Galeria e Artit Tiranë (GAT) zhvilloi mbrëmë aktivitetin përmbyllës të Festivalit Ndërkombëtar të Artit të Grave “Frida”. Ky festival i cili tërhoqi vëmendjen edhe të artisteve ndërkombëtare, frymëzohej nga piktorja simbol i feminizmit, Frida Kahlo.
Thirrja për pjesëmarrje u drejtohej vetëm artisteve gra të cilat duhet të paraqisnin vetëm 1 punë të tyre.
Juria e festivalit ka vlerësuar me çmimin e parë artisten Irena Paskali e cila vinte nga Gjermania. Me çmim të dytë u vlerësua vepra e Nimfa Pema nga Italia, me çmim të tretë, Dorota Bujak nga Polonia dhe çmimin “Artistja më e mirë shqiptare” u shpall artistja e re, Ema Bregu.
“Frida” erdhi me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë Tiranë. Gjatë ceremonisë së çmimeve, krahas drejtoreshës së re të GAT, Edit Pula, ishte i pranishëm edhe drejtori i mëparshëm, piktori Abaz Hado.
Fotografitë nga Agim Dobi. / atsh / KultPlus.com



















