Rikthehet Festivali i Filmit me metrazh të shkurtër në Korçë. Ndryshe nga një vit më parë që u zhvillua online, këtë herë ky organizim u mbajt me praninë e publikut.
Janë 31 filma nga 20 shtete të botës dhe të zhanreve të ndryshëm.
“Kryesisht janë filma fiksion, filma artistikë, por ka edhe dokumentarë dhe filma të animuar”.
Prodhimet kinematografike do të shfaqen për disa ditë në qytetin juglindor.
“Deri ditën e shtunë do të shfaqen dy programacione të ndryshme, një te Teatri i Korçës në orën 11:30 dhe gjatë mbrëmjes në orën 20:30 te Muzeu Arkeologjik”.
Mbajtja e këtij festivali me praninë e publikut, konsiderohet e rëndësishme edhe nga anëtarët e jurisë.
“Janë impresione që nuk merren dot nga celularët dhe nga ekranet e laptopit, pikërisht për t’iu larguar asaj faze që kaluam, të pandemisë sepse aty kemi qenë të detyruar vërtet që të bënim kompromis me kushtet e transmetimit”, tha aktori Genci Fuga.
“Për mua është shumë e rëndësishme që t’i rikthehemi sa më shpejt aktiviteteve të këtij tipi sepse filmi është një përvojë sa artistike, aq edhe kulturore, kështu që shpresoj të ketë publik, të ketë pjesëmarrës dhe padyshim që do të jetë një ngjarje e veçantë”, u shpreh një tjetër anëtare.
Festivali ka gjetur mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe bashkisë së Korçës. Në natën finale do të ndahen edhe çmimet për regjisorin, skenaristin aktorët më të spikatur si dhe kategori të tjera. / tvklan.al / KultPlus.com