I prezantuar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Venecias 2021 në seksionin Horizont, por mbi të gjitha fitues i Çmimit të Madh të Festivalit të Filmit në Tokio, filmi “Vera Dreams of the Sea” me regji të Kaltrina Krasniqi është një film që ndërthur dramën gjenerative dhe individuale në humorin e tensionuar të thriller, shkruan KultPlus.
I hollë në nëntekste dhe i montuar pa pushim, ky film realizohet mbi të gjitha nën interpretimin e aktores Teuta Ajdini Jegeni, një ndërthurje mes shtytjes rebeluese dhe zakonit të heshtjes.
Regjisorja kosovare e paraqet talentin e saj – të dukshëm mbi të gjitha në vendosmërinë dhe saktësinë e zgjedhjeve stilistike shkruhet në gazetën italiane Info Oggi.
Krasniqi tregon se si nëna e saj, Vera dhe Vera në film janë në thelb dy gra shumë të ndryshme, por ka ngjashmëri mes tyre.
“Ato janë gra të të njëjtit brez, që jetuan në një sistem vlerash dhe traditash që i privuan plotësisht gratë nga çdo mundësi veprimi kur ishte fjala për të ndjekur atë që është e tyre – siç është e drejta për të trashëguar, e cila më shpesh përkthehet si pavarësi ekonomike”, thotë Krasniqi.
Ajo tutje shpjegon historinë se si nëna e saj u divorcua nga babai, kur edhe luftoi në gjykatë për më shumë se katër vjet që të sigurojë një pjesë të pronës së saj, për ta humbur në fund gjyqin.
“Nëna ime shpejt e kuptoi se edhe gjyqësori ishte patriarkal. Megjithëse ligji i garantonte të drejta të barabarta pronësore, ajo nuk arriti të transferonte pasuritë e saj, sepse procesi i saj i vendimmarrjes ishte i bazuar në një traditë që historikisht favorizonte burrat. Vera, nga ana tjetër, në film përpiqet të negociojë pozicionin e saj me traditën, e vetëdijshme se ndërhyrja e shtetit nuk ka peshë kur të drejtat e saj pronësore si grua janë në pyetje”, shpjegon tutje regjisorja.
Fituesja e disa çmimeve ndërkombëtare, pohon se Kosova është një vend i blinduar dhe se patriarkati është universal.
“Kosova është një vend i blinduar. Nocioni ynë për detin është romantik, por edhe deti është një vend i panjohur. Kur Vera sheh një mundësi për një jetë të re buzë detit, pas vetëvrasjes së të shoqit, ajo kthehet në një makth të përsëritur mbytës. Uji është një mjet klasik shprehës i kinemasë dhe në këtë rast është në shërbim të një gjuhe pamore që flet në emër të psikikës së Verës”, thotë ajo.
Më pas, Krasniqi jep edhe detaje të tjera nga filmi, ku tregon se si Vera ka lindur në vitet 1950 dhe është personi i parë që shkoi në universitet, derisa nëna dhe gjyshja e saj mezi dinin të shkruanin dhe lexonin.
“Kjo e mban atë vazhdimisht në disavantazh kur bëhet fjalë për përfaqësimin ose negocimin e të drejtave të saj”, përfundon ajo.
zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazisë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’.
Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi.
Vera andrron detin’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë – Shqipëri. /KultPlus.com