Për të 5-tin vit radhazi, Fest Folk i organizuar në Bashkinë Klos, solli një përzierje të festës dhe kulturës lokale për të shënuar fillimin e vjeshtës me begati dhe gëzim.
I pranishëm ka qenë edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili është shprehur se, mes tingujve të muzikës tradicionale, valleve popullore, ushqimeve tipike të zonës, kjo ishte një festë në mbështetje të vlerave të pasura të zonës.
Me “Fest Folk 5” dhe “Panairin e Vjeshtës”, qyteti është kthyer në një pikë të gjallë festimesh ku muzika popullore, vallet tradicionale dhe produktet e stinës kanë krijuar një atmosferë të veçantë.
“Fest Folk Klos” bëri një prezantim të vlerave artistike dhe kulturore të grupeve folklorike vendase dhe të tjera, ndërsa panairi “Vjeshtë në Klos 2024”, prezantoi prodhimet e fermerëve të zonës.
Kryetarja e Bashkisë, Valbona Kola përmes një postimi në rrjetet sociale tha se, në Klos u mblodhën artistë nga çdo cep i Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për të interpretuar muzikë dhe valle popullore, si një rikthim tek rrënjët kulturore.
Artizanët dhe prodhuesit lokalë prezantuan produktet e tyre më të mira të stinës, duke u dhënë mundësi qytetarëve të shijojnë produktet bio, artizanatin unik dhe ushqimet e përgatitura me dashuri nga fermerët, nënat dhe fëmijët e zonës së Klosit.
“Nga grupet muzikore e deri te stendat e panairit, kjo ditë ishte një simbol i bashkimit, punës dhe krenarisë për kulturën dhe natyrën që na rrethon”, tha kryebashkiakja e Klosit, duke falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen./ atsh/ KultPlus.com