Sot në Montecilfone, një komunë arbëreshe në Provincën e Campobasso, në rajonin italian të Molise, u mbajt Konferenca për shtyp për prezantimin e Festivalit “Futura Memoria Adriatica”.
Si lindi ideja për Festivalin “Futura Memoria Adriatica”
“Në mesin e shekullit të pesëmbëdhjetë – raportojnë organizatorët – komunitetet shqiptare dhe kroate u vendosën në Molise duke mbajtur të paprekur gjuhën e tyre e cila, edhe nëse ndryshon me kalimin e viteve, mbetet dhe i dallon këta Molisanë nga Campomarino, Montecilfone, Portocannone dhe Ururi (me origjinë shqiptare) dhe Acquaviva Collecroce, Montemitro dhe San Felice del Molise (me origjinë kroate).
Gjuha e folur në shekullin XVI mund të dëgjohet në sheshet e qyteteve shqiptare dhe kroate edhe sot. Një burim kryesor ndërlidhës është gjithashtu edhe Deti Adriatik. Nëse një ditë ajo ishte rruga e ndjekur nga shqiptarët dhe kroatët për të arritur në Molise, asgjë nuk e pengon që ajo të bëhet një urë komunikimi për njerëzit, bizneset dhe idetë.
Cili mjet është më i përshtatshëm se Arti për të forcuar lidhjet midis brigjeve të Adriatikut?
Nxitur nga kjo ide, lindi Festivali “Futura Memoria Adriatica”, një takim midis artistëve nga tre vendet e përfshira Itali, Shqipëri, Kroaci të cilët synojnë nëpërmjet kësaj nisme t’u japin sadopak jetë të re vendeve Molise në procesin e braktisjes dhe shpopullimit falë një “ripopullimi” këte herë krijues.
Në këtë konferencë ishin të pranishëm Giandomenico Sale (drejtor artistik dhe krijues i Festivalit), Giorgio Manes (Kryetar i Bashkisë të Montecilfones), Fausto Bellucci (Kryetar i San Felice del Molise), Driada Denvishi (drejtor i Teatrit Kombëtar “A.Moissi” të Durrësit – Shqipëri), Fernanda Pugliese (Drejtore e revistës dygjuhëshe Kamastra, Arbresho – italiane dhe kroato – italiane).
Artistët e përzgjedhur nga vendet pjesëmarrëse janë Elena Copelli (valltare dhe koreograf) (Itali)”, Alisia Ialicicco (balerin dhe koreograf) (Itali)” Irida Gjiergi (aktore dhe muzikante) (Shqipëri)”, Aida Llukaj (koreograf, valltare) (Shqipëri)” Josipa Bubas (valltare, interpretuese) (Kroaci), Tomislav Cuvelijak (krijues vidiosh) ) (Kroaci)”.
Për secilin nga dy komunat e Molises, San Felice dhe Montecilfone, me qëllim vendosjen e marrëdhënieve kulturore me Kroacinë dhe Shqipërinë, për të krijuar atë urë të nevojshme komunikimi midis dy brigjeve të Adriatikut dhe për të krijuar shkëmbime dhe marrëdhënie të dobishme për ekonominë, turizmin dhe kulturën, programi i aktiviteteve do të përfshijë duke filluar nga data 3 deri më 9 Tetor shfaqje të ndryshme teatri dhe vallëzimi të organizuara midis artistëve të përzgjedhur nga tre vendet pjesëmarrëse.
Gjatë periudhës së qëndrimit, secili artist do të organizojë një punim drejtuar popullatës dhe atyre që dëshirojnë të marrin pjesë. Edicioni i parë i “Futura Memoria Adriatica,” në sajë të kësaj gjetje të re artistike dhe kulturore, synon promovimin e trashëgimisë dhe bukurive të peizazhit, të komunave të vogla të Molises, viktima të shpopullimit ndër dekada dhe braktisjes me qëllim ripopullimin dhe zhvillimin e tyre. Kjo nismë përfshin një reflektim mbi arkitekturën, traditën dhe punimet artizanale, të cilat mund të bëhen një fushë e eksperimentimeve artistike dhe kulturore.
Objektivi kryesor i këtij Festivali është të nxisë zhvillimin e potencialit të zonës Molise me origjinë shqiptare dhe kroate në bukuritë e saj më të “fshehura”, duke mbledhur farën e traditës për ta shndërruar atë, në të tashmen, në një mënyrë të re jetese në vende që shpesh janë të panjohura dhe të braktisur.
“Futura Memoria Adriatica” 2020 është konceptuar dhe promovuar nga Shoqata Kulturore Frentania Teatri./ disporashqiptare/ KultPlus.com