Edicioni i 14-të i Festivalit të Filmit të Animuar Anibar vjen me një program të bujshëm, i cili përfshin aktivitete të shumta.
Dje më 19.07.2023 u mbajtën shumë aktivitete të ndryshme. Shfaqja e filmave filloi nga ora 10:00 në Kinema “Jusuf Gërvalla” me programin e Audiencës së Re ku u shfaqën filmat “Canary”, Witchfairy”, “The Goose”, “The Christmas tree school” dhe “Swop – Dentist”.
Shfaqja e filmave vazhdoi në Kinema “Jusuf Gërvalla” me programin special “WTF” ku u shfaqën gjithsej dymbëdhjetë filma të cilë kanë trajtuar tema të ndryshme sociale në një formë eksperimentale. Dita vazhdoi edhe me prezantimin e animatorit MOTOMOCHI, “Eksplorimi i frikës, kuriozitettit dhe lidhjeve të përbashkëta në mediat artistike”. Me kalimin e viteve MOTOMICHI ka krijuar vepra arti në media të ndryshme duke përfshirë piktura, skulptura, dizajn grafik, instalime video dhe harta projektimi. Përmes këtij prezantimi ai diskutoi rreth dëshirës së tij për të krijuar lidhje emocionale me njerëzit, veçanërisht përmes ndjenjave të frikës dhe kuriozitetit.
Programi I VR (Virtual Reality) po vazhdon të shfaqet çdo ditë në hapësirën e Galerisë së Arteve nga ora 11:00 deri në 16:00. Të gjithë të pranishmit mund ti shohin filmat “Marco & Polo go round”, “Strands of Mind”, “Gloomy eyes” dhe “The Scream” përmes VR. Ky program është I kuruar nga Gala Frecon.
Pasditja filloi me vazhdimin e garës se filmit të metrazhit të gjatë ku u shfaq filmi “Four Souls of Coyote”, ku më pas u mbajt edhe paneli “50 hijet e dashurisë: Ndikimi i kinematografisë në perceptimin e dashurisë” me panelisë Erblin Nushi, Blerta Zeqiri, Flaka Kokolli dhe Marko Dješka. Përgjatë këtij paneli u diskutua rreth temës së dashurisë dhe si e portretizon kinematografia dashurinë, si ndikon ky portretizim ne në përforcimin e normave sociale dhe strukturave dominuese të pushtetit në marrëdhëniet romantike.
Nga ora 20:30 në Kino Liqeni filloi shfaqja e filmave të garës studentore, ku u shfaqën gjashtë filma për të pranishmit, duke vazhduar pastaj me garën ndërkombëtare në Kino Kubat, me gjithsej katër filma.
Nata përfundoi me argëtim nën tingujt e muzikës nga Conquering Lions dhe Florent V duke përmbyllur kështu natën tretë të netëve muzikore të Anibar-it. / KultPlus.com