipet në vendimmarrje në art dhe në kulturë”, “Paqja dhe siguria: Kapërcimi i frikës dhe ndërtimi i komuniteteve të qëndrueshme”, “Thyerja e stigmës: Shëndeti mendor dhe mirëqenia në kohë sfiduese”.

Në Mitrovicë programi i FemArt realizohet në bashkëpunim me 7 Arte, si dhe Muzeun e Mitrovicës. Aty do të prezantohen dokumentari dhe paneli i diskutimit Biba May “Jo Më” produksion nga Artpolis, shfaqja “Gratë”, si dhe performanca “Olympe et Moi”.  

Edicioni i 11-të do të përmbyllet me koncertin e tre emrave të njohur në skenën e muzikës vjeneze Rina Kaçinari Trio, në përbërje të Rina Kaçinarit, Carles Muñoz Camarero dhe Jörg Mikula, me mysafir special Kori i Grave “Okarina”. Kjo treshe do të prezantojë në FemArt kompozime origjinale që përshkruajnë momentet e ndryshme të jetës trishtimin, dashurinë dhe lumturinë.

Ditët në vazhdim FemArt do të ndajë me ju detajet e programit, përfshirë edhe konceptet e aktiviteteve, për të cilat mund të informoheni në rrjetet sociale dhe webfaqen e Festivalit. / KultPlus.com

ChopinPianoFEST bënë publike datat e edicionit të 13-të, sjell në Prishtinë pianistë të shquar

ChopinPianoFEST Prishtina, festivali muzikor i vlerësuar shumë nga kritika, media, fansat dhe audienca në rritje si një prezantim i shkëlqyer i mjeshtërisë së pianos po sjell edicionin e 13-të me radhë, përcjell KultPlus.

Organizatorët e festivalit tashmë kanë bërë publike edhe datat e këtij edicioni e që përfshijë një muaj. 9 Maj – 9 Qershor është kohë që është rezervuar për të sjell para jush koncerte të mrekullueshme nga artistë tejet të veçantë.

Festivali që përgjatë gjithë këtyre viteve ka ofruar interpretime si nga pianistë me famë botërore ashtu edhe nga talentet vendore dhe shërben si platformë shkëmbimi kulturor mes artistëve kosovarë dhe artistëve që vijnë nga vende të ndryshme të botës, njejtë do të veprojë edhe këtë vit.

Muzika është gjuha e përbashkët e komunikimit dhe bashkëpunimit dhe festivali ka pritur edhe muzikantë nga vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.

Edicioni i 13-të i Chopin Piano FEST Prishtina 2023 do të mbledhë pianistë të shquar vendas dhe ndërkombëtarë që interpretojnë jo vetëm veprat e Chopin-it, por edhe kompozitorë të tjerë të njohur, klasikë dhe bashkëkohorë që interpretojnë ansamble piano solo dhe piano (trio, duo, sekstet) repertor, duke përfshirë koncerti për piano me Filarmoninë e Kosovës.

Festivali promovohet gjithashtu nga EFA (Asociacioni Evropian i Festivaleve) http://www.efa-aef.eu/en/home/ dhe është pjesë e Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Chopin (IFC) e lidhur me UNESCO-n. / KultPlus.com

Zbulohen datat e mbajtjes së edicionit të dhjetë jubilar të festivalit “Mirëdita, dobar dan”

Edicioni i dhjetë jubilar i festivalit “Mirëdita, dobar dan”, ngjarje kjo unike kulturore që organizohet në Prishtinë dhe Beograd që nga viti 2014, po vjen me edicionin e radhës, përcjell KultPlus.

Organizatorët e festivalit, tashmë kanë bërë të ditur edhe data se kur do të mbahet festivali.

““Mirëdita, dobar dan” do të mbahet këtë vit nga 4 deri më 6 maj në Kosovë, me prezantimin e skenës kulturore, artistike, e shoqërore të Serbisë dhe me diskutimin e çështjeve kritike që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe të ardhmen në një periudhë sfiduese për të dy shoqëritë”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Kuarteti “Aureum” në përmbylljen solemne të festivalit “Skupi KamerFest”

Mbrëmjen e së dielës, në sallën e muzeut të luftës maqedonase, u mbajt koncerti i tetë me radhë i festivalit të muzikës kamertale “Skupi KamerFest”, nën organizimin e shoqatës “Muza” – Shkup, dhe me mbështetjen e ambasadës austriake.

Ky koncert, i fundit për këtë edicion, si një përmbyllje solemne e tërë aktiviteteve e mbrëmjeve muzikore që pasuan në dy muajt e shkuar, të dielën solli para publikut shkupjan një koncert jo të përditshëm, një kuartet saksofonësh, nga Austria, të njohur si “Aureum Saxophon Quartett”, në përbërje të Martina Stückler (sopran saksofon), Johannes Weichinger (alt saksofon), Viola Jank (tenor saksofon) dhe Lukas Seifried (bariton saksofon). Ky kuartet ka performouar në festivale ndërkombëtare të mbajtura që nga Gmunden e deri në Stamboll. I përbërë nga një grup të rinjësh, ata kombinojnë dhe sjellin para publikut muzikën klasike, jazz, dhe muzikën popullore duke lidhur tradicionalen me modernitetin.

Pikërisht në këtë frymë, dhe duke i qëndruar besnik vet formacionit të tyre kamertal, po edhe karakterit të vet festivalit, ky kuartet saksofonësh, publikut të pranishëm i ofroi një mbërmje mbresëlënëse me paraqitjen e tyre skenike, që në çdo aspekt ishte diçka jo e zakonshme për vendin tonë, ndërthurja e programit të tyre por edhe komunikimin i tyre me publikun nëpërmjet bisedës, ndarjes së informacioneve, e vet vizualzimit fizik të programit nga ana e tyre.

Kuarteti i saksofonave “Aureum” solli pjesë nga krijimtaria e kompozitorëve të njohur botëror të epokave të ndryshme kohore, stileve dhe zhanreve, nga ajo e klasicizmit deri tek ajo në shekullin XX, në përshtatje apo origjinal për këtë formacion.

Pjesa e parë e koncertit përfshiu veprat: Bramboracy Marsch nga F. Bramböck, tri kohë nga suita Aus Holbergs Zeit (Praludium, Sarabande, Rigaudon) nga E. Grieg, në përshtatje për kuartet saksofonësh nga Maarten Jense), kohën e tretë Rondo, nga sonata për piano no. 8 në c-moll op.23 nga L. van Beethoven, në aranzhim të Leonhard Paul, Grid (Excerpts) nga G. Resch, Knödelpolka nga Ch. Dienz, në aranzhim nga Johannes Weichinger, Spain nga Ch. Corea, aranzhuar nga Philippe Marillia. Pjesa e dytë vazhdoi me interpretimin e një kënge tradicionale Weingalopp në aranzhim të R.Pietsch së bashku me Aureum, “Meraner Jodler, Steirer, Ischler Schleuniger” poashtu në aranzhim të R. Pietsch, Surivisation nga Ch. Maurer, Song for Japan nga S. Verhelst, aranzhim nga Tetsuya Watanabe, Libertango nga A. Piazzolla, përshtatur nga vet Aureum, si dhe Imaginary Dances nga P. Geiss.

Koncerti i kuarteti “Aureum” mund të përshkruhet i tillë me një energji pozitive dhe  frymëzues, ku finesa e stilit të tyre të interpretimit i pasqyronte karakteristikat individuale të të gjithë interpretuesve, e njëkohësisht e theksonte unitetin e tyre. Me frazime delikate, nuanca dinamike dhe temperament ata sollën interpretim me shumë shije, sugjestive dhe piktorale – nëpërmjet të gjitha mundësive që i ofronin instrumentet, ata nxorën në pah të gjitha karakteristikat, principet dhe vlerat estetike të stileve dhe epokave kohore nga programi i interpretuar.

Koncerti i kuartetit të saksofonave “Aureum”, ishte një përmbyllje më se e qëlluar e edicionit të pestë të festivalit të muzikës kamertale “Skupi KamerFest” – festival i cili me organizimin e tij ka shtuar një numër të madh të organizimeve në  pasurimin e jetës kulturore, artistike të qytetit të Shkupit. Publiku besnik i festivalit, i cili jo vetëm në këtë koncert, por në të gjitha të mëparshmet e këtij edicioni ishte i pranishëm në numër të madh, dëshmon për punën dhe shijen e rafinuar artistike të festivalit. Koncerte të tilla, por edhe të ngjashme kërkojnë gjithmonë mbështetje dhe jetëgjatësi – gjithmonë me parimin për frymëzim dhe përparim edukativ-kulturor të shoqërisë dhe jetës sociale. / KultPlus.com

“Vera andrron detin” shpërblehet me çmim në festivalin “Magma” në Itali

Filmi kosovar i metrazhit të gjatë artistik “Vera andrron detin” me regji të Kaltrina Krasniqit, është shpërblyer me çmimin e “Best Debute Film”, në edicionin e 21-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër “Magma”, në Sicili të Italisë, të mbajtur përgjatë datave 7-19 nëntor 2022, përcjell KultPlus.

“Vera andrron detin” do të shfaqet në Romë në kuadër të Balkan Film Festival, më 30 nëntor 2022.

Ndërsa projekti i ardhshëm i regjisores Kaltrina Krasniqi dhe skenaristes Dori Basha, “Zbardhje”, është njëri nga 11 projektet e përzgjedhura në mesin e 500 aplikimeve në nivel botëror, i cili do të marrë mbështetjen e Hubert Bals Fund të Fesitvalit Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam të Holandës. / KultPlus.com

Kori Siparantum do të përfaqësojë Kosovën në Portugali, në mesin e 17 shteteve të botës

Kori Siparantum do të përfaqësoj Kosovën në Festivalin Internacional të Koreve “Lisbon Sings” – Portugali, në mesin e 22 koreve nga 17 shtete të botës, aktivitet ky që është pjesë e “WORLD’S BEST CHOIRS Rankings of the Top 1000 Choirs and Ensembles”, ku tashmë Kori Siparantum është pjesë e saj. Festivali do të mbahet nga data 09-14 Nëntor.

“Jemi tejet të lumtur që do të përfaqësojmë vendin tonë në këtë festival tepër të rëndësishëm të muzikës korale. Përpos sfidave dhe sakrificave që ballafaqohemi, falë punës, përkushtimit maksimal dhe dashurisë për vendin tonë, ne po ia dalim suksesshëm. Kemi punuar gjatë dhe me shumë përkushtim për këtë program, shpresoj që do të kthehemi me suksesin e radhës. Ne tashmë e kemi dëshmuar këtë”, thotë Memli Kelmendi, dirigjent i korit.

Kori Siparantum garon në dy kategori: Competition in Category A1 – Choirs of Mixed  Voices – Difficulty Level I (Kategoria më e vështirë e festivalit) dhe Competition in Category S – Sacred Choral Music a cappella. 

Përpos këtyre dy aktiviteteve Kori do të jetë pjesë e koncertit Friendship Concert e cila do të mbahet në sallën e njohur Universidade de Lisboa – Aula Magna (Universidade de Lisboa – Aula Magna Universiteti i Lisbonës (Universidade de Lisboa) është universiteti më i madh dhe më prestigjioz në Portugali dhe është një nga universitetet kryesore të Evropës). 

Rikujtojmë që Kori Siparantum është shpërblyer me pikët maksimale në Festivalin Internacional të Koreve “The Golden Lime of Tuhelj” Kroaci, duke i sjellur vendit tonë “Medalje të Artë”; Fitues i kategorisë “ Musica Contemporanea” në garën më të madhe të koreve në botë, WORLD CHOIR GAMES (2021) dhe Diplomë të Artë; Fitues i dy vendeve të para (Kategoria F dhe Kategoria G) në Europian Festival for Young People, Belgjikë.  Kori Siparantum ka qenë pjesë e skenave të mëdha në mesin e tyre, salla më e njohur “Berlin Philharmonie” që ndryshe konsiderohet ëndërr e çdo artisti. / KultPlus.com

Eda Zari sjell festivalin e jazz-it në Tiranë

Për të apasionuarit e muzikës jazz, në Tiranë do të vijë festivali Jazz & Wine International Festival Albania.

Ky festival jazz-i do të sjellë në Tiranë artisten Eda Zari dhe miqtë e saj artistë, nga vende të ndryshme të botës. Ky edicion i Jazz & Wine, me moton “Tingulli dhe fjala si një palimpsest”, vjen në kuadër të “tetorit gjerman”.

Së bashku me kolegë të tjerë, Eda Zari do të interpretojë mbrëmjen e datës 28 tetor, në Qendrën Kulturore të Katedrales Orthodhokse Tiranë.

Me të do të jetë Rhani Krija, artist me të cilin prej më shumë se dy dekadash, Zari ka krijuar një simbiozë melo-ritmike unike, kimi që ka rivitalizuar repertorin e këngëve tradicionale shqiptare.

Rhani Krija, zotëron çdo instrument perkusiv. Ai ka lindur në Marok por jeton e krijon në Këln të Gjermanisë. Krija ka realizuar turne koncertale me yje botërore dhe vlerësohet jashtëzakonisht në skenën ndërkombëtare, ku shquhet për duart magjike dhe sensin e pakrahasueshëm ritmik. Ai ka luajtur me Sting, Peter Gabriel, Annie Lennox, Herbie Hancock dhe Prince, Lady Gaga etj.  Sipas tij “Muzika tradicionale shqiptare, është një pasuri për muzikën botërore”.

Në këtë natë “Jazz dhe Poezi”, artistja, e cila këtë herë do të performojë në skenë edhe me djalin e saj Henning Jung, bashkon ‘creme de la creme’ të skenës aktuale të xhazit për të formuar një septet unik, botë orkestrale, ritme dhe poezi, të bashkuara në një ngjarje zanore kinematografike. Një varietet shpërthyes, i sofistikuar dhe tërheqës.

32 vitet e Eda Zarit mes shqipes dhe gjermanishtes tashmë, na sjellin “një shkëlqim të fshehtë ”brenda “Palimpsestit” të mendjes dhe zemrës, Lasgush Poradecit dhe Heinrich Heine-s. / atsh / KultPlus.com

U mbajt festivali multietnik “BallkanFest 2022”

Festivali kulturor multietnik i këngëve tradicionale, i folklorit dhe i valleve “BallkanFest – Republika e Kosovës” u mbajt këto ditë në Prizren.

“BallkanFest”, i shtati me radhë, u mbajt me 8 tetor, në Kino Lumbardhi në Prizren dhe u konsideruar si një edicion shumë i suksesshëm

Festivali tuboi pjesëmarrës nga të gjitha komunitetet e Republikës së Kosovës, dhe mbi 200 interpretues nga shoqëritë kulturore dhe artistike nga vendet fqinje – Republika e Shqipërisë (Ansambli “Mirëdita”), nga Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia etj.

Festivali u organizua nga Shoqata për Kulturë “PLEJADA – Prizren”, në mbështetjen e Zyrës së Presidentes të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Kulturës, Zyrës për Çështje të Komuniteteve pranë Zyrës së Kryeministrit dhe Drejtorisë së Kulturës së Prizrenit. Vetëm zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi dhe zëvendësministri i Kulturës Sylejman Elshani morën pjesë në këtë ngjarje kulturore.

“Qëllimi i këtij festivali unik është promovimi dhe ruajtja e këngëve tradicionale, folklorit, valleve, diversitetit kulturor dhe trashëgimisë kulturore”, tha drejtori i festivalit, “BallkanFest –2022”, Hermin Memishi i cili tutje shtoi: “Ballkan Fest bashkon të gjitha komunitetet e Republikës së Kosovës në një vend së bashku me shumicën e shteteve Ballkanike, ku krijon harmoni multienike dhe tolerancë ndëretnike ndërmjet të gjitha komuniteteve dhe dërgon një porosi paqeje si në Kosovë ashtu edhe në mbarë Ballkanin.” / KultPlus.com

Barefoot një festival më ndryshe se të tjerët

Barefoot Festival është një eco-festival i muzikës, artit, natyrës, ushqimit vendas dhe edukimit mjedisor, që synon të nxisë e të vërë në lëvizje transformimin ekologjik afatgjatë të industrisë së argëtimit në Shqipëri.

Gjatë tre ditëve të festivalit do të organizohen workshope edukative inovatore, bashkëpunime artistike, ndarje përvojash e shkëmbime idesh, tinguj stimulues dhe energji pozitive.

Provoni diçka që nuk e keni bërë kurrë më parë, kaloni kohë cilësore me familjen, takoni miq të rinj me mendje të njëjtë. Ju mirëpresim ju dhe diellin për një fundjavë argëtimi dhe mësimi. Më 7 – 8 – 9 tetor merrni miqtë dhe shkoni te Liqeni i Tiranës.

Ky aktivitet u organizohet në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen e Kongresit Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë. /atsh /KultPlus.com

Me muzikë, shfaqje e ekspozitë, mbrëmë u bë hapja e festivalit “Summer Cult”

Me muzikë, shfaqje e ekspozitë, mbrëmë në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” u bë hapja zyrtare e festivalit “Summer Cult”.

Ngjarja filloi me shfaqjen teatrore të dy aktoreve, Arbnore Nuha dhe Blerina Veseli të cilat shkëlqyen para publikut ndërsa vazhdoi me performancën e mrekullueshme muzikore nga Diellza Dedushi dhe Bulza Havolli.

Pjesëmarrësit po ashtu patën mundësi të shohin ekspozitën “Beyond Borders”, një ekspozitë kolektive e artistëve të rinj.

Në hapje të festivalit morën fjalën këshilltari i ministrit Çeku, Liburn Jupolli dhe drejtoresha e festivalit, Elmaze Nura, ndërsa pjesëmarrës ishin regjisorë, aktorë, muzikantë, studentë e qytetarë.

Përgjatë dy ditëve në vazhdim artdashësit do të mund të shijojnë programin e “Summer Cult” i cili përmban ekspozita, punëtori, shfaqje filmash dhe afterparty.

Lokacionet ku po zhvillohen këto ngjarje janë Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, Fakulteti i Arteve dhe Kino Armata.

“Summer Cult” është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Shtatori nis me “Hardh Fest”, Alban Skenderaj performon në natën e parë

Festivali i rrushit “Hardh Fest” është drejt përgatitjeve të fundit për të sjellë edicionin e sivjetmë i cili mbahet në qytetin e vreshtave, Rahovec.

Festivali i cili do të mbahet më 2, 3 dhe 4 shtator në natën e parë do të nis me një performancë të këngëtarit të njohur Alban Skenderaj.

Këtë e kanë bërë të ditur organizatorët e festivalit përmes një njoftimi për media.

“1-2, 1-2, test, test a kemi rrymë? Rikthehemi aty ku e lam’ vitin e kaluar – ALBAN SKENDERAJ në HARDH FEST! Me 2 shtator (E Premte) në skenën e Konakut do të performojë një nga këngëtarët më të kërkuar nga publiku i festivalit, i shumëpritur nga të gjithë Alban Skendera”, thuhet në njoftimin. / KultPlus.com

“Sunny Hill Festival” bën fushatë për liberalizimin e vizave

Sonte nis Festivali “Sunny Hill” ku në natën e parë të festivalit do të performojë edhe ylli Dua Lipa.

Por, pak orë para nisjes së festivalit, nga faqja e Sunny Hill ka nisur një fushatë për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Me moton “Më lër të lirë”, kjo fushatë nis sonte ku qysh në hyrje të festivalit ju mund të pajiseni me për të bërë thirrje për liberalizimin e vizave.

“Sunny Hill Festival ju fton të thërrisni me zë të lartë #Setmefree për një Kosovë pa viza. Njëmbëdhjetë vjet përmes një procesi të bllokuar integrimi, ne jemi të vetmit që nuk mund të kalojmë lirisht kufijtë pa vizë. Por ndërsa BE-ja vendos kufijtë rreth lirisë sonë, ne do të mbajmë imagjinatën tonë të gjallë për t’u lënë të lirë”, shkruan në postim të “Sunny Hill Festival”. / KultPlus.com