Ndahen çmimet në Festivalin e Filmit ‘Hyjnesha në Fron’

Edicioni i 17-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, “Hyjnesha në Fron” është mbyllur. Në natën finale të këtij edicioni janë ndarë 10 çmime për dy kategori kryesore: filma të shkurtër dhe filma të gjatë.

Çmimet për filmat e shkurtër:

Filmi më i mirë i shkurtër: Rreth

Skenari më i mirë: Siasar

Regjia më e mirë: The Lady with the Blue Tag

Aktorja më e mirë: Adriana Matoshi

Çmimi special “Hyjnesha në Fron”: The Steak

Çmimet për filmat e gjatë:

Filmi më i mirë i gjatë: Këtu Vallezohet me Hijet

Skenari më i mirë: The Stranger’s Case

Regjia më e mirë: The Stranger’s Case

Aktori/Aktorja më i mirë: Jason Beghe

Çmimi special “Hyjnesha në Fron”: The Last Days of Sulukule/ KultPlus.com

Mbyllet Festivali i Letërsisë Evropiane në Tiranë, festë e kulturës evropiane

Festivali i Letërsisë Evropiane në Tiranë u mbyll mbrëmjen e djeshme pas aktiviteteve intensive si biseda frymëzuese me autorë evropianë, shfaqje nga aktorë shqiptarë dhe një koncert i mrekullueshëm me muzikantë të rinj.

Autori kroat Miro Gavran, i cili vizitoi Tiranën falë mbështetjes së Ambasadës Kroate, hapi aktivitetet e ditës së tretë në bisedë me regjisorin Andi Begolli, me reflektime mbi rrugëtimin e tij nga shkrimtari për fëmijë te dramaturgu dhe romancieri i mirënjohur.

Duke trajtuar temat e vetmisë dhe ndërveprimin e dramës dhe komedisë, ai eksploroi emocione që rezonojnë universalisht. Me mbi 50 vepra, Gavran tregoi se si shkrimi i tij ndërthur përvojat personale me imagjinatën, duke i ftuar lexuesit në hapësira thellësisht intime.

Gjatë bisedës u shijua dhe shfaqja e veprës së tij nga aktorët shqiptarë Luiza Xhuvani dhe Ilirda Bejleri, duke ofruar një eksperiencë unike për publikun.

Ndërkaq, autori italian Paolo Giordano u bë pjesë e FELT falë mbështetjes së Ambasadës Italiane, me sesionin e tij të moderuar nga autori shqiptar Enkel Demi dhe botuesja e tij në shqip Arlinda Dudaj. Duke diskutuar për veprën e tij të fundit “Tazmania”, tashmë e përkthyer në shqip, ai zbuloi se si romani lindi gjatë pandemisë si një përgjigje ndaj trazirave globale – një reflektim mbi shpresën e rreme për të shpëtuar nga vështirësitë e jetës. E përshkruar si një metaforë për të ikur nga e zakonshmja, por duke mos pasur kurrë sukses, Tazmania i fton lexuesit të përballen me realitetin, duke ndezur biseda që provokojnë mendime.

FELT 2024 u mbyll me koncertin e Musica Nova, organizuar në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës. Performanca kremtoi bashkëpunimin dhe pasurinë kulturore të festivalit, duke ofruar një mbyllje të përsosur të tre ditëve të përsosmërisë letrare dhe artistike evropiane.

Në mbyllje të festivalit, delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë falënderoi të gjithë autorët, moderatorët, ambasadat dhe të pranishmit që si u shpreh në një postim në rrjetet sociale, e bënë FELT një festë të vërtetë të kulturës evropiane./atsh/ KultPlus.com

Më 11 dhjetor nis edicioni i dytë i festivalit ‘Aktori dhe Poeti’

Nga 11 deri më 13 dhjetor do të zhvillohet edicioni i dytë i festivalit “Aktori dhe Poeti”, një ngjarje kulturore që mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ky festival mbledh poetë dhe artistë nga vende të ndryshme, duke përfshirë ata nga Italia, Zvicra, Shqipëria dhe diasporën shqiptare.

Hapja e festivalit do të mbahet më 11 dhjetor, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke filluar nga ora 11:00. Në këtë ditë, pjesëmarrësit do të vizitojnë familjen Jashari, duke i dhënë një dimension të veçantë shpirtëror dhe simbolik ngjarjes.

Gjatë festivalit, do të organizohen aktivitete të ndryshme për të promovuar trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të Kosovës. Poetë të njohur dhe artistë kombëtarë e ndërkombëtarë do të performojnë dhe ndajnë krijimtaritë e tyre me publikun.

Festivali i 63-të i Këngës: Publikohen në youtube, 30 këngët konkurruese

Festivali i Këngës në RTSH, një nga ngjarjet më prestigjioze muzikore në Shqipëri, ka hapur sot një tjetër kapitull. Të 30 këngët që do të garojnë në edicionin e 63-të të festivalit u publikuan sot me një koncept vizual shumë modern, tejet të kuruar nga regjisori i festivalit Redi Treni, në kanalin zyrtar të RTSH-së në YouTube, duke i dhënë publikut një mundësi për t’i dëgjuar plotësisht para netëve të Festivalit.

Lajmi u konfirmua së pari gjatë ditës së sotme nga drejtuesja artistike e këtij edicioni, këngëtarja e njohur Elhaida Dani. duke theksuar se këngët do të publikoheshin në formatin e tyre të plotë, me qëllim krijimin e një lidhje më të fortë mes këngëtarëve, kompozitorëve dhe publikut.

Në këtë edicion marrin pjesë 30 artistë, të cilët përfaqësojnë një gamë të gjerë stilesh muzikore, nga baladat te ritmet moderne. Publikimi i këngëve në YouTube jo vetëm që i jep publikut mundësinë për t’i dëgjuar paraprakisht, por edhe për t’u familjarizuar me krijimtarinë muzikore që ata do të vlerësojnë gjatë netëve të festivalit.

Festivali i Këngës në RTSH, i cili këtë vit organizohet nga 19-22 dhjetor, është një pikënisje e rëndësishme për artistët shqiptarë, jo vetëm për të garuar për çmimin e madh, por edhe për të fituar mundësinë për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2025.
Me këngët në platformën online, pritet që fansat të fillojnë diskutimet për favoritët e tyre. RTSH ka krijuar këtë hapësirë për të ofruar transparencë dhe për të nxitur një lidhje të re mes artistëve dhe publikut.

Të gjithë adhuruesit e muzikës janë të ftuar të ndjekin kanalin e RTSH-së në YouTube për të dëgjuar këngët dhe për të filluar një udhëtim të ri muzikor drejt natës së madhe të finales së Festivalit të 63-të. Atmosfera është ndezur dhe emocionet vetëm sa kanë filluar!

Këngët e Festivalit të 63-të në RTSH:

Këngët e Festivalit të 63-të në RTSH
Algert Sala – Bosh
Kompozimi: Algert Sala
Teksti: Algert Sala
Orkestrimi: Kejdi Musta

Alis – Mjegull
Kompozimi: Alban Kondi & Alis
Teksti: Alban Kondi & Alis
Orkestrimi: Eugen Herri

Ardit Çuni – Amane
Kompozimi: Ardit Çuni
Teksti: Ardit Çuni & Stiv Ushe
Orkestrimi: Marsel Gunga

Devis Xherahu – Ka momente
Kompozimi: Devis Xherahu
Teksti: Devis Xherahu & Ertemiona Mejdani & Marly & Santi
Orkestrimi: Shkëlqim Dule

Djemtë e Detit – Larg
Kompozimi: Valentin Markvukaj
Teksti: Timo Flloko
Orkestrimi: Valentin Markvukaj

Elvana Gjata – Karnaval
Kompozimi: Elvana Gjata, Luca Luisa Ionela (Minelli), Victor Bourosu
Teksti: Elvana Gjata, Lira Blakaj, Luca Luisa Ionela (Minelli)
Orkestrimi: Viky Red, LOUD

Endrik Beba – Ishe Ti
Kompozimi: Endrik Beba
Teksti: Endrik Beba
Orkestrimi: Xhulio Milloshi

Epos – Kurajo dhe zjarr
Kompozimi: Algert Kashari
Teksti: Algert Kashari
Orkestrimi: Algert Kashari & Armand Broshka

Erma Mici – Mbaje
Kompozimi: Kledi Bahiti & Erma Mici
Teksti: Rozana Radi
Orkestrimi: Kledi Bahiti

Frensi Revania – Rreziko
Kompozimi: Alban Male
Teksti: Frensi Revania & Alban Male
Orkestrimi: Alban Male

Gjergj Kaçinari – Larg jetës pa ty
Kompozimi: Gjergj Kaçinari
Teksti: Gjergj Kaçinari
Orkestrimi: Gjergj Kaçinari

Gresa Gjocera – E vërteta
Kompozimi: Endrit Shani
Teksti: Gresa Gjocera
Orkestrimi: Endrit Shani

Jet – Gjallë
Kompozimi: Inis Neziri
Teksti: Elios Shuli
Orkestrimi: Kejdi Musta

Kejsi Jazxhi – Kur bota hesht
Kompozimi: Briz Musaraj
Teksti: Sardi Strugaj
Orkestrimi: Briz Musaraj

Klea Dina – Dashuri ndiej
Kompozimi: Klea Dina & Agron Dina
Teksti: Drenusha Zajmi
Orkestrimi: Duo Bass Records

Kleansa Susaj – Ta dija
Kompozimi: Kledi Bahiti & Kleansa Susaj
Teksti: Pejana Elezi
Orkestrimi: Kledi Bahiti

Laorjan Ejlli & Adelina Correj – A thu!
Kompozimi: Jetmir Mehmedaj
Teksti: Melita Vjerdha
Orkestrimi: Jetmir Mehmedaj

Lorenc Hasrama – Frymë
Kompozimi: Petro Xhori
Teksti: Petro Xhori
Orkestrimi: Irkenc Hyka

Luna Çausholli – Qiell apo Ferr
Kompozimi: Luna Çausholli
Teksti: Ermira Çausholli
Orkestrimi: Endrit Shani

Mal – Antihero
Kompozimi: Mal
Teksti: Mal
Orkestrimi: Mal

Martina Serreqi – Nëse qaj
Kompozimi: Sardi Struga
Teksti: Sardi Struga
Orkestrimi: Arnon

Mihallaq Andrea – Porositë e babait
Kompozimi: Mihallaq Andrea
Teksti: Ardjana Dragoj
Orkestrimi: Gent Myftaraj

Nita Latifi – Zemrës
Kompozimi: Nita Latifi & Lorenc Hasrama
Teksti: Nita Latifi & Lorenc Hasrama
Orkestrimi: Art Lokaj

Orgesa Zaimi – I parë
Kompozimi: Enis Mullaj & Eriona Rushiti
Teksti: Enis Mullaj & Eriona Rushiti
Orkestrimi: Enis Mullaj

Rea Nuhu – Sot
Kompozimi: Rea Nuhu
Teksti: Rea Nuhu
Orkestrimi: Klajv Kajno, Grace Kozeli

Ronaldo Mesuli – N’zemër
Kompozimi: Ronaldo Mesuli
Teksti: Ronaldo Mesuli
Orkestrimi: Enis Mullaj

Santino de Bartolo – Kur nata vjen si bora
Kompozimi: Santino de Bartolo
Teksti: Santino de Bartolo
Orkestrimi: Santino de Bartolo

Shkodra Elektronike – Zjerm
Kompozimi: Shkodra Elektronike
Teksti: Shkodra Elektronike
Orkestrimi: Shkodra Elektronike

Stine – E kishim nis
Kompozimi: Stine
Teksti: Stine
Orkestrimi: Stine

Vesa Smolica – Lutem
Kompozimi: Eriona Rushiti
Teksti: Eriona Rushiti
Orkestrimi: Enis Mullaj/ balkanweb/ KultPlus.com

Shkrimtari Miro Gavran në Festivalin e Letërsisë Evropiane në Tiranë

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë njofton pjesëmarrjen e shkrimtarit kroat Miro Gavran në Festivalin e Letërsisë Evropiane, i cili do të mbahet në Tiranë.

Delegacioni i BE në Tiranë njofton se, Miro Gavran, një ndër shkrimtarët dhe dramaturgët më të njohur kroatë, me vepra të përkthyera në mbi 40 gjuhë dhe të shfaqura mbi 400 herë globalisht, do të jetë pjesë e Festivalit të Letërsisë Evropiane në Tiranë.

Takimi do të zhvillohet më 14 dhjetor, ora 16:00, në Qendrën e Artit “Agimi”. Ky aktivitet do të përfshijë një bisedë të moderuar nga Andi Begolli, si dhe lexime dhe performanca artistike nga Luiza Xhuvani dhe Iliarda Bejleri.

Delegacioni i BE-së fton qytetarët të marrin pjesë në këtë event të veçantë, që ndërthur letërsinë dhe artin bashkëkohor.

Rikthehet Festivali Teatror për të rinj

Rikthehet për të tretin vit Festivali Teatror “Hapat”, si një mundësi promovimi për aktorët, regjisorët, skenografët dhe kopmozitorët e rinj. 12 milion lekë për 11 shfaqje, që do të ngjiten në skenë nga nesër deri në fund të kësaj jave, ku nuk do të mungojë vlerësimi për talentet e reja.

Në këto tre vite, nuk kanë qenë të pakët ata artistë të rinj, që janë zbuluar, dhe ky festival ka shërbyer si trampolinë për të qenë pjesë e produksioneve të tjera të rëndësishme teatrore.

Një nga pjesëmarrësit, Rafael Hoxhaj në këtë festival vjen si regjisor i shfaqjes “Hanë Gjaku”.

11 shfaqjet teatrale do të interpretohen në tre skena, në atë të Teatrit Eksperimental “Metropol” dhe në Universitetin e Arteve./tvklan/ KultPlus.com

Festivali i Teatrit Shqiptar `Moisiu` vjen në Prishtinë

Ministria e Kulturës ka njoftuar se Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” pas Shkupit dhe Tiranës vjen në Prishtinë.

Në njoftimin e MKRS thuhet se edicioni i radhës do të mhahet nga data 20 deri më 27 nëntor, i cili do të sjellë përplot shfaqje, dhe një festë të teatrit në Kosovë.

Festivali “Moisiu” ka nisur si iniciativë e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit, që qytetarët e tri vendeve të kenë mundësi të shohin shfaqjet dhe prodhimet e tri teatrove./ KultPlus.com

Përmbyllet PriVocal Fest, ‘PRO ARS’ sjellë vepra unike nga muzika e vjetër maqedone

Vjollca Duraku
Foto: Rrahman Osmani

Me koncertin “12 Months” të Korit PRO ARS Choir, i cili u udhëhoq nga dirigjenti Sasho Tatarchevski, u shënua mbrëmja përmbyllëse e edicionit të shtatë të Prishtina Internatonal Vocal Festival, shkruan KultPlus.

Amfiteatri i Bibliotekës Universitare mbrëmë në përmbyllje të PriVocal Fest mblodhi adhurues të muzikës vokale, për t’u dhënë program me muzikë tradicionale maqedone. Kombinimi i ritmeve tradicionale me një formë moderne interpretimi ishte elementi kryesor i mbrëmjes, e cila erdh me një përzgjedhje tejet të veçantë veprash.

Kënga e parë interpretuese që u dha nga 18 pjesëtarët e Korit PRO ARS ishte “Liljano Mome”. Ishte një harmoni zërash që emetoheshin në sallë duke përcjellë një muzikë, kulturë dhe traditë të re te publiku i PriVocal Fest. Ndërsa “Kiten Nakiten” ishte një interpretim me tinguj interesantë, ritmikë që krijonin gjallëri brenda hapësirës.

Interpretimi në gjuhën maqedone, megjithëse nuk kuptohej për nga gjuha, arrinte qëllimin e tij përmes zërave dhe jehonave të profesionistëve të cilët kishin zënë gjithë hapësirën e skenës. Pikat tjera interpretuese qenë: “Zoshto mi se srdish libe”, “Koce Berberot”, “Po Drum Odam Majche”, “Potrchano”, “Ni Prela Gora, Ni Tkala”, “Dervishko Mome”, “Kinisa Da Oda”, “Cvetinite Ochi”, “Da Vaj Me Mila Mamo”, “Kalajdzhisko”.

Pas koncertit, dirigjenti Sasho Tatarchevski ka thënë se përgatitja e një programi të tillë ka qenë mjaftë sfidues, pasi kishin të bënin me vepra nga folklori maqedon.

“Është quajtur “12 Months” sepse janë 12 këngë dhe të gjitha janë të bazuara në këngët ekzistuese popullore maqedonase.  Disa janë shumë të vjetra, nga traditat e vjetra, disa janë më të reja. Këtë e ka bërë një kompozitor shumë i famshëm maqedonas, Zhivolin Glishikj, në bashkëpunim me PRO ARS Choir. Ai e dinte që do të ishte shumë e vështirë për të kënduar këto pjesë sepse ato janë instrumentale në mënyrën e të menduarit, por ne thjesht donim të bënim diçka që nuk e kishim bërë më parë. Kështu që ne e pranuam këtë sfidë. U desh pak më shumë kohë të përgatiteshim se sa në programet tjera. Në fund është shumë kënaqësi t’i japësh jetë këtij lloj zhanri që nuk është shumë i zakonshëm për rajonin tonë”, ka thënë dirigjenti Tatarchevski.

Ndërsa pjesëtarja e Korit PRO ARS, Elena Vasola, tha se me këto këngë të vjetra në PriVocal Fest është prezantuar Maqedonia.

“Ishte shumë kënaqësi të përgatisnim një program të tillë. Në fillim ishim pak të frikësuar sepse janë pjesë origjinale. Por ja dolëm mirë. Hera e dytë e performancës  ishte edhe më mirë dhe sot mendoj se ishte versioni më i mirë që ne kemi performuar ndonjëherë. Shpresojmë që në të ardhmen do të jemi gjithnjë e më të mirë, sepse e dini që me praktikë vjen madhështia që kemi”, ka thënë Vasola.

Ndërsa drejtori i PriVocal Fest, Hajrullah Syla, tha se programi mbrëmjes kishte kërkesa të mëdha artistike, i cili përfundoi me sukses falë nivelit të lartë profesional të PRO ARS Choir.

“Programi i natës së sotme ishte një program me kërkesa të mëdha, e i cili u realizua në një mënyrë mjaftë të mirë nga kori, për të cilën gjë e përgëzoj korin PRO ARS dhe dirigjentin Sasho Tatarchevski, i cili e ka bërë një punë shumë të mirë me ta. Këtë kor e njoh personalisht sepse në të kauarën kam pasur rastin të punoj pjesëtarët e tij në Shkup. Janë në një nivel mjaftë të lartë profesional dhe kjo është dëshmuar edhe sonte në performancën e tyre”, ka thënë drejtori i festivalit Hajrullah Syla.

Më tej, drejtori Syla tha se mbarëvajtja e festivalit ka shkuar ashtu siç edhe është planifikuar, përveç aspektit prezencës së audiencës në ditët e fundjavës.

“Edicioni i shtatë i PriVocal Fest u përmbyll me mjaft sukses, pavarësisht që nuk kemi qenë mjaft të kujdesshëm me aspektin e ditëve të javës. Kjo ka ndikuar pak te dy koncertet e fundit, që ishin gjatë fundjavës në aspektin e prezencës së publikut, pra nuk ka rezultuar ashtu siç e kam pritur. Megjithatë të gjithë ata që kanë qenë besoj që e kanë shijuar shumë”, ka përfunduar drejtori Syla.

Edicioni i shtatë i Prishtina International Vocal Festival u mbajt nga data 14 deri më 20 tetor, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com

Shfaqja më e veçantë e Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit në vilën “e ndaluar”

Njerëz të thjeshtë, të udhëhequr në një përvojë të veçantë kërcimi nga një koreografe, në një nga vendet më emblematike të shqiptarëve, në vilën 31 në Bllok – ky është thelbi i shfaqjes së sotme të Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit. Me dëshirën për të sjellë një përvojë kolektive që vlerëson diversitetin dhe ripërkufizon nocionin e fuqisë dhe bukurisë, koreografja Ermira Goro krijon “Takime” të njerëzve shumë të ndryshëm për nga mosha, gjinia, etniciteti, trupi, dhe aftësia. Përmes kësaj vepre artistike, ajo ka për qëllim të shkëpusë shikuesit nga ideja që kërcimi realizohet vetëm me trupa “të përsosur”, rinorë, muskulozë, e të trajnuar.

Si i vështirësojnë apo pasurojnë lëvizjet veçoritë e secilit trup? Si transformohet një trup “i pamësuar” nga lëvizjet apo ritmet që nuk i përkasin fjalorit të tij të përditshëm?

Çfarë ndjesish mund të lindin nga kjo përputhje vëzhguese? Përmes eksplorimit të individualitetit dhe shprehjes së studimit të lëvizjes, po ashtu dhe kompleksitetit dhe diversitetit të trupave të performuesve, “Takime” i shtyjnë shikuesit të dallojnë copëza të vetes së tyre në skenë, t’i rivlerësojnë ato, si dhe të rishikojnë kuptimin e “të saktës” dhe “të përshtatshmes”.

Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit të Tiranës ka bërë një ftesë publike që kushdo të merrte pjesë në punën e koreografes së njohur, Ermira Goro. Ftesa ka qenë e hapur për individë të të gjitha moshave, qofshin ata të njohur me artin dhe teknikat e kërcimit, ose fillestarë të apasionuar dhe pas më shumë se një jave me prova, gjithçka është gati për t’u shfaqur nesër përpara publikut në dy orare 16:00 dhe 17:00, në një vend që publikun e bën shumë kurreshtar, sic është dhe vila 31 në ish Bllok./ balkanweb/ KultPlus.com 

Nesër nis festivali i teatrove ‘Gjakovart’

Nesër në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë do të nisë festivali i teatrove ‘Gjakovart’, ku do të marrin pjesë gjashtë trupa teatrale nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në një lidhje të drejtpërdrejt me programin “Mirëmengjesi Kosovë” në RTK, përgjegjësja për media e këtij festivali Yllka Lota ka bërë të ditur se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për edicionin e parë të këtij festival dhe se ai pritet të ngjallë interesim tek publiku gjakovar.

Lota ka bërë të ditur se ky festival fillon nesër dhe do të zgjasë deri më 27 shtator. Festivali do të nisë me shfaqjen e trupës teatrale të Tetovës “Dredhit e Patukut”, me regji të Kushtrim Bekteshit, derisa pjesë e festivalit do të jenë edhe trupa teatrale “Integra” nga Prishtina, teatri “Adriana” nga Ferizaj, teatri ‘Andon Zako Çajupi” nga Korça, teatri i qytetit të Gjilanit dhe teatri ‘Bekim Fehmiu” nga Prizreni.

Festivali folklorik ndërkombëtar, Sako: Durrësi, qendër e aktiviteteve kulturore

Durrësi është kthyer tashmë në qendër të aktiviteteve kulturoro- artistike me organizimin e festivalit folklorik ndërkombëtar.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ndau sot momente nga ky festival me pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Turqia, Polonia, Ukraina Maqedonia e Veriut, Estonia, Italia, Bullgaria, Rumania, Kroacia, Republika Çeke, Serbia, Sllovenia, Bosnja, Sllovakia, Franca etj.

Të gjitha grupet performojnë live dhe kanë në përbërje muzikantë, këngëtarë dhe instrumentistë duke bërë që çdo ansambël të ketë larmishmëri dhe një përfaqësim të plotë të vlerave dhe traditës së vendit përkatës.

Sako theksioi se të tilla evente kulturore dhe artistike janë ndjekur me interes të madh nga ana e artdashësve durrsakë por dhe turistëve të shumtë./atsh/ KultPlus.com

Sonte nis Festivali i Teatrove, bashkon prodhimet teatrale shqiptare

Sonte do të fillojë Festivali i Teatrove në Ferizaj. Sivjet është edicioni i 54-t i cili do të hapet në teatrin “Adriana” me shfaqjen “Mishi i Egër”.

“Festivali në Ferizaj jo vetëm nga vjetërsia e organizimi, por edhe nga aspekti i konkurrencës është festivali i vetëm mbarë shqiptar që për shumë vite e ruan konkurrencën brenda produkteve të mira teatrore. Është rasti i vetëm që qytetarët e Kosovës dhe jo vetëm kanë mundësi të shohin prodhimet më të mira teatrore”, ka thënë Besim Ugzmajli, drejtori i Festivalit në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.

Ugzmajli ka thënë se në planet e tyre është edhe prodhimi i shfaqjes që e ka ekskluzivitetin e premierës për festivalin. Ka njoftuar gjithashtu se Teatri Kombëtar i Shqipërisë, Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Shqiptar në Shkup, Teatrot e qyteteve në Ferizaj, Prizren, Gjilan e Gostivar do të luajnë në skenën e teatrit “Adriana”. Pjesë e programit janë shfaqjet “Audienca”, “Charles III”, “Kamarja e turpit”; “Tartufi”, “Çifti i hapur”, “Turjela” e “Togeri i inishmorit”.

Si çdo vit edhe sivjet FTF do të përballë opinionet me panelet e diskutimit ndër temat “Teatri dhe lufta”, “Modalitetet e mobilitetit të teatrove shqiptare”.

Nuk do të mungojnë as netët muzikore të cilat mbahen në oborrin e teatrit të qytetit. FTF do të zgjasë deri më 6 shtator.

Nesër nis edicioni i 54-t i Festivalit të Teatrove në Ferizaj

Nesër do të fillojë Festivali i Teatrove në Ferizaj. Sivjet është edicioni i 54-t i cili ka jetëgjatësinë më të madhe nga ngjarjet e arteve skenike në Ballkanin Perëndimor.

Nesër do të jetë hapja zyrtare në Teatrin “Adriana” teksa shfaqja e parë që do të jepet është “Mishi i Egër”.

Pjesë e programit janë edhe shfaqjet “Audienca”, “Charles III”, “Kamarja e turpit”; “Tartufi”, “Çifti i hapur”, “Turjela” e “Togeri i inishmorit”.

Si çdo vit edhe sivjet FTF përballë opinionet me panelet e diskutimit ndër temat “Teatri dhe lufta”, “Modalitetet e mobilitetit të teatrove shqiptare”.

Nuk do të mungojnë as netët muzikore të cilat mbahen në oborrin e teatrit të qytetit. FTF do të zgjasë deri më 6 shtator.

Presidenti Begaj merr pjesë në Festivalin e Vajzës: Emocion i veçantë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka marr pjesë në Festivalin e Vajzës në fshatin Vajzë.

Përmes një postimi në facebook, i pari i vendit shqiptar, tha se ishte emocion i veçantë të ishte prezent në këtë event.

“Një emocion i veçantë sot nga mikpritja në fshatin Vajzë, të bekuar nga natyra dhe e shënuar nga historia. Ndoqa me dashuri VajzFest, Festivali i Vajzës, në edicionin e tij të dytë, dëshmi e fuqisë së dashurisë për rrënjët e bijve të Vajzës”, shkroi Begaj.

Festivali i Yjeve në Fushë-Studen, ftohen fëmijët për të eksploruar mrekullitë qiellore

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi ftoi sot të gjithë të apasionuarit pas yjeve që të marrin pjesë në Festivalin e Yjeve që do të mbahet më 31 gusht, ora 19:00, në Fushë-Studen, Parku Kombëtar i Shebenikut.

Muzhaqi shprehet se këtë vit ekipi i bashkisë Librazhd bashkë me shumë mbështetës, po organizojnë Festivalin e Yjeve, për ta ndarë eksplorimin e qiellit dhe Parkun Kombëtar të Shebenikut edhe me ata që nuk janë nga andej.

“Pavarësisht ku kemi lindur, nostalgjia për prejardhjen tonë ndërkohë që rritemi bëhet gjithmonë e më e fortë. Prandaj edhe sa herë të rinjtë më pyesin i tregoj që jam me origjinë nga Polisi, një fshat i Librazhdit”, shkroi Muzhaqi në një postim në rrjetet sociale.

“Diçka që në Librazhd, dhe specifikisht në Parkun e Shebenikut është më bukur se kudo tjetër, është mundësia për të parë yjet, dhe jam shumë e gëzuar që këtë vit ekipi i Bashkisë Librazhd bashkë me shumë mbështetës, po organizojnë Festivalin e Yjeve, për ta ndarë eksplorimin e qiellit dhe Parkun Kombëtar Shebenik edhe me ata që nuk janë nga andej”, theksoi Muzhaqi.

“Në 31 gusht, ora 19:00, në Fushë Studen, Parku Kombëtar Shebenik, mund të bashkoheni edhe ju për të eksploruar qiellin e natës si kurrë më parë,  për vrojtime me teleskop,  diskutime me ekspertë astronomie,  kamping nën yje, astrofotografi, muzikë live, tregime legjendash rreth zjarrit, dhe shumë të tjera”, u shpreh Muzhaqi.

Ministrja theksoi se, hyrja është falas, “kështu që bashkohuni në këtë festival që të përjetoni një eksperiencë mbresëlënëse, larg zhurmave të qytetit”.

Ministri Çeku për çmimin e filmit ‘Si e verdhë e sëmurë’: Arritje tjetër që shpërfaq potencialin e jashtëzakonshëm të shtetit të Kosovës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar pasi filmi “Si e verdhë e sëmurë” nga Norika Sefa ka fituar çmimin e dokumentarit më të mirë të shkurtë në Festivalin e Filmit në Sarajevë.

Ministri Çeku këtë sukses e ka cilësuar si një arritje tjetër, që sipas tij shpërfaq potencialin e jashtëzakonshëm që ka shteti i Kosovës edhe në sektorin e artit dhe kulturës.

“Pas fitoreve të njëpasnjëshme, filmi “Si e verdhë e sëmurë” nga Norika Sefa fiton edhe çmimin dokumentari më i mirë i shkurtë në Festivalin e Filmit të Sarajevës.

Edhe një arritje tjetër që shpërfaq potencialin e jashtëzakonshëm që ka vendi ynë.

Urime Norikës dhe gjithë ekipit, po ashtu Qendrës Kinematografike të Kosovës që ka mbështetur realizimin e këtij filmi”, thuhet në urimin e Ministrit Çeku në facebook./ KultPlus.com

Shpaloset programi i Festivalit të Teatrove në Ferizaj

Këtë vit shënohet edicioni i 54-të i Festivalit të Teatrove në Ferizaj që do të mbahet nga 1 deri më 6 shtator.

Si çdo vit tjetër në Teatrin ‘Adriana’ do të vijnë shfaqje nga jashtë e brenda vendit, në ditën hapëse luhet shfaqja “Mishi i Eger” nga Groan Stefanovski me regji të Martin Koçovski, nga Teatri i Shkupit.

Programi vazhdon për 6 ditë me radhë me shfaqjet ‘Audienca’, ‘Charles III’, ‘Kamarja e Turpit’, ‘Tartufi’, ‘Cifti i hapur’, ‘Turjela’ për ta përmbyllur programin me shfaqjen ‘Togeri i Nishmorit’ nga Martin Mcdonough me regji të Rizeski, nga produksioni i Teatrit ‘Adriana’.

Festivali i Teatrove në Ferizaj filloj rrugëtimin në vitin 1970 duke sjell në Kosovë vazhdimisht aktorë e regjisor nga vendet tjera.

Nis ‘Jehona e Vjosës’, Festivali folklorik në Memaliaj

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro mori pjesë në natën e parë të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Jehona e Vjosës” që mbahet në Memaliaj.

Kumbaro u shpreh se, me këtë festival po krijohet një traditë e bukur që nisi dje e do të vijojë për pesë ditë rresht, me grupe folklorike nga Shqipëria dhe nga Kosova.

“Memaliaj përqafuar nga Vjosa nuk është më qyteza hije anës rrugës, por qyteti ku memaljotët kanë nisur të japin apartamente me qira për turistët dhe të ndërtojnë agroturizme për vizitorët që gëlojnë në gjithë qarkun dhe lëvizin nga një qytet në tjetrin, nga Gjirokastra, Libohova e Dropulli, në Përmet, Këlcyrë, Tepelenë e tani edhe në Memaliaj, për të shijuar më të mirat e kulinarisë, historisë, mikpritjes së ngrohtë dhe natyrës së pashoqe”, u shpreh Kumbaro.

Kumbaro ftoi pushuesit që nëse po vizitojnë Gjirokastrën këto ditë, në mbrëmje të ndalojnë në Memaliaj dhe të shijojnë koncertin dhe aromën e Vjosës.

Rama: Xhubleta shpaloset në festivalin që promovon traditat malësore, ‘Logu i Bjeshkëve”

Xhubleta vjen e shpalosur në të gjitha dimensionet e saj në festivalin tradicional që promovon traditat malësore, “Logu i Bjeshkëve”.

Lajmin e dha sot kryeministri Edi Rama, i cili ndau foto nga kjo veshje shqiptare katërmijëvjeçare.

“Hijeshia e saj mbrohet nga UNESCO, si përkujdesje ndaj kulturës sonë kombëtare me vlera të pasura e të patjetërsueshme”, theksoi më tej kreu i qeverisë.

Në Malësinë e Madhe organizohet eventi i kthyer tashmë në traditë, “Logu i Bjeshkëve”, që bën bashkë artistët, këngëtarët dhe valltarët me fokus promovimiin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore. Ky aktivitet artistik është një shfaqje unike e folklorit dhe xhubletës.

Xhubleta shqiptare katërmijëvjeçare u pranua në 28 nëntor 2022 në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s. Veshja simbol e trashëgimisë tonë është tashmë pasuri e gjithë njerëzimit.

Xhubleta njihet si veshje tradicionale e grave të Malësisë. Dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës u dorëzua në UNESCO, për shkak se veshja tradicionale unike po rrezikonte të humbiste.

Xhubleta është një veshje e punuar me dorë, e veshur nga gratë dhe vajzat në Shqipërinë e Veriut, e karakterizuar nga forma e saj e valëzuar e ziles. Kryesisht e zezë me motive shumëngjyrëshe të qëndisura, procesi i përpunimit përfshin përgatitjen e shajakut, prerjen, qepjen dhe qëndisjen e figurave simbolike. Xhubleta dikur përdorej në jetën e përditshme që nga mosha e pubertetit. Ajo tregonte statusin social dhe ekonomik të mbajtësit. Megjithatë, përdorimi dhe prodhimi i saj ka qenë në rënie gjatë dekadave të fundit për arsye socio-politike dhe ekonomike./atsh/ KultPlus.com

200 artistë të këngës e valles në Festivalin Folklorik të Selenicës

Mbi 200 këngëtarë, valltarë dhe instrumentistë popullorë për tri mbrëmje me radhë e kthyen Kotën në një sofër të madhe të folklorit e këngës tradicionale labe, ku u zhvillua Festivali Folklorik i Bashkisë Selenicë 2024.

22 grupe polifonike u ngjitën në të tri netët e edicionit të dytë të Festivalit Folklorik të Bashkisë Selenicë.

“Si asnjëherë më parë të bërë bashkë kaq shumë këngëtarë të këngës labe, të gjithë bashkë shënuan ngjarjen më të madhe kulturore të zonës duke përcjellë mesazhe të forta të ruajtjes dhe përcjelljes me plot dashuri të trashëgimisë shpirtërore si një nga pasuritë më të mëdha të kulturës jo materiale të zonës” shkroi Bashkia Selenicë në faqen e saj online.

Bashkia falenderoi të gjitha grupet pjesëmarrëse ( konkurues e të ftuar) të cilët me performancat e tyre treguan seriozitet në përgatitje por edhe vlera të qenësishme në këngët e interpretuara. Gjithashtu vlerësoi edhe artëdashësit e zonës, banorët e Kotës sidomos, të cilët për tri mbrëmje ndoqën me shumë kërshëri festivalin duke e kthyer qendrën e Kotës në një mjedis të vërtetë festiv.

Në realizimin me sukses të aktivitetit ndihmuan Qarku Vlorë, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore si dhe Regione Pulia, Itali.

Juria e festivalit e përbërë nga prof. Bardhosh Gaçe, “Mjeshtër i Madh”, Kristo Çipa, ” Mjeshtër i Madh” dhe Bexhet Mahmuti, këngëtar i shquar i Qarkut Vlorë, ndau këto çmime:

  1. Çmimi i Parë – Grupi Polifonik i Sevasterit
  2. Çmimi i Dytë – Grupi Polifonik i Lubonjës
  3. Çmimi i Tretë – Grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit”
  4. Çmimi i Tretë – Grupi i Vllahëve , Selenicë/ atsh/ KultPlus.com

Ministri Çeku: ‘Etno Fest’ pasqyron pasurinë e traditës dhe kulturës shqipe

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se mbrëmë EtnoFesti ka nisur në mënyrën më të bukur, duke ofruar një mbrëmje me performanca artistike që nderojnë trashëgiminë dhe kulturën shqipe.

Ministri Çeku përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook’ ka thënë se të gjitha interpretimet në këtë festival pasqyrojnë pasurinë e traditës tonë.

“Gjallërinë që sjell ky festival në bukurinë e fshatit Kukaj do ta kemi për disa ditë me radhë. Nga ritualet tradicionale të replikuara me saktësi deri tek interpretimet moderne, performancat, shfaqjet, ekspozitat, kënga e vallja që e përcjellin Etno Festin deri në fund, pasqyrojnë pasurinë e traditës sonë. Vazhdojmë mbështetjen tonë në ruajtjen dhe promovimin e artit dhe kulturës”, thuhet”, thuhet në shkrimin e Ministrit Çeku./ KultPlus.com

Festivali ‘Nona’, nis festa e gjysheve shqiptare në Përmet

Në Përmet u çel festivali “Nona”, festa e gjysheve shqiptare.

Atmosfera e krijuar në qytet ishte mbresëlënëse. Pjesëmarrëse në këtë festën, që po kthehet në një traditë tanimë, janë gjyshe nga e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm Përmeti.

Përmes rrjeteve sociale, bashkia e Përmetit ka publikuar foto nga momentet festive ku fëmijë, të rinjtë e të rejat, por edhe të moshuar, shijuan atmosferën e krijuar.

“Nën një atmosferë të magjishme plot muzikë argëtim, surpriza, gatime tradicionale, produkte lokale. Përmeti dhe gjyshet përmetare mirëpritën çdo vizitor dhe qytetar. Atmosfera festive vazhdoi deri në mesnatë duke sjellë argëtim për Përmetin që këto ditë vere është plot”, shkruan bashkia në postim në rrjetet sociale.

Bashkia e Përmetit fton qytetarët nga qytete të ndryshme të marrin pjesë në mbrëmjen e 2-të, e cila premton edhe më shumë argëtim.

Ky është edicioni i pestë i festivalit “Nona”, ku janë planifikuar tre netë festive, Nata e parë u zhvilua të premten , sot është nata e dytë dhe të dielën nata e fundit.

Nis Festivali i Porto Palermos, përvojë e paharrueshme e netëve të verës

Porto Palermo Festival u rikthye këtë sezon veror me edicionin e tij të katërt, ndërsa pritet të sjellë 12 artistë në 12 mbrëmje.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja publikoi momente nga nata e parë e festivalit që mbahet në një nga sitet më të bukura të trashëgimisë historike.

Mbrëmja e parë e Festivalit Porto Palermo, edicioni 4, hapi siparin e netëve artistike që mbahen në kalanë historike me ikonat e muzikës jazz  Elina Duni dhe Eda Zari, shoqëruar nga Rof Luft dhe organizatori Olen Cesari.

“Artistet e mirënjohura u bënë bashkë në një performancë unike dhe të sinkronizuar për t’i dhënë çdo të pranishmi një eksperiencë të paharrueshme këtë natë vere”, shkroi Gonxhja në rrjetet sociale.
.

Aktiviteti artistik mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit duke ndërthurur nga zërat, meloditë, aktrimet dhe performancat e mrekullueshme të artistëve.

Në Porto Palermo pritet të mblidhen emrat më në zë të muzikës bashkëkohore shqiptare, një pjesë e të cilëve tashmë janë artistë që rikthehen për të disatën herë, si psh: Elina Duni e Eda Zari. Në festival do të jetë e pranishme ylli shqiptar i muzikës klasike, Inva Mula, këngëtarë si Marsela Çibukaj, Vitmar Basha, Dren Abazi, por edhe emra nga arena ndërkombëtare si Manuela Villa, Lavinia Mancusi etj. Si në të gjitha edicionet e kaluara edhe krijuesi i Porto Palermo Festival, Olen Cesari, do të interpretojë me violinën e tij, natën e parafundit.

Ky festival synon, jo vetëm të sjellë artistët më të mirë për të performuar në skenën e vet autentike, por edhe të promovojë turizmin e qëndrueshëm kulturor në Shqipëri./atsh/ KultPlus.com

Hapet Festivali i 32-të Ndërkombëtar Folklorik në Varna, në Detin e Zi

Festivali i 32-të Ndërkombëtar Folklorik në Varna filloi të hënën dhe do të vazhdojë deri më 1 gusht.

Pjesëmarrësit e huaj të këtij viti vijnë nga Ukraina, Sllovakia, Mali i Zi, Hungaria, Gjeorgjia, Kina, Timori dhe Shqipëria. Mikpritësit përfaqësohen nga Ansambli Folklorik i Varnës dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore Odessos.

Shfaqjet zhvillohen çdo mbrëmje në orën 21:00 në skenën e Teatrit Veror, ndërsa hyrja është falas.

Të gjitha ansamblet e ftuara u bashkuan në hapjen e titulluar “Together Today and Forever”.

Festivali i së martës, me moton “Udhëtoni nëpër botë”, përfshin hyrjet shqiptare, ukrainase dhe kineze dhe Ansamblin Folklorik Jantra, i krijuar në Budapest në 1996 nga të rinj me origjinë bullgare.

Më pas e kanë radhën interpretuesit nga Sllovakia, Timor-Leste, Mali i Zi dhe Gjeorgjia.

Koncerti gala përmbyllës, i titulluar “Let’s Stay Friends”, do të bashkojë të gjithë pjesëmarrësit së bashku me Ansamblin Folklorik Odessos.

Festivali Folklorik Ndërkombëtar i Varnës filloi në vitin 1992 me iniciativën e Komunës së Varnës, e cila është organizatori kryesor i tij. Ai po tërheq pjesëmarrës nga Evropa, Azia, Afrika dhe Amerika. Festivali është anëtar i Shoqatës së Festivaleve Evropiane dhe i Shoqatës së Festivaleve Folklorike të lidhur me UNESCO-n.