12 qarqet gati për në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës

Nën atmosferën e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, që pritet të nisë të shtunën në datë 24 qershor, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, publikoi në rrjetet sociale një album fotosh të bukura nga Festivali Folklorik i vitit 1968.

Fotot janë shkëputur nga filmi “Këngë e valle nga gurra popullore”, me regji të Gëzim Erebarës.

“Vallja devolliçe e djemve” dhe “Kcimi me tepsi” i Tropojës janë 2 nga perlat e trashëgimisë sonë jomateriale që transmetohen brez pas brezi së bashku me kostumet e mrekullueshme kombëtare që janë vlera unikale të traditës sonë.

Ndërsa, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, shpërndau më herët një video me valltarë të trevave të ndryshme shqiptare dhe shkroi se, “edhe katër ditë deri në hapjen e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Të 12 qarqet janë gati. Edhe Gjirokastra po bën përgatitjet e fundit”.

Në përmbyllje të postimit të saj, ministrja Margariti ftoi të gjithë artdashësit duke shkruar se, “24 qershor-1 korrik, të gjithë në kalanë e Argjirosë!” /atsh / KultPlus.com

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës rikthehet në vitin 2023

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka ndarë në rrjetet sociale lajmin se Festivali Folklorik i Gjirokastrës do të rikthehet.

“Viti 2023 vjen me lajme të mira. Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës rikthehet në muajin qershor”, shkruan ministrja Margariti.

Parada e motiveve, ritmeve, ngjyrave, këngëve, valleve, riteve do të shpalosen në paradën që do të zhvillohet në qytetin e gurtë. Ministrja shkruan se përgatitjet për këtë festival tashmë kanë filluar.

Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua në vitin 1968, në kalanë e gurtë të Gjirokastrës. Pres asaj kohe, festivali është zhvilluar çdo pesë vjet.

Vitet `70 mund të konsiderohen edhe si kulmi i pjesëmarrjes në këtë festival, ku pati më shumë se 1 mijë pjesëmarrës të përzgjedhur.

Festivali i Gjirokastrës ka qenë i konceptuar në formën e një gare folklorike, ku deri në festivalin e vitit 1988, janë dhënë çmime për grupet më të mira, ndërkohë që në edicionet e fundit të tij çmimet do të ndaheshin për bartësit dhe interpretuesit e folklorit. / KultPlus.com

Festivali Folklorik i Gjirokastrës, Margariti: Sofra më e madhe e trashëgimisë shpirtërore në pranverën e 2021


Festivali Folklorik i Gjirokastrës, sofra më e madhe e trashëgimisë shpirtërore shqiptare, do të zhvillohet në pranverën e 2021.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila në një video të publikuar shprehet se “ne nuk do ta humbasim traditën dhe festivalin do ja sjellim publikut me gjithë madhështinë e tij. Festivali Folklorik do të zhvillohet në pranverën e 2021”.

“Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës është një ngjarje e madhe dhe e shumëpritur. Tërmeti i 26 nëntorit dhe më pas pandemia Covid-19 ngriti pikëpyetje të mëdha mbi zhvillimin e këtij aktiviteti”, – tha Margariti.

Ministrja Margariti theksoi se “Gjirokastra nuk mund të kuptohet pa Kalanë, Qafën e Pazarit, rrugicat me kalldrëm dhe shtëpitë muze. Por prej dekadash, nuk mund të kutpohet as pa Fesitvalin Folklorik. Kjo sofër bujare ka pritur dhe ka pëcjellë mijëra bartës të kulturës tonë popullore, të traditave më të mira, ato të trashëguara brez pas brezi nga të  gjitha trevat shqiptare”.

“Me të drejtë ky festival është një ngjarje madhe, e shumëpritur, të cilën ne duhet ta sjellim përpara dhe so tia sjellim publikut me të gjithë madhështinë e tij”, – tha Margariti.

Edicioni i parë i këtij festivali është çelur në  11 tetor të vitit 1968 në qytetin muze të Gjirokastrës duke u konsideruar si një festival unikal në ruajtjen, mbrojtjen dhe popullarizimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore në Shqipëri.

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua së pari në vitin 1968 dhe konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme në kulturën shqiptare. Ai zhvillohet çdo pesë vjet në Kalanë e qytetit të Gjirokastrës, Qendrën Historike dhe ambientet e tjera të këtij qyteti. Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës është veprimtaria më e rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale shqiptare. Festivali shfaq muzikë tradicionale shqiptare, veshje dhe valle nga Shqipëria, diaspora dhe tokat e banuara shqiptare në të gjithë Ballkanin dhe Italinë Jugore.

Ky festival ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave më të mira të trashëgimisë sonë kulturore jomateriale, të vlerave etnomuzikore, etnokoreografike, etnografike, (të kostumeve popullore, veglave muzikore, ritet dhe zejet, etj.) të krijuara prej shekujsh nga populli shqiptar të ndërthurura me vlerat e trashëgimisë kulturore materiale që ndodhen në qytetin dhe qarkun e Gjirokastrës.

FFK evidenton vlerat e qytetit të Gjirokastrës, “Pasuri kulturore e njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO, në kuadër të nxitjes së turizmit kulturor dhe synon gjallërimin e jetës kulturore të vendit në përgjithësi dhe të qytetit të Gjirokastrës dhe zonave rreth tij në veçanti.

FFK i Gjirokastrës përcjell në publikun e gjerë kulturën popullore që ruhet dhe zhvillohet në hapësirat mbarëkombëtare shqiptare./ atsh/ KultPlus.com