Nata e fundit e Festivalit Folklorit Kombëtar, Kumbaro: Grupet e Qarkut të Gjirokastrës, pasuri e vyer e folkut tonë

Sot është nata e fundit e Festivalit Folklorit Kombëtar, që ka nisur më 24 qershor dhe vijon deri në datën 2 korrik në kalanë e Gjirokastrës.

Përgjatë 8 netëve, një nga objektet historike me vlera të spikatura, kalaja e Gjirokastrës, është shndërruar në një skenë të hapur për të gjithë qytetarët e vizitorët dhe akesohet falas.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, shkroi në rrjete sociale se, sot është nata e fundit e Festivalit Folklorit Kombëtar por ama s’e fshehu dot që për të, dita e djeshme ishte më e bukura ku performuan me radhë të gjitha grupet e Qarkut të Gjirokastrës”.

“Nga Sazet e Përmetit, te grupi i Kalivaçit e vallet e Dropullit, nga grupi i Picarit tek Ergjeria e Gjirokastrës, grupi i Libohovës dhe i Lazaratit, nga Tepelena në Zagori, grupet e folkut,  na kënaqën shpirtin në kalanë e mbushur përplot” tha Kumbaro, teksa e vlerësoi pasuri larminë e folkut të krejt kësaj ane, që siç tha ajo, “më është aq e dashur”.

Festivali është kthyer në një atraksion turistik, i cili promovon folklorin dhe traditën e vendit tonë. Në festival marrin pjesë grupe nga të 12 qarqet e vendit, por edhe nga vendet fqinje./atsh/KultPlus.com

1949, Kur në Shqipëri mbahej Festivali i parë i këngës folklorike shqiptare (VIDEO)

Festivali Folklorik Kombëtar ishte veprimtaria më e rëndësishme mbarëkombëtare folklorike në Shqipëri. Kjo veprimtari zhvillohej zakonisht në Kalanë e qytetit të Gjirokastrës njëherë në katër vjet.

Në të merrnin pjesë të gjitha grupet folklorike shqiptare si dhe grupe nga shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, si dhe nga arbëreshët e Italisë, Turqisë, Amerikës, Greqisë dhe grupe folklorike nga vende te ndryshme si të ftuar.

Festivalet folklorike organizoheshin fillimisht në qytetin e Tiranës. Të tillë ishin katër festivalet e para folklorike kombëtare, përkatësisht në vitet: 1946, 1949, 1952, 1957.

Festivali i cili u parapriu festivaleve folklorike kombëtare të Gjirokastrës, ishte festivali folkolirik i zhvilluar në Tiranë më 25 – 27 nëntor 1959, me siglën ‘Festivali Kombëtar i Këngës, Muzikës dhe Valleve’.

Në këtë festival morën çmime për herë të parë solistë popullorë si: Laver Bariu, Ndue Shyti, gjithashtu u vlerësuan me diploma të ndryshme rreth 400 pjesëmarrës.

Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua në vitin 1968, më 8 – 16 tetor. Pas këtij festivali të parë, ku morën pjesë të gjitha rrethet e vendit, në çdo pesë vjet (përkatësisht: 1973, 1978, 1983, 1988), në kalanë e këtij qyteti u zhvilluan rregullisht festivale folklorike kombëtare.

Në festivalin folklorik të vitit 1973 në fazën finale morën pjesë 1370 pjesëmarrës; në festivalin e vitit 1978, në fazën përzgjedhëse u aktivizuan rreth 53.000 pjesëmarrës, ndërkohë që vetëm 1560 bartës interpretuan gjatë ditëve të festivalit.

Në vitin 1995 festivali folklorik u zhvillua në kalanë e qytetit të Beratit dhe në shtator të vitit 2000 ky aktivitet madhor u rikthye përsëri në qytetin e Gjirokastrës.

Më poshtë, KultPlus ju sjell një video nga festivali i parë i këngës folklorike shqiptare, i cili u mbajtë më 21 shtator tq vitit 1949. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/SyleMatoshi1/videos/753470775451434/