Greva në Hollivud ka lënë ende të paqartë se cilët yje do të udhëtojnë në Itali për Festivalin e 80-të të Filmit në Venecia, i cili hap siparin sonte.
“Adam Driver, Sofia Coppola dhe Mads Mikkelsen ka të ngjarë të jenë mes tyre”, sipas një zëdhënëseje të festivalit.
Festivali i filmit fillon sot në orën 19:00, me hapjen e tij me filmin “Comandante” të regjisorit italian Edoardo De Angelis.
Ai tregon historinë e një komandanti italian nëndetëseje, në Luftën e Dytë Botërore, i cili merr një vendim të guximshëm për një udhëtim në Atlantik.
“Comandante” është një nga 23 filmat që konkurrojnë për çmimin kryesor të festivalit, “Luanin e Artë”, i cili do të shpallet më 9 shtator.
Në garë është edhe regjisori gjerman Timm Kroeger.
Premiera e filmit të tij ”Theory of Everything” do të shfaqet më 3 shtator.
Përveç kësaj, filmat e rinj të David Fincher (i njohur për “Fight Club”, “Seven”), Luc Besson (“Léon – The Professional”), Sofia Coppola (“Lost in Translation”), Michael Mann (“Heat”) , Pablo Larraín (“Spencer”), Ryusuke Hamaguchi (“Drive My Car”) apo Bradley Cooper (“A Star Is Born”) mund të shihen të gjithë në garën për çmimin “Luani i Artë”.
Skenaristët e Hollivudit kanë qenë në grevë që nga 2 maji.
Aktorët e përfaqësuar nga SAG-AFTRA u larguan nga puna më 14 korrik.
Të dy sindikatat po kërkojnë pagesa të përmirësuara dhe mbrojtje kundër përdorimit të inteligjencës artificiale.
Disa vëzhgues presin që vera e nxehtë të zgjasë deri në vjeshtë, duke ndryshuar sezonin e ri në transmetimet televizive dhe duke thelluar pasojat ekonomike për Los Anxhelesin dhe industrinë e tij./atsh/KultPlus.com