Nis ‘Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë’, do të shfaqen rreth 50 filma nga Ballkani

Në qytetin e Pogradecit nisi sot në mbrëmje “Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë”, ku do të shfaqen rreth 50 filma me metrazh të shkurtër e të gjatë nga i gjithë Ballkani.

Përgjatë pesë ditëve Pogradeci do të kthehet në qendrën ballkanike të filmave, ku marrin pjesë regjisorë, producentë, studentë të kinematografisë nga të gjitha vendet e Ballkanit.

Ceremonia hapëse u zhvillua në “Odeon”, ku edhe u shfaq premierë për qytetarët nga Pogradeci dhe turistët filmi “Spohie” me regji të Eduard Grishaj, i cili ka marrë disa çmime.

Themeluesi i festivalit, Eno Milkani tha për mediet se përveç filmave konkurrentë në netët e festivalit nostalgjikët dhe jo vetëm, do të kenë mundësinë të shijojnë edhe filma të vjetër të restauruar.

“Filmat janë të zhanreve të ndryshëm. Kemi komedi, dramë. Filma që trajtojnë probleme të të rinjve, moshës së tretë. E veçantë do të jetë prezantimi i librit të Stefan Cepalikut për Serafin Fankon, të cilin e njohim të gjithë si aktor, regjisor”, tha Milkani.

Në fund të këtij kompeticioni, që do të mbyllet me datë 29 qershor priten të ndahen çmime për zhanret e ndryshme pjesëmarrëse.

Ky festival është ideuar si një bashkëveprim jo vetëm filmik mes vendesh fqinje, por edhe si një shkëmbim e shijim gastronomik.

Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë po mbahet në Pogradec

Në qytetin e Pogradecit, është duke u zhvilluar edicioni i 12-të i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë. Ky edicion, që nisi në datën 20 qershor, do t’u sjellë qytetarëve të Pogradecit, kineastëve dhe artdashësve nga vendi e rajoni rreth 66 filma: filma të shkurtër, filma animacion, dokumentarë e filma me metrazh të gjatë nga 10 vende të Ballkanit.

Kineastët pjesëmarrës në festival përveç Shqipërisë, vijnë nga Turqia, Kosova, Rumania, Serbia, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Sllovenia e Greqia.

Këtë vit filmat do të shfaqen përgjatë 6 ditëve, në dy lokacione: filmat që janë në program gjatë paradites do të projektohen në kinemanë e qytetit, duke filluar nga ora 11:00, ndërsa për programin e mbrëmjes, bashkia Pogradec ka mundësuar edhe këtë vit Odeonin, vetëm pak metra larg liqenit.

Edicioni i 12-të i Festivalit është mundësuar falë mbështetjes së Bashkisë Pogradec, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Ministrisë së Kulturës. Ky festival është ideuar si një bashkëveprim jo vetëm filmik mes vendesh fqinje, por edhe si një shkëmbim e shijim gastronomik./atsh/ KultPlus.com