‘Derek Haan me miq’ sjellë kryeveprat kamertale në KamerFest

Fotografitë: Neb Zeka
KamerFesti arriti në koncertin e shtatë “Derek Haan me miq” që mbrëmë solli kryeveprat kamertale përmes interpretimit në piano nga Derek Haan nga SHBA-ja, Sihana Badivukun në violinë, Rron Bakallin po ashtu në violinë, Blerim Grubi në violë dhe Frank S.Doodge në violençel, shkruan KultPlus.

Derek Han ishte ai që kishte zënë hapësirë me pianon prapa interpretuesve të tjerë. Në momentin kur ai vendos duart në piano dhuron shenjen e parë të fillimit të këtij koncerti. Herë- herë e vëreje luhatjen e kokës së tij, që e bënte edhe më të thellë praninë e tij artistike në skenë.

Veprat e përbashkëta që erdhën sonte për shkak të afërsisë me koleget Haan i përshkroi si një kthim në shtëpi.

“Është një kremtim i bukur muzikor me të gjithë koleget dhe me një audiencë të mrekullueshme në një festival kaq të mrekullueshëm. Nuk ishte e vështirë që t’i sillnim këto kryevepra bashkë për shkak se ne kemi luajtur edhe më parë së bashku, ishte sikur të kthehesh në shtëpi”, tregoi Haan për KultPlus.

Para Han, ndodhej Sihana Badivuku, e cila rrëshqiste në një melodi të pasur, në një kordinim me Blerim Grubin në violë e Frank S.Doodge në violençel. Dukej që tingulli i secilit nga të tre të shpinte drejt një botë të re muzikore duke sjellë kështu veprat e Brahms, e më pas edhe veprat e Shostakovich.

Frank S.Doodge, interpretimin e tij muzikor e mbështet në lojën e tij artistike në violinçelo ku lëvizte kokën që nga momenti kur nis të jap një melodi, drejt anës tjetër ku përpiqej që asaj melodie t’i jepte drejtim tek publiku. Derisa në interpretimet e fundit mbyllë sytë ndërsa kthen shikimin vetëm kur arrin të jap një tingull. Ai erdhi për të tretën herë në KamerFest dhe tregoj për KultPlus se Kosova është një vend që ka nevojë për shumë mbështetje të kësaj muzike.

“Kosova është një vend ku njerëzit janë shumë të etur për muzikë, për të performuar dhe për t’i përmirësuar kushtet. Është e mrekullueshme të kthehesh në Kosovë dhe të shohësh një entuziazëm kaq të madh nga publiku, andaj koncerte të tilla do duhej të mbështeteshin sa më shumë sepse është një ndër gjërat më të rëndësishme të sistemit të edukimit, e që duhet të merret shumë më seriozisht”, u shpreh Doodge.

Në pjesën e dytë të koncertit skenës së këtyre artistëve me përvojë iu bashkua edhe një violinist më i ri në moshë por që arrinte me meloditë e tij të ecte në një vijë me të tjerët në interpretimin e veprave të Shostakovich.

“U ndjeva shumë mirë të performoj krah profesoreshës time Sihana Badivuku dhe me profesorët e tjerë, duke e parë si një mundësi mjaft të mirë për zhvillimin tim. Ka qenë pak e vështirë për mua si student interpretimi i këtyre veprave, duke e pasur parasysh edhe kohën e shkurtër mirëpo bashkëpunimi me këta muzikantë e bëri këtë gjë shumë më të lehtë”, tha Rron Bakalli për KultPlus.

Koncerti me një tempo graduale arriti që në fund të tij të shpërthej në gjallëri derisa tingujt po lëviznin gjithnjë e më shpejtësi drejt hapësirës.

KamerFest sonte do të sjellë koncertin e tetë me radhë me interpretimin e violines nga Sihana Badivuku dhe Derek Han në piano. Koncerti do të mbahet në Amfiteatrin e Librarisë së Universitetit të Prishtinës duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com

Tetë duar në një piano përmbyllen koncertin e pestë të KamerFest

Nata e pestë e Festivalit Kamertal “Kamerfest” erdhi me koncertin “Piano për duo, quattro, otto” duke sjellë në skenë së bashku pianistë të mëdhenj nga SHBA-ja, Franca, Shqipëria e Maqedonia, shkruan KultPlus.

Në të tri anët e Sallës së Kuqe në Pallatin e Rinisë publiku kishte ngulur sytë në pianistin Derek Han nga SHBA-ja, afër të cilit rrinte pianisti shqiptar Klevis Gjergji. Në sallë erdhën meloditë e kompozuara nga Mozarti e që vinin nga katër duar të këtyre dy artistëve, derisa ndonjëherë mbeteshin vetëm tri duar në piano kur njëri nga ta lëvizte me shpejtësi fletët e partiturës duke i dorëzuar kështu herë-herë melodinë njëri-tjetrit. Nga Mozarti, pianistët përshkuan një udhëtim muzikor tek Schuberti, duke rikthyer kështu përsëri interpretimin e Derek Han pranë të njëjtës piano por i shoqëruar nga krijimi i tingujve të pianistit francez, Bertrand Giraud duke dhënë po ashtu një bashkëveprim me melodi që shpeshtoheshin.

Koncerti erdhi me një ritëm edhe më të fuqishëm kur pranë të dy pianove që ndodheshin përballë, në njërën piano ishte Bertrand Giraud i cili ndonëse kishte një shprehje të qetë fytyre gjatë interpretimit, ai solli mjaft tinguj të fuqishëm së bashku me pianistin nga Maqedonia, Shkëlzen Baftiari. Interpretimi i veprës së Ravel nga këta dy autorë ishte momenti i parë dhe i vetëm ku përdoren të dy pianot e vendosura në sallë pasiqë në vepra e Rachmaninoff, do të ulte së bashku në një piano të tre pianistet Derek Han, Bertrand Giraud dhe Shkëlzen Baftiarin. Mirëpo koncerti arriti kulmin me veprën e Lavignac kur të njëjtën piano e ndanë të katër pianistët që interpretuan gjatë koncertit. Duke mos lenë hapësirë afër njëri-tjetrit por duke e plotësuar në mënyrën më të mirë artistike veprën, lëvizjet e tetë duarve dukej sikur sillnin një valle të bukur melodish.

Derek Han, pianisti nga SHBA-ja, mbrëmë ishte kthyer në edicionin e 18-të pasiqë kishte qenë pjesë e rrugëtimit të parë të KamerFestit në edicionin e parë të tij.

“Është një gjë e mrekullueshme të shohësh KamerFestin pas tetëmbëdhjetë vitesh, dhe të shohësh Prishtinën, të cilën e mbaj mend nga KamerFesti i parë kurse tani është shndërruar në një qytet të madh evropian. Kosova do duhej të ndihej krenare për një festival si KamerFesti dhe për progresin e këtij festivali gjatë këtyre viteve”, tha Han për KultPlus.

Po ashtu Han shtoi se interpretimi i kësaj mbrëmje edhe pse i vështirë të luhej me gjashtë dhe tetë duar, në të njëjtën kohë i solli atij edhe shumë kënaqësi.

Ndërsa pianisti nga Maqedonia Shkëlzen Baftiari, i cili thotë se është familjarizuar me mirëpritjen e publikut në këtë objekt tregoi për realizimin e këtij koncerti.

“Përzgjedhjen e programit e kemi bërë brenda një kohe të shkurtër, ka qenë pak e vështirë sepse janë vepra shumë të mëdha dhe të vështira kurse prova kemi bërë shumë pak, ku jemi takuar vetëm dje dhe sot me një provë. Unë kam kaluar shumë mirë me publikun këtu, ku unë jam gati çdo vit në Kosovë bile njihem edhe me publikun dhe shumicën e njerëzve këtu”, tregoi Baftiari për KultPlus.

Nesër po ashtu në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, duke filluar nga ora 20:00 KamerFesti do të sjellë koncertin e gjashtë me pianistin nga Franca, Bertrand Giraud dhe Klevic Gjergjin nga Shqipëria të cilët së bashku me Orkestrën e Harqeve të Festivalit do të interpretojnë veprat e Poulencit dhe Brittenit./ KultPlus.com

Po vijnë “Ditët e Naimit”

Festivali i Poezisë “Ditët e Naimit” fillon të enjten me pjesëmarrjen e 25 poetëve nga bota.

Shaip Emerllahu, drejtorit i Festivalit “Ditët e Naimit” deklaroi se në ketë edicion të festivalit, përpos orës së madhe letrare, do të promovohen edhe gjashtë libra nga edicioni i kaluar. Emerllahu po ashtu tha se sivjet e kanë konfirmuar ardhjen 25 poetë, nga ShBA është laureati, Xhorxh Uallas, nga Portoriko, Argjentina, Franca, Danimarka, Belgjika, Gjermania etj.

Në natën e parë do të ndahet çmimi i madh “Naim Frashëri.

Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” do të fillojë më 19 tetor dhe do të zgjasë deri më 22 tetor, dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe nga Bashkësia e Pogradecit. / KultPlus.com

Festivali ‘KamerFest’ shpalos programin për këtë edicion

Kosova KamerFest, sonte nisë edicionin e 18-të të tij, shkruan KultPlus. Ky festival i cili përgjatë këtyre edicioneve ka sjellë emra të ndryshëm të muzikës klasike, në një konferencë të mbajtur sot ka shpalosur edhe programin e këtij edicioni.

Këtë vit festivali nisë me një koncert që i paraprinë hapjes së festivalit. Pre-KamerFest koncert do të mbahet sonte në Amfiteatrin e Bibliotekës së re të UP-ës me fillim nga ora 20:00. Ky koncert sjellë sopranon Silvia di Falco dhe pianisten Diana Nocchiero. Në program do të ketë arie botërore siç janë “Donde lieta” nga opera “La Boheme” e Giacome Puccinit. Arie të tjera nga ky kompozitor do të jenë edhe ato nga operat e mirënjohura si “Madame Butterfly” e “Gianni Schicchi”.

Ndërsa hapja zyrtare e Festivalit “Kosova KamerFest” që do të shënohet me koncertin e dytë me radhë, do të bëhet më datë 18 tetor në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, në ora 20:00. Festivali do të vazhdoj tutje me koncertet e radhës, listën e të cilëve po ju sjellim më poshtë.

Festivali i Muzikës Kamertale ‘Kosova KamerFest’ do të zgjasë deri më 9 nëntor. / KultPlus.com



Elhaida Dani ka plane të marrë pjesë në Sanremo Festival (VIDEO)

Një nga ngjarjet në kulturën shqiptare që mban emrin e Elhaida Danit është ajo e Eurosong 2015, ku Shqipëria u përfaqësua me këngëtaren shkodrane, me këngën “I’m Alive”.

Pas shumë polemikave për ndërrimin e këngës fituese në festivalin e RTSH-së, “Diell” me “I’m Alive”, Elhaida dhe i gjithë grupi i festivalit u nisën drejt skenës së madhe europiane duke na dhuruar emocione para dhe gjatë performancës.

Edhe pse jo me një rezultat të mirë, sërish Elhaida mori më të mirën nga kjo eksperiencë dhe vazhdoi “aventurën” e saj në skena të tjera të mëdha si “Notredam de Paris”.

Ajo ishte e ftuar këtë të shtunë në emisionin “Thumb” të Aulonës dhe Fatmës, në ABC Neës ku ka treguar për këngën e re, “Më mbaj”, “Notredam de Paris” dhe sigurisht, për eksperiencën në Eurovizion.

E pyetur nëse ka ndërmend të rikthehet në atë skenë duke qenë se numri i fansave që i kërkojnë sërish pjesëmarrjen në Festivalin Evropian, Elhaida është shprehur se kurrë nuk thotë kurrë dhe s’e nuk i dihet akoma.

“Unë kam thënë që nuk do të marrë më pjesë në kompeticione vokale sepse mendoj që është momenti apo nevoja që unë të shpreh aftësitë e mia vokale. Ama sot, nëse them që nuk kam asnjë plan për të marrë pjesë në kompeticion, nuk do të thotë që nuk kam plan të rikthehem në Eurovizion”, shprehet Elhaida.

Ndërsa pyetjes lidhur me pjesëmarrjen në Sanremo, Elhaida i është përgjigjur duke thënë se ka plane për këtë festival, por për momentin nuk do ta ndajë akoma me ndjekësit e saj, përcjell Blitz.al.

Pra, edhe pse me dyshime, mund të themi se ka mundësi që Elhaida të marrë pjesë në Sanremo dhe pse jo, të presë biletën për në Evrovizion nën flamurin italian./ KultPlus.com

Ka nisur në Tiranë Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut

Në Tiranë ka filluar edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut (IHRFFA), me shfaqjen e filmit dokumentar “Dugma: The Button”.

Temë qendrore e këtij edicioni është “Populizmi dhe Radikalizmi”, ndërsa ceremonia e hapjes së festivalit është mbajtur në ambientet e Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”.

Në ceremoninë e hapjes mbajti një fjalë përshëndetëse edhe ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, i cili theksoi se arti i përket dhe është domethënës për të gjithë njerëzit, pavarësisht sfondit të tyre kombëtar, kulturor apo shoqëror.

“Çdo vjeshtë festivali tërheq artistë, shoqërinë civile, institucionet shtetërore dhe plot të ftuar nga mbarë bota. Elementi i veçantë është se ne vijmë këtu jo thjesht për të vlerësuar artin, por me dëshirën që ky vlerësim të na bëjë të kuptojmë më gjerë dhe më thellë problematikat aktuale të të drejtave të njeriut. Në 20 vitet e angazhimit të vazhdueshëm të OSBE-së në Shqipëri, ne e kemi shpallur zëshëm mbështetjen tonë për promovimin e të drejtave të njeriut. E kemi parë se si aktualisht racizmi dhe nacionalizmi po gjejnë gjithnjë e më shumë terren në Evropë dhe në botë. Kushtet themelore për demokracinë, si respekti për faktet, lirinë e shtypit dhe vlerën e barazisë mes njerëzve, po injorohen në mënyrë flagrante”, u shpreh Borchardt.

Filmat pjesëmarrës janë nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Serbia, Austria, Zvicra, Australia, Spanja, SHBA, Kanadaja, Danimarka, Gjermania, Holanda, Franca, Norvegjia, Republika Çeke, Bullgaria, Rumania, Gjeorgjia, etj. IHRFFA do të vazhdojë deri më 23 shtator, ndërsa Festivali organizohet nga Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe OSBE-së.

Sipas organizatorëve edicioni i 12-të i këtij festivali ka shënuar një shifër prej 3000 aplikimesh, ndërsa janë përzgjedhur 39 prodhime, disa prej të cilëve më çmime në festivale të ndryshme ndërkombëtare.

Tema e këtij edicioni, ku hyrja do të jetë e lirë për publikun, do të trajtohet edhe gjatë debateve, forumeve dhe shfaqjeve të këtij festivali. / KultPlus.com