Mbrëmë dhe sonte, qyteti antik i Malit të Zi është transformuar në një skenë të magjishme ndriçimi, ndërsa mbahet festivali i dritave që ka tërhequr artistë të njohur nga mbarë bota.
Ky event unik, i cili ndriçon rrugët dhe ndërtesat e qytetit me piktura dhe instalime të jashtëzakonshme, ka krijuar një atmosferë të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit.
Sonte është nata e veçantë për Ramë Dardaninë, artistin që përfaqëson popullin shqiptar dhe Kosovën. Me një ndjenjë të thellë krenarie, Ramë Dardania shpalos veprat e tij që reflektojnë pasurinë e artit të Kosovës. Pjesëmarrja e tij në këtë festival është një dëshmi e fuqisë së artit për të lidhur kultura të ndryshme dhe për të krijuar ura mirëkuptimi.
Ramë Dardania u shpreh se është jashtëzakonisht i lumtur për këtë mundësi dhe e konsideron një nder të madh që është përzgjedhur të marrë pjesë në një ngjarje kaq prestigjioze. “Ndjej një krenari të jashtëzakonshme që përfaqësoj artin dhe kulturën shqiptare në këtë festival ndërkombëtar. Ky është një moment historik për mua dhe për të gjithë artistët shqiptarë,” tha ai.
Festivali i dritave në qytetin Kotor të Malit të Zi vazhdon të mahnitë vizitorët me spektaklin e tij të ndriçimit dhe kreativitetit, duke krijuar një mbrëmje të mbushur me magji dhe emocion. Sonte, të gjithë sytë janë drejt Ramë Dardanisë, i cili me veprat e tij do të ndriçojë jo vetëm qytetin, por edhe zemrat e të pranishmëve./ KultPlus.com